Κυριακή 23 Ιουνίου 2013

HUMBJA NUK ËSHTË FUNDI I BOTËS, Z. BERISHA!


HUMBJA NUK ËSHTË FUNDI I BOTËS, Z. BERISHA!

                                                                                    Nga Petrit Qejvani

            Më 23 qershor, sipas të gjitha gjasave, shqiptarët me votë do ndahen nga ju, z.Berisha. E kuptoj që kjo është e papranueshme dhe trishtueshme për ju z. Berisha. Po e keni vet  në dorë ta kuptoni e konceptoni si dicka normale.Nuk është herët për ju të bëni një bilanc të jetës suaj, sidomos asaj politike. Gjatë karrierës suaj relativisht të gjatë dhe të lakmueshme politike ju keni bërë punë të mira dhe të këqia. Se në ç’raport janë ato, do ta thotë historia.
            Ju udhëhoqët PD-në aksionin ë madh politik të rrëzimit të regjimit komunist në Shqipëri, ndonëse më vonë se në çdo vend tjetër ish-komunist. Dhe kjo është meritë juaja.
            Ju erdhët në pushtet me besimin e madh të shqiptarëve se do të ndërtonit demokracinë (kapitalizmin, që ju për arsye taktike nuk e artikuluat kurrë), por dhe sot ne jemi larg së qëni një vend demokratik i vërtetë, veç të tjerash, edhe për meritën tuaj, z.Berisha.

            Më 1992 shqiptarët ju dhanë votën dhe ish-komunistët në pushtet e pranuan verdiktin e sovranit (siç ju shpreheni shpesh) dhe nuk e manipuluan vullnetin e popullit duke vjedhur vota, megjithëse ishin maxhorancë,z.Berisha.
            Ju përgjakët zgjedhjet e ’96-ës,duke dhunuar vullnetin e popullit (gjë që nuk e bënë as komunistët fanatikë të Partisë së Punës ) dhe kjo është gjithashtu një vepër juaja.
            Ju shkaktuat trazirat e 1997, që çuan në rënien e shtetit (dukuri kjo e panjohur në kohët moderne) dhe Shqipëria u bë si më 1913, ku sundonte anarkia dhe u desh ndërhyrja e forcave të NATO-s që të evitohej lufta civile dhe kjo është gjithashtu një meritë juaja.
            Ju dërguat djemtë e veriut për të shtypur vëllezërit e jugut, z.Berisha dhe kjo do të shënohet në histori si një bëmë apo gjëmë juaja.
            Ju bëtë grushtin e shtetit më 1998, duke rrëzuar një qeveri legjitime dhe duke pushtuar institucionet ë shtetit dhe u desh ndërhyrja ndëkombëtare të normalizohej gjëndja. Edhe kjo është një vepër juaja, Z.Berisha.
           
          Ju bëtë Gërdecin e famshëm ku u rrafshua një fshat i tërë në kohë paqeje dhe kjo është e pandarë nga ju si kryeministër i vendit, z.Berisha.
            Ju bëtë manipulimin ë zgjedhjeve të 2009 dhe kjo sërish mban vulën tuaj.
            Ju mbani pergjegjesi per viktimat e 21 Janarit 2011.
            Ju realizuat manipulimin spektakolar me “procedurë” të zgjedhjeve për Tiranën (edhe me bekimin ë ndërkombëtarëve)      
           
            Nën qeverisjen tuaj u bë dhe Rruga e Kombit (ndonese e filluan socialistet) dhe kjo do të shënohet si arritje juaja.
            Ju bëtë dhe tunelin e Qafë-Krrabës, që lidh Elbasanin me Tiranën dhe kjo do të shënohet si vepër ë kohës së qeverisjes suaj.
            Dhe, më në fund, shpresoj shumë që të mos tentoni të manipuloni zgjedhjet e 23 qershorit, z.Berisha që të mos kalojmë një verë “të zjarrtë” dhe problematike…Mendoj se duhet ta harroni 2009-en dhe sidomos 2011(zgjedhjet e Tiranes) per te miren tone dhe tuajen.          
           Unë besoj, sepse ju e keni inteligjencën e nevojshme, përvojën dhe instinktin e politikanit për të mos e bërë një gjë të tillë, që të largoheni paqësisht nga pushteti, siç iku më 2005 Fatos Nano ( një nga punët ë mira që ka bërë ai). Megjithëse sundimtarët nuk kanë vend në Parajsë…
            Unë besoj se do ta bëni këtë për të mirën tuaj, të familjes suaj dhe në fund (ndonëse duhej të ishte e para) për Shqipërinë.
            E di që pasioni për pushtet është aq i fortë sa pasioni për gartë, z.Berisha.
            Por për çdo burrë vjen një kohë kur nuk bën as për gratë, as për politikë, z.Berisha.
            Mos  koncepto humbjen si fundin e botës. Nuk do shuhet Dielli, Toka sërish do rrotullohet dhe jeta do vijojë normalisht. Natyrisht, nuk është kaq e thjeshtë sa po e them unë, por do të mësoheni me gjëndjen e re dhe gadualisht do përshtateni, duke menduar si një “ish”. Sepse të gjithë, duke përfshirë dhe sundimtarët më të famshëm, vjen një ditë dhe bëhen "ish"-a.

Të qoftë e lehtë humbja!

Amin!

Shkruar per gazeten Tema

Publikuar ne portalin dhe gazeten "Kosovapress. date 8.07.2013

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου