Παρασκευή 17 Νοεμβρίου 2017

IDENTITETI KULTUROR I SHQIPTARËVE


                                    IDENTITETI KULTUROR I SHQIPTARËVE


            Të nderuar kolegë,
            Populli shqiptar është një ndër dy  popujt më të vjetër të gadishullit të Ballkanit, së bashku me grekët. Paraardhësit e tij gjatë shekujve nuk janë thirrur me emrin e sotëm shqiptarë, por me emra të ndryshëm.Territori i vendit tonë, që prej kohës kur dëshmitë historike (arkeologjike dhe gjuhësore) bëhen më elokuente, ka qenë banuar nga ilirët .(Dhe kjo prej mijëvjeçarit të dytë para erës sonë). Gjatë Mesjetës banorët e Shqipërisë quheshin arbëreshë, emër që e mbajnë edhe sot shqiptarët e Italisë, që banojnë në Kalabri e Siçili si dhe shqiptarët e Greqisë, ndërsa në kohën e re e quajtën veten shqiptarë dhe vendin e tyre Shqipëri.
            Duhet pohuar se identiteti kulturor i shqiptarëve dhe kultura e tyre në përgjithësi janë më të gjera se kufijtë e sotëm të shtetit shqiptar dhe kjo jo thjesht në kuptimin figurativ, pasi kultura e një populli gjithnjë është më e madhe se kufijtë  e tij shtetërorë, por sepse shteti i sotëm shqiptar është vetëm gjysma e kombit shqiptar si territor dhe si popull dhe pra, edhe si kulturë, si krijmtari .( Dihet që kultura kombëtare është shumë dhe esencë e kulturave të trevave të ndryshme të një vendi dhe një populli).
            Natyrisht, të flasësh për identitetin kulturor të shqiptarëve në një ligjëratë modeste është e vështirë, pasi vet tema është e pashtershme dhe, së dyti, se për ju , që dini shumë pak për Shqipërinë dhe sidomos për kulturën e saj, do të ishin më tepër të nevojshme fakte, që do t’ju informonin shkurt për atë që ju do të donit të njhnit, pa qenë nevoja për analiza të hollësishme, të pamundura në pak faqe. Për t’ju ndihmuar që të kuptoni ato që do të përmendim më poshtë është e nevojshme, shumë shkurt, të paraqesim pikat kulmore të historisë së popullit shqiptar.
            Historia e popullit shqiptar dhe e kulturës së tij është plot paradokse. Duke qenë një ndër popujt më të vjetër të Ballkanit (gjë që pranohet gjerësisht nga albanologë e studiues të shquar të huaj dhe shqiptarë) në të njëjtën kohë është shteti më ri në Europë. Fiton pavarësinë më 1912 pas thuajse 5 shekujsh të pushtimit turk.
            Ndërsa vazhdimësia e tij në trojet aktuale është mbi dymijë vjeçare, libri i parë
shqip është ai i vitit 1555,”Meshari”i Gjon  Buzukut. Shkolla e parë shqipe është hapur në Korçë, më 7mars 1887, ndërsa alfabeti i sotëm është miraruar më 1908 në
Kongresin e Manastirit, qytet që sot është pjesë e shtetit maqedon. Të gjitha këto jemi të detyruar t’i përmendim për të kuptuar sesa e vështirë ka qenë që ky popull të mbijetonte e të krijonte një kulturë shpirtërore e materiale, që do të bëhej mburoja e tij pas invazioneve të njëpasnjëshme në histori.
            Faktet e përmendura më sipër do të kërkonin polemika e ballafaqime.  Ato, me të drejtë , mund të lindin shumë pikëpyetje dhe vështirë të japësh përgjigje të saktë për secilën. Por një përgjigje të përgjithme , që gjithsesi për ju mund të tingëllojë disi e çuditshme,  mund të japim: Shqipëria dhe shqiptarët kanë patur një fat dramatk historik.Vetëm në këtë kontekst mund të shpjegohen ato që u thanë më lart. Ata kanë qenë objekt i sulmeve e pushtimeve të pandërprera deri në vitin 1944, kur Shqipëria u çlirua përfundimisht. Sidoqoftë, fatal për kulturën shqiptare ka qenë pushtimi i gjatë turk prej afro pesë shekujsh, që i preu Shqipërisë lidhjet e natyrshme me Evropën dhe krishterimin.


                                                           

            Megjithë këtë duel të pafund midis luftës për asimilim të të huajve dhe reziste-
cës shpirtërore dhe kulturore të shqiptarëve, një ndeshje sfilitëse kjo, prapë se prapë,
kultura popullore, që është dhe baza e kulturës kombëtare, mbijetoi. Ajo mbijetoi në artin e madh të popullit, në këngët dhe vallet popullore, në legjendat dhe përrallat e mrekullueshme. Mjafton të pohojmë se shqiptarët kanë një nga eposet më të mëdhenj të
Ballkanit ,”Eposin e kreshnikëve”, që është një cikël këngësh fantastike legjendare, kronikë e jetës arkaike shqiptare, një enciklopedi e jetës, punës, luftës dhe dashurisë.
            Folklori shqiptar është shumë i pasur. Pjesa më e madhe dhe esenciale e tij i rezistoi asimilimit turko-aziatik. Në mungesë të gjuhës së shkruar, si për kompensim,
shqiptarët krijuan një folklor të madh, si autobiografi të tyre. Ata që kanë rënë në kontakt me të janë befasuar nga bukuria , eleganca dhe delikatesa e tij.
            Muza e shqiptarëve shpesh ka qenë e egërsuar nga hallet dhe brengat e mëdha,
e përshkuar nga një epicitet tragjik , sepse shpesh ajo ka qenë e përgjakur nga
invadimet e huaja. Megjithatë, gjersa shqiptarët mbijetuan, kjo i dedikohet identitetit të tyre kulturor, vetdijes së tyre të lartë si popull, kulturës së tyre të lashtë. Lidhur me specifikat e kësaj kulture, shkrimtari i madh shqiptar Ismail Kadare, i përkthyer në shumë gjuhë të botës(edhe në italisht)në essenë e tij të njohur”Autobiografia e popullit në vargje”ka  shkruar:” Për shumë shekuj me radhë poezia popullore ka qenë për njeriun shqiptar kronikë e jetës së tij, historia, dijet, morali, urtësia, arkivi, kujtesa kombëtare”.
            Identiteti i kulturës shqiptare buron në radhë të parë nga ajo që atë e krijon një popull i veçantë-shqiptarët, që ka gjuhën e vet, historinë e vet, etikën , zakonet dhe moralin e vet. Identiteti shfaqet në radhë të parë në atë që gjithçka  që krijohet, ekzekutohet dhe shfaqet shqip (në gjuhën shqipe). Ai shfaqet në mënyrën origjinale të jetesës, në zakonet e veçanta në ngjarje të rëndësishme të jetës së njeriut, si në ceremonitë e dasmave dhe vdekjeve, në mënyrën e të këndurit të këngëve dhe ekzekutimit të valleve. Për shembull: Veriu i Shqipërisë këndon solo apo duet, shoqëruar dhe me çifteli ose lahutë (vegla muzikore popullore me tela të ngjashme me mandolinatat ose violonçelat), ndërsa Shqipëria e jugut këndon në grup, ku secili ka detyra të përcaktuara. Këtu evidentohet solisti dhe isoja, mërmërima e grupit kur solisti këndon, që është një miratim i solistit, një “visto” me fjalë të tjera. Një krahinë e veçantë, Labëria, Vlora, karakterizohet nga kënga polifonike. Grupi e këndon  këngën pa vegla muzikore, por harmonizimi i zërave është perfekt. Kjo ka tërhequr vëmendjen e muzikologëve të huaj. Kurse në zona të tjera kënga polifonike jugore shoqërohet edhe me vegla muzikore (Orkestër). Forma e të kënduarit pa orkestër e grupit është shumë e lashtë.
            Kjo kulturë origjinale shfaqet gjithashtu në vallet popullore, në kostumet e mrekullueshme ku dominojnë ngjyrat e forta (e kuqja, e bardha , ezeza) dhe kombinimet plot kontraste. Është për t’u theksuar se, ndonse një kulturë unike nga përmbajtja, nga thelbi , është shumë diverse për nga format e shprehjes. Kjo duket kudo: edhe në letërsinë, edhe në muzikën , edhe në pikturën shqiptare.
            Zotërinj kolegë,          
Shqipëria është një vend i vogël, por me një larmi të madhe shfaqjesh, qoftë në natyrën e  vendit, qoftë në kulturë. Shqiptarët, në raport me madhësinë e popullit dhe
vendit, kanë një prodhimtari kulturore të admirueshme. Por identiteti kulturor shfaqet
jo vetëm në atë që quhet bota kulturore shqiptare në tërësi, por edhe në individualitetet e personalitetet e shquar të historisë e të kulturës që ka nxjerrë Shqipëria.
            Le të përmendim disa prej tyre:         
Gjergj Kastrioti Skënderbeu-heroi kombëtar i shqiptarëve,(1405-1468). Për 25 vjet rresht udhëhoqi shqiptarët në beteja të pabarabarta heroike me hordhitë e sulltanëve tuq, duke gozhduar forcat e tyre kryesore në Shqipëri dhe duke penguar marshimin turk drejt Europës së krishterë dhe prandaj papa e quajti Skenderbenë “kalorës i krishterimit.”
Humanisti i madh Marin Barleti, që ka shkruar e botuar në Venedik veprën “Rrethimi i Shkodrës”(De obsidione Scodrensi,Venedik 1504),”Historia e jetës dhe bëmave të Skënderbeut”,Istoria de vita et rebusgestis Scanderbegi,Roma 1510.
Po kështu një tok klerikësh katolikë të ndritur si Frano Bardhi, humanist, leksikograf, botoi në Venedik veprën “Gjergj Kastrioti i Epirit, i quajtur përgjithësisht Skënderbeg, princ shumë trim e i pathyeshëm i shqiptarëve(Georgius Castriotes Epirensis, vulgo Scanderbeg, Epirotarum Princeps fortissimus ac invincitivimus); Pjetër Budi, klerik katolik dhe poet , botoi në Romë tri vepra në gjuhën shqipe:”Doktrina e kërshtenë “1618,  “Pasqyra e të rrëfyemit”,1621,dhe” Rituali roman” 1621; Pjetër Bogdani ,  klerik katolik, shkrimari më i shquar i letërsisë së vjetër shqipe, poet. Studioi në Romë, ku u doktorua në teologji dhe filozofi.Vepra e tij “Çeta e profetëve “(Cuneus prophetarum) u botua më 1685 në Padova. Më 1677 ishte kryepeshkop i Shkupit.
            Në pikturë: Onufri (Shek. i 16-të) i shquar në pikturën murale dhe atë të ikonës, çoi më tej arritjet e artit paleolog. Pikturoi afresket e mëdha“Pantokratori”dhe”Shën Mëria.”Permendet për të kuqen e paimitueshme.
            Ibrahim Kodra, piktor i famshëm modern, postkubist. Jeton e krijon në Itali (Milano). Një grup poetësh e personalitetesh të mëdha të Rilindjes shqiptare si N.
Frashëri ,Gjergj Fishta, Migjeni, poetë të përkthyer dhe jashtë Shqipërisë.
            Fan Noli, prift ortodoks, një figurë  brilante e letërsisë dhe kulturës shqiptare, poet, përkthyes, kritik arti, politikan, oraror, kryeministër i së parës qeveri demokratike që doli nga revolucioni demokratiko-borgjez i 1924. Shqipërues i Shekspirit dhe Omar Khajamit, autor i kritikës së famshme “Betoveni dhe revolucioni francez”të vlerësuar  nga B.Shou, dramaturg i njohur anglez.
            Jeronim de Rada:(1814-1903) themelues i kulturës arbëreshe në Itali, poet  shquar, estet, publicist. Nxori të parën gazetë shqiptare “L’albanese d’Italia”. Po kështu Gavril Dara, poet arbëresh (Siçili), luftëtar për bashkimin e Italisë. Mik i Garibaldit, i cili e emëroi sekretar të përgjithshëm në qytetin Xhirxhenti më 1860. Më 1862 këshilltar i prefekturës së Palermos.
            Xhon Belushi, aktor i njohur amerikan me origjinë shqiptare.
            Aleksandë Moisiu, aktor më famë botërore me origjinë shqiptare, ka luajtur me sukses në teatrot e Vjenës dhe Berlinit në vitet 30 të këtij shekulli.
            Kultura dhe letërsia shqiptare përfaqësohen sot denjësisht nga shkrimtari i shquar I.Kadare, disa herë kandidat për çmimin Nobel, i botuar edhe këtu, në Itali me veprat “Kështjella”dhe “Gjenerali i ushtrisë së vdekur.”Ky autor është përkthyer në mbi 30 gjuhë. Një shkrimtar tjetër i njohur shqiptar është dhe D.Agolli me romanin satirë “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo,” të botuar e vlerësuar në Francë e Gjermani, që e gjetëm edhe këtu në Leçe,etj.
            Të nderuar kolegë,
            Kjo ishte shumë shkurt ajo që unë u përpoqa t’ju bëj të njohur në lidhje me identitetin e kulturës shqiptare. Kuptohet që, siç e përmenda edhe krye të këtij kumtimi informativ, është e vështirë të trajtosh bindshëm një temë të tillë në pak faqe, aq më pak para jush, që, për arsye të shumta, e sidomos për atë të izolimit për një kohë të gjatë të Shqipërisë  nga bota perëndimore, i keni njohuritë për këtë  kulturë, të pakta.
            Do të isha i lumtur nëse, sado pak, kjo do t’ju ngjallte më tej kuriozitetin për kulturën shqiptare, kontakti me të cilën nuk do t’ju zhgënjejë.
           


Petrit Qejvani, 24 tetor 1994, Santa Cesarea Terme, Lecce -Itali
            (Mbajtur në takimin e përbashkët të mësuesve dhe pedagogëve shqiptarë dhe italianë në kuadrin e seminarit “Dialog midis dy kulturave”) nën kujdesin e shoqatës
“Agimi”

            P.S. Shih për këtë gazetën “La gazzetta del mezzogiorno,”26 tetor 1994 f.12



BARDHËSI

                  BARDHËSI
                                          

                                    Një grua po lëkundet në rrugën e pafundme
                                    Gruaja mban në buzë
                                    Puthjen e hidhur të atij që e la
                                    Tani ajo është vet e dytë
                                    Gjurmët e saj në rrugë
                                    Janë dyfish të mëdha.
                                    Gruaja nxiton midis kalimtarëve
                                    Mbi vetminë e saj rëndon ai që iku (jo që vdiq)
                                    Dhe të rëndon shumë
                                    Barra e atij që të njihte dhe s’të njeh
                                    E atij që të donte dhe s’të do
                                    Që hoqi galloshet tërë baltë të mendimeve të tij
                                    Dhe i shkundi në zemrën e një vajze të re
                                    E cila, ndonëse e ka të pastër zemrën e saj
                                    S’e fshin dot gjurmën e kujtimit të hidhur
                                    Ashtu si bora e virgjër gjurmët e kalimtarëve
                                    Veçse kur shkrihet...

                                                                        1970   
                                                                                               



Κυριακή 12 Νοεμβρίου 2017

DËNIM I MERITUAR

                                    DËNIM I MERITUAR


                                    Ka ca kohë që më është prishur gjumi
                                    Dhe kush ma prish,unë atë e di.
                                    Ma prish ti, që rrugën humbe për te unë
                                    Apo unë, që humba rrugën për tek ti.

                                   

                                    Por unë vet nuk dija të të doja
                                    Ndonëse ti ishe gati gjithçka të ma falje...
                                    Dhe prisje mua që të veproja...
                                    Kurse unë u drojta nga vlera e thesarit.



                                    Po,vet jam fajtor që nuk të dashurova,
                                    Që me ty dhe veten luajta pa dashur, pa kuptim
                                    Tani në ëndrra ti më shfaqesh dendur ,
                                    Sa gjumi më është kthyer në një ankth pa mbarim.


                                   
                                    Ç’do ëndërr që shoh ka fytyrën tënde
                                    Çuditërisht të qeshur , që gjithnjë më fton të vij
                                    Dhe unë, i mbytur në djersë, shpejtoj hapat,
                                    Por ty asnjëherë, kurrë s’të arrij.



                                    Dhe drita e mëngjesit më bën të ndërgjegjshëm...
                                    Si një kirurg më pret në zemër, në shpirt
                                    Në të vërtetë unë e meritoj dënimin
                                    Dhe, për të qenë i sinqertë, e meritoj dyfish.



                                                Petrit Qejvani

Παρασκευή 10 Νοεμβρίου 2017

Bjondja e Pireut


                                                Bjondja e Pireut


                                    Në kafe ‘Notos’ në mbrëmje buzë detit
                                    Përballë një bjonde greke më rri
                                    As dëgjoj fare ç’më thonë shokët
                                    Në tavolinën përballë është ulur  një perri.


                                    E bukur, o zot!një Helenë moderne
                                    Me kostum meshini të zi rri serbes
                                    Herë pas here hedh këmbën përmbi këmbë
                                    Dhe tymos një cigare plot finesë.

                                   
                                    E shoh drejpërdrejt,pa turp fare
                                    Ndonëse jam i turpshëm sa s’ka
                                    Në sytë e saj një dritë lozanjare
                                    Më jep ca sinjale të thella,hata.


                                    Ndonëse cigaren prej vitesh kam lënë
                                    Një cigare kërkoj,e ndez me nxitim
                                    T’i bëj shoqëri grekes magjike
                                    Që vale magnetike më lëshon me guxim.


                                    Edhe unë i përgjigjem lojës
                                    Bile e teproj,e kaloj cakun
                                    I shkel syrin grekes elegante
                                    Se paku kështu e heq merakun.


Nxjer pasaportën dhe e shfletoj
Tavolina zien nga bisedat
Ndonëse në tavolinë flitet shqip
Grekja s’heq dorë nga të vetat...


Shokët më thonë të merr për të huaj     
Kushedi ç’i dukesh,italian apo spanjoll.
Ndryshe nuk do të shihte me vëmendje
Shqiptarët në Greqi nuk i respektojnë.


Kurrë nuk më ka mgjepsur kaq në bjonde
Ishte e para që më pushtoi befasisht
Por unë s’isha Paridi që rrëmbeu Helenën
Në Athinë unë isha thjesht një turist.


Të nesërmen ikja, e lija Athinën
Dhe greken e bukur s’do ta shihja më   
Veç imazhin e saj të mahnitshëm
Do ta mbaj në kujtesë për gjithnjë.


Unë s’kisha shkuar në Greqi
Greken e bukur të rrëmbeja
Ne dhe kështu në gjendje lufte ishim...*
Pale të shpallnim luftra të reja.   ..

                                    Janar 2002


Shënim:aludohet ironikisht për ligjin e luftës që Greqia i shpalli Shqipërisë gjatë LuftësII botërore ,pasi u sulmua nga Italia fashiste nga territori i pushtuar shqiptar.                                                                      


Τρίτη 7 Νοεμβρίου 2017

NATË E HUAJ


                                      NATË  E  HUAJ

         
                             Kjo natë është pa emër, pa qiell, bosh.
                             Dikush argëtohet në katin e poshtëm
                             (Le të argëtohet)
                             Unë argëtohem me dhembjen time.
                             Unë me dhembjen time vallzoj.
                             Dhoma me katër krevate bosh
                             Është mbushur plot me dhembjen time
                             Muret nuk kanë fotografi
                             Në mure është varur dhembja ime
                             Një daulle më ngre nervat
                             Sikur flet për dhembjen time
                             Jashtë nata është pa yje.
                             Në katin e poshtëm dikush argëtohet
                             Nga era veriore xhamat dridhen
                             Duke ngrirë imazhin e së dashurës sime
                             Shumë vetë mund të argëtohen sot
                             Unë argëtohem me dhembjen time
                             Unë me dhembjen time vallzoj.
                             Në dritare imazhi i së dashurës dridhet..

                             Jashtë era i ka rrëzuar yjet…
                             Dhoma me katër krevate bosh
                             Dhembja me mua kërkon të shtrihet…
                             Kjo natë është e huaj, pa qiell, pa yje.




                                      Petrit Qejvani,1973, Fajza-Krumë-Kukës