Τρίτη 1 Απριλίου 2014

SHTETI, QE NUK E KEMI



`                                               SHTETI. QË NUK E KEMI

                                                      Nga Petrit Qejvani

            Është dhembje të flasësh keq për shtetin tënd, për vendin tënd. Por ç’të bësh, kur e vërteta është ulëritëse?! Ç’të bësh kur Shqipëria, siç ka thënë një i ditur i njohur, fatkeqësisht me të drejtë, u bë për t’u plasur buzën shqiptarëve? Dhe ndonëse një thënie e tillë po vete  një shekull, sërisht ajo (në fakt politika dhe politikanët) po ua plas(in) buzën shqiptarëve.

            U bë një çerek shekulli që po rropatemi për të bërë shtet e nuk po bëjmë dot. Askush nuk mund të thotë se Shqipëria është një shtet normal. Atë që bën njeri, e çbën tjetri. Institucionet i kundërvihen njeri-tjetrit edhe pse duhet të bashkëpunojnë. Kësaj situatë do t’i shkonte për shtat  thënia popullore njeri i bie gozhdës, tjetri patkoit. Ose, më qartë, qeveria i bie gozhdës, presidenti patkoit. Sepse shtet normal do të thotë funksionim organik, harmonik i pjesëve të shtetit, që në thelb do të thotë funksionim real i ligjit.. Dhe jo kur ai nuk zbatohet si në republikën tonë të kaosit dhe katrahurës.

            Një territor kaq i vogël dhe i pakontrolluar! Një turp për çdo qeveri! Sidomos për atë paraardhëse. Që iku duke lënë një shtet thuajse në kaos. Sigurisht, një kaos i ndërgjegjshëm për ta sabotuar ende pa ardhur në pushtet qeverinë e re. Një panoramë e përgjithshme e Shqipërisë së lënë më 23 qershor 2013 është vështirë të përshkruhet edhe  letrarisht, por dhe politikisht do të ishte një tablo groteske. tragjikomike. 
        Shikoni ç’ndosh në republikën tonë kaotike “demokratike”. Kompani fantazma shfrytëzojnë barbarisht lumenjtë, banda me liçencë  pushtojnë, grryejnë e shkatërrojnë minierat, koncesionarë që njerrin naftë me metoda barbare, me eksplozion dhe nuk i paguajnë tatimet shtetit (grabitje ashiqare e shqiptarëve) terminale portuale (si ai i Durrësit) që u jepen badjava disa firmave të huaja, që natyrisht, ndajnë fitimet me qeveritarët shqiptarë, të djeshëm, ndoshta dhe të sotëm (kujto prononcimin e deputetit Koka në parlament). Më tej kemi Porto Romanon ë”Fazlliçit” të Berishës, i cili merr pjesë edhe në mbledhjen e këshillit të sigurimit të Republikës! ( e pa dëgjuar dhe e paprecedent dhe  në shtetet afrikane) dhe askush nuk jep llogari. Qeveritarë të tillë antikombëtarë, që e kanë nxjerrë Shqipërinë në ankand s’mund t’u kërkojnë llogari të tjerëve, kur shkelin vet ligjet e shtetit! Dhe prandaj vazhdon rrokopuja në gjithë territorin sipas modelit të atyre, që duhet të bënin shtet. Bëhen ndërtime të paligjshme buzë autostradës e rrugëve kryesore, në bregdet, qytete dhe fshatra me dhe pa bekimin e qeveritarëve qendrorë dhe vendorë. Ngrihen xhami dhe kisha pa leje ndërtimi, në garë me njera-tjetrën ,larg vëmendjes së shtetit.Të tjerë vrasin peshk me dinamit, duke shkatërruar rezervat e peshkut deri në zhdukjen e tyre, batalione gjahtarësh (shfarosësish të faunës së eger) shqiptarë e të huaj bëjnë kërdinë mbi kafshët e shpendët, aq sa një gazetar e ambjentalist amerikan shprehet tronditshëm se ‘qielli i Shqipërisë është pa zogj” e kështu mund të vazhdonim pa fund. Pas gjithë këtyre a mund të thuash që ne kemi shtet?! Kjo është një pjesë e tablosë katastrofale të Shqipërisë, që la regjimi i Berishës, i cili sot bilbilon në Kuvend dhe facebook, në vend që të jepte llogari. Prandaj me të drejtë themi se po nuk u ndëshkuan qeveritarët që e bënë “lesh arapi” Shqipërinë, s’kemi për t’u bërë asnjëherë shtet. Dhe, pse ka ndodhur kështu, kuptohet. Sigurisht,  me këto veprime u jepet mesazhi qytetarëve se ne po ju lëmë të lirë të bëni si të doni, që të na lini dhe ju rehat të vjedhim sa të duam. Pra, një garë çakenjsh për të shqyer Shqipërinë. Dhe në fund të themi: të gjithë kemi vjedhur, ky është kapitalizmi! Në të vërtetë qeveria e sotme ka çuar ca  dosje në prokurori për abuzime të llahtarshme, por ato arkivohen nga prokurorët e partisë (Demokratike)., Qeveria, në të drejtën e saj, ndyshon ligjet, presidenti nuk i dekreton, Këshilli i Lartë i Drejtësisë emëron gjykatës militantë apo të korruptuar, kryetari i SHISH-it nuk i rapoton kryeministrit (kjo është ironi therëse) e plot “qyfyre” të tjera nga ky shtet karagjoz. Dhe kush  kritikon  këto dukuri, kush kërkon zbatimin e ligjit ka rrezik ta quajnë marksist, enverist e ç’të duash. Këtu është fiks si ka thënë Konica një Zululand, por i banuar nga të bardhë! Qeveria kërkon të bëjë reforma në drejtësi, presidenti i emëruar i PD-së i bllokon. Gjyqtarët bëjnë afera korruptive (lirojnë të akuzuar për krime dhe drogë) presidenti i mbron.  Tamam si në një makinë ku timonieri(shoferi) kërkon t’i japë gaz makinës dhe ai që është në vend të parë  frenon në të njëjtin çast! Si mund të ecë makina kështu përpara? Tek ne për gati 25 vjet me radhë ka patur vetëm qeveri dhe jo shtet. Doni shembuj? Sa të doni. Ato që u përmendëm më lart, por edhe të tjera.Të gjithë po shohin si qeveria dhe presidenti janë në luftë me njeri tjetrin.  

            Si mund të quhet shtet normal kur kryeministri dhe presidenti nuk komunikojnë me njeri-tjetrin? Si mund të quhet shtet normal dhe serioz kur kryetari i SHISH-it nuk i raporton keryeministrit sipas ligjit,por e spiunon atë te shefi shpirtëror i opozitës dhe kryeministri nuk e shkarkon dot, pasi nuk e dekreton presidenti, i cili ë merr hapur në mbrojtje? Si mund të merret seriozisht një shtet i tillë kur, sipas ligjit komanda e ministrisë së Mbrojtjes kërkon zëvendësimin ë atasheut ushtarak në NATO për përfundim të mandatit të shërbimit dhe për shkelje të rregullores ushtarake dhe etikës ushtarake dhe presidenti nuk e pranon propozimin  ministres së Mbrojtjes dhe shefit të shtabit ,pra të eprorëve të kundëradmiralit Gerveni? Me siguri nuk ndodh në asnjë shtet të botës së tretë!

            Çfarë mund të thuhet kur kryetari i shtetit shpërfill ligjin dhe i kundërvihet hapur, ndonëse me zë të “ulët”  dhe “në zbatim të ligjit” çdo propozimi apo vendimi të qeverisë?! Dhe akoma më tepër, kur presidenti sillet ndaj qeverisë si një opozitar fanatik? Kur kundërshton reformën në drejtësi, kaq shumë e përfolur për korrupsion dhe pandëshkueshmëri të krimit dhe korrupsionit qeveritar? Kur Presidenti i kundërvihet edhe parlamentit, prej nga ka dalë, kur nuk dekreton shkarkimin e kryeinspektores partizane të ILKDP, kësaj sokoleshe të PD-së për moskryerje të detyrës dhe fshehje të pasurive të qeveritarëve të djeshëm?

            A mund të themi jemi një shtet normal kur ministri i jashtëm dhe kryeministri kërkojnë të reformojnë shërbimin diplomatik, duke luftuar hapur nepotizmin dhe diplomacinë e dhëndurrëve, mbesave, kunetërve dhe kunatave, a thua Shqipëria është një fis apo tribu? Pra, kur presidenti refuzon propozimet e ministrit të jashtëm.për emërimin e ambasadorëve ? Dhe, më në fund. si mund të quhet shtet serioz një shtet ku politikanët kryesorë akuzojnë njeri-tjetrin si hajdutë dhe banditë dhe se njeri i mburret tjetrit se është më i mrë se ai se ka vjedhur më pak?! Kesaj i thone :bir Selman i nenes, ke te qaj me pare! Pra, një shtet që drejtohet nga hajdutët. A mund të bëjnë shtet seioz hajdutët? Ata vetëm mund të vjedhin shtetin dhe qytetarët.Dhe, pavarësisht sa është masa e hajdutllëkut, drejtësia, gjithashtu hajdute, s’ka si bën gjë. Prandaj këtu do duhet një kohë e gjatë që të vendoset ligji, domethënë të bëhet sheti, që na duhet aq shumë. Kur të veprojë ligji do bëhet shteti.

            Që një shtet të funksionojë duhet që autoriteti i ligjit të shtrihet gjithandej: në krejt territorin e shtetit dhe në të gjithë sektorët e tij. Por a ndodh në të vërtetë kështu? Këtë ë dinë shumë mirë qytetarët shqiptarë.

            Çfarë shteti është ky kur prokurori i përgjithshëm nuk denjon të hapë dosjet ë zyrtarëve të korruptuar dhe të akuzuar për më shumë se një aferë? Çfarë shteti është ky kur drejtësia nuk pranon të gjykojë ish qeveritarët që kanë vjedhur e shpërdoruar miliarda nga paret e shqiptarëve të varfër dhe dosjet janë sa një mal? Dhe kur nuk ka akses as kryeminstri, vaj medet për qytetarin e zakonshëm! Kur KLSh dergon dosjet ë shpërdorimeve miliardëshe  të zyrtarëve të lartë dhe dosjet arkivohen? Shtet është ky kur opozita me fjalë dhe vepra nxit mosbindjen  ndaj ligjit dhe shtetit?

            Për fat të keq shqiptarët kanë dëshmuar këtë gati çerk shekulli  paaftësi shtetformuese, akuzë kjo e ngritur në teori nga armiqtë e Shqipërisë dhe që klasa politike shqiptare po ngulmon, me talent të rrallë, ta vërtetojë këtë.

            Po ky me demek shteti ynë ka dhe pamje të tjera komike. Çfarë ndërgjegje shtetformuese ka një qeveri dhe president që i referohet djalit të ish-mbretit të vetëm, “Zogut të parë” dhe të fundit me titullin “princ” në një republikë parlamentare? Apo më keq akoma kur , me rastin e vdekjes së tij (rahmet pastë!) i bëjnë ceremoni shtetërore dhe homazhe në sallën e Kuvendit të Shqipërisë?! Dhe përse? Për meritat e munguara ndaj Shqipërisë?!

            Një shtet që fal pasuritë e tij natyrore xhaba, siç thuhet me gjuhen e rëdomtë. që shet sovranitetin e tij (siç ishte rasti i detit me Greqinë) çdo ditë në çdo akt privatizimi dhe konçesioni, duke “ngrënë dekët” e shqiptarëve, edhe kur sektorët ekonomikë janë efiçentë dhe konkurrues si nafta dhe minierat, çfarë shteti është? Kur konçesionarët nuk i paguajnë taksat shtetit dhe nuk bëjnë investimet e kontraktuara? Shtet është ky yni, që importon deri lakra e sallata nga fqinjët tanë apo më larg, nga fundi i botës hudhra ose agrume kur ka 300 ditë në vit me diell? Një shtet “gallatë” pa vizione dhe strategji ekonomiko-politike. Një shtet që nuk ka dhe nuk di cilat janë prioritete e zhvillimit të tij .Që zgjidhjet e çastit mbytin ato të perspektivës.

            Dhe një rast fare banal për mungesën e autoritetit të  shtetit:në Lazarat kanabisi gjelbëron gjithë vitin dhe shteti rakitik shqiptar thotë s’kam ç’bëj!? (sigurisht ne nuk themi të luftojë me Lazaratin). Por në këtë rast Lazarati përbën model dhe dihet që modeli imitohet… Ky shtet ekziston vetëm në letër. A mund të justfikohet me lloj-lloj teorish se nuk mund të hyhet në një fshat si Lazarati, ku lulëzon “bujqësia moderne” e hashashit, si “bujqësia” më fitimprurëse.? Sigurisht nuk i kam për qeverinë aktuale këto, me gjithë përgjegjësinë që ka edhe kjo qeveri. Atëhere me të drejtë shtrohet pyetja: Pse nuk bëjmë dot shtet funksional ne shqiptarët? Ka dy arsye madhore, veç të tjerave

            Ë para: paaftësia jonë gjenetike për të bërë shtet. Dëshira jonë instinktive për antishtet, duke bërë secili me kokën e vet. Shprehje kjo e mosdëshirës për rregull dhe ligj, sipas parimit ujku do mjegull. Në thelb kjo është tregues i një shoqërie të prarpambetur, anakronike.. Doni shembuj? Gjithë Shqipëria është një model i përsosur antishteti, antiligji, anti rregulli. E fillojmë me zbatimin ende të Kanunit të malësisë në jetën shoqërore. A nuk është turp dhe faqja ë zezë për Shkodrën dhe gjithë Shqipërinë ngujimi i fëmijve dhe grave për shkak të gjak marrjes në shekullin ë 21-të?! Po në radhë të parë është turp për shtetin. Dhe më turp pastaj kur pasojat ë kanunit kërkojmë “t’i korrigjojmë” me kanun! Siç rekomandojnë disa tradicionalistë, që ende mburren me kanunin?!…Shembuj si ky tregojnë se jemi një shoqëri primitive, paraqytetare. Sepse qytetërim do të thotë rregull dhe ligj në radhë të parë.. Por kjo është gjëja që na intereson më pak. A nuk rendim me vrap te shoku dhe miku për të gjetur punë, për të fituar një të drejtë, që na e jep ligji dhe nuk shkojmë në zyrën e shtetit, sepse Maliqi është më i fortë se ligji? Por mungesa e rregullit dhe dëshirës për zbatimin ë ligjit shprehet gjithandej,duke filluar nga gjerat më të thjeshta. Shikoni si zbatohen rregullat ë qarkullimit. Shikoni si nuk kalojmë te vijat e bardha, të cilat shpesh nuk duken ( edhe kjo është mungesë vullnetit për rregull dhe korrupsion). Shikoni si parakalojmë te semaforët. Njerëz dhe makina. Shikoni po deshët në Bulevardin “Dëshmorët e kombit” si lëvizin makinat si një tufë mushkash, pa rregull, pa rreshta, sepse edhe bulevardi duhet ndarë në korsi, të cilat mungojnë. Shikoni semaforët si sy të verbër, që një herë punojnë ë një herë s’punojnë.Kjo edhe në mes të Tiranës, pa le në qytetet e tjera, që nuk ka fare semaforë! (dhe ky është një turp tjetër) Dhe guxojnë e thonë “burrat e politikës” në qendër e në rrethe jemi një vend turistik i lakmuar.ose “e bukura e dheut” (siç tallej kryeministri i larguar më 23 qershor të 2013-ës)..për shkak se kanalet e ujrave të zeza derdhen në det!..Për shkak se qeskat dhe shishet plastike e gjithfarë kanoçesh flaken ku të munden, nëpër brigjet ë lumenjve dhe detit, shpesh pranë hoteleve “gjeneralë” me 3,4 ose 5 yje që i vendos pronari i hotelit vet, si të dojë. (duhet falenderuar me këtë rast ministria e Mbrojtjes që na pastroi territorin,por dhe na “tupëroi” se na nxori zbuluar ne, kampionëve të turizmit!..) Vëreni pushtetarët lokalë e qendrorë,që, pasi hanë e pinë nëpër lokale të ashtuquajtur të zgjedhur, nuk e shohin që pas rrethimit të hotelit është mali me plehra. Por asnjë gjobë për ndotjen e mjedisit ose gjoba qesharake. Miqësia, shoqëria,qyli, dallaverat mbulojnë gjithçka.

            Ë dyta:Ne nuk po bëjmë dot shtet pas përmbysjes së socializmit(ata që ë ideuan dhe e ndërtuan  nuk e quanin komunizëm) sepse në pushtet, ndryshe nga shumë vende të lindjes, erdhën njerëz pa përvojë shtetdrejtimi, shpesh aventurierë e servilë të pushtetit të vjetër, ca ish-pedagogë arrivistë të mjekësisë , ca të  instituteve të tjera të përkëdhelur, si ai i Arteve, ca “adoleshentë të rritur” që shteti u dukej si një shfaqje komedie, kurse shteti është i rëndë si një dramë.

            Erdhën në pushtet ata që nuk ë kishin parë as në ëndërr se një ditë do të merrnin çelsat e shtetit: gjithfarë njerëzish me defekte morale e karakteriale, ish-shërbëtorë sahanlëpires të nomenklaturës, njerëz të paformuar e të papërgjegjshëm, hipokritë. Mbi të gjitha, siç u vërtetua më vonë,njerëz që, në instancë të fundit, nuk ë donin Shqipërinë, të tillë si Berisha, Pashko, Pollo, Imami, Meksi etj. Le të bëjmë krahasim me ish- Jugosllavinë pët t’u bindur për këtë. Pa dallim në të gjitha republikat e saj, tranzicioni ishte më gradual, më i butë dhe u udhëhoq  nga politikanë të njohur, me stazh dhe jo nga kalamaj apo aventurierë që shanin rrugëve “komunizmin” dhe bashkë me rrëzimin e tij (në fakt vetrrëzimin) shkatërruan edhe “Shqipërinë komuniste” dhe vranë konceptin për shtetin, duke mbjellë anarkinë që vazhdon edhe sot ë kësaj dite. Në përgjithësi, në republikat ish-jugosllave erdhën në pushtet ish-politikanë të regjimit të vjetër, ish-komunistë me ofiqe të larta, njerëz të pjekur si Alija Izebegoviç në Bosnjë-Hercegovinë, Franjo Tuxhman në Kroaci, në Maqedoni K.Gligorov, në Serbi Milosheviçi etj.  Për të mos vazhduar më gjatë me Rusinë e Jelcinit, me Rumaninë etj. Këta të gjithë ishin komunistë, që përkrahën ndryshimin e regjimit, që nuk ishin demokratë të mirëfilltë, por ama ishin të përgjegjshëm dhe sidomos patriotë, Ata i deshën vendet e tyre. Në asnjë vend ish-socialist nuk u shkatërrua e u dog apo u vodhj prona kolektive, që ishte pasuri kombëtare, si në Shqipëri, Haraç që po e paguajnë edhe sot shqiptarët. Shtet nuk mund të bëjë kushdo, edhe kur ka ca cilësi të nevojshme. Shtet mund të bëjnë njerëz të përgjegjshëm, që e duan vendin e tyre. Pra, shtetin e bëjnë politikanët atdhetarë. Kur te vine ata, do te kemi shtetin qe na duhet.

Botuar ne gazeten SOT,date 5.04. 2014

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου