HISTORIA
MUND TË RISHKRUHET, POR JO TË RIBËHET
Nga
Petrit Qejvani
Debati mbi rishkrimin e historisë , ndonëse
nuk është i ri, herëpashere dëndësohet
dhe merr karakter të ashpër polemik dhe jo çdo herë shkencor. Veçanërisht tani
në prag të 100-vjetorit të pavarësisë ai merr ngarkesë të re, pasi është
momenti për rivlerësimin e disa figurave historike për shkak të
politizimit, që u është bërë në diktaturë. Sikur kjo zhurmë të bëhej thjesht
për objektivitet shkecor, do të ishte një gjë e mirëpritur dhe e dobishme. Por
kjo është dhe gracka ku mund të bjerë nje rishkrim i saj, kësaj here politizuar
nga ana e kundërt. Dhe sinjalet nuk mungojnë.
Arsyet pse mund të rishkruhet
historia janë dy:
E para: për të riinterpretuar fakte
të njohura, por të interpretuara njëanshëm, gabim me ose pa dashje. Ë dyta: për
të interpretuar fakte të reja, të panjohura më parë, dokumente të zbuluara
rishtaz. Këto janë arsye shkencore. Por ka dhe një arsye joshkencore: për ta
falsifikuar atë për intresa revanshi politik nën petkun e defalsifikimit. Dyshim
që nuk është pa gjë. Dhe këtu, më tepër se për ngjarjet, bëhet fjalë për
figurat historike, “pronë” e partive respektive politike, të cilat gjithmonë
nuk janë në simetri të plotë me kohën, pra nuk janë në harmoni absolute me të. Nuk
ka figura historike të shkëlqyera nga të gjitha anët.. Ato janë të gjitha me
dritë-hijet e tyre.
Pozitiviteti, dihet, anon nga ai
personalitet, që ka kuptuar imperativin e kohës, kahjen e ngjarjeve,veprimet e
të cilit ndikojnë dhe përputhen me fundin e pritshëm të një procesi ose me
faktin historik. Dhe, që të mos bëjmë teori, le të zbresim në terrenin praktik,
te shembujt.
Sikur të bëhej fjalë vetëm për
ngjarjet dhe personalitetet e Luftës së Dytë Botërore, kjo do të ishte e
nevojshme për shkak të shikimit bardh e zi të protagonistëve dhe antagonistëve
të saj, por edhe për shkak të subjektivizmit të fitimtarëve, të cilët kudo, jo
vetëm në Shqipëri, zakonisht kanë prirjen ta zmadhojnë e zbukurojnë fitoren. Kurse
për figurat më të largëta historike, siç janë psh. ato të Pavarësisë,
vlerësimet e historiografisë komuniste, megjithë simpatitë ose antipatitë
politike, kanë më pak vend për rishikim e rivlerësim, veçanërisht ato
figura që e kishin mbaruar misionin e
tyre politik për shkak se nuk jetonin më. Kurse për një pjesë që arritën deri
në Luftën e Dytë Botërore dhe gabuan në qëndrimet e veta politike, duke arritur
deri në bashkëpunim me pushtuesin, situata është më e komplikuar dhe vlerësimi
më delikat. Sidomos për disa firmëtarë të aktit të Pavarësisë kombëtare, të
kthyer në kolaboracionistë. Sigurisht, mohimi i kontributit të tyre për
pavarësi është i gabuar, siç është i gabuar edhe fakti që ky kontribut të
shërbejë si mbulesë dhe justifikim i kolaboracionizmit te tyre në luftën për çlirim
kundër nazi-fashizmit.
Lufta e Dytë Botërore për të
djathtën shqiptare, të ashtuquajtur nacionaliste, ishte një nokaut politik. Këtu
fillon ngërçi. Qëndrimi ndaj saj është dhe çelësi për interpretimin e paanshëm
të ngjarjeve dhe personaliteteve përkatës. Pikërisht këtu nis problemi në trajtimin që u bëri historiografia
komuniste eksponentëve kryesorë të së
djathtës, shumë prej tyre protagonistë të ngjarjeve më të rëndësishme
kombëtare, por që përfunduan si kolaboracionistë. U përmbys elita tradicionale politiko-ekonomike dhe u ngjit në
pushtet proletariati, vegjëlia, jo paria
tradicionale (veten e quajtën “Balli” për t’ia kundërvënë “varfanjakëve”, komunistëve). Kjo ishte me pasoja
katastrofale morale, fizike dhe materiale për të djathten.
Për herë të parë në histori paria binte nga
pushteti. Ishte
përmbysur rendi i gjërave. Shoku ishte i madh. Kështuqë ata nuk mund të ishin kurrë dakord me këtë “ndrrim vendesh”. Mirëpo e vërteta
është e pamëshirshme. Dhe këtu nis edhe drama e nacionalistëve shqiptarë: te
mos pranimi i faktit historik. Por dhe i pinjollëve të tyre sot në rrugën e
mundimshme të “rishkrimit” të historisë, domethënë të përmbysjes së saj.
Në histori ka të vërteta absolute dhe të vërteta
relative. Dhe të vërtetat absolute janë faktet, që janë të pandryshueshëm,
ndërsa të vërteta relative janë interpretimet e fakteve. Vetëm këtu mund të ” luhet.”
Por “rishkrimi” i historisë, i kuptuar si përmbysje e saj, është një aventurë
mëndjelehtë, e dështuar që në nisje. Sepse historia mund të shkruhet disa herë, por ajo bëhet vetëm një herë. Dhe ngrin. Psh. Konferenca e Pezës mund të
rishkruhet, por nuk mund të ribëhet. Sepse e shkuara nuk mund të bëhet e tashme.
Ajo u organizua me nismën e PKSH, në të morë pjesë komunistë e nacionalistë (bile
këta dyfish në numër), atje ishte dhe E.Hoxha. Ky është fakti.Natyrisht nacionalistëve
antikomunistë, edhe atëhere , edhe sot, nuk ju vjen mirë që atë nismë e mori
PKSH dhe sidomos E.Hoxha, diktatori i ardhshëm, i cili u hëngri “racionin”
politik “baballarëve të kombit”. Dhe më tej, Shqipëria u çlirua nga lufta e
partizanëve shqiptarë të mbështetur nga populli, por të udhëhequr nga PKSh dhe
E.Hoxha. Dhe ky është një fakt. Dhe këtë duhet ta themi pa drojë. Sigurisht, as
kjo e vërtetë nuk u pëlqen fare nacionalistëve të sotëm, sepse ata e dinë se
është meritë dhe vlerë e madhe të çlirosh atdheun prej okupatorëve dhe kjo
meritë, sipas tyre, u takonte atyre dhe nuk
duhet t’i takojë Diktatorit!..
Por historia nuk harron gjithashtu
që nacionalistët antikomunistë i falën pavarësinë e Shqipërisë Italisë fashiste
në një ceremoni turpi në Romë. Dhe ky është një fakt, një e vërtetë absolute,
pra, e pazhbëshme. Por kompleksi i fajit
nuk i lë ta pranojnë këtë vepër antikombëtare. Ë vërtetë absolute është
gjithashtu që nacionalistët bashkëpunuan me fashizmin e nazizmin. Kjo është e
pandryshueshme. Dhe historianët që duan rishkrimin e historisë mundohen ta
“ëmbëlsojnë” këtë akt me lloj-lloj marifetesh “shkencore”. Domethënë të
korrigjojnë historinë e shkruar “keq”, me një falsifikim të ri. Mohimi i kësaj
të vërtete është i pamundur, pasi ky është një fakt historik, i konfirmuar me
pamje dhe dokumente autentike. Këtu nacionalistët dhe avokatët e tyre në fushën
e historisë janë në pozitë të vështirë. Ata gabuan atëhere, kur nuk duhejt të
gabonin dhe ky gabim nuk mund të ndreqet më, edhe po të shahet e anatemohet nga
mëngjezi në darkë E.Hoxha, me të drejtë e të padrejtë. Sepse ne nuk mund të “çlirohemi” për herë të
dytë nga nazizmi (ai s’është më) për t’u dhënë “shansin” nacionalistëve
shqiptarë kësaj here të luftojnë dhe të jenë ata çlirimtarët!.Emocionalisht i
kuptoj nacionalistët në këtë ndërmarrje, por racionalisht bëhen qesharakë.
Historianët e djathtë, duke
përfituar nga një rast historik,100-vjetori i Pavarësisë, nuk nisen nga
interesa shkencore për një histori objektive, por nga synimi dhe dëshira
politike për të pastruar imazhin e figurave nacionaliste antikomuniste prej njollave
që vetë ata i vunë vetes gjatë Luftës II Botërore. Nuk u tha PKSH të bashëpunonin me fashizmin.
Përpjekjet e politikanëve dhe
historianëve të djathtë për të zbehur
Luftën Nacional-Çlirimtare, me gjithë marifetet që përdorin, janë
rropatje të mundimshme si guri i Sizifit, që nuk do ta çojnë kurrë në majë. Ajo
luftë nderon popullin shqiptar , partizanët shqiptarë dhe ata që i udhëhoqën.
Ajo e radhiti Shqipërinë me aleatët anglo-amerikanë. Antikomunizmi i tyre është
alibi qesharake për të justifikuar
kolaboracionizmin e tyre dhe nuk i nxjerr
në breg. Qemal Stafa,Vojo Kushi , Margarita Tutulani dhe Zonja Çurre etj. janë heronj, sepse dhanë
jetën për lirinë, ndonëse komunistë. Mos duhet që këta të ishin
kolaboracionistë e jo komunistë çlirimtarë ?! Një logjikë e tillë është
andikapate, bile antishqiptare. Por thellë-thellë kjo është një dëshmi e
paqetësisë dhe pranimit të fajit
tyre.
Tentativën për “zhbërjen” e Luftës
antifashiste ata e lidhin me atë që ndodhi pas çlirimit: me vendosjen e
pushtetit komunist, të diktaturës së proletariatit, falë jo vetëm meritave të
komunistëve, por edhe”kontributit” të vet nacionalistëve me kolaboracionizmin e
tyre. Dhe meqe dikatura bëri gabime dhe krime, ata duan t’ia heqin dhe, në pamundësi,
ta zbehin ose çvlerësojnë luftën Nacional-çlirimtare, si vepër të komunistëve, (pavarësisht
se partizanët nuk ishte e thënë të ishin
patjetër komunistë ,bile pak prej tyre
ishin komunistë) , sepse atë e udhëhoqi PKSH. Një mision ky i pamundur. Aq sa
është e pamundur që antikomunizmi kolaboracionist të quhet patriotizëm.
Në të vërtetë errësimi që pinjollët e së
djathtës, dikur humbëse, duan t’i bëjnë luftës Nacional-çlirimtare dhe
rehabilitimi i disa figurave të njollosura keq me kolaboracionizmin e tyre, rreh të errësojë
kontributin dhe meritën e komunistëve në këtë luftë dhe , veçanërisht, t’i heqin
E.Hoxhës meritën e padiskutueshme në krye të kësaj lufte, duke e kthyer praktikisht
thjesht në një diktator, pa asnjë vlerë pozitive.
Që historianët të tregojnë që janë
objektivë duhet t’i njohin E.Hoxhës meritat e luftës dhe clirimit të
Shqipërisë, ashtu dhe gabimet e krimet ë
pasçlirimit, si ai i eliminimit të kundërshtarëve politikë, siç duhet t’i
njohin Zogut meritën e hedhjes së themeleve të shtetit modern, por edhe
ekzekutimin e kundërshtarëve politikë si B.Curri, L.Gurakuqi, A Rustemi, Hasan
Prishtina etj, pa harruar braktisjen e atdheut në një moment tragjik si dhe
shitjen e trojeve shqiptare si Shen Naumi ë Vermoshi serbëve. Kështu shkruhet
një histori për të gjithë dhe jo një histori “ ë djathtë” dhe një histori “e
majtë”.
Një histori objektive do guxim
qytetar dhe kurajo morale më tepër se shkencore, që aktualisht mungon, përtej
deklaratave të historianëve partizanë,
që betohen për “të vërtetën” e tyre. Kjo,
me sa duket, do kohë të bëhet dhe, veç turpit, kjo gjë ka për të dëmtuar
formimin e shëdoshë historik e patriotik të shkollarëve shqiptarë, të cilët do
mësojnë dy histori të Shqipërisë, sipas rotacionit të partive në pushtet.
Kështu, edhe për ca kohë, (nuk dihet sa) shqiptarët do kenë dy palë heronj e dy
palë tradhtarë. Ndërgjegja kombëtare do funksionojë siç duhet, kur të gjithë
shqiptarë t’i kenë të njëjtë heronjtë dhe të njëjtë tradhtarët. Le të
shpresojmë që kjo të vijë sa më shpejt.
Nëntor 2012
Ps. Shkruar në
kuadrin e 100- vjetorit te Pavaresise, i pabotuar
Δεν υπάρχουν σχόλια:
Δημοσίευση σχολίου