Κυριακή 9 Φεβρουαρίου 2014

NJE LAMTUMIRE SI NJE KONCERT IKJA E VACE ZELES



                        NJË LAMTUMIRË SI NJË KONCERT IKJA E VAÇE ZELËS



                                                                        Nga Petrit Qejvani



            Vaçe Zela mbylli sytë përgjithmonë. Ajo nuk është më mes nesh. Iku në botën tjetër, atje ku shkojnë të gjithë kur mbyllin llogaritë me këtë botë. Në botën ku sovraniteti i qënies së ndryshuar bëhet i paprekshëm nga të gjallët grindavecë. Vaçe Zela, si çdo ikonë është tashmë lart në qiell, sa ç’është e qetë dhe e pacënueshme dhe në tokë.

            Ceremonia e homazheve për të ishte një ceremoni e përmortshme që nuk kishte mort. Një arkivol dhe një mal me lule si mirënjohje për atë, që nuk do të shuhet kurrë. Ajo lindi për të mos vdekur, siç lindin të mëdhenjtë e çdo gjëje. Ajo lindi për të mbetur përjetësisht këtu, nën këtë qiell e në këtë qiell, si frymë e transformuar në këngë.

            Vaçe Zela ishte e tëra një këngë madhështore, një jehonë gjigande, që do të ushtojë në përjetësi, herë e butë dhe delikate si flladi i pranverës, kur i këndon dashurisë, herë e rëndë dhe epike, kur i këndon atdheut, revolucionit, socializmit. Zeri i saj shtrihet nga ritmet e lehta te marshet revolucionare, te kantatat dhe himnet që i ngre Shqipërisë, sidoqoftë ajo, e lirë apo e izoluar, sepse është përherë atdheu i saj, shpirti i saj. Vaçe Zela i këndoi me një zë dhe pasion të rrallë Shqiperise si te ishte vendi më i madh dhe më i bukuri botës. Por keshtu mund te kendohet per atdheun. Dhe jo se nuk e kuptonte ku jetonte, por se me instinktin e artistes së madhe e dinte mirëfilli se kënga ishte balsam për shpirtin, se kënga thoshte shpesh atë që nuk e thotë dot thjesht fjala, se ajo ësht mjeti që zbut, zbukuron e shëron plagët e shpirtit.

            Ka në këngët e Vaçe Zelës dlirësi, dhembje, dinjitet, solemnitet, dashuri. Dhe të gjitha këto i mbështjell me një autoritet të padiskutueshëm profesional. Ka mbi të gjitha një dritë që buron së brendshmi, ka vrull që të jep krahë dhe forcë që të mos biesh, të mos jepesh, që vjen si drithërimë dhe valë-valë si një vals madhështor, që të pushton shpirtin, të ngroh zemrën dhe të bën më të mirë. Eshte efekti i artit te vertete. Ajo ceremoni mortore i ngjante më tepër një koncerti me këngë, ku e vdekura e pavdekshme këndonte e dëgjonte edhe vet efektet e zërit të saj. Zëri i saj i magjishën në sfond çuditërisht nuk të bënte të përloteshe, gati harroje se ishe në mort. Duke dëgjuar këngët e saj, me siguri të gjithë këndonin nën zë bashkë me të. Kishte vetëm lule dhe muzikë.Tamam si një koncert. Ndërsa proza “poetike” e politikës as u ndie fare, ashtu si prezenca e politikanëve, që dukej krejt e huaj dhe artificiale. Dhe s’ka vdekje më “të bukur” (meqë ajo është e paevitueshme) se vdekja ë një këngëtari të madh (këngëtareje të madhe), që përcillet  në banesën e fundit me këngët  e saj. Është një përqeshje e vdekjes, një mundje e saj. Është privilegj i madh të jesh artist ( i madh), sidomos këngëtar, pasi vdekja bëhet më e lehtë, bile “harrohet” nën zërin dhe tingujt magjepsës. Dhe vërtet. kjo vdekje pati shumë pak zi, një zi të ndritshme si drita e diamantëve të zinj, diskrete, delikate, të kristaltë, qetësuese , melankolike. Por jo dëshpëruese. Kishte më tepër një trishtim të lehtë, gati aristokratik, sepse kënga, edhe kur është elegjiake, është ngritje mbi dhembjen, mbi të keqen. Është supremaci dhe dominim mbi ligështimin, mbi thyerjen, mbi deshpërimin. Kënga është në fund të fundit një triumf. Dhe këngëtari i madh një triumfator, një fitimtar i përjetshëm. Siç ishte dhe Vaçja jonë, siç është dhe Vaçja jonë, siç do të jetë dhe Vaçja jonë. Vaçja e madhe e një vendi të vogël, Vaçja e lirë e një vendi të izoluar. Por ajo bëri me te miren për kohën dhe vendin e saj. Këndoi me gjithë fuqinë e shpirtit për gjithçka: për dashurinë, për femjën e parë, për gjyshen, për motrat ilegale, për partizanët çlirimtarë, për atdheun e dashur, për “Lulëkuqen” dhe i këndoi të gjitha këto me art të madh.

