KRIMI, QË
FRYMËZON POLITIKA
Nga
Petrit Qejvani
Opinioni publik është tronditur
kohët e fundit nga shtimi i kriminalitetit (sidomos i vrasjeve) si dhe nga
rikthimi i shpërthimeve të tritolit për ekzekutimin e personave të veçantë: qytetarë,
biznesmenë, policë, zyrtarë të shtetit etj. Rikthimi dhe intensifikimi i shpërthimit
të eksplozionit në distancë me telekomandë është një dukuri e frikshme për
shkak të efekteve psikologjike, që shkakton te qytetarët dhe, veçanërisht, të
frikës e panikut publik.
Këto janë akte të pastra terroriste, synimi i të
cilave është destabilizimi i vendit. Dhe kjo nuk mund të mos ketë prapavijë politike. Me të drejtë shtrohet
pyetja: pse ndodhin këto krime dhe pse janë intensifikuar kohët e fundit? Për
shkak të punës së dobët të policisë, sikundër shprehet e entuziazmuar opozita
dhe media pranë saj apo për shkaqe të tjera? Qysh në fillim duhet thënë që
kriminaliteti i lartë është karakteristikë e shoqërive dhe vendeve të
korruptuara,(përgjithësisht vendeve të varfra) për shkak të politikave të
korruptuara dhe të qeverive të zhytura në korrupsion. Dhe shoqëria shqiptare,
sipas nje opinioni të shumëpranuar, është një shoqëri e korruptuar fund e majë,
falë kontributit të politikanëve shqiptarë, falë qeverive tona dhe,
posaçërisht, të kontributit të qeverisë Berisha, më e korruptuara nga të gjitha
qeveritë shqiptare të tranzicionit të këtyre 23 vjetëve.
Duhet pranuar që ka një shtim të
kriminalitetit këto kohët e fundit (kjo është e pamohueshme) siç është fakt i
pamohueshëm reagimi i shpejtë dhe zbulimi e kapja e kriminelëve prej policisë.
Natyrisht, kriminaliteti dhe shkalla e tij në një shoqëri është rezultante e
shumë faktorëve: ekonomikë, politikë, psikologjikë, edukativë dhe moralë. Por, parë në mënyrë të
koncentruar, intensiteti dhe sidomos agresiviteti i shfqjes së tyre (forma e
krimit), shpesh është rrjedhim i atmosferës dhe qëllimeve politike.
Përdorimi i shpeshtë i tritolit në
disa krime të kohëve të fundit vjen më tepër si pasojë e konfrontimit plitik
maxhorancë-opozitë, shkaktuar nga një opozitë destruktive, që shkatërrimin e ka
sëmundje kronike qysh në lindje, e udhëhequr nga politikani me backgroundin dhe cv-në më kriminale ndër
politikanët shqiptarë, Sali Berishës. Dhe besoj se shqiptarët nuk kanë nevojë
të mundohen shumë për t’u bindur për këtë. Mjafton të kujtojnë ’96, 97
,pushtimin e institucioneve shtetërore më ’98 etj. Pastaj ka një të vërtetë
domthënëse, që nuk besoj se harrohet nga të gjithë: Pse zakonisht stina e
tritolit "lulëzon" sa herë del në opozitë Partia Demokratike? Pse sa herë
largohet ajo nga pushteti fillon hedhja në erë e shtyllave të tensionit të
lartë, terrori dhe shtohen vrasjet? Kujt i intereson kjo, qeverisë, apo opozitës?
Sigurisht opozitës.
Përkundrazi, kur largohet PS-ja nga
pushteti nuk ka tritol, as shtylla të hedhura në erë, as deputetë apo
kryekomunarë të PD-së të vrarë. Çdo mendje normale e kupton se
ideatori dhe arkitekti i kësaj klime është Berisha, i cili, dashurinë për
pushtetin e ka patologjike dhe humbjen e tij e përjeton si fundin e botës. Mjafton
të kujtosh fjalimet e diskurset e tij në parlament për të kuptuar fare
kollaj se tritoli e ka origjinën dhe frymëzimin në kokën dhe gjuhën e Berishës, i cili, sa herë
flet nxjerr flakë nga goja. Pra, duket që ky lloj krimi , i cilësuar si
terrorizëm, ka frymëzim politik dhe del nga oficina propagandistike e PD-së me
kryeustanë Berisha, i specializuar për krime të bujshme për të krijuar
destabilitet politik për të përgatitur ardhjen në pushtet, kësaj here jo thjesht
prej egos së tij të sëmurë, por më tepër prej frikës se disa bashkëpunëtorë të
afërt të tij nuk do t’ishpëtojnë drejtësisë dhe, ndoshta, kësaj here, i vjen radha edhe atij,
që e ka merituar me kohë të ishte branda kafazit me hekura.
Këtu çudia është butësia e pozitës,
që këtij njeriu, që e ka zvarritur poshtërsisht Shqipërinë, i lejon një
hapësirë të madhe për të folur, plot sulme verbale agresive, që i trimërojnë
ushtarët e tij në terren. Ndërsa Berishës mund t’i bëhej vetëm një lëshim prej
maxhorancës: të zgjidhte midis burgut dhe psikiatrisë. Pra, ai duhet izoluar. Në
fakt ai duhej të dilte së paku nga politika qysh më 1997. Por nuk pati zot nga e majta dhe ai u rehabilitua.
Ky do të ishte shërbimi
më i mirë që do t’i bëhej Shqipërisë.Dhe jo ajo deklarata e paradokohëshme e
Ramës, publikuar në një të përditshme se “ne dhe shiptarët bëmë tonën me
Berishën, tani le të merret PD-ja me të!” Kjo është e pafalshme, qoftë edhe e thënë
formalisht, pasi i jep zemër “trimit të maleve” të vazhdojë terrorin verbal me
fjalët që nxjerr nga goja, me mashtrimet, që thotë, shoqëruar me grimasat e
fytyrës dhe me gjestikulacionin dhe ritmin, që i shoqëron, çka do ta kishte
zili edhe kryenazisti skizofren Hitleri.
Jo, shqiptarët nuk kanë mbaruar punë
me Berishën, pasi ai e ka tallur dhe lodhur keq këtë vend. Shqiptarët do kenë
mbaruar punë me Berishën kur ai të dalë para drejtësisë. Berisha nuk duhet
nënvleftësuar, sikundër duket se po bën maxhoranca. Ai është një person
problematik dhe i rrezikshëm, për shkak
të profilit, pasi ka simpatizues dhe ushtarë të bidur që nga rruga deri te presidenti. Ai është mjeshtër i mashtrimit
dhe dezinformimit, përfaqësues tipik i shkollës naziste dhe komuniste.
Arroganca e tij e shfrenuar, që buron nga narcizmi, i ka mbushur mendjen top se
vetëm ai mund të jetë kryeministër në këtë vend. Të tjerët (duke përfshirë
kryeministrin e tanishëm) i quan të paaftë, injorantë, ballë për ballë në parlament dhe ata e dëgjojnë dhe nuk i
japin asnjë përgjigje, ndoshta se e konsiderojnë “të rrjedhur”. Dhe prandaj ai
livadhis. Apo ndoshta meqë Rama nuk i bën dot gjë sot për shkak se drejtësia është me doktorin? Prandaj Rama
deklaroi në një replikë, duke iu drejtuar Berishës, që po dilte nga salla e parlamentit ti bën
kështu se ke taborrin e gjyqtarëve dhe ke kapur prokurorin, por nuk i dihet
deri në fund, tha Rama. Kjo është dëshpëruese.
Po kështu policia, domethënë qeveria, s’merr informacionet e duhura nga SHISH. Edhe
kjo eshtë dëshpëruese.
Pra qeveria është e tradhtuar nga gjykatat, nga
prokuroria dhe SHISH. Dhe kjo edhe për faj të maxhorancës, e cila, veçanërisht
në fushën e drejtësisë dhe në SHISH, po tregon një ritëm astmatik të reformës.
Nëse kjo vjen edhe prej drojtjes nga Brukseli dhe Uashingtoni, është e gabuar,
pasi qeveria, para se të japë llogari në Bruksel apo Uashington, duhet të japë
llogari para shqiptarëve. Prandaj reforma në Drejtësi dhe SHISH duhet e
shpejtë, radikale dhe e vendosur.Qe te trembet krimi.
31 janar 2014
Botuar ne gazeten SOT date 2.02.2014 dhe DITA date 3.02.2014
Botuar ne gazeten SOT date 2.02.2014 dhe DITA date 3.02.2014
Δεν υπάρχουν σχόλια:
Δημοσίευση σχολίου