Τετάρτη 16 Απριλίου 2014

KUR FLET ME ARGUMENTE DHE TRANSPARENCE



                        KUR FLET ME ARGUMENTE DHE TRANSPARENCE



                                                            Nga Petrit Qejvani



            Besoj se shumë vetëve do t’u ketë bërë përshtypje debati i ministrit të financave Shkëlqim Cani me një panel specialistësh dhe një gazetar për problemet e mprehta të gjendjes aktuale të financave shqiptare, që në thelb shpreh gjëndjen e përgjithshme të ekonomisë sonë. Problemi i borxhit të madh dhe tejkalimi e rritja nivelit të tij prej qeverisë aktuale nëpërmjet huave nga FMN dhe institucione të tjera ndërkombëtare, është tema më e rrahur në debatin e sotëm ekonomik, sodomos e preferuar dhe spekulative kjo për opozitën, e cila akuzon qeverinë për këtë problem, duke theksuar pasojat, që do ketë ky borxh mbi jetën e qytetarëve shqiptarë.

            Nuk është e vështirë ta kuptosh se skenarin për këtë veprim e ka shkruar qeveria e djeshme, sot opozitë, kur e la Shqipërinë në pikë të hallit me borxhe të deklaruara e të fshehta prej qindra milionë dollarësh kompanive private për punët e papaguara. Tamam një qeveri horrash, që « vinte biznesin në punë » dhe nuk e paguante, për shkak të politikave të tyre të falimentuara dhe abuzimeve të mëdha me pushtetin. Por kjo dihet tashmë.

             Ajo që të cudit është « kuraja »  ose paturpësia e opozitës për t’i kërkuar llogari qeverisë, për rrënimin që ajo vet me keqqeverisjen e saj i ka bërë ekonomisë shqiptare, thjesht për qëllime të ngushta politike, duke vënë kështu politikën (jo-socialiste) në plan të parë. Si dikur…Por le të mbetemi te debati i kulturuar dhe profesional me ministrin e financave. Si rrallë here me ndonjë përfaqësues të qeverisë, debati ishte shumë profesional dhe, më kryesorja dhe po aq i kuptueshëm për qytetarët me një formim jospecial ekonomik. Kjo erdhi sepse ministri ishte i hapur, i drejtpërdrejtë dhe argumentues. Dhe kjo u duk kur nuk iu shmang asnjë pyetjeje. Por edhe se ata që kishte përballë ishin specialistë dhe jo fanatikë partie, që bëjnë zhurmuesin në mungesë të argumenteve. Pyetjes pse qeveria thirri në ndihmë FMN ai iu përgjigj fare thjesht :po si do t’ia bënte qeveria kur arkën e shtetit e gjeti bosh?         Kur drejuesi i debatit nguli këmbë dhe e pyeti se sa leke gjeti qeveria kur erdhi në pushtet, ministri u përgjigj: s’kisht as 90 milion dollarë! Bile ai e krahasoi me 1997. Dhe e argumentoi. Në këto rrëthana s’kishte rrugë tjetër vec thirrjes dhe negocimit me FMN. Pra, një shtet në prag të falimentimit. Dhe për ta bërë më bindëse e të kuptueshme për qytetarët e thjeshtë e krahasoi qeverinë me një familje në të cilën kryetari (babai) merr borxhe dhe i harxhon  paratë duke pirë dhe duke lozur bixhoz.(krahasim shumë i thjeshtë dhe domethënës për qeverinë Berisha). Një “ baba” i tillë i papërgjegjshëm  ia lë barrën e parave djalit, të paguajë ai borxhet. Nuk ka zgjidhje tjetër. Ndërkohë ishte i ftohtë dhe pa pasione kur deklaroi se do conte në prokurori dosjen me shkeljet e shumta (sipas tij) të ministit paraardhës, i cili, ndërsa akuzon sot qevrinë për  marrjen e borxhit nga FMN , vet më 2009 ka marrë një borxh ( sikurse tha ministri) me interes 13,3%, shume më e lartë se ajo e tregut.  Dhe për këtë duhet të përgjigjet edhe ligjërisht. Unë nuk jam as prokuror, as gjykatës, tha ai. Qeveria nuk dënon në demokraci. Atë e bejnë gjykatat. Drejt e kishte ministri. Por jo këto tonat. Dhe kjo është shumë e rëndësushme, pasi qeveritarët shqiptarë nuk janë ndëshkuar edhe kur bëjnë rrush e kumbulla paratë e këtij populli të varfër e të poshtëruar paturpësisht prej tyre. Por ai tregoi edhe si mund të dilet nga kjo gjendje në planin afatgjatë, pasi dihet: marrja e borxheve për të larë borxhet e vjetra nuk është zgjidhje afatgjatë dhe, aq më pak, e lumtur. Gjithë puna është që të rinisë punën rrota e ekonomisë, që të hartohen plitika të tilla që të nxitet prodhimi, pasi ekonomia shqiptare bazohet vetëm në shërbimet, në industrinë e ndërtimit( sot në rënie) dhe në një turizëm “artizanal”, që lë shumë për të dëshiruar për nga infrastruktura dhe kultura  e shërbimit.

