Σάββατο 8 Δεκεμβρίου 2012

ATDHEU IM ME DY HISTORI









ATDHEU IM ME DY HISTORI DHE ASNJË TË VËRTETË




Atdheu im fitimtar dhe i mundur,

hero dhe tradhtar

patriot dhe i shitur

lirimbrojtës dhe mercenar,

atdheu im me një histori të shkruar nga shqiptarët

dhe një tjetër të shkruar nga të huajt (normale)

atdheu im me dy histori edhe prej vet shqiptarëve (anormale)

një histori e fitimtarëve

dhe një histori e të mundurve

kur të mundurit kthehen në fitimtarë,

fitimtarët kthehen në të mundur.

                                         Atëherë rrëzohen statujat e heronjve

dhe vendosen ato të tradhtarëve.

Pastaj e kundërta.

Atdheu im me dy histori

dhe asnjë të vërtetë.

Atdheu im me dy palë heronj

E me dy palë tradhtarë,

Me heronj tradhtarë

Dhe tradhtarë heronj.

Atdheu im paradoksal

që më dhemb deri në palcë

që ke ecur gjithnjë me një këmbë e një patericë,

kur do t’i kemi

të njëjtë heronjtë

dhe të njëjtë tradhtarët?





Petrit QEJVANI

Δευτέρα 19 Νοεμβρίου 2012

MBI FIZIONOMINË POETIKE TË ALI ASLLANIT




                                                                        Nga Petrit Qejvani
           
            Për Ali Asllanin është folur e shkruar jo pak, përkundër pandehmës së krijuar për shkak të heshtjes gati 50 vjeçare të periudhës së socializmit. Ndonëse edhe atëhere diçka është pohuar rreth veprës së tij në hyrje të dy-tre botimeve të seleksionuara, përjashto monografinë e Mark Gurakuqit (e pabotuar kjo në kohën kur u shkrua) si dhe artikujve të ndryshëm në Kosovë.
            Studiuesit, të diferencuar në vlerësime për aspekte të ndryshme të veprës së poetit, janë të njesuar kur është fjala për vlerësimin tërësor të veprës së tij, duke e quajtur atë pa mëdyshje një poet të veçantë të letërsisë shqipe dhe, në lirikën e dashurisë , një ndër më të shquarit. Në këtë ‘’territor’’ai është sundimtar i padiskutueshëm. Si jetë fizike Ali Asllani i përket tri periudhave historike: asaj të pavarësisë, të krijimit e konsolidimit të shtetit (ose të mbretërisë) si dhe periudhës së socializmit, ndërsa si krijimtari , ndonëse shkroi edhe pas çlirimit, (në socializëm) ai i përket letërsisë së viteve 20-30 e fillimit të viteve 40 ( Hakërrim,1942) ose më mirë , periudhës parasocialiste (në kuptimin kohor e ideor të saj).
            Ali Asllani doli në botën e poezisë kur në letërsinë shqipe kishin dalur disa nga mjeshtrat më të mëdhenj të saj. Në atë kohë krijonin poetë të tillë si Çajupi, Mjada, Fishta, Poradeci, Noli e Migjeni.Të gjithë personalitete me profil të spikatur, që plotësonin gjithë spektrin poetik shqiptar.
            Çajupi, që këndon e veçanërisht qan si askush për dashurinë.(kujto Vajën)
            Fishta- epik dhe tradicionalist.
            Poradeci-tokësor dhe qiellor, i dyzuar midis kënaqësisë dhe brengës që dhuron dashuria e amëshuar, thuri vargje me elegancë dhe delikatesë të rrallë.
            Mjeda, me vargjet që ndrijnë nga pastërtia e ndjenjave dhe dashuria përdëllimtare për njerinë.
            Migjeni-dramatik dhe delikat, me jetë dhe vepër fizike të vogël, por 
 me art të ri dhe të madh, me të vërteta të mëdha, që do të kontestohej nga koha e vet dhe nga koha e sotme.
            Noli-i zjarrtë, mjeshtër i ritmit dhe i rimave, i akustikës poetike, me vargje që të habitin me kuptimin që merr fjala e zakonshme shqipe në penën e tij dhe
            Ali Asllani, më i drojtur e më modest se të parët në dëshirën për ekspansion poetik, që këndoi sipas mënyrës së vet dhe nuk u interesua shumë ç’thoshte bota për të, veç këndoi pa ‘’turp’’ për dashurinë, drejtpërdrejt, duke na dhuruar disa këngë (poezi) nga më të bukurat në poezinë shqipe, mjeshtër i harmonisë dhe melodioz, që të bind se si e thjeshta mund të jetë e bukur dhe e bukura mund të jetë  e thjeshtë.

                                         Poezia e Ali Asllanit
           
 Të gjithë e pranojnë pa mëdyshje ndikimin e poezisë popullore labe tek poeti, në krijimtarinë e tij, por njëherësh pranojnë që këtu nuk ka folklorizëm. Ka shumë faktorë, që përcaktojnë një ndikim të tillë, si origjina, mjedisi, edukata familjare, natyra e shkollës dhe vendshkollimi, shijet dhe preferencat individuale si dhe predispozicioni emocinal, shpirtëror. Është e qartë se të gjithë këta faktorë nuk mund të ndikojnë në mënyrë të barabartë në formimin e poetit. Është e njohur që vendlindja dhe mjedisi ku jeton lenë vragë te njeriu e posaçërisht te artisti. Pa dyshim kështu ka ndodhur dhe me Ali Asllanin.Vlora e asaj kohe, që ka qenë më tepër një fshat i madh apo një qytezë, zemër e Labërisë, do të ndikonte pa tjetër me mënyrën e saj të jetesës në krijimtarinë e poetit të ardhshëm. Do të ndikonin dhe ngjarjet e kohës, në të cilat ai do të ishte shpesh protagonist dhe, patjetër, dhe vendshkollimi, Janina dhe Stambolli, me jetën dhe kulturën e tyre. Ndërkaq nuk besoj se ndikimi kaq i dukshëm i poezisë popullore të jetë pasojë e lidhjeve të tij të drejtpërdrejta me fshatin, me gjithë kontaktet e herëpashershme dhe të shkurtra me të, sikundër pohohet në disa shkrime apo studime të ndryshme. Por, edhe sikur të mos kishte qenë kështu, pra, pa  vajtjet e herëpashershme në fshat ( ndërkohë që dhe jeta e Vlorës , mënyra e jetesës, mentaliteti dominohej nga sharmi lab), dëshmia më e mirë e ndikimit të folklorit lab, pavarësisht shkaqeve dhe arsyeve, në poezinë e tij janë vet poezitë e Ali Asllanit. Doemos që ndikimi i mjedisit është i paevitueshëm, porse historia jep plot shembuj që njerëz të ndryshëm, talente të ndryshëm, të rritur në të njëjtin mjedis, kanë patur formime të ndryshme e sidomos afinitete e preferenca të ndryshme krijuese. Madje dhe natyra e shollës dhe shkollimit shpesh nuk përcakton destinacionin profesional apo intelektual të të njeriut, as stilin ose natyrën e krijuesit e, veçmas, të artistit. Po të ishte kështu, Migjeni duhej të ishte një poet dogmatik, që t’i këndonte zotit (ai bëri krejt të kundërtën) e po ashtu ndodhi dhe me Ali Asllanin. Preferencat, më tepër se ndikime të jashtme janë parapëlqime të brendshme të njeriut. Kështu, poeti ynë nuk ishte folklorist, nuk bëri studime për folklor, as kreu studime për letërsi. Përkundrazi mbaroi një shkollë të lartë për drejtësi. Por kjo nuk e pengoi atë të bëhet poet, pasi poet ai kishte lindur. Kështu që, prania e ndikimit të poezisë popullore te ai është më tepër çështje afiniteti, një lidhje e natyrshme e poetit me folklorin. Ai e dashuron folklorin dhe ndikimi i tij në krijimtarinë e tij është evident. Këtë të vërtetë e kanë vënë në dukje apo më mirë, e kanë pohuar shumë studiues të veprës së Ali Asllanit, sepse në dukje e ka vënë vet poeti me vargjet e tij. Një prej studiuesve të veprës së tij, akademiku Rexhep Qosja thotë se poezia e Ali Asllanit të përkujton këngët popullore të dashurisë, dasmave dhe djepit, prej të cilave ai është ndikuar aq shumë...(R.Qosja në Ali Asllani ’Kujtime e studime letrare’’viti 2006.) Për dikë tjetër kjo ndoshta do të konsiderohej si një ulje në ‘’gradën poetike’’. Për Ali Asllanin kjo është identitet, është profil poetik.
            Ai pasqyron shpirtin lab në një mënyrë të rafinuar, duke marrë prej tij xhevahiret më rrëzëllitës, të cilët i pastroi, i lëmoi, i formësoi aq bukur dhe iu dha një shkëlqim të ri. Ai ishte një artizan i madh i fjalës. Ali Asllani e ngriti populloren (si frymë, si teknikë, si figuracion) në nivelet më të larta, e intelektualizoi, e kultivoi duke ia shtuar vlerat e origjinës. Duke qenë kaq shumë i ndikuar nga folklori, ai nuk është asnjëherë një rapsod.Tek ai popullorja dhe intelektualja kanë raporte të çuditshme afrie, nuk i zenë frymën njera-tjetrës dhe as janë të ndara më thikë nga njera-tjetra. Ato janë shkrirë mrekullisht. Ndërkaq profili i tij poetik,veçanërisht në lirikën dashurore, është tepër i veçantë, sa mund të thuhet se bëhet fjalë për fenomenin ose dukurinë Ali Asllani. Po të shprehemi në mënyrë figurative, Ali Asllani hyri me  frak e me qeleshe në pallatin e poetëve. Në vijim të këtij arsyetimi, nëse përshtasim një frazë të njohur nga një fushë tjetër e krijimtarisë intelektuale, mund të themi se Ali Asllani është poeti më i kultivuar ndër popullorët dhe më popullori ndër të kultivuarit, me një shpirt plot qibër, aristoktratik e virtuoz në thurjen e vargut, sa i çudit të parët
dhe i bën xhelozë të dytët. Për të vërtetuar këtë mjafton të citojmë: Më plaç buzën pleqëri,që sa vete lëshon lule,lëshon push të njomë mbi tule,dhe këndon si zog i ri... dhe antipodi: Kur më vjen e kur më vete,edhe hijen them ta mbledh e ta mbaj në gji për vete.(Për t’iu falur bukurisë). Popullor në poezinë e parë, intelektual në të dytën. Ai duket sikur luan me pozicionin ndaj poezisë e duket sikur thotë: doni të jem popullor?- kur të doni, më doni poet intelektual?-kur të doni. Dhe kjo tregon se ai është poet në të gjitha çastet e krijimit. Prej poezisë popullore ai merr lëndën e parë, por e përpunon aq fort dhe aq bukur, sa e çon në kufijtë e së përkryerës, duke i vënë markën ‘’made in Ali Asllani’’

                                           Për lirikën e dashurisë

             Duket se organizmi i tij bie në rezonancë vetëm nga dashuria. Zjarri i pasionit të dashurisë e djeg deri në fund dhe natyrshëm shtron pyetjen: nëse nuk e gëzojmë jetën, nëse nuk bëjmë dashuri, atëhere çfarë bëjmë?! Asgjë,sipas poetit! Jeta është dashuria dhe dashuria është jeta.
                                    Deh, mos bëftë prokopi
                                    Ajo zemër që nuk digjet
                                    Po ai që s’puth e s’pi
                                    Si vallë zotit i përgjigjet?
                                                            (Ja sepse na ndezi kënga.)
            Një koncept ky khajamjan për jetën dhe dshurinë...Dashuria është çelësi që hap dhe zbërthen shpirtin e poetit, e ndez, e përflak dhe prandaj vargjet dhe poezia e dashurisë është kaq e kapshme, e bukur, delikate, kaq e ëmbël dhe njerëzore. Jetës kuptimin ia jep dashuria. Ky Omar Khajam lab është i papërmbajtur, kur i këndon dashurisë. Madje shumë vargje të tij me këtë temë janë përbetime, jo vetëm përjetime të thella, por dhe deklarata të vërtetea dashurie, të bëra hapur, ‘’pa turp’’:
                                    Mollëzave, që pika mua,
                                    Me një pikë të zezë në mes
                                    Të t’i thith një herë siç dua
                                    Jam gati dy herë të vdes.
            Më thoni, cili poet shqiptar ka patur guximin t’i këndojë dashurisë jo vetëm si ndjenjë, por edhe si veprim fizik kaq hapur? Vetëm  një njeri i dehur nga dashuria s’e ka për gjë të thotë atë që ndjen dhe ashtu si e ndjen. Vetëm një njeri që e sheh botën me ngjyra rozë, të përmbytur nga dashuria mund të shprehet kështu. E Ali Asllani e njeh botën përmes dashurisë. Njohjet e tjera nuk janë aq të volitshme për të.
            Sa i drejtpërdrejtë dhe dashnor apo qejfli (përcaktim ky i goditur i Arif Demollit), aq dhe kalorës fisnik i ‘’Urdhrit të zemrës’’, një xhentëlmen i paparë në një  mjedis të ashpër e të prapambetur social dhe qytetar, (për arsye që dihen) që të befason me gjendjen dhe gjetjen artistike, si të ishte në sallonet më luksoze të botës, duke aristokratizuar mjedisin poetik:
                                   … Do të vish a s’do të vish
                                    Me qerpik të syrit tim
                                    Do fshij vendin ku të rrish...

            Këtu ia vlen të zgjatesh ca për të pare shkallën e delikatesës dhe shpirtit aristokratik të poetit. Qerpiku (objekt kaq poetik), që shërben për të mbrojtur sytë (një organ kaq delikat të njeriut) vihet në një funksion aspak delikat, por që kryen nje detyrë po kaq delikate: vihet në shërbim të dashurisë. Kjo është e mrekullishme. Poeti është një dashnor i përgjëruar, që vetëm pret që ajo të vijë, i gatshëm për çdo shërbim ndaj saj, duke i bërë thirrjen më joshëse. Këtu niveli i përjetimit dhe shprehjes poetike është në zenit. Sytë ,buzët, qerpikët, vetullat, këmbët, beli, duart si elementet më domethënës të femrës janë shpesh të pranishëm në poezinë e tij. Por ato nuk janë në gjëndje statike. Përkundrazi në lëvizje e dinamikë të vazhdueshme, në momente nga më të ndryshmet, duke dhënë tërë botën fizike femërore e mandej edhe psikologjike si  në  poezinë Vajzat heqin valle, ku poeti shfaqet mjeshtër i përshkrimit:
                                            VAJZAT HEQIN VALLE
                                     
                                    Njera flet me vetull, tjetra me qepalle
                                    Çapëzat e vajzës, çapëza pëllumbi
                                    Të lehta si panda, të shpejta si plumbi
                                    Edhe vajza vetë në krye të valles
                                    Mu si pik e lotit majave qepalles.
            
       Një sinjalistikë e tërë sysh, vetullash, qepallash, shikimesh, provokimesh, miklimesh. Ka ritëm, muzikë dhe një dritë vezulluese, që duket e zhduket në të qintat e sekondës, sipas ritmit të valles, që duket se shprehet me hapjen dhe mbylljen e qerpikëve dhe shkeljen e syve. Të krijohet kështu një vizion i gjallë i valles, një vizion i përbërë prej qinda pamjesh, sekuencash, lëvizjesh të përsëritura nga fillimi në mbarim, një botë e tërë hiresh e stolish, shkëlqim e xixëllima të zbukurimeve të vajzave në qafë, gushë,veshë, në gjoks. Tingujt dhe ngjyrat harmonizojnë e kontrastojnë me njera-tjetrën për të dhënë magjinë e valles së vajzave. Reflekse shkëlqimesh unifikohen e shpërndahen sërish si pluhur i argjendtë,duke elektrizuar ajrin dhe shpirtin e poetit.

                            
                    DASHURIA I KA TE DY ANET E MEDALIES
            
           
            Ka një sensualitet të madh në poezinë e dashurisë së Ali Asllanit, që e bën atë shumë konkrete. Ai kërkon prej saj gjthçka, në radhë të parë fizike, e kjo e fuqizon përjetimin emocional të autorit. Për poetin tonë nuk ka filozofi në dashuri. Filozofia më e mirë është vet dashuria. Kur ajo na mungon, atëhere fillon filozofimi për të, meditacioni, reflektimi...Do të shpie në shtëpi,do të shtrydh e do të pi,Do të pi si rrazaki...Çdo koment do të ishte i panevojshëm. Por sensualiteti është në kornizat e seriozitetit, që eviton çdo mundësi për shkarje banale.
            Tipar tjetër i poezisë së tij dashurore është sinqeriteti, çiltërsia çarmatosëse. Ai i këndon dashurisë dhe të dashurës fare pa droje. Ai të habit më kurajon djaloshare, thuajse adoleshente, për të dashuruar dhe shpallur dashurinë. Por ndoshta dashurisë i këndohet vetëm kështu...Interesante është se poeti nuk e ruan ‘’autoritetin mashkullor’’ në dashuri. Siç gëzon për të dashurën, ashtu qan dhe për të kur është rasti. Dashuria i ka të dy anët e medaljes. Vidi,vidi pëllumbeshë,për ty qaj e për ty qesh, thotë poeti.
            Studiues të ndryshëm e akuzojnë poetin se në trajtimin e temës së dashurisë ka mangësi ose shikim të ngushtë për shkak se nuk e pasqyron botën e brendshme të femrës, portretin moral të asaj, që adhuron dhe nuk e inkuadron atë në kontekstin social dhe kohor...E vërteta është se Ali Asllani nuk e ka predispozicionin për të dhënë botën e brendshme të femrës, interesat shpirtërore apo intelektuale, përkatësinë sociale, pra personalitetin e saj. Ai e veçon dashurinë nga lëvozhga sociale dhe kohore, ashtu si peshkatarët e perlave që flakin guackat dhe ruajnë vetëm perlat. Poetit i intereson femra në përgjithësi,femra si e tille.E rëndësishme për të është që ajo të jetë pëllumbeshë, guguftu, pjeshkëz, ftujë etj.,domethënë e bukur dhe e re, siç e percepton poeti.Pra, në fund të fundit,vajza, gruaja shihet(është) më tepër si objekt i dashurisë e, thuajse aspak, edhe si subjekt i saj. Dashurojmë një grua (femër) do të thotë poeti, jo një filozofe, bareshë apo zyrtare. Dhe, në thelb, ka të drejtë. Ne duhet ta gjykojmë poetin për atë që ka thënë e jo për atë që nuk ka thënë. Në një Shqipëri konservatore dhe të prapambetur, më një botë shpirtërore të varfër,(ashtu sikurse ajo materiale) e sidomos, me dashurinë si një zog të mbyllur në kafazin e kanuneve dhe zakoneve mesjetare, konceptet për një dashuri të hapur, liberale, të lirë, të shpallur me gjithë forcën e pasionit, janë një sfidë dhe kundërvënie rrethanave dhe mentalitetit anakronik të kohës. Duhet vërtet një kurajë morale dhe qytetare që në atë kohë të shkruaje për dashurinë:
                                     
                                    Në të till’ të holla punë
                                    Un’u bëra pal’ e pet’
                                    S’mund t’i vete zemrës kundra
                                    Jam artist e jam poet.    
                                                                   (Vishet mëni, zhvishet vasha)
           
            Kjo deklaratë prej ‘ustai’ të rafinuar në punët e dashurisë është njëherësh edhe justifikim, mbrojtje e shkëlqyer që poeti i bën vetes, duke parandjerë se do të sulmohet nga moralistët e kohësose, në rastim më të mire, do të rrudhnin buzët ‘’namuzqarët’’-robër të zakoneve patriarkalo-feudale nga ky qejfli ‘’cipëplasur’’, që u cenonte moralin. Dhe kjo nuk është pak. Një ndër misionet e artit dhe artistit është dhe emancipimi i shoqërisë. Niveli i lirisë së dashurisë është në thelb dhe niveli i lirisë së shoqërisë. Dhe ja mësimi që jep poeti: njeriu nuk mund të dalë kundër zemrës, kundër dashurisë. Aq më pak mund ta bëjë këtë një poet.

                DISA VECORI DHE VLERA TE POEZISE SE ALI ASLLANIT

     Poezia e Ali Asllanit mban vulën e personalitetit të tij poetik, një personalitet që kombinon dhe shkrin në mënyrë krejtësisht origjinale, të pangjashme me askënd tjetër, xhevahiret e këngës popullore me preferencat e kreaktivitetit intelektual.Ajo që konstaton sapo lexon poezitë e tij është spontaniteti, natyrshmëria në aktin krijues.,çka shfaqet në ngjizjen e vargut, që duket se është krijuar pa sforco,pa u menduar, pa urdhër prej poetit. Duket se Ali Asllani nuk e thërret muzën kur shkruan, porse muza e thërret atë. Prandaj vargjet janë aq të bindur, rreshtohen ëmbël pranë njeri-tjetrit, rimojnë e bashkëtingëllojnë në mënyrë harmonike, aq këndshëm për veshin.Tek ai fjala është muzikë dhe muzika është fjalë. Kur fjala është dhe muzikë të godet, të magjeps, të bën për vete, jep maksimumin e emocioneve dhe asociacioneve. Spontaniteti duket se vjen, sikundër pohojnë disa studiues, nga ndikimi i poezisë popullore. Më mire do të ishte që kjo të shpjegohej me ngjashmërinë e teknologjisë së krijimit të vargjeve midis poetit popullor (rapsodit) dhe poetit tonë. Mund të thuhet se te Ali Asllani poeti dhe rapsodi janë në raporte mirëkuptimi maksimal. Ai merr prej poezisë popullore jo vetëm frymën, por edhe arsenalin shprehës: fjalë, figura, shprehje frazologjike që i fut mjeshtërisht në poezië e tij dhe aspak si mish i huaj. Poezia e Ali Asllanit është përsosmërisht e rimuar. Edhe studiuesi më skrupuloz me zor do të gjente ndojnjë asonance. AliAsllani është poet i rimes absolute.
            Në poezinë e Ali Asllanit ka shumë Labëri,shumë Vlorë. Kjo poezi ka ngjyrat e Vlorës ( ato të natyrës dhe ato shpirtërore), por tingëllimi,vokacioni, rezonanca është kombëtare. Vlora në poezinë e Ali Asllanit është prezente qoftë si motiv, qoftë si atmosferë, mentalitet, psikologji dhe formë.Pra, qoftë si reference direkte: emra vendesh, sendesh, njerëzish, zakonesh, ngjarjesh deri te fjalori dhe e folmja e nuancuar vlonjate, qoftë si reference tërthore, si frymë e përgjithme. Ali Asllani është, ndoshta më vlonjati nga poetët e tjerë vlonjatë. Dhe këtë ai e deklaron haptazi dhe bile me krenari, për të mos thënë edhe me një lloj mburrjeje: Jam vlonjat e kryelartë...Natyrisht edhe për shkak të historisë…Për Ali Asllanin vendlindja e tij,Vlora, është edhe ekzistenca e tij, edhe baza e frymëzimit të tij
:
                                    Vlorën edhe Vlorën
                                    Thelb e kam në zemër
                                    Ditën e kam dritë
                                    Natën e kam ëndërr.
  
            Poezia, kjo sirenë e rrezikshme, josh shumë vetë në kurthet e saj, por vetëm poetët e vërtetë e superojnë joshjen e saj dhe fitojnë e dalin në bregun e poetëve. Dhe, pa dyshim, një i tillë është dhe Ali Asllan Vlonjati dhe këtë po e shkruaj me ‘V’ të madhe, sepse ai e dëshironte këtë dhe e meritoi.

                        Si përfundim, pa u merakosur shumë për të gjetur tipin poetik apo tipologjinë së cilës i perket poeti ynë, pasi klasifikimi i poetëve nuk e duron dot burokracinë, Ali Asllani ka zënë vendin e vet në poezinë shqipe, pavarësisht shjeve dhe modave letrare, që ndryshojnë apo përsëriten në forma më të rafinuara.
            E bukura mbetet e bukur, në çdo formë, që të paraqitet dhe se ajo nuk ka kurrë një formë.



MESAZHET POLITIKE DHE NJË MESAZH ETIK I Znj. KLINTON





                                                                                    Nga Petrit Qejvani

            Zonja Klinton erdhi në Tiranë, foli dhe iku. Me këtë frazë alla Cezar (vetem nga forma) mund të karakterizohet vizita blic e saj 2-3 orëshe në Shqipëri. Është tjetër histori pse politikanë të nivelit të lartë nga Europa apo Amerika nuk kalojnë një natë  ne këte Hanin tone. Erdhi  si mikeshë e Shqipërisë dhe foli si e tillë në Kuvendin e Shqipërisë, në sallën që thuhet se përfaqëson formalisht, por jo dhe aq realisht, Shqipërinë, ose ndoshta më mirë, shqiptarët.Si përfaqësuese e ShBA foli hapur,qartë, drejpërdrejt. Në Tiranën politike, që diplomacinë perëndimore dhe shprehjet diplomatike i kuptojne gjithmonë në gjithfarë mënyrash, por asnjëherë në në mënyrën e  duhur, iu desh t’i zhvishte fjalët nga ambalazhi diplomatik me qëllim që shigjeta  fjalëve të binte drejt e në thelbin ë gjërave. Dhe deputetët  dhe qeveritarët e Shqipërisë ishin aty,veshët i kishin me vete, por nuk dihet a i dëgjuan ato që tha shefja e diplomacisë amerikane dhe vecanërisht si i dëgjuan (shumica nuk kishte kufje ne vesh,cka tregon  se e kuptonin gjuhën e saj)...Në të vërtetë pakkush që i njeh politikanët shqiptarë do të besonte se fjalët e kryediplomates amerikane do të binin në veshin e duhur, sidomos në veshin e qeverisë, që nuk i ka qejf fare kritikat, ngado që të vijnë...Dhe sapo avioni i Hillary Klintonit u zhduk në horizont, kjo u vërtetua.
            Po cilët ishin mesazhet e saj? Ato ishin disa, por kryemesazhi ishte: Bëni zgjedhje të lira dhe të ndershme!( Cka do të thotë se deri tani nuk janë bërë të tilla). I dyti: Të doni më shumë interesin kombëtar se sa atë partiak, dmth të doni më shumë Shqipërinë se partitë politike. I treti: të luftoni korrupsionin dhe të jeni udhëheqës etikë, pasi korrupsioni deformon demokracinë dhe varfëron qytetarët dhe, së fundi, ndëshkoni të korruptuarit, pra të veprojë drejtësia. Fiks, thelbi i demokracisë. Pra, me fjalë të tjera, plotësoni kushtet për statusin e vendit kandidat për në BE.Nuk dihet sa u skuqën politikanët shqiptarë nga këto. Dhe më tepër se kujdo këto fjalë i drejtoheshin maxhorancës, personalisht kryeministrit, i cili dukej që larg i prishur në fytyrë, prishje që nuk ia mbuloi dot as gjesti prej kavalieri para shkallëve të kryeministrisë për t’i mbajtur pelerinën zonjës Klinton, pa e hequr ende nga supet.
            Epilog, që mund të ishte edhe prolog.
            Por ,vec mesazheve politike znj.Klinton dha edhe nje mesazh etik. Për një sy pak të vëmendshëm nuk mund të të mos bënte përshypje zbritja e saj nga avioni,e vetme, me ombrellë  të madhe shiu në dorë,( a thua i mungonin truprojat!).e veshur hijshëm, me hapat e ngadaltë, thuajse me ritëm muzikor.
            Një zbritje e një zonje të rëndë, elegante, gjithë sharm, e pushtetshme, që rrezatonte mirësi, paqe,feminitet. Aspak ekzibicioniste, e ndërgjegjshme cfarë përfaqësonte ku pushteti nuk e zhbën njeriun. Një zbritje pa regji, por mbresëlënëse, artistike , estetike, jashtë protokollit ku shkriheshin në një gruaja, politika, njeriu. Mbase e zgjedhur qellimisht prej saj ne kete toke ku "udheheqesit"  e kane  me te lehte t'i nxjerrin syte se t'i japin doren njeri-tjetrit.   Pikërisht përkorja, thjeshtësia dhe edukata, jo vetëm s’e zvogëluan peshën e vendit që përfqëson dhe te asaj vet, por i zmadhuan ato. Dhe pas kësaj nuk mund të mos të krijosh një paralele me gratë –burrra të politikës shqiptare,që jo vetëm imitojnë burrat politikë vulgarë, por dhe trashin zërin si ata, kercënojnë me plumba ballit apo me varje në mes të bulevardit kundërshtarët politikë. Por një mësim edhe për gjithë klasën  politike, për “borgjezët e rinj” shqiptarë me kostume firmato dhe  fodullë, me mentalitet feudal. Gjer dje të gjithë me një kostum dalëboje ose me nje fustan basme, sot arrogantë, grindavecë, që iu duket se kanë zënë qiellin me dorë dhe nuk njohin as veten para pasqyrës. Një mesazh ky jo më pak i rëndësishëm se ata politikë, për borgjezinë e re qesharake dhe dallkauke të vendeve të Lindjes ish-komuniste.
       15 Nentor 2012    

Παρασκευή 2 Νοεμβρίου 2012

PERFORMANCË



     Tegim nga Petrit Qejvani

            Sapo kisha dalë nga një seminar me të huaj mbi demokracinë në komunitet dhe decentralizimin. Ishim në vitet e parë të demokracisë dhe seminarë të tillë ishin të shpeshtë dhe të nevojshëm , sidomos për ne shqiptarët, që ishim nga rreshti i fundit dhe për europianët dukeshim një zbulim. Sidoqoftë, dukej se europianët jo rrallë e tepronin në këtë drejtim dhe kërkonin që ne veç të aprovonim si nxënës kokëulur çdo mësim apo sugjerim të tyre dhe nuk iu vinte fare mirë po qe se ne do të kundërshtonim ose do të polemizonim për çështje të veçanta. Pikërisht se kishte ndodhur diçka e tillë me mua, ndjehesha i kënaqur dhe me një ndjenjë deliri apo supremacie, meqë kisha tërhequr vëmendjen e auditorit për mënyrën e diskutimit tim, ose, thënë më mirë, për kundërdiskutimin tim, i cili, pa shumë fjalë, i habiti të gjithë,vendas e të huaj.Vendasit, sepse dukej se unë mohoja përparimin e tyre demokratik dhe të huajt, sepse unë po flisja krejt ndryshe nga ata, që kishin diskutuar para meje, drejtorë shkollash të mesme.
            E ndjeva që u prish qetësia e takimit që nga mënyra si kërkova fjalën dhe , qysh në fillim, idenë time e kisha në fakt një akuzë, jo ndaj thelbit të problemit, që teorikisht mund të qëndronte, pra në parim, por jo dhe në rastin konkret.
            Për të mos ju lodhur me hamëndje lidhur me atë që ndodhi, po ju sqaroj se tema e diskutimit ishte zhveshja e drejtorëve të shkollave nga superkompetencat, të cilat e kishin fuqizuar aq shumë dejtorin e shkollës, sa kishte rrezik që një drejtor me prirje autoritariste të shndërrohej në diktator!...Aq më e besueshme bëhej kjo, kur kujtohej që ne vinim prej një diktature sui generis dhe mikrobet e saj ende vërtiteshin në atmosferë me rrezikun e përhershëm të riinfektimit.Takimi mbahej në një nga ndërtesat më domethënëse për  nga rëndësia e veprimtarive, që zhvilloheshin aty si dhe nga arkitektura, pra në ndërtesën më ekzibicioniste apo performante të kryeqytetit, po të përdorim një term, që kishte fituar qytetari pas rrëzimit të komunizmit dhe përdorej vend e pa vend, sidomos nga drejtuesit e emisioneve televizive, posaçërisht nga femrat. Edhe salla e caktuar për këtë veprimtari ishte më performantja. Atje gjithçka ishe performancë dhe ekzibicion. Salla shkëlqente nga pastërtia dhe nga pjesëmarrësit: ajka e arsimit, drejtorë të drejtorive arsimore rajonale, drejtorë gjimnazesh të shoqëruar me mesuese të bukura të veshura hijshëm, që jetësonin projektin dhe, në krye, ministri i arsimit dhe shkencës dhe, për t’ia shtuar më tepër shkelqimin , edhe ministri i arsimit i një vendi europianoperëndimor, organizator dhe donator i projektit, i cili thuhej se kishte ardhur enkas për këtë veprimtari, për të bashkuar forcat për të zhveshur drejtorët e shkollave , këta diktatorë në miniaturë, nga pushteti i tepërt...Ajo që më nxiti më tepër për t’u ngritur ishte jo aq ideja e të huajve rreth kësaj teme, por sidomos ideja e njëjtë me ta edhe e pjesës shqiptare të organizimit, ca specialistë të për fshirë në projekte, që ua dinin kimetin, pasi kështu dyfishonin ose trefishonin rrogat e tyre të ulta. Por më kot revoltohesha me bashkëatdhetarët e mi organizarorë, sepse ata , më tepër se për bindje, shkonin pas avazit të të hujave për ca dollarë (euro atëhere nuk ishte). Dhe, pasi dëgjuan plot preokupim diskutimet e para të kolegëve të mi, që ishin në linjë, ata shtruan pyetjen: Si mund të bëhen më pak të rrezikshëm drejtorët e shkollave në Shqipëri? Çfarë kompetencsh duhet t’u hiqeshin atyre me qëllim që të mos ishin sundimtarë të shkollave, por administratorë, menaxherë, pra drejtues demokratë? Të gjitha këto pyetje më dukej se i jepnin më tepër trajtën e një gjyqi se sa të një seminari takimit. Dhe kjo nuk mund të durohej . Pikërisht në këtë moment, duke parë nga dy kolegët e mi, njeri drejtor gjimnazi si unë, tjetri drejtor rajonal, kërkova fjalën dhe u çova.      Ndjeva që menjëherë ra heshtja, ndoshta nga mënyra si u ngrita, apo ndoshta nga performanca ime që, ç’është e vërteta, në takime publike është imponuese. Edhe ministri shqiptar më nguli sytë. Zotërinj, nisa unë fjalën, dëgjova me vëmendje dhe me habi çfarë u tha këtu dhe po ju them se, me gjithë respektin që kam për ata që flasin, bile dhe për ata që thonë budallallëqe, këtu po rrihet ujë në havan. Të gjithë shtangën. Ministri ynë u mat të ndërhynte, por vrulli im ishte i pandalshëm. Së bashku me logjikën. Përpara se të mendojmë të pakësojmë kompetencat e drejtorit të shkollës, duhet të dimë ç’kompetenca ka ai aktualisht. Dhe të më falin specialistët e huaj që nuk kanë fare faj, sepse ndoshta nuk e njohin mirë gjendjen. Po kolegët e mi shqiptarë, nuk e dinë ç’të drejta ka drejtori i shkollës? Po ta dinë zotërinjtë e huaj se ç’ka në dorë drejtori i shkollës në Shqipëri, me siguri do organizonin një takim për shtimin e kompetencave të drejtorëve të shkollave!..Fjalia e fundit ishte vërtet një bombë, që i hidhte në erë diskutimet e deriatëhershme. Këto fjalë i shokuan ata dhe askush nuk foli. Për çudi heshtën edhe shqiptarët. Si duket i kisha zënë në befasi. Ose argumentimi dhe logjika  ishin mbërthyese. Dhe, duke përfituar nga kjo, vazhdova me një ndjenjë krenarie dhe dinjiteti të merituar, duke iu drejtuar më shumë të huajve : Ju keni të drejtë të mendoni se, meqë vijmë nga një sistem diktatorial, të gjithë drejtuesit e çdo niveli duhet të jenë nga pak diktatorë...Por kjo është dhe s’është e vërtetë.          Zotërinj, edhe në socializëm kishte ligje, pavarësisht se ato ishin vullnet i të parit të vendit dhe askush nuk bënte me kokën e tij. Nëse duhet demokratizuar shkolla, vazhdova, duhet demokratizuar ligji dhe të shihen kompetencat e ministrisë, që vendos për gjithçka dhe të drejtorëve të drejtorive rajonale, të cilët janë praktikisht ministra lokalë të arsimit me kompetenca të tepërta. Mjafton t’ju them se drejtori i shkollës në Shqipëri ka vetëm detyra dhe shumë pak të drejta. Ai harton planet edukativë të shkollës, harmonizon veprimtaritë e klasave në rang shkolle, pergjigjet për respektimin e orarit dhe disiplinës në shkollë dhe paraqet listëpagesën e mësuesve etj. ,që të mos  vazhdoj me gjithë gjërat rutinë që kolegët i dinë...Ai nuk mund të marrë asnjë masë ndaj një mësuesi, edhe kur ky gabon, bile as ndaj nxënësve problematikë. Edhe kur një nxënës shkel në mënyrë flagrante rregulloren e shkollës apo dispozitat normative, ai vetëm mund të këshillohet, ndonëse në këtë rast parashikohet përjashtimi nga shkolla. Edhe pse formalisht propozohet masa e përjashtimit, është drejtori rajonal ai që vendos. Kështu thotë ligji. Dhe shpesh drejtori rajonal e anullon vendimin e drejtorisë së shkollës dhe ku vajti autoriteti i drejtorit të shkollës?  Atëhere më thoni, iu drejtova jo pa ndjenjë e superioritetit të gjithëve, që po më dëgjonin me vëmendje të madhe: Ç’i mbetet drejtorit për të bërë, vetëm t’u lutet në mënyrë demokratike nxënësve problematikë dhe mësuesve të pandërgjegjshëm që të zbatojnë rregulloren e shkollës? Kaq kisha, thashë dhe u ula jo pa një ndjenjë triumfi.
             E kishta shtangur sallën. Kjo ishte vërtet performancë! Për pak çaste pati qetësi, pastaj filloi një gumëzhimë valë-valë që pushtoi gjithë sallën. Unë në thelb kisha të drejtë, ndonëse po ekzagjeroja ca qëllimisht. Kolegu që kisha përbri më shtrëngoi dorën në shenjë miratimi për kurajën e treguar. Ka të drejtë, ka të drejtë nisën të thoshnin disa.Të tjerë po kundërshtonin. U ndez debati. Mora frymë thellë, u mbështeta mirë në karrige dhe po dëgjoja. Dhjetra sy ishin drejtuar nga unë. Shumica më referohej mua dhe më mbështeste. Të tjerë tundni kokat duke më kundërshtuar, kurse disa, më tepër me shikime se me fjalë, më linin të kuptoja se kisha hedhur një gur në lumë dhe hajde ta nxirrnin tani. Sidomos ajo drejtoresha me fustan me pika të mëdha kuq e blu, që s’i ndahej ministrit, po më hidhte ca shikime ziliqare dhe ledhatare. Në të vërtetë nuk po i ndiqja me vëmendje dikutimet dhe replikat. Më tepër se me mua, grupet e ndryshme replikonin me njeri-tjetrin. Tani po shijoja frytet e diskutimit tim kundër rrymës. Befas isha kthyer në hero, gjë që natyrisht më pëlqen shumë. Zaten, takime të tilla i shfrytëzoj me mjeshtëri, edhe kur s’kam të drejtë, pale kur kam të dretjën me vete, falë dhe elokuencës, që ma njohin të gjithë.
            Më në fund drejtuesit e seancës diç biseduan midis tyre, pastaj u drejtuan te dy ministrat e arsimit dhe, pas disa mëdyshjesh, përfaqësuesi shqiptar i projektit tha me zë të lartë: 15 minuta pushim, sa për një kafe. E kisha turbulluar gjëndjen..Edhe në kafene isha në qendër të vëmendjes.Një valë të nxehti ndjeva të më ngjitej nga këmbët te koka dhe duhej të isha skuqur, se balli po më digjte. Bashkë me kolegun tim, drejtor gjimnazi  dhe drejtorin e drejtorisë arsimore  po prisnim të na vinte radha e kafes, ndërsa njerëzit lëviznin në grupe të vogla, sipas njohjeve, që kishin. Por e ndjeja që kisha tërhequr seriozisht vëmendjen dhe mundohesha të isha sa më i natyrshëm. Disa më hidhnin shikime miratuese, të tjerë hiqeshin indiferentë, sikur fjala ime nuk iu kishte bërë përshtypje, sidomos ata të kryeqytetit, që u është mbushur mendja se i dinë të gjitha, ashtu siç kishte dhe të tjerë, që afroheshin dhe më shprehnin simpatinë për diskutimin origjinal dhe pa komplekse që bëra. Edhe dy ministrat po më shihnin me vëmendje.Ministri shqiptar kishte një lloj qortimi në sy. S’i kishte ardhur mirë, me sa duket, ndonëse diskutimi im dukej realist, pavarësisht një toni autoritar, që ma jep besimi në vete dhe është pjesë e natyrës sime të pavarur.
            Por tani nuk më interesonte shumë shikimi i ministrit, se sa shikimi i asaj drejtoreshës simpatike me fustanin kuqeblu, e cila ishte pranë grupit të ministrit duke pirë kafe dhe, here pas here, më hidhte ndonjë shikim domethënës. Katër –pesë hapa mund t’i bëja edhe unë për të shkuar te grupi i ministrit, por s’e bëra një gjë të tillë, megjithë respektin për ministrin, edhe pse te ai shkuan plot të tjerë për ta përshëndetur e për të shkëmbyer ndonjë mendim me të, ose thjesht për mirësjellje. Bile dhe dy kolegët e mi. Kjo për shkak se gjithë jetën i jam druajtur servilizmit apo idesë se në ndonjë çast mund të dukem i tillë para më të mëdhenjve në detyrë. Bile, për të evituar këtë, ndonjëherë  kam vepruar dhe i sforcuar, duke lënë të mendohet se jam edhe pa edukatë, gjë që nuk është aspak e vërtetë.
            Por ky jam unë dhe për këtë kam pagur dhe ndonjë haraç. Këtë ma kanë vënë në dukje dhe shokë të mi të afërt. Megjithatë, këtë gjë nuk e ndryshoj dot, sepse është pjesë e lëkurës sime, edhe pse një kolegu im thotë shpesh, si me të qeshur, se kush humbi nga servilizmi? Sikur ta kisha këtë cilësi, do bëhesha të paktën deputet, iu them miqve të mi, jo pa një dozë ironie. Ndërkaq,ndërsa ora po shkonte, po drejtoheshim për në sallën e takimit. Për dreq u përplasa te dera me ministrin me atë drejtoreshën e bukur në krah, me flokët gështenjë të prera shkurt, me një skuqur të purpurt në mollëzat e faqeve, në një moshë përvëluese, rreth të dyzetave. Aty ministri më zgjati dorën duke buzëqeshur formalisht, dhe, pasi më pyeti kush isha, më tha me mirësi se dikutimi im iu duk interesant, ndonëse duhej të isha më delikat në të shprehur. Më erdhi mirë. Ndërsa drejtoresha interesante, që rrinte gjithmonë pranë ministrit për arsye të paqarta, më shtëngoi dorën më shumë se ç’duhej apo m’u duk mua dhe më tha se kisha bërë një performancë intriguese!...Ja pra, drejtoresha simpatike i vuri kapakun: kisha shkëlqyer.Tani kjo nuk ishte një ide vetëm imja. Përformanca ime ishe e vërtetë dhe imponuese. Dhe kur ta thoshte këtë një femër gjithë performancë!.. Ndihesha vërtet i lumtur.
             Kur filloi pjesa e dytë e diskutimit, m’u referuan mua dhe u munduan të gjenin argumente për të zbutur kundërshtimin tim. Kësaj radhe nuk kisha ndëmend të ndërhyja. Nuk ishte serioze. Duhet të ruaja dinjitetin dhe vlerën e diskutimit të bërë.      Në këto raste duhet të kesh insinkt të mprehtë, për të mos rënë në ujrat, nga të cilat sapo ke dalë...Bile nuk po i dëgjoja se ç’thoshnin. Më vinte mirë që merreshin me mua. Po vështroja  drejtoreshën simpatike në krah të ministrit, e cila, edhe ajo, më hidhte ca shikime kureshtare. Kur mbaroi takimi mora 50 dollarët që më takonin për tri ditët e seminarit dhe u largova me nxitim. U ndava nga kolegët, sepse doja ta shijoja vetëm kënaqësinë e triumfit tim dhe se, pasi ke tërhequr vëmendjen e të tjerëve për diçka, duhet të largohesh sa më shpejt nga ai mjedis, për të treguar se gjëra të tilla janë normale për një njeri me dinjitet. Gjithmonë jam udhëhequr nga mendimi që duhen respektuar  caqet e gjërave. Qëndrimi i mëtejshëm e kompromenton atë që ke bërë, duke treguar që je njeri, që pret ca elozhe mikluese të panevojshme.
            Takimin tjetër e kishim pas dy muajsh.Tek dera e daljes hodha pardesynë krahëve dhe me çantën në dorë po nxitoja në trotuarin para kryeministrisë ( ndërtesat qeveritare më shkaktojnë një ndjenjë bezdie) dhe devijova djathtas në trotuarin para Piramidës në lokalin  e parë me dru, tani të prishur nga kryetari ekstravagant i bashkisë, një lokal i bukur dhe i ngrohtë, sidomos në dimër dhe kurdoherë plot. Hyra në lokal dhe pasi qëndrova disa çaste pas derës për të parë ku mund të kishte ndonjë tavolinë të lirë, por edhe për t’u zhveshur nga avulli xhamat e syzeve për shkak të diferencës së temperaturës nga jashtë brenda, eca majtas në fund, ku ishte një tavolinë prej druri katërkëndëshe. U ula me fytyrë nga hyrja ( në çdo kafene e kam zakon të ulem në një mënyrë të tillë, që shpinën ta kem nga muri, sepse kjo më krijon një ndjenjë sigurie) me qëllim që të shoh kush hyn dhe del nga lokali. Para meje ishte një tavolinë tjetër bosh  dhe luta zotin që të mos vinte ndonjë grup djemsh, që flasin me zë të lartë dhe bëjnë gallatë, siç thonë ata. Hoqa pardesynë dhe e vendosa në shpinën e karrikes përbri (tavolina kishte katër karrike, dy nga çdo anë, meqë ishe katërkëndëshe e gjatë) , ndërsa nga çanta nxora një gazetë  të pavarur të ditës  dhe nisa të lexoj sa të vinte kamarierja. Më  në fund ajo erdhi dhe gjithë mirësjellje më pyeti se ç’dëshiroja. I thashë një pije alkoolike të bardhë çfarëdo dhe ajo qeshi dhe, pasi qëndroi disa çaste duke më parë me një habi të lehtë , nxitoi drejt banakut.
            Ula sytë mbi gazetë duke lexuar titujt e faqes së parë, pastaj u hodha te faqja e jetës parlamentare dhe sytë më mbetën te deklarata fantastike e kreut të kuvendit, një ish i persekutuar politik i diktaturës, i njohur për shprehjet ekstra , i cili kishte thënë në një takim me përfaqëses të rinisë së djathtë, ku ishte ftuar dhe missi albania e vitit, se misset nuk mund të jenë të majta!...U kënaqa nga kjo shprehje dhe nuk e di në qesha edhe me zë dhe ngrita kokën nga gazeta. Në një tavolinë djathtas meje dy çifte serioze më hodhën dy-tre shikime dhe diç thanë me njeri-tjetrin. Ndoshta u bëri përshtypje performanca ime. Këtë fjalë, e cila në fillim nuk më pëlqente, sot, mesa duket, do ta përdorja  gjithë ditën. Me kostum dhe me çantë zyre në një mjedis argëtues si kafeneja, tërhoqa vëmendjen e klientëve, që kur u futa. Sepse është provokative, ekzibicioniste. Me një fjalë është dhe performancë, dukje, rënie në sy..Sidomos kur bëhet natyrshëm.
             Ekziston një psikologji e çuditshme: jo në një rast kam vërejtur se, kur kam hyrë në lokale të tilla i veshur shik, me çantë zyre të madhe dhe pastaj edhe me syze , kam tërhequr vëmendjen e të pranishmëve. Dhe kjo, mendoj, thjesht për shkak të efektit të kontrastit me mjedisin. Ndërsa po meditoja, kamarierja solli një xhin. E ktheva i etur, pa e përzier me ujin tonik, se jashtë bënte ftohtë, ndonëse ca lule mëndjelehta kishin çelur te lulishtja e vogël në hyrje të lokalit. Ishte ende fillim marsi dhe në mars ka gjithmonë ca ditë të ftohta brisk, sidomos kur shoqërohen edhe me lagështirë.
            Duke qenë vetëm, i hodha sytë sërish gazetës për t’u ndjerë i shoqëruar. Shpesh veproj kështu, ose pjesërisht kështu, kur hyj i vetëm në lokale, ndëkohë që të tjerët janë në grup. Është një lloj mbrojtjeje ndaj shikimit të të tjerëve. Isha duke lexuar për të dyrën herë një artikull për performancën në vendet publike, sikur e kishin shkruar qëllimisht për mua,  kur një zë femre po më kërkonte çakmakun. Automatikisht u përgjigja se nuk e pi cigaren, me një ton më tepër qortues se sqarues, pa e ditur kush e bëri kërkesën dhe pa i hequr sytë nga gazeta. Kur ngrita kokën  pashë se ajo që më kërkoi çakmakun ishte një grua e re, pak mbi të tridhjetat, e shëdetshme, por tëheqëse dhe i shkëlqente lëkura.
            Pse, ne që e pimë, çfarë jemi, m’u drejtua ajo me njerën vetull të ngritur lart. Në krah të saj një tjetër femër, afërsisht si ajo në moshë dhe fizik. Ngjanin shumë. Duhet të ishin të afërta. Të dyja me çizme të shtrenjta dhe me minifund. Ishin në tavolinën përballë dhe kishin ardhur me sa duket gjatë kohes që po lexoja gazetën.       Karshi tyre, me shpinë nga unë, ishin dy gra të tjera, njera e thinjur krejt, kurse tjetra duhej të ishte shumë e re.Them kështu pasi e shihja vetëm si kontur, kurse fytyrën nuk mund t’ia shihja,edhe per shkak te nje berete qe mbante ne koke. Pasi e pashë disa çaste i përqendruar, por turbull bukuroshen,  që kisha përballë, vura syzet optike ( kur lexoj i heq, sepse janë për larg) dhe konstatova se ishte shumë seksi. Minifundin e kishte prej meshi të zi, kurse lart kishte një bluzë të kuqe të ndezur, me jakë v. I ktheva përgjigje kërkesës së saj të guximshme dhe provokative. Jeni gra të reja, prandaj s’duhet ta pini. Një përgjigje-këshillë, që do t’i shkonte kryetarit të  shoqatës së luftës kundër duhanit dhe jo mua. Ju dëmton cigarja,vazhdova kësaj here me një ton didaktik. Pirjen e cigares nuk e lidh me asgjë tjetër, sqarova pastaj ftohtë për ta mbyllur bisedën. Pse, ç’të keqe ka, m’u drejtua prapë, duke i ngritur kësaj here të dyja vetullat e holla të harkuara dhe duke më parë ngultas. E kuptova që ia kishte qejfi të vazhdonte bisedën me mua. Sepse një femër, që pi cigare nuk është e shijshme kur e puth, i thashë jo pa romuz, i joshur nga shikimi i saj inkurajues. Qënke interesant ti,vazhdoi ajo për të më dhënë përgjigjen që meritoja. Dhe shtoi: ç’punë bën?,duke më pyetur në njëjës. Teknik lëkurësh, iu përgjigja flakë për flakë me shumë seriozitet, për të mos e kuptuar që po tallesha. Nuk më dukesh i tillë , më tha me të qeshur dhe më hodhi një shikim përfshirës si për të më thënë nuk të besoj. Pse, vazhdova lojën unë, mos do të më shohësh duke regjur lëkurë, që të më besosh? Ajo tundi kokën disa herë në shenjë mohimi. Sepse keni një performancë tjetër, tha. Ku e gjeti dhe kjo këtë fjalë, thashë me vete i kënaqur. Isha vërtet një performant i shkëlqyer. Në pamje dhe në të folur. Ose, sipas estetikës klasike, isha një unitet i pamohueshëm i formës me pëmbajtjen. A nuk e kisha treguar këtë pak më parë në seminarin me të huaj? Ku ta dinte ajo se kishte përballë një person, që kishte mundur një taborr me intelektualë , pale një femër të vetme!..Përfundimisht u binda se performanca është pushtet. Edhe ekzibicioni është pushtet. 
            Isha i kënaqur që këtë paradite po shkëlqeja në dy mjedise të ndryshme. Nuk iu përgjigja më oponentes sime pëballë. Nuk desha të bëhesha i bezdisshëm. Jam mësuar të bëhem indiferent në kulmin e interesimit për mua. Dhe kjo t’i shton vlerat, thonë. Dhe, për më tepër, është pjesë e performancës sime. Ndërkaq vazhdoja ta hetoja dinakërisht  me sy partneren time në dialog. Më kishte tërhequr. Dikush i zgjati një çakmak. Piu disa cigare rresht  bashkë me të tjerat. Ishte energjike në bisedë, nxirrte herëpashere nga porofoli kartëmonedha dollari, i numëronte, i fuste sërish, diçka thoshte, përmendte emra bankash, interesa e ku di unë dhe të gjitha këto i shoqëronte me një mimikë shumë aktive. Dukej e sigurt në ato që thoshte. Me siguri që, ose punonte në ndonjë bankë, ose ishte e pasur dhe kishte futur para në bankë. Me një fjalë ishte një femër që s’i dhimbte koka.Gjithë qenia e saj rrezatonte mirëqenie dhe siguri. Kishte bërë një tualet të fortë, buzët i kishte si të përgjakura, thonjtë me manikyr të kuq të ndezur, ndërsa një varëse floriri në formë zemre i rrinte rehat në kanalin midis gjinjve jo të pakët, që tendosnin bluzën  e kuqe me jakë v. Fundi ishte tërhequr lart për shkak të uljes, duke i nxjerrë provokueshëm kofshët e plota nën çarapet e holla ngjyrë mishi. Duke e ndjerë këtë, herëpashere me njerën dorë ulte mundimshëm fundin e saj të shkurtër për të treguar se ishe dhe e ndershme, ndërkohë që më kontrollonte me cep të syrit, nëse e vëreja apo jo. Ky veprim i saj më kujtonte ato gra, që hipin në biçikleta me fustan të shkurtër dhe me njerën dorë ulin vazhdimisht fustanin, duke tërhequr më tepër vëmendjen.
             Automatikisht i hedh një sy orës .Ishte tamam koha për të drekuar. Po bëhesha gati të ngrihesha, kur befas ktheu kokën nga unë , nuk e di pse, pjesëtarja e katërt e tavolinës fqinje, së cilës nuk ia kisha parë fytyrën, pasi ishte  me shpinë nga unë dhe gjatë gjithë kohës nuk e ktheu kokën pas. E ktheu edhe gruaja e thinjur, që ndoshta ishte nëna e tyre. Shtanga për një çast. Ishte një mrekulli. Rreth18 vjeçe. Që tymoste aq rëndshëm, sa të habiste. Për pak çaste fytyra e saj u rrethua nga elipse tymi. Nuk m’u durua dhe i them:Ti kaq e re dhe pi kaq shumë cigare? Kishte pirë katër cigare rresht pa ndërprerje! (Siç i pija vet dikur, ndërsa kisha vite që e kisha lënë). Ajo buzëqeshi duke lëshuar një shtëllungë të gjatë tymi drejt meje, krejt pa qëllim. S’kam ç’u bëj , tha plaka, duke lëshuar vet një lëmsh tymi nga goja.. U kam thënë, po s’më dëgjojnë...Ekzibicion, performancë! U degustova vërtet. Ekzibicioni ka performanca të ndryshme, mendova. Është i mirë apo i keq?!Është gjithmonë i vlefshëm ekzibicioni? Ç’e shtynte atë vajzë të re dhe të bukur të pinte aq cigare? Ndoshta ishte në modë, sepse pirja e duhanit ishte kthyer në epidemi tek femrat e reja pas viteve’90. Ndoshta ishte ekzibicion, performancë, prezencë. Apo mos ishte shenjë lirie?!
            Kësaj radhe s’kisha ndër mend të bëja moral, veçanërisht aty ku morali vlen më pak se kudo. Dhe automatikisht e lidhja me ekzibicionin tim intelektual, që sidoqoftë, ia vlen...Apo...Tashmë duhet të largohesha, isha i ngopur me gjithçka. Kjo ishte dita ime! Po prisja të shfaqej kamarierja, pasi salla ishe e madhe dhe një pjesë e saj formonte kënd të drejtë me pjesën tjetër, kështu që  kamarierja shfaqej rrallë. Sapo u duk, ia bëra me shenjë dhe ajo erdhi, si të rrëshqiste mbi patina. Më falenderoi për bakshishin dhe u largua. Vesha pardesynë , mora çantën dhe , duke kaluar pranë tavolinës së fqinjeve të mia të rastit, u thashë më tepër me kokë se me fjalë, mirëupafshim.
            Nuk të morëm vesh ç’ishe, më tha ajo, që kishim shkëmbyer  replikat për duhanin, me një shikim të lëngëzuar. Punë performance thashë, ndërsa po largohesha drejt derës së daljes. Para se të kapërceja pragun e derës ktheva kokën prapa dhe pashe gruan e çuditshme, që po më ndiqte me sy. Dukej një femër e guximshme dhe e përkushtuar...
,
                                                            Janar 2008

PRITJA



Po pres pas derës trokitjen e saj
Pa frymë
Si gjahtari i mirë shfaqjen e bishës së adhuruar.
Qetësi, bota s’pipëtin
Gjaku im me ulërimë të mbytur zgjeron damarët
Ndërsa unë bëj gati
Në një alarm absolut
Veglat e shpirtit dhe ato të tjerat...
Për të ekzekutuar prenë e bukur
Që do të më gjakosë
Gjakun dhe buzët
Dhe do më shkulë zemrën...
Për ta vendosur sërish
Në përfundim të furtunës së gjakut
Ashtu si pas një stuhie të vërtetë,
Kur vërshimet tërhiqen të shkrehura
Dhe gjuhët e ujit lëpijnë ëmbël truallin
Duke zbuluar përmasat gjigande të betejës...


                                                Petrit Qejvani,maj 2010

TRONDITJE



  Një grua e trondit  gjithnjë një burrë
      Siç po bën me mua edhe ti tani
      Ndonese ka vite qe ndezim njeri-tjetrin
      Llava e dashurise ende ngroh ne brendesi..

      Te shoh me vemendje, i pikelluar
      Per shkelqimin e zbehur te gjithckaje qe kishe:
      Per vijat e fytyres, damaret tinzare
      Qe vrasin cdo dite rinine tende te magjishme.

      Por besome, tani edhe me shume te dua
      Se atehere kur u njohem,vite me pare
      Se, vec dashurise, tani ka dhe shume dhembje
      Qe qendis zemren qe regetin ngadale.

      Tani edhe buzet kane nje shije tjeter
      Dhe zjarri i fshehur digjet ne thellesi
      Por mjafton fryma e ngrohte e njeri-tjetrit
      Qe prushi i mbuluar te ndizet perseri.

      Prandaj dashuria tani eshte me e rende
      Si nje statuje mermeri, qe gjithe shekujt mban.
      Dhe ne te dy jemi me te thelle se dikur.
      Jo dallge ne siperfaqe, qe i tall era ne oqean.


      Ne jemi amforat e qeta ne fund te detit
      Qe dashurine e kthyem ne nje perle ketu,
      Ndersa guacken e saj e flakem ne rini
      Dhe kushedi ne c’brigje endet tej-tehu.

            E shtrenjta ime, tani ti vlen me teper
            Si cdo kryeveper, kur koha kalon.
            As nje miss nuk me trondit sa ti
            Miss Dashuria, qe rinine e arte me zgjon.


                      Petrit QEJVANI,  2009.

Τρίτη 2 Οκτωβρίου 2012

SHQIPËRIA, BERISHA DHE SAMARAS




            Shumëkush do bëhet kurioz të mësojë se ç’i bashkon këta emra në një titull. Dy  të parët dakord, Shqipëria dhe Berisha. Po i treti, c’hyn këtu? Sigurisht dikujt do t’i shkojë mendja te fakti që jemi vende fqinjë, që kemi emigrantë në Greqi. Por nuk është kjo. Si në cdo cështje ku është prezent Berisha, ka gjithmonë dicka që “nuk shkon”, dicka jo të zakonshme. Dhe ky është vet Berisha. Aftësia e Berishës për të shitur absurden si të zakonshme dhe fantastiken  si reale. Gënjeshtrat më të mëdha në gojën e Berishës shpesh bëhen të vërteta të besueshme. Kjo, vec aftësisë së gënjeshtarit, edhe për faj të të gënjyerve. Pra, Berisha si njeri, si dukuri, si mënyrë të  foluri, si fenomen politik. Shkurt Berisha si stil. Pikërisht natyra ekstranormale e Berishës si politikan, ligjerimi i tij politik, sidomos guximi dhe fantazia e shfrenuar, bëjnë “cudira”. Dhe kjo e gjitha me një fjalor shumë të thjeshtë, të përshtatshëm për turmat. 
Ky përralltar politik modern thotë gjera, që politikanë të tjerë nuk do të guxonin t’i shqiptonin. Ai luan pa mëshirë me fjalën. E përdor atë mizorisht dhe shpesh thotë gjera, që nuk t’i merr mendja me një natyrshmëri të hatashme. Berisha e ka programuar e standartizuar shprehjen e tij politike me një teknologji djallëzore, ndonëse naive në dukje, dhe flet njëlloj si para militantëve të tij, ashtu edhe para ndërkombëtarëve. Ky mjeshtër i hiperbolës politike, që nuk tutet prej fjalës dhe efektit që shkakton ajo, është i rrallë në skenën poltike, jo vetëm shqiptare.Tek ai fjala eshte armë. Me të mashtron opinionin, me të ekzekuton opozitën. Një fantazist i tillë, që ka folur dy vjet rresht  për centale atomike në Shqipëri (vendin më të prapambetur të Europës), ndërkohë që ato paraqiten me probleme edhe në vendet më të zhvilluara të botës, që flet para të huajve si para ithtarëve të tij, i sigurt se e besojnë, që thotë se pas Gjermanisë  jemi  ekonomia më e  qëndrueshme e Europës!.. (kjo edhe në sy të europianëve), që flet para bisnesmenëve turq në Stamboll me fjalë dhe gjeste si para deputetëvë të PD, kur thotë se ne këto vitet e fundit kemi 8-fishuar investimet turke në Shqipëri dhe ata të shushatur shohin njeri-tjetrin në sy, kur i thotë kryeministrit turk pa i levizur qerpiku se ti ke gjak shqiptar, kur  në samitet e qeverive apo PPE-ve  flet  për “mrekullinë” shqiptare në Europë, sigurisht që është një personazh grotesk, që nuk e ka shokun. Pikërisht mungesa e drojës prej fjalës është edhe cvlerësimi më i madh që ai i bën fjalës. Por jo i efektit që shkakton te turmat. Pse është autosugjestionuar vet më parë, i sugjestionon edhe të tjerët. Në këtë pikë Berisha do jetë objek interesant studimi për politologët, sociologët dhe psikologët. Po kjo i takon të ardhmes. Pikërisht për shkallën e autosugjestionit është “habitur” edhe z.Samaras (kryeministri aktual grek) ne ate kohe  në opozitë. Berisha me bëmat e tij të del përpara dhe kur je jashtë Shqipërisë. Rastësisht, kur isha në Athinë për vizitë te një mik, i cili sapo ishte kthyer nga Shqipëria, ndërsa bisedohej për internetin tha se Berisha është fantastik, kur thotë se në cdo fshat shqiptar do ketë internet falas. Kjo shkaktoi ilaritet.Ndërsa e shoqja e tij, një mësuese, që bënte kurse me nxënës në një lagje të pasur të Athinës, ndërhyri pa pritur,  duke qeshur: Ë dini c’më tha Samaras  një ditë në shtëpinë e një deputeti, që i mësoja vajzën? Kur mori vesh që isha shqiptare Samarai vuri buzën në gaz: Si e keni kryeministrin me shëndet? Se kur na flet në mbledhjet e Partive Popullore Europine na lë pa mend, flet për Shqipërinë sikur është Zvicra! Vërtet Berisha është i rrallë. Jo më kot ky personazh kundërthënës dhe zhurmëmadh, dominon skenën e sotme politke shqiptare. Kurajoja për të thënë të pavërteta të mëdha si të vërteta të thjeshta dhe të padyshimta si dhe frekuenca e lartë e përsëritjes së tyre për t’i ngulitur, e bëjnë atë një fenomen në politikën shqiptare. Kështu, një pjesë të madhe të shqiptarëve e ka marrosur, opozitën e ka paralizuar, ndërsa të huajt i argëton.
Prill,2012, Athine