Πέμπτη 24 Οκτωβρίου 2013

A I DUHET SHQIPERISE NJE EULEX?



                                    A I DUHET SHQIPËRISË NJË "EULEX"?

                                                            Nga Petrit Qejvani



            Në gjëndjen në të cilën është katandisur drejtësia sot, titulli i mësipërm , mendoj unë, nuk është një hipotezë e çartur. Ë di gjithashtu që ky titull do ngjallë shumë reagime, pro dhe kundër.

            Disa, sidomos politikanë e gjyqtarë, do rrudhin buzët. Por kjo është gjëja që më intereson më pak si qytetar. Fakti që ata s’po bëjnë dot shtet, pavarësisht nëse nuk dinë apo nuk duan, nuk ndryshon gjë. Rezultati është i njëjtë.

            .Unë mendoj se shumica e qytetarëve e kanë dilemën, që shfaq titulli i shkrimit tim.

            Problematika e rëndë dhe shkalla e lartë e korrupsionit në sistemin e drejtësisë e bëjnë të pamundur ndërtimin e shtetit ligjor, e shtetit të qytetarëve, pa një reformë radikale që nënkupton ndryshime ligjore adekuate, shoqëruar me lëvizje gjyqtarësh e prokurorësh, me ndëshkime administrative dhe penale, së paku për ata gjyqtarë e prokurorë, që kanë bërë të dështojnë dosje të bujshme si ato të rrugës Durrës- Kukës, të emërtuar bukur “Rruga ë Kombit”, nga ata që vodhën plot 230 milione dollarë, duke e shndërruar në “vjedhjen e kombit”, atë të Gërdecit, ku u rrafshua nga qeveria një fshat në kohë paqeje dhe u vranë 26 banorë si dhe 21 Janarin e pergjakur të 2011, ku, në mes te ditës, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, si për ironi, bien dhe 4 dëshmorë të tjerë ( nuk e di në janë shpallur apo jo të tillë), por kësaj here  të vrarë jo nga ndonjë pushtues, por nga qeveria e tyre!

            Kështu, këto dosje të mëdha janë testi dhe guri i provës nëse drejtësia shqiptare do japë shpresën se drejtësia mund të japë drejtësi..

            Kështu drejtësia është kryqi që duhet të kalojë Edi Rama për të realizuar Rilindjen.

            Por shenjat e deritashme, sidomos vendimi absurd i gjykatës për vrasësit e 21 janarit me logjikën idiote se nuk quhet vrasje, kur vret dikë që nuk e njeh, të lenë shijen e hidhur se pa një shkundje të fortë dhe pa ndëshkime gjyqtarësh të tillë, Rilindja do jetë larg.

            Ku është thënë e shkruar se gjyqtarët s’i kap ligji? Në ç’manuale apo libra të shenjtë është shpallur kjo? Vetëm Ai lart nuk mund të gjykohet dhe ndëshkohet. Gjithë vdekatarët e tjerë janë njëlloj para ligjit.

            Por paraliza e korrupsioni i drejtësisë e ka shkakun te një faktor tjetër. Ajo është rrjdhojë e një politike të korruptuar dhe e një klase politike të korruptuar (ndoshta klasa politike më e korruptuar në historinë njëshekullore të shtetit shqiptar). Një politikë e korruptuar e ngritur në sistem nuk mund të prodhoje një sistem drejtësie të pastër, sepse shpejt politikanët e korruptuar do dilnin në bangën e të akuzuarit dhe do denoheshin.

            Pra, në këtë rast jemi si në parimin e enëve komunikuese, të një aleance të pashpallur, por bukur të dukshme politikë-drejtësi.

            Të gjithë e pranojnë që në Shqipëri ka korrupsion të madh, që nga lypësi më i rëndomtë i Tiranës, te politikanët tanë e deri te Presidenti i Komisionit Europin Barroso.  Por asnjë peshkaqen i politikës nuk ka vajtur pas hekurave te burgut. Pra, një paradoks i madh:nga njera anë Shqipëria ka korrupsion të llahtarshëm, nga ana tjetër asnjë të korruptuar!

            Dikur Arvizu e quajti gjithë shoqërinë shqiptare të korruptuar. Dhe nuk e kishte gabim. Por ky është fryti djallëzor i nxitur prej politikanëve tanë, sepse kështu krijohej e pranohej si një gjë normale mbarëqytetare korrupsioni, duke e justifikuar djallëzisht me atë që në gjithë botën ka korrupsion, dhe në Amerikë, edhe në Europë.    Pra, mos e quani kushedi çfarë: ky është kapitalizmi: të garbisim ,të vjedhim sa të mundim, të mashtrojmë secili sipas mundësive dhe detyrës…

            Ky ishte përkthimi shqiptar i kapitalizmit, që bënë kalanderët politikë në Shqipëri. Politika arriti të atrofizojë dhe korruptojë drejtësinë me ryshvet ose me kërcënime, sidomos këto tetë vjetët e fundit të qeverisjes së Berishës, duke bërë që korrupsioni të përhapet si kolera horizontalisht e vertikalisht, që nga roja i shkollës deri te i pari i shtetit.

            Pra, suksesi më i madh i klasës politike shqiptare është krijimi i një mentaliteti ku korrupsioni shihet si një sjellje normale. Pikërisht një situatë e tillë e bën të vështirë deri në të pamundur funksionimin normal të drejtësisë.

            Prandaj dhe dyshimi i njerëzve se drejtësi jonë do do bëjë drejtësi nuk është pa baza. Është kjo gjendjë dëshpëruese që i bën qytetarët mosbesues.

            Në këto rrethana një EULEX për Shqipërinë nuk është një fanatazi. Dikur, më 1997, pas ardhjes në pushtet të socialistëve, aventurieri libaral politik Nano bëri një deklaratë “skandaloze”, por shumë interesante.

            Duke patur parasysh Shqipërinë e shkatërruar nga trazirat si dhe destruktivitetin organik të Berishës pas refuzimit që ky i fundit i bëri ftesës së Nanos për të qenë pjesë e delegacionit qeveritar, që do të vizitonte  Italinë, Nano tha: “Do ishte mirë që Shqipëria të ishte protektorat italian!”

            Por kjo deklaratë kaloi si batutë e radhës dhe asnjë nuk i kushtoi rëndësi. Por sot, pas 16 vjetësh, në një masë së paku 50% Nano kishte të drejtë, duke konfirmiuar kështu tezën antishqiptare të shovinistëve fqinj se shqiptarët nuk bëjnë dot shtet.

            Në fakt Shqipëria ka qenë dy herë shtet, pavarësisht natyrës së shtetit dhe kufizimeve që kishte secili: në kohën ë mbretërisë dhe në kohën ë komunizmit. Atëhere ligji ka vepruar.

            Nano ndoshta gaboi kur tha protektorat italian, do të qe më mirë një protektorat gjerman apo anglez, për shkak të faktit se ata janë shtete më të “rëndë”. Por kjo vinte ndesh me proceset itegruese të Europës dhe as që mund të bëhej fjalë për një protektorat të një shteti. Sidoqoftë, ishte një thirrje dëshpëruese.Ndoshta një”protektorat” i Brukselit do të ishte  më ë pranueshme…

            E di që ‘akademikët’ dhe politikanët do thonë :jemi shtet i pavarur, jemi shtet sovran”, kemi qeverinë tonë” etj.

            Sigurisht, Shqipëria është shtet i pavarur,por është një shtet karagjoz, është një xhungël ku nuk vepron ligji, por ligjin ë bën më “i forti, ku s’kontollohet territori, ku korrupsioni bën kërdinë.

            Tamam një “republikë bananesh”, por që nuk prodhon banane. Pra nuk është shtet për qytetarin e ndershëm.Natyrisht, ne ende presim me shpresë se diçka do ndryshojë dhe qeveria e re do kohën e nevojshme për ta bërë këtë. Por kjo s’do të thotë të shtyhet për në kalendat greke. Ne si qytetarë po presim. Ka ca si njale pozitive. Qeveria e re po bën disa denoncime. Por dyshimet mbesin. Për shumë arsye. Dosjet e mëdha të 21 janarit, ajo e Gërdecit si dhe ajo e rrugës Durres- Kukës me aferat qindra milionë dollarëshe janë dëshmia dhe prova e medhe nëse drejtësia do të bëhet, nëse drejtësia do të rilindë.

            Por kjo nuk varet vetëm nga vullneti i qeverisë, por dhe si pasojë  ë disa faktorëve të tjerë, të brendshëm e të jashtëm, sepse personat e implikuar në këto ngjarje kanë imunitet të madh (jo parlamentar). Ata janë ish- ministra, kryetarë partish të opozitës, ish kryeministra etj. Por këtu tregohet foca e ligjit dhe morali i maxhorancës.

            Natyrisht këta nuk do t’i dënojë qeveria, as Rama, por maxhoranca i ka të gjithë mekanizmat ta “detyrojë” drejtësinë të veprojë.

            Administrata e korruptuar shqiptare dhe, posaçërisht, drejtësia e kanë të nevojshëm një revolucion “të bardhë”, pa gjak.

            Nëse nuk ndodh kjo, nëse edhe qeveria e re dështon dhe nuk bën dot shtet, atëhere qytetarët shqiptarë, intelektualët e vërtetë duhet t’i drejtohen Brukselit me thirrje lutëse: Dërgoni në Shqipëri një EULEX special, që të bëhet drejtësia, që më në fund të bëhet shtet edhe Shqipëria!”Që të keni më pak telashe me ne.Kjo nuk është fyese për ne, por faqja e zezë e politikanëve tanë.”

            Ne qytetarët jemi më të sinqertë: atë që nuk jua thonë politikanët tanë, po jua themi ne: Ne shqiptarët kaq dimë, kaq e kemi hapin, jemi qytetarë të prapambetur dhe kemi politikanë edhe më të prapambetur. Na merrni për dore! Do t’ju jemi përjetë mirënjohës!


Botuar ne gazeten "SOT" 27.10.2013

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου