Δευτέρα 26 Μαΐου 2014

ANTIENVERIZMI SI ANTI-ANTIFASHIZEM



                        ANTIENVERIZMI SI ANTI-ANTIFAZHIZËM   

                                                Nga Petrit Qejvani

            Përkujtimi i një zinxhiri ngjarjesh në kuadër të 70-vjetorit të clirimit të atdheut, siç ishte së fundi edhe përkujitimi i Kongresit të Përmetit, për situatën aktuale të ekstremizuar midis palëve politike në Shqipëri, normalisht do të shoqërohej me polemika dhe replika të ashpra mbi natyrën e Luftës antifashiste dhe rolit të aktorëve politikë të saj.Veçanërisht, siç e kam thënë dhe herë tjetër, këtë situatë do ta tensiononte “rishfaqja’ e Enver Hoxhës si protagonist i këtyre ngjarjeve. Dhe ky është “problemi” ose sjellësi i “keqkuptimeve’ apo më mirë i kundërkuptimeve e këndërshpjegimeve të  asaj periudhe. Por edhe të fushave jopolitike sot si për shembull “shfaqja” e tij edhe në debatin për gjuhën standarte!...
            Qëndrimi ndaj figurës së Ë .Hoxhës, me fjalë të tjera, do ishte “guri i provës” për një trjatim realist e objektiv të Luftës së Dytë Botërore, në terrenin shqiptar. Por gjetja e objektivitetit, pra e asnjëanësisë, sidomos nga e djathta, është një mision i mundimshëm, në mos i pamundur në klimën ë sotme plitike shqiptare, që realitetin e sheh ende sipas parimit bardhe zi, edhe 70-vjet pas mbarimit të saj dhe kali i betejës vazhdon të jetë ende antikomunizmi, ndonëse atij tashmë i kanë rënë patkonjtë.
            Çështja .është se E.Hoxha nuk mund të ndahet nga nga Lufta antifashiste e popullit shqiotar, të udhëhequr prej Partisë Komuniste. Sepse është alogjike që të vlerësohet pozitivisht Lufta antifashiste nacional-çlirimtare dhe të vlerësohet negativisht figura qendrore e saj.Prandaj kontestimet dhe sulmet e së djathtës sot ndaj E. Hoxhës si protagonist i Luftës,  janë vijim i qendrimeve të kolaboracionistëve të djeshëm, të cilët Ë. Hoxha i nxori nga skena politike. Duke i goditur ashtu siç nuk ë kishin menduar.ndonjëherë. Kjo është një pozitë jo e lakmueshme për të djathtën “e re” me mentalitet të vjetër, e cila ende nuk ë ka marrë veten nga shoku i 70 e ca viteve më parë dhe  në thelb nuk e vlerëson luftën çlirimtare të shqiptarëve kundër fashizmit e nazizmit,vetëm ë vetëm se atë e udhëhoqi PKSH dhe, sodomos E.Hoxha, i cili nuk duhet të ishte clirimtar, sepse ishte komunist!...
            Pra, antienverizmi i së djathtës sot  për luftën antifashiste është, veç anakroniiik (të kujton gjuhën politike të Mit’hat Frashërit) vetdemaskues dhe aspak një qendrim patriotik, megjithë epitetet patriotikë që përdor kundër Enverit. Balta që e djathta hedh sot mbi E.Hoxhën e kohës së luftës është një përpjekje e dështuar për të pastruar fytyrën e përbaltur keq me kolaboracionizëm të etërve të saj. Sepse ajo e “godet” E. Hoxhën në pikën e tij më të fortë, aty ku ai është i pacenueshëm. Sepse për periudhën e Luftës Ë.Hoxha është i pasulmueshëm, pasi rezultati i saj qe çlirimi i Shqipërisë, një vepër madhore për çdo brez, focë politike apo individ fitues. çka do ta kishin dashur shumë t’u takonte atyre.” Baballarëve të kombit”! Pra, është zili politike dhe klasore. Por nuk u tha Enver Hoxha te mos luftonin dhe bile te fitonin!...
            Ndryshe është puna për periudhën ë pasluftës ku E.Hoxha mund të atakohet lehtë. Dhe kjo ndodh se e djathta, për shkaqe emocionale,. bie në kurthin aspak realist të shikimt të kundërshtarit dhe dukurive sipas standartit joproduktiv “bardh e zi”. Sipas tyre E.Hoxha duhet të jetë krejt i zi ( pa asgjë pozitive në jetën dhe veprën e tij), meqë ai u punoi “të zezën” kundërshtarëve të vet politikë.Sigurisht, kundërshtarët e tij politikë do të donin që ai të mos kishte ekzisuar fare, por kjo është thjesht një dëshirë fantastike. Kurse ai ishte dhe, për të djathtën humbëse gjatë Luftës së Dytë Botërore  dhe pinjollët ë saj sot, ai ende “është” dhe, për disa kohë akoma, “do të jetë” shqetësues. Sipas kompleksit të fajit, që e mundon të djathtën antienveriste, por që ajo publikisht dhe hapur nuk e pranon.
            E.Hoxha u “hëngri racionin politik”, duke i deklasuar dhe skualifikuar si klasa drejtuese të shoqërisë shqiptare.përfundimisht. Dhe kjo për ta ishte një hata e vërtetë.Prej kësaj ushqehet gjithë ai mllef për E.Hoxhën, i cili, nëse emocionalisht është i përligjur, racionalisht i bën qesharakë. Sepse antienverizmi për vitet e Luftës nuk është antifashizëm dhe as patriotizëm. Ai është thjesht anti-antifashizëm, domehtënë kolaboracionizëm.Dhe nëse në kohën ë luftës ky qendrim ishte një herë faj, sot,pas 70-vjetësh, është dyfish i tillë.Kjo tregon se djathta shqiptare nuk ka nxjerrë mësime nga historia dhe ora i ka ngelur në kohën ë Luftës së Dytë Botërore. Figura e E.Hoxhës. duan apo nuk duan përfaqësuesit e pasardhësit e së djathtës së dikurshme kolaboracioniste, është, si çdo figurë historike, komplekse, me dritëhijet ë veta. Nëse E.Hoxha gjatë Luftës për çlirim dominoi mbi të ashtuquajturit nacinalistë, kjo ,sa meritë e atij vetë, është po aq dhe meritë e tyre.
            Edhe 24 maji i 1944-ës, për të cilin e djathta revoltohet, është jo thjesht meritë ë komunistëve, por edhe e nacionalistëve që me sofizmat dhe kolaboracionizmin e tyre ndihmuan Partinë Komuniste të vinte e vetme në pushtet.Sikur të kishin vepruar ndryshe (të kishin luftuar) Kongresi i Përmetit do të ishte një kurorëzim i Konferencës së Pezës dhe shqiptarët do ta përkujtonin sot të bashkuar. Enver Hoxha i ka vënë sërish në provë si të djathtët dhe të majtët (përjashto një grup të vogël  “partish” komuniste. Të parëve se, si ish-baballarë të kombit u ka ngrënë “racionin politik” në një moment madhor kombëtar, kurse të dytëve,veç luftës dhe çlirimit, për të cilën edhe krenohen) u ka lënë trashëgim edhe diktaturën, të cilën nuk e duan dhe e kanë “barrë mbi shpinë” për shkak të origjinës politike.
            E. Hoxha me sa duket do të jetë “protagonist” i këtij viti jubilar të 70-vjetorit të çlirimit, së paku deri më 29 nëntor, ndonëse e djathta nuk e njeh 29 nëntorin, që do të thotë nuk e njeh çlirimin e atdheut, sepse Luftën nacional çlirimtare kundër pushtuesit ë quan “luftë civile!... për “inat” të Enverit. Pra, antienverizmi i sotëm për Luftën çlirimtare nuk është patriotizëm, por kolaboracionizëm “ i ri”. Natyrisht si mendim.dhe kjo nuk i nderon autorët e tij.

Σάββατο 17 Μαΐου 2014

"SKIFTERE" DHE "PELLUMBA"



                                    “SKIFTERË” DHE “PËLLUMBA”



                                                Nga Petrit Qejvani



            Siç mund të kuptohet lehtë edhe nga fjalët e vendosura në thonjza në titullin e shkrimit, nuk e kam fjalën për këto dy lloje shpendësh me kaq individualitet dhe secili i bukur sipas mënyrës së vet, por për simbolikën, që ata përfaqësojnë. Nuk e di pse betejat mediatike midis së majtës (Kryesisht PS-së) dhe PD-së më duken ,në të shumtat e herëve, si ndeshje midis skifterëve dhe pëllumbave, ku humbës, natyrisht, janë pëllumbat. Sigurisht jemi në një semantikë figurative çka do të thotë se të dy palët nuk identifikohen patjetër dhe plotësisht me simbolet e zgjedhur. Kështuqë të jenë të qetë tifozët politikë, që e marrin të njëmendtë këtë simbolikë. Dhe këtë ma shtiu ndër mend  braktisja e studios së emisionit “Opinion” në tv Klan, nga Paskal Milo, një veprim ky i pazakontë, që nuk mund të pritej nga një politikan me përvojë dhe një intelektual i njohur, (përfaqësues emblematik i së majtës) pas nje replike acide dhe vulgare në adresë të tij prej një ish-deputeti të PD-së me një paraqitje (nuk më pëlqen  performancë) aspak prej “skifteri” dhe mosdhënies së fjalës nga ana e drejtuesit (jo moderatorit) të këtij emisioni.

            Dhe më duhet të them se, megjithë respektin që kam për zotin Milo,  ai bëri gabim që u largua, pasi në këtë rast është treguar i dobët, ndërkohë që ka kapacitetet ë nevojshme inetelektuake dhe përvojën e mjaftueshme për ta përballuar kundërshtarin e tij rishtar politik.. Por ky është stili i zgjedhur posaçërisht për ta mërzitur kundërshtarin, i adoptuar prej kohësh nga Partia Demokratike. Ishte fjala për vlerësimin ë figurës së Enver Hoxhës (por kjo nuk ka shumë rëndësi) kur ish-deputeti demokrat e humbi logjikën dhe, sikur të kishte përballë vet E.Hoxhën (megjithëse këtë s’do mund ta bënte dot kurrë), iu drejtua bashkëbiseduesit, duke e quajtur “kriminel”! Tamam fjalor i një fanatiku të pashkolluar, i stampuar në ofiçinën propagandistike të Berishës. Humbje e pastër e ekuilibrit, që në fakt të bën ta mëshirosh autorin e saj “trim”, në mos po një mungesë e theksuar etike në komunikim, sidomos në komunikimin publik. Pale pastaj të mendosh se ky njeri vjen prej botës “akademike”!...

            Por ky reagim i tij. tipik prej ekstremisti të djathtë, më shtyu më tej dhe më kujtoi një dukuri ‘interesante” që kisha arritur ta konstatoja duke ndjekur debatet midis të majtëve dhe të djathtëve (kryesisht midis PD-së dhe PS-së), të cilat, në shumicën e rasteve i “fitojnë” të djathtët. Edhe kur s’kanë të drejtë! Biles, edhe kur kanë përballë njerëz shumë të formuar profesionalisht! Kjo fillimisht më ka habitur dhe pastaj revoltuar. Jo pse “mundeshin” ata, por se nuk mbronin me forcë të vërtetën.      Sipas meje, e vërteta të  bën trim dhe se ajo nuk mund të mbrohet prej njerëzve “.të urtë”. Dhe nuk do shumë mundim ta kuptosh pse ndodh kjo.

            Të djathtët, edhe kur s’kanë argumenta, kanë vullnetin dhe stilin të bëjnë zhurmë, të të ndërpresin kur ti flet, të të acarojnë, që mendimi yt të mos dëgjohet. Kjo është një taktikë produktive e opozitës së sotme, e injektuar prej zhurmëmadhit politik Berisha. E adoptuar prej stilit dhe propagandës naziste dhe komuniste për t’u marrë “erzin” kundërshtarëve politikë. Besoj të gjithë jemi dëshmitarë të skenave të tilla, kur studiot televizive kthehen në arena kakofonie, saqë shpesh dhe drejtuesit e  këtyre emisioneve detyrohen të futin reklama në mes të debatit, për të qetësuar situatën, që u del jashtë kontrollit, Biles kapitullojnë edhe vet para këtij “pazari” ku s’ë merr vesh i pari të dytin! Dhe protagonistë të kësaj “përleshjeje me  fjalë” janë në shumicë të djathtët. Pra duelet” i fitojnë “skifterët”! Sikur të ishte fjala për të dy llojet e shpendëve, që përmenda në titull, kjo do të ishte e kuptueshme: pëllumbat munden nga skifterët. Por me njerëzit duhet të jetë ndryshe.

            Por, meqë më rezulton kështu, jam munduar të arsyetoj edhe  pse ndodh shpesh kështu. Është kjo cilësi e njerëzve, që rastësisht përfaqësojnë këto dy grupime politike, apo kjo shpjegohet me “racën politike”, që përfaqësojnë? Pra, mos e djathta është më agresive nga e majta si orientim politik, si filozofi politike? Apo është fizionomi e injektuar nga liderët, që rastësisht vijnë në krye të forcave të djathta? Së paku në realitetin shqiptar duket se kjo vjen më tepër prëj ndikimit dhe fizionomisë personale të liderit të saj Berisha, i ngarkuar me superenergji dhe agresivitet. Një njeri që s’mendon dy herë për të bërë një veprim apo për ta thënë fjalën!

            A e keni parë ndonjëherë Berishën të flasë i qetë, normalisht, pa tone të larta dhe gjeste të pandërprera? Tamam njeri i kurdisur! Flet edhe në salla të mbyllura sikur është në sheshe! I zhurmshëm si një lumë që s’ka as një metër rrjedhje të qetë,por vazhdimisht zbret rrëmbyer tatëpjetë. Dhe si ai flasin të gjithë të tjerët në PD. Dhe shikoni e dëgjoni  Ramën. Kontrasti ështe i qartë. Dhe pak a shumë si Rama flasin dhe të tjerët në PS. Jo si stil, por si sjellje, si etikë komunikimi, pa agresivitet.. Me këtë rast nuk mund të mos i japim të drejtë Majakovskit kur identifikonte Partinë me Leninin: “Ne themi Partia dhe nënkuptojmë Lenini” dhe anasjelltas,(pra udhëheqësin). Dihet që liderë te fortë i japin fytyrën e tyre partisë. Rama,edhe para lumit të sharjeve, akuzave dhe bubullimave të Berishës flet qetë, shtruar dhe pa bërë “zhurmë”, ndonëse është më i ri se Berisha dhe jo pa karizmë. Kjo mund të jetë mirësjellje nga ana etike, por e dëmshme kur kthehet ne stil në politikë, sidomos përballë një opozite manipulatore dhë dezinformuese, e cila shpifjen, denigrimin dhe poshtërimin e kundërshtarit e ka filozofi dhe detyrë partie ! Dhe këtë pohim mund ta argumentoj me plot shembuj, kur skifterët e PD-së ( edhe “skifteret”, po të « krijoj » për një cast gjininë femërore të këtij emri, që nuk e ka shqipja) me të gjitha “mjetet” përpiqen ta mundin kundërshtarin, pa pyetur fare për etikë e mirësjellje. Nuk është vetëm rasti me Paskal Milon. Mjafton të kujtojmë ato më të fundit, sic ishte rasti kur i famshmi manupulator i zgjedhjeve vendore të 2011-es, Ristani, ofendoi publikisht në një debat këto ditë deputeten e PS-së Ermonela Felaj, duke i thënë si një rrugac ordiner “ik moj fshatare, u bëre dhe ti”...Po kështu veprojnë edhe disa deputete (femra) të PD-së në krye të të cilave prijnë « gjuhëshpatat » Doda dhe Duma, të cilat ndonëse femra, për nga “trimëria” dhe «  etika »  pa etikë ua kalojnë dhe meshkujve në sulmet ndaj opozitës.

            Por unë mendoj se kjo vjen edhe prej butësisë së panevojshme dhe të dëmshme që reflektojnë përfaqësuesit e së majtës për t’u treguar të edukuar më tepër sec duhet në këto raste. Edhe ne debatin për drogën  në parlament mund të bëhej lehtë dallimi midis Berishës dhe Ramës. Ndonëse nuk pati vulgaritet si herët e tjera, sërish agresiviteti i Berishës si fjalor, si intonacion , si sintaksë ishte në nivele të larta ndotjeje. Paturpësia gjithashtu arriti kulmin, kur i kërkonte llogari Ramës për drogën që kishte “mbjellë”vetë!? Sigurisht këtë e bën se ka përballe Ramen, ndërsa po të kishtë një lider më autoritar dhe më të guximshëm, nuk do të ishte në parlament me ato që ka bërë, por diku gjetkë...

            Denigrimi i kundërshtarit dhe “marrja e erzit”, sic e kam pohuar me lart është ë huajtur nga arsenali i stilit nazist dhe komunist dhe PD i përdor këto armë  për të lodhur apo mposhtur kundershtarin, sidomos kur nuk ka të drejtë dhe kërkon të manipulojë opinionin publik. Në këtë kontekst butësia dhe “edukata” e së majtës është mangësi dhe jo vityt. Dhe kjo fillon që nga Rama. Kujtoni “gjyqet”që i bën Fevziu atij në studion e tij, kur jo thjesht e pyet, por, duke tejkaluar cdo etikë, i kërkon llogari!... Dhe për kontrast kujtoni Berishën në takimet me gazetarët. Sa të kujdesshëm dhe të druajtur janë kur i drejtojnë pyetjet dhe s’guxojnë ta pyesin për herë të dytë, kur ai i bishtnon pyetjeve të tyre. Dhe kjo ndodh shpesh. Këtë ide nuk e trajtoj për herë të parë në këtë shkrim, por e majta duket se ka gjetur “rehat” me këtë stil pasiv, që nuk arrin t’i mbrojë sic duhet kauzën dhe parimet e saj.

            Parimet dhe kauzat nuk mjaftojnë të jenë të drejta dhe mbrohen e fitojnë vetvetiu. Ato duan edhe zërin e lartë, kur duhet, duan edhe zjarr dhe pasion për ‘tu mbrojtur. Pra, duhet qe pellumbat “te behen” skiftere!... Ndryshe squllet kauza, dekorajohen militantët e simpatizantët e tu, që shohin te lideri simbolin e forcës energjisë dhe kauzës së tyre. Sepse je në politikë dhe jo në kishë apo xhami. Pra, je para “djallit” dhe jo para Zotit!.

Botuar ne gazeten SOT date 22.05.2014



                                                                                                                                                           

Σάββατο 10 Μαΐου 2014

MEHMET SHEHU NUK ISHTE SI MUHARREM BAJRAKTARI!



                        MEHMET SHEHU NUK ISHTE SI MUHARREM BAJRAKTARI!



                                                            Nga Petrit Qejvani



            Edi Rama gjeti 9 Majin, ditën e triumfit mbi nazifashizmin, për të shprehur qendrimin e tij në lidhje me Luftën Antifashiste të popullit shqiptar dhe aktorët e kësaj lufte, duke iu përgjigjiur kështu sulmeve të bëra nga të dy krahët e politikës: djathtas e majtas. Ai u dha një përgjigje thuajse simetrike si të djathtëve, ashtu dhe të majtëve, (më të majtë se ai vet), ndonëse akuzat ishin asimetrike. Ashtu si dhe qëllimet e tyre. Dhe sërish nuk i përmendi me emër protagonistët dhe antagonistët ë saj. Besoj se kjo nuk u ka pëlqyer të dyja palëve. Rama u ikën atyre si djalli themjanit

            Për të  treguar  se e vlerëson Luftën antifashiste dhe ata që e bënë atë, ai i thirri veteranët në "shtëpinë e tij", në kryeministri. Qasja që i beri Luftës ishte origjinale si inskenim, por edhe si ligjerim politik. Gjuha ishte e bukur, ndonësë ca ezopike, më tepër me nënkuptime e aludime sesa direkte, siç duhet të jetë në këto raste. Veçanërisht me veteranët, që nuk kanë shumë kohë, energji dhe freski për të ndjekur dhe shijuar frazat relativisht të gjata dhe të letrarizuara të kryeministrit. Por idetë ishin të drejta në përgjithësi dhe të balancuara në kontekstin e Europës së sotme, po të mos kemi parasysh një inkosekencë,që do të vinte më pas.

            Kryeministri, ashtu siç pritej, bëri vlerësime të larta për luftën tonë antifashiste,ndonese pa patetike dhe  pa i përmendur  forcat politike dhe ushtarake, që ishin protagonistë të asaj lufte, pa le të udhëheqësve politikë dhe komandantëve të saj. Në këtë pikë Rama është gjithmonë në siklet dhe i kompleksuar. Ajo që nuk dihet ende është se në c’masë kjo vjen prej trysnisë së sulmeve të së djathtës apo e ka dhe bindje të vetën, duke patue parasysh ca deklarata të tij të kahershme për komunistët. Nëse e ka prej sulmeve të së djathtës, në një farë mase ka të drejtë, pasi përmendja e rolit të komunistëve dhe, veçanërisht e Enver Hoxhës, shkakton një  alergji dhe reaksion agresiv akuzash ndaj tij nga e djathta, që nuk e vlerëson Luftën tonë antifashiste për “shkak” të Enverit!... Ai e di që ish-shërbëtori mjek i bllokut, Berisha, është gati ta sulmojë si “neobllokmen dhe enverist”. Por edhe ndërkombëtarët do ta shihnin me dyshim në këtë rast. Bile për këtë shkak iu shmang edhe 5 majit shqiptar dhe gjeti 9 majin evropian, i cili, duhet thënë e përfshin edhe 5 majin tonë antifashis dhe “komunist”. Kurse 9 Maji, ndonëse ka edhe kontributin madhor të komunistëve europianë (sidomos të  Ushtrisë së Kuqe dhe Stalinit brenda), është më tepër antifashist, duke patur dhe antikomunizëm brenda.

            Ndërkaq kryeministri nuk e sulmon opozitën, kur ajo mbron ish bashkëpunëtorët e fashizmit dhe nazizmit, kur i dekoron dhe iu ngre monumente e buste për “inat të Enverit”, që luftoi për çlirimin e Shqipërisë! Por kjo është një çështje tjetër, që do “nxehet” e do shkaktojë elektricitet të madh sa më tepër i afrohemi 70-vjetorit të çlirimit dhe Rama nuk do mundë t’i shmanget dot. Sepse nuk ka kuptim të flitet e festohet përvjetori i Çlirimit dhe të mos përmenden çlirimtarët dhe udhëheqësi i tyre.

            I vetmi qëndrim realist do ishte ky: Enver Hoxhës i duhen  njohur meritat e luftës, ashtu siç i njihen  “meritat” e dikaturës së tij. Dhe kjo nuk është aspak nostalgji, por respekt për të vërtetën. Por, e inkuadruar në ditën e Europës, të filozofisë dhe  proceseve të sotme integruese, fjala e Ramës, në termat kryesorë, ishte korrekte.

            Megjithëse Rama iu shmang sa mundi përmendjes së emrave të forcave politike të kohës së luftës dhe emrave të përveçëm të protagonistëve e antagonistëve në emër të unitetit e kohezionit të cënuar social për shkak të luftës së paprinciptë politike, iu referua dy emrave të njohur të skenës së Luftës antifashiste: Mehmet Shehut dhe Muharrem Bajraktarit, njeri komunist dhe komandant i shquar partizan dhe tjetri një feudal kolaboracionist. Dhe këtë nuk e bëri drejtpërdrejt, por nëpërmjet një të treti, (një komandanti batalioni gjerman), duke cituar në ligjëratë të drejtë konsideratat e oficerit gjerman për të dy dhe nuk mbajti vet asnjë qëndrim ndaj tyre. Por nuk është keshtu zoti Rama! Nuk mund të barazohet M.Shehu, një luftëtar i lirisë, një anifashist i orëve të para (të mos harrojmë pjesëmarrjen ë tij në luftën e Spanjës kundër diktaturës fashiste frankiste) me një feudal kolaboracionist, pavarësisht ç’bëri më vonë M. Shehu. E kuptoj që duhet kohezioni kombëtar se jemi përçarë keq për hir të politikës, por uniteti nuk mund të ngrihet mbi baza false, por mbi të vërteta. Kështu ndërtohet një shoqëri e emancipuar dhe jo hileqare.

            Dhe e vërteta është se M. Shehu në luftë ishte një çlirimtar, ndërsa M.Bajraktari një kolaboracionist. Kurse pas çlirimit M.Shehu ishte në kupolën e diktaturës, ndonëse e pësoi edhe vet prej saj. Me konsideratat e  një oficeri gjerman kryeministri mendoi se  i lau duart me luftën dhe personazhet e saj, ndonëse ata të dy të jepnin rastin të shprehesh për anatominë e luftës dhe rolin e forcave të ndryshme në këtë luftë. Përndryshe e mira do ishte të mos përmendeshin. Duke dashur t’i largohej një vlerësimi për luftën dhe aktorët e saj nëpërmjet “përdorimit” të një oficeri nazist, që nuk e di pse e ka zgjedhur për referim, kryeministri ka rënë  më keq në grackën e saj.

            Kjo tregon se sa e vështirë  është të flasësh për Luftën, pa përmendur aktorët e saj dhe rolin e tyre. Prandaj Lufta na “ngatërron” edhe sot e kësaj dite…Kurse oficeri gjermanit ishte fare i qartë: i quante banda formacionet e komanduara prej tyre, që më shumë luftonin me njeri-tjetrin sesa me gjermanët!...Pra, me fjalë të tjera , një lloj lufte civile! Ky është një qendrim i gabuar i zotit Rama (dhe jo i gjermanit),pasi kjo është teza e ballistëve kolaboracionistë dhe pasardhesve të tyre sot. Shpresoj të jetë  një “lapsus kalami”, siç thotë Frojdi, në mos një lajthitje me gjithë atë tiradë  vlerësimesh  të luftës antifashiste, që  bën nul gjithçka u tha për luftën dhe veteranët. Ndoshta kjo ka ardhur edhe prej sikletit për të vlerësuar njëlloj dy armiq të njeri-tjetrit. “Për ta patur  mirë” me të dy palët, kur secila palë mendon se ka vetëm ajo të drejtë. Kështu ndodh sa herë mendon për të pajtuar një gënjeshtër me një të vërtetë. Gjë e pamundur!  Nuk e di  si e kanë ndjerë veten veteranët pas kësaj! Pasi ju, zoti kryeministerr, në këtë mënyrë ua keni rrëzuar kauzën dhe qëllimin e luftës, që ishte :luftë kundër okupatorit fashist për çlirimin e atdheut. Kështu bie edhe humbet kuptimin heroizmi dhe sakrificat e luftës. Edhe kontributi i veteranëve. C’janë këta veteranë, “veteranë të luftës civile”?!  

            Lufta kundër pushtuesit nuk është luftë civile, edhe kur me pushtuesin bashkohen disa bashkatdhetarë të tu, sic ndodh jo rrallë! Sic ndodhi edhe në disa vende të mëdha europiane gjatë Luftës së Dytë Botërore. Këte na mëson Lufta antifashiste, këtë na mëson historia!


Botuar ne gazeten "Shekulli" date 11.05.2014 me titullin "Dy figura aspak te njejta" dhe te gazeta Telegraf date 12.05.2014

Τρίτη 6 Μαΐου 2014

NJE ZOG BLU


                                                            NJË ZOG BLU

                                                            Petrit Qejvani



                                                            Një zog blu

                                                            këndon në ëndërr

                                                            Zogu blu

                                                            me një këngë blu

                                                            në natën e kuqe

                                                            Kisha kohë pa e dëgjuar

                                                            Do ta dëgjoj

                                                            deri në mëngjes (nëse nuk lodhet)

                                                            kur zogu dhe kënga

                                                            do ikin prej dritës



                                                            Dhe më duhet të pres

                                                            kthimin e tij

                                                            të pamundur



                                                                        Vlore, 3.05.2014

Σάββατο 3 Μαΐου 2014

NISHANI NUK LUAN NGA ISTIKAMI



                        NISHANI NUK LUAN NGA ISTIKAMI



                                         Nga Petrit Qejvani



            Tashmë është e qartë për të gjithë se qeveria do ta ketë të vështirë, në mos të pamundur, luftën kundër korrupsionit, pa një drejtësi të reformuar. Ky reformim duket se po sabotohet sistematikisht prej sistemit të korruptuar keqas të drejtësisë shqiptare që po shkruan një nga faqet më të errta dhe më të turpshme të historisë së saj. Dhe një pengesë e madhe në këtë rrugë është presidenti Nishani dhe gjithë piramida e drejtësisë, e prodhuar kur në pushtet ishte Partia Demokratike. Kupola i ka dhënë “besën” partisë dhe nuk luan nga istikami. Sidomos presidenti Nishani si ish-ushtarak me qetësinë  dhe retorikën e tij antiqeveritare dhe anti-reformë nuk ka ndër mend ta braktisë istikamin, që i caktoi Partia e tij para se të ikte nga pushteti. Ai, qysh në fillim, i ka dhënë sinjale të qarta qeverisë se nuk ka ndër mend ta “tradhtojë” partinë e tij. Bashkë me drejtuesit e tjerë të kupolës së gjyqsorit i kanë dhënë sigurinë dhe premtimin Berishës dhe ish-qeveritarëve  të PD- së se nuk ka për t’i gjetur gjë në rast rotacioni politik për zullumet e bëra..

            Dhe qëndrimet dhe faktet ë deritashme tregojnë se ata po e mbajnë betimin ë bërë. Para qindra denoncimeve dhe kallëzimeve penale të bëra nga drejtues të dikastereve dhe institucioneve për afera korrupsioni të ish-qeveritarëve, edhe publikisht të njohura, prokuroria dhe prokurori i Përgjithshëm as shohin dhe as dëgjojnë.

            Shikoni cfarë situate tragjikomike është në Shqipëri: ministra, që dërgojnë dosje në prokurori dhe prokurorë që nuk denjojnë t’i hetojnë. Pastaj ministra, që ankohen te presidenti, i cili tallet me shqetësimet e tyre, duke iu treguar se drejtësia është e pavarur nga qeveria, por ama... e varur nga opozita!..Paradoks,apo jo? Megjithatë një ministër (Saimir Tahiri) tregon se është i palodhur. Ai, sic deklaroi para ca ditësh, do vazhdojë t’i shkruajë serisht presidentit dhe do t’i ankohet për gjykatat, që lirojnë kriminelë, të cilët, sapo dalin nga burgu, ekzekutohen nga ta që iu kanë borxhe!..Pas  kësaj, të dëshpëruar, këta ministra  “qajnë hallin “ e tyre nëpër ekrane, si vendet e vetme ku mund “të falen”! Kjo duket e pabesueshme, po t’ia thuash një të huaji. Është vërtet krejt absurde.Por realiteti shqiptar i tillë është. Sigurisht nuk është fjala për statusin e drejtësisë në një demokraci të konsoliduar. Është fjala për demokracinë “alla shqiptare.”

            Drejtësia shqiptare është pjesa më e korruptuar e sistemit. E thënë dhe stërthënë nga qytetarë, opinionistë dhe forume e organizma kombëtare e ndërkombëtare, aq sa i ka dalë boja. Edhe vet kam shkruar disa herë për të dhe ndjej neveri, jo vetëm për “drejtësinë” shqiptare,por edhe për fjalët ë thëna në adresë të saj,gjersa agjë nuk ndryshon. Ndoshta pse është thënë e stërthënë jemi mësuar tashmë me të  dhe ndryshimi që presim bëhet i pamundur. Ku ka fjalë shumë, nuk ka vepra. Kjo është fitore për të ashtuquajturën drejtësi tonën. Dhe tingëllon si “gallatë” dhe ironike që pastaj kjo drejtësi pise ka detyrën të pastrojë krejt sistemin! Këtë e dinë të gjithë, shqiptarë dhe të huaj.

            Politika e ka katandisur në këtë derexhe për ta patur skllave të saj për të mos u ndëshkuar për abuzimet e saj me pushtetin. Do te ishte e kuptueshme që drejtësia të trysnohej dhe t’i nënshtrohej një shumice arrogante, për shembull. Por është e padëgjuar dhe unikale që drejtësia  të varet prej opozitës, si në Shqipëri! Dhe ky është një rast për ta “pasuruar” historinë e korruptimit të drejtësisë prej pushtetit politik në rang ndërkombëtar.  Kontribut goxha i madh i Shqipërisë si rast “sui generis”! Në vazhdën ë të qenit “rast i vecantë” si edhe në diktaturë. Kurdoherë “origjinalë” në marrëzitë dhe punët tona të këqia!...

            Mund të thuhet pa frikë se drejtësia shqiptare është roje e korrupsionit ekonomik dhe politik. Kulmi i kësaj situate paradoksale është kur kryeministri dhe presidenti  nuk komunikojnë me njeri-tjetrin, a thua se të dy përfaqësojnë dy institucione private apo dy njerëz që nuk ë kanë qejf njeri-tjetrin dhe jo dy institucionet kryesore të një shteti,që ligji i detyron të bashkëpunojnë!

            Presidenti Nishani, pak ditë pasi u caktua president ( me blerje votash nga PD-ja, e cila akuzon sot PS-në për blerje votash në Korcë!?) në një intervistë në një të përditshme të majtë deklaroi se tani e tutje nuk do të kishte më konflikte midis presidentit dhe kryeministrit! Deklaratë interesante apo jo? Qysh ato ditë mendova të bëja një shkrim për këtë deklaratë, sipas meje shumë e  dyshimtë. E kishte në parim apo kur thoshte kështu kishte parasysh si kryeministër Berishën? Zoti Nishani me këtë deklaratë me një gur vriste dy zogj:ai donte të thoshte se deri tani (atëhere) kishte patur konflikte mes disa presidentëve  dhe kryeministrit (Berishës) dhe tani nuk do ketë më, domethënë fajtorë ishin disa presidentë radhazi (edhe pse të zgjedhur prej Berishës) dhe jo Berisha. Dhe e dyta se tani kishte ardhur një president i “arsyeshëm” pra, Nishani!

            Qëndrimet e tij të sotme tregojnë se Nishani raportet kryeministër-president nuk i kuptonte si raporte institucionale, por si raporte miqsh të një partie. Pra, ai do merrej vesh me Berishën dhe jo me kryeministrin! Me sa duket Nishani mendonte se kryeministër do ishte jetë e mot shefi i partisë së tij. Sic shihet Nishani nuk e mbajti fjalën. Por blofoi. Dhe tani është në konflikt të hapët me kryeministrin Rama.

            Pothuaj në të gjitha rastet dhe veprimtaritë publike ku Nishani merr pjesë si kryetar i shtetit dhe KLD-së bie në sy, sado e mbuluar me retorikë “juridike”, kundërvënia e tij reformave të qeverisë në fushën e drejtësisë së degjeneruar shqiptare, mbrojtja e gjyqtarëve të korruptuar dhe të demaskuar publikisht si hajdutë dhe aleatë të krimit, me pasuri marramendëse si të sheikëve arabë, sic ishte së fundi dhe rasti i gjyqtarit Gjin Gjoni, i prodhuar në serat e partisë në kursin e plepave, me rritje të përshpejtuar me hormonet e politikës së PD_së.

            Që Nishani është protektor i drejtësisë së korruptuar shqiptare flet dhe qëndrimi i fundit në konferencën gjyqsore kombëtare, ku tha se reforma në drejtësi nuk duhet bërë nga politika, por nga vet gjyqsori! A thua se fliste për gjyqsorin e Zvicrës apo Suedisë! Po si do të bëhet nga vet gjyqsori, i nderuar president. kur  gjyqsori është i akuzuari i madh për korrupsion? Apo do thoni nuk është i gjithë sistemi i korruptuar, por vetëm disa(?!) nja katër a pesë gjyqtarë të korruptuar si për shembull ai gjyqtari-poet, Pojanaku, i akuzuar për ca qindarka krahasuar me aferat qindra milionëshe të kupolës së drejtësisë, kurse të tjerët janë në rregull? Po të ishtë kështu raportet ndërkombëtare nuk do ta nxinin “drejtësinë” shqiptare deri tek rapoti i fundit i DASH-it.

            Por punë e madhe c’thonë ndërkombëtarët dhe shqiptarët! E rëndësishme është që tymi të na (ju) shkojë “drejt” juve dhe sistemit, të ruhet statuskuoja dhe kështu të mos dënohët asnjë qeveritar hajdut dhe vrasës i partisë suaj. Ja pse nuk e braktisni “istikamin”, që ju ka caktuar partia (Berisha), prandaj ministrat e akuzuar për korrupsion bëjnë trimin me fletë,  tallen me dosjet e mazhorancës së stërmadhe, por cuditërisht të pafuqishma për ta shkundur “drejtësinë” shqiptare. Dhe kjo edhe falë kontributit të ndërkombëtarëve me qëndrmimet e tyre të pakuptimta: edhe e denoncojnë drejtësinë si të korruptuar, nga ana tjetër i thonë qeverisë të mos e “ngacmojë” drejtësinë. Nga njera anë thonë se nuk është dënuar asnjë zyrtar i lartë, nga ana tjetër i thonë qeverisë të mos bëhen gjyqe “politike” kur qeveria dorëzon dosjet për zyrtarëet e djeshëm të korruptuar!..Në këto rrethana Nishani ndihet i lehtësuar dhe i mbrojtur. Sepse ka “gozhdën ë Nastradinit”, që e mbron “pavarësinë “ e gjyqsorit.

            Dhe unë, si individ (jo si president) i jap të drejtë, sepse ai i ka borxhe, që nuk mund t’ia kthejë dot kurrë Berishës, pasi ai e bëri president, jo shaka. Dhe mirënjohja në planin personal njerëzor është dicka normale. Së paku nga ky kendvështrim unë e justifikoj. Sepse, pa vullnetin e Berishës, Nishani nuk do kishit as nam, as nishan! Por, si president nuk mund të justifikohet qëndrimi I tij. Në këtë kuptim kot e ka maxhoranca që pret me vullnet të pafund se mos ndryshon qëndrim. Por ajo pret se e di që ndryshimet me forcën e kartonave, që ka, tingëllojnë keq për ndërkombëtarët, ndonëse ata vetëm konstatojnë, pasi Doktori i ka lënë nëpër këmbë ca litarë qeverisë, që duan vullnet dhe vendosmëri të epërme për t’u prerë. Sepse ,sic e kam thënë në një shkrim tjetër, rotacioni politik I 23 qershorit, nuk ishte një rotacion normal për nga motivet e votuesve dhe nga përmasat e fitores, por një revolucion elektoral, në pamundësi të një revolucioni real.

            Me një fjalë situata është e tillë që, më tepër se inteligjencë, kërkon burra shteti. Ndaj pozita, duke e ditur që i ka duart të lidhura për të veprura shpejt dhe radikalisht për ta pastruar sistemin e pushtuar nga PD-ja, po mendon ca “marifete” për ndryshime strukturore të këtyre institucioneve dhe për kufizimin sa të mundet të kompetencave të tyre, gjë që nuk do kalojë lehtë dhe pa debate brënda dhe jashtë vendit.

             Maxhoranca është në hall dhe duhet të gjejë një “modus vivendi”. Ndryshe s’i mbete gjë tjetër vec të presë pa shpresë zgjedhjet e ardheshme dhe të dështojë në një nga premtimet më të mëdha të bëra gjatë fushatës elektorale. Dhe do të ishte jo vetëm dështim, por edhe turp që një maxhorancë e tillë nuk mundi të realizonte pjesën kryesore të atyre që u premtoi shqiptarëve. Pavarësisht qëndrimit të Nishanit, që nuk luan nga istikami.

Botuar ne gazeten SOT date 7.05.2014