Δευτέρα 29 Ιουλίου 2013

STOP NJË ÇAST POLITIKËS, TË BËHEMI QYTETARË!



           STOP NJË ÇAST POLITIKËS, TË BËHEMI QYTETARË!



                                                                     Nga Petrit Qejvani



            Në këto ditë me temperaturë të lartë media e shkruar dhe ajo televizive, megjithëse japin edhe pamje nga plazhet për të na freskuar sadopak imagjinativisht, nuk largohen dot nga fonderia e politikës, ku derdhen kallëpet ë politikave dhe politikanëve rishtarë, si në parti, ashtu dhe në qeveri. Të vjetër ë të rinj, të mundur a të dorëhequr, fitimtarë ende pa çelsat e qeverisë në dorë dhe të mundur, por me çelsat ë shtetit në brez , të gjithë janë “populli”  që popullon hapësirën mediatike gjerë e gjatë.    E di që politika është kurthi, por dhe gjahu më i majmë i medias. Por a do merremi edhe me përditshmërinë tonë? A do kujtohemi për mjedisin ku frymojmë, ku lëvizim, ku jetojmë?A do të kujdesmi për cilësinë e jetës sonë?

            Në këto ditë korriku, duket se askujt nuk i shkon ndër mend fare për “hije” dhe as kujtohen tek dëgjojnë e shohin sëpatat dhe rruspat barbare që po shkulin dhe pemët e fundit në qendër të kryeqyetit, diku në Korçë, ku pishat e prera duken si njerëz të ekzekutuar pas një masakre, ashtu si edhe në qytetet e tjera!.A nuk po shkretohen qytetet tona? Nuk i krahasoni pak me ato të vendeve të tjera?

            A e vlen të vazhdohet me Lulin, me Doktorin, Olldashin,Topallin, Patozin, Lefterinë, me qeverinë e re , të cilën  nuk e kemi akoma e ku di unë tjetër.? Asnjë prej tyre nuk prodhon oksigjen për mushkëritë e qytetarëve. Ata janë të pasur.Oksigjeni i tyre është paraja. Secili prej tyre, megjithë rëndësinë që ka, nuk vlen sa një pishë dhjetravjeçare në një vend ku betoni terrorizon gjelbërimin. Por këtë ata ë mësojnë kur kanë përballë qytetarë të civilizuar dhe jo skllevër partie.

            Në këtë kasaphanë të vërtetë dhe jo figurative media ë çdo lloji duhet të ngrinte një stuhi të paparë sulmesh ë denoncimesh kundër atyre që kanë lejuar apo urdhëruar prerjen e pemëve në qendër të kryeqytetit , pavarësisht alibive hileqare dhe korruptive, duke luajtur me besimet dhe besimtarët.

             Krimet ambientale janë ndër më të rëndat që duhen ndëshkuar, të bëra këto 23 vjet katrahurë “demokratike”. Është e habitshme sesi të gjithë, qytetarë, media shoqëri civile (përjashto politikanët që nuk duan t’ia dinë) bëjnë sikur nuk shohin, sikur nuk dinë të krahasojnë qytetet tona me ato të botës  plot parqe e lulishte në mes të qyteteve me hektarë të tërë gjelbërim. Të tjerët po gjelbërojnë shkretëtirat, kurse ne po shkretëtirojmë një vend mesdhetar! A nuk e shohim të gjithë kur kthehemi nga udhëtimet, qoftë dhe nga vendet fqinje, që pikërisht sa futesh në tokën tonë gjelbërimi mpaket, thahet, pritet si me thikë? Dic komentojmë me miqtë dhe pastaj harrojmë, përshtatemi me gjëndjen, na mbyt rutina, dorëzohemi. Ndjehemi të pafuqishëm të bëjmë dicka.Kështu është  kultivuar me dekada njeriu pasiv shqiptar. Pa le të ashtuquajturën shoqërinë civile shqiptare të korruptuar, fasadë e qeverive si dhe inetelektualët pa shtyllë kurrizore të lakuar sa andej këndej. Për të mos folur për shakaxhinjtë e “pavarur”!. Dhe  mediat vazhdojnë avazin : Zgjedhjet në PD ishin vjedhje (prandaj s’ka si bën zgjedhje të ndershme eletorale kjo parti), mandej kjo parti do përçahet (gjë aspak e pamundur) dhe lenë si qyqarë pa mbështetje një çetë të vogël ambjentalistësh sa tragjikë, edhe komikë (sepse janë të vetmuar dhe të pafuqishëm para betonit të korrupsionit qeveritar), që nuk përtojnë të thërrasin, kur vritet gjelbërimi, që kërkojnë të sensibilizojnë shoqërinë shqiptare pa nerv qytetar, një shoqëri e nënshtruar, jo indiferente (indiferentizmi do të ishte luks në këtë rast, sepse indiferentizmi është veçori e vendeve të zhvilluara me standarte relativisht të lartë jetese.) Po kujt t’i flasësh, thuaj! Veç zëra të vetmuar aty-këtu. Askush s’të dëgjon. A nuk është ky një turp?!

            Çfarë qytetarësh jemi ne? Mjafton një kostum firmato, një makinë, një minifund, një kafe në Rogner apo te Blloku dhe  ca trukim  fytytës për të qenë qytetar modern europian?! Nuk krahasohemi dot as me turqit për kurajën qytetare (kujto demonstratat në sheshin Taksim që e detyruan kryeministrin arrogant Erdogan të tërhiqet). Nuk kam asgjë me turqit, por ata nuk janë një demokraci pararojë, që të shërbejë si model për ne.

            Njëlloj si 70-80 vjet më parë shoqëria shqiptare vegjeton, e lodhur dhe e poshtëruar historikisht nga qeveritë.  Për fat të keq ka mbetur aktuale thirrja e Migjenit ( megjithëse borgjezët hajdutë shqiptarë nuk e duan Migjenin sot) për përgjumjen e shoqërisë shqiptare të kohës së vet, kur shkruante: “O si nuk kam një grusht të fuqishëm\ malit që s’bzan në zemër me ja njeshë…” Dhe sa kohë do duhet që mali të “bzajë”? Por, para se të bzajë mali, duhet të bzajnë intelektualët, sepse ata janë lokomotivat e shoqërisë. Si në vitet ’30. Ku janë intelektualët e sotëm krahasuar me ata të viteve ’30 ? Ca liliputë, pa sovranitet dhe integritet moral, që lëpijnë sot atë që pështynë dje. Prandaj qytetarët nuk kanë modele për të ndjekur. Një shoqëri, që i mungojnë modelet (pozitive), do rropatet gjatë në rrugën e progresit e qytetërimit. Kur do të vijnë ata?

 Dhe sa kohë do kalojë që të gjithë ne të bëhemi njëmend qytetarë? 

Botuar ne gazeten Tema, 1.08.213

Κυριακή 28 Ιουλίου 2013

PRITJA


Po pres pas derës trokitjen e saj
Pa frymë
Si gjahtari i mirë shfaqjen e bishës së adhuruar.
Qetësi, bota s’pipëtin
Gjaku im me ulërimë të mbytur zgjeron damarët
Ndërsa unë bëj gati
Në një alarm absolut
Veglat e shpirtit dhe ato të tjerat...
Për të ekzekutuar prenë e bukur
Që do të më gjakosë
Gjakun dhe buzët
Dhe do më shkulë zemrën...
Për ta vendosur sërish
Në përfundim të furtunës së gjakut
Ashtu si pas një stuhie të vërtetë,
Kur vërshimet tërhiqen të lodhura
Dhe gjuhët e ujit lëpijnë shkrehshëm truallin
Duke zbuluar përmasat gjigande të betejës...


                                                Petrit Qejvani

Σάββατο 20 Ιουλίου 2013

PSE LULZIM BASHA NUK BËHET DOT KRYETAR I PD-së



            PSE  LULZIM BASHA   NUK BËHET DOT KRYETAR I PD-së



                                                                        Nga Petrit Qejvani



            Deri tani Lulzim Basha eshte paraqitur nga pothuaj të gjithë analistët  si kryetari i ardhshëm i PD-së, duke e argumentuar thjesht me sponsorizimin dhe mbështetjen totale që ai gëzon, jo vetëm nga kryeministri ne ikje Berisha, por edhe se është i adhuruari i familjes së tij. Është, si me thënë, anëtar “ad interim “ i familjes  së ish- kryeministrit të rrëzuar më 23 qershor  dhe kryetarit gjithashtu të (vet) rrëzuar (?!) të PD-së.

            Kurse unë mendoj se kryetari i PD-së do jetë Olldashi. Dhe këtë nuk e bëj për kundërvënie apo sensacion dhe as për diversion në PD. Ndonëse ka një garë të deklaruar midis Bashës dhe Olldashit, në fakt kjo është një farsë, e ujdisur nga ustai i vjetër, që ka dhe do ketë, si plaka e vjeter e shtëpisë qëmoti, çelsat e Partisë në brez. Pse mendoj kështu? Jo pse analizat e bëra deri tani nuk kanë një bazë që të çon te ky përfundim. Dihet simpatia e Berishës për djalin fotozhenik dhe  me fat të KOP-it dhe arsyet pse. Me gjithëse duhet thënë që Basha së jashtmi duket më tepër një play boy se sa një politikan i terrenit të vrazhdë shqiptar. Sidomos krahasuar  me shefin që pretendon të zëvendësojë. Dhe ndonëse është shpallur si garë midis tij dhe Olldashit, për derisa dihet fitimtari qysh në fillim, atëhere kjo nuk është veç një farsë, sadoqë edhe farsat Berisha i vesh gjithnjë me një petk serioz për t’i bërë të besueshme.

            Por këtu e vlen të bëhen disa pyetje.. Po pse babai i PD-së, tashmë në pension politik, shpejton ta kryejë sa më shpejt shugurimin e djalit të përzgjedhur si pasardhës të tij me kaq urgjencë, ndërkohë që normalisht duhej bërë një analizë e thellë e kësaj humbjeje shokuese? Aq më keq  që jemi në mes të verës (kohë për pushime) e sidomos e nevojshme për reflektime pas një gremisjeje historike të kësaj Partie?

  Këto pyetje, por edhe të tjera si këto, mund të bëheshin në këtë turravrap partiak pa asnjë domethënie nga pikëpamja e urgjencës, as për PD-në dhe as për publikun e gjerë, i cili, pas dy muaj britmash e daullesh politike ka nevojë për qetësi.

            Por nuk mund të mos bëjmë edhe pyetjen tjetër: Pse e ka ngritur zërin kohët e fudit “europiani” Basha? Pse çirret? Ç’ka që bërtet? Pse i turret Ramës? Rama nuk kandidon për kryetar i PD-së. Po ai që bërtet gjithmonë e ka një hall. Bërtitet për të treguar forcë ose frikë, sipas rastit. Në rastin e Bashës kjo është frikë. Sepse Basha ë di ç’ka bërë dhe e di ç’e pret. Mbi kokën e tij rri si shpata e Demokleut shpata e drejtësisë. Iku koha kur ai dhe shefi i tij “vriste e priste” majtas e djathtas pa dhene llogari.. Pushteti i babait të tij politik ka rënë më 23 qershor. Prandaj ai i ngjan në këto çjerrje zëri atij policit të dikurshëm të lokalitetit (të komunës sot) në kohën ë bandave pas çlirimit, që kërkonin rrëzimin e qeverisë komuniste, dhe ai , i trembur se mos e vrisnin banditët gjatë patrullimit në zonën e tij, këndonte me zë të lartë që ata ta dëgjonin:”Jam polic lokaliteti, më vuri me zor pushteti”. Pra, s’kam gjë me ju, më vunë me zor.

            Sigurisht Doktori nuk bën asgjë kot. Së paku për dredharak e hileqar nuk e ka shokun.  Kësaj here Doktori ka një hall të madh, hall të cilin e ka dhe Basha. Dhe halli nuk është aspak se kujt do t’ia lerë drejtimin e anijes së tij të fundosur më 23 qershor. Berisha nuk është tip nostalgjik. Ai është nga ata që thonë “pas meje kiameti”. Tek e fundit si Basha, si Olldashi vartës të tij do të jenë, si ato kukullat e teatrit, që ia lëvizin fijet ustallarët në prapaskenë.

            Berisha e perzgjodhi Bashën se me të e bashkoi fati, iu puq ylli siç thotë populli, për të mirë a për të keq. Ë privilegjoi, por dhe e përdori. E përdori për vjedhjen 230 milionë $ të “Rrugës së Kombit”, por që mund të quhet ndryshe dhe “vjedhja e kombit” ( Një shumë e tillë do përbënte skandal edhe në vnde të mëdha, jo më në Shqipërinë e vogël.! Ë përdori edhe më 21 janar 20011. Prandaj fati politik i Bashës është dhe fati politik i Berishës. Mirëpo 23 qershori ishte një tajfun elektoral që përmbysi shumë gjëra për doktorin dhe  bëri lesh e li planet e tij dhe birit të tij politik. Mbi Bashën (dhe indirekt mbi Berishen) rëdojnë dy dosje të medha, që s’ka shpatulla që i mbajnë…Dosja  230 milionë $ të rrugës Durrës –Kukës dhe vrasja e katër qytetarëve paqësorë në bulevardin e Tiranës, që për fatin e keq të Bashës e Berishës mban një emër shumë domethënës “Dëshmorët e Kombit”.!

            Dhe e para gjë që i ka shkuar ndërmend Berishës para Bashës pas 23 qershorit, është pikërisht 21 janari i përgjakur i 2011. Kater fantazmat e qytetarëve të vrarë iu faniten në gjumë dhe si Makbethin, nuk i lenë të qetë. Shpirtrat e tyre duan shpagim. Dhe ky gjyq, megjithë presionin e hapur të Kryeministrit në detyrë për ta kthyer në një farsë ala shqiptare, nuk është mbyllur. Dhe provat, megjithe manipulimin e tyre, aty jane.

            Ata të dy tani e dinë shumë mirë se nuk kanë më forcën dhe arrogancën ta degjenerojnë atë gjyq në interes te tyre, t’i bëjnë gjyqtarët qyqarë të flasin me vete si dikur. Dhe nuk është pak. Është një gjyq i rëndë, pasi e rëndon gjaku i derdhur pa shkak. Dhe ndëshimi do të jetë i rëndë. Prandaj Berisha si marifetçi që është, duke i dhuruar Bashës mantelin e kryetarit të PD-së, mendon se e shpëton prej ndëshkimit të pashmangshëm dhe veten prej telasheve që sjell përballja me dejtësinë, të cilën Berisha e urren. Sepse është fajtor. Prandaj e ka nënshtruar gjithë këto vite. Duke e bërë kryetar partie ai mendon se një gjyq i mundshëm ndaj Bashës do të interpretohet nga opinioni publik, sidomos ndërkombëtar, si sulm dhe asgjësim i opozitës dhe kështu të dy, ai dhe Basha do ta hedhin lumin pa u lagur. Berisha është mësuar, pasi pas 1997-ës amnistoi cdo krim për të amnistuar në radhë të parë veten e vet. Dhe shpëtoi pa dhënë llogari, pasi gjeti një njeri pa kockë, Fatos Nanon, të cilin e burgosi për përvetësim të disa shisheve me shurup pjeshke të skaduar  të fëmijve të çerdheve.           Kurse tani fjala nuk është për ca lëng pjeshke të prishur, por për lëngun e jetës, për gjak të pastër “vjedhur” me plumba nga trupat e  katër qytetarëve të pafajshëm.             Kuptohet sa i lartë është kësaj hete çmimi! Dhe mendoj se nuk do të ketë prokuror apo gjyqtar që të mos ndëshkojë këtë krim. Askush nuk mund të qëndojë mbi ligjin. Çdo individ, cilido qoftë ky, vlen shumë më pak se Shqipëria. Unë shprehem kështu, pasi nuk di ndonjë kulisë apo ndërhyrje që mund të jetë projektuar për këtë, që nuk do të ishte tjetër veç një krim i ri dhe rivrasje e atyre qytetarëve. Dhe, më shumë akoma, vrasje e shpresës se ky vend mund të bëhet një vend normal.         Ndërkohë ky është dhe  një premtim i  përsëritur nga Rama gjatë fushatës elektorale. Sigurisht gjyqin nuk do ta bëjë Edi Rama, por jam i bindur që ai s’do ta pengojë këtë gjyq, me forcën që të jep pushteti. Ky është një rast i pastër që Rama të tregojë se i mban premtimet dhe jo siç e akuzon Berisha dhe kandidatët  për pasardhës  të tij, që ai s’e mban fjalën!.Për këtë ma shton besimin  deklarata e tij në emisionin HARD Talk në BBC. Vërtet është mpleksur keq nyja gordiane në Shqipëri, por prandaj populli i dha "shpatën" më 23 qershor Edi Ramës ta presë këtë nyje gordiane, që më në fund Shqipëria të ecë përpara.

Prandaj, sikundër thashë në fillim të shkrimit me  shumë gjasë Basha nuk do jetë kryetari i PD-së.Se paku jo afatgjate.Nëse nuk do ndodhë kjo, atëhere nuk do të ketë nevojë për një “revolucion elektoral”, sic pata quajtur 23 qershorin, por për një revolucion real në Shqipëri.



Botuar ne gazeten "DITA" me 22 korrik si koment ,f.2

Παρασκευή 19 Ιουλίου 2013

ALEANCA KUQ E ZI DHE CËSHTJA KOMBËTARE.



                        ALEANCA KUQ E ZI DHE CËSHTJA KOMBËTARE.

           

                                                                        Nga Petrit Qejvani

            Dalja në skenën politike e Aleancës kuq e Zi është shoqëruar me reagime të natyrave  të ndryshme. Disa e anatemojnë (Qeveria), disa janë përpjekur ta nënvleftësojnë, ndërsa të tjerë e shohin si një forcë politike, që ka vendin e vet në spektrin politik shqiptar. Kjo varet nga këndvështrimi. Mirëpo tani e shohin që Aleanca nuk është një forcë politike që s’të “prish punë”, sikundër e patën menduar. Sot ajo është një realitet politik. Mund të jesh a të mos jesh dakord me të, me ato çfarë artikulon ajo, por një gjë duhet thënë qartë: ajo është  një forcë politike e natyrshme dhe ka terrenin e vet politik.

