Κυριακή 23 Φεβρουαρίου 2014

NJE PROKUROR I HUAJ PER 21 JANARIN?! CFARE ZHGENJIMI!



NJË PROKUROR I HUAJ PËR 21 JANARIN DHE KORRUPSIONIN?! ÇFARË ZHGËNJIMI!

                                                            Nga Petrit Qejvani



            Para disa muajsh kam botuar në një të përditshme  shkrimin me titull:”A i duhet Shqipërisë një EULEX?” ku shprehja dyshimin tim nëse do te rihapeshin dosjet ë mëdha të 21 janarit, të Gërdecit apo ajo e Rrugës se Kombit, si dosjet më të bujshme të qeverisë Berisha. Dhe nuk vonoi dhe dyshimin tim e konfirmoi shefi i shumicës dhe kryeministri i vendit Edi Rma. Dhe, sigurisht që nuk u gëzova, siç ndodh zakonisht kur një parashikim yti del. Përkundrazi.

            Në replikën drejtuar kryetarit shpirtëror  dhe real të opzitës Sali Berisha në një nga seancat ë fundit të Kuvendit (pikërisht më 20 shkurt) ku ai i ra me “top” qeverisë dhe personalisht kryeministrit, siç bën gjithmonë, Edi Rama iu përgjigj se për ato që ke bërë ti e ke vendin para drejtësisë, por ata janë njerëzit e tu në gjithë sistemin dhe prandaj sillesh kështu. Por ne do marrim prokuror të huaj për ty! Ndonëse ky dukej si një kërcënim, nuk kishte gjë më zhgënjyese dhe dëshpëruese dhe së bashku me pikëllimin që më shkaktoi kjo deklaratë më erdhi keq edhe për kryeministrin e pafuqishëm të 1 milion votave apo shuplakave, siç i pëlqen të shprehet shpesh kryeministri aktual, kur i drejtohet opozitës për të treguar votën e madhe popullore  me të cilën erdhi në pushtet.

            Një përgjigje ë tillë nuk e di pse më shtyu pas në fëmijërinë tonë kur, në pamundësi t’i përgjigjeshim siç duhej dikujt nga lagjia tjetër, që na kishte rrahur se ishte më i fuqishëm ose më i madh, “ e kërcënonim” duke i thënë :“mirë, mirë, po do ta shohësh nga kushëriri im, që do t’i thyejë hundët, kur të kalosh nga lagjia jonë!”...Nëse atë kohë e kujtoj me nostalgji, kjo e kryeministrit më ben te ndihem keq, më revolton. Qeveria e pafuqishme të luftojë të keqen, kur populli ia dha gjithë fuqinë e nevojshme  dhe instrumentet që burojnë prej saj të luftojë të keqen, kudo ajo është shfaqur në trupin e shtetit?! Populli pikërisht për këtë ia dha votën me shumicë.Dhe kryeministri për këtë e kërkoi votën popullore në fushatën elektorale.

            Atëhere pse flet kështu kryeministri? Nuk e dinte ai ç’drejtësi do të trashëgonte nga pushteti abuziv dhe i inkriminuar i Berishës? Nuk e dinte çfarë Shqipërie do të gjente kur të ikte Berisha nga qeveria, (jo nga pushteti) pasi ai ka pushtuar, jo kapur,  me  njerëzit e tij, disa institucione kyçe të pushtetit,duke filluar nga Prokuroria e Përgjithme, gjykatat e të gjitha niveleve, ShISh-i, ILKDP-ja, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, KLSh-ja deri te presidenti i Republikës? Prandaj Berisha tallet në Kuvend the i thotë : çoji dosjet në prokurori, unë jam i hapur për hetime. Pa llogaritur këtu shumicën e administratës shtetërore të uzurpuar nga militantët ë PD-së, të ardhur pa konkurse në zyrat e shtetit. Pra, një qeveri ë “rrethuar” nga pushteti i opozitës. Veçanërisht nga një drejtësi tërësisht e degjeneruar, e korruptuar deri në palcë, e cila jo vetëm nuk lufton krimin, por është aleate dhe protektore e tij.

            Atëhere ç’duhet të bëjë  shumica për ta “çliruar “ drejtësinë nga korrupsioni? Me deklarata, me fjalë, me replika në parlament? Kësaj i thonë “fjalë imzot, fjalë..” Me reforma, do thonë “reformatorët e mëdhenj”. Por ç’do të thotë kjo? Ligje, ndryshime ligjore? I bëni, ç’prisni! Por dhe i bëtë, kush do t’i zbatojë ato? Kjo trupë prokurorësh dhe gjyqtarësh të inkriminuar, që nuk ë ka vullnetin të ndëshkojë krimin dhe korrupsionin me kollare? Që qeveria çon dosje dhe ajo nuk denjon as t’i hapë? Kur provat janë sa një mal dhe ajo thotë “s’ka prova?” Atëhere qeveria duhet të dorëzohet dhe t’i lërë ish-qeveritarët hajdutë dhe vrasës të bëjnë spektakle në Kuvend? Të gëzojnë pasuritë e grabitura këtij populli të varfër?

            E ç’duhej vota e 23 qershorit pastaj, kur ajo nuk përkthehet në ligje dhe veprime ndëshkuese për ata që kanë bërë një mijë e një horllëqe, shkelje ligji, shitje e grabitje të pasurisë kombëtare, duke e nxjerrë Shqipërinë në anakand, si ta kishin pronë të babait? Apo thjesht 23 qershori ishte  zëvendësimi i disa njerëzve në qeveri me disa të tjerë  me “ngjyrë “ tjetër?

            Shumica duhet të mbajë premtimet. Dhe kryepremtimi është ndëshkimi i korrupsionit  epidemik të qeverisë së përzënë nga populli më 23 qershor. Sigurisht që nuk është aspak e lehtë të ndëshkosh krimin dhe korrupsionin, kur ajo që duhet ta bënte  këtë, drejtësia , është vet e kriminalizuar. Atëhere duhet një vullnet i hekurt i qeverisë dhe shumicës për të bërë operacionin e nevojshëm pa shumë dilema në drejtësi,siç kam nënvizuar në disa shkrime të miat me këtë temë. Jemi në një situatë bllokuese  në të cilën drejtësia kompromenton çdo nismë antikorrupsion të qeverisë, duke bërë nul çdo përpjekje të qeverisë për ndryshimin ë gjëndjes. Ndërkohë që korrupsioni i pandëshkuar pjell e nxit cdo ditë krimin në të gjithë territorin dhe në të gjitha format. Prandaj reagimi i qeverisë duhet të jetë i shpejtë, i prerë dhe i vendosur. Tamam si në një emergjencë. Sepse qeveria e mëparshme vërtet iku ma vota dhe  rotacioni u krye paqësisht, por nga përmasat dhe motivet ky nuk ishte një rotacion normal në demokraci. Ai ishte më tepër një revolucion elektoral, ose një “revolucion i bardhë”, pa gjak, në pamundësi për të qenë një revolucion i vërtetë.

            Shqipëria është në një situatë të tillë  në të cilën ajo ka nevojë jo thjesht për politikanë, për njerëz që kanë ide, por për burra shteti, për ata që realizojnë idetë. Sepse shpesh në politikë kanë më shumë efekt veprimet se idetë e parealizuata. Nëse qeveria ka drojë dhe heziton nga ndërkombëtarët, atehere le t’u drejtohet atyre me të drejtën e votës popullore, por edhe me të drejtën, që i japin raportet e ndërkombëtarëve që vet thonë se drejtësia është e korruptuar dhe se duhet të luftohet krimi i organizuar: Atehere zotërinj të Brukselit apo Washingtonit, si do luftohet korrupsioni, kur prokuroria nuk hap asnjë dosje për krimin dhe korrupsionin ë politikanëve ? E keni serizisht apo talleni me ne? Në këtë rast qeveria le të dorëzohet dhe të kërkojë një EULEX special për Shqipërinë. Është turp, por politikanët shqiptarë e kenë ngrënë turpin me bukë. Kryeministri tha se do kërkojë një prokuror te huaj për 21 janarin dhe korrupsionin. Por kjo nuk mjafton. S’ka ç’bën një prokuror i vetëm këtu, i cili, edhe më i zoti në botë të jetë, s’ka si legjitimohet dhe as pranohet nga opozita, domethënë Berisha.( të mos harrojmë se edhe për çështjen "Hajdari" Berisha nuk e pranoi idenë e një prokurori të huaj),pa le tani që kërkohet për atë vet. Prandaj nuk është zgjidhje as kjo. Pas prokurorit duhet edhe një gjykatë e huaj në të gjitha shkallët e gjykimit, që të japë drejtësi, sepse gjykatat shqiptare (të Berishës) e rrëzojnë si të pabazuar akuzën sic kane bere deri tani, e kështu ku ishim? Asgjëkundi. Prandaj dhe kjo deklaratë e kryeministrit është më tepër një shprehje pamundësie dhe dëshpërimi e momentit.

            Pas deklaratës së kryeministrit për një prokuror të huaj janë shprehur edhe një shoqatë avokatësh për nevojën e gjyqtarëve të huaj si dhe një ish titullar i SHISH-it se duhen hetues të huaj .Pra, praktikisht kërkohet  krejt zinxhiri i organeve të drejtësisë. Në këtë rrethane duhet një sistem i tërë drejtësie të “importohet”, gjë kjo e pamundur me statusin aktual që ka Shqipëria si shtet i pavarur dhe sovran.

            Ka vetëm një shans: t’i kërkohet Brukselit një EULEX special, siç kam sugjeruar në shkrimin tim të lartpërmendur, për turpin e politikanëve tanë, që nuk bëjnë dot shtet. Kjo do të thotë që parktikisht Shqipëria të bëjë një hap prapa (gjë e pandodhur deri tani) dhe Brukseli t’i kufizojë sovranitetin si shtet dhe qeveri.

            Po të vazhdojë kështu ( dhe gjasat janë të tilla) Shqipëria duhet të jetë për shumë vite jo nën monitorimin e ndërkombëtarëve si deri tani. por nën regjimin e një sovraniteti të kufizuar ( jo si ai i Brezhnjevit, sigurisht)  të qeversë europiane të Brukselit! Për fat të keq tonin dhe për turp të politikanëve tanë karagjozë. Por duhet.Që të bëhemi shtet.

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου