Σάββατο 22 Σεπτεμβρίου 2012

NJE SHQETESIM I ZMADHUAR



Çështja se a ka ndryshim midis shqiptarëve të Kosovës dhe Shqipërisë nuk është një çështje e pangacmuar në media. Sidomos kjo e artikuluar nga disa intelektualë shqiptarë të Kosovës, të cilët, duhet thënë, janë zëra në pakicë, që ngatërrojnë ndryshimet si diversitet natyral edhe brenda një njësie etnike me “identitetet e ndryshme” të shqiptarëve të Shqipërisë dhe të Kosovës. Nuk do shumë mund per ta kuptuar që shqiptarët e Shqipërisë dhe ata të Kosovës janë njëlloj shqiptarë, sepse kanë një gjuhë të përbashkët (shqipen) që është AND-ja e një kombi, se janë të një race, se banojnë në një territor dhe se askush nuk ka asimiluar njeri-tjetrin, sepse gjysma e njësisë të të njëjtit lloj nuk mund të asimlojë gjysmën tjetër. Këtu problemin duket se e ngatërron ekzistenca e shqiptarëve në dy degë (shtete) pas 1913. Një ekzistencë paralele në dy shtete , njëri shtet i pavarur (Shqipëria) dhe gjysma tjetër krahinë e një shteti dhe kombi tjetër (Federatës jugosllave). Pra,shqiptarët i ka përfaqësuar Shqipëria deri tash së fundi, kur fitoi pavaresinë Kosova. Nuk do shumë mend, gjithashtu, për ta kuptuar që midis shqiptarëve të Shqipërisë dhe të Kosovës ka edhe ndryshime, siç ka midis gegëve ( veriorëve) dhe toskëve (jugorëve), siç ka ndryshime midis vlonjatëve dhe korçarëve (edhe pse janë toskë) siç ka ndryshime  midis shkodranëve dhe tropojanëve (edhe pse janë gegë) , bile, edhe midis krahinave dhe fshatrave fqinjë me njeri-tjetrin në të folme (dialekte apo nëndialekte) në veshjet tradicionale, në të kënduar e deri te veçoritë  zakonore. Dhe kjo është pasuri. Ky është diversiteti në unitet. Këtu çdo ndryshim konfirmon njësinë. Prandaj nuk duhet patur frikë të flitet për ndryshime, të cilat ekzistojnë dhe nuk e cenojnë substancën kombëtare. Mirëpo duket se ndryshimi për të cilin ata flasin apo duan të flasin është diçka e paqartë, e turbullt dhe duket më tepër një pozicion që vjen prej kompleksesh inferioriteti ose prej pretendimit për protagonizëm. Me sa duket, këtë ndryshim të papërcaktuar duan t’ia kundërvenë idesë së bashkimit. Sapo u artikulua ideja e bashkimit midis Shqipërisë dhe Kosovës, në fillim ne Kosovë ( Vetvendosja), por edhe në Shqipëri më pas (Aleanca Kuqezi), doli edhe teza e “ndryshimit” midis shqiptarëve të Kosovës dhe Shqipërisë, si antitezë për bashkimin. Bashkohen ose jo Shqipëria dhe Kosova (ndonëse perspektiva e paevitueshme është bashkimi)  shqiptarët e Kosovës janë po aq shqiptarë sa dhe shqiptarë e Shqipërisë. Për ta përligjur “ndryshimin” e tyre të padefinuar (të papërcaktuar) ata gjejnë “fakte” që nuk arrijnë të shndërrohen në argumente. Në këtë hulli është dhe shkrimi me titullin cinik ( për të mos thënë përbuzës) “Shqiptarçe flasin dhe vrasin” i autores Blerina Rugova Gaxha. ( ajo duhet ta dijë se shqiptarët flasin “shqip” dhe jo “shqiptarçe”). Pasi flet për identitete të mundshme “të ndara”mes shqiptarëve të Kosovës dhe Shqipërisë   konstaton se kësaj teme tabu i shmangen studiuesit në Shqipëri dhe Kosovë. Ajo shkruan: “Por kanë ndodhur tri ngjarje të mëdha kulturore …. ku kosovarët u bënë fitues të garës së përbashkët Shqipëri- Kosovë, të cilat e kanë hapur dhimbshëm këtë temë” dhe pasi përmend Rona Nishliun në  Eurosong ( ngjarje e bukur), një A.Zeka në “Big brother”, që nuk e di pse e quan ngjarje të madhe(!) si dhe një Rina në “Voice of Albania”, çmimi i parë. Këto ngjarje, sipas saj, nxorën në pah edhe debatet e vërteta të shqiptarëve andej e këtej kufirit, sipas të cilave rezulton se nuk jemi krejt Një. Nuk besoj të jenë këto ngjarje etalon për konluzione kaq “të rënda”. Dhe bazuar në rrjetet sociale ( të dyshimta e të pasakta) ajo thotë se shumë njerëz ( Sa? P.Q)  nga Tirana nuk kanë hezituar të thonë se ishin mërzitur me fitoret  Ronës (e pabesueshme), të Arbrit apo Rinës. Autorja kërkon dhe një debat për këtë çështje. ”Shumë politikanë, analistë, profesorë dhe publicistë  ikin si prej dreqit nga ideja e debateve për diversitetin ose identitetin e ndryshëm kulturo- gjuhësor ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë”. Mendoj se tri ngjarjet që përmend autorja e shkrimit nuk përbëjnë prova se shqiptarët nuk i duan kosovarët. Ato janë disa parapëlqime adoleshentësh (nuk dihet përqindja) që tregojnë tifozerinë, që gjithmonë është e njëanshme.Tek e fundit, ka tregues domethënës të dashurisë së shqiptarëve për kosovarët, që dihen tashmë. Por dhe fakti që ata fitojnë në mes të Tiranës tregon të kundërtën e asaj që pretendon autorja.  Tri ngjarjet e mësipërme veç kanë qenë preteksti për të nxjerrë në pah “shqetësimet” dhe dilemat e vet autores së shkrimit. Prandaj, shqetësimi i saj dhe nëse mbështetet në disa “fakte” virtuale, është tejet i zmadhuar. Edhe ajo vet, me sa duket, vuan nga komplekset, nga ai i inferioritetit apo i protagonizmit, duke u nisur nga ideja e gabuar se në një bashkim të mundshëm Shqipëri-Kosovë, kush do të udhëheqë, pra cila do jetë lokomotiva, duke evidentuar edhe një herë vesin historik të shqiptarëve-grindjen në momente delikate. Ndaj,veç të tjerave, jemi keshtu si jemi. Por le të jetë e qetë artikullshkruesja: Lokomotiva e bashkimit do jetë patriotizmi. Zonja Gaxha e  nxjerr “merakun” kur thotë se në aksin e  marrëdhënieve Shqipëri-Kosovë ka vetëm një sens: nga Tirana në Prishtinë dhe jo anasjelltas. Nuk e di sa e vërtetë është kjo. Ndërkohë që askush më mend në kokë  në Shqipëri nuk ka folur ndonjëherë për “fitore” mbi kosovarët.

Botuar  me shkurtime per hir te standartit ne gazeten "Shekulli" 25 Korrik, 2012

Τρίτη 18 Σεπτεμβρίου 2012

ARVIZU SFIDON PS DHE MEDIEN KRITIKE

                                                        



Arvizu, në një prononcim për gazetarët pas takimeve me Nishanin, Berishën dhe Ramën, sfidoi deklaratat ë PS dhe Ramës si dhe opinionet ë shprehura nga disa analistë të disa gazetave të njohura si kritike ndaj qeverisë, kur tha se zëvendësimi i Shaqirit me Likën është një gjë normale. Ai drejton një shërbim të ndryshëm nga ai i viteve ’90, deklaroi ambasadori,duke lënë të nënkuptohet se ajo periudhë është mbyllur. Por ambasadori iu shmang faktit që në krye të shërbimit vjen një ish-drejtues i lartë i Shik-ut, që ë mbylli pa lavdi kapitullin ë vet.. Kështu shqetësimit të medias kritike me qeverinë si dhe asaj të PS se shkarkimi i ish-shefit të SHIK-ut dhe emërimi i  Visho Likës, ish drejtues i SHIK-ut të periudhës 1992-1997, është bërë pa u konsultuar me amerikanët, ambasadori amerikan iu përgjigj se cdo gjë është “ok” për SHBA-të. Sigurisht ky është një zhgënjim për këta analistë,opozitën dhe më gjerë. Atëhere c’i shtyu këta analistë të kritikonin Berishën për stilin e “faktit të kryer”? A kishin ata indikatorë të sigurt se Berisha s’po i pyeste amerikanët për këtë ndryshim, apo kishin thjesht hamëndje dhe, meqë vet kishin një mendim të tillë,  do të dëshironin që këte mendim të kishin dhe amerikanët?Ua thoshte intuita apo kështu dëshironin të  qe vërtet?Apo donin të bënin një “diversion” të vogël që të nxisnin SHBA kundër Berishës, meqë Berisha ka plot gjera për ta kritikuar? Në këtë histori ka pak nga të gjitha. Apo ka dhe pak “diplomaci”nga ana e këtyre  gazetarëve? Në të vërtet ky ishte një bllof për këto media dhe vecanërisht për PS. Është ë natyrshme që Rama të bëjë edhe diplomaci, si përfaqësues i një partie politike, por diplomacia e gazetarëve është krejt pa vend. Jam i sigurt se ata janë nisur nga c’ka bërë Berisha me SHIK-un në të kaluarën si dhe nga konsideratat e shprehura të amerikanëve për Shaqirin. Por ky rast tregon se politika nuk është kaq ë thjeshtë dhe se  deklaratat politike nuk janë tekste të drejtpërdrejta. Ndoshta në këtë qorollisje i ka cuar edhe deklarata e ambasadës amerikane në fillim se ishte befasuar nga ky ndryshim, ndërsa Arvizu fare hapur pohoi më pas të kundërtën. Dhe amerikanët jo në një rast janë shprehur për të njëjtën gjë me dy qendrime. Kështu kanë denoncuar Gërdecin dhe kanë thënë se do t’i shkohet deri në fund, pastaj kane heshtur, po kështu për zbardhjen ë 21 janarit dhe , megjithëse kanë ndihmuar dhe me ekspertizë dhe kanë deklaruar në krah të Prokurores së përgjithme se drejtësia do të vihet në vend, asgjë s’është bërë. Këtë shpërputhje midis deklaratave dhe veprimeve ë ka konstatuar media e pavarur, por, duke vuajtur nga komplekse të ndryshme, në rastin më të mirë ka fajësuar ambasadorin amerian si idivid me sipati për Berishën dhe jo ShBA, a thua se z.Arvizu bën politkë apo diplomaci personale në Shqipëri! Kurse sa për atë se ShBA ka marrë garanci nga kryeministri se partneriteti ndërmjet SHISH dhe SHBA do të vëzhdojë, kjo nuk vihet në diskutim. Edhe po të dojë Berisha të bëjë ndryshe, nuk mund ta bëjë këtë, pasi ’96-97 nuk është shumë larg dhe Berisha nuk ka më kohë për korrigjime.     Por opozita dhe opinioni publik nuk ë ka hallin se Berisha do dëmtojë SHBA, por e kanë hallin për vete, se si do ta përdorë Berisha SHISH brenda vendit, ndaj opozitës apo zërave kritikë publikë. Por Arvizu përgjigjet për pjesën e vet. Berisha me amerikanët do sillet mirë. Kjo i intereson atij.
            Analistët duhet ta dinë se SHBA ka interesa strategjike gjeopolitike dhe për hir të tyre, bëjnë dhe “lëshime” në parimet. Dhe interesat e një superfuqie dominojnë mbi parimet jashtë territorit të tyre, pavarësisht se mbulohen me flamurin e parimeve. Por analistet nisen nga ca kritika për qeverinë, si ajo për korrupsionin shetëror, drejtësinë ë korruptuar, për zgjedhjet problematike të shqiptuara nga agjenci të pavarura apo edhe nga Departamenti i Shtetit. Kjo ka krijuar imazhin se ka një prirje anti- Berisha në Uashington. Por një shikim i vëmendshëm i jetës politike shqiptare dhe i proceseve të saj tregon se ndërkombëtarët ë, sidomos amerikanët , pavarësisht ndonjë “shuplake” kritike ndaj Berishës, janë rreshtuar pro tij së paku që nga 2009 e këtej. Mirëpo për provincilizëm apo servilizëm të panevojshëm, disa analistë nga më seriozët kanë rënë në grackën e qëndimeve të dyfishta të SHBA-ve ndaj disa proceseve dhe ngjarjeve të shenjuara negativisht nga opinioni publik dhe media e pavarur. Po keshtu dhe opozita. Ka një shikim thuajse naiv dhe idealist ndaj përfaqësuesve ndërkombëtarë në Shqipëri, thua se ata janë misionarë të Jesu Krishtit. Ndërsa raportet midis shteteve janë raporte interesi dhe aspak idealizmi. Ambasadorët e fuqive të mëdha janë ca vegla politike të kurdisura të shteteve të tyre, që mbrojnë interesat  tyre. Këtë gjë ë konfirmojnë edhe disa shkrime te disa kohëve më parë në shtypin ë pavarur, ku shprehej një lloj zhgënjimi ndaj këtyre përfaqësuesve. Bile në një të përditshme të pavarur një gazetar i njohur arrinte deri aty sa, nga dëshpërimi i zhgënjimit prej tyre, si një besimtar fanatik, megjithëse jepte argumente të qëndrimeve të tyre me dy faqe, të thoshte se ata “prishen” kur vijnë në Shqipëri!..Kjo nuk mund të të mos bëjë për të qeshur. Dhe kjo vjen,vec të tjerash, nga komplekset  se, po kritikove një përfqësues të një vendi të madh  demokratik, njerëzit pranë qeverisë mund të të etiketojnë si antiamerikan apo antieuropian,  bile më keq akoma, si komunist.
            Sic shihet,vet media ka nevojë të emancipohet, sepse në lidhje me kritikat ndaj europianëve dhe amerikanëve ka një lloj autocenzure dhe në shtypin e pavarur.. Ndërsa besoj e dinë që edhe në SHBA ka zëra kritikë ndaj qeverisë së tyre, sidomos për politikën  e jashtme. Shqiptarët duhet të mësojnë t’i lexojnë të huajt. Ambasada në fillim tha se ishte befasuar nga kjo lëvizje. Pastaj del ambasadori dhe thote me plot gojën se ndryshimet duhen, janë gjë ë mirë. Pra, dhe këtu shihet pozicioni i dyfishtë, një herë qortues ndaj qeverisë, pastaj miratues. Dhe pikërisht këtë qëndrim të dyfishtë duhet të analizojnë gazetarët. Sepse në politikë asgjë nuk ndodh kot. Kjo do të thotë, përtej kritikave për Berishën, se amerikanët mbështesin veprimet e Berishës, pra Berishën.Të mos kuptosh këtë është për të ardhur keq.
            Pra, Amerika edhe e kritikon Berishën, edhe miraton  veprimet e Berishës. Pse? Këtë e dinë ata. Por këtë, për arsye pragmatiste, duhet ta dijë opozita jonë në radhë të parë. Pastaj edhe media dhe të tjerët. Për këtë ja vlen një debat i civilizuar dhe pa paragjykime.




                        Shkruar per gazeten “Shekulli”,gusht 2012  (I pabotuar)

Κυριακή 16 Σεπτεμβρίου 2012

SHQIPTARËT DHE “GJUHA E TJETRIT”

  1. Më 4 nëntor gazeta “Shqip” botoi një artikull të Monika Stafës me titullin intrigues “Gjuha e tjetrit” një ndër 12 pikat”. Qysh në fillim duhet thënë se duke lexuar edhe disa shkrime të tjera të saj, parapëlqeva të mendoj se edhe kësaj radhe do ta lexoja me interes dhe kënaqësi shkrimin. Kështu, me këtë predispozicion, nisa ta lexoj. Por, sa më poshtë zbrisja në tekst, më duhej here pas here të kthehesha insinktivisht pas, pra më lart, për të verifikuar dyshimin, që po më lindte së bashku me një shije jo të mirë, që po mundohesha ta hetoja prej nga vinte. Dhe kështu m’u desh të bëj disa herë , deri sa e përfundova. Kur mbaron artikullin e kupton që degustimi nuk vjen prej problemit, që ajo ngre, as prej parashtrimit teorik, por prej argumenteve, që përcjell në terrenin konkret, në adresimin e shkakut dhe të shkaktarit. Problemi i pozuar prej autores në të vërtetë ekziston dhe ai është mosrespektimi apo një lloj alergjie për “gjuhën e tjetrit” midis popujve të Ballkanit. Dhe në këtë lojë joqytetëruese luajnë të gjithë popujt e Ballkanit. Ndërsa autorja shpall një pozicion të baraslarguar, që kompromentohet shpejt nga shembujt që jep. Në fillim ajo rreket të na tregojë edhe opinionin që ka patur Europa për Ballkanin deri dy dekada më parë, duke e pagëzuar atë Babel-Ballkan ose Ballkan-Babel. Aludimi është i qartë: Ballkani i mosmarrëveshjeve, i moskuptimit të tjetrit (fqinjit), për pasojë Ballkani i sherreve, Ballkani i konflikteve. Dhe, për të bërë një ilustrim për këtë, zonja Stafa shkruan:” Ballkani i gjuhës së refuzuar të tjetrit, Ballkani ku përkthehet dhe letërsia e bulevardeve, por shkrimtari i vendit fqinj mbetet i ndaluar”. Në përcaktimin e problematikës për Ballkanin në këtë aspekt autorja ka të drejtë dhe i ecën një vije objektive analize, ndonëse në sipërfaqe. Ajo mëton të shpjegojë pse është ky Ballkani dhe pse Ballkani i ka kufijtë më të dukshëm, më të thiktë, më të vështirë për t’u kapërcyer apo kaluar se vendet e tjera europiane. Dhe duket se e gjen, kur thotë se gjuha e tjetrit është “më kufi se kufiri”. Pra gjuha është vet kufiri i pakalueshëm, sepse është “më kufi se kufiri”. Duke marrë shkas nga gjuha dhe ndryshimi i gjuhëve, ajo me të drejtë, në kontekstin ballkanik , thotë se gjuha e tjetrit është më kufi se kufiri. Pra , ajo do të thotë se shkaku i keqkuptimeve , moskuptimeve apo armiqësisë midis popujve të Ballkanit janë gjuhët e tyre (të ndryshme). Nuk del qartë në ç'kuptim e ka : për gjuhën thjesht si mjet komunikimi, apo gjuha si simbol i ndryshimit, si pjesa më identitare ose ADN-ja e çdo populli (kombi), simbol i të qenit tjetër? Pse flasin gjuhë të ndryshme, apo pse popujt e Ballkanit mendojnë ndryshe (në fakt të gjithë njerëzit mendojnë ndryshe) për njeri –tjetrin? Nuk mendoj se gjuha në vetvete është ndjellësja e fatkeqësisë. Thelbi i konflikteve është jo se popujt e Ballkanit flasin gjuhë të ndryshe, por se mendojnë ndryshe, domethene keq për njeri-tjetrin. Dhe kjo nuk është e vërtetë vetëm për Ballkanin.Të tilla ndryshime (dikriminime), etnike, gjuhësore, kulturore, shpirtërore etj. kanë qenë shkak i konflikteve edhe midis vendeve të tjera europiane dhe në botë. Por ideja këtu është se pse ende sot, kur Eurpoa është qetësuar e shëruar prej këtyre demonëve, i ka lënë pas krahëve, Ballkani është ende në “luftë”. Por kësaj autorja nuk i jep përgjigje, ose më mirë, nuk i jep përgjigjen e duhur. Po të ishte se shkak për urrejtje do të ishte thjesht ekzistenca e “gjuhës së tjetrit”, atëhere shqiptarët do të kishin alergji edhe, po themi, prej japonishtes, meqë atë e flet një popull tjetër-japonezët! Gjë që nuk e kanë dhe s’mund ta kenë. Por le të jemi më të saktë: kjo dukuri ngjet zakonisht midis fqinjëve dhe kryesisht për pretendime territoriale, për dominim. Le të kujtojmë këtu francezët dhe gjermanët. Dikur edhe ata kanë patur probleme, bile dhe luftra me njer-tjetrin. Pra, ka diçka më të thellë, më domethënëse, që shkakton mëritë, keqkuptimet apo urrejtjen midis popujve. Por znj.Stafa i intereson thjesht dukuria dhe jo faktorët, që e kanë shkaktuar atë. Pra, ajo manovron vetëm në rrafshin horizontal dhe jo edhe në atë vertikal, ku do të gjente dhe përgjigjen e saktë për problemin që ngre. Në këtë rast “tjetri” nuk është thjesht fqinji, por fqinji armik ose i konceptuar si armik. Ky eshtë çelësi për të shpjeguar situatën në Ballkan. Ndërkaq, jo çdo gjuhë e tjetrit është apriori shkak për konflikte, për urrejtje, edhe kur tjetri është fqinji. Psh. pse nuk kemi keqkuptime apo armiqësi me italianët, edhe pse italishtja është “gjuha e tjetrit”...Bile gjuha e dy herë pushtuesit të dikurshëm! (në shekullin e kaluar). Prandaj thamë më lart duhej depërtuar përtej gjuhës si mjet thjesht komunikimi. Konflikti në Ballkan vjen si rezultat i “gjuhës së mendimit” të tjetrit. Këtu duhet patur parasysh raporti me “tjetrin” dhe me gjuhën e tij. Nga rapori që kemi me “tjetrin: (si kombe, si shtete) buron shpesh edhe raporti me “gjuhën e tjetrit”, që në thelb është raport me historinë. Pra lypsej të shpjegohej pse Ballkani i ka këto probleme, (që i dinë të gjithë) sepse gjithnjë ka një histori të gjërave, që do të thotë një shpjegim dhe arsyetim të tyre. E, në këtë shkrim, i vetmi defekt është mosshpjegimi i fenomenit, ndërkohë që është bërë konstatimi dhe evidentimi. Një qasje e tillë do të çonte objektivisht te shkaqet dhe shkaktarët e kësaj dukurie.Ndoshta kjo do kërkonte edhe fajtorin ose fajtorët dhe kjo, me mesa duket , i është dukur djegëse autores...