Κυριακή 23 Φεβρουαρίου 2014

NJE PROKUROR I HUAJ PER 21 JANARIN?! CFARE ZHGENJIMI!



NJË PROKUROR I HUAJ PËR 21 JANARIN DHE KORRUPSIONIN?! ÇFARË ZHGËNJIMI!

                                                            Nga Petrit Qejvani



            Para disa muajsh kam botuar në një të përditshme  shkrimin me titull:”A i duhet Shqipërisë një EULEX?” ku shprehja dyshimin tim nëse do te rihapeshin dosjet ë mëdha të 21 janarit, të Gërdecit apo ajo e Rrugës se Kombit, si dosjet më të bujshme të qeverisë Berisha. Dhe nuk vonoi dhe dyshimin tim e konfirmoi shefi i shumicës dhe kryeministri i vendit Edi Rma. Dhe, sigurisht që nuk u gëzova, siç ndodh zakonisht kur një parashikim yti del. Përkundrazi.

            Në replikën drejtuar kryetarit shpirtëror  dhe real të opzitës Sali Berisha në një nga seancat ë fundit të Kuvendit (pikërisht më 20 shkurt) ku ai i ra me “top” qeverisë dhe personalisht kryeministrit, siç bën gjithmonë, Edi Rama iu përgjigj se për ato që ke bërë ti e ke vendin para drejtësisë, por ata janë njerëzit e tu në gjithë sistemin dhe prandaj sillesh kështu. Por ne do marrim prokuror të huaj për ty! Ndonëse ky dukej si një kërcënim, nuk kishte gjë më zhgënjyese dhe dëshpëruese dhe së bashku me pikëllimin që më shkaktoi kjo deklaratë më erdhi keq edhe për kryeministrin e pafuqishëm të 1 milion votave apo shuplakave, siç i pëlqen të shprehet shpesh kryeministri aktual, kur i drejtohet opozitës për të treguar votën e madhe popullore  me të cilën erdhi në pushtet.

            Një përgjigje ë tillë nuk e di pse më shtyu pas në fëmijërinë tonë kur, në pamundësi t’i përgjigjeshim siç duhej dikujt nga lagjia tjetër, që na kishte rrahur se ishte më i fuqishëm ose më i madh, “ e kërcënonim” duke i thënë :“mirë, mirë, po do ta shohësh nga kushëriri im, që do t’i thyejë hundët, kur të kalosh nga lagjia jonë!”...Nëse atë kohë e kujtoj me nostalgji, kjo e kryeministrit më ben te ndihem keq, më revolton. Qeveria e pafuqishme të luftojë të keqen, kur populli ia dha gjithë fuqinë e nevojshme  dhe instrumentet që burojnë prej saj të luftojë të keqen, kudo ajo është shfaqur në trupin e shtetit?! Populli pikërisht për këtë ia dha votën me shumicë.Dhe kryeministri për këtë e kërkoi votën popullore në fushatën elektorale.

            Atëhere pse flet kështu kryeministri? Nuk e dinte ai ç’drejtësi do të trashëgonte nga pushteti abuziv dhe i inkriminuar i Berishës? Nuk e dinte çfarë Shqipërie do të gjente kur të ikte Berisha nga qeveria, (jo nga pushteti) pasi ai ka pushtuar, jo kapur,  me  njerëzit e tij, disa institucione kyçe të pushtetit,duke filluar nga Prokuroria e Përgjithme, gjykatat e të gjitha niveleve, ShISh-i, ILKDP-ja, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, KLSh-ja deri te presidenti i Republikës? Prandaj Berisha tallet në Kuvend the i thotë : çoji dosjet në prokurori, unë jam i hapur për hetime. Pa llogaritur këtu shumicën e administratës shtetërore të uzurpuar nga militantët ë PD-së, të ardhur pa konkurse në zyrat e shtetit. Pra, një qeveri ë “rrethuar” nga pushteti i opozitës. Veçanërisht nga një drejtësi tërësisht e degjeneruar, e korruptuar deri në palcë, e cila jo vetëm nuk lufton krimin, por është aleate dhe protektore e tij.

            Atëhere ç’duhet të bëjë  shumica për ta “çliruar “ drejtësinë nga korrupsioni? Me deklarata, me fjalë, me replika në parlament? Kësaj i thonë “fjalë imzot, fjalë..” Me reforma, do thonë “reformatorët e mëdhenj”. Por ç’do të thotë kjo? Ligje, ndryshime ligjore? I bëni, ç’prisni! Por dhe i bëtë, kush do t’i zbatojë ato? Kjo trupë prokurorësh dhe gjyqtarësh të inkriminuar, që nuk ë ka vullnetin të ndëshkojë krimin dhe korrupsionin me kollare? Që qeveria çon dosje dhe ajo nuk denjon as t’i hapë? Kur provat janë sa një mal dhe ajo thotë “s’ka prova?” Atëhere qeveria duhet të dorëzohet dhe t’i lërë ish-qeveritarët hajdutë dhe vrasës të bëjnë spektakle në Kuvend? Të gëzojnë pasuritë e grabitura këtij populli të varfër?

            E ç’duhej vota e 23 qershorit pastaj, kur ajo nuk përkthehet në ligje dhe veprime ndëshkuese për ata që kanë bërë një mijë e një horllëqe, shkelje ligji, shitje e grabitje të pasurisë kombëtare, duke e nxjerrë Shqipërinë në anakand, si ta kishin pronë të babait? Apo thjesht 23 qershori ishte  zëvendësimi i disa njerëzve në qeveri me disa të tjerë  me “ngjyrë “ tjetër?

            Shumica duhet të mbajë premtimet. Dhe kryepremtimi është ndëshkimi i korrupsionit  epidemik të qeverisë së përzënë nga populli më 23 qershor. Sigurisht që nuk është aspak e lehtë të ndëshkosh krimin dhe korrupsionin, kur ajo që duhet ta bënte  këtë, drejtësia , është vet e kriminalizuar. Atëhere duhet një vullnet i hekurt i qeverisë dhe shumicës për të bërë operacionin e nevojshëm pa shumë dilema në drejtësi,siç kam nënvizuar në disa shkrime të miat me këtë temë. Jemi në një situatë bllokuese  në të cilën drejtësia kompromenton çdo nismë antikorrupsion të qeverisë, duke bërë nul çdo përpjekje të qeverisë për ndryshimin ë gjëndjes. Ndërkohë që korrupsioni i pandëshkuar pjell e nxit cdo ditë krimin në të gjithë territorin dhe në të gjitha format. Prandaj reagimi i qeverisë duhet të jetë i shpejtë, i prerë dhe i vendosur. Tamam si në një emergjencë. Sepse qeveria e mëparshme vërtet iku ma vota dhe  rotacioni u krye paqësisht, por nga përmasat dhe motivet ky nuk ishte një rotacion normal në demokraci. Ai ishte më tepër një revolucion elektoral, ose një “revolucion i bardhë”, pa gjak, në pamundësi për të qenë një revolucion i vërtetë.

            Shqipëria është në një situatë të tillë  në të cilën ajo ka nevojë jo thjesht për politikanë, për njerëz që kanë ide, por për burra shteti, për ata që realizojnë idetë. Sepse shpesh në politikë kanë më shumë efekt veprimet se idetë e parealizuata. Nëse qeveria ka drojë dhe heziton nga ndërkombëtarët, atehere le t’u drejtohet atyre me të drejtën e votës popullore, por edhe me të drejtën, që i japin raportet e ndërkombëtarëve që vet thonë se drejtësia është e korruptuar dhe se duhet të luftohet krimi i organizuar: Atehere zotërinj të Brukselit apo Washingtonit, si do luftohet korrupsioni, kur prokuroria nuk hap asnjë dosje për krimin dhe korrupsionin ë politikanëve ? E keni serizisht apo talleni me ne? Në këtë rast qeveria le të dorëzohet dhe të kërkojë një EULEX special për Shqipërinë. Është turp, por politikanët shqiptarë e kenë ngrënë turpin me bukë. Kryeministri tha se do kërkojë një prokuror te huaj për 21 janarin dhe korrupsionin. Por kjo nuk mjafton. S’ka ç’bën një prokuror i vetëm këtu, i cili, edhe më i zoti në botë të jetë, s’ka si legjitimohet dhe as pranohet nga opozita, domethënë Berisha.( të mos harrojmë se edhe për çështjen "Hajdari" Berisha nuk e pranoi idenë e një prokurori të huaj),pa le tani që kërkohet për atë vet. Prandaj nuk është zgjidhje as kjo. Pas prokurorit duhet edhe një gjykatë e huaj në të gjitha shkallët e gjykimit, që të japë drejtësi, sepse gjykatat shqiptare (të Berishës) e rrëzojnë si të pabazuar akuzën sic kane bere deri tani, e kështu ku ishim? Asgjëkundi. Prandaj dhe kjo deklaratë e kryeministrit është më tepër një shprehje pamundësie dhe dëshpërimi e momentit.

            Pas deklaratës së kryeministrit për një prokuror të huaj janë shprehur edhe një shoqatë avokatësh për nevojën e gjyqtarëve të huaj si dhe një ish titullar i SHISH-it se duhen hetues të huaj .Pra, praktikisht kërkohet  krejt zinxhiri i organeve të drejtësisë. Në këtë rrethane duhet një sistem i tërë drejtësie të “importohet”, gjë kjo e pamundur me statusin aktual që ka Shqipëria si shtet i pavarur dhe sovran.

            Ka vetëm një shans: t’i kërkohet Brukselit një EULEX special, siç kam sugjeruar në shkrimin tim të lartpërmendur, për turpin e politikanëve tanë, që nuk bëjnë dot shtet. Kjo do të thotë që parktikisht Shqipëria të bëjë një hap prapa (gjë e pandodhur deri tani) dhe Brukseli t’i kufizojë sovranitetin si shtet dhe qeveri.

            Po të vazhdojë kështu ( dhe gjasat janë të tilla) Shqipëria duhet të jetë për shumë vite jo nën monitorimin e ndërkombëtarëve si deri tani. por nën regjimin e një sovraniteti të kufizuar ( jo si ai i Brezhnjevit, sigurisht)  të qeversë europiane të Brukselit! Për fat të keq tonin dhe për turp të politikanëve tanë karagjozë. Por duhet.Që të bëhemi shtet.

Τετάρτη 19 Φεβρουαρίου 2014

POLITIZIMI I NJE VDEKJEJE SI DEFORMIM MORAL



                        POLITIZIMI I NJE VDEKJEJE DHE DEFORMIMI MORAL



                                                            Petrit Qejvani



            Deformimi moral mund të shprehet në shumë forma: të zilisë, ambicjes së pafre, të përbuzjes së tjetrit pse është ndryshe, të urrejtjes për ata që janë më të sukseshëm e të famshëm se ti etj. Por është e rrallë kur cmira, zilia apo egoja të bën të merresh edhe me një të vdekur, ta përgojosh atë ende pa iu ftohur mirë kufoma. Bile ta urresha atë. Mirëpo ja që ndodh edhe kështu këtu tek ne. Ndonëse një mendje ë shëndoshë nuk mund ta bëjë këtë.

            E kam fjlën për për reagimin F. Lubonjës në një të përditshme lidhur me ceremoninë e përcjelljes për të ndjerën  këngëtaren tonë të shquar Vace Zelën. Kaq i është errësuar logjika atij njeriu sa nuk di të respektojë as kodin  vdekjes. Ndoshta, në kuadër të “aksionit” të tij personal  të “demistifikimit’ kërkon të “demistifikojë” edhe vdekjen! Ndërsa shumëkush shkroi me nderim dhe respekt për këngëtaren e madhe,(sic në fakt e meritonte) ky njeri “gjeti rastin” të tregojë se është një qenie kontraversale dhe bën “cudira”, të kundërtën e asaj që bën gjindja normale, duke treguar  një nihilizëm të verbër dhe, vecanërisht, një shpirt të gjymtuar dhe një moral të sëmurë.Ai sulmon te vdekurin në kundërshtim me sovranitetin e pacenueshëm, që i jep vdekja njeriut.