            Gjatë gjithë debatit ministri ishte i qartë dhe i qetë në ato që thoshte dhe pati mirëkuptimin e aprovimin e specialistëve, që kishte përballë. Kjo vjen, sigurisht, prej aftësisë profesionale dhe njohjes së thellë të gjendjes në sektorin që drejton. Nga ana tjetër ky ministër nuk flet shumë, sikurse tha dhe vet, nuk ka maninë e deklaratave mediatike, është i qartë në punën e vet dhe transparent, kur pranon edhe vështirësitë. që duhen kapërcyer si dhe barrën, që bie mbi qytetarët shqiptarë. Pasi borxhet dhe të këqiat e qevërisjes i paguan gjithnjë populli, megjithëse është bërë modë tani të thuhet taksapaguesit në vend të fjalës populli ( nuk e di pse, ndoshta se fjalën popull e quajnë të fjalorit marksist!)

            Natyrisht FMN nuk është nënë Tereza dhe dashuria për të është dashuri prej zorit, sic do thoshnin shkodranet. FMN nuk ka zemër, zemra e saj është paraja, fitimi. Normalisht ajo do na marrë më tepër se c’na jep. Ka shumë debate për praninë apo mospraninë e saj në ekonomitë e vendeve të ndryshme. Zakonisht ajo nderhyn në ekonomitë e pasuksesshme apo të pamëkëmbura. Në  rastin tonë FMN është një e keqe e domosdoshme. E kemi peshqesh nga qeveria e mëparshme. Një qeveri vagabondësh, që shqiptarët e “dënuan”politikisht më 23 qershor të 2013. Por që duhet dënuar edhe ligjërisht, që kështu të mos guxojë asnjë qeveri të tallet me popullin e saj.

            Prandaj tingëllojnë të neveritshme sulmet e ish-qeveritarëve të djeshëm ndaj qeverisë së sotme dhe lotët e krokodilit, që ajo lëshon për pasojat dhe kushtet e rënda, që FMN i ka imponuar qeverisë së sotme!..

            Dhe një vërejtje për qeverinë e sotme dhe kryeministrin : të flasin qartë dhe me zë të lartë për situatën katasrofale në të cilën  e lanë ata vendin dhe, në pamundësi të dënimit të tyre nga drejtësia e diskredituar shqiptare ( sic e quajti së fundi ish-ambasadori Withers në “Zerin e Amerikës” këto ditë), t’ia bëjnë pretencën politike në parlament dhe kudo e të mos i lenë të bilbilojnë gjithandej, duke ndotur atmosferën dhe rënduar situatën e vështirë  në të cilën gjendet shqiptari i thjeshtë për shkak të tyre. Të jenë konkretë e bindës si ministri Cani, suksesi i të cilit dhe bindja, që krijon tek të tjerët vjen prej argumenteve dhe transparencës  dhe jo prej kostumit partiak. 

Botuar me 15.04.2014ne gazeten SOT

Τετάρτη 2 Απριλίου 2014

LSI I "MERR" PS-se LUFTEN ANTIFASHISTE



                        LSI I “MERR” PS-së LUFTËN ANTIFASHISTE



                                                Nga Petrit Qejvani



            Aleati dhe rivali më i madh i PS-së brenda koalicionit të majtë per Shqipërinë europiane (kam parasysh dhe partitë  tjera të majta) nëpërmjet Luan Ramës doli me një deklaratë ku i kërkon qeverisë të krijojë një komision për festimin e 70-vjetorit të clirimit të Shqipërisë nga pushtuesit fashisto-naziste. Bile ai nuk harroi të theksonte se këtë kërkesë LSI e ka bërë para dy muajsh dhe ende nuk ka një përgjigje prej qeverisë.

            Kjo  forcë politike në cdo rast kërkon të ruajë me xhelozi dhe forcë identitetin ( profilin e saj të majtë brenda së majtës) përballë së majtës së madhe, PS-së. Ky është preokupimi kryesor dhe afatgjatë i LSI, cështje e ekzistencës së saj. Dhe LSI nuk bën aspak gabim në këtë rast. Dhe nuk besoj se e bën vetëm për efekte elektorale (për t’u marrë votat veteranëve), por edhe për faktin që clirimi i atdheut është një akt madhor, që nderon protagonistin, pra, clirimtarin. Por nuk është hera e parë që LSI vepron kështu. Vetë kreu i LSI-së është prononcuar para disa kohësh për Luftën Antifashiste Nacional-Clirimtare dhe 70- vjetorin e clirimit.

            Meta shfrytëzon me këtë rast kompleksimin e Ramës përballë sulmeve të PD-së. Në këtë rast Meta luan politikisht duke “përvetësuar” Luftën antifashiste të popullit shqiptar, të udhëhequr nga komunistët dhe Enver Hoxha. Nuk është se PS-ja nuk e mbron këtë luftë (masa e socialistëve po e po) ,por vet Rama tregohet ”i kujdesshëm”, pasi, pas kësaj lufte “fshihet” Ë.Hoxha dhe Partia Komuniste Shqiptare, që janë protagonistët dhe fitimtarët. Pra, është figura e E.Hoxhës ajo që “komplikon” problemin.

            Rama i ka ikur pyetjes nëse me rastin e 70-vjetorit të clirimit do përmendët E.Hoxha, kurse Meta i është përgjigjur me pyetje retorike gazetarit , që ë pyeti “si mendon ti , ka apo s’ka kontribut E.Hoxha në Luftën Antifashiste?”, domethënë cështja është të pohohet e vërteta historike. Pra LSI mbron jo vetëm një kauzë të drejtë, por edhe një aset të cmuar të së majtës, e trashëguar nga e majta ekstreme (PK), kurse PS-ja edhe e do , edhe “nuk i del zot”. Dhe kjo vjen se Lidershipi i PS-së vuan nga kompleset përballë së djathtës (PD-ja), ë cila vet është mohuese e kësaj lufte dhe mbrojtëse e kolaboracionistëve .Ndërsa PD-ja mbron hapur kolaboracionistët dhe bile i dekoron ata, sepse ishin antikomunistë!..

            PS-ja me gjysëm zëri mbron luftën antifashiste të popullit shqiptar, por ...të udhehequr prej komunistëve dhe Ë. Hoxhës. Kjo është ë vërteta historike. Pra, i gjithë thelbi i belbëzimit të PS-së për këtë cështje është vetëm emri i E.Hoxhës. Të festosh 70-vjetorin e clirimit dhe të mos përmendësh E.Hoxhën dhe kontributin  ë tij në luftë, është e pamundur, pasi ai është figura qëndrore e Luftës.

            Të festosh clirimin dhe të mos përmendësh clirimtarët, kjo është absurde dhe e pamoralshme. Sepse është qëndrim ndaj së vërtetës. Ky është falsifikim flagrant I historisë. Këtë problem e kam trajtuar disa herë në disa shkrime, që lidhen me Luftën Antifashiste dhe qëndrimin ndaj saj dhe rolit të komunistëve  dhe E.Hoxhës në këtë luftë. PS-ja, e distancuar nga E.Hoxha, ndonëse në mënyrë të turbullt, pa nënvizuar  se ku ndahet nga E.Hoxha dhe cfarë cmon te ai, sillet vërdallë në rrugën e saj drejt një të majte ‘të djathtë”. Pra PS-ja duhet përcaktuar qartë si forcë e majtë (moderne po deshët). Por ne së ajo është konsideruar si pasuese e PK (PP) dhe është anatemuar nga e djathtta për këtë, atëherë pse të mos mbrojë këtë vlerë pozitive te paraardhëses së saj? Në këtë pikë LSI është më e guximshme. Unë mendoj se qëndrimet e LS_-së ndaj kësaj cështjeje nuk janë vetëm pragmatiste, (për votat e veteranëve) por edhe bindje ideologjike e saj. Dhe kështu duhet të jetë. Prandaj, nëse duam të jemi realistë, E Hoxhën duhet ta shikojmë sic duhet në të gjitha planet dhe jo vetëm në një plan. Kur është fjala për diktaturën dhe krimete e saj,ia faturojmë E. Hoxhës,( dhe në fakt diktatura identifikohet me emrin e tij),kurse kur është fjala për Luftën Antifashiste, që na bashkoi me aleatët anglo-sovjeto-amerikanë dhe që është meritë e tij, ia mohojmë këtë. Kjo është alogjike, e padrejtë, joobjektive dhe falsifikuese. Këto janë fakte historike. Prandaj PS-ja, jo për të kënaqur veteranët, por për të vërtetën historike duhet të mbrojë me zërin plot dhe krenari Luftën Antifashiste dhe ata që e bënë atë.

            PS-ja nuk duhet të sillet në mënyrë të atillë si e si t’u pelqejë apo të bëhet më e pranueshme për  për PD-në dhe pinjollët e kolaboracionistëve apo disa të tjerëve edhe në Europë. Për t’u dukur apo për t’u bërë “më moderne”.

            Antifashizmi është vlerë e përhershme dhe jo e kapërcyer. Këtë tutje të PS-së e kam trajtuar në një shkrim të botuar vitin e kaluar me rastin e festës së Clirimit, me titullin “Festa e clirimit pa clirimtarë!” Me të drejtë theksoja se nga e majta (PS dhe LSI) u permend vetëm që Shqipëria u clirua,por se kush e cliroi, kjo nuk u tha. Clirimi nuk erdhi nga qielli. Atë e sollën clirimtarët, të cilët kanë emër, ata ishin inkuadruar në formacione ushtarako-politike dhe kishin komandantët dhe udhëheqësit e tyre, midis të cilëve E. Hoxhën. Pavrësisht pragmatizmit si vecori konstante,  LSI me të drejtë.i bën thirrje qeverisë (ku bën pjesë!) për ngritjen e komisionit të festimit të 70-vjetorit. Duke bërë këtë, ajo shfaq profilin e vet si forcë e majte, njeh dhe respekton Luftën Nacional-Clirimtare dhe fiton dhe shton edhe disa veteranë rreth vetes si parti pragmatiste që është. Dhe mirë bën!

Botuar ne gazeten SOT, date 4.04,2014 dhe ne gazeten DITA, date 5.04.2014 ,  me titullin "Raporti i se majtes me Luften Antifashiste"

Τρίτη 1 Απριλίου 2014

SHTETI, QE NUK E KEMI



`                                               SHTETI. QË NUK E KEMI

                                                      Nga Petrit Qejvani

            Është dhembje të flasësh keq për shtetin tënd, për vendin tënd. Por ç’të bësh, kur e vërteta është ulëritëse?! Ç’të bësh kur Shqipëria, siç ka thënë një i ditur i njohur, fatkeqësisht me të drejtë, u bë për t’u plasur buzën shqiptarëve? Dhe ndonëse një thënie e tillë po vete  një shekull, sërisht ajo (në fakt politika dhe politikanët) po ua plas(in) buzën shqiptarëve.

            U bë një çerek shekulli që po rropatemi për të bërë shtet e nuk po bëjmë dot. Askush nuk mund të thotë se Shqipëria është një shtet normal. Atë që bën njeri, e çbën tjetri. Institucionet i kundërvihen njeri-tjetrit edhe pse duhet të bashkëpunojnë. Kësaj situatë do t’i shkonte për shtat  thënia popullore njeri i bie gozhdës, tjetri patkoit. Ose, më qartë, qeveria i bie gozhdës, presidenti patkoit. Sepse shtet normal do të thotë funksionim organik, harmonik i pjesëve të shtetit, që në thelb do të thotë funksionim real i ligjit.. Dhe jo kur ai nuk zbatohet si në republikën tonë të kaosit dhe katrahurës.

            Një territor kaq i vogël dhe i pakontrolluar! Një turp për çdo qeveri! Sidomos për atë paraardhëse. Që iku duke lënë një shtet thuajse në kaos. Sigurisht, një kaos i ndërgjegjshëm për ta sabotuar ende pa ardhur në pushtet qeverinë e re. Një panoramë e përgjithshme e Shqipërisë së lënë më 23 qershor 2013 është vështirë të përshkruhet edhe  letrarisht, por dhe politikisht do të ishte një tablo groteske. tragjikomike. 
        Shikoni ç’ndosh në republikën tonë kaotike “demokratike”. Kompani fantazma shfrytëzojnë barbarisht lumenjtë, banda me liçencë  pushtojnë, grryejnë e shkatërrojnë minierat, koncesionarë që njerrin naftë me metoda barbare, me eksplozion dhe nuk i paguajnë tatimet shtetit (grabitje ashiqare e shqiptarëve) terminale portuale (si ai i Durrësit) që u jepen badjava disa firmave të huaja, që natyrisht, ndajnë fitimet me qeveritarët shqiptarë, të djeshëm, ndoshta dhe të sotëm (kujto prononcimin e deputetit Koka në parlament). Më tej kemi Porto Romanon ë”Fazlliçit” të Berishës, i cili merr pjesë edhe në mbledhjen e këshillit të sigurimit të Republikës! ( e pa dëgjuar dhe e paprecedent dhe  në shtetet afrikane) dhe askush nuk jep llogari. Qeveritarë të tillë antikombëtarë, që e kanë nxjerrë Shqipërinë në ankand s’mund t’u kërkojnë llogari të tjerëve, kur shkelin vet ligjet e shtetit! Dhe prandaj vazhdon rrokopuja në gjithë territorin sipas modelit të atyre, që duhet të bënin shtet. Bëhen ndërtime të paligjshme buzë autostradës e rrugëve kryesore, në bregdet, qytete dhe fshatra me dhe pa bekimin e qeveritarëve qendrorë dhe vendorë. Ngrihen xhami dhe kisha pa leje ndërtimi, në garë me njera-tjetrën ,larg vëmendjes së shtetit.Të tjerë vrasin peshk me dinamit, duke shkatërruar rezervat e peshkut deri në zhdukjen e tyre, batalione gjahtarësh (shfarosësish të faunës së eger) shqiptarë e të huaj bëjnë kërdinë mbi kafshët e shpendët, aq sa një gazetar e ambjentalist amerikan shprehet tronditshëm se ‘qielli i Shqipërisë është pa zogj” e kështu mund të vazhdonim pa fund. Pas gjithë këtyre a mund të thuash që ne kemi shtet?! Kjo është një pjesë e tablosë katastrofale të Shqipërisë, që la regjimi i Berishës, i cili sot bilbilon në Kuvend dhe facebook, në vend që të jepte llogari. Prandaj me të drejtë themi se po nuk u ndëshkuan qeveritarët që e bënë “lesh arapi” Shqipërinë, s’kemi për t’u bërë asnjëherë shtet. Dhe, pse ka ndodhur kështu, kuptohet. Sigurisht,  me këto veprime u jepet mesazhi qytetarëve se ne po ju lëmë të lirë të bëni si të doni, që të na lini dhe ju rehat të vjedhim sa të duam. Pra, një garë çakenjsh për të shqyer Shqipërinë. Dhe në fund të themi: të gjithë kemi vjedhur, ky është kapitalizmi! Në të vërtetë qeveria e sotme ka çuar ca  dosje në prokurori për abuzime të llahtarshme, por ato arkivohen nga prokurorët e partisë (Demokratike)., Qeveria, në të drejtën e saj, ndyshon ligjet, presidenti nuk i dekreton, Këshilli i Lartë i Drejtësisë emëron gjykatës militantë apo të korruptuar, kryetari i SHISH-it nuk i rapoton kryeministrit (kjo është ironi therëse) e plot “qyfyre” të tjera nga ky shtet karagjoz. Dhe kush  kritikon  këto dukuri, kush kërkon zbatimin e ligjit ka rrezik ta quajnë marksist, enverist e ç’të duash. Këtu është fiks si ka thënë Konica një Zululand, por i banuar nga të bardhë! Qeveria kërkon të bëjë reforma në drejtësi, presidenti i emëruar i PD-së i bllokon. Gjyqtarët bëjnë afera korruptive (lirojnë të akuzuar për krime dhe drogë) presidenti i mbron.  Tamam si në një makinë ku timonieri(shoferi) kërkon t’i japë gaz makinës dhe ai që është në vend të parë  frenon në të njëjtin çast! Si mund të ecë makina kështu përpara? Tek ne për gati 25 vjet me radhë ka patur vetëm qeveri dhe jo shtet. Doni shembuj? Sa të doni. Ato që u përmendëm më lart, por edhe të tjera.Të gjithë po shohin si qeveria dhe presidenti janë në luftë me njeri tjetrin.  

            Si mund të quhet shtet normal kur kryeministri dhe presidenti nuk komunikojnë me njeri-tjetrin? Si mund të quhet shtet normal dhe serioz kur kryetari i SHISH-it nuk i raporton keryeministrit sipas ligjit,por e spiunon atë te shefi shpirtëror i opozitës dhe kryeministri nuk e shkarkon dot, pasi nuk e dekreton presidenti, i cili ë merr hapur në mbrojtje? Si mund të merret seriozisht një shtet i tillë kur, sipas ligjit komanda e ministrisë së Mbrojtjes kërkon zëvendësimin ë atasheut ushtarak në NATO për përfundim të mandatit të shërbimit dhe për shkelje të rregullores ushtarake dhe etikës ushtarake dhe presidenti nuk e pranon propozimin  ministres së Mbrojtjes dhe shefit të shtabit ,pra të eprorëve të kundëradmiralit Gerveni? Me siguri nuk ndodh në asnjë shtet të botës së tretë!

            Çfarë mund të thuhet kur kryetari i shtetit shpërfill ligjin dhe i kundërvihet hapur, ndonëse me zë të “ulët”  dhe “në zbatim të ligjit” çdo propozimi apo vendimi të qeverisë?! Dhe akoma më tepër, kur presidenti sillet ndaj qeverisë si një opozitar fanatik? Kur kundërshton reformën në drejtësi, kaq shumë e përfolur për korrupsion dhe pandëshkueshmëri të krimit dhe korrupsionit qeveritar? Kur Presidenti i kundërvihet edhe parlamentit, prej nga ka dalë, kur nuk dekreton shkarkimin e kryeinspektores partizane të ILKDP, kësaj sokoleshe të PD-së për moskryerje të detyrës dhe fshehje të pasurive të qeveritarëve të djeshëm?

            A mund të themi jemi një shtet normal kur ministri i jashtëm dhe kryeministri kërkojnë të reformojnë shërbimin diplomatik, duke luftuar hapur nepotizmin dhe diplomacinë e dhëndurrëve, mbesave, kunetërve dhe kunatave, a thua Shqipëria është një fis apo tribu? Pra, kur presidenti refuzon propozimet e ministrit të jashtëm.për emërimin e ambasadorëve ? Dhe, më në fund. si mund të quhet shtet serioz një shtet ku politikanët kryesorë akuzojnë njeri-tjetrin si hajdutë dhe banditë dhe se njeri i mburret tjetrit se është më i mrë se ai se ka vjedhur më pak?! Kesaj i thone :bir Selman i nenes, ke te qaj me pare! Pra, një shtet që drejtohet nga hajdutët. A mund të bëjnë shtet seioz hajdutët? Ata vetëm mund të vjedhin shtetin dhe qytetarët.Dhe, pavarësisht sa është masa e hajdutllëkut, drejtësia, gjithashtu hajdute, s’ka si bën gjë. Prandaj këtu do duhet një kohë e gjatë që të vendoset ligji, domethënë të bëhet sheti, që na duhet aq shumë. Kur të veprojë ligji do bëhet shteti.

            Që një shtet të funksionojë duhet që autoriteti i ligjit të shtrihet gjithandej: në krejt territorin e shtetit dhe në të gjithë sektorët e tij. Por a ndodh në të vërtetë kështu? Këtë ë dinë shumë mirë qytetarët shqiptarë.

            Çfarë shteti është ky kur prokurori i përgjithshëm nuk denjon të hapë dosjet ë zyrtarëve të korruptuar dhe të akuzuar për më shumë se një aferë? Çfarë shteti është ky kur drejtësia nuk pranon të gjykojë ish qeveritarët që kanë vjedhur e shpërdoruar miliarda nga paret e shqiptarëve të varfër dhe dosjet janë sa një mal? Dhe kur nuk ka akses as kryeminstri, vaj medet për qytetarin e zakonshëm! Kur KLSh dergon dosjet ë shpërdorimeve miliardëshe  të zyrtarëve të lartë dhe dosjet arkivohen? Shtet është ky kur opozita me fjalë dhe vepra nxit mosbindjen  ndaj ligjit dhe shtetit?

            Për fat të keq shqiptarët kanë dëshmuar këtë gati çerk shekulli  paaftësi shtetformuese, akuzë kjo e ngritur në teori nga armiqtë e Shqipërisë dhe që klasa politike shqiptare po ngulmon, me talent të rrallë, ta vërtetojë këtë.

            Po ky me demek shteti ynë ka dhe pamje të tjera komike. Çfarë ndërgjegje shtetformuese ka një qeveri dhe president që i referohet djalit të ish-mbretit të vetëm, “Zogut të parë” dhe të fundit me titullin “princ” në një republikë parlamentare? Apo më keq akoma kur , me rastin e vdekjes së tij (rahmet pastë!) i bëjnë ceremoni shtetërore dhe homazhe në sallën e Kuvendit të Shqipërisë?! Dhe përse? Për meritat e munguara ndaj Shqipërisë?!

            Një shtet që fal pasuritë e tij natyrore xhaba, siç thuhet me gjuhen e rëdomtë. që shet sovranitetin e tij (siç ishte rasti i detit me Greqinë) çdo ditë në çdo akt privatizimi dhe konçesioni, duke “ngrënë dekët” e shqiptarëve, edhe kur sektorët ekonomikë janë efiçentë dhe konkurrues si nafta dhe minierat, çfarë shteti është? Kur konçesionarët nuk i paguajnë taksat shtetit dhe nuk bëjnë investimet e kontraktuara? Shtet është ky yni, që importon deri lakra e sallata nga fqinjët tanë apo më larg, nga fundi i botës hudhra ose agrume kur ka 300 ditë në vit me diell? Një shtet “gallatë” pa vizione dhe strategji ekonomiko-politike. Një shtet që nuk ka dhe nuk di cilat janë prioritete e zhvillimit të tij .Që zgjidhjet e çastit mbytin ato të perspektivës.

            Dhe një rast fare banal për mungesën e autoritetit të  shtetit:në Lazarat kanabisi gjelbëron gjithë vitin dhe shteti rakitik shqiptar thotë s’kam ç’bëj!? (sigurisht ne nuk themi të luftojë me Lazaratin). Por në këtë rast Lazarati përbën model dhe dihet që modeli imitohet… Ky shtet ekziston vetëm në letër. A mund të justfikohet me lloj-lloj teorish se nuk mund të hyhet në një fshat si Lazarati, ku lulëzon “bujqësia moderne” e hashashit, si “bujqësia” më fitimprurëse.? Sigurisht nuk i kam për qeverinë aktuale këto, me gjithë përgjegjësinë që ka edhe kjo qeveri. Atëhere me të drejtë shtrohet pyetja: Pse nuk bëjmë dot shtet funksional ne shqiptarët? Ka dy arsye madhore, veç të tjerave

            Ë para: paaftësia jonë gjenetike për të bërë shtet. Dëshira jonë instinktive për antishtet, duke bërë secili me kokën e vet. Shprehje kjo e mosdëshirës për rregull dhe ligj, sipas parimit ujku do mjegull. Në thelb kjo është tregues i një shoqërie të prarpambetur, anakronike.. Doni shembuj? Gjithë Shqipëria është një model i përsosur antishteti, antiligji, anti rregulli. E fillojmë me zbatimin ende të Kanunit të malësisë në jetën shoqërore. A nuk është turp dhe faqja ë zezë për Shkodrën dhe gjithë Shqipërinë ngujimi i fëmijve dhe grave për shkak të gjak marrjes në shekullin ë 21-të?! Po në radhë të parë është turp për shtetin. Dhe më turp pastaj kur pasojat ë kanunit kërkojmë “t’i korrigjojmë” me kanun! Siç rekomandojnë disa tradicionalistë, që ende mburren me kanunin?!…Shembuj si ky tregojnë se jemi një shoqëri primitive, paraqytetare. Sepse qytetërim do të thotë rregull dhe ligj në radhë të parë.. Por kjo është gjëja që na intereson më pak. A nuk rendim me vrap te shoku dhe miku për të gjetur punë, për të fituar një të drejtë, që na e jep ligji dhe nuk shkojmë në zyrën e shtetit, sepse Maliqi është më i fortë se ligji? Por mungesa e rregullit dhe dëshirës për zbatimin ë ligjit shprehet gjithandej,duke filluar nga gjerat më të thjeshta. Shikoni si zbatohen rregullat ë qarkullimit. Shikoni si nuk kalojmë te vijat e bardha, të cilat shpesh nuk duken ( edhe kjo është mungesë vullnetit për rregull dhe korrupsion). Shikoni si parakalojmë te semaforët. Njerëz dhe makina. Shikoni po deshët në Bulevardin “Dëshmorët e kombit” si lëvizin makinat si një tufë mushkash, pa rregull, pa rreshta, sepse edhe bulevardi duhet ndarë në korsi, të cilat mungojnë. Shikoni semaforët si sy të verbër, që një herë punojnë ë një herë s’punojnë.Kjo edhe në mes të Tiranës, pa le në qytetet e tjera, që nuk ka fare semaforë! (dhe ky është një turp tjetër) Dhe guxojnë e thonë “burrat e politikës” në qendër e në rrethe jemi një vend turistik i lakmuar.ose “e bukura e dheut” (siç tallej kryeministri i larguar më 23 qershor të 2013-ës)..për shkak se kanalet e ujrave të zeza derdhen në det!..Për shkak se qeskat dhe shishet plastike e gjithfarë kanoçesh flaken ku të munden, nëpër brigjet ë lumenjve dhe detit, shpesh pranë hoteleve “gjeneralë” me 3,4 ose 5 yje që i vendos pronari i hotelit vet, si të dojë. (duhet falenderuar me këtë rast ministria e Mbrojtjes që na pastroi territorin,por dhe na “tupëroi” se na nxori zbuluar ne, kampionëve të turizmit!..) Vëreni pushtetarët lokalë e qendrorë,që, pasi hanë e pinë nëpër lokale të ashtuquajtur të zgjedhur, nuk e shohin që pas rrethimit të hotelit është mali me plehra. Por asnjë gjobë për ndotjen e mjedisit ose gjoba qesharake. Miqësia, shoqëria,qyli, dallaverat mbulojnë gjithçka.

            Ë dyta:Ne nuk po bëjmë dot shtet pas përmbysjes së socializmit(ata që ë ideuan dhe e ndërtuan  nuk e quanin komunizëm) sepse në pushtet, ndryshe nga shumë vende të lindjes, erdhën njerëz pa përvojë shtetdrejtimi, shpesh aventurierë e servilë të pushtetit të vjetër, ca ish-pedagogë arrivistë të mjekësisë , ca të  instituteve të tjera të përkëdhelur, si ai i Arteve, ca “adoleshentë të rritur” që shteti u dukej si një shfaqje komedie, kurse shteti është i rëndë si një dramë.

            Erdhën në pushtet ata që nuk ë kishin parë as në ëndërr se një ditë do të merrnin çelsat e shtetit: gjithfarë njerëzish me defekte morale e karakteriale, ish-shërbëtorë sahanlëpires të nomenklaturës, njerëz të paformuar e të papërgjegjshëm, hipokritë. Mbi të gjitha, siç u vërtetua më vonë,njerëz që, në instancë të fundit, nuk ë donin Shqipërinë, të tillë si Berisha, Pashko, Pollo, Imami, Meksi etj. Le të bëjmë krahasim me ish- Jugosllavinë pët t’u bindur për këtë. Pa dallim në të gjitha republikat e saj, tranzicioni ishte më gradual, më i butë dhe u udhëhoq  nga politikanë të njohur, me stazh dhe jo nga kalamaj apo aventurierë që shanin rrugëve “komunizmin” dhe bashkë me rrëzimin e tij (në fakt vetrrëzimin) shkatërruan edhe “Shqipërinë komuniste” dhe vranë konceptin për shtetin, duke mbjellë anarkinë që vazhdon edhe sot ë kësaj dite. Në përgjithësi, në republikat ish-jugosllave erdhën në pushtet ish-politikanë të regjimit të vjetër, ish-komunistë me ofiqe të larta, njerëz të pjekur si Alija Izebegoviç në Bosnjë-Hercegovinë, Franjo Tuxhman në Kroaci, në Maqedoni K.Gligorov, në Serbi Milosheviçi etj.  Për të mos vazhduar më gjatë me Rusinë e Jelcinit, me Rumaninë etj. Këta të gjithë ishin komunistë, që përkrahën ndryshimin e regjimit, që nuk ishin demokratë të mirëfilltë, por ama ishin të përgjegjshëm dhe sidomos patriotë, Ata i deshën vendet e tyre. Në asnjë vend ish-socialist nuk u shkatërrua e u dog apo u vodhj prona kolektive, që ishte pasuri kombëtare, si në Shqipëri, Haraç që po e paguajnë edhe sot shqiptarët. Shtet nuk mund të bëjë kushdo, edhe kur ka ca cilësi të nevojshme. Shtet mund të bëjnë njerëz të përgjegjshëm, që e duan vendin e tyre. Pra, shtetin e bëjnë politikanët atdhetarë. Kur te vine ata, do te kemi shtetin qe na duhet.

Botuar ne gazeten SOT,date 5.04. 2014