Παρασκευή 29 Μαρτίου 2013

NJË ORË GJEOGRAFIE




                                                                       
                                                                                    
           
            Kishte rënë zilja paralajmëruese e orës së mësimit, kur mësuesi veteran i gjeografisë iu drejtua kolegut të vet Kristos, në fund të korridorit të katit të dytë, edhe ky mësues i historisë dhe gjeografisë, që përgjigjej  për kabinetin e hartave : Më jep shpejt një hartë se do vijë për kontroll dejtori këtë orë tek unë! Kristo i hodhi tjetrit një shikim sa pyetës aq dhe qortues. Zakonisht drejtori e thoshte planin e kontrollit dhjetë minuta para fillimit të orës së mësimit, pra sapo mbaronte  një orë  mësimi, domethënë në intervalet midis orëve të mësimit, që mësuesi të merrte masat, sidomos të përgatiste bazën materiale dhe mjetet e nevojshme për atë orë mësimi, t’i çonte në klasë ato në mënyrë që gjithçka të ishte gati për orën e mësimit. Por kjo mënyrë njoftimi kishte brenda edhe befasinë për t’i kapur në gabime mësuesit, sidomos në pasqyrimin e përgatitjes ditore me shkrim, një bezdi jo e vogël kjo edhe për mësuesit e rregullt, pale për ata neglizhentë, të cilët mund të linin ndonjë orë mangut në fletoren e përgatitjes ditore apo ditarit, siç thuhej shkurt.
            Kështuqë mësuesi veteran i gjegrafisë, që shquhej për vigjilencë politike dhe ideologjike, por nuk shkëlqente në zotërimin e lëndës që jepte, i kërkoi me ngut kolegut të vet një hartë, që do të shërbente  për ilustrimin e mësimit të ri. Kristo, intrasigjent në punë, e pyeti se ç’hartë donte, pasi nuk mund t’i jepte një hartë kuturu… Ndërkaq drejtori u shfaq  në skajin tjetër të korridorit, serioz dhe me bllokun  e zi të shënimeve në dorë, para klasës ku do të zhvillohej ora e gjeografisë.
            Kjo e alarmoi mësuesin veteran , i cili i tha kolegut, që po kërkonte në grumbullin e hartave: një hartë  të Azisë, se po pret drejtori te dera...Mirëpo hartat ishin rrëmujë për shkak të restaurimit të kabinetit dhe sistemimit të tij dhe duhej më tepër kohë për të gjetur hartën e duhur.  Por mësuesi veteran, që nuk e dinte se do t’i vinte drejtori për kontroll dhe pak vrarëmendës siç ishte, s’e kishte vënë ujin në zjarr më parë. Tjetri kapte një hartë, e shikonte, e linte atë dhe shikonte një tjetër, por s’po  e gjente të duhurën. Atë hartën pas derës, i tha  mësuesi veteran gjithë inat kolegut. E kam lënë qysh dje. Po ato janë përzier, iu përgjigj mësues Kristo, se po e sistemoj kabinetin. Ë njoh unë, ngulmoi mësuesi veteran, ajo është. Shpejt, se po bie zilja dhe drejtori po më pret mua…Kristo, i vënë në siklet, rrëmbeu një hartë  të rrëzuar pas derës, të mbedhura kutullaç dhe ia zgjati. Me hartën e mbledhur, me regjistrin në njërën dorë dhe me çantën në dorën tjetër, mësuesi shpejtoi drejt klasës ku kishte mësim dhe ku e priste drejtori  autoritar, që nuk e fshihte nervozizmin.         
            Drejtori përpara dhe ai pas tij hynë në klasë. Nxënësit u çuan në këmbë, përshëndetën drejtorin dhe mësuesin duke thënë në kor mirëdita dhe, pas urdhërit të mësuesit, u ulën. Në klasë ra heshtja.Drejtori u ul në bangën e fundit, rreshti i mezit. E kishte zakon që, kur nervozohej, shtrëngonte nofullat, ku i dalloheshin muskujt  e tendosur në fytyrën e tij eshtake, si tani. Mësuesi veteran, ndonëse jo shumë i ndërgjegjshëm në orën e mësimit, alarmohej kur i shkonte në kontroll drejtori dhe çakordohej fare, duke e shthurur metodikisht orën e mësimit. Dhe para kujt? Jepi hakun, pikën më të fortë drejtori kishte përgatitjen metodike. Pasi mori mungesat nga kujdestari i klasës, mësuesi heshti për disa çaste, pastaj iu drejtua klasës: Sot besoj jeni përgatitur mirë, pasi kemi edhe miq si drejtori i shkollës, që ka ardhur të dëgjojë një orë mësimi në klasën tuaj, pasi jeni një klasë e mirë.
            Drejtori, një burrë thatim bjond, i rreptë dhe shumë energjik, i vëmendshëm si një gjahtar me përvojë në  gjetjen e gabimeve, u nxi në fytyrë nga kjo hyrje e tepruar në orën e mësimit dhe nuk iu durua: shoku mësues, nxënësit më njohin, filloni orën e mësimit! Kjo e hutoi krejtësisht mësuesin, i cili po i drejtonte klasës ca pyetje të hallakatura, që nuk merrej vesh ç’kërkonin. Më sill fletoren e ditarit, urdhëroi me ton të prerë drejtori. Mësuesi ia coi i prishur në fytyrë. Dorëzimi i ditarit në këto raste ishte një rregull. Nga kjo fillonte kontrolli.
            Në fillim të orës së mësmit mësuesi i drejtonte zakonisht klasës disa pyetje thelbësore për temën e kaluar dhe pastaj kalonte në kontrollin individual të nxënësve, që, si rregull, planifikoheshin dhe vlerësoheshin me notë. Por ky planifikim edhe mund të prishej, sipas situatave, që krijoheshin në klasë, të cilat nuk mund të parashikohen të gjitha. Mësuesi i drejtoi klasës  pyetje  të  tilla si ku ndodhet India, sa është numri popullsisë, ç’prodhon India , cilës race i përkasin indianët etj. Nxënësit më të mirë, si gjithmonë ngrinin dorën të përgjigjeshin dhe mësuesi miratonte përgjigjet e tyre, duke lëvizur sa nga e majta në të djathë të klasës, nga dera tek dritarja pranë katedrës, duke evituar shikimin e ngulur të drejtorit.
            Më pas ai ngriti në drrasë të zezë dy nxënës, duke i drejtuar pyetje secilit, me kushtin që, kur nuk përgjigjej njeri, përgjigjen duhet ta jepte tjetri, të cilit i ngrihej nota.
            Ndërsa po mbaronte kontrollin e njohurive u drejton nxënësve pyetjen: Kush di ndonjë gjë jashtë mësimit për Indinë? Klasa heshti. Si, nuk di asnjë, ndërhyri mësuesi për të nxitur klasën.
            Me leje, u ngrit një nxënës në bangën para drejtorit, filmi “Raxh Kapuri”. Gjithë klasa qeshi. Nxënësi kishte përmendur emrin  e personazhit kryesor dhe jo titullin e filmit. Kësaj radhe nuk rezistoi as drejtori hijerëndë, ndonëse u përpoq ta mbante të qeshurën. Ishte fjala për një film shumë popullor indian në ato vite me titullin “Vagabondi”, plot  aventura të këndshme dhe këngë, që shfaqej gjithandej në kinematë shqiptare. Domethënë, tha mësuesi, India ka dhe artistë të mirë, dhe ngriti gishtin tregues si për të theksuar se edhe kjo është e rëndësishme. Drejtori herëpashere diçka shënonte në bllokun e tij, ndërsa i hidhte sytë edhe fletores së përgatitjes ditore të mësuesit. Ai mbante shënime të imta për orën e mësimit dhe, në përgjithësi, ishte i saktë në vërejtjet që u bënte mësuesve. Deri këtu thuajse ora po rridhte normalisht, me gjithë pasigurinë metodike të mësuesit, sidomos pas cakordimit, që shkaktoi ndërhyrja e drejtorit në fillim të orës.
            Mësuesi, e kishte nisur karrierën në vitet e para pas çlirimit, me një kurs një vjeçar të përshpejtuar mbi shkollimin e detyruar 7-vjeçar. Ishte koha kur ndihej nevoja urgjente për mësues në kuadrin e luftës kundër analfabetizmit të qeverisë komuniste. Zakonisht, ai pasaktësitë shkencore-metodike i mbulonte me komente ideologjike, që  kërkoheshin shumë në orën e mësimit, ku përparësi kishte boshti ideologjik, që konkretizohej në  të ashtuquajturin aktualizim të mësimit dhe lidhjes së shkollës me jetën.
             Kështu kaloi gjysma e orës së mësimit. Mësuesi, pasi vlerësoi përgjigjet e nxënësve , nuk harroi të shtonte se nxënësit, edhe ata më të mirët, kishin harruar dicka të rëndësishme pa evidentuar, faktin që India kishte një parti komuniste të fortë, që po luftonte për vendosjen e socializmit në Indi...Kjo është e rëndësishme, tha mësuesi duke u avitur me shpinë te drrasa e zezë, se tregon që revolucioni socialist po e ngushton gjithnjë e më shumë hapësirën kapitaliste.Harta e Botës po bëhet gjithnjë e me shumë e kuqe, e mbylli ligjëratën entuziaste mësuesi.Tani kalojmë te mësimi i ri. Mori shkumësin dhe shënoi në dërrasë me shkronja kapitale Republika Popullore Kinës. Dhe e nënvizoi. U kthye nga klasa me fytyrë të ndricuar dhe plot siguri. E kishte marrë përfundimisht veten. Aq më shumë që tani ishte në terrenin e tij. Tema e re e mësimit të ofronte mundësi  për komente ideologjke, që ishin dhe arma e tij e preferuar. 
            Sot do shpjegoj një mësim shumë të bukur, apo jo, iu drejtua ai nxënësve, që befas u gjallëruan. Dhe, i qeshur në fytyrë, filloi të shpjegojë.Tha sipërfaqen dhe numrin e popullsisë së Kinës me një ton solemn, sikur të mos ishte në klasë duke shpjeguar, por diku në një miting.Tha se Kina është shteti më i madh në botë, se kinezët kanë shpikur letrën dhe busullën dhe nuk kanë frikë nga imperialistët amerikanë. Kaq patetik u bë sa, pas këtyre fjalëve, tha se Kinës i marrin të keqen armiqtë!..Drejtori u ngërdhesh, duke tundur kokën sa majtas, djathtas. Ndërsa për zhvillimin ekonomik ai përmendi vetëm faktin që ajo prodhon bomba bërthamore dhe se Mao Ce Duni ka thënë që  amerikanët janë tigra prej letre.     Këtu mësuesi u entuziazmua shumë dhe shtoi se shoku Enver dhe Mao Ce Duni janë shokë të ngushtë.
            I mbrojtur nga koraca ideologjike, si cdo herë, ai mendoi se edhe kësaj here drejtori do ta kishte të vështirë ta kritikonte për pasktësitë metodike dhe shkencore. Aq më tepër që drejtori nuk ishte as komunist. Ndërsa ai vet ishte një komunist i përjashtuar nga partia, po mik i partisë, sic ishte shprehur jo pa humor një funksionar i lartë lokal i partisë për të. Gjatë shpjegimit, me përjashtim të Pekinit dhe Shangait nuk përmendi asnjë qytet tjetër kinez dhe, si përforcim, e mbylli shpjegimin e mësimit të ri : Amerikanët nuk na bëjnë dot gjë, pasi na mbron Kina! Kështu ka thënë Mao Ce Duni, theksoi ai, megjithëse në tekstet e nxënësve nuk kishte agjë të tillë. Ai e mbingarkonte vet idelogjikisht tekstin.
            Ndërsa kishin mbetur pak minuta që të mbaronte ora e mësimit, u kujtua që nuk e kishte përdorur hartën. Shkoi te katedra dhe, me fytyrë nga klasa, pa e parë , e shpalosi hartën duke e vendosur në gozhdën që ishte në mur, mbi drrasën e zezë. Nxënësit shtangën. Drejtori  brofi nga vendi ku qe ulur dhe doli i nervozuar jashtë. Duke dalë i tha mësuesit: Të pres në drejtori pas mësimit! Klasa nuk pipëtinte. Mësuesi e kishte humbur fare dhe, pasi qëndroi disa caste i ngrirë para klasës pa e kuptuar  shkakun e largimit demostrativ të drejtorit , hodhi sytë nga drrasa e zezë, ku ishte shpalosur harta dhe qëndroi i përhumbur disa caste. Pastaj  shkoi te dritarja me duar të kryqëzuara nga pas dhe qëndroi derisa ra zilja.
            Në heshtje shkoi te katedra, mbylli regjistrin, mbështolli hartën  dhe doli pa u thënë “ditën e mirë” nxënësve, sic bënte zakonisht, ndërsa në sytë e fëmijve, më shumë se hutim, pasqyrohej keqardhja për mësuesin. Kur shkoi në drejtori, dejtori, pa e lënë të ulej, i tha: kam vetëm një pyetje: Pse kishe marrë hartën e Europës, kur do të shpjegoje Kinën? Dhe mësuesi iu përgjigj: Që t’u tregoja nxënësve se Kina nuk bie në Europë!.. Drejtori, i shokuar nga përgjigja e hatashme, pasi e vështroi disa caste mësuesin në sy, mbylli bllokun e shënimeve  i zbardhur krejt në fytyre dhe tha i kapitulluar : dil jashtë!
            Kishte bërë analizën më të shkurtër dhe më të cuditshme të karrierës së tij si drejtor shkolle...

RASTI “KUSHI” DHE NJË SHIKIM NDRYSHE



                                                                                    
            Menjëherë pas prezantimit të znj Evis Kushi si kandidate për deputete te PS-së nga kryetari Rama vjen një denoncim i rrufeshëm i saj nga ana e Kryetares së Parlamentit Topalli, sipas së cilës Kushi ka nënshkruar si shumë të tjerë, një peticion antiRama, ku një grup intelektualësh të vënë në rresht me ose pa deshirë i kërkojnë atij të mos na pengojë të hyjmë në Europë, por të lejojë deputetët socialistë të votojnë tre ligjet ë “famshme” që na lanë jashtë Europës…
            Fletushkën me firmën e Kushit Topalli e tundi në Kuvend duke e bërë publike para të gjithëve. Domethënia ë këtij akti ishte : ja kush janë deputetët tuaj të ardhshëm, gjë që ë shprehu edhe me fjalë. Disa analistë bënë komentet e tyre lidhur me këtë veprim dhe për dy personazhet ë implikuar, të dyja femra, Kushi dhe Topalli.. Unë nuk do merrem me Zonjën Topalli. Ajo është në të drejtën ë saj të bëjë diversion në kampin kundërshtar, se është politikane dhe se është dhe në fushatë elektorale dhe jo në një fushatë dosido, ku nxirja e kundërshtarit është pjesë ë lojës. Ndonëse nga një pikëpamje denoncimi i saj më duket nonsens.
            PD është  një makineri e sofistikuar propagande dhe diversioni, që nuk le rast t’i shpëtojë pa e amplifikuar dhe manipuluar. Dhe socilistët lënë jo rrallë të çara në radhët e tyre për të depërtuar diversioni i PD-së. Po pse ndodhi kjo dhe a mund të evitohej? Kjo ndodhi, përpos të tjerash, për shkak të anashkalimit të strukturave të partisë në bazë, pra për shkak të kontakteve të shkurtra të lidershipit me të interesuar (i) ën. Por dihet që kontaktet e shkurtra “djegin qarkun”, sipas ligjeve të elektricitetit, të Fizikës. Kështu, krejt rastësisht, dalin edhe defektet e caktimit të listave nga kryetarët e partive, si metoda jo demokratike dhe problematike. Një individ është i predispozuar të gabojë më shumë se forumet, sado i ditur të jetë. Prandaj besoj se kolegjialiteti dhe pyetja e forumeve nuk janë elemente të vjetëruara, por forma efiçente demokracie në parti. Megjithese në këtë rast nuk mund të mos të ketë edhe përqasje klieneliste përzgjedhjeje. Dhe, si simpatizant i së majtës, nuk më vjen hiç mirë që PS-ja iu lutet me vite disave të tillëve (sipas vet deklarimeve të kryetarit Rama gjatë prezantimit) të pranojnë ofertën e saj për t’i bërë deputetë, a thua s’ka të tjerë!..
             Pa dashur ta akuzojmë znj. Kushi, le të analizojmë deklaratën e  saj justifikuese : "Kam hedhur firmën në mirëbesim mbi një letër të bardhë, pasi m’u tha se ishte fjala për një nisëm jopolitike, ku kërkohej bashkëpunimi i te gjitha forcave politike ne funksion te integrimit."  Do të më dukej më normale sikur  këtë denoncim, përveç të kandiduarës, ta bënin strukturat ë PS-së të Elbasanit para lidershipit socialist, sesa znj.Topalli. Mirëpo në rastin më të mirë asaj i mungon shqisa politike, pra nuk bën për atje ku e kandidojnë. Shfajësimi i saj është foshnjor, i pabesueshëm. Më gënjyen, do të thotë ajo, por më thanë se është për bashkëpunim të forcave politike për integrimin, domethënë s’ë kanë gënjyer fare. Nuk e di ajo që ka mbi dy vjet që PD e akuzon Ramën si bllokues të inegrimit?! Ku banon ajo, këtu apo në Hënë? Nuk e ndjek fare jetën politike ajo dhe befas do të katapultohet për deputete! Kjo është një shuplakë edhe për Ramën,që nuk duhet të sillet me partinë si ta kishte çiflig të të atit.
            Sigurisht, partia ka nevojë dhe mund të zgjedhë edhe jashtë strukturave të partisë, por kjo nuk mund të bëhet vijë. Shpesh, kjo argumentohet me atë që në strukturat ë partisë nuk mund të përfshihen kapacitetet më të mira intelektuale dhe profesionale. Kjo është ë vërtetë, por në përfaqësimin politik duhet edhe materia politike e kandidatit, afiniteti politik dhe ideologjik me partinë. Kjo është përvojë botërore dhe shqiptare. Dalja jashtë partisë për “të peshkuar “ kandidatë nuk duhet të jetë qëllim në vetvete. Kur një kandidat s’e lidh asgjë shpirtërore me një parti politike, nesër e ke me një parti tjetër, që i hap vend. Pra këtu ka thjesht llogari, asgjë më tepër. Pa le moral! Dhe jeta politike shqiptare jep plot shembuj të tillë, të zhveshur nga idealizmi.
            Në rastin konkret nuk e kuptoj pse është ë domosdoshme kjo kandidaturë. As për ndonjë background “shpëtimtar” profesional, dhe, besoj, as për militantizëm nuk besoj se bëhet fjalë. Atëhere për merita të veçanta intelektuale?! Sado të përpiqen kryetarët e partive, bile edhe kur e kanë sinqerisht, të tërheqin pranë tyre intelektualë dhe profesioniste, gjithmonë parlamenti shqiptar nuk mund të tërheqë intelekttualët më të mirë të vendit. Jashtë parlamentit ka dhjetra “parlamente ”më të sofistikuara profesionalisht dhe me integritet moral shumë të lartë. Prandaj justifikimi se po zgjedhim ca vlera “të rralla” apo "te shtuara" është naiv dhe nuk mund të na sugjestionojë. Bile të tilla veprime demoralizojnë militantët e partisë në pragun e kësaj beteje të vërtetë elektorale.
            Pa patur frikë se gabojmë mund te themi se, me pak përjashtime, parlamenti shqiptar aktual,që drejtohet nga Topalli,është nën nivelim mesatar të intelektualëve shqiptarë dhe më i dobti cilësisht pas atij të viteve 20 apo 30 të shekullit të kaluar, bile më i dobët edhe se ai i E.Hoxhës i viteve 1946-1947 . Dhe kjo është një arsye e fortë pse ne jemi kështu si jemi.

26 Mars 2013 Shkruar per blogun Petrit Qejvani "Fjala ime"

Πέμπτη 7 Μαρτίου 2013

ALEANCA PS-LSI, MORALISHT E PAMUNDUR



                                                                   Nga Petrit Qejvani
         
          Tani, në prag të fushatës së ethshme elektorale, është një gjë fare normale që partitë politike të përpunojnë taktikat dhe strategjitë elektorale me synim ardhjen në pushtet, kur janë në opozitë dhe mbajtjen ë pushtetit prej partise (partive) në pushtet. Në këtë kuadër përfshihet dhe krijimi i aleancave të mundshme për garantimin e fitimit të pushtetit prej partive të opozitës dhe mbajtjes së pushtetit prej atyre që e kanë. Kjo në kuptimin e vertetë të fjalës është një betejë pa armë në demokraci. Këtu arma është vota e qytetarit. Dhe objektivi i fushatës është të bindësh qytetarët të votojnë për ty, për partinë tënde. Mirëpo, kur llogaritë për të fituar  vetëm nuk të dalin, është e detyrueshme bërja e aleancave me partitë ë tjera opozitare me programe të ngjashme apo të përafërta.
          Në këtë situatë është dhe Partia Sociliste prej tetë vitesh në opozitë, jo për shkak të refuzimit të qytetarëve, por për shkak “të kopshtarit që nuk di të vjelë vreshtin”, po të shpreheshim me një metaforë. Pra, për shkak të lidershipit. Interesante është se e majta nuk ka humbur për shkak të votave të pamjaftueshme as më 2005, as më 2009, por për shkak të përçarjes së saj më 2005 dhe dalja më vete e LSI së Ilir Metës.  Por dhe per gabime te mepasme, me teper taktike.Maxhoranca aktuale është një maxhorancë artificiale dhe qëndron në këmbë me patericën ë LSI-së.(përveç  manipulimeve tashmë të njohura me kutitë që s’u hapën kurrë).
          Është vërtet e habitshme dhe e rrallë, kur, në dy votime rresht, vota popullore shkon majtas , ndërsa pushteti djathtas! Kuptohet për faj të lidershipit. Deri tani lideri socialist është treguar një takticien i dobët. Por ndoshta tani janë nxjerrë mësimet e nevojshme. Të ndodhur përballë një Berishe, që pushtetin e ka pasion dominant dhe humbjen ë tij e quan fundin ë botës, gara paraqitet me shumë pikëpyetje. Shto këtu dhe aftësitë e tij të pashtershme për “shpikje” procedurale dhe kurthe “ligjore” pa fund. (Kujto zgjedhjet ë Tiranës 2011).
          Në këto rrethana krijimi i aleancave për PS dhe liderin e saj kësaj here ka rëndësi përcaktuese. Nëse herë të tjera ai ka nënvlerësuar aleancat dhe aleatët dhe e ka “pësuar”, kësaj here duket më i kujdesshëm, sepse pësimi do të jetë “fatal” për të dhe nuk të jep mundësi për mësime.
          Mirëpo, për shkak pikërisht të kësaj që sapo thamë, ka të ngjarë që nga njëlloj refuzimi dhe arrogance në koalicionet e kaluara, tani të pranojë gjithkë  që i afrohet për shkak të pushtetit. E kam fjalën për LSI, për shkak të së cilës PS dhe Rama është në opozitë. Dhe duhet thënë që Rama  nuk është deklaruar qartë, ka qënë evaziv kur është pyetur nëse dë të bëjë aleancë me LSI. Duket se këtu Rama është në dilemë, midis llogarive që me LSI e çojnë në pushtet me siguri dhe moralit që i thotë jo..Dikush mund të thotë se ai është politikan dhe se politika është si “ajo” që thotë popoulli dhe moralin e ka gjënë ë fundit që i intereson.. Por në një aleancë të tillë Ramës i bie kauza, që ka ndërtuar këto vite, sidomos nga 21 janari ë këtej. Dhe të mos harrojmë se 21 janari është edhe produkt i akuzave të tij për videon e famshme të Ilir Metës. Ndërkohë natyrshëm bien edhe akuzat për Berishën dhe qeverinë ë tij si të korruptuar dhe shtypës të demokracisë, si vjedhës të pasurisë kombëtare dhe vrasës. Sepse, nëse korrupsioni e ka grryer qeverisjen dhe Shqipërinë, një kontribut “par exellence” ka dhënë Ilir Meta, ose “ai me bllok në dorë”, sikurse shprehej Rama.  Nga ana tjetër pallavrat e Metës se ai qëndroi në koalicion për hir të stabilitetit të vendit, sic thotë shpesh , nuk i ha njeri. Ai vërtet krijoi koalicion me Berishën për “stabilitet”, por për stabilitetin e korrupsionit të tij dhe të Berishës. Prandaj një aleancë me të është moralisht e pamundur. Aq më tepër që midis tyre është 21 Janari i përgjakur. Kjo nga pikëpamja morale. Por edhe nga pikëpamja pragmatike Meta është i palexueshëm. Është e vëretë që LSI e ndjen pushtetin si çakejtë kërmat. Por s’ka asnjë siguri se ai nesër nuk “ të lë në baltë”. Piruetat ë tij politike janë 180 gradëshe.
          Prandaj nuk e kuptoj si disa “të urtë” apo dhe të tjerë rekomandojnë si të mundshme një aleancë PS-LSI. Bile kjo ide është hedhur kohë më parë nga një gazetar i njohur, i cili e ka artikuluar ashpër dhe “pa  etikë” , duke thënë afërsisht të bashkohen gjithë qelbësirat për të rrëzuar Berishën. Dhe Berisha ka luajtur me këtë duke ia faturuar Ramës. Do thonë, po kështu largohet Berisha, si e keqja më e madhe. Jo, kjo është një këshillë e gabuar, të cilën Rama nuk duhet ta dëgjojë. Ka parti të tjera ,veç atyre që tashmë janë deklaruar, me të cilat PS mund të bëjë aleanca si Aleanca Kuq e Zi apo të tjera.  
          E kuptoj që përballë Berishës ka shumë mërzi dhe urrejtje, ka njerëz shumë të dëshpëruar. E di gjithashtu që taktikisht kështu veprohet, hiqet e keqja më e madhe , pastaj të tjerat. Por  te ne e keqja më e madhe ishte e tillë , sepse iu bë mbështetje një ë keqe “e vogël”, LSI dhe Meta.       Personalisht jam i mendimit siç e  kam shprehur para disa kohesh në një shkrim, se ne shqiptarët duhet të heqim dorë nga zgjedhja jonë shekullore e “të keqes më të vogël” ,( karakteristikë e popujve të prapambetur dhe minimalistë) dhe ta shkelmojmë atë si të keqen më të madhe. Vetëm kështu do të vijë më në fund prosperiteti edhe për ne shqiptarët.

Shkruar per bloggun FJALA IME, 3 mars 2013