            Qe më e madhja midis të mëdhenjve të tjerë te kenges, sepse i këndoi të gjitha zhanret e gjinisë së këngës, që nga këngët mirëfilli të lehta, xhazi, baladat, këngët popullore, kantatat solemne e deri te marshet revolucionare. Dhe, pavarësisht tematikës dhe ideve, i këndoi me dinjitet profesional, duke ua shtuar vlerat. Këndoi dhe për Partinë e Punës, për socializmin, sepse arti është i pandarë nga koha . Dhe kjo duhet thënë, por nuk e cenon aspak talentin e rrallë të saj.

            Zëri i saj delikat, drithërues  e lirik në këngët e dashurisë befas monumentalizohet në kantatat revolucionare, në baladat e ndryshme. Një zë i madh tregohet pikërisht  te kontrastet dhe shkalla e regjistrit.Te ngrohtesia e pastertia e timbrit. Dhe ajo i kishte të gjitha. Pikërisht këndimi i një spektri kaq të gjerë këngësh nga muzika e lehtë ritmike te marshet luftarake tregon potencën vokale të saj, magjinë e zërit,vibrimin e rrallë, ngrohtësinë dhe gjerësinë  e të kënduarit me gjoks  dhe kthjelltësinë e kristaltë të zërit të impostuar. Kjo ishte Vaçja jonë e madhe, e cila, po të ishte lindur dhe formuar artistikisht në një kontekst tjetër politik dhe shoqëror, do të ishte me famë botërore. Por ky ishte fati i saj, siç ishte dhe fati ynë, i ne të gjithëve. Prandaj  shpesh fatet e artistëve të vërtetë janë të njëjtë me fatet e popullit të tyre. Prandaj ata i do populli, prandaj ata janë të pavdekshëm. Sepse i pavdekshëm është populli në gjirin e të cilëve ata lindin, rriten dhe lulëzojnë.

            Vaçja ishte dhe mbeti një legjendë. Ajo kishte fituar me meritë me kohë statusin e artistes së madhe dhe vlerësimet e merituara. Me sa duket regjimi dhe talenti dinë të bëjnë edhe kompromise. Por Vaçe Zela nuk bëri kurrë lëshime në kurriz të talentit. Le të kujtojmë se askush nuk do të guxonte të linte këngën në mes  dhe të dilte në mënyrë demostrative nga skena, siç bëri ajo për një pasaktësi teknike, duke sugjestionuar sallën e mbushur plot. Dhe ku? Në aktivitetin më të rëndësishëm muzikor në RTSH! Dhe kur? Në Diktaturë! Kjo dëshmon se ajo ishte nga të rrallët artistë, në mos e vetmja, që kishte fituar lirinë, kur të tjerëve iu qe refuzuar.             Faleminderit Vaçe Zela që na e zbukurove dhe ëmbëlsove jetën tonë në çaste të hidhura, që na bëre të ëndërrojmë dhe të harrojmë realitetin, të cilit i mungonte drita e këngëve të tua! Që na ndihmove të zbehej  dëshpërimi dhe rënia morale.

            Ti ishe një institucion i madh shpirtëror për ne. Kaq e vërtetë është kjo,saqë vdekja jote i errësoi të gjithë politikanët, që u munduan të të bëjnë homazh me fjalë të kërkuara, por të zbehta para teje dhe emrit tënd. Ishte hera e parë që politikanët u dukën aq të vegjël, aq të pavlerë, aq të shpërfillur nga populli. Ti i çvlerësove ata edhe duke ikur…Dhe mendoj se ndoshta për herë të parë  e kanë ndjerë veten të vegjël dhe kanë imagjinuar për disa caste se sa e vogël do jetë vdekja e tyre, se sa pak popullore do te jetë ajo. Dhe duhet të jenë treguar edhe “xhelozë” për madhështinë e vdekjes tënde. Dhe ndoshta për pak çaste e kanë kuptuar se pushteti politik, që përgjithësisht është një pushtet i imponuar, është shumë më jetëshkurtër se pushteti i fituar nga epërsia shpirtërore, nga talenti dhe nga e mira…Sepse për politikanët nuk do të ketë dhembje dhe dhe respekt të përmasave të tilla. Ata mund të kenë shumë njerëz të rreshtuar, protokoll pompoz me policë e ushtarë, do  të vendosen në shtrat topi me shirita kuq e blu, me dekorata e urdhëra të vendosura në jastëkë, me shirita të zinj , me zi kombëtare, me të shtëna topi  apo batare automatikësh. Por gjithë kjo rekuizitë protokollare  dhe këto gjëmime armësh do të jenë një hiç para jehones se këngëve të tua, para “Valsit "tend" të lumturisë”. Sepse ti i takon gjithë popullit. U prehsh në paqe Vace Zela!

Publikuar ne gazeten "Shekulli" online date 13.02.2014 
Botuar ne gazeten DITA 16.02.2014


Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου