Τετάρτη 10 Ιουλίου 2013

Kosova dhe “ortodoksi" Edi Rama

Pas fitores se PS-së dhe Aleancës së Majtë më 23 qershor, përvec diskutimeve të shumta në Shqiperi, nuk kanë munguar dhe ato ne Kosovë (por edhe në Maqedoni) dhe në median kosovare, sidomos të shkruar. Mund të thuhet se kjo fitore e PS-së së bashku me aleatët e saj nuk është pritur ngrohtë në Kosovë. Këtë  e kanë shprehur edhe disa shkrime jo dashakeqe të shkruara prej shqiptarësh të Kosovës, por edhe Maqedonisë, të botuara në shtypin e Shqipërisë, ku shprehen rezerva për këtë fitore.  Duket që ata janë trishtuar që nuk fitoi PD dhe sidomos Berisha, idhull i shumë kosovarëve. Ky është një opinion që ekziston, duam a nuk duam ne. Qoftë dhe i gabuar. Dhe kur krijohet një opinion, ne duhet të gjejmë edhe arsyet pse ose më mirë, shkaqet, sepse arsyeja nuk të lejon të gabosh, pasi ajo është e ftohtë dhe bazohet mbi prova dhe fakte të vërteta. Kurse një opinion mund të ngrihet dhe mbi “fakte” dhe “të vërteta” të rreme, falë një propagande të rafinuar dhe të pandërprerë.
Në një shkrim rreth një vit më parë  jam përpjekur të shpjegoj simpatinë e kosovarëve për Berishën. Në shkrimin e sotëm do përdor  disa argumente të rinj më të detajur. Sipas meje ka disa shkaqe, që Berisha respektohet (adhurohet) në Kosovë.
  1. 1.Berisha është respektuar deri tani si përfaqësuesi i Shqipërisë (shtetit amë ,ndryshe) edhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Dhe kjo është diçka e natyrshme. Pra, ai respektohet si i pari i Shqipërisë, i pari i vendit (edhe sipas traditës)
  2. 2.Origjina e tij veriore ( nga veriu i Shqipërisë). Dhe kjo është gjithashtu e kuptueshme. Edhe tek popujt e civilizuar respekti dhe krenaria per njerezit e famshem te krahines se vet eshte nje gje,qe ndodh.
  1. 3.Emërtimi Partia Socialiste e Shqipërisë, që për veshin e kosovarit të thjeshtë krijon asociacione të pakëndshme me sistemin e dikurshëm (socializmin jugosllav) dhe analogjinë formale me Partinë Socialiste të Serbisë, të Milloshevicit.
  2. 4.  Deklarata e papërgjegjshme dhe mendjelehtë e Fatos Nanos në takimin e Kretës me Milloshevicin, kur ai deklaroi ( megjithëse  e kundërshtoi më vonë si përkthim të gabuar) se kryeqyteti i Kosovës është Beogradi!), në një kohë kur Kosova ziente nga revolta nën thundrën fashiste serbe dhe po përgatitej për luftë.. Këtë e shfrytëzoi me mjeshtëri Berisha, duke e amplifikuar sic di ai të bëjë nga mëngjesi në darkë me një frekuencë marramendëse.Dhe kjo ngjiti te kosovarët.
  3. 5.Nga propaganda e  kujdeshme deri në zbehje e PS-së për aspekte të cështjes kombëtare.
  4. 6.Fakti që Rama nuk e vizitoi gjatë ndërtimit rrugën Durrës -Kukës ose “Rrugën e Kombit”(sic e quajti me inteligjencë Berisha) për shkak të korrupsionit të lartë dhe Berisha gjeti “rastin” ta akuzonte Ramën si armik të rrugës së kombit, pra, të kosovarëve. Dhe kjo ka bërë efektin e vet.
  5. 7.Nuk do të dëshiroja të shënoja faktin që PS-në e kanë drejtuar deri tani, për rastësi, dy ortodoksë (domethënë grekë, sipas disa zërave fonamentalistë ne Kosove,por edhe ne Shqiperi), gjë e turpshme dhe shumë negative për ata që e mendojnë..
Nga ana tjetër PS-ja nuk e tha me zë të lartë se ishte ajo që mbështeti pa rezerva UCK-në dhe luftën e saj të drejtë, duke stërvitur me oficerët tanë më të përgatitur ushtarët dhe kuadrot drejtuese të saj, duke përfshirë dhe komandantin Adem Jashari dhe drejtues të tjerë të lartë të UCK-së, kur këta Berisha i ndalonte dhe i burgoste duke i etiketuar si terroristë, marksistë, enveristë në sytë e botës.
PS-ja nuk e demaskoi sic duhet (ndonese e ka thënë disa herë) kontrabandën e naftës që bënte Berisha me Miloshevicin, kur OKB-ja i kishte vendosur embargo Jugosllavisë dhe Berisha u justifikua duke deklaruar në mënyrë nastradineske se këtë e bënte që të “ngroheshin kosovarët” në dimër!..
PS-ja nuk arriti ta dërgonte ne veshin e qytetarit të thjeshtë kosovar faktin që Berisha nuk ishte dakord që delegacioni kosovar të firmoste Marrëveshjen e Rambujesë, për te cilen këmbëngulnin amerikanët dhe do të ishte shpëtimtare për kosovarët, duke i cliruar nga Serbia.
PS-ja, ndonëse e denoncoi në gjykatë pas ekspozimit të saj në media prej kolonel Myslym Pashait marrëveshjen tradhtare të ujrave detare me Greqinë, ku Berisha shiti 350 km katrore det Greqisë dhe Gjykata Kushtetuese me një vendim historik e anuloi, nuk arriti ta amplifikonte deri te veshi i kosovarit të thjeshtë dhe patriot për shkak se nuk e ka në natyrë trumbetimin e atyre gjërave, që i quan normale.
Ishte Partia Socialiste dhe kryeministri i saj, që pritën me zemër të hapur (dhe mirë bënë, se detyrën bënë) vëllezërit kosovarë në ato ditë tmerri e gjenocidi me1999, kur Shqipëria ende s’e kishte marrë veten nga shkaterrimet e 1997 ( peshqesh kur president ishte Berisha). 
Ishte “ortodoksi” Edi Rama që në ato ditë të vështira e mbrojti shkëlqyeshëm kauzën e popullit të Kosovës në televizionin e madh italian “Rai Uno” në emisionin “porta a porta” të gazetarit Bruno Vespa kundër disa politkanëve pro serbë të së majtës komuniste italiane apo disa te tjerëvë antishqiptarë, që qanin pse NATO sulmoi Jugosllavinë sovrane. Dhe kjo s’duhet harruar.
Por Partia Socialiste nuk e trumbetoi këtë të vërtetë, se mendoi se nuk kishte nevojë ta bënte një gjë të tillë, se nuk duhen përfolur gjerat e mira, kur vëllai është në ditë të keqe. Por ja që jemi shqiptarë dhe duhet thënë, kur tjetri ( Berisha) mburret për ato që s’ka bërë.
Pra, shkurt, për shkak të propagandës së qetë dhe pa nervin e nevojshëm të PS-së përballë stuhisë së propagandës së Berishës, që bën kauzë, edhe kur ajo mungon. Ky është haraci që PS-ja paguan për shkak të modestisë dhe mendimit se faktet flasin vetë. Por kjo në politikë nuk mjafton.
Sikur të gjitha sa përmendëm më sipër lidhur me veprimet dhe bëmat e Berishës, t’i kishte bërë PS-ja Berisha, si mjeshtër i propagandës, me amplifikimin dhe frekuencën e lartë të përsëritjes për t’i ngulitur, do të bënte që jo vetëm t’i kishin mesuar e besuar kosovarët, por dhe fiset e egra të Polinezisë… Megjithatë, tani PS-ja ka shansin të tregojë sërish se i do dhe respekton Kosovën dhe kosovarët, sic i ka dashur gjithmonë. Koha do të dëshmojë nëse skepticizmi i tyre i deritanishëm ndaj PS-së do kthehet në besim. Unë besoj se po.


BOTUAR NE 7 KORRIK 2013 NE GAZETEN DITA


Ps. Titulli origjinal i shkrimit eshte "Pse kosovaret e shohin me rezerva PS-ne dhe Edi Ramen"

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου