Παρασκευή 6 Ιουνίου 2014

PSE ATAKOHET REFORMA NE ARSIMIN E LARTE?



            PSE ATAKOHET REFORMA NË ARSIMIN E LARTË?



                                    Nga Petrit Qejvani



            As që pritej që reforma në arsimin ë lartë të mos shkaktonte debate, miratime dhe mospëlqime të ndryshme nga aktorë të ndryshëm, që lidhen drejtpërdrejt me pasojat e jetësimit të kësaj reforme. E rëndësishne do të ishte që debati të bëhej mbi parime e jo vetëm mbi interesa. Pasi jo gjithmonë parimet përputhen me interesat. Sidomos në momente të tilla siç është shoqëria jonë sot, kur interesat dominojnë mbi parimet, ndonëse shpesh mbulohen me parime.

            Por a është e nvojshme kjo reformë? Dhe pse i kundërvihen asaj? Dhe kush? Duke i dëgjuar shumë diskutime duket se kundërshtimi ka devijuar nga rrafshi  akademik dhe  ka anuar nga aspekti financiar, pra, nga paraja. Unë besoj se shumica e shqiptarëve do të ishin dakord për reformimin e arsimit të lartë për ta bërë më kompetitiv me atë të vendeve të tjera, më thjesht, për ta bërë të barazvlefshëm me to. Pra, forcimi cilësor i dijedhënies dhe dijemarrjes, që do të thotë rritje cilësore e produktit universitar, që konsiston në rritjen e nivelit akademik të trupës mësimore dhe të kërkesave ndaj studentëve si domosdoshmëri për një brez të ri me formim solid, të gatshëm për ndërtimin e një Shqipërie europiane të shekullit XXI.

            Pra, cdo reformë ka objektivat e veta, midis të cilëve njeri është themelor. Kurse në rastin tonë (pershkak të korrupsionit të përhapur gjerësisht) objektivi themelor lidhet me një objektiv tjetër, kësaj here moral, siç është lufta kundër korrupsionit edhe në këta “tempuj” të dijes, që fatkeqësisht janë pushtuar, si kudo, nga “djalli” i korrupsionit. Dhe kjo e kompromenton edhe prodhimin e këtyre institucioneve të dijes, ku informaliteti dhe skarciteti janë në nivele shqetësuese. Pikërisht për këtë shkak reforma do ndeshte në rezistencën e stafeve akademike të universitetve, flmuri ‘shpëtimtar” i të cilëve do të ishte autonomia.

            Pra reformës i kundërvihet korrupsioni, i cili, në universitete mbulohet lehtë me një mantel akademik. Dhe prandaj lufta ndaj tij këtu është e vështirë. Për këtë arsye qeveria duhet të jetë e hapur dhe e vendosur ne synimet e reformës së ndërmarrë prej saj.

            Vet kryeministri Rama para se të vinte në pushtet e pati ngritur me forcë faktin që universtetet tona janë kthyer në “fabrika të prodhimit” të diplomave false.. Dhe kishte të drejtë. Ashtu siç ka të derjtë sot të kërkojë nëpërmjet reformës në arsimin e lartë, kthimin e këtyre”fabrikave” diplomaprodhuese në funksionin e tyre natyral: dhënien e diplomave me meritë.

            Pra, universitetet duhet të kthehen nga “zyra “ të shitjes së dijes në tempuj të dhënies së dijes. Mirëpo këto ditë kryeministri deklaroi shtyrjen e reformës për më von. Kjo deklaratë e Ramës u komentua në një të përditshme si dështim i reformës, pra, edhe i qeverisë. Dhe jepeshin edhe disa arsyetime, sipas të cilave, kjo reformë ishte paralajmëruar për të dështuar. Sidomos pas protestës së një grupi studentësh, që vinte fill pas kudërshtimit të saj prej rektorit të universitetit të Tiranës dhe senatit të tij. Pra, studentët ishin të manipuluar. Sigurisht, që reforma ka çështje të diskutueshme, pasi nuk ka asnjë reformë 100% të pranueshme. Pasi nuk ka reforma të përsosura dhe shteruese, sepse kështu do mohohej zhvillimi. Pra,nuk ka një reformë për të mbyllur të gjitha reformat!

            Por unë mendoj se zoti Rama nuk ka hequr dorë prej reformës në arsimin e lartë. Ai, sipas meje, përkohësisht e ka stopuar atë, më tepër si taktikë për të evituar  shtimin e zhurmave të panevojshme ( në mos po të ndonjë greve tjetër “urie”!?), tani në prag të marrjes së vendimit për statusin e vendit kandidat nga BE. Me këtë rast Rama i ka dhënë kohë vetes dhe qeverisë. Ndërkaq vërejtje dhe mendime të ndryshme ë të kundërta do të ketë sërish. Kjo është normale. Por autonomia e universiteteve nuk mund të jetë autonomi pa kufi, qoftë në planin akademik, kurrikular, e, sidomos, në atë financiar, menaxherial.

            Në universitetet tona ka shumëçka për të ndryshuar, qoftë si proces dijedhënës e dijemarrës, qoftë si menaxhim e administrim financiar. Pra, në këtë rast, vështirësia qëndron në planin moral. Kjo është pengesa kryesore e reformës, baza e rezistencës, e kundërvënies ndaj saj. Për fat të keq, universitetet tona (sidomos ato publike) janë kthyer në tregje ku dijedhënia dhe dijefitimi janë shndërruar në dijeshitje dhe dijeblerje. Pra, janë përmbysur raportet natyrale në marrëdhënien thelbësore pedagog-student, ku pedagogu është bërë shitësi dhe stdudenti blerësi. Dhe këtu s’po themi ndonjë gjë të re, veç po i emërtojmë gjërat me emrin ë përshtatshëm…Të gjithë universitetet publike po funksionojnë si ndrrmarrje të paregjistuara në tatime. Kurse rektorët janë pronarët e vërtetë të tyre. Natyrisht, ata nuk merren drejpërdrejt me studentët (këtë ua kanë lënë pedagogëve)  nuk turpërohen me 5mijë apo 10 mijë lek të reja, që marrin ata për çdo student, por me 10 mijë euro e lart për çdo vend pune për pedagogët e rinj. Shto këtu dhe fondet për projekte, djeta e udhëtime “turistike”, të bëra e të pabëra, që i ndajnë e shpërndajnë sipas tarafeve dhe qejfeve të tyre…

            Siç shihet dhe dihet universitetet janë kthyer në tregje informale me pedagogë që shesin nota dhe rektorë që shesin vende pune. Dhe ky treg funksionon për bukuri sipas kërkesës dhe ofertës! Ka blerës që duan diploma të shkollës së lartë, prandaj ka dhe shitës së këtyre diplomave. Ka pedagogë, që duan vende pune në universitet, prandaj ka dhe shitës ( rektorë) të veneve të punës

            Prandaj dhe rezistenca më e madhe dhe kundërshtimi kryesor i reformës është pikërisht për menaxherin dhe administratorin e qeverisë( ministrisë) dhe jo për anën kryesore , atë të përmbajtjes dhe kurrikulës, të procesit akademik, çka normalisht duhet të ishte fusha kryesore e debatit. Pra. duan t’i shpëtojnë kontrollit shtetëror në përdorimin e fondeve publike apo dhe të atyre që vijnë nga tarifat e studentëve. Sepse janë mësuar me abuzime. Këtu duhet të godasë fort reforma, këtu duhet të mos tërhiqet Rama.Sigurisht, ka probleme të shpërndarjes së këtyre fondeve në mënyrë përpjestimore midis departamenteve, sipas efektivitetit dhe kontributit që sjellin, jo patjetër material, por edhe intelektual ( këtu e kam fjalën për shkencat e edukimit e ato të albanologjisë, kaq të nevojshme në kuadër të integrimit e globalizimit), pasi ato pasqyrojnë identitetin tonë.

            Por një gjë duhet të jetë e qartë: gjersa qeveria është financuesi kryesor i universiteteve, ajo nuk mund të zhvishet nga e drejta për të ditur ku shkojnë dhe si përdoren paratë e taksapaguesve shqiptarë. Veç, këtu qeveria duhet të gjejë të tillë mekanizma që ta bëjnë sa më të besueshëm e objektiv menaxhimin e këtyre parave. Këtu s’është vendi për detaje, por këto mekanizma duhet të jenë gardianë të shpërdorimeve të mundshme. Ndërsa shkalla e autonomisë është normale të varet nga shkalla e aftësisë financiare të institucionit për të përballuar vet pagat e personeli akademik dhe burokratik si dhe të projekteve të ndryshme Nëse i kërkon lekë qeverisë, qeveria duhet të dijë dhe si harxhohen ato.

            Autonomia është dhe duhet të jetë në përpjestim me aftësinë “vetqeverisëse” të universiteteve. Pikërisht se autonomia financiare është thembra e Akilit e universiteteve, prandaj dhe është pika më e nxehtë e debatit të tanishëm. Për këtë arsye çdo kujdes apo kontroll i qeverisë mbi të shkakton nervozizëm te kupola e universiteteve, Dhe kjo tregon se objektivi themelor i reformës, që është ngritja e nivelit të stafeve akademike në nivelin e vandeve të përparuara, modernizimi i procesit dijedhënës e dijemarrës dhe përgatitja e brezit të europianëve të nesërm shqiptarë, nuk mund të bëhet pa luftën kundër korrupsionit moral në universitete, që është në thelb korrupsioni material. Dhe kjo nuk lidhet doemos me nivelin shkencor të stafit akademik. Se jeta po provon që edhe profesorë të vërtetë vendosin nota (kjo është më e lehta) dhe firmosin edhe doktoratura pa asnjë vlerë për hir të…parasë!

             Si kudo në shoqërinë tonë, për të patur një ngritje të përgjithshme (në çdo sektor) duhet më parë një ngritje morale. Në shoqërinë tonë beteja kryesore është beteja brenda vetes, është beteja morale.Gjer tani ne ë kemi humbur atë. Pa fituar atë, cdo betejë tjetër ose çdo reformë, është e dështuar që në nisje.Kjo është kryereforma. Nëse arrin të bëjë këtë, Edi Rama i ka bërë të gjitha reformat!

Botuar ne gazeten "Shekulli" date 6.06.2014

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου