KUR FLET ME ARGUMENTE DHE TRANSPARENCE
Nga
Petrit Qejvani
Besoj se shumë vetëve do t’u ketë bërë
përshtypje debati i ministrit të financave Shkëlqim Cani me një panel
specialistësh dhe një gazetar për problemet e mprehta të gjendjes aktuale të financave
shqiptare, që në thelb shpreh gjëndjen e përgjithshme të ekonomisë sonë.
Problemi i borxhit të madh dhe tejkalimi e rritja nivelit të tij prej qeverisë
aktuale nëpërmjet huave nga FMN dhe institucione të tjera ndërkombëtare, është
tema më e rrahur në debatin e sotëm ekonomik, sodomos e preferuar dhe
spekulative kjo për opozitën, e cila akuzon qeverinë për këtë problem, duke
theksuar pasojat, që do ketë ky borxh mbi jetën e qytetarëve shqiptarë.
Nuk është e vështirë ta kuptosh se
skenarin për këtë veprim e ka shkruar qeveria e djeshme, sot opozitë, kur e la
Shqipërinë në pikë të hallit me borxhe të deklaruara e të fshehta prej qindra
milionë dollarësh kompanive private për punët e papaguara. Tamam një qeveri
horrash, që « vinte biznesin në punë » dhe nuk e paguante, për shkak
të politikave të tyre të falimentuara dhe abuzimeve të mëdha me pushtetin. Por
kjo dihet tashmë.
Ajo që të cudit është « kuraja » ose paturpësia e opozitës për t’i kërkuar llogari
qeverisë, për rrënimin që ajo vet me keqqeverisjen e saj i ka bërë ekonomisë
shqiptare, thjesht për qëllime të ngushta politike, duke vënë kështu politikën
(jo-socialiste) në plan të parë. Si dikur…Por le të mbetemi te debati i kulturuar dhe profesional me
ministrin e financave. Si rrallë here me ndonjë përfaqësues të qeverisë, debati
ishte shumë profesional dhe, më kryesorja dhe po aq i kuptueshëm për qytetarët
me një formim jospecial ekonomik. Kjo erdhi sepse ministri ishte i hapur, i
drejtpërdrejtë dhe argumentues. Dhe kjo u duk kur nuk iu shmang asnjë pyetjeje.
Por edhe se ata që kishte përballë ishin specialistë dhe jo fanatikë partie, që
bëjnë zhurmuesin në mungesë të argumenteve. Pyetjes pse qeveria thirri në ndihmë
FMN ai iu përgjigj fare thjesht :po si do t’ia bënte qeveria kur arkën e shtetit
e gjeti bosh? Kur drejuesi i
debatit nguli këmbë dhe e pyeti se sa leke gjeti qeveria kur erdhi në pushtet,
ministri u përgjigj: s’kisht as 90 milion dollarë! Bile ai e krahasoi me 1997.
Dhe e argumentoi. Në këto rrëthana s’kishte rrugë tjetër vec thirrjes dhe
negocimit me FMN. Pra, një shtet në prag të falimentimit. Dhe për ta bërë më
bindëse e të kuptueshme për qytetarët e thjeshtë e krahasoi qeverinë me një
familje në të cilën kryetari (babai) merr borxhe dhe i harxhon paratë duke pirë dhe duke lozur bixhoz.(krahasim
shumë i thjeshtë dhe domethënës për qeverinë Berisha). Një “ baba” i tillë i
papërgjegjshëm ia lë barrën e parave
djalit, të paguajë ai borxhet. Nuk ka zgjidhje tjetër. Ndërkohë ishte i ftohtë
dhe pa pasione kur deklaroi se do conte në prokurori dosjen me shkeljet e
shumta (sipas tij) të ministit paraardhës, i cili, ndërsa akuzon sot qevrinë për marrjen e borxhit nga FMN , vet më 2009 ka
marrë një borxh ( sikurse tha ministri) me interes 13,3%, shume më e lartë se
ajo e tregut. Dhe për këtë duhet të përgjigjet
edhe ligjërisht. Unë nuk jam as prokuror, as gjykatës, tha ai. Qeveria nuk dënon
në demokraci. Atë e bejnë gjykatat. Drejt e kishte ministri. Por jo këto tonat.
Dhe kjo është shumë e rëndësushme, pasi qeveritarët shqiptarë nuk janë ndëshkuar
edhe kur bëjnë rrush e kumbulla paratë e këtij populli të varfër e të poshtëruar
paturpësisht prej tyre. Por ai tregoi edhe si mund të dilet nga kjo gjendje në
planin afatgjatë, pasi dihet: marrja e borxheve për të larë borxhet e vjetra
nuk është zgjidhje afatgjatë dhe, aq më pak, e lumtur. Gjithë puna është që të
rinisë punën rrota e ekonomisë, që të hartohen plitika të tilla që të nxitet
prodhimi, pasi ekonomia shqiptare bazohet vetëm në shërbimet, në industrinë e
ndërtimit( sot në rënie) dhe në një turizëm “artizanal”, që lë shumë për të dëshiruar
për nga infrastruktura dhe kultura e shërbimit.
Gjatë gjithë debatit ministri ishte
i qartë dhe i qetë në ato që thoshte dhe pati mirëkuptimin e aprovimin e
specialistëve, që kishte përballë. Kjo vjen, sigurisht, prej aftësisë
profesionale dhe njohjes së thellë të gjendjes në sektorin që drejton. Nga ana
tjetër ky ministër nuk flet shumë, sikurse tha dhe vet, nuk ka maninë e
deklaratave mediatike, është i qartë në punën e vet dhe transparent, kur pranon
edhe vështirësitë. që duhen kapërcyer si dhe barrën, që bie mbi qytetarët
shqiptarë. Pasi borxhet dhe të këqiat e qevërisjes i paguan gjithnjë populli,
megjithëse është bërë modë tani të thuhet taksapaguesit në vend të fjalës
populli ( nuk e di pse, ndoshta se fjalën popull e quajnë të fjalorit
marksist!)
Natyrisht FMN nuk është nënë Tereza
dhe dashuria për të është dashuri prej zorit, sic do thoshnin shkodranet. FMN
nuk ka zemër, zemra e saj është paraja, fitimi. Normalisht ajo do na marrë më
tepër se c’na jep. Ka shumë debate për praninë apo mospraninë e saj në ekonomitë
e vendeve të ndryshme. Zakonisht ajo nderhyn në ekonomitë e pasuksesshme apo të
pamëkëmbura. Në rastin tonë FMN është një
e keqe e domosdoshme. E kemi peshqesh nga qeveria e mëparshme. Një qeveri vagabondësh,
që shqiptarët e “dënuan”politikisht më 23 qershor të 2013. Por që duhet dënuar
edhe ligjërisht, që kështu të mos guxojë asnjë qeveri të tallet me popullin e
saj.
Prandaj tingëllojnë të neveritshme
sulmet e ish-qeveritarëve të djeshëm ndaj qeverisë së sotme dhe lotët e
krokodilit, që ajo lëshon për pasojat dhe kushtet e rënda, që FMN i ka imponuar
qeverisë së sotme!..
Dhe një vërejtje për qeverinë e sotme
dhe kryeministrin : të flasin qartë dhe me zë të lartë për situatën katasrofale
në të cilën e lanë ata vendin dhe, në
pamundësi të dënimit të tyre nga drejtësia e diskredituar shqiptare ( sic e
quajti së fundi ish-ambasadori Withers në “Zerin e Amerikës” këto ditë), t’ia bëjnë
pretencën politike në parlament dhe kudo e të mos i lenë të bilbilojnë
gjithandej, duke ndotur atmosferën dhe rënduar situatën e vështirë në të cilën gjendet shqiptari i thjeshtë për
shkak të tyre. Të jenë konkretë e bindës si ministri Cani, suksesi i të cilit
dhe bindja, që krijon tek të tjerët vjen prej argumenteve dhe transparencës dhe jo prej kostumit partiak.
Botuar me 15.04.2014ne gazeten SOT
Botuar me 15.04.2014ne gazeten SOT
Δεν υπάρχουν σχόλια:
Δημοσίευση σχολίου