Σάββατο 29 Μαρτίου 2014

ZGJEDHJA JONE, E KEQJA ME E VOGEL



ZGJEDHJA JONË, “E KEQJA MË E VOGËL”

                                                Nga Petrit Qejvani

            .

Midis alternativave  “e mira më e madhe” dhe “e keqja më ë vogël”, zgjedhja jonë është kjo  dyta. Historikisht ne kemi vepruar kështu. Është zgjedhje apo zgjedhje  imponuar? Një popull i mësuar me pak liri për shkak të pushtimeve të gjata, me pak mirëqënie dhe prosperitet, me pak luftë për progres shoqëror, me pak ose aspak demokraci, është një popull që ecën ngadalë drejt progresit. Kjo konstante historike ka krijuar mentalitetin e një populli minimalist, me fjalë më të thjeshta, e një populli që kënaqet me pak.

            Asnjeherë objektivat tona shoqërore dhe kombëtare nuk nuk kanë qenë maksimale. Ne druhemi prej synimeve maksimaliste, na lbyren sytë, na merren mendtë, pasi nuk i kemi prekur kurrë ato si popull, si komb. Në raportet me të tjerët dhe brenda nesh. Kështu “u kënaqëm” (pranuam) me pavarësinë e cunguar (vetëm gjysma e Shqipërisë dhe shqiptarëve më 1912) , u kënaqëm edhe me pavarësinë ë Kosovës dhe shumë mirë bëmë, por na duket “mollë e ndaluar” bashkimi me të në një shtet të vetëm, a thua se do të përmbyset bota! Po do thonë kjo s’varet nga ne, por nga të tjerët. Realisht kjo varet më shumë nga ne, se nga të tjerët.

             Edhe në fushën e brendshme politike-shoqërore vepron po i njejti mentalitet: kënaqemi me zgjedhjen më te lehtë, me atë që fitohet me pak mundim.Psh: a nuk po thuhet gjithnjë ë më shpesh  se Berisha duhet të largohet si një e keqe e madhe për shqiptarët, por jemi në dilemë se kush duhet të vijë, pasi alternativa e vetme e mundshme e afishuar mbetet Edi Rama, i cili, thuhet se nuk është ajo që duhet të ishte, por sërish është e “keqja më e vogël” dhe jo “e mira më e madhe.” Ë njëjta filizofi , i njëjti mentalitet ai i të kënaqurit me pak. Sipas kësaj teknologjie të menduari  u zgjodh edhe  presidentit i ri Nishani  si e “keqja me e vogël”, krahasuar me Topallin dhe jo si e mira më ë mundshme. Pse gjithmonë kështu?

            Kur do të guxojnë shqiptarët të kërkojnë “të mirën më të madhe”? Apo, meqë historia është treguar kurnace me Shqipërinë, ky stereotip të menduari është vështirë të thyhet?.

            Ky mentalitet konsevator, frenues dhe regresiv fatkeqësisht dominon edhe sot ne shoqërinë shqiptare.Mjerisht ky është konfirmim i një të vërtete të pakëndshme, sipas së cilës ne shqiptarët jemi të paaftë të arrijmë më të mirën e mundshme, sepse nuk kemi aftësinë apo vullnetin ta projektojmë atë e pastaj ta realizojmë.

            Kjo filozofi ë të kënaqurit me pak është karakteristikë e popujve të prapambetur, të mposhtur nga e keqja, te të cilët respekti për veten është në kufijtë minimalë dhe, për shkak të rrethanave historike, të stereotipeve historike, minimalja  është shndërruar në formën normale të pretendimit dhe se maksimalja quhet e paarritshme dhe nuk ekziston as si projekt, pale si realizim.  

            Edhe në perandorinë otomane kishim më pak liri se të tjerët, po kënaqeshim se kishim shumë kryeministra dhe pashallarë. Duket se e mira e madhe e ka braktisur këtë vend. Ndoshta kjo ka ardhur  prej sundimit për një kohë shumë të gjatë të së keqes,e cila, duhet thënë, shfaqet më tëpër sa herë këtij vendi shanset i dalin përpara.

            Duke qenë një popull i varfër historikisht, ai manipulohet lehtë prej elitave politike, sepse i varfëri është i demoralizuar dhe të demoralizuarit duan energji të mëdha për t’i shtyrë përpara. Të prapambeturit nuk  kanë pretendime. Fakti që gjatë historisë, aq sa mbahet mend, ne jemi pushtuar dhe nuk kemi pushtuar asnjë vend tjetër e dëshmon më së miri këtë.Fakti që sistemet politike i kemi ndryshuar pa revolucione , pa luftra civile si të tjerët, pa gijotina për “kokat e mëdha”, e provon këtë. E keqja më e vogël është zgjedhja apo mundësia jonë? Më tepër se mundësi kjo është zgjedhje e imponuar, por tashmë e pranuar prej nesh.

            Ne na mungon ambicja, e cila është shkëndija, që ndez potencialet e fjetura për realizimin e synimeve të mëdha. Ambicja është karburanti që shtyn përpara potencialet drejt synimit maksimal, drejt së mirës më të madhe. Por ndoshta kjo ka ndodhur edhe për shkak se ky popull nuk e ka bërë katarsisin, sepse nuk e ka ndëshkuar asnjëherë elitën e vet politike, që është tallur jo rrallë me te..     Prosperiteti do të vijë kur shqiptarët të zgjedhin të mirën më të madhe dhe të shkelmojnë të keqen më të vogël, si të keqen më të madhe.



Athine, Qershor 2012

Botuar ne gazeten Shekulli, date 30.06.2012

Τετάρτη 26 Μαρτίου 2014

NJE DEKLARATE E NXEHTE E NJE IMAMI TE SHKODRES



                        NJË DEKLARATË E NXEHTË E IMAMIT TË SHKODRËS

                                   

                                                            Nga Petrit Qejvani



            Para dy-tre ditësh një medie kombëtare vizive transmetoi një takim të  imamit të Shkodrës  me besimtarët muslimanë. Me një oratori për ta patur zili, duke komentuar ngjarjet e ditëve të fundit në Shqipëri në rolin e një analisti,  ai artikuloi disa mendime të guximshme  me zë të lartë për situatën në Shqipëri, duke filluar nga gjendja e pakënaqshme te fjalori i pa hijshëm dhe prej vagabondësh i politikanëve në Kuvend e deri tek aludimet për arrestimet e fundit të dy imamëve të vetshpallur dhe disa besimtarëve muslimanë.       Nuk e di si dhe pse i bashkoi këto dy gjera ky imam, pasi është hera e parë që një njeri i fesë analizon dhe sulmon direkt politikën dhe merr pjesë në një debat mbi etikën në politikë. Bile, e theksoi se prej politikanësh të tillë nuk mund të presësh gjëra të mira. Dhe mendoj se në këtë pikë imami nuk gabon, kur shpreh mendimin ë vet.

            Por tjetër gjë më duket se ia vlen të diskutohet. Ndërsa për pjesën politike ishte shumë i qartë, ishte evaziv kur përmendi se këto gjëra ( nuk e artikuloi qartë përse e kishte fjalën) të kujtojnë kohen e komunizmit, pra, (siç ë kuptojmë ne) kohën e përndjekjes së njerëzve të fesë.

            Për ta kuptuar nëntekstin e asaj çka shqiptoi turbull imami, na ndihmon paralelja që  ai bëri me këtë rast midis përndjekjes dhe dënimit të njerëzve të fesë në kohën e diktaturës dhe arrestimeve të fundit të një grupi besimtarësh muslimanë të akuzuar për xhihadizëm, megjithëse nuk  ë përmendi me emër faktin e fundit. Një paralele e tepruar dhe e pavend. Ndoshta imami u nis nga solidariteti  për vëllezërit ë tij të besimit. Por, sidoqoftë, reagimi i tij tregon se kemi probleme në gjirin e komunitetit të besimtarëve muslimanë. Duket se fryma ekstremiste e islamit po depërton edhe në islamin paqësor shqiptar. Ajo që kam trajtuar edhe në një shkrim tjetër rreth kësaj teme në nje te perditshme para pak ditesh dhe rreziqet që vijnë prej kësaj fryme, tregojnë se nuk jemi në fushën hipotetike. Më tepër se ai grup i vogël xhihadistësh, shqetësuese është deklarata e këtij imami para besimtarëve ditën për diell, duke bërë thirrje për “shtrengim radhësh” e solidaritet ndaj “sulmeve” që po i bëhen islamit. Po kush po i bën sulme islamit? Qeveria? Shteti? Sipas imamit te Shkodrës shteti duhet të shohë ëndrra dhe të mos veprojë kur shkelen ligjet?!

            Imami duhet të kuptojë se imuniteti i tij dhe i çdokujt tjetër ekziston sa kohë cdo njeri zbaton ligjin. Pra, imami i Shkodrës i kundërvihet shtetit dhe mbron ekstremistët nën petkun e “mbrojtjes” së  islamit. Nuk e di a respektohet hierarkia në komunitetin myslyman (them se po) dhe a mban përgjegjësi ai, apo çdo imam ka të drejtë të flasë si të dojë? Mendoj kështu pasi komuniteti mysliman nëpërmjet drejtuesve kryesorë të tij u distancua nga veprimet ë grupit xhihadist dhe çdo fryme ekstremiste. Pavarësisht kësaj, ky rast tegon se punët në komunitetin musliman, nuk janë kaq mirë dhe se është ë udhës që drejtuesit e tij ta shohin me sy kritik dhe ta analizojnë jo vetëm ç’ndodhi me celulën tashmë të arrestuar, por dhe me deklarata të tilla të rrezikshme dhe të papërgjegjshme.

            Islami shqiptar duhet të ruajë frymën paqësore dhe bashkëjetesën me besimin e krishterë si një pasuri dhe kusht të kohezionit të shëndetshëm të shoqërisë shqiptare. Çdo nënvlerësim i këtyre “rasteve” të çon në situata problematike me dëme të pariparueshme. Dhe ky nuk eshte amplifikim që po u bëjmë këtyre ngjarjeve. Por tërheqje vëmëndjeje gjithë atyre që kanë përgjegjësinë para besimtarëve, para shoqërisë shqiptare dhe shtetit shqiptar. Dhe sikur të ketë një dozë zmadhimi në shqetësimin tonë, më mirë zmadhimi i së keqes për ta parë më mirë se sa mbyllja e syve para saj.

Publikuar ne gazeten SOT, date 25.03.2014

Κυριακή 23 Μαρτίου 2014

NJE SHQETESIM I ZMADHUAR



NJË SHQETËSIM I ZMADHUAR

                                                                                    Nga Petrit Qejvani

Çështja se a ka ndryshim midis shqiptarëve të Kosovës dhe Shqipërisë nuk është një çështje e pangacmuar në media. Sidomos kjo e artikuluar nga disa intelektualë shqiptarë të Kosovës, të cilët, duhet thënë, janë zëra në pakicë,që ngatërrojnë ndryshimet si diversitet natyral edhe brenda një njësie etnike me “identitetet e ndryshme” të shqiptarëve të Shqipërisë dhe të Kosovës.

            Nuk do shumë mund per ta kuptuar që shqiptarët e Shqipërisë dhe ata të Kosovës janë njëlloj shqiptarë, sepse kanë një gjuhë të përbashkët (shqipen) që është AND-ja e një kombi, se janë të një race, se banojnë në një territor dhe se askush nuk ka asimiluar njeri-tjetrin, sepse gjysma e njësisë të të njëjtit lloj nuk mund të asimlojë gjysmën tjetër. Këtu problemin duket se e ngatërron ekzistenca e shqiptarëve në dy degë (shtete) pas 1913. Një ekzistencë paralele në dy shtete , njëri shtet i pavarur (Shqipëria) dhe gjysma tjetër krahinë e një shteti dhe kombi tjetër (Federatës jugosllave). Pra,shqiptarët i ka përfaqësuar Shqipëria deri tash së fundi, kur fitoi pavaresinë Kosova.

            Nuk do shumë mend, gjithashtu, për ta kuptuar që midis shqiptarëve të Shqipërisë dhe të Kosovës ka edhe ndryshime, siç ka midis gegëve ( veriorëve) dhe toskëve (jugorëve), siç ka ndryshime midis vlonjatëve dhe korçarëve (edhe pse janë toskë) siç ka ndryshime  midis shkodranëve dhe tropojanëve (edhe pse janë gegë) , bile, edhe midis krahinave dhe fshatrave fqinjë me njeri-tjetrin në të folme (dialekte apo nëndialekte) në veshjet tradicionale, në të kënduar e deri te veçoritë  zakonore.Dhe kjo është pasuri. Ky është diversiteti në unitet. Këtu çdo ndryshim konfirmon njësinë. Prandaj nuk duhet patur frikë të flitet për ndryshime, të cilat ekzistojnë dhe nuk e cenojnë substancën kombëtare.

            Mirëpo duket se ndryshimi për të cilin ata flasin apo duan të flasin është diçka e paqartë, e turbullt dhe duket më tepër një pozicion që vjen prej kompleksesh inferioriteti ose prej pretendimit për protagonizëm. Me sa duket, këtë ndryshim të papërcaktuar duan t’ia kundërvenë idesë së bashkimit. Sapo u artikulua ideja e bashkimit midis Shqipërisë dhe Kosovës, në fillim ne Kosovë ( Vetvendosja), por edhe në Shqipëri më pas (Aleanca Kuqezi), doli edhe teza e “ndryshimit” midis shqiptarëve të Kosovës dhe Shqipërisë, si antitezë për bashkimin.

            Bashkohen ose jo Shqipëria dhe Kosova (ndonëse perspektiva e paevitueshme është bashkimi)  shqiptarët e Kosovës janë po aq shqiptarë sa dhe shqiptarë e Shqipërisë. Për ta përligjur “ndryshimin” e tyre të padefinuar (të papërcaktuar) ata gjejnë “fakte” që nuk arrijnë të shndërrohen në argumente. Në këtë hulli është dhe shkrimi me titullin cinik ( për të mos thënë përbuzës) “Shqiptarçe flasin dhe vrasin” i autores Blerina Rugova Gaxha. ( ajo duhet ta dijë se shqiptarët flasin “shqip” dhe jo “shqiptarçe”). Pasi flet për identitete të mundshme “të ndara”mes shqiptarëve të Kosovës dhe Shqipërisë   konstaton se kësaj teme tabu i shmangen studiuesit në Shqipëri dhe Kosovë. Ajo shkruan: “Por kanë ndodhur tri ngjarje të mëdha kulturore …. ku kosovarët u bënë fitues të garës së përbashkët Shqipëri- Kosovë, të cilat e kanë hapur dhimbshëm këtë temë” dhe pasi përmend Rona Nishliun në  Eurosong ( ngjarje e bukur), një A.Zeka në “Big brother”, që nuk e di pse e quan ngjarje të madhe(!) si dhe një Rina në “Voice of Albania”,çmimi i parë. Këto ngjarje, sipas saj, nxorën në pah edhe debatet e vërteta të shqiptarëve andej e këtej kufirit, sipas të cilave rezulton se nuk jemi krejt Një.

            Nuk besoj të jenë këto ngjarje etalon për konluzione kaq “të rënda”. Dhe bazuar në rrjetet sociale ( të dyshimta e të pasakta) ajo thotë se shumë njerëz ( Sa? P.Q)  nga Tirana nuk kanë hezituar të thonë se ishin mërzitur me fitoret  Ronës (e pabesueshme), të Arbrit apo Rinës. Autorja kërkon dhe një debat për këtë çështje.”Shumë politikanë, analistë, profesorë dhe publicistë  ikin si prej dreqit nga ideja e debateve për diversitetin ose identitetin e ndryshëm kulturo- gjuhësor ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë”.Mendoj se tri ngjarjet që përmend autorja e shkrimit nuk përbëjnë prova se shqiptarët nuk i duan kosovarët. Ato janë disa parapëlqime adoleshentësh (nuk dihet përqindja) që tregojnë tifozerinë që gjithmonë është e njëanshme.Tek e fundit, ka tregues domethënës të dashurisë së shqiptarëve për kosovarët, që dihen tashmë. Por dhe fakti që ata fitojnë në mes të Tiranës tregon të kundërtën e asaj që pretendon autorja.  

            Tri ngjarjet e mësipërme veç kanë qenë preteksti për të nxjerrë në pah “shqetësimet” dhe dilemat e vet autores së shkrimit. Prandaj, shqetësimi i saj dhe nëse mbështetet në disa “fakte” virtuale, është tejet i zmadhuar. Edhe ajo vet, me sa duket, vuan nga komplekset, nga ai i inferioritetit apo i protagonizmit, duke u nisur nga ideja e gabuar se në një bashkim të mundshëm Shqipëri-Kosovë, kush do të udhëheqë, pra cila do jetë lokomotiva, duke evidentuar edhe një herë vesin historik të shqiptarëve-grindjen në momente delikate. Ndaj,veç të tjerave, jemi keshtu si jemi.

            Por le të jetë e qetë artikullshkruesja: Lokomotiva e bashkimit do jetë patriotizmi. Zonja Gaxha e  nxjerr “merakun” kur thotë se në aksin e  marrëdhënieve Shqipëri-Kosovë ka vetëm një sens: nga Tirana në Prishtinë dhe jo anasjelltas. Nuk e di sa e vërtetë është kjo. Ndërkohë që askush më mend në kokë  në Shqipëri nuk ka folur ndonjëherë për “fitore” mbi kosovarët.


Botuar ne gazeten Shekulli 25.07.2012

Σάββατο 22 Μαρτίου 2014

HISTORIA MUND TE RISHKRUHET, POR JO TE RIBEHET



                        HISTORIA MUND TË RISHKRUHET, POR JO TË RIBËHET



                                                            Nga Petrit Qejvani

           

            Debati mbi rishkrimin e historisë , ndonëse nuk është i  ri, herëpashere dëndësohet dhe merr karakter të ashpër polemik dhe jo çdo herë shkencor. Veçanërisht tani në prag të 100-vjetorit të pavarësisë ai merr ngarkesë të re, pasi është momenti për rivlerësimin  e  disa figurave historike për shkak të politizimit, që u është bërë në diktaturë. Sikur kjo zhurmë të bëhej thjesht për objektivitet shkecor, do të ishte një gjë e mirëpritur dhe e dobishme. Por kjo është dhe gracka ku mund të bjerë nje rishkrim i saj, kësaj here politizuar nga ana e kundërt. Dhe sinjalet nuk mungojnë.

            Arsyet pse mund të rishkruhet historia  janë dy:

            E para: për të riinterpretuar fakte të njohura, por të interpretuara njëanshëm, gabim me ose pa dashje. Ë dyta: për të interpretuar fakte të reja, të panjohura më parë, dokumente të zbuluara rishtaz. Këto janë arsye shkencore. Por ka dhe një arsye joshkencore: për ta falsifikuar atë për intresa revanshi politik nën petkun e defalsifikimit. Dyshim që nuk është pa gjë. Dhe këtu, më tepër se për ngjarjet, bëhet fjalë për figurat historike, “pronë” e partive respektive politike, të cilat gjithmonë nuk janë në simetri të plotë me kohën, pra nuk janë në harmoni absolute me të. Nuk ka figura historike të shkëlqyera nga të gjitha anët.. Ato janë të gjitha me dritë-hijet e tyre.    

            Pozitiviteti, dihet, anon nga ai personalitet, që ka kuptuar imperativin e kohës, kahjen e ngjarjeve,veprimet e të cilit ndikojnë dhe përputhen me fundin e pritshëm të një procesi ose me faktin historik. Dhe, që të mos bëjmë teori, le të zbresim në terrenin praktik, te shembujt.

            Sikur të bëhej fjalë vetëm për ngjarjet dhe personalitetet e Luftës së Dytë Botërore, kjo do të ishte e nevojshme për shkak të shikimit bardh e zi të protagonistëve dhe antagonistëve të saj, por edhe për shkak të subjektivizmit të fitimtarëve, të cilët kudo, jo vetëm në Shqipëri, zakonisht kanë prirjen ta zmadhojnë e zbukurojnë fitoren. Kurse për figurat më të largëta historike, siç janë psh. ato të Pavarësisë, vlerësimet e historiografisë komuniste, megjithë simpatitë ose antipatitë politike, kanë më pak vend për rishikim e rivlerësim, veçanërisht ato figura  që e kishin mbaruar misionin e tyre politik për shkak se nuk jetonin më. Kurse për një pjesë që arritën deri në Luftën e Dytë Botërore dhe gabuan në qëndrimet e veta politike, duke arritur deri në bashkëpunim me pushtuesin, situata është më e komplikuar dhe vlerësimi më delikat. Sidomos për disa firmëtarë të aktit të Pavarësisë kombëtare, të kthyer në kolaboracionistë. Sigurisht, mohimi i kontributit të tyre për pavarësi është i gabuar, siç është i gabuar edhe fakti që ky kontribut të shërbejë si mbulesë dhe justifikim i kolaboracionizmit te tyre në luftën për çlirim kundër nazi-fashizmit.  

            Lufta e Dytë Botërore për të djathtën shqiptare, të ashtuquajtur nacionaliste, ishte një nokaut politik. Këtu fillon ngërçi. Qëndrimi ndaj saj është dhe çelësi për interpretimin e paanshëm të ngjarjeve dhe personaliteteve përkatës. Pikërisht këtu nis problemi  në trajtimin që u bëri historiografia komuniste eksponentëve  kryesorë të së djathtës, shumë prej tyre protagonistë të ngjarjeve më të rëndësishme kombëtare, por që përfunduan si kolaboracionistë. U përmbys elita  tradicionale politiko-ekonomike dhe u ngjit në pushtet proletariati, vegjëlia,  jo paria tradicionale (veten e quajtën “Balli” për t’ia kundërvënë  “varfanjakëve”, komunistëve). Kjo ishte me pasoja katastrofale morale, fizike dhe materiale për të djathten.

            Për herë të parë në histori paria binte nga pushteti. Ishte përmbysur rendi i gjërave. Shoku ishte i madh.  Kështuqë ata nuk mund të ishin kurrë dakord  me këtë “ndrrim vendesh”. Mirëpo e vërteta është e pamëshirshme. Dhe këtu nis edhe drama e nacionalistëve shqiptarë: te mos pranimi i faktit historik. Por dhe i pinjollëve të tyre sot në rrugën e mundimshme të “rishkrimit” të historisë, domethënë të përmbysjes së saj.

            Në histori ka të vërteta absolute dhe të vërteta relative. Dhe të vërtetat absolute janë faktet, që janë të pandryshueshëm, ndërsa të vërteta relative janë interpretimet e fakteve. Vetëm këtu mund të ” luhet.” Por “rishkrimi” i historisë, i kuptuar si përmbysje e saj, është një aventurë mëndjelehtë, e dështuar që në nisje. Sepse historia mund të shkruhet disa herë, por ajo bëhet vetëm një herë.  Dhe ngrin. Psh. Konferenca e Pezës mund të rishkruhet, por nuk mund të ribëhet. Sepse e shkuara nuk mund të bëhet e tashme. Ajo u organizua me nismën e PKSH, në të morë pjesë komunistë e nacionalistë (bile këta dyfish në numër), atje ishte dhe E.Hoxha. Ky është fakti.Natyrisht nacionalistëve antikomunistë, edhe atëhere , edhe sot, nuk ju vjen mirë që atë nismë e mori PKSH dhe sidomos E.Hoxha, diktatori i ardhshëm, i cili u hëngri “racionin” politik “baballarëve të kombit”. Dhe më tej, Shqipëria u çlirua nga lufta e partizanëve shqiptarë të mbështetur nga populli, por të udhëhequr nga PKSh dhe E.Hoxha. Dhe ky është një fakt. Dhe këtë duhet ta themi pa drojë. Sigurisht, as kjo e vërtetë nuk u pëlqen fare nacionalistëve të sotëm, sepse ata e dinë se është meritë dhe vlerë e madhe të çlirosh atdheun prej okupatorëve dhe kjo meritë, sipas tyre, u takonte atyre dhe  nuk duhet t’i takojë Diktatorit!..

            Por historia nuk harron gjithashtu që nacionalistët antikomunistë i falën pavarësinë e Shqipërisë Italisë fashiste në një ceremoni turpi në Romë. Dhe ky është një fakt, një e vërtetë absolute, pra, e  pazhbëshme. Por kompleksi i fajit nuk i lë ta pranojnë këtë vepër antikombëtare. Ë vërtetë absolute është gjithashtu që nacionalistët bashkëpunuan me fashizmin e nazizmin. Kjo është e pandryshueshme. Dhe historianët që duan rishkrimin e historisë mundohen ta “ëmbëlsojnë” këtë akt me lloj-lloj marifetesh “shkencore”. Domethënë të korrigjojnë historinë e shkruar “keq”, me një falsifikim të ri. Mohimi i kësaj të vërtete është i pamundur, pasi ky është një fakt historik, i konfirmuar me pamje dhe dokumente autentike. Këtu nacionalistët dhe avokatët e tyre në fushën e historisë janë në pozitë të vështirë. Ata gabuan atëhere, kur nuk duhejt të gabonin dhe ky gabim nuk mund të ndreqet më, edhe po të shahet e anatemohet nga mëngjezi në darkë E.Hoxha, me të drejtë e të padrejtë.  Sepse ne nuk mund të “çlirohemi” për herë të dytë nga nazizmi (ai s’është më) për t’u dhënë “shansin” nacionalistëve shqiptarë kësaj here të luftojnë dhe të jenë ata çlirimtarët!.Emocionalisht i kuptoj nacionalistët në këtë ndërmarrje, por racionalisht bëhen qesharakë.            

            Historianët e djathtë, duke përfituar nga një rast historik,100-vjetori i Pavarësisë, nuk nisen nga interesa shkencore për një histori objektive, por nga synimi dhe dëshira politike për të pastruar imazhin e figurave nacionaliste antikomuniste prej njollave që vetë ata i vunë vetes gjatë Luftës II Botërore.  Nuk u tha PKSH të  bashëpunonin me fashizmin.

            Përpjekjet e politikanëve dhe historianëve të djathtë për të zbehur  Luftën Nacional-Çlirimtare, me gjithë marifetet që përdorin, janë rropatje të mundimshme si guri i Sizifit, që nuk do ta çojnë kurrë në majë. Ajo luftë nderon popullin shqiptar , partizanët shqiptarë dhe ata që i udhëhoqën. Ajo e radhiti Shqipërinë me aleatët anglo-amerikanë. Antikomunizmi i tyre është alibi qesharake  për të justifikuar kolaboracionizmin e tyre dhe nuk i nxjerr në breg. Qemal Stafa,Vojo Kushi , Margarita Tutulani  dhe Zonja Çurre etj. janë heronj, sepse dhanë jetën për lirinë, ndonëse komunistë. Mos duhet që këta të ishin kolaboracionistë e jo komunistë çlirimtarë ?! Një logjikë e tillë është andikapate, bile antishqiptare. Por thellë-thellë kjo është një dëshmi e paqetësisë  dhe pranimit të fajit tyre. 

            Tentativën për “zhbërjen” e Luftës antifashiste ata e lidhin me atë që ndodhi pas çlirimit: me vendosjen e pushtetit komunist, të diktaturës së proletariatit, falë jo vetëm meritave të komunistëve, por edhe”kontributit” të vet nacionalistëve me kolaboracionizmin e tyre. Dhe meqe dikatura bëri gabime dhe krime, ata duan t’ia heqin dhe, në pamundësi, ta zbehin ose çvlerësojnë luftën Nacional-çlirimtare, si vepër të komunistëve, (pavarësisht se partizanët nuk ishte e thënë të  ishin patjetër  komunistë ,bile pak prej tyre ishin komunistë) , sepse atë e udhëhoqi PKSH. Një mision ky i pamundur. Aq sa është e pamundur që antikomunizmi kolaboracionist të quhet patriotizëm.

             Në të vërtetë errësimi që pinjollët e së djathtës, dikur humbëse, duan t’i bëjnë luftës Nacional-çlirimtare dhe rehabilitimi i disa figurave të njollosura keq  me kolaboracionizmin e tyre, rreh të errësojë kontributin dhe meritën e komunistëve në këtë luftë dhe , veçanërisht, t’i heqin E.Hoxhës meritën e padiskutueshme në krye të kësaj lufte, duke e kthyer praktikisht thjesht në një diktator, pa asnjë vlerë pozitive.

            Që historianët të tregojnë që janë objektivë duhet t’i njohin E.Hoxhës meritat e luftës dhe clirimit të Shqipërisë, ashtu dhe gabimet  e krimet ë pasçlirimit, si ai i eliminimit të kundërshtarëve politikë, siç duhet t’i njohin Zogut meritën e hedhjes së themeleve të shtetit modern, por edhe ekzekutimin e kundërshtarëve politikë si B.Curri, L.Gurakuqi, A Rustemi, Hasan Prishtina etj, pa harruar braktisjen e atdheut në një moment tragjik si dhe shitjen e trojeve shqiptare si Shen Naumi ë Vermoshi serbëve. Kështu shkruhet një histori për të gjithë dhe jo një histori “ ë djathtë” dhe një histori “e majtë”.

            Një histori objektive do guxim qytetar dhe kurajo morale më tepër se shkencore, që aktualisht mungon, përtej deklaratave të historianëve  partizanë, që betohen për “të vërtetën” e tyre.  Kjo, me sa duket, do kohë të bëhet dhe, veç turpit, kjo gjë ka për të dëmtuar formimin e shëdoshë historik e patriotik të shkollarëve shqiptarë, të cilët do mësojnë dy histori të Shqipërisë, sipas rotacionit të partive në pushtet. Kështu, edhe për ca kohë, (nuk dihet sa) shqiptarët do kenë dy palë heronj e dy palë tradhtarë. Ndërgjegja kombëtare do funksionojë siç duhet, kur të gjithë shqiptarë t’i kenë të njëjtë heronjtë dhe të njëjtë tradhtarët. Le të shpresojmë që kjo të vijë sa më shpejt.



                                    Nëntor 2012



Ps. Shkruar në kuadrin e  100- vjetorit te Pavaresise, i pabotuar

HUMBJA NUK ESHTE FUNDI I BOTES, ZOTI BERISHA!



                        HUMBJA NUK ËSHTË FUNDI I BOTËS, Z. BERISHA!



                                                                                    Nga Petrit Qejvani



            Më 23 qershor, sipas të gjitha gjasave, shqiptarët me votë do ndahen nga ju, z.Berisha. E kuptoj që kjo është e papranueshme dhe trishtueshme për ju z. Berisha. Po e keni vet  në dorë ta kuptoni e konceptoni si dicka normale..

            Nuk është herët për ju të bëni një bilanc të jetës suaj, sidomos asaj politike. Gjatë karrierës suaj relativisht të gjatë dhe të lakmueshme politike ju keni bërë punë të mira dhe të këqia. Se në ç’raport janë ato do ta thotë historia.

            Ju udhëhoqët PD-në aksionin e madh politik të rrëzimit të regjimit komunist në Shqipëri, ndonëse më vonë se në çdo vend tjetër ish-komunist. Dhe kjo është meritë juaja.

            Ju erdhët në pushtet me besimin e madh të shqiptarëve se do të ndërtonit demokracinë (kapitalizmin, që ju për arsye taktike nuk e artikuluat kurrë), por dhe sot ne jemi larg së qëni një vend demokratik i vërtetë, veç të tjerash, edhe për meritën tuaj, z.Berisha.



            Më 1992 shqiptarët ju dhanë votën dhe ish-komunistët në pushtet e pranuan verdiktin e sovranit (siç ju shpreheni shpesh) dhe nuk e manipuluan vullnetin ë popullit duke vjedhur vota, megjithëse ishin maxhorancë, z.Berisha.

            Ju përgjakët zgjedhjet e ’96-ës, duke dhunuar vullnetin e popullit (gjë që nuk ë bënë as komunistët fanatikë të Partisë së Punës në zgjedhjet e 22 marsit 1992, kur ju dorëzuan pushtetin), dhe kjo është gjithashtu një vepër juaja.

            Ju shkaktuat trazirat e 1997, që çuan në rënien e shtetit (dukuri kjo e panjohur në kohët moderne) dhe Shqipëria u bë si më 1913, ku sundonte anarkia dhe u desh ndërhyrja e forcave të NATO-s që të evitohej lufta civile dhe kjo është gjithashtu një meritë juaja.

            Ju dërguat djemtë e veriut për të shtypur vëllezërit e jugut më 1997, z.Berisha dhe kjo do të shënohet në histori si një bëmë apo gjëmë juaja.

            Ju bëtë grushtin e shtetit më 1998, duke rrëzuar një qeveri legjitime dhe duke pushtuar institucionet e shtetit dhe u desh ndërhyrja ndëkombëtare të normalizohej gjëndja. Edhe kjo është një vepër juaja, Z.Berisha.

           

            Ju bëtë Gërdecin e famshëm ku u rrafshua një fshat i tërë në kohë paqeje dhe kjo është e pandarë nga ju si kryeministër i vendit,z.Berisha.

            Ju bëtë manipulimin e zgjedhjeve të 2009 dhe kjo sërish mban vulën tuaj.

            Ju realizuat manipulimin spektakolar me “procedurë” të zgjedhjeve për Tiranën me 2011 (edhe me bekimin e ndërkombëtarëve).     

            .

            Nën qeverisjen tuaj u bë dhe Ruga e Kombit dhe kjo do të shënohet si arritje juaja.

            Ju bëtë dhe tunelin e Qafë-Krrabës, që lidh Elbasanin me Tiranën dhe kjo do të shënohet si vepër e kohës së qeverisjes suaj.

            Dhe, më në fund, shpresoj shumë që të mos tentoni të manipuloni zgjedhjet e 23 qershorit, z.Berisha, që të mos kalojmë një verë “të zjarrtë” dhe problematike…

            Unë besoj, sepse ju e keni inteligjencëne nevojshme, përvojën dhe instinktin ë politikanit për të mos e bërë një gjë të tillë, që të largoheni paqësisht nga pushteti, siç iku më 2005 Fatos Nano ( një nga punët e mira që ka bërë ai). Megjithëse sundimtarët nuk kanë vend në Parajsë…

            Unë besoj se do ta bëni këtë për të mirën tuaj, të familjes suaj dhe në fund (ndonëse duhej të ishte e para) për Shqipërinë.

            E di që pasioni për pushtet është aq i fortë sa pasioni për gartë, z.Berisha.

 Po për çdo burrë vjen një kohë kur nuk bën as për gratë, as për politikë, z.Berisha.

            Mos e koncepto humbjen si fundin e botës. Nuk do shuhet dielli, Toka sërish do rrotullohet dhe jeta do vijojë rrjedhën e saj. Natyrisht, nuk është kaq e thjeshtë sa po e them unë, por do të mësohesh me gjëndjen e re dhe gadualisht do përshtatesh duke menduar si një “ish”. Sepse të gjithë, duke përfshirë dhe sundimtarët më të famshëm, vjen një ditë dhe bëhen “ish”-a.



Të qoftë e lehtë humbja!



Amin!


shkruar me 20.06.2013 per gazeten Tema, e pabotuar

Publikuar ne portalin Kosovapress date 8.08. 2013

Δευτέρα 17 Μαρτίου 2014

ISLAMI SHQIPTAR, NJE CELULE XHIHADISTE DHE ROLI I SHTETIT



ISLAMI “SHQIPTAR”, NJË CELULË XHIHADISTE DHE ROLI I SHTETIT



                                                            Nga Petrit Qejvani



            Arrestimi i dy imamëve të vetshpallur të dy xhamive të paligjshme (të ndërtuara pa leje) të cilësuar si xhihadistë, si dhe i disa besimtarëve të mashtruar, nxori në pah problemin e rrezikut të depërtimit të një fryme radikale në islamin e paqtë tradicional shqiptar dhe të  rolit (vigjilencës) të shtetit përballë fraksioneve radikale të islamit. Këtu ia vlen të theksohet se “varianti” shqiptar i islamit është më liberali dhe për këtë është jo vetëm i pranueshëm dhe i padëmshëm për Europën,por, po ta njohin mirë, edhe do ta shihnin me simpati. Kur them kështu kam parasysh islamin e aplikuar në Republikën e Shqipërisë. Ndryshe është islami në Kosovë dhe Maqedoni ose Mal të Zi. Pse ndodh kështu është një temë tjetër. Por disa fakte dhe zhvillime në Kosovë me prirje radikale kanë shkaktuar debate e polemika jo të vogla. Ndërsa këtu na interesojnë më shumë faktet se shkaku i tyre, i cili duhet të bëhet objekt analizash e studimesh të posaçme në nivele akademike. Me një frazë të përgjithshme mund të thuhet për shkak të kushteve të ndryshme të Shqipërisë dhe Kosovës. Një ndër arsyet e këtij ndryshimi ka qenë edhe fryma e fortë ateiste e aplikuar në Shqipëri në kohen e socializmit real dhe fakti i ndalimit me ligj të fesë dhe riteve të saj për një çerek shekulli.

            Tani kohët kanë ndryshuar dhe liria e fjalës dhe e besimit është rikthyer. Është e natyrshme që një shtet si ky yni, pra një shtet laik, nuk përzihet në punët e brendshme të fesë, nuk është një xhandar. Por shteti, ashtu siç ka detyrimin të garantojë lirinë e besimit dhe funksionimin e insitucioneve fetare dhe financimin e tyre, ka për detyrë të kërkojë prej tyre respektimin e statusit të tyre, si institucione kulti dhe mosimplikimin në veprimtari të natyrës politike apo të çdo natyre tjetër, që del jashtë kuadrit të filozofisë së cdo feje, që  është  obligimi shpirtëror  dhe moral i individit në raport me Zotin. Çdo kapërcim është i paligjshëm. Për rastin e mësipërm reagoi mejëherë media e shkruar dhe elektronike. Dhe më duket se iu bë një jehonë e zmadhuar, a thua u zbulua ndonjë organizatë e madhe dhe e fuqishme xhihadiste shqiptare. Pa e nënvlerësuar rastin, le t’ia lëmë drejtësisë ta sqarojë e provojë këtë.Pastaj cilësimi “terroristë” i disa varfanjakëve të mashtruar  duket i tepruar. Opinionit publik ende nuk i është bërë i njohur ndonjë aksion terrorist i këtij grupi. Nëse pjesmarrja në një luftë quhet terrorizëm, kjo është një çështje tjetër. As urrejtje racore nuk ka në këtë rast, çka ishte pjesë e akuzës. Sepse në Siri bëhet luftë midis qeverisë dhe një pjese te popullit të vet. Pra, një luftë civile. Pastaj ne nuk e dimë  me cilën palë janë rreshtuar këta luftëtarë të xhihadit. Thuhet me kryengritësit. Dakord. Po  si do të quheshin vendet perëndiore  dhe SHBA, që mbështesin opozitën dhe kryengritësit? Cilët janë xhihadistët në Siri, ushtria shtetërore apo kryengritësit antiqeveritarë? Por, sido që të jetë, të dy palët janë muslimanë. Atëhere ç’ka antiperëndimore, antikristiane, këtu? Këtu ka thjesht politikë dhe veprime politike. Natyrisht, politika e përdor fenë. Kjo ka ndoshur shpesh. Situata në Siri duket e komplikuar, prandaj perëndimi dhe ShBA e zbutën qendrimin ndaj Assadit dhe e zbehën ndihmën për kryengritësit.

            Në vijim të reagimeve  një medie e njohur elektronike shpejtoi ta shoqëronte lajmin me një koment që vinte në dyshim bashkëjetesën paqësore midis feve në Shqipëri, duke e quajtur atë fallco. Sigurisht, ky ishte një konkluzion i gabuar dhe i nxituar. Një rast i vetëm si ky, ende i pasqaruar nga gjykata,  nuk mjafton për një konkluzion të tillë. Dhe kjo vlerë historike nuk mund të zhbëhet kollaj. Megjithatë, ndërkaq, ka sinjale se kjo bashkëjetesë paqësore ka të ngjarë të cenohet në të ardhmen, për shkak të një rivaliteti për dominim, që vjen më tepër si rezultat i ndërhyrjes së misionarëve të huaj të tre ( në të vërtetë i dy besimeve) besimeve në Shqipëri, si jehonë e garës globale për shtimin e numrit të besimtarëve respektivë.  Besimtarët muslimanë, me sa duket, ndonëse në maxhorancë besimi, kanë ndjerë pas viteve ‘ 90 një lloj përçmimi, margjinalizimi prej një atmosfere politike dhe shoqërore, që synon Europën e bashkuar, por të krishterë. Pra, në një farë mënyre  fryma e armiqësisë së islamit ndaj krrishterimit është pasojë e “luftës” së heshtur midis muslimanizmit dhe krishterimit në rang global. Lidhur me këtë çështje, Sammuel Huntington në librin “Përplasja e qytetërimeve”, duke replikuar me një deklaratë të ish-presidentit amerikan Bill Klinton, i cili thotë se perëndimi nuk ka probleme me islamin, por me ekstremistët islamikë, nënvizon se historia prej një mijë e katërqind vjetësh tregon ndryshe dhe se marrëdhëniet midis islamit dhe krishtërimit…shpesh kanë qenë të trazuara. Lidhur me arrestimet e bëra nga policia një medie e shkruar, që reagoi ndër të parat me një editorial, duke iu referuar këtij fakti, fliste mbi ” rrezikun e laicitetit të shtetit shqiptar ( duhet të thoshte mbi “rrezikimin “e laicitetit”) megjithëse kjo s’ka për të ndodhur, si dhe mbi paaftësinë e strukturave  të shërbimit sekret (SHISH) për të zbuluar në kohën e duhur këto celula. Natyrisht, shteti, përveç kontratës së besimit që ka me institucionet fetare, ka karshi qytetarëve detyrimin  të monitorojë e të vëzhgojë çdo gjë të dyshimtë që mund të mbulohet edhe me petkun fetar.

            Syrit të madh të shtetit nuk duhet t’i shpëtojë asgjë. Prandaj është shpikur kjo makinë e komplikuar politike, të kontrollojë zbatimin e ligjit ,nëpërmjet meklanizmave që ka, të sigurojë jetën normale të qytetarëve. Por mendoj se nuk duhet orientuar debati vetëm në këtë drejtim, në atë të gatishmërisë dhe syçelësisë së pamjaftueshme të shërbimt sekret dhe të gjynaheve, që mund të ketë ai në këtë rast. Ky është vetëm një aspekt i trashëgimit që u la Berisha dhe qeveria e tij shqiptarëve. Një Shqipëri të shpartalluar gjithandej. Në ekonimi, mjedis, rend e kudo. Berisha ka energji dhe talent të jashtëzakonshëm shkatërrimtar. Ai shkatërron edhe kur niset që të ndërtojë! Pavarësisht kësaj, ky fakt ka nevojë për një shqyrtim e reflektim më serioz.       Çështja në fjalë nuk është  çështje thjesht policore. Dhe duhet të na bëjë të shohim më larg dhe më thellë për të zgjeruar perimetrin e vëzhgimit  dhe thellësinë e arsyetimit, duke kërkuar shkakun kryesor dhe jo pasojat e rastit.

            Xhihadizmi dhe prania e disa xhihadistëve në Shqipëri nuk lindi nga situata në Siri. Ajo veç e ekspozoi. Radikalizimi i Islamit është  një frymë antiperëdimore konstante, në thelb antikristiane, që vjen nga kryeqendrat e tij në vemdet arabo-muslimane. Ndërkohë, kjo frymë nuk drejtohet njëlloj kundër të gjitha vendeve të krishtera. Objektiv kryesor i kësaj “lufte” xhihadiste janë në radhë të parë SHBA-të, si fuqia më e madhe ekonomiko- politike e krishterë në botë. Nuk ka një frymë të theksuar xhihadiste ndaj Europës, ta zëmë antigjermane apo antiitaliane etj. Dhe kjo duhet shpjeguar. Që në origjinë xhihadi është një luftë kundër “kaurit”, që duhet të ketë lindur qysh në kohën e kryqëzatave të krishtera kundër fesë islame për pushtimin ë “tokës së shenjtë”, thelbi i të cilave ishte dominimi i kryqit mbi gjysmëhënën. Por jo thjesht kundër krishtërimit si fe tjetër, por edhe më gjerë.        Xhihadi është një luftë në emër të Allahut, jo vetëm kundër krishtërimit si besim, por edhe kundër qytetërimit perëndimor, mentalitetit perëndimor, kundër plitikës së këtyre vendeve, veçanërisht ShBA-ve, që shihet prej këtyre vendeve si një xhandar ndërkombëtar (e pranuar nga vet amerikanët sipas doktrinës “monro”), si armike e tyre, si pushtues, që do t’i “degjenerojë moralisht” (t’i perëndimorizojë me dhunë) si dhe të shfrytëzojë pasuritë ë tyre natyrore, sidomos naftën.

            Duke e ndjerë veten të tradhtuar prej elitave të tyre politike (shpesh antidemokratike), që janë në përgjithësi proamerikane, ata (xhihadistët) nuk kanë fuqinë të ndeshen ballë për ballë me fuqitë perëndimore, që janë dhe vendet më të zhvilluara të botës, prandaj priren  për sulme të natyrës terroriste si ai i 11 shtatorit apo rrëmbime avionësh, vendosje bombash në vende publike etj. Pra, veprime të një natyre dëshpëruese, në pamundësi për të bërë më shumë. Ndërkaq, megjithë një imazh miqësor dhe respekti të ndërsjellë formal, që reklamohet nga krerët e  dy besimeve më të mëdha (nga kleri i krishterë dhe ai musliman në disa veprimtari të përbashkëta) underground ka një luftë për dominim midis këtyre besimeve. Në rang rajonal dhe global. Kjo është e vërteta. Kurse për diplomaci mund të flitet ndryshe.

            Ne duhet ta kuptojmë mirë që bota muslimane e sheh Shqipërinë si avanpost të muslimanizmit në Europëm “ kaure “. Këtë  e dëshmojnë edhe hezitimet e disa vendeve europiane si Holanda, apo të disa forcave të djathta ekstremiste në Europë, që ishin kundër marrjes së statusit të vendit kandidat për Shqipërinë në BE. Kjo ide është shprehur edhe nga kryeministri Rama, me rastin e mosmarrjes së statusit të kandidatiti në BE për Shqipërinë. Dhe mendoj është e drejtë. Pavarësisht se është e thënë pa diplomaci dhe është kritikuar nga opozita dhe mohuar prej përfaqësuesve të BE-së.. Pra, Shqipëria synohet prej vendeve arabo-muslimane, të cilat duhet të kënë edhe strategji për realizimin e këtij synimi. (të mos harrojmë se  edhe kryeministri turk Erdogan, që nuk është aspak xhihadist, por musliman, u shpreh për “ afinitet të vecantë” midis turqve dhe shqiptarëve, (dhe këtë afinitet me siguri e shihte te feja, te islami) kur në Prizren deklaroi se këtu e ndjej veten si në Turqi!...) Dhe nëse shtetet si në rastin e Turqisë shprehen hapur dhe operojnë në mënyrë legale dhe mjete legale, organizatat e ndryshme islamike synojnë rekrutimin e militanëve të vet në gjirin ë besimtarëve shqiptarë nëpërmjet manipulimit me besimin si dhe duke i joshur shumë të rinj shqiptarë me shkollimin e tyre ne vendet arabo-muslimane falas, si në Arabinë Saudite, Egjipt, Iran, Irak deri në Malajzi.

            Realizimi i depërtimit të rrymave të ndryshme islamike bëhet edhe nëpërmjet financimit të insitucioneve të kultit, xhamive ( kryetari i komitetit të kulteve pranë qeverisë bëri të ditur se janë rreth 650 xhami në Shqipëri( !?..) si dhe blerjes së imamëve nëpërmjet ryshvetit. (po kështu ata kanë blerë edhe qeveritarë shqiparë). Ndryshe nuk mund të ndërtohen xhami në mes të Tiranës “ pa dijeninë” e shtetit. Prandaj populli thotë: nuk mund të futet xhamia në thes, për gjëra që nuk mund të fshihen. Por kam përshtypjen se po kështu veprohet dhe me kishat. Në një situatë të tillë, në një vend të prapambetur dhe të varfër, me tre besime, që rivalizojnë në heshtje për zgjerim territori shpirtëror (shtim besimtaresh) qeveria duhet të jetë e kujdesshme në rapot me besimet fetare. Ajo duhet të jetë neutrale, por e vëmendshme ndaj zhvillimeve fetare, duke zbatuar ligjet ë një shteti laik serioz. Se, ndërsa duket se ka një prirje (jo shtetërore) aty këtu në media për të margjinalizuar muslimanizmin si fe të imponuar, ka gjithashtu një prirje për të glorifikuar krishterimin si fe autoktone dhe perëndimore. Pavarësisht së vërtetës historike se ne i kemi përkitur si besim i parë krishtërimit, fakti është se sot besimi mysliman është një besim i adoptuar prej një pjese të konsiderueshme besimtarësh (numri nuk dihet si dhe për fetë e tjera) dhe çdo përpjekje për përçmim të saj ka një çmim të lartë për pasojat që sjell.

            Muslimanizmi është besim, si çdo besim tjetër dhe besimet janë të shenjtë, të pacenueshëm. Me këtë rast le të kujtojmë se si gabojnë edhe njerëz si Kadare, kur deklaroi se tashmë shqiptarët do orientohen nga Europa (nga BE) dhe do t’i rikthehen krishtërimit në essenë “Identiteti europian i shqiptarëve”. Dhe  më vonë kërkoi ndjesë për këtë. Prandaj të gjithë duhet të jemi shumë të kujdesshëm kur flasim për fetë dhe besimin në zot (megjithëse autori i këtij shkrimi nuk është besimtar), pasi besimi është i verbër ( nuk arsyetohet) dhe dogma nuk vihet në dyshim prej atyre, që e pranojnë. Për këtë shkak reagimi i shtetit ndaj veprimeve të paligjshme të individëve apo institucioneve fetare duhet të jetë koherent dhe simetrik ndaj të gjitha feve dhe besimeve. Dhe mendoj se nuk i bëjmë shërbim të mirë vendit tonë duke amplifikuar këtë rast. Muslimanët mendojnë (kam patur rastin të bisedoj me disa prej tyre) se shteti i toleron disa veprime të kishës ortodokse sic është rasti i priftërinjve në Kosinë që  zhvarrosën eshtra shqiptarësh dhe i quajtën eshtra ushtarësh grekë dhe, megjithë se prokuroria provoi fajësinë e  tyre gjykata i shpalli të pafajshëm (!) në mënyrë të turpshme nën trysninë e qeverisë  servile shqiptare. Apo rasti më i freskët, ai i shtëpisë së kulturës në Përmet, kur Janullatos dhe vartësit ë tij politizojnë një vendim gjykate, duke pështjelluar e përçarë komunitetin ë besimtarëve ortodoksë shqiptarë, në një zonë që ata e përfshijnë në të ashtuquajturin “Vorio Epir”. Pra , qeveria (nuk e kam fjalen per qeverine e sotme), në vend të përpiqet të ruajë e të konsolidojë bashkëjetesën ndërfetare me pakujdesi apo me përfitime të çastit nxit rivalitetin dhe përçarjen ndërfetare.

             Pas viti 1990 Shqipëria u shqye kanatash dhe këtu vërshoi kush mundi. Duke shfrytëzuar  lirinë e shprehjes dhe besimit u turrën drejt Shqipërisë, duke e quajtur një tokë të virgjër për nga besimi, mizëri sektesh e besimesh, gjithfarë misionarësh fetarë me thasë me Bibla e Kuranë, me thasë me miell e rroba të përdorura, mafiozë nën petkun e tregtarëve, trafikantë femrash për prostitucion, pedofilë nën petkun e humanistëve, agjentë të shërbimeve sekrete.(zakonisht këta janë të parët). Midis tyre kishte dhe njerëz të ndershëm e idealistë, që donin të ndihmonin shqiptarët e varfër të mbijetonin në ato çaste të vështira. Por pati edhe shumë spekulantë, midis tyre edhe të mbuluar me petkun fetar, që rekrutuan njerëz të varfër, hallexhinj, që me “mesimet fetare” maskonin veprimtaritë e dyshimta dhe antishqiptare. Dhe nuk është se kjo veprimtari e paligjshme ka mbaruar me arrestimin e dy imamëve dhe disa varfanjakëve të manipuluar.

            Por çështja themelore që nxiti ky rast është debati mbi bashkëjetesën midis besimeve në Shqipëri, një vlerë historike shumë e çmuar për kohezionin social të vendit, që e vlen të lançohet para të tjerëve dhe na nderon ( le të kujtojmë luftën fetare deri vonë në Irlandën e Veriut midis katolikëve dhe protestantëve) Kjo çështje nuk duhet nënvleftësuar. Syri i shtetit duhet të shohë larg për këtë problem. Prishja e kësaj bashkëjetese do të kisht pasoja të pallogaritshme për shoqërinë tonë.


Botuar ne gazeten DITA date 18.03.2014, me shkurtime

Δευτέρα 10 Μαρτίου 2014

EDHE ILIR META NUK E MBAN FJALEN!...



                        EDHE ILIR META NUK E MBAN FJALËN!...

                                                Nga Petrit Qejvani

           

            Ilir Metës i ka dalë nami si njeri që e mban fjalën. Këtë e thonë shumë njerëz, që e njohin nga afër. Edhe disa miq të mitë. Dhe unë prirem ta besoj. Mbajtja e fjalës është shënjë burrërie, thonë. Kjo është karaktreristikë e njerëzve të qëndrueshëm dhe me karakter. Dhe kjo sa në rrethin e ngushtë intim, miqësor, aq dhe në planin  publik e shoqëor, për shkak  të të qënit një figurë e rëndësishme politike. Bile, falë kësaj , thonë, është garantuar dhe mbijetesa e tij politike midis dy partive të mëdha deri te katërfishimi i papritur i rezultatit të zgjedhjeve të 23 qershorit. Ndonëse këtu atij i atribuohen edhe ca veprime jo shumë morale, por që, gjithsesi, lidhen me mbajtjen e fjalës së dhënë. Për shembull, thonë se elektorati i tij u shtua për shkak se u ka premtuar njerëzve, që do të votonin për të, vende pune. Kundërshtarët e tij e quajnë këtë dobësi. Kurse unë e gjykoj si zotësi  dhe meritë. Pra, si fjalëmbajtje. Njerëzit i besojnë dhe ai i fut në punë. Dhe këtë e bën fare natyrshëm dhe shpejt.

            Këto kohët e fundit kam takuar militantë të PS-së, intelektualë dhe profesionistë të mirë, që, të zhgënjyer, presin punë, duke i sorollatur,  të cilët më kanë thënë se në zgjedhjet e ardhshme do shkonin me LSI ( qysh nga ato vendoret), se krerët socialistë nuk e mbajnë fjalën dhe nëpër zyrat dhe institucionet e shtetit, me tarafe, krushqi e miqësira, me “dredhje” apo “përdredhje”, po riemërohen militantë të PD-së, përvec të LSI- së, të cilët u emëruan të parët në punë, fale vendosmerise se Metes.

            Prandaj socilistët e thjeshtë kanë filluar të thonë: Meta e mban fjalën, herën tjetër do votojmë për Metën. Dhe ka të ngjarë që “cudia” e  23 qershorit  të zmadhohet në zgjedhjet ë ardhshme. Por edhe PD-ja bën më shumë për militantët. Përkundër PS-së, që bën vetëm për elitën e saj dhe më pak më militantët. Pra, te Meta shtohet besimi i njerëzve të thjeshtë, që nuk duan miliona, por bukën e përditshme. Duke  vepruar kështu ai i qëndron më tepër besnik vetvetes. Iu shërben edhe militantëve, edhe vetes, garantimit të qëndrimit të sukseshëm në politikë dhë pse jo, edhe pretendimeve të tjera të pa shpallura...           Meta konsiderohet përgjithësisht, nga ata që e duan dhe nga ata qe s’e duan si një politikan pragmatist më tepër se idealist, megjithëse në politikë idealizmi është gjëja që vlen më pak. Dhe ai e ka kuptuar shumë mirë këtë. Nëse miqtë dhe simpatizantët e tij e lavdërojnë për këtë , kundërshtarët, ndonëse e kritikojnë, nuk e mohojnë. Me një fjalë është një politikan i  traditës shqiptare. Por nuk është aspak konsevator dhe nuk vuan nga komplekset. Është një politikan popullor. Dhe ka një komunikim të natyrshëm dhe gjuhë shumë të thjeshtë me qytetarët. Larg pozave dhe “intelektualizmit”, larg frazave kilometrike.

            Është e vërtetë që fraza e tij nuk shquhet për stil të “lartë”, nuk ka luksin dhe shkelqimin, që mund të kenë të tjerët, por është kurdoherë një frazë me përmbajtje, e drejpërdrejtë dhe konkrete. Ai nuk e ambalazhon panevojshëm mendimin dhe nuk i lodh ata që e dëgjojnë  për të “deshifruar” idetë apo mendimet e tij. Pra, ai shkon më shpejt dhe më thjesht te qytetari, cka është dhe synimi i politikanëve dhe politikës.

            Meta, si me thënë, nuk e kap veshin e djathtë me dorën e majtë.Duke qënë më i “varfër’ në ambalazhimin e fjalës, ndërkaq është më rezultativi. Sepse gjen rrugën më të shkurtër për të shkuar te qytetari. Meta e  ekonomizon fjalën (nuk besoj se kjo lidhet me profilin e shkollimin të tij), flet më pak dhe më qetë se politikanët e tjerë kryesorë të Shqipërisë, por është po kaq e vërtetë, që te ai ka më pak inflacion fjalësh se te ata. Është i saktë dhë i përpiktë si një makinë llogaritëse. Kjo i jep qetësinë dhe sigurinë e komunikimit.

            Meta është nga politikanët më të përmbajtur dhe që i përballon, në përgjithësi, me qetësi të admirueshme  provokimet që mund t‘i bëhen. Ndërkaq nuk luan nga e tija. Është “shkëmb” Skrapari, që nuk lëviz nga vendi. Dhe kjo ka lidhje me qartësinë e “llogarive” të bëra dhe  aftësisië për të analizuar saktë situatat dhe pasojat e tyre. Prandaj dhe luan me të dy partitë e mëdha dhe bën ca kthesa aq të forta politike, saqë i habit  ata, që i “braktis” dhe ata që, e  “presin”. Ai e braktis një “dashuri politike”, kur nuhat se i duhet një “dashuri e re”, që i siguron mbijetesën politike, dashurinë e tij të madhe. Pra, aleatët  për të  janë mjeti me të cilët ai luan, sipas rastit. Ai nuk është qibar, kur zgjedh aleatin e ri. Pasi braktis me qetësi olimpike një aleancë, po me atë qetësi lidh tjetrën, pa pyetur shumë c’thonë të tjerët, me një fjalë, është një “Don Zhuan” i suksesshëm i skenës sonë  politike. Por ama i zbaton një më një pikat e kontratës (“martesës” së radhës), dhe shkon i paqtë në nënshkrimin ë kontratës së re. Shkurt e mban fjalën.

            Por ka raste që edhe Meta nuk e mban fjalën. Sigurisht fjalën publike. Kur u konstituua legjislatura e re, pak ditë pas saj, deklaroi në Kuvend se kompiuterat e tenderit të fundit të zonjës Topalli do t’i cmontonte dhe do t’ia dhuronin ndonjë shkolle. Ide shumë e mirë. Shpresova se do ta bënte shpejt këtë. Sidomos pas lojës së fundit, kur deputetët e opozitës filluan t’i përplasnin mousat. Por, sic shihet, Meta nuk e mbajti fjalën kësaj here. Do bëntë shumë mirë ta mbante. Jo se do thonë njerëzit, si unë për shembull, që ai nuk e mban fjalën, por më tepër se ata kopiutera aty janë të panevojshëm dhe absurdë. Nuk kemi parë asnjë parlament në botë (të paktën në Europë dhe në vende shumë të pasura) me kompiutera para cdo deputeti, që i jep parlamentit pamjen e call center. Dhe nuk na le të shohim as fytyrat e bukura të deputetëve tanë!... Kjo shpikje alla shqiptare, me sa duket, ka qenë vënie në jetë e idesë fantastike të Berishës për një Shqipëri dixhitale, ku cdo qendër komune do kishte nga nje sallë kompiuterash falas për fshatarët!..             Prandaj zoti Meta është mirë ta mbani edhe kësaj here fjalën. Thjesht kjo është një kujtesë. Me këtë rast ju do mbanit fjalën e thënë (jo të dhënë si në baladë) dhe tre-katër shkolla, që nuk kanë asnjë kompiuter, do kishin nga një kabinet informatike. Dhe do t’jua dinin për nder.

Botuar ne gazeten SOT, date 13.03.2014

Τρίτη 4 Μαρτίου 2014

KUR TE MUNGON ETIKA DHE E KERKON PREJ TE TJEREVE



                        KUR TË MUNGON ETIKA DHE E KËRKON PREJ TË TJERËVE



                                                            Nga Petrit Qejvani



            Deputeten luftarake të PD-së Mesila Doda  kanë marrë guximin dhe e kanë fyer e kërcënuar në facebook. Sigurisht ky nuk është një lajm i mirë për këdo, pa le për një deputete! Nuk e dimë ndërkaq sa i vërtetë është ky lajm (a ka vërtet fyerje), pasi nuk kemi burim tjetër, veç një delklarate dhe thirrjeje   të zonjës Doda ( megjithëse priremi ta besojmë), që bën me dije se dikush , që ajo e identifikon së paku politikisht si freshist, (anëtar të FRESH-it) e ka fyer familjarisht, pasi ka komentuar disa foto të familjes së saj të publikuara në fb dhe për këtë i drejtohet Prokurorit të përgjithshëm dhe kryeministrit te vendit, por këtij të fundit me cilësinë ë shefit të PS-së. Thelbi i kërkesës- thirrje të saj është gjetja (identifikimi)  e personit, që e ka fyer dhe ndëshkimi i tij. Megjithatë, le të jemi të sinqertë, sikur kjo t’i kishte ndodhur ndonjë deputeteje  “ më të urtë” do të ishte ca ndryshe.  

            Sigurisht, të fyesh të tjerët është jo vetën antietike, por dhe e dënueshme. Por tek ne shpërdorimi i fjalës është bërë normë, duke filluar nga rruga deri në parlament. Nuk mungon as në studiot televizive. Falë demokracisë sonë anarkike. S’jemi  kot një shoqëri e lirë! Prandaj e kemi zgjidhur gjuhën dhe jo si në diktaturë, që nuk na linin të përdornim të gjitha fjalët! Sidomos disa fjalë acide, që e ngrenë adrenalinën dhe na bëjnë më sharmantë!..

            Dhe kështu dalim tek rëndësia dhe vlerësimi i fjalës dhe përdorimi etik ose joetik i saj. Sepse  fjala ka efekte të forta te njeriu. Ajo qetëson dhe  acaron, të nxit (për mirë apo për keq) të frymëzon apo dekurajon, të mbush me urrejtje apo dashuri etj. Tek e fundit fjala i paraprin veprimit. Në Bibël nuk thuhet më kot “e para ishte fjala”. Prandaj kujdesi në përdorimin e saj është sa kulturë, aq dhe vetdije dhe edukatë qytetare. Dhe nuk duhet të kujtohemi për efektin e saj, kur na cënojnë të tjerët, por edhe kur i cenojmë ne ata. Sepse zonja në fjalë nuk para është aq delikate në përdorimin e fjalës.

            Njerëzit publikë duhet të shquhen për sqimë (jo thjesht në paraqitjen ë jashtme apo performancën a lukun, sikundër thuhet sot). Unë nuk besoj që fyesi i zonjës në fjalë ka diçka personale me të. Ndryshe ajo do ta identifikonte si person. Vet fakti që ajo e klasifikon si freshist tregon se ajo e identifikon politikisht për shkak të natyrë së komentit (megjithëse ne nuk e dimë konkretisht tekstin). Pra, komenti ka shtysë politike. Dhe kjo i jep edhe një shpjegim reagimit të fyesit.

            Dihet që militantët nuk të falin. Ata janë fanatikë në përgjithësi. Dhe zonja Doda në këtë rast është një “tabelë” e ekspozuar dukshëm për militantët e majtë. Për shkak të natyrës agresive dhe të një komunikimi të vrazhdë. Ajo vet është një militante e thekur e PD-së dhe së bashku me zonjë Topalli, G. Duman (ndonëse kjo e fundit është ca ndryshe nga të parat për shkak të formimit akademik) e ndonjë tjetër, bëjnë pjesë në skuardën e "ekzekutimit” të opozitës me fjalë.

            Veçanërisht shquhen për një gjuhë aspak të paqme dhe të kulturuar zonja e “zheleve” Topalli dhe zonja e “palmës” para kryeministrisë Doda..Ato karakterizohen nga një ligjërim agresiv publik, sidomos ndaj kundërshtarëve politikë dhe atyre që nuk i pëlqejnë, duke kopjuar udhëheqësin e tyre shpirtëror Doktorin e famshëm, i njohur si sharësi më i madh politik në Shqipëri i të gjitha kohrave.

            Shumëkush e ka të freskët ende “litarin” që do të përdorte Doda në palmën para kryeministrisë për një koleg të opozitës, ashtu si ish-kryeparlamentarja që vite më parë, me një gjuhë banditësh do t’i drejtohej një kundërshtari politik me fjalët “ e ka fajin Sali Berisha, që nuk ju dha  plumbin ballit!"...

            A ka ligjërime më agresive se këto?!A ka etikë këtu? A i shkojnë këto deklarata një femre, gruaje, një nëne? Bile as një burri normal. Por doktori i ka klonuar të gjithë në PD, duke realizuar burrezimin (jo burrerimin) e disa femrave perfaqesuese te PD-se. A ka vulgaritet më të madh se ai i zonjës Topalli. kur në një nga seancat e fundit të Kuvendit iu drejtua kryeministit me një “trimëri” rrugaçërore (si nje burre i keq) me fjalët: ti je kryeministri më i pafytyrë?!

             Por le të vijmë te Doda,qe eshte dhe  shkaku i ketij shkrimi. Në vijim të natyrës së ligjërimit të saj, në një nga programet më të ndjekura në një tv kombëtar, duke ndërhyrë në debatin se kush është enverist Saliu apo Edi, ajo, krejt pa edukatë lëshoi frazën  “E. Hoxha një qen bir qeni”…Si ju duket kjo? A ka etikë këtu? A ka respekt për fjalën? A e nderon kjo personin që e thotë? Apo e bën pis atë vet dhe ekranin? Dhe të kuptohemi: ajo mund të thoshte plot epitete “seriozë” për të karakterizuar E.Hoxhën, si diktator, vrasës, shtypës të lirive dhe të drejtave të njeriu etj., të merituar e të pamerituar.

            Për ta parë më mirë sa etike është zonja Doda le ta mbyllim  me deklaratën-thirrje drejtuar Edi Ramës: “Ftoj kryetarin politik të këtyre maskarenjve dhe keqbërësve të gjejë fajtorin që e ka mes militantëve të vet”. A ka nevojë kjo frazë për koment?! A nuk kemi të bëjmë këtu me një mungesë totale të etikës? A nuk ka në këtë ligjërim  agresiv  fyerje masive të militantëve të PS-së? Dhe fyerje direkte të kryeministrit? Kur fyen kaq açik kryeministrin e vendit, i cili duhet respektuar jo thjesht si qytetar, por edhe si kryeministër, merret me mend se ç’mund t’ju punosh të tjerëve. Ky ligjërim është jo vetëm antietik, por i tipit fashist.

            Si mund të quhet kryetari i maxhorancës  “kryetar i maskarenjve dhe keqbërësve?” A nuk e kupton Doda se kështu fyen shumicën e shqiptarëve që votuan këtë kryeministër? Dhe pastaj kërkon ndëshkimin e një fyesi anonim!.. Si mund të fyesh një komunitet kaq të madh politik vetëm e vetëm se është kundërshtari yt politik.? Kjo tregon se sa lehtë eksitohet dhe provokohet zonja në fjalë. Dhe sa lehtë e humbet logjikën.        A ka të drejtë ajo të kërkojë etikë dhe mirësjellje nga të tjerët, kur vet fyen, jo një njeri të vetëm, por masa të tëra njerëzish dhe një kryeministër? A nuk bie ajo në nivelin e një qytetareje ordinere, për të mos thënë vulgare? Apo ndoshta justifikohet me atë që deputetët nuk mjanë përgjegjësi për ato që thonë, duke e barazuar papërgjegjësinë me papërgjegjshmërinë, domethënë me të qenit jo normal? Sidoqoftë, këtu besoj se ajo e humbet të drejtën për t’u kërkuar të tjerëve të jenë etikë, kur vet i mungon etika… Por këtë e kuptojnë vet lexuesit.