Παρασκευή 24 Ιανουαρίου 2014

PETER LUKAS, CFARE SHQIPTARI!



                                    PETER LUKAS, Ç’FARË SHQIPTARI!



                                                                                    Nga Petrit Qejvani



            Të hënën e kësaj jave, i ftuar i radhës në emisionin “Shqip” të gazetares Rudina Xhunga ishte shqiptaro-amerikani Peter Lukas. Ai është i njohur në Shqipëri me dy-tre libra të shkruar enkas për Shqipërinë, duke filluar nga Lufta e Dyrtë Botërore deri në ditët tona. Nga kjo pikëpamje nuk pritej ndonjë gjë e re prej tij dhe intervista ishte pothuaj lineare dhe e shtruar.

            Pjesa më interesante e saj ishin pikëpamjet ë tij për Shqipërinë e pas viteve ’90 si dhe vlerësimi i liderëve politikë shqiptarë, duke filluar nga Enver Hoxha, Sali Berisha , Fatos Nano e deri te Edi Rama. Dhe këtu ai ishte përgjithësisht realist.   Kishte simpatizuar Berishën pas 1990-ës,por, sikurse tha, ishte zhgënjyer prej tij, sepse ai nuk kishte përmbushur pritshmëritë ë tij dhe të diasporës shqiptare të ShBA-së.

            Kurse tani simpatizonte Ramën, ndonëse , siç tha pak më poshtë, në ShBA simpatizon republikanët, duke theksuar bile, se , nëse Shqipërinë (shtet demokratik) nuk e bën as Rama, atëhere ajo nuk do të bëhet!..Kjo ide në fakt, me gjithë një dozë realizmi, duket ca fataliste, megjithëse mbështetet nga shumë njerëz në Shqipëri.

            Bile këtë e theksoi më tepër ambasadori amerikan në ikje Aleksandër Arvizu, i cili tha në një deklaratë të ditëve të fundit se ky është shansi i fundit i Shqipërisë. Deri këtu intervista e zotit Lukas ishte pa”kërcitje”, pa ndonjë prurje befasuese.

            Por dukej që në bindjet politike nuk ishte i qëndrueshëm (edhe pse burrë i vjetër).

            Nga ish-simpatizant i demokratëve  bëhet simpatizant i republikanëve (asgjë e keqe), duke deklaruar açik se presidenti Obama nuk është një president i mirë. Kjo, sipas tij, për shkak të politikave të tij sociale, që nxisin dembelizmin..Por edhe sepse ai shkon me pushime të gjata në një kohë që në ShBA është rritur papunësia!...

            Por kulmi i intervistës së tij ishte pikërisht kur iu përgjigj pyetjes së zonjës Xhunga për të justifikuar kalimin nga prodemokrat në prorepublikan. Sipas tij, ai e kishte bërë këtë, pasi demokratët kishin shkatërruar(!) familjen amerikane.

            Deri këtu intervistën e kisha ndejkur më tepër për rutinë, por, kur dëgjova këtë pohim skandaloz dhe mendjelehtë, thashë me vete: bëra mirë që e ndoqa deri në fund! Ky ishte xhevahiri i intervistës! Dhe s’mund të mos qeshja me të madhe.

            Mirëpo ishte kaq paradoksale, sa nuk kishte sesi të mos pyesja veten : vërtet e tha, apo më bënë  veshët mua? Dhe, për siguri, i drejtohem dikujt, që po e ndiqte bashkë me mua, i cili ma konfirmoi këtë. Kjo, besoj, i ka çuditur edhe shumë shikues të tjerë, që e kanë ndjekur me vëmëndje emisionin për shkak të lajthitjes exellente të zotit Lukas, që, në ato çaste, u shfaq si një shqiptar i prapambetur i kohëve të shkuara, kur tha se demokratët amerikanë me pikëpamjet dhe reformat ë tyre, duke nisur nga presidenti Lindon Xhonson, e kanë degjeneruar familjen amerikane, që kur vendosën që... gratë të delnin në punë!? Si pasojë e kësaj, tha ai, sot në SHBA 70% e grave me ngjyre dhe 60% e grave të bardha kanë fëmijë jashtë martese! Pra, sikur gratë amerikanë t’i mbanin në shtëpi, do kishin shpëtuar nga ky siklet!...

            Domethën përgjegjës për moralin e shoqërisë amerikane janë demokratët! E pa dëgjuar! Ky në fakt është një “lajm”.

            Nje deklaratë e tillë nuk mund të mos të të bejë për të qeshur dhe, menjëherë, zoti Lukas para syve m’u shndërrua në një burrë te vjeter zakonlli shqiptar të kohëve të shkuara, si i dalë nga kanuni i Lekë Dukagjinit.

            As që nuk mund te përfytyrohet një qytetar amerikan me mendësi të tilla ne kohën e sotme. Bile, mendësi të tilla i kanë  kapërcyer dhe burrat shqiptarë në masë me kohë. Një pohim i tillë ishte vërtet një zbulim dhe pjesa më zbavitëse  e intervistës. Dhe këtu, veç te tjerave, më bëri përshtypje edhe qetësia me të cilën e priti gazetarja Xhunga, së cilës, me sa duket, nuk i bëri përshtypje.

            Një deklaratë e tillë ishte një lajthitje, mendova në çast. Por ai vazhdoi ta mbronte duke e ilustruar dhe me shifra.

            Nuk e di sa  e vërtetë është kjo statistike, por edhe nëse është, kjo tregon krizën morale të shoqërisë amerikane dhe të kapitalizmit në përgjithësi.

            Kjo është shoqëria e sotme moderne dhe s’duhet të pretendojmë që kapitalizmi e ka gjithçka të mire.

            Kështu. shqiptaro- amerikani Lukas u shfaq një shqiptar sojlli, nga ata te maleve tona kreshnike, që moralin e gruas e ruajnë, duke mbajtur gruan në shtëpi!

            Thoni po deshët që Amerika s’është e çuditshme dhe e pasur me gjithçka!   Thoni po deshët që edhe shqiptarët që lindin në Amerikë, si zoti Lukas, mund të bëhen nje ditë  amerikane!


Botuar ne gazeten "SOT" 08.10. 2013
                       

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου