Παρασκευή 22 Νοεμβρίου 2013

LIGJI PERBALLE NJE PALLATI"POLITIK"



LIGJI PËRBALLË NJË PALLATI  “POLITIK”

Nga Petri Qejvani

           

            Qeveria e re , në kuadrin e zbatimit të ligjit në funksion  të kontrollit të territorit, ka marrë një aksion në front të gjerë për gjatë vijës bregdetare për çlirimin ë territorit nga pushtuesit vendas. Dhe e nisi në Tiranë dhe Vlorë.Dhe kjo ka simbolikën e vet.

            Antiligji duhet të goditet në qendër , atje ku ai e ndjen veten më të fortë  dhe më të mbrojtur dhe jo në periferi. Ky veprim i qeverisë ka shkaktuar një ndejsi të dyfishte: është mirëpritur nga shumica e shqiptarëve dhe, ashtu siç pritej, është kundërshtuar nga ata që kanë ndërtuar pa leje ose me leje abuzive, ku përfshihen të fortë ordinerë ( të mbështetur nga politika) dhe njerëz me pushtet politik. Një zhurmë e madhe mediatiko –politike shkaktoi piketimi për prishje i një pallati 8 katësh në Ujin ë Ftohtë në Vlorë, i përfolur si pronë e Lulzim Bashës ( ndonëse në letra figuron si pronë e vjehrrit të tij), një lojë e njohur kjo ku pushtetarët fshihen pas njerëzve të afërt.

            Që ndërtimi është i paligjshëm, është e qartë për këdo. Nuk mund të zaptohet deti, kushdo qoftë ai. Zaptimi i pronës publike është një krim. Vetëm Poseidoni ë kishte  të drejtën e posedimit të detit. Po ai ishte hyjni.

            Sot nuk jemi në kohën e  zotrave te deteve, të hyjnive të mitologjisë. Sot pushtimi i pronës publike është një krim. Në rastin konkret ky pallat është një krim i dyfishtë: ambiental dhe urbanistik. Në fakt ai është pjellë e një krimi , e krimit të miratimit dhe  dhënies së lejes së ndërtimit. INUK-u bëri mirë që rrafshoi ndërtimet pa leje apo me leje të paligjshme për gjatë bregut të Vlorës, që vinin ndesh me planimetrinë dhe zhvillimin uraban të qyetit, por nuk duhej të ndalej para një pallati ndërtuar hapaz në kundërshtim me ligjin, pra mbi det dhe në kundërshtim me planin perspektiv të ndërtimit të qytetit. Dhe këtu kanë një faj jo të vogël urbanistët ë qytetit,që duhet të thonë fjalën e fundit, nëse kanë personalitet. Dhe jo të shprehen  se këtë e vendos kryetari i bashkisë!..

            Ai është një pallat simbol i paligjshmërisë. Dhe mosprishja e tij kompromenton aksionin qeveritar për pastrimin e vijës së bregut të detit, duke krijuar idenë e veprimit selektiv, që do të thotë se te pafuqishmëve, atyre që s’kanë suport politik mund t’ju prishet prona, kurse të fortët e lidhur me politikën s’i gjen gjë. Ky është karshillëk ndaj ligjit dhe dobësi e qeverisë, në mos korrupsion politik.

            Në media pati shumë diskutime pro dhe kundër këtij pallati. Që ky pallat u mbrojt politikisht duket edhe nga deklarata e Berishës në mbrojtje të hapur të tij, duke e  komentuar si hakmarrje  të kryeministrit Rama ndaj liderit formal të opozitës. Në vend që ish-kryeministri të kërkonte ndjesë për këtë krim, e  mbron paturpësisht atë.

            Ndërsa avokatët mediatikë të qeverisë paraardhëse e mbrojne pallatin me sofizma, demek duke mbrojtur qytetarët që kishin blerë aparatamente atje. Në fakt INUK veproi gabim, kur errethoi pallatin me policë, ndërkohë që nuk ishte i qartë plotësisht. Pra , u shpejtua. Ai duhet të vinte atje me letra të kopsitura dhe ta shembte pallatin dhe jo thjesht me entuzizëm euforik, karakteristikë e aksioneve të dikurshme.

            Kur niset per veprim një organ shtetëror, sidomos kur e shpall publikisht, duhet ta ekzekutojë. Kjo tregon seriozitetin e shtetit dhe qeverisë. Që ky pallat është i paligjshëm duhet qartë, por është i nevojshëm argumentimi ligjor.

            Nga shume deklarime dhe pohime në shtyp, pro dhe kundër, më ineteresanti dhe i bazuar duket prononcimi i ish-derejtori të INUK-ut Gjegj Bojaxhi, një specialist i paanshëm dhe i besueshëm edhe për faktin se ka qënë pjesë e mxhorancës qeverisëse të Berishës dhe e ka denoncuar atë që më 2010, pra, kur në pushtet ishte PD-ja. Por presioni politik e ka thyer prokurorinë dhe gjykatën, ku ka pasur akord pushtet qëndror-pushtet lokal. Aty pliksen ineteresa të njerëzve  të lidhur me pushtetin ë djeshëm dhe të sotëm, pandaj  Gjykata administrative e Vlorës e pezulloi prishjen ë tij me një kazus spekulativ, duke iu dhënë të drejtë banorëve (të cilët kanë të drejtën e tyre) por  banorët nuk janë palë në këtë konflikt.Konflikti është midis ligjit dhe bashkisë. Aleanca politike duket se fitoi përkohësisht ndaj ligjit, duke ë mbrojtur një pallat politik. Ndërsa pallatet “jopolitikë” u prishën  pa mundim. Pra, pa dashje ose me dashje krijohen dy standarte. Ndërsa ligji është një.

            Shkatërrimi i territorit është një nga krimet më të rënda të bëra këto 20 e ca vjet katrahure demokratike. Dhe këtë qeveria e re e di dhe e ka artikuluar shpesh gjatë dhe pas fushatës elektorale. Tani mbetet të korrigjojë c’të mundet dhe të ndëshkojë ata që kanë bërë kaq zullume ndaj natyrës dhe mjedisit. Dhe që ta bëjë këtë, duhen dhënë shembuj ekzemplarë, si ai i shëmbjes së pallatit “politik”, që përmendëm. Ai ka vlerën e një simboli të negativ të shpërfilljes së ligjit. Kurse ligji duhet të tregojë se është i pashpërfillshëm.

             Pa ndëshkim nuk ka korrigjim, prandaj duhet të veprojë ligji dhe jo të stepet para antiligjit, edhe kur antiligji ka koracë politike. Pallati politik duhet shembur si simbol i korrupsionit. Duhet të fitojë ligji, të fitojë shteti.


Botuar ne gazeten "SOT" 24.11.2013

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου