Πέμπτη 31 Οκτωβρίου 2013

JETA TINZARE



                                                            JETA TINZARE



                                          Jeta tinzare

                                          Befas nxori grushtet

                                          Dhe më shenjoi

                                          Duke më goditur rëndë

                                          Pas shpine
                                          Tani që mund të bie lehtë

                                          Për të më provuar

                                          Nëse qëndroj dot në këmbë

                                          Unë,

                                          I paepuri para vetes

                                          Dhe të tjerëve…



                                                            Petrit Qejvani  , 5.10.2013

Πέμπτη 24 Οκτωβρίου 2013

A I DUHET SHQIPERISE NJE EULEX?



                                    A I DUHET SHQIPËRISË NJË "EULEX"?

                                                            Nga Petrit Qejvani



            Në gjëndjen në të cilën është katandisur drejtësia sot, titulli i mësipërm , mendoj unë, nuk është një hipotezë e çartur. Ë di gjithashtu që ky titull do ngjallë shumë reagime, pro dhe kundër.

            Disa, sidomos politikanë e gjyqtarë, do rrudhin buzët. Por kjo është gjëja që më intereson më pak si qytetar. Fakti që ata s’po bëjnë dot shtet, pavarësisht nëse nuk dinë apo nuk duan, nuk ndryshon gjë. Rezultati është i njëjtë.

            .Unë mendoj se shumica e qytetarëve e kanë dilemën, që shfaq titulli i shkrimit tim.

            Problematika e rëndë dhe shkalla e lartë e korrupsionit në sistemin e drejtësisë e bëjnë të pamundur ndërtimin e shtetit ligjor, e shtetit të qytetarëve, pa një reformë radikale që nënkupton ndryshime ligjore adekuate, shoqëruar me lëvizje gjyqtarësh e prokurorësh, me ndëshkime administrative dhe penale, së paku për ata gjyqtarë e prokurorë, që kanë bërë të dështojnë dosje të bujshme si ato të rrugës Durrës- Kukës, të emërtuar bukur “Rruga ë Kombit”, nga ata që vodhën plot 230 milione dollarë, duke e shndërruar në “vjedhjen e kombit”, atë të Gërdecit, ku u rrafshua nga qeveria një fshat në kohë paqeje dhe u vranë 26 banorë si dhe 21 Janarin e pergjakur të 2011, ku, në mes te ditës, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, si për ironi, bien dhe 4 dëshmorë të tjerë ( nuk e di në janë shpallur apo jo të tillë), por kësaj here  të vrarë jo nga ndonjë pushtues, por nga qeveria e tyre!

            Kështu, këto dosje të mëdha janë testi dhe guri i provës nëse drejtësia shqiptare do japë shpresën se drejtësia mund të japë drejtësi..

            Kështu drejtësia është kryqi që duhet të kalojë Edi Rama për të realizuar Rilindjen.

            Por shenjat e deritashme, sidomos vendimi absurd i gjykatës për vrasësit e 21 janarit me logjikën idiote se nuk quhet vrasje, kur vret dikë që nuk e njeh, të lenë shijen e hidhur se pa një shkundje të fortë dhe pa ndëshkime gjyqtarësh të tillë, Rilindja do jetë larg.

            Ku është thënë e shkruar se gjyqtarët s’i kap ligji? Në ç’manuale apo libra të shenjtë është shpallur kjo? Vetëm Ai lart nuk mund të gjykohet dhe ndëshkohet. Gjithë vdekatarët e tjerë janë njëlloj para ligjit.

            Por paraliza e korrupsioni i drejtësisë e ka shkakun te një faktor tjetër. Ajo është rrjdhojë e një politike të korruptuar dhe e një klase politike të korruptuar (ndoshta klasa politike më e korruptuar në historinë njëshekullore të shtetit shqiptar). Një politikë e korruptuar e ngritur në sistem nuk mund të prodhoje një sistem drejtësie të pastër, sepse shpejt politikanët e korruptuar do dilnin në bangën e të akuzuarit dhe do denoheshin.

            Pra, në këtë rast jemi si në parimin e enëve komunikuese, të një aleance të pashpallur, por bukur të dukshme politikë-drejtësi.

            Të gjithë e pranojnë që në Shqipëri ka korrupsion të madh, që nga lypësi më i rëndomtë i Tiranës, te politikanët tanë e deri te Presidenti i Komisionit Europin Barroso.  Por asnjë peshkaqen i politikës nuk ka vajtur pas hekurave te burgut. Pra, një paradoks i madh:nga njera anë Shqipëria ka korrupsion të llahtarshëm, nga ana tjetër asnjë të korruptuar!

            Dikur Arvizu e quajti gjithë shoqërinë shqiptare të korruptuar. Dhe nuk e kishte gabim. Por ky është fryti djallëzor i nxitur prej politikanëve tanë, sepse kështu krijohej e pranohej si një gjë normale mbarëqytetare korrupsioni, duke e justifikuar djallëzisht me atë që në gjithë botën ka korrupsion, dhe në Amerikë, edhe në Europë.    Pra, mos e quani kushedi çfarë: ky është kapitalizmi: të garbisim ,të vjedhim sa të mundim, të mashtrojmë secili sipas mundësive dhe detyrës…

            Ky ishte përkthimi shqiptar i kapitalizmit, që bënë kalanderët politikë në Shqipëri. Politika arriti të atrofizojë dhe korruptojë drejtësinë me ryshvet ose me kërcënime, sidomos këto tetë vjetët e fundit të qeverisjes së Berishës, duke bërë që korrupsioni të përhapet si kolera horizontalisht e vertikalisht, që nga roja i shkollës deri te i pari i shtetit.

            Pra, suksesi më i madh i klasës politike shqiptare është krijimi i një mentaliteti ku korrupsioni shihet si një sjellje normale. Pikërisht një situatë e tillë e bën të vështirë deri në të pamundur funksionimin normal të drejtësisë.

            Prandaj dhe dyshimi i njerëzve se drejtësi jonë do do bëjë drejtësi nuk është pa baza. Është kjo gjendjë dëshpëruese që i bën qytetarët mosbesues.

            Në këto rrethana një EULEX për Shqipërinë nuk është një fanatazi. Dikur, më 1997, pas ardhjes në pushtet të socialistëve, aventurieri libaral politik Nano bëri një deklaratë “skandaloze”, por shumë interesante.

            Duke patur parasysh Shqipërinë e shkatërruar nga trazirat si dhe destruktivitetin organik të Berishës pas refuzimit që ky i fundit i bëri ftesës së Nanos për të qenë pjesë e delegacionit qeveritar, që do të vizitonte  Italinë, Nano tha: “Do ishte mirë që Shqipëria të ishte protektorat italian!”

            Por kjo deklaratë kaloi si batutë e radhës dhe asnjë nuk i kushtoi rëndësi. Por sot, pas 16 vjetësh, në një masë së paku 50% Nano kishte të drejtë, duke konfirmiuar kështu tezën antishqiptare të shovinistëve fqinj se shqiptarët nuk bëjnë dot shtet.

            Në fakt Shqipëria ka qenë dy herë shtet, pavarësisht natyrës së shtetit dhe kufizimeve që kishte secili: në kohën ë mbretërisë dhe në kohën ë komunizmit. Atëhere ligji ka vepruar.

            Nano ndoshta gaboi kur tha protektorat italian, do të qe më mirë një protektorat gjerman apo anglez, për shkak të faktit se ata janë shtete më të “rëndë”. Por kjo vinte ndesh me proceset itegruese të Europës dhe as që mund të bëhej fjalë për një protektorat të një shteti. Sidoqoftë, ishte një thirrje dëshpëruese.Ndoshta një”protektorat” i Brukselit do të ishte  më ë pranueshme…

            E di që ‘akademikët’ dhe politikanët do thonë :jemi shtet i pavarur, jemi shtet sovran”, kemi qeverinë tonë” etj.

            Sigurisht, Shqipëria është shtet i pavarur,por është një shtet karagjoz, është një xhungël ku nuk vepron ligji, por ligjin ë bën më “i forti, ku s’kontollohet territori, ku korrupsioni bën kërdinë.

            Tamam një “republikë bananesh”, por që nuk prodhon banane. Pra nuk është shtet për qytetarin e ndershëm.Natyrisht, ne ende presim me shpresë se diçka do ndryshojë dhe qeveria e re do kohën e nevojshme për ta bërë këtë. Por kjo s’do të thotë të shtyhet për në kalendat greke. Ne si qytetarë po presim. Ka ca si njale pozitive. Qeveria e re po bën disa denoncime. Por dyshimet mbesin. Për shumë arsye. Dosjet e mëdha të 21 janarit, ajo e Gërdecit si dhe ajo e rrugës Durres- Kukës me aferat qindra milionë dollarëshe janë dëshmia dhe prova e medhe nëse drejtësia do të bëhet, nëse drejtësia do të rilindë.

            Por kjo nuk varet vetëm nga vullneti i qeverisë, por dhe si pasojë  ë disa faktorëve të tjerë, të brendshëm e të jashtëm, sepse personat e implikuar në këto ngjarje kanë imunitet të madh (jo parlamentar). Ata janë ish- ministra, kryetarë partish të opozitës, ish kryeministra etj. Por këtu tregohet foca e ligjit dhe morali i maxhorancës.

            Natyrisht këta nuk do t’i dënojë qeveria, as Rama, por maxhoranca i ka të gjithë mekanizmat ta “detyrojë” drejtësinë të veprojë.

            Administrata e korruptuar shqiptare dhe, posaçërisht, drejtësia e kanë të nevojshëm një revolucion “të bardhë”, pa gjak.

            Nëse nuk ndodh kjo, nëse edhe qeveria e re dështon dhe nuk bën dot shtet, atëhere qytetarët shqiptarë, intelektualët e vërtetë duhet t’i drejtohen Brukselit me thirrje lutëse: Dërgoni në Shqipëri një EULEX special, që të bëhet drejtësia, që më në fund të bëhet shtet edhe Shqipëria!”Që të keni më pak telashe me ne.Kjo nuk është fyese për ne, por faqja e zezë e politikanëve tanë.”

            Ne qytetarët jemi më të sinqertë: atë që nuk jua thonë politikanët tanë, po jua themi ne: Ne shqiptarët kaq dimë, kaq e kemi hapin, jemi qytetarë të prapambetur dhe kemi politikanë edhe më të prapambetur. Na merrni për dore! Do t’ju jemi përjetë mirënjohës!


Botuar ne gazeten "SOT" 27.10.2013

Κυριακή 20 Οκτωβρίου 2013

XHAMIA E RE, PREMTIMI I RAMËS DHE INTERESI PUBLIK

  XHAMIA E RE, PREMTIMI I RAMËS DHE INTERESI PUBLIK

                                                            Nga Petrit Qejvani


            Në ditën e Kurban Bajramit kryeministri Rama artikuloi më  qartë atë që tha para disa ditësh, kur mori vendimin për anullimin apo, më mirë, për reduktimin e projektit të ndërtimit të xhamisë së re së bashku me një pallat tetë katësh, si pjesë e kompleksit.

            Me këtë vendim spekulloi boll opozita e sotme, e cila, që nga krerët  e deri te avokatët dalëboje të saj u përpoqën të argumentonin me këtë rast se kryeministri Rama ishte kundër xhamisë, pavarësisht se ai deklaroi heqjen e “bishtit” korruptiv të projektit, pallatin tetë katësh.
            Ndërsa ditën e Kuraban Bajramit Rama i hoqi cdo mundësi te re spekullimi opozitës diversioniste, kur tha se besimtarët myslimanë do kenë një xhami pa pallat dhe jo një pallat me xhami.
            Sic është normale në Shqipëri, edhe një projekt teknik u shndërrua në një debat politik. Politizimi i skajshëm edhe i projekteve thjesht teknike tregon shkallën ë lartë të politizimit të shoqërisë sonë. Mendoj se kjo, vecanërisht kur ndodh me fenë, është e rrezikshme.
            Manipulimi për efekte politike me besimet dhe besimarët, është i mbarsur me pasoja të paparashikueshme.
            Avokatët e opozitës e sulmojnë  Edi Ramën si njeri që nuk e mbajti fjalën para komunitetit mysliman, ndërsa u kishte premtuar ndërtimin e xhamisë, kur ishte kryetar bashkie dhe gjatë fushatës elektorale.
            Por sot prej opozitës , më tepër  se kyeministër, që nuk e mban fjalën, Rama djallëzisht tentohet të paraqitet indirekt si armik i myslimanëve, duke qënë “ortodoks”. Dhe kjo akuzë nuk mund të jetë pa sensibilitete negative dhe e vë në pozitë jokomode Ramën moralisht. Prandaj, ditën e shënuar të Kurban Bajmramit, ai e artikuloi fare qartë se xhamia e re do të ndërtohet dhe se qeveria, por dhe ai vet familiarisht do kontribuojnë edhe me fonde për ndërtimin e saj.
            Nëse dy palët e interesuara direkt,Komuniteti musliman (më saktë krerët e tij) dhe qeveria kanë interesa reciproke në këtë rast, ne të tjerët, pjesa tjetër e shoqërisë, që përbën dhe maxhorancën, gjykojmë më asnjëanësisht.
            Duke patur parasysh vendin e ndërtimit,në një park të gjelbër (nga të paktët në Tiranë)  mendoj se kemi të bëjmë me një krim ambiental. Interesi qytetar e do që ai të ishte park dhe jo xhami, as kishë, as teqe.
             Është e vërtetë që komuniteti musliman është më i madhi në Shqipëri rreth 60 - 70%, por kjo nuk do të thotë se ata përfaqësojnë po aq përqind të popullsisë. Sepse, si kudo, aq më tepër në Shqipëri, jo të gjithë qytetarët besojnë.
            Shqiptarë janë populli më pak besimtar i Europës. Një anketim i një fondacioni amerkan, që merrej posacërisht me këtë cështje, të bërë në Shqipëri dhe të publikuar disa muaj më parë në një të përditshme serioze, tregonte se nga kampioni i anketuar vetëm 14% e shqiptarëve besojnë dhe se, prej tyre, vetëm 4% janë praktikanë, domethënë  frekuentojnë rregullisht institucionet e kultit. (kjo për të tre besimet së bashku).
            Sigurisht, kjo nuk do t’u pëlqejë krerëvë të komuniteteve fetare, por kjo nuk ndryshon gjë. Po dhe nëse këtë anketim e marrim me rezervë, ( si cdo lloj sondazhi dhe anketimi) le ta cojmë në20-30% të popullsisë që besojnë, kur edhe në Itali (qendra botërore  e katolicizmit) për shembull rreth 25% e popullsisë frekuentojnë kishat, apo në Francë ku kjo shifër arrin rreht 30%.
            Sepse zbehja e ndjenjës fetare është një dukuri globale ne nje bote gjithnj e me teknologjike. Kurse te ne , për fat të mirë apo të keq, kjo zbehje është më  e madhe edhe për shkak të historisë sonë të largët dhe të afërt (koha e komunizmit, që e ndaloi me ligj fenë).
            Kombi shqiptar është ngritur  sipas devizës “Atdhe dhe fe” dhe jo “Fe dhe atdhe.” Kjo është e vërtetë historike e imponuar nga ekzistenca e tre besimeve fetare, që  e bënte të pamundur krijimin e kombit mbi baza të besimit fetar, pra, sipas devizës “Fe dhe atdhe”.
            Prandaj Rilindasit e mëdhenj, mendjet e ndritura si Naimi  dhe Pashko Vasa,pavaresisht besimeve te ndryshme qe u perkisnin, do të thoshnin të njëjtën gjë me forma të ndryshme. I pari do të shprehej: ”Lëreni më nj’anë fenë\ Të shikojmë mëmëdhenë”,ndërsa i dyti do artikulonte thënien e famshme: “Feja e shqyptarit asht shqyptaria.”
            Dhe nuk besoj se do ketë ndonjë (cilido qoftë ai) që do të guxojë t’i quajë ata ateistë apo kriptokomunistë! Aq më pak mund të tjetërsojë dhe “zbukurojë” kuptimin e këtyre shprehjeve pa ekuivok, as me pehlivanllëqe interpretimesh tekstore, kontekstore,altertekstore etj…
            Si përfundim, për të evituar cdo keqkuptim lidhur me këtë cështje, si qytetar pajtohem me kryeministrin për domosdoshmërinë e ndërtimit të xhamisë se madhe, por nuk pajtohem me vendin e ndërtimit. Sigurisht që në qendër do të qe më mirë, por qendra e Tiranës nuk mban dot më asnjë ndërtim për shkak të mbingarkesës së betonit.
            Lidhur me këtë problem kam shkruar në një të përditshme në muajin korrik ku nënvizoja se shoqëria civile ( pa shpirt civil) dhe qytetarët duhet të mbështetnin një tufë ambientalistësh të vetmuar, që protestonin pikërisht për prerjen e pemëve në këtë vënd, por pa e përmendur  drejtpërdrejt  xhaminë.
            Sigurisht, krerët e komunitetit musliman e kërkojnë xhaminë në qendër të Tiranës edhe për shkak se  kisha ortodokse, para disa vjetësh, është ndërtuar në qendër të Tiranës (bile mur më mur me minisrtrinë e Mbrojtjes) dhe ky është një krim urbanistik.
            Por kjo s’do të thotë që , meqë u  gabua në një rast, të vazhdohet të gabohet përsëri. Sipas meje, trysnitë negative mbi qeveritë nga subjekte të ndryshme të cdo lloji janë të dëmshme. Dhe qeveritë nuk duhet të intimidohen nga këto.
            Sa për rastin konkret mendoj se,duke qëndruar larg presioneve dhe intimidimit prej tyre, kryeministri , duke mbajtur njëherësh premtimin për ndërtimin e xhamisë së re, duhej të anullonte projektin tërësisht dhe, sipas kompetencave dhe ligjit duhet të dërgonte në gjykatë urdhëruesit dhe ekzekutuesit e këtij krimi ambiental si dhe të urdhëronte rehabilitimin e mjedisit të dëmtuar prej atyre, që e shkaktuan masakrën, duke e risjellë në identitet. Që gjelbërimi të mos vritet nga marshimi i betonit.
            Sepse, më shumë gjelbërim do të thotë më shumë oksigjen, një jetë më e shëndetshme për të gjithë qytetarët: muslimanë, ortodoksë dhe katolikë.
            Përpara se të besojmë ( në fe , në politikë apo djall) na duhet të marrim frymë, na duhet ajër  i pastër, oksigjen.
            Tek e fundit, interesi i qytetarëve, interesi  publik duhet të dominojë mbi interesin e cdo lloj komuniteti.

Ky shkrim eshte botuar ne gazeten Tema sot date 17 tetor 2013

Παρασκευή 4 Οκτωβρίου 2013

NJE LAJM I FRIKSHËM DHE NJË SHOQËRI E SËMURË

NJE LAJM I FRIKSHËM DHE NJË SHOQËRI E SËMURË

`                                                       Nga PETRIT QEJVANI                                       

            Një pedagog i Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës  u arrestua për korrupsion pasiv , domethënë për shitje notash me para, njoftonte një medie elektronike para pak kohe.Por ky nuk ishte ndonjë lajm kushedi. Bile nuk përbën  ndonjë lajm për terrenin shqiptar..Lajmi vinte më pas. Sipas një anketimi të bërë me studentët e atij universiteti, njoftonte po kjo medie, 3 ndër 4 studentë kanë pohuar se kanë paguar për të marrë provimet! Pikërisht ky është lajm,bile një lajm i bujshëm,por që kaloi në heshtje të plotë, megjithëse u pa edhe në ndonjë cep gazete. Me një fjalë për veshët e shqiptarëve s’kishte gjë të re, ndërkohë që do trondiste cdo shoqëri normale. Një heshtje e tillë ishte një lajm akoma më i rëndë, që tregon  se në shoqërinë tonë nuk bën përshtypje asgjë! Kjo është e frikshme. Kur anormalja bëhet normale do të thotë se shoqëria ka arritur një shkallë të tillë korruptimi e kalbëzimi, saqë shërimi është thuajse i pamundur. Është njëlloj si ai i sëmuri me kancer të avancuar ku metastazat kanë pushtuar krejt organizmin dhe shpëtimi i vetëm është vdekja..Korrupsioni është bërë si oksigjeni për shoqërinë tonë dhe, kur organizmi bën paqe me mikrobin, atëhere s’bëhet fjalë për shërim. Shoqëria jonë është një shoqëri moralisht e  vdekur. Asnjë reagim, as nga ministria përgjegjëse, as nga qeveria, as nga kuvendi, as nga opozita (që ë ka humbur toruan), as nga shoqatat rinore (nesër prej këtyre do  dalin qeveritarët e ardhshëm!) as nga prindrit, as nga e ashtuquajtura shoq
ëri civile, edhe kjo e infektuar! Vetëm heshtje, paqe me të keqen! Notojmë të gjithë në një kënetë. Si te drama e S. Beckettit: “O, sa ditë të lumtura!”Nëse në socilizëm u krijua “njeriu i ri” i socializmit, skemë e idealeve boshe, shoqëria e sotme shqiptare, kapitalizmi shqiptar, krijuan “njeriun e ri” fallco, njeriun me identitet të rremë profesional e moral, njeriun “dosje”. A nuk rendin të gjthë të “masterizohen” pas mbarimit të studimeve si kusht të vënë nga Ministria për të gjetur një vend pune?!Pastaj të doktorohen me të gjtha mënyrat dhe mjetet (dhe mjeti më i mirë është paraja, që e ka kënduar aq bukur Hasan Z.Kamberi.) e pastaj të “profesorizohen” për të arritur majën formale në përgatitjen shkencore, megjithëse,jo ne pak raste, pa një kontribut të mirëfilltë shkencor, me teza e makroteza që s’thonë asgjë,vec mbushjes së faqeve të kërkuara? Dhe këtu, hakun të mos ua hamë: një “kontribut” jo të vogël japin edhe komisionet e miratimit të këtyre leckave “shkencore”, në përbërje të të cilave ka dhe profesorë të vërtetë. Kjo vjen sepse te ne universitetet po trajtohen nga qeveritë si mall me shumicë. E kuptoj hallin e qeverive me të rinjtë! Shqipëria duhet të jetë ndër vendet e para në botë për numrin e universiteteve në raport me numrin e popullsisë. Nuk është cudi që ndonjë kryekomunar me paret e korrupsionit të hapë ndonjë universitet edhe në komunën e tij!  Dhe pikërisht një mall është i lirë, kur gjendet me shumicë. Prandaj në këtë rast gjen vend shprehja “shumë e për lumë”. Nuk di ndonjë qytet pa universitet (mund të ketë 2 apo 3 të tillë), ndërkohë që ka qytete (vec Tiranës) me disa universitete!..Pra, meritojmë lëvdata si sasi.Cilësia?Ah, kjo është thembra e Akilit.Këtu mos prekni: 3 ndër 4 studentë e blejnë “shkencën”! Dhe këtu duhet bërë një shënim: korrupsioni në universitete publike është më i madh se në ato private.Po kur nuk fitohet dot me djersë, të thonë, si mund të merret ndryshe? Kur studentët pa tjetër e duan një diplomë, kur prindrit e duan djalin apo vajzën me diplomë, sepse ashtu u ka thënë miku i partisë, pse universitetet të mos u japin një copë karton të qëndisur me siglën e tyre ? ! Ndere bëjnë! Se mos japin vende pune! Një copë karton japin! Edhe studentin e kënaqin, edhe  ca (sa?) para i fusin në xhep. Dhe pas kësaj ministri flet per akreditime të universiteteve!Sa komike! Dikur Berisha thoshte për qeverinë Nano se është më e korruptuara e planetit (shprehje tipike të tij) dhe në thelb nuk gabonte. Tani, shumë vite pas Nanos, jo vetëm korrupsioni nuk u luftua, por plot fakte, një ndër të cilët dhe ky i mësipërmi, tregojnë se thënia e Berishës për qeverinë Nano është po aq aktuale,vetëm duke zëvendësuar  emrin e Nanos me emrin e Berishës. Një shoqëri e sëmurë dhe një qeveri paradash,që suksesin më të madh ka prodhimin e njeriut të deformuar moralisht e profesionalisht, nuk mund të ketë një të ardhme të bukur. Kjo është katastrofë, që i jep frutet pas shumë vjetësh.Ky është një krim. Dhe, si shumë krime të tjera në Shqipëri, është dyfish krim, pasi është krim pa ndëshkim. A do shërohet shoqëria shqiptare nga epidemia e korrupsionit? Dhe kur? Deri atëhere do paguajmë një harac të madh.







                        Shkruar per “Shekullin”, 15  Korrik 2012