NISHANI NUK LUAN NGA ISTIKAMI
Nga Petrit Qejvani
Tashmë është e qartë për të gjithë
se qeveria do ta ketë të vështirë, në mos të pamundur, luftën kundër
korrupsionit, pa një drejtësi të reformuar. Ky reformim duket se po sabotohet
sistematikisht prej sistemit të korruptuar keqas të drejtësisë shqiptare që po
shkruan një nga faqet më të errta dhe më të turpshme të historisë së saj. Dhe
një pengesë e madhe në këtë rrugë është presidenti Nishani dhe gjithë piramida
e drejtësisë, e prodhuar kur në pushtet ishte Partia Demokratike. Kupola i ka
dhënë “besën” partisë dhe nuk luan nga istikami. Sidomos presidenti Nishani si
ish-ushtarak me qetësinë dhe retorikën e
tij antiqeveritare dhe anti-reformë nuk ka ndër mend ta braktisë istikamin, që
i caktoi Partia e tij para se të ikte nga pushteti. Ai, qysh në fillim, i ka dhënë
sinjale të qarta qeverisë se nuk ka ndër mend ta “tradhtojë” partinë e tij. Bashkë
me drejtuesit e tjerë të kupolës së gjyqsorit i kanë dhënë sigurinë dhe
premtimin Berishës dhe ish-qeveritarëve
të PD- së se nuk ka për t’i gjetur gjë në rast rotacioni politik për zullumet
e bëra..
Dhe qëndrimet dhe faktet ë
deritashme tregojnë se ata po e mbajnë betimin ë bërë. Para qindra denoncimeve
dhe kallëzimeve penale të bëra nga drejtues të dikastereve dhe institucioneve për
afera korrupsioni të ish-qeveritarëve, edhe publikisht të njohura, prokuroria
dhe prokurori i Përgjithshëm as shohin dhe as dëgjojnë.
Shikoni cfarë situate tragjikomike është
në Shqipëri: ministra, që dërgojnë dosje në prokurori dhe prokurorë që nuk
denjojnë t’i hetojnë. Pastaj ministra, që ankohen te presidenti, i cili tallet
me shqetësimet e tyre, duke iu treguar se drejtësia është e pavarur nga qeveria,
por ama... e varur nga opozita!..Paradoks,apo jo? Megjithatë një ministër (Saimir
Tahiri) tregon se është i palodhur. Ai, sic deklaroi para ca ditësh, do vazhdojë
t’i shkruajë serisht presidentit dhe do t’i ankohet për gjykatat, që lirojnë
kriminelë, të cilët, sapo dalin nga burgu, ekzekutohen nga ta që iu kanë borxhe!..Pas
kësaj, të dëshpëruar, këta ministra “qajnë hallin “ e tyre nëpër ekrane, si
vendet e vetme ku mund “të falen”! Kjo duket e pabesueshme, po t’ia thuash një
të huaji. Është vërtet krejt absurde.Por realiteti shqiptar i tillë është.
Sigurisht nuk është fjala për statusin e drejtësisë në një demokraci të
konsoliduar. Është fjala për demokracinë “alla shqiptare.”
Drejtësia shqiptare është pjesa më e
korruptuar e sistemit. E thënë dhe stërthënë nga qytetarë, opinionistë dhe
forume e organizma kombëtare e ndërkombëtare, aq sa i ka dalë boja. Edhe vet
kam shkruar disa herë për të dhe ndjej neveri, jo vetëm për “drejtësinë”
shqiptare,por edhe për fjalët ë thëna në adresë të saj,gjersa agjë nuk
ndryshon. Ndoshta pse është thënë e stërthënë jemi mësuar tashmë me të dhe ndryshimi që presim bëhet i pamundur. Ku
ka fjalë shumë, nuk ka vepra. Kjo është fitore për të ashtuquajturën drejtësi
tonën. Dhe tingëllon si “gallatë” dhe ironike që pastaj kjo drejtësi pise ka
detyrën të pastrojë krejt sistemin! Këtë e dinë të gjithë, shqiptarë dhe të
huaj.
Politika e ka katandisur në këtë
derexhe për ta patur skllave të saj për të mos u ndëshkuar për abuzimet e saj
me pushtetin. Do te ishte e kuptueshme që drejtësia të trysnohej dhe t’i nënshtrohej
një shumice arrogante, për shembull. Por është e padëgjuar dhe unikale që drejtësia
të varet prej opozitës, si në Shqipëri! Dhe
ky është një rast për ta “pasuruar” historinë e korruptimit të drejtësisë prej
pushtetit politik në rang ndërkombëtar. Kontribut
goxha i madh i Shqipërisë si rast “sui generis”! Në vazhdën ë të qenit “rast i
vecantë” si edhe në diktaturë. Kurdoherë “origjinalë” në marrëzitë dhe punët
tona të këqia!...
Mund të thuhet pa frikë se drejtësia
shqiptare është roje e korrupsionit ekonomik dhe politik. Kulmi i kësaj situate
paradoksale është kur kryeministri dhe presidenti nuk komunikojnë me njeri-tjetrin, a thua se të
dy përfaqësojnë dy institucione private apo dy njerëz që nuk ë kanë qejf
njeri-tjetrin dhe jo dy institucionet kryesore të një shteti,që ligji i detyron
të bashkëpunojnë!
Presidenti Nishani, pak ditë pasi u
caktua president ( me blerje votash nga PD-ja, e cila akuzon sot PS-në për
blerje votash në Korcë!?) në një intervistë në një të përditshme të majtë deklaroi
se tani e tutje nuk do të kishte më konflikte midis presidentit dhe
kryeministrit! Deklaratë interesante apo jo? Qysh ato ditë mendova të bëja një
shkrim për këtë deklaratë, sipas meje shumë e
dyshimtë. E kishte në parim apo kur thoshte kështu kishte parasysh si
kryeministër Berishën? Zoti Nishani me këtë deklaratë me një gur vriste dy zogj:ai
donte të thoshte se deri tani (atëhere) kishte patur konflikte mes disa presidentëve
dhe kryeministrit (Berishës) dhe tani
nuk do ketë më, domethënë fajtorë ishin disa presidentë radhazi (edhe pse të
zgjedhur prej Berishës) dhe jo Berisha. Dhe e dyta se tani kishte ardhur një
president i “arsyeshëm” pra, Nishani!
Qëndrimet e tij të sotme tregojnë se
Nishani raportet kryeministër-president nuk i kuptonte si raporte
institucionale, por si raporte miqsh të një partie. Pra, ai do merrej vesh me
Berishën dhe jo me kryeministrin! Me sa duket Nishani mendonte se kryeministër
do ishte jetë e mot shefi i partisë së tij. Sic shihet Nishani nuk e mbajti
fjalën. Por blofoi. Dhe tani është në konflikt të hapët me kryeministrin Rama.
Pothuaj në të gjitha rastet dhe
veprimtaritë publike ku Nishani merr pjesë si kryetar i shtetit dhe KLD-së bie
në sy, sado e mbuluar me retorikë “juridike”, kundërvënia e tij reformave të
qeverisë në fushën e drejtësisë së degjeneruar shqiptare, mbrojtja e gjyqtarëve
të korruptuar dhe të demaskuar publikisht si hajdutë dhe aleatë të krimit, me
pasuri marramendëse si të sheikëve arabë, sic ishte së fundi dhe rasti i
gjyqtarit Gjin Gjoni, i prodhuar në serat e partisë në kursin e plepave, me
rritje të përshpejtuar me hormonet e politikës së PD_së.
Që Nishani është protektor i drejtësisë
së korruptuar shqiptare flet dhe qëndrimi i fundit në konferencën gjyqsore kombëtare,
ku tha se reforma në drejtësi nuk duhet bërë nga politika, por nga vet gjyqsori!
A thua se fliste për gjyqsorin e Zvicrës apo Suedisë! Po si do të bëhet nga vet
gjyqsori, i nderuar president. kur
gjyqsori është i akuzuari i madh për korrupsion? Apo do thoni nuk është
i gjithë sistemi i korruptuar, por vetëm disa(?!) nja katër a pesë gjyqtarë të
korruptuar si për shembull ai gjyqtari-poet, Pojanaku, i akuzuar për ca
qindarka krahasuar me aferat qindra milionëshe të kupolës së drejtësisë, kurse
të tjerët janë në rregull? Po të ishtë kështu raportet ndërkombëtare nuk do ta
nxinin “drejtësinë” shqiptare deri tek rapoti i fundit i DASH-it.
Por punë e madhe c’thonë ndërkombëtarët
dhe shqiptarët! E rëndësishme është që tymi të na (ju) shkojë “drejt” juve dhe
sistemit, të ruhet statuskuoja dhe kështu të mos dënohët asnjë qeveritar hajdut
dhe vrasës i partisë suaj. Ja pse nuk e braktisni “istikamin”, që ju ka caktuar
partia (Berisha), prandaj ministrat e akuzuar për korrupsion bëjnë trimin me
fletë, tallen me dosjet e mazhorancës së
stërmadhe, por cuditërisht të pafuqishma për ta shkundur “drejtësinë”
shqiptare. Dhe kjo edhe falë kontributit të ndërkombëtarëve me qëndrmimet e
tyre të pakuptimta: edhe e denoncojnë drejtësinë si të korruptuar, nga ana tjetër
i thonë qeverisë të mos e “ngacmojë” drejtësinë. Nga njera anë thonë se nuk është
dënuar asnjë zyrtar i lartë, nga ana tjetër i thonë qeverisë të mos bëhen gjyqe
“politike” kur qeveria dorëzon dosjet për zyrtarëet e djeshëm të korruptuar!..Në
këto rrethana Nishani ndihet i lehtësuar dhe i mbrojtur. Sepse ka “gozhdën ë
Nastradinit”, që e mbron “pavarësinë “ e gjyqsorit.
Dhe unë, si individ (jo si president)
i jap të drejtë, sepse ai i ka borxhe, që nuk mund t’ia kthejë dot kurrë Berishës,
pasi ai e bëri president, jo shaka. Dhe mirënjohja