EDI RAMA, DY
SMS DHE NJË DREJTORESHË
Nga
Petrit Qejvani
Një e përditshme botonte këto ditë
një shkrim në të cilin i referohej “incidentit” të ndodhur midis kryetarit të
PS-së dhe një drejtoreshe shkolle në Tiranë. Në të vërtetë ky incident kishte
qenë “konfidencial” dhe u shndërrua në lajm, kur e bëri publik kryetari i PD-së dhe kryeministër i vendit Sali
Berisha. Si çdo lajm “made in Albania” dhe ky kishte diçka që nuk
shkonte. Fillimisht mendova se ishte një sajim i Berishës. Por kjo u konfirmua
më pas në mënyrë të tërthortë nga njerëz pranë Ramës. Dhe kjo më degustoi.
Kryeminstri tha se kryetari i
opozitës kërcënon drejtoreshën e një
shkolle pa të drejtë për shkak të bindjeve që ka dhe ka të drejtë të ketë
drejtoresha e shkollës dhe çdo qytetar tjetër. Për këtë u fol edhe diku në një ekran në një emision politik ku, nga ana e analistëve pro
qeverisë, kjo u quajt gati një delikt, pasi kërcënohet një qytetare ë lirë…Se sa
është ky një kërcënim, mbetet për t’u parë.
Do ishte mirë që ne të mos e kishim
këtë lajm dhe për këtë fajtor është vet lideri i opozitës, i cili duhet të na e
kursente kohën si dhe të ishte më racional në harxhimin e energjive te veta në
këtë fushatë të nxehtë elektorale. Nuk dua të komentoj shkrimin e gazetës dhe
arsyet për të cilat është shkruar, të cilat duken qartë. Me sa duket gazeta
synon të ”shfajësojë” kryetarin e PS-së, duke botuar edhe pjesë nga nga dy sms-të
dërguar drejtoreshës militante të PD-së. Dhe në fakt aty nuk ka kurrfarë
kërcënimi, por thjesht një “kujtesë” për të zbatuar ligjin. Aty nuk i kërkohej
dejtoreshës të mos kishte bindje politike, si djallëzisht manipulon
kryeministri dhe sejmenët e tij, por të mos abuzojë me detyrën, duke detyruar
mësuesët dhe nxënësit të marrin pjesë në mitingjet elektorale të partisë në
pushtet, pasi, me ligj, shkolla është institucion i depolitizuar. Atëhere çfarë
nuk shkon në këtë mesele? Shqetësimi i kryetarit të të PS-së është i drejtë dhe
legjitim, por dukuri të tilla nuk janë risi tek ne dhe vazhdimisht media
elektronike ka dhënë me zë dhe figurë
mësues dhe nxënës, që kanë braktisur
mësimin për të marrë pjesë në
veprimtaritë politike të partisë në pushtet. Pra, nuk është një dukuri ë re. E
reja është që shefi i opozitës e ul shumë poshtë shënjestrën në këtë betejë
elektorale..Nuk ishte fare e nevojshme kjo nga ana e kyetarit të PS-së. Këtë
denoncim mund ta bënte fare mirë një eksponent tjetër i rangut më të ulët në
PS. Pra, duhet ruajtur parimi i hierarkisë, i rangut përgjegjës. Kështu, pa
dashje dhe pa qenë nevoja, i rritet “rytbeja” një qytetareje anonime, me të
cilën merret si i barabartë kryetari i PS-së dhe kryeministri i ardhshëm. Edhe
titulli i shkrimit i “barazonte” të dy “protagoninstët” e incidentit, pasi
jepej emri i drejtoreshës, që paralajmëronte Ramën ta linte të qetë. Bile nuk
jepej as funksioni i saj, por drejtpërdrejt emri e mbiemri me shkronja te medha a thua
ishte një personazh i njohur publik (megjithëse , besoj, ishte hera e parë që i
dilte emri në faqet e një gazete )! Do të ishte më mirë që ky “lajm” të
harrohej sa më shpejt për liderin e opozitës. Kurse gazeta pa dashje e riciklon.
Rama nuk ka faj se denoncon një të
vërtetë që ia bë “mu”, kur janë botuar
dhe formularë kompromentues për qeverinë, që detyron nëpunësit e shtetit të
dorëzojnë fotot e letërnjoftimeve të tyre si dhe të 20 të tjerëve, të marrë në
patronazh, që duhet të votojnë për PD-në. Ndërsa për liderin e opozitës, ndonëse
në parim ka të drejtë, në rastin konkret, ky "dyluftim" është pa vlerë, pasi, para
kandidatit për kryeministër një drejtoreshë shkolle, megjithë respektin për
detyrën, është krejt anonime. Dhe një betejë me të është një harxhim i kotë kohe
dhe tregon se këshilltarët e tij (nëse i dëgjon) nuk dinë ta këshillojnë.
Rama ka përballë vetëm Berishën dhe
bateritë e tij duhen drejtuar e harxhuar
me efektivitet vetëm kundër Berishës. Pra, duhet ta mbajë shënjestrën lart,
atje ku është “objektivi” i tij. Dhe jo ta ulë aq poshtë. Po të shprehemi me
një fjalor nga fusha e gjahut, kësaj i thonë si të gjuash lepuj me top. Ndërsa
për lepujt mjafton çiftja…
Botuar ne gazeten "SOT" date 08/.06.2013
Botuar ne gazeten "SOT" date 08/.06.2013
Δεν υπάρχουν σχόλια:
Δημοσίευση σχολίου