            Duke e politizuar vdekjen e saj, (cka nuk guxuan ta bëjnë edhe politikanët) ai tregoi se është kokë e këmbë i politizuar, pavarësisht deklaratave të tij prej apolitiku. (Shih shkrimin e tij dhe bindesh lehtë për këtë). Me sa duket, vec të tjerash, e ka nga kompleksi i fajit (zoti Lubonja është një “zog i lirë” që  vjen nga “foleja” e komunizmit shqiptar, nga Blloku i famshëm)  dhe nga indoktrinimi aq i madh prej ideologjisë së dikaturës, cka e pranon dhe vet, kur thotë që edhe mua shpesh me vijne në mënyrë të pandërgjegjshme nder mend melodi dhe vargje këngësh për diktaturën dhe Enver Hoxhën!.(Vini re sa i paqëndrueshëm është!).

            Shprehjen e adhurimit dhe respektit për këngëtaren e madhe nga publiku i gjerë dhe intelektualët e tjerë ai , me kurajën e një të marri e quan “debilizëm masiv”!?. Ja si shprehet ai në një shkrim të gjatë krejtesisht politik : “Mos vallë unë jetoj në një botë tjetër nga këta që shprehen kështu? Apo kemi të bëjmë me një epidemi konformizmi, hipokrizie dhe debilizmi masiv?” Sigurisht zoti Lubonja, ti jeton në një botë tjetër, në botën e fantazmave. Të ka mbetur ora te koha  e Enverit. Andej prej nga ke origjinën politike. Dhe, normalisht, ai që guxon të quajë "debilë"  masa të mëdha njerëzish normalë, (duke iu përgjigjur me etikën përgjegjëse), kuptohet që ka probleme të shëndetit medor. Kjo papërgjegjshmëri e tij thuajse nuk bëri përshtypje te askush, me përjashtim  të një të përditshmeje, që e quante këtë me terma të butë si “provokim”(!), që Lubonja i bënte opinionit publik si dhe intervistës prej qytetari të një itelektuali të fushës së letrave. Personalisht mendoj se deklarata të një natyre të tillë “kërcitëse” ai bën shpesh, por më e keqja është hapësira që i jep media mufkave të këtij inetektuali të paekuilibruar dhe debateve gjasme në “rrafsh inetelektual”, që nxit nihilizmi konstant i tij.

            Unë mendoj se deklaratat e tij të papërgjegjshme vijnë prej rraskapitjes psikologjike të pësuar në burgjet e ashpër të dikaturës (për këtë ndjej keqardhje) dhe nga stërmundimi dhe “mbingarkesa inetelektuale” e periudhës së demokracisë sonë sfilitëse dhe superaktivizimi “vullnetar” mediatik. ( dhe për këtë sigurisht që s’më vjen fare keq). Ndërkaq ai është një njeri delirant deri në ekstrem. Ai nuk gjen asgjë të mirë tek të tjerët dhe as te Shqipëria. Ai gjithkund dhe gjithmonë është përballë të gjithëve. Edhe përballë Shqipërisë! Kudo gjen vetëm të meta dhe asgjë të mirë. Vec zmadhon të keqen. Është sinonim i nihilistit. I fiksuar në poziocionin “anti” gjithckaje dhe gjithkujt, që s’ngjet me veten e vet, ai është vetthirrur e vetshpallur “heroi i demistifikimit” te historisë sonë, i "demistifikimit" të heronjve tanë deri te “demistifikimi” i Heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit ( Skëndebeut)!..E gjithë kjo në emër të shkrimit “realist” të historisë!?. Mision ky i pamundur për shpatullat e ngushta të Lubonjës. Në aventurën e tij “demisifikuese” ai shkon deri atje sa te “dekomunistizojë” edhe Gjykatën e Hagës , sic ishtë rasti “Haradinaj” ku ai  “kritikon” këtë gjykatë pse liroi zotin Ramush Haradinaj, i cili, sipas “kompetentit për gjithcka" Lubonja, duhej dënuar, sepse eshte fajtor dhe  trembi dëshmitarët!.. Dhe këtë mendoj se nuk e bën thjesht për “pozë”, për ekzibicionizëm, apo thjesht se është delirant.

            Negativizimi i cdo gjëje shqiptare duket më tepër një detyrë, që e ka zgjedhur ose pranuar me dëshirë. Ai, me sa duket, zbaton dhe porosi.. dhe paguhet. Mania “anti”   dhe pozita e tij “asnjëanëse” shafqet edhe kur diskutohet për ceshtje themelore midis shqiptarëve dhe fqinjëve nacionalistë, kur “heroi”  i “dekomunistizimit" dhe "demitizimit” të historisë sonë bëhet palë me  tezat antishqiptare, në emër të të qënit “qytetar i botës”, pra, në emër të internacionalizmit, kësaj here kapitalist, ose globalizmit. Por ky qëndrim nuk është aspak i ri .

            Lubonja karakterizohet nga xhelozia dhe nihilizmi ndaj njerzve të famshëm të fushës së artit, por edhe të fushave të tjera, sic është ajo politike, ku objekt obsesiv i tij është Edi Rama. Por kjo është një sëmundje e vjetër e tij. Vite më parë, në një emision te gazetarit Fevziu, ku diskutohej për artin e realizmit socialist, ai anatemoi dhe mohoi disa arritje të pamohueshme në fushën e artit dhe letërsisë, duke u “tallur” cinikisht. Ai arriti deri atje sa tha se c’e bukur është kënga  “Për ty, Atdhe” kur (vini re!) atë e pëlqente dhe Diktatori! Pra ,sipas logjikës së Lubonjës, ajo këngë madhështore kushtuar Shqipërisë, nuk mund të jëtë e bukur, derisa e pelqente E. Hoxha!?..Ky është një absurd. Dhe vijoi më tej kur tha lidhur me filmin “Zonja nga qyteti” dhe lojën e bukur të Violeta Manushit se c’rol i bukur është ai në një film të socializmit! Kështu ai i bën lëmsh gjerat duke ngatërruar përmbajtjen dhe formën dhe duke përzier kriteret e vlerësimit të politikës me kriteret  e vlerësimit të artit. Sepse arti nuk është  derivat i politikës. Dhe, për ta mbyllur ilustrimin me shembuj domethënës, po përmend sulmet e tij qesharakë ndaj Kadaresë dhe veprës së tij të krijuar në dikaturë. Ky njeri, vec urrejtjes për dikaturën, ushqen një përbuzje dhe për artistët e shquar të asaj peridhe, duke bërë gabimin e madh të njësimit të sistemit politik me artin dhe letërsinë e soc-realizmit. Duket se “arsyeja” ë vetme është se ata i bëjnë hije emrit të tij. Dhe, meqë nuk ka talentin dhe famën e tyre, kërkon kompesim te burgimi i tij.

            Por vuajtjet e burgut nuk janë certifikatë, që shton automatikisht vlerat dhe talentin, kur ato mungojnë dhe as të jep “të drejtën” të sulmosh njerëzit e famshëm, meqë nuk bënë burg në diktaturë! Kjo është cinike. Lubonja duhet ta dijë (si njeri  që merret me letrat) se nuk ka një lidhje direkte midis artit dhe sistemeve politikë. Se politika dhe arti, megjithë marrëdhëniet specifike, kanë jetë autonome. Dhe se në diktatura janë realizuar kryevepra botërore, duke filluar nga piramidat e Egjiptit te ndërtuar në kohën e faraonëve, te kryeveprat e kohës së perandorëve romakë e të carëve rusë deri te diktaturat moderne të shekullit xx. Por këtë sjell nihilizmi i shkaktuar nga helmimi shpirtëror, që të con në deformimin moral dhe në prishjen e qënies njerëzore. Kjo ndodh kur shpirti kthehet në djerrinë, i tharë nga egoizmi, cmira, deliri dhe paranoja. Shkurt, përmberdhur e tëra me një frazë, Lubonja më shumë se me të tjerët, e ka me veten e vet...Prandaj nuk ia vlen të mërresh gjatë me të.


Botuar date 20.02.2014 ne gazeten SOT

Τετάρτη 12 Φεβρουαρίου 2014

EDHE HISTORIA DO JEPET ME KONCESION?!



                                    EDHE HISTORIA DO JEPET ME KONCESION?!

           

                                                                        Nga Petrit Qejvani



            Që rrugët, hidrocentralet apo minierat jepen me koncesion, këtë e di kushdo. Por që të jepen me koncesion edhe historia jonë apo shkrimi i saj, këtë s’ë kisha dëgjuar ndonjëherë. Por ja që në Shqipëri mund të dëgjosh çdo gjë! Natyrisht që kjo nuk u artikulua “ad literam” si po e shpreh unë, por thelbi është ky.

            Rastesisht në një të përditshme mësova se ish-drejtoresha e Arkivit te shtetit Nevila Nika paska deklaruar në një televizion informativ se për ta shkruar siç duhet historinë tonë na duhet pa tjetër dhe “ndihma”  e huaj! Më konkretisht ajo është shprehur, sipas po kësaj gazete, për “nevojën” e një kontributi që mund të japin dhe të huajt për historinë tonë (nënkupto për rishkrimin e saj), duke qenë se janë më “të ftohtë” se ne. Lidhur me këtë ajo më tej, duke dashur të shfajësojë veten apo dhe të tjerë, që mendojnë si ajo, fajëson politikën,  por edhe faktorë të tjerë jopolitikë, që i kanë “detyruar” historianët tanë pas viteve ’90-të të jenë emotivë (dmth joprofesionistë. P.Q) në të shkruarit (më saktë në të rishkruarit) e historisë. Për të qenë fiks faresa duhet të thoshte ne, historianët e djathtë, jo të gjithë historianët. Të  majtët nuk kërkojnë të huaj që të na “mësojnë” si të shrujmë historinë tonë. Kjo, veç naïve, duket dhe një tentativë hileqare ose një tërheqje e “butë” para fakteve të pakundërshtueshëm. Mirë u akuzua diktatura  dhe diktatori për imponim mbi historianët (gjë që s’është krejt e vërtetë), po pse të ndodhë kështu, kur sot jemi në liri? Apo ende s’e kemi fituar si individë , si personalitet lirinë? Apo është më e kollajtë  t’ia lësh në derë politikës, kur je servil dhe studius pa personalitet? Një historian që ka respekt për veten, ka respekt për shkencën dhe anasjelltas  dhe nuk mund të bëhet urë për udhëheqësin, sidomos në demokraci. Kjo është në rastin më të mirë mungesë personaliteti. Dhe shkenca nuk është vetëm cështje dijeje, por edhe morali, dinjiteti. Ndaj një pohim i tillë është shumë naiv për moshën dhe shkollimin (titujt) që ajo mban.

            Problemi i rishikimit të historisë pas viteve ’90 -të  ka qenë një debat i nismuar  më parë nga politika (nga e djathta) veçanërisht kur ajo erdhi në pushtet. Dhe kjo ishte e nevojshme për shkak të politizimit të bërë në kohën e socializmit (që nuk e di pse quhet sot komunizëm, kur vet autorët e tij  s’e quanin të tillë) nëse do të niseshim nga kritere thjesht shkencore, pra, për të afirmuar të vërtetat historike, ato që kishte deformuar diktatura.

            Por shpejt u dëshmua se “rishkrimi” i historisë ishte konceptuar si përmbysje e saj. Ai nuk ishte një objektiv shkencor, por një  objektiv politik. Kjo bëhej për të “pastruar” figura historike të së djathtës tradicionale, që e meritonin, por, sidomos, për disa figura përfaqësuese të së djathtës, që ishin bërë pis me kolaboracinozmin e tyre të provuar gjatë Luftës së Dytë Botërore.

            Por kolaboracionistëve nuk ua kishte fajin Partia Komuniste, kur ata putheshin me fashizmin e nazizmin dhe “filozofonin” nëse duhej luftuar apo jo pushtuesi, kur vendi dhe bota digjeshin në flakët e luftës. Pra, shprehur me një thënie  pikante popullore kur fshati digjej, ajo... ata, kolaboracionistët  kriheshin.

            Gjithë pengu i së djathtës kolaboracioniste  ishte se ata nuk mund ta pranonin që çlirimin e vendit ta realizonin komunistët, vegjëlia, por ata vet, familjet e mëdha, Balli i kombit, sic e quajtën  me krenari veten. Por ja që gabuan tragjikisht dhe e pësuan, duke u ndëshkuar rëndë. Dhe, duke e ditur që çlirimi i vendit është një akt madhor historik, këtë nuk do të donin kurrë ta kishte si meritë Partia Komuniste, veçanërisht Enver  Hoxha. Shkurt E. Hoxha iu hëngri atyre racionin politik, duke i nxjerrrë nga skena e historisë, duke i ndëshkuar si nuk e kishin menduar kurrë. Prandaj, edhe pinjollët e sotëm të kolaboracionistëve, ashtu si të parët e tyre, që për inat të Enverit shkuan me pushtuesit, edhe këta për inat të Enverit nuk e njohin kontributin e komunistëve në atë luftë ose përpiqen ta “bëjnë pis” duke  quajtur luftë civile! Pra, mohojnë kontributin dhe luftën e popullit të tyre. Por lufta kundër pushtuesit s’mund të quhet luftë civile, edhe kur me pushtuesin bashkëpunojnë njerëz të vendit të pushtuar.

            Pra, rishikimi i historisë kësaj here bëhej më tepër për qëllime politike të ditës. Dhe dihet se ne kësi rastesh sinjalet i jep përherë politika dhe pas saj “aksionin » e vazhdojnë në terrenin e “shkencës” ushtarët “shkencëtarë” të partisë…Zonja Nika është shfaqur hapur si historiane e së djathtës, megjithë  një farë moderacioni në paraqitje. Dhe gjithë preokupimi i historianëve të djathtë nuk ka qenë e vërteta shkencore dhe korrigjimi i falsikimit të bërë (aq sa ishte) gjatë periudhës së diktaturës, por sidomos mohimi i rolit të komunistëve në çlirimin e Shqipërisë , vçanërisht, i Enver Hoxhës, diktatorit të ardhshëm, i cili , sipas ligjikës së pinjollëve të kolaboracionistëve, duhet të jetë pa asnjë  meritë dhe  krejt i zi, duke patur parasysh ç’ndodhi pas çlirimit. Ky mentalitet kolaboracionist duket qartë në rehabilitimin e shumë bashkëpunëtorëve të pushtuesit nga ana e politikës së djathtë dhe dekorimi e nderimet e tjera si të ishin heronj, vetëm e vetëm se ishin antikomunistë. Por antikomunizmi kolaboracionist nuk është patriotizëm. Enver Hoxha  ka plot gjynahe pas çlirimit, por meritat e Luftës nuk mund t’ia errësojë dot askush. Kjo është ë vërteta historike. Pasi u rropatën për 23 vjet për ta mohuar Luftën Nacional- Clirimtare të poullit shqiptar të udhëhequr nga komunistët dhe E.Hoxha ose për ta quajtur thjesht “luftë civile”, luftë vllavrasëse, terror komunist etj., më në fund, me sa duket, u dorëzuan përballë së vërtetës historike dhe argumenteve  realiste të historinëve të majtë.Ne fund te fundit fuqia e manipulimit nuk mund ta mundë të vërtetën historike. Se nga njera anë pranohet që Lufta Nacional-Çlirimtare na bashkoi me aleancën  fitimtare anglo-sovjeto-amerikane, nga ana tjetër thuhet prej “historianëve” të djathtë se ajo ishte luftë civile! Një gjë pa sens fare! Të ndodhur përballë bllofit të çvlerësimit të luftës, që bënë shqiptarët të udhëhequr prej komunistëve, pinjollët e tyre sot dhe disa pseudohistorianë , duke e parë misionin e tyre si gurin e Sizifit, që s’e çoi kurrë në majë, bëjnë një tërheqje “të butë”, duke dashur ta japin historinë tonë me konçesion, njëlloj si rrugët, HEC-et apo minierat.  Pra, të “lajnë duart”  me historinë, duke ua lënë të huajve. Gjë që s’ka ndodhur as në një vend serioz. Kjo është paaftësi profesionale dhe defekt moral. Vetëm shkencë nuk ka këtu.  Nje turp!  


Botuar ne gazeten DITA date 13.02.2014                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                              

Κυριακή 9 Φεβρουαρίου 2014

NJE LAMTUMIRE SI NJE KONCERT IKJA E VACE ZELES



                        NJË LAMTUMIRË SI NJË KONCERT IKJA E VAÇE ZELËS



                                                                        Nga Petrit Qejvani



            Vaçe Zela mbylli sytë përgjithmonë. Ajo nuk është më mes nesh. Iku në botën tjetër, atje ku shkojnë të gjithë kur mbyllin llogaritë me këtë botë. Në botën ku sovraniteti i qënies së ndryshuar bëhet i paprekshëm nga të gjallët grindavecë. Vaçe Zela, si çdo ikonë është tashmë lart në qiell, sa ç’është e qetë dhe e pacënueshme dhe në tokë.

            Ceremonia e homazheve për të ishte një ceremoni e përmortshme që nuk kishte mort. Një arkivol dhe një mal me lule si mirënjohje për atë, që nuk do të shuhet kurrë. Ajo lindi për të mos vdekur, siç lindin të mëdhenjtë e çdo gjëje. Ajo lindi për të mbetur përjetësisht këtu, nën këtë qiell e në këtë qiell, si frymë e transformuar në këngë.

            Vaçe Zela ishte e tëra një këngë madhështore, një jehonë gjigande, që do të ushtojë në përjetësi, herë e butë dhe delikate si flladi i pranverës, kur i këndon dashurisë, herë e rëndë dhe epike, kur i këndon atdheut, revolucionit, socializmit. Zeri i saj shtrihet nga ritmet e lehta te marshet revolucionare, te kantatat dhe himnet që i ngre Shqipërisë, sidoqoftë ajo, e lirë apo e izoluar, sepse është përherë atdheu i saj, shpirti i saj. Vaçe Zela i këndoi me një zë dhe pasion të rrallë Shqiperise si te ishte vendi më i madh dhe më i bukuri botës. Por keshtu mund te kendohet per atdheun. Dhe jo se nuk e kuptonte ku jetonte, por se me instinktin e artistes së madhe e dinte mirëfilli se kënga ishte balsam për shpirtin, se kënga thoshte shpesh atë që nuk e thotë dot thjesht fjala, se ajo ësht mjeti që zbut, zbukuron e shëron plagët e shpirtit.

            Ka në këngët e Vaçe Zelës dlirësi, dhembje, dinjitet, solemnitet, dashuri. Dhe të gjitha këto i mbështjell me një autoritet të padiskutueshëm profesional. Ka mbi të gjitha një dritë që buron së brendshmi, ka vrull që të jep krahë dhe forcë që të mos biesh, të mos jepesh, që vjen si drithërimë dhe valë-valë si një vals madhështor, që të pushton shpirtin, të ngroh zemrën dhe të bën më të mirë. Eshte efekti i artit te vertete. Ajo ceremoni mortore i ngjante më tepër një koncerti me këngë, ku e vdekura e pavdekshme këndonte e dëgjonte edhe vet efektet e zërit të saj. Zëri i saj i magjishën në sfond çuditërisht nuk të bënte të përloteshe, gati harroje se ishe në mort. Duke dëgjuar këngët e saj, me siguri të gjithë këndonin nën zë bashkë me të. Kishte vetëm lule dhe muzikë.Tamam si një koncert. Ndërsa proza “poetike” e politikës as u ndie fare, ashtu si prezenca e politikanëve, që dukej krejt e huaj dhe artificiale. Dhe s’ka vdekje më “të bukur” (meqë ajo është e paevitueshme) se vdekja ë një këngëtari të madh (këngëtareje të madhe), që përcillet  në banesën e fundit me këngët  e saj. Është një përqeshje e vdekjes, një mundje e saj. Është privilegj i madh të jesh artist ( i madh), sidomos këngëtar, pasi vdekja bëhet më e lehtë, bile “harrohet” nën zërin dhe tingujt magjepsës. Dhe vërtet. kjo vdekje pati shumë pak zi, një zi të ndritshme si drita e diamantëve të zinj, diskrete, delikate, të kristaltë, qetësuese , melankolike. Por jo dëshpëruese. Kishte më tepër një trishtim të lehtë, gati aristokratik, sepse kënga, edhe kur është elegjiake, është ngritje mbi dhembjen, mbi të keqen. Është supremaci dhe dominim mbi ligështimin, mbi thyerjen, mbi deshpërimin. Kënga është në fund të fundit një triumf. Dhe këngëtari i madh një triumfator, një fitimtar i përjetshëm. Siç ishte dhe Vaçja jonë, siç është dhe Vaçja jonë, siç do të jetë dhe Vaçja jonë. Vaçja e madhe e një vendi të vogël, Vaçja e lirë e një vendi të izoluar. Por ajo bëri me te miren për kohën dhe vendin e saj. Këndoi me gjithë fuqinë e shpirtit për gjithçka: për dashurinë, për femjën e parë, për gjyshen, për motrat ilegale, për partizanët çlirimtarë, për atdheun e dashur, për “Lulëkuqen” dhe i këndoi të gjitha këto me art të madh.

            Qe më e madhja midis të mëdhenjve të tjerë te kenges, sepse i këndoi të gjitha zhanret e gjinisë së këngës, që nga këngët mirëfilli të lehta, xhazi, baladat, këngët popullore, kantatat solemne e deri te marshet revolucionare. Dhe, pavarësisht tematikës dhe ideve, i këndoi me dinjitet profesional, duke ua shtuar vlerat. Këndoi dhe për Partinë e Punës, për socializmin, sepse arti është i pandarë nga koha . Dhe kjo duhet thënë, por nuk e cenon aspak talentin e rrallë të saj.

            Zëri i saj delikat, drithërues  e lirik në këngët e dashurisë befas monumentalizohet në kantatat revolucionare, në baladat e ndryshme. Një zë i madh tregohet pikërisht  te kontrastet dhe shkalla e regjistrit.Te ngrohtesia e pastertia e timbrit. Dhe ajo i kishte të gjitha. Pikërisht këndimi i një spektri kaq të gjerë këngësh nga muzika e lehtë ritmike te marshet luftarake tregon potencën vokale të saj, magjinë e zërit,vibrimin e rrallë, ngrohtësinë dhe gjerësinë  e të kënduarit me gjoks  dhe kthjelltësinë e kristaltë të zërit të impostuar. Kjo ishte Vaçja jonë e madhe, e cila, po të ishte lindur dhe formuar artistikisht në një kontekst tjetër politik dhe shoqëror, do të ishte me famë botërore. Por ky ishte fati i saj, siç ishte dhe fati ynë, i ne të gjithëve. Prandaj  shpesh fatet e artistëve të vërtetë janë të njëjtë me fatet e popullit të tyre. Prandaj ata i do populli, prandaj ata janë të pavdekshëm. Sepse i pavdekshëm është populli në gjirin e të cilëve ata lindin, rriten dhe lulëzojnë.

            Vaçja ishte dhe mbeti një legjendë. Ajo kishte fituar me meritë me kohë statusin e artistes së madhe dhe vlerësimet e merituara. Me sa duket regjimi dhe talenti dinë të bëjnë edhe kompromise. Por Vaçe Zela nuk bëri kurrë lëshime në kurriz të talentit. Le të kujtojmë se askush nuk do të guxonte të linte këngën në mes  dhe të dilte në mënyrë demostrative nga skena, siç bëri ajo për një pasaktësi teknike, duke sugjestionuar sallën e mbushur plot. Dhe ku? Në aktivitetin më të rëndësishëm muzikor në RTSH! Dhe kur? Në Diktaturë! Kjo dëshmon se ajo ishte nga të rrallët artistë, në mos e vetmja, që kishte fituar lirinë, kur të tjerëve iu qe refuzuar.             Faleminderit Vaçe Zela që na e zbukurove dhe ëmbëlsove jetën tonë në çaste të hidhura, që na bëre të ëndërrojmë dhe të harrojmë realitetin, të cilit i mungonte drita e këngëve të tua! Që na ndihmove të zbehej  dëshpërimi dhe rënia morale.

            Ti ishe një institucion i madh shpirtëror për ne. Kaq e vërtetë është kjo,saqë vdekja jote i errësoi të gjithë politikanët, që u munduan të të bëjnë homazh me fjalë të kërkuara, por të zbehta para teje dhe emrit tënd. Ishte hera e parë që politikanët u dukën aq të vegjël, aq të pavlerë, aq të shpërfillur nga populli. Ti i çvlerësove ata edhe duke ikur…Dhe mendoj se ndoshta për herë të parë  e kanë ndjerë veten të vegjël dhe kanë imagjinuar për disa caste se sa e vogël do jetë vdekja e tyre, se sa pak popullore do te jetë ajo. Dhe duhet të jenë treguar edhe “xhelozë” për madhështinë e vdekjes tënde. Dhe ndoshta për pak çaste e kanë kuptuar se pushteti politik, që përgjithësisht është një pushtet i imponuar, është shumë më jetëshkurtër se pushteti i fituar nga epërsia shpirtërore, nga talenti dhe nga e mira…Sepse për politikanët nuk do të ketë dhembje dhe dhe respekt të përmasave të tilla. Ata mund të kenë shumë njerëz të rreshtuar, protokoll pompoz me policë e ushtarë, do  të vendosen në shtrat topi me shirita kuq e blu, me dekorata e urdhëra të vendosura në jastëkë, me shirita të zinj , me zi kombëtare, me të shtëna topi  apo batare automatikësh. Por gjithë kjo rekuizitë protokollare  dhe këto gjëmime armësh do të jenë një hiç para jehones se këngëve të tua, para “Valsit "tend" të lumturisë”. Sepse ti i takon gjithë popullit. U prehsh në paqe Vace Zela!

Publikuar ne gazeten "Shekulli" online date 13.02.2014 
Botuar ne gazeten DITA 16.02.2014


Σάββατο 1 Φεβρουαρίου 2014

KRIMI QE FRYMEZON POLITIKA



                                                             
                                    KRIMI, QË FRYMËZON POLITIKA



                                                                       

                                                Nga Petrit Qejvani



            Opinioni publik është tronditur kohët e fundit nga shtimi i kriminalitetit (sidomos i vrasjeve) si dhe nga rikthimi i shpërthimeve të tritolit për ekzekutimin e personave të veçantë: qytetarë, biznesmenë, policë, zyrtarë të shtetit etj. Rikthimi dhe intensifikimi i shpërthimit të eksplozionit në distancë me telekomandë është një dukuri e frikshme për shkak të efekteve psikologjike, që shkakton te qytetarët dhe, veçanërisht, të frikës e panikut publik.

            Këto janë akte të pastra terroriste, synimi i të cilave është destabilizimi i vendit. Dhe kjo nuk mund të mos ketë prapavijë politike. Me të drejtë shtrohet pyetja: pse ndodhin këto krime dhe pse janë intensifikuar kohët e fundit? Për shkak të punës së dobët të policisë, sikundër shprehet e entuziazmuar opozita dhe media pranë saj apo për shkaqe të tjera? Qysh në fillim duhet thënë që kriminaliteti i lartë është karakteristikë e shoqërive dhe vendeve të korruptuara,(përgjithësisht vendeve të varfra) për shkak të politikave të korruptuara dhe të qeverive të zhytura në korrupsion. Dhe shoqëria shqiptare, sipas nje opinioni të shumëpranuar, është një shoqëri e korruptuar fund e majë, falë kontributit të politikanëve shqiptarë, falë qeverive tona dhe, posaçërisht, të kontributit të qeverisë Berisha, më e korruptuara nga të gjitha qeveritë shqiptare të tranzicionit të këtyre 23 vjetëve.      

            Duhet pranuar që ka një shtim të kriminalitetit këto kohët e fundit (kjo është e pamohueshme) siç është fakt i pamohueshëm reagimi i shpejtë dhe zbulimi e kapja e kriminelëve prej policisë. Natyrisht, kriminaliteti dhe shkalla e tij në një shoqëri është rezultante e shumë faktorëve: ekonomikë, politikë, psikologjikë,  edukativë dhe moralë. Por, parë në mënyrë të koncentruar, intensiteti dhe sidomos agresiviteti i shfqjes së tyre (forma e krimit), shpesh është rrjedhim  i atmosferës dhe qëllimeve politike.

            Përdorimi i shpeshtë i tritolit në disa krime të kohëve të fundit vjen më tepër si pasojë e konfrontimit plitik maxhorancë-opozitë, shkaktuar nga një opozitë destruktive, që shkatërrimin e ka sëmundje kronike qysh në lindje, e udhëhequr nga politikani  me backgroundin dhe cv-në më kriminale ndër politikanët shqiptarë, Sali Berishës. Dhe besoj se shqiptarët nuk kanë nevojë të mundohen shumë për t’u bindur për këtë. Mjafton të kujtojnë ’96, 97 ,pushtimin e institucioneve shtetërore më ’98 etj. Pastaj ka një të vërtetë domthënëse, që nuk besoj se harrohet nga të gjithë: Pse zakonisht stina e tritolit "lulëzon" sa herë del në opozitë Partia Demokratike? Pse sa herë largohet ajo nga pushteti fillon hedhja në erë e shtyllave të tensionit të lartë, terrori dhe shtohen vrasjet? Kujt i intereson kjo, qeverisë, apo opozitës? Sigurisht opozitës.

            Përkundrazi, kur largohet PS-ja nga pushteti nuk ka tritol, as shtylla të hedhura në erë, as deputetë apo kryekomunarë  të PD-së  të vrarë. Çdo mendje normale e kupton se ideatori dhe arkitekti i kësaj klime është Berisha, i cili, dashurinë për pushtetin e ka patologjike dhe humbjen e tij e përjeton si fundin e botës. Mjafton të kujtosh fjalimet e diskurset e tij në parlament për të kuptuar fare kollaj  se tritoli e ka origjinën  dhe frymëzimin në  kokën dhe gjuhën e Berishës, i cili, sa herë flet nxjerr flakë nga goja. Pra, duket që ky lloj krimi , i cilësuar si terrorizëm, ka frymëzim politik dhe del nga oficina propagandistike e PD-së me kryeustanë Berisha, i specializuar për krime të bujshme për të krijuar destabilitet politik për të përgatitur ardhjen në pushtet, kësaj here jo thjesht prej egos së tij të sëmurë, por më tepër prej frikës se disa bashkëpunëtorë të afërt të tij nuk do t’ishpëtojnë drejtësisë dhe,  ndoshta, kësaj here, i vjen radha edhe atij, që e ka merituar me kohë të ishte branda kafazit me hekura.

            Këtu çudia është butësia e pozitës, që këtij njeriu, që e ka zvarritur poshtërsisht Shqipërinë, i lejon një hapësirë të madhe për të folur, plot sulme verbale agresive, që i trimërojnë ushtarët e tij në terren. Ndërsa Berishës mund t’i bëhej vetëm një lëshim prej maxhorancës: të zgjidhte midis burgut dhe psikiatrisë. Pra, ai duhet izoluar. Në fakt ai duhej të dilte së paku nga politika qysh më 1997. Por nuk pati zot nga e majta dhe ai u rehabilitua. Ky do të ishte shërbimi më i mirë që do t’i bëhej Shqipërisë.Dhe jo ajo deklarata e paradokohëshme e Ramës, publikuar në një të përditshme se “ne dhe shiptarët bëmë tonën me Berishën, tani le të merret PD-ja me të!”  Kjo është e pafalshme, qoftë edhe e thënë formalisht, pasi i jep zemër “trimit të maleve” të vazhdojë terrorin verbal me fjalët që nxjerr nga goja, me mashtrimet, që thotë, shoqëruar me grimasat e fytyrës dhe me gjestikulacionin dhe ritmin, që i shoqëron, çka do ta kishte zili edhe kryenazisti skizofren Hitleri.

            Jo, shqiptarët nuk kanë mbaruar punë me Berishën, pasi ai e ka tallur dhe lodhur keq këtë vend. Shqiptarët do kenë mbaruar punë me Berishën kur ai të dalë para drejtësisë. Berisha nuk duhet nënvleftësuar, sikundër duket se po bën maxhoranca. Ai është një person problematik  dhe i rrezikshëm, për shkak të profilit, pasi ka simpatizues dhe ushtarë të bidur që nga rruga deri te  presidenti. Ai është mjeshtër i mashtrimit dhe dezinformimit, përfaqësues tipik i shkollës naziste dhe komuniste. Arroganca e tij e shfrenuar, që buron nga narcizmi, i ka mbushur mendjen top se vetëm ai mund të jetë kryeministër në këtë vend. Të tjerët (duke përfshirë kryeministrin e tanishëm) i quan të paaftë, injorantë, ballë për ballë  në parlament dhe ata e dëgjojnë dhe nuk i japin asnjë përgjigje, ndoshta se e konsiderojnë “të rrjedhur”. Dhe prandaj ai livadhis. Apo ndoshta meqë Rama nuk i bën dot gjë sot për shkak  se drejtësia është me doktorin? Prandaj Rama deklaroi në një replikë, duke iu drejtuar Berishës, që po dilte nga salla e parlamentit ti bën kështu se ke taborrin e gjyqtarëve dhe ke kapur prokurorin, por nuk i dihet deri në fund, tha Rama. Kjo është  dëshpëruese. Po kështu policia, domethënë qeveria, s’merr informacionet e duhura nga SHISH. Edhe kjo eshtë dëshpëruese.

            Pra qeveria është e tradhtuar nga gjykatat, nga prokuroria dhe SHISH. Dhe kjo edhe për faj të maxhorancës, e cila, veçanërisht në fushën e drejtësisë dhe në SHISH, po tregon një ritëm astmatik të reformës. Nëse kjo vjen edhe prej drojtjes nga Brukseli dhe Uashingtoni, është e gabuar, pasi qeveria, para se të japë llogari në Bruksel apo Uashington, duhet të japë llogari para shqiptarëve. Prandaj reforma në Drejtësi dhe SHISH duhet e shpejtë, radikale dhe e vendosur.Qe te trembet krimi.



31 janar 2014

Botuar ne gazeten SOT date 2.02.2014 dhe DITA date 3.02.2014