            Asgjë të jashtëzakonshme nuk ka në shfaqjen e saj në politikën shqiptare. E veçantë është lindja e saj  si forcë politike, rruga e saj. E ardhur nga “zona e futbollit”( e artikuluar fillimisht si një lëvizje tifozerie sportive për kombëtaren e futbollit) ajo u shndërrua në një lëvizje politike.(Këtu mund të ketë një paralele, thjesht si rrugë formimi, por jo më tepër, me “Forza Italia”.  Dhe, veçoria tjetër : koha në të cilën ajo u formësua, në kontekstin e një çështjeje kombëtare ende të pa zgjidhur përfundimisht, por në optimumin e vet, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Si dhe të një situate të brendshme në Shqipëri, që nuk kishte sesi të mos provokonte dhe nxiste ndjenjat kombëtare, duke parë synimet konstante të fqinjëve tanë jugorë, të cilët , megjithë kostumin europian të shqyer që mbajnë, as që u shkon ndër mend të heqin dorë nga ëndrrat e tye të vjetra për Vorio- Epirin, e shoqëruar kjo me veprie konkrete si shtimi artificial i varrezave greke ne Shqipërinë e jugut, ndërhyrja e“paqme” ë kishës greke në punët e kishës shqiptare (formalisht autoqefale), zgjerimi artificial i hartës së minoritetit edhe atje ku historikisht s’ka patur minoritarë, hapja e shkollave greke njera  pas tjertes në zonat jominoritare të jugut, diversionin me nështetësinë dhe pensionet e akorduara për banorët e asaj, që në ëndrrat e tyre të sëmura shfaqet si Epiri i Veriut (këto të shoqëruar edhe me deklarata hiç po nga figurat më të larta të shtetit grek, si presidentët Stefanopullos (ky anulloi takimin me presidentin tonë në Sarandë) dhe së fundi Papulias me rastin e hapjes së varrezave të reja të ushtarëve grekë ku  tha afërsisht se ata ranë në tokën e “të parëve të tyre”! Dhe, qeveria shqiptare, duke bërë “diplomaci të madhe” i quan këto thjesht pretendime të disa qarqeve nacionliste greke!! Pa harruar këtu incidentet e hapura antishqiptare, jo të disa rrugaçëve, por të deputetëve të parlamentit grek në Himarë, duke nxitur grupe të eksituara e të paguar të shanin Shqipërinë dhe shqiptarët në shtëpinë e tyre dhe ku qeveria e paqenë shqiptare mbylli gojën paturpësisht, në vend t’i ndiqte me ceremoni.            Dhe, për t’u vënë kapak të gjithave, falja apo shitja (kjo do vërtetohet një ditë) e ujrave detare në bregdetin e Sarandës e vulosur me një akt të turpshëm ceremonial nga ministrat e jashtëm të dy vendeve në prani të kryeministrave shqiptarë Berisha dhe Karamanlis në sfond. Veprimet diversioniste e përçarëse të konsujve si ai i Korçes, nxitja e përçarjes midis shqiptarëve shqiptarë dhe shqiptarëve, që ata i llogarisin për grekë etj. Me një fjalë një vend pa zot.

             Në këto rrethana kohezioni kombëtar i shqiptarëve është meritë e vet patriotizmit popullor se sa e shtetit servil shqiptar. Rast tipik është ai i Korçës, ku qytetarët shkonin t’u zgjidhte problemet konsulli famëkeq grek dhe jo pushteti vendor. Pra, njhnin konsullin si të parin e vendit.Kjo mund të krahasohet vetëm me vitin 1913, të quajtur viti i mbapshtë. Pra, në planin ë brëndshëm,thënë shkurt, rënia e dinjitetit të shtetit shqiptar, ishte faktori kryesor që “thirri” AKZ.

Një faktor tjetër është ekzistenca ë PBDNJ ose më drejt Partia e grekëve minoritarë (pra një parti me natyrë etnike pavarësisht etiketës) që e shpjegon dhe e përligj krijimin dhe ekzistencën e kësaj partie, si kundërpeshë. Gjithashtu icidentet poshtëruese me shqiptarët në kufi apo me emigrantët në Greqi, në kohën që reagimi i shtetit shqiptar nuk dukej gjekundi. Dhe për hir të kësaj sjelljeje servile, grekët guxojnë të provokojnë edhe në nivel qeveritar, siç ishte rasti i vendosjes kokëposhtë të flamurit shqiptar (me dashje sigurisht) në takimin ë ministrit tonë të punëve të jashtme Panariti me atë grek. Dhe tallja pastaj duke kërkuar ndjesë…

            Nga ana tjatër, incidentet antishqiptare të përsëritura në Maqedoni me një frymë të sëmurë urrejtjeje racore kundër shqiptarëve, që fyhen, rrihen e bugosen pa të drejtë, doemos do ndikonin në nxitjen ë ndjenjës kombëtare te fjetur pas 1990. Po ashtu cënimi i të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, arrestimet masive, shtypja me dhunë e kërkesave të tyre të drejta etj. Pra, gjithë këta faktorë nuk mund të kalonin pa gjurmë në ndërgjegjen kombëtare dhe në aktivizimin ë insinktit natyral të solidaritetit të vëllait për vëllanë. Kjo është krejt normale.

            Pra, shqiptarët tani e ndiejnë dhe kanë edhe të drejtën jo vetëm të mendojnë për njeri-tjetrin, por edhe të veprojnë për të realizuar aspiratën e tyre kombëatare si populli më i vonuar në këtë çështje. Shkurt, shqiptarët duan të balancojnë me të drejtë ato raporte që realisht deri tani (së paku deri më 1999) kanë qenë dukshëm në dëm të tyre. Çështja këtu është që të vendoset simetria midis  dinjitetit dhe të drejtave të shqiptarëve dhe fqinjëve të vet. Nuk ka pse shqiptarët të mos kenë shtetin e tyre kombëtar si gjithë të tjerët. Pse tani është vonë? Tek e fundit për faj të Europës jemi këtu.

Frika nga “Shqipëria ë madhe” apo nga ashtuquajturi nacionalizëm shqiptar është një bllof i shpikur nga armiqtë ë Shqipërisë. Vet termi “Shqipëri e madhe” i artikuluar prej të huajve,veçanërisht fqinjëve, nënkupton faktin që Shqipëria aktuale është një “Shqipëri ë vogël”. Pra, vet autorët ë kësaj teorie dhe përkrahësit e saj pranojnë, pa dashje. që Shqipëria e sotme është një pjesë e asaj, që duhet të ishte  Shqipëria e tërë. Shqiptarët kanë të drejtën, si gjithë të tjerët, të kërkojnë Shqipërinë ë pacunguar, pra Shqipërinë e plotë. Sa për frikën nga i ashtuquajturi nacionalizëm shqiptar, kjo është një përrallë, që as ata që ë thonë nuk e besojnë.

Nacionalizmi shqiptar, edhe nëse ka ekzistuar ndonjëherë, ka qenë një nacionalizëm reaktiv, mbrojtës dhe i pasuksesshëm, pasi asnjëherë nuk kemi pushtuar ndonjë vend tjetër, përkundrazi gjatë historisë vetëm jemi mbrojtur.( Ndoshta do qe më mirë të kishim pushtuar dhe ne të tjerët!) Ë kundërta ka ndodhur shpesh. Europa e sotme nuk u frikësua nga bashkimi i dy Gjermanive, nacionalizmi i së cilës, pavarësisht ngjyrimit politik,  ka shkaktuar  dy kasaphana botërore, pa le të frikësohet nga nacionalizmi rakitik shqiptar!..  Prandaj dalja në skenë politike e një partie të tillë me theks të veçantë kombëtar e plotëson skenën politike shqiptare me një akord të munguar apo të luajtur zbehtë nga lojtarët tradicionalë politikë të pas 1990, sepse artikulon më qartë dhe më fort çështjen kombëtare të vonuar të shqiptarëve. Spahiu pra i bie një akordi të harruar apo të lënë pas dore nga forcat politike shqiptare. Në programet e tyre këtë e kanë  dhe forca të parëndësishme tradicionale të politikës shqiptare, si ballistët apo legalistët, që nuk e kanë forcën dhe zërin e duhur për ta bërë një gjë të tillë, për shkak të konsumimit historik dhe tkurrjes(fosilizimit) fiziko- politike të tyre.



            Ajo që i frikëson më shumë diplomacinë europiane është teza e bashkimit të Shqipërisë me Kosovën ose me, siç do ta quaja unë, "Shqipërinë tjetër". Ndërkohë që mbeten jashtë kësaj hapësire edhe disa ‘Shqipëri” të tjera të vogla. Kaq shumë e kanë copëtuar Shqipërinë, sikur të ishte gjarpër!

            Po ku është shkruar, në ç’libra të shenjtë, se Shqipëria dhe shqiptarët duhet të jenë të copëtuar? Pse vetëm ky popull në Europë duhet të dënohet? Cilat janë krimet e tij? Apo meqë Europa gaboi një herë para 100 vjetesh dhe sot nuk e ndreq dot plotësisht gabimin? Apo mos ndoshta është penduar në aksionin për çlirimin e Kosovës prej tiranisë serbe? Apo se serbët kanë ende miq të fuqishëm? Apo, më tej, për shkak të rëndësisë më të madhe gjeostrategjike dhe peshës specifike që ajo ka në Ballkan? Mund të jenë të gjitha veç e veç ose dhe disa bashkë, duke përjashtuar librat  e shenjte, që nuk parathonë asnjë ndëshkim për shqiptarët.

            Thuhet se bashkimi i shqiptarëve do bëhet në Bashkimin europian! Dakord, atje do bashkohen të gjithë shqiptarë ,francezë, gjermanë, anglezë, italianë. grekë, serbë etj nese ky projekt i madh dhe i veshtire do te vijoje suksesshem. Pra, kufijtë do mbeten simbolikë,..Por ama, kur shkon në Francë, ajo ka një kufi, ka një territor të përcaktuar qartë, ka një administratë franceze. Apo Gjermania. Hyn në shtetin Gjerman dhe nuk thua jam në Europë, po jam në Gjermani, jam në Itali etj. Integrimin europian të shqiptarëve duhet ta paraprijë integrimi mbarëshqiptar, ndërshqiptar, pastaj ai europian.

            E kuptoj vështirësinë në të cilën ndodhet Europa shumëzërëshe (që nuk ka një telefon, siç ka thënë Kisinger), por procesi i bashkimit Shqipëri- Kosovë është plotësisht i mundshëm, nëse atë e duan shqiptarët e Kosovës dhe të Shqipërisë. Sepse janë dy shtete sovrane, por i njëjti popull, me kufij të përcaktuar e të pranuar ndërkombëtarisht dhe ne perputhje te plote me te drejten e shteteve sovrane dhe popujve per vetvendosje.             Kështu që bashkimi i tyre nuk cënon asnjë shtet, nuk prek kufirin e askujt. Shtetet sovrane (pa le shtetet me popullsi homogjene) kanë të drejtën e vetvendosjes. Kjo nuk është  në kundërshtim me asnjë kartë ndërkombëtare. Por ndoshta nuk u shkon për shtat interesave të fqinjëve.

            Por personalisht mendoj se, si strategji, bashkimi i shqiptarëve është i pashmangshëm, ndonëse jo afatshkurtër. Perspektiva është bashkimi. Këtu Aleanca Kuq e Zi mund të kritikohet për nxitim. Si dhe Vetvendosja në Kosovë. Do të duhet ca kohë që Kosova të konsolidohet si shtet dhe pastaj të mendohet për bashkimin, i cili do të jetë një proces i paraprirë nga fusha dhe forma parashtetërore inegrimi, si ai i tregut , doganave, arsimit, medias dhe më në fund do të vijë integrimi politiko-administrativ ose njësimi politik shtetëror.

            Sot mendoj se nuk mund të thuhet me siguri formula e bashkimit. Opsionet dhe modelet mbeten të hapura. Por kjo nuk do të thotë të mos mendojmë për bashkimin dhe sidomos, të mos veprojmë në favor të bashkimit. Një atdhe i plotë, i bashkuar, i pacunguar është më i pasur, më i fortë, më i respektuar se çdo pjesë e tij veç e veç. Nga ana tjeter nuk mund të ketë dy shtete shqiptare në një Europë të bashkuar, e cila ende është një proces dhe jo një përfundim.

            Le të punojmë të gjithë në Shqipëri dhe Kosovë për zhvillimin dhe prosperitetin e qytetarëve, për rritjen e mirëqënies së tyre, për një shtet demokratik të vërtetë, për një shtet të qytetarëve të lirë dhe të prosperuar, për një jetë dinjitoze. Kështu lehtësohet bashkimi.

            Bashkimi do të jetë një gjë e mirë për shqiptarët, por edhe për fqinjët, të cilët duhet të mësohen të kenë aq sa iu takon. Po të mbetej vetëm me çështjen kombëtare kjo parti do të ishte e një spektri shumë të ngushtë, prandaj ata ë lidhën çështjen kombëtare me luftën kundër korrupsionit të qeverisë Berisha, duke sulmuar kreun e qeverisë veçanërisht, një gjë kjo krejt normale.Si dhe shtetin ligjor. Pra e zgjeroi spektrin ë interesave të saj, duke u bërë më realiste dhe pragmatiste, duke iu drejtuar interesave më të gjera shoqërore , duke zgjeruar kështu bazën ë mbështetjes popullore. Nga perceptimi që vjen prej veprimtarive të saj politike duket se ajo do jetë një parti parlamentare dhe ndoshta do ndikojë edhe në formimin e qeverisë së ardhshme







            10 mars 2013






Πέμπτη 18 Ιουλίου 2013

MBI NACIONALIZMIN SHQIPTAR

                      MBI NACIONALIZMIN SHQIPTAR

Frika nga "Shqiperia e madhe" apo nga i ashtuquajturi nacionalizem shqiptar eshte nje blof i shpikur nga armiqte e Shqiperise. Vet termi "Shqiperi e madhe" i artikuluar prej te huajve, vecanerisht fqinjeve, nenkupton faktin qe Shqiperia aktuale eshte nje "Shqiperi e vogel". Pra, vet autoret e kesaj teze dhe perkrahesit e saj pranojne pa dashje qe Shqiperia e sotme eshte pjese e asaj, qe duhet te ishte "Shqiperia e tere." Shqiptaret, si gjithe te tjeret, kane te drejten e pamohueshme te kene shtetin komb, pra Shqiperine e pacunguar. Zgjidhja ju takon vet shqiptareve (atyre te Shqiperise dhe Kosoves). Natyrisht kjo ne parim. Ne praktike kjo kerkon kohe dhe nuk mendoj se eshte nje projekt urgjent. Por, ama, duhet te jete nje projekt strategjik. Sa per friken nga i ashtuquajturi nacionalizem shqiptar", kjo eshte nje perralle qe, as ata qe e thone, nuk e besojne. Nacionalizmi shqiptar, edhe nese ka ekzistuar ndonjehere, ka qene nje nacionalizem reaktiv, mbrojtes dhe shpesh i pasuksesshem, pasi asnjehere nuk kemi pushtuar ndonje vend tjeter. E kunderta ka ndodhur shpesh.
Europa e sotme nuk u frikesua nga bashkimi i dy Gjermanive, nacionalizmi i se ciles, pavaresisht ngjyrimit politik, ka shkaktuar dy kasaphana boterore, pa le te frikesohet nga nacionalizmi rakitik (i pafuqishem) shqiptar!


                                         Petrit Qejvani

Τετάρτη 10 Ιουλίου 2013

Kosova dhe “ortodoksi" Edi Rama

Pas fitores se PS-së dhe Aleancës së Majtë më 23 qershor, përvec diskutimeve të shumta në Shqiperi, nuk kanë munguar dhe ato ne Kosovë (por edhe në Maqedoni) dhe në median kosovare, sidomos të shkruar. Mund të thuhet se kjo fitore e PS-së së bashku me aleatët e saj nuk është pritur ngrohtë në Kosovë. Këtë  e kanë shprehur edhe disa shkrime jo dashakeqe të shkruara prej shqiptarësh të Kosovës, por edhe Maqedonisë, të botuara në shtypin e Shqipërisë, ku shprehen rezerva për këtë fitore.  Duket që ata janë trishtuar që nuk fitoi PD dhe sidomos Berisha, idhull i shumë kosovarëve. Ky është një opinion që ekziston, duam a nuk duam ne. Qoftë dhe i gabuar. Dhe kur krijohet një opinion, ne duhet të gjejmë edhe arsyet pse ose më mirë, shkaqet, sepse arsyeja nuk të lejon të gabosh, pasi ajo është e ftohtë dhe bazohet mbi prova dhe fakte të vërteta. Kurse një opinion mund të ngrihet dhe mbi “fakte” dhe “të vërteta” të rreme, falë një propagande të rafinuar dhe të pandërprerë.
Në një shkrim rreth një vit më parë  jam përpjekur të shpjegoj simpatinë e kosovarëve për Berishën. Në shkrimin e sotëm do përdor  disa argumente të rinj më të detajur. Sipas meje ka disa shkaqe, që Berisha respektohet (adhurohet) në Kosovë.
  1. 1.Berisha është respektuar deri tani si përfaqësuesi i Shqipërisë (shtetit amë ,ndryshe) edhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Dhe kjo është diçka e natyrshme. Pra, ai respektohet si i pari i Shqipërisë, i pari i vendit (edhe sipas traditës)
  2. 2.Origjina e tij veriore ( nga veriu i Shqipërisë). Dhe kjo është gjithashtu e kuptueshme. Edhe tek popujt e civilizuar respekti dhe krenaria per njerezit e famshem te krahines se vet eshte nje gje,qe ndodh.
  1. 3.Emërtimi Partia Socialiste e Shqipërisë, që për veshin e kosovarit të thjeshtë krijon asociacione të pakëndshme me sistemin e dikurshëm (socializmin jugosllav) dhe analogjinë formale me Partinë Socialiste të Serbisë, të Milloshevicit.
  2. 4.  Deklarata e papërgjegjshme dhe mendjelehtë e Fatos Nanos në takimin e Kretës me Milloshevicin, kur ai deklaroi ( megjithëse  e kundërshtoi më vonë si përkthim të gabuar) se kryeqyteti i Kosovës është Beogradi!), në një kohë kur Kosova ziente nga revolta nën thundrën fashiste serbe dhe po përgatitej për luftë.. Këtë e shfrytëzoi me mjeshtëri Berisha, duke e amplifikuar sic di ai të bëjë nga mëngjesi në darkë me një frekuencë marramendëse.Dhe kjo ngjiti te kosovarët.
  3. 5.Nga propaganda e  kujdeshme deri në zbehje e PS-së për aspekte të cështjes kombëtare.
  4. 6.Fakti që Rama nuk e vizitoi gjatë ndërtimit rrugën Durrës -Kukës ose “Rrugën e Kombit”(sic e quajti me inteligjencë Berisha) për shkak të korrupsionit të lartë dhe Berisha gjeti “rastin” ta akuzonte Ramën si armik të rrugës së kombit, pra, të kosovarëve. Dhe kjo ka bërë efektin e vet.
  5. 7.Nuk do të dëshiroja të shënoja faktin që PS-në e kanë drejtuar deri tani, për rastësi, dy ortodoksë (domethënë grekë, sipas disa zërave fonamentalistë ne Kosove,por edhe ne Shqiperi), gjë e turpshme dhe shumë negative për ata që e mendojnë..
Nga ana tjetër PS-ja nuk e tha me zë të lartë se ishte ajo që mbështeti pa rezerva UCK-në dhe luftën e saj të drejtë, duke stërvitur me oficerët tanë më të përgatitur ushtarët dhe kuadrot drejtuese të saj, duke përfshirë dhe komandantin Adem Jashari dhe drejtues të tjerë të lartë të UCK-së, kur këta Berisha i ndalonte dhe i burgoste duke i etiketuar si terroristë, marksistë, enveristë në sytë e botës.
PS-ja nuk e demaskoi sic duhet (ndonese e ka thënë disa herë) kontrabandën e naftës që bënte Berisha me Miloshevicin, kur OKB-ja i kishte vendosur embargo Jugosllavisë dhe Berisha u justifikua duke deklaruar në mënyrë nastradineske se këtë e bënte që të “ngroheshin kosovarët” në dimër!..
PS-ja nuk arriti ta dërgonte ne veshin e qytetarit të thjeshtë kosovar faktin që Berisha nuk ishte dakord që delegacioni kosovar të firmoste Marrëveshjen e Rambujesë, për te cilen këmbëngulnin amerikanët dhe do të ishte shpëtimtare për kosovarët, duke i cliruar nga Serbia.
PS-ja, ndonëse e denoncoi në gjykatë pas ekspozimit të saj në media prej kolonel Myslym Pashait marrëveshjen tradhtare të ujrave detare me Greqinë, ku Berisha shiti 350 km katrore det Greqisë dhe Gjykata Kushtetuese me një vendim historik e anuloi, nuk arriti ta amplifikonte deri te veshi i kosovarit të thjeshtë dhe patriot për shkak se nuk e ka në natyrë trumbetimin e atyre gjërave, që i quan normale.
Ishte Partia Socialiste dhe kryeministri i saj, që pritën me zemër të hapur (dhe mirë bënë, se detyrën bënë) vëllezërit kosovarë në ato ditë tmerri e gjenocidi me1999, kur Shqipëria ende s’e kishte marrë veten nga shkaterrimet e 1997 ( peshqesh kur president ishte Berisha). 
Ishte “ortodoksi” Edi Rama që në ato ditë të vështira e mbrojti shkëlqyeshëm kauzën e popullit të Kosovës në televizionin e madh italian “Rai Uno” në emisionin “porta a porta” të gazetarit Bruno Vespa kundër disa politkanëve pro serbë të së majtës komuniste italiane apo disa te tjerëvë antishqiptarë, që qanin pse NATO sulmoi Jugosllavinë sovrane. Dhe kjo s’duhet harruar.
Por Partia Socialiste nuk e trumbetoi këtë të vërtetë, se mendoi se nuk kishte nevojë ta bënte një gjë të tillë, se nuk duhen përfolur gjerat e mira, kur vëllai është në ditë të keqe. Por ja që jemi shqiptarë dhe duhet thënë, kur tjetri ( Berisha) mburret për ato që s’ka bërë.
Pra, shkurt, për shkak të propagandës së qetë dhe pa nervin e nevojshëm të PS-së përballë stuhisë së propagandës së Berishës, që bën kauzë, edhe kur ajo mungon. Ky është haraci që PS-ja paguan për shkak të modestisë dhe mendimit se faktet flasin vetë. Por kjo në politikë nuk mjafton.
Sikur të gjitha sa përmendëm më sipër lidhur me veprimet dhe bëmat e Berishës, t’i kishte bërë PS-ja Berisha, si mjeshtër i propagandës, me amplifikimin dhe frekuencën e lartë të përsëritjes për t’i ngulitur, do të bënte që jo vetëm t’i kishin mesuar e besuar kosovarët, por dhe fiset e egra të Polinezisë… Megjithatë, tani PS-ja ka shansin të tregojë sërish se i do dhe respekton Kosovën dhe kosovarët, sic i ka dashur gjithmonë. Koha do të dëshmojë nëse skepticizmi i tyre i deritanishëm ndaj PS-së do kthehet në besim. Unë besoj se po.


BOTUAR NE 7 KORRIK 2013 NE GAZETEN DITA


Ps. Titulli origjinal i shkrimit eshte "Pse kosovaret e shohin me rezerva PS-ne dhe Edi Ramen"

Κυριακή 7 Ιουλίου 2013

KUR FITOJNË QYTETARËT

  KUR FITOJNË QYTETARËT

                                                                        Nga Petrit Qejvani

            Para disa ditësh Gjykata administrative e Stambollit vendosi anullimin e vendimit të qeverisë dhe kryeministrit arrogant Erdogan për ndërtimin e një kompleksi tregtar në sheshin Taksim, një shesh historik, duke mbrojtur kështu gjelbërimin e parkut dhe vlerat e trashëgimisë kulturore, sikundër shprehej gjykata në vendimin e saj. Në morinë e lajmeve të tjera më të zhurmshme ky lajm kaloi thuajse pa u vënë re në Shqipëri.Kurse, në të vërtetë, ky është një lajm i mirë që nuk duhet të kalonte pa jehonë tek ne dhe që na vjen, jo nga një demokraci e madhe europiane, por nga një vend me demokraci problematike, ku autoritarizmi qeveritar ngjan kaq shumë me atë të kryeminstrit dhe qeverisë sonë në ikje.
            Këtë lajm personalisht e përjetova me një ndjesi të dyfishtë: atë të kënaqësisë që fituan qytetarët mbi arbitraritetin qeveritar dhe ndjesinë e keqardhjes që ne, si shoqëri, nuk e kemi kurajën dhë forcën e nevojshme t’i imponohemi qeverisë, kur kemi të drejtë. Në këtë kuptim  ky është një lajm i rëndësishëm mësimdhënës.
            Mbi të gjitha, ai është dhe duhet të jetë frymëzues për ne shqiptarët. Paçka se ky frymëzim kësaj here vjen nga Lindja dhe jo nga Perëndimi. Qytetarët e Stambollit mbrojtën një shesh, kurse ne duhet të mbrojmë gjithë Shqipërinë, që po shkatërrohet nga veriu në jug për interesa të pistë të disa klaneve të babëzitura, aleate me qeverine. Sigurisht, ky vendim nuk ishte një shpërblim nga zoti, as si dhuratë e gjykatës. Ai erdhi pas protestash të përgjakshme, ku forcat e rendit dhe protestuesit ishin në një luftë nervash dhe provash force, ku pati edhe të vrarë e të plagosur. Ky ishte çmimi që duhej paguar. Por protestuesit nuk u tërhoqën. Protestuesit nuk bënë asnjë kompromis me qeverinë, duke qenë të qartë dhe të vedosur në kërkesat  tyre. Dhe prandaj fituan.
            Një e drejtë apo kauzë nuk mjafton vetëm të shpallet. Ajo fitohet, kur di ta mbrosh deri në fund. Ky është mësimi  kryesor, që na vjen nga Turqia. Është lajm i mirë sepse tregon se:
            E para,  fituan qytetarët përballë qeverisë. E dyta, ky duhet të jetë mësim për qytetarët  shqiptarë se, për të fituar të dejtat e tyre, duhet të luftojnë me guxim qytetar dhe e treta, ky vendim duhet të  jetë  një mësim edhe për gjykatat e nënshtruara  dhe servile shqiptare para qeverisë për t’u bërë gjykata të vërteta. Aq më tëpër kjo fitore e qytetarëve turq merr vlerë të shtuar dhe tingëllon e fuqishme, po të krahasohet me kontekstin shqiptar, me batërdinë ambjentale dhe shpartallimin e territorit nga ndërtimet pa leje të gjthfarë të “fortësh” që, në aleancë me qeverinë qendrore dhe lokale, po shkatërrojnë  për ditë thesare të natyrës, duke prerë pemë dhe duke mbjellë ngrehina betoni në vendet më të bukura, duke vrarë përfundimisht edhe atë pak gjelbërim, që ka mbetur.
            Sigurisht, jemi në demokraci, por kjo nuk do të thotë se me hedhjen e votës automatikisht problemet i zgjidhin qeveritë, të cilat shpesh abuzojnë me pushtetin për hir të interesave korruptive.
            Qytetarët duhet të jenë vigjilentë. Ata duhet të mbajnë në kontroll të vazhdueshëm qeveritarët e tyre,nëse duan të kenë dinjitet. Qytetarët duhet ta mësojnë njëherë e mirë se të drejtat fitohen me luftë qytetare dhe jo me lutje. Këtë e dëshmojnë shumë ngjarje të kohëve të fundit kudo në botë. Por këto mësime na vijnë me forcë dhe qartësi tani së fundi, për “cudi”, nga vende myslymano-arabe.
            Kjo tregon se sa e prapambetur është lëvizja qytetare në Shqipëri dhe sesa e kopromentuar dhe e pazë është e ashtuquajtura shoqëri civile, e tulatur dhe e futur në sqetullat e qeverisë, sesa e korruptuar dhe frikacake është klasa e intelektualëve shqiptarë.
            Sidoqoftë, rasti i mësipërm është një leksion domethënës për ata që duan të mos nëpërkëmben nga qeveritë e tyre.
            Shqiptarët duhet ta braktisin përceptimin e gabuar se qeveritë  janë si  prindër për qytetarët, aq më shumë qeveritë nuk janë asnjëherë prindër të mirë…Bile as dado.    Ne kemi ëndërr Europën. Por qytetarët europianë i kanë fituar të drejtat dhe dinjitetin  e tyre me luftë, me protesta dhe revolta , me përleshje, kur është dashur.. Si edhe në Turqi. Kjo Shqipëria jonë  nuk të lejon të jesh optimist, për fat të keq. Sepse ky realitet i përgjumur social demoralizon edhe më optimistin.
            Ne nuk jemi një shoqëri indiferente,sikundër është thënë aty-këtu. Ky do të ishte luks. Indiferentizmi është karakteristikë e vendeve të zhvilluara me standarte relativisht të lartë jetese.
            Ne jemi një shoqëri e nënshtuar, sepse ne e kemi të ngordhur nervin e protestës qytetare për shkak se jemi shumë të partizuar. Përjashto disa zëra të vetmuar. Dhe sa kohë do jetë kështu, qeveritë dhe “të fortët” e lidhur me qeveritë do të bëjnë qejf… Ndërsa ne do kënaqemi që do na lejojnë thjesht të marrim frymë…


6 korrik 2013
  NJË ANALIST QË E GËNJEU BERISHA
                                   
                                                (në vend të një fejtoni)
                                                                                                Nga Petrit Qejvani

            Nuk kanë të sosur cuditë në këtë vend kreshnik të shqipeve krenare. Më e fundit është ajo e një analisti jo fort te keq, i cili ( as shumë , as më pak) pohoi në një shkrim të tij në një gazetë shumë të lexuar disa ditë më parë ,lidhur me fitoren e thellë të Alencës së majtë më 23 qershor, se nuk e  prisnim (më saktë nuk e prisja) këtë rezultat dhe, meqë ai nuk e priste, s’duhet të ndodhte ( !) dhe se Berisha na morinë qafë, na bëri të gabojmë në analizat dhe parashikimet tona, pasi ishte aq i zoti, sa arriti të krijojë para syve tanë  një realitet tjetër,virtual, një Shqipëri tjetër, por që ne e besuam!
            Cfarë mjerimi ! Pra, Berisha na gënjeu aq bukur, sa na bëri të gabojmë!..Domethënë  për parashikimet tona të gabuara fajin e ka Berisha, që na gënjeu, na mashtroi. Sigurisht kjo të bën të shqyhesh gazit dhe të kuptosh sa « analistë » janë këta analistë. Nuk u kuptua qartë c’ishte:autokritikë (disa ndoshta e duan vetkritikë për ta larguar sa më shumë nga autokritika e komunizmit) apo shfajësim, kërkim ndjese për mosparashikim? Sidoqoftë, ky pohim i ngjan një  britme dëshpërimi,që do të na shkaktonte dhimbje dhe ne nuk na mbete vec ta ngushëllojmë këtë kolopuc analist, që e gënjeu xhaxhi Saliu..Se të paktën ka naivitet brenda.Tamam si një fëmijë që ankohet, kur e ka gënjyer një burrë batakci.
            Që Berisha është një prestidigjator politik i rrallë, kjo nuk vihet në dyshim. Por në dyshim , me këtë rast, vihet aftësia e këtij analisti dhe e ca të tjerëve që, më tepër se i ka mashtruar Berisha, kanë pasur qejf të vetmashtrohen. Por c’rëndësi ka kjo ! Rëndësi qëndron në atë që, ndërsa analistët « profesionistë » u gabuan (përjashtuar këtu analistët e vërtetë), shumica e shqiptarëve « joanalistë » nuk u gabuan nga propaganda e Berishës.
            Atëhëre me të drejtë pyesim :c’ farë analisti je ti zotëri ? C’analizë është ajo që nuk parashikon ? Në c’pozicion je ti zotëri : Të ka gënjyer Berisha (kjo është paaftësi) apo ke pasë qejf të gënjehesh prej tij ( dhe kjo është dobësi morale) ?!Zgjidh e merr. Por kjo mendoj unë vjen më shumë prej papërcaktueshmërisë së pozicionit, prej të cilit zakonisht kanë frikë ata që iu mungon statusi moral,pra analistët as mish as peshk, thënë më një shprehje popullore,  ata që duan ta kenë mirë me të dy palët. Dhe për karakteret e qëndimet tona nuk e ka fajin Berisha, apo jo zotëri ?! Apo edhe këtë do t’ia ngarkojmë Berishës ?
            Megjithatë, autori i këtij pohimi na dhuroi ca gramë humor të cmuar, pasi në këto ditë paszgjedhore kemi nevojë për prehje dhe relaks. Dhe sidomos humor. Qoftë i bardhe, gri apo i zi…


Botuar sot, me 4 korrik 2013 ne gazeten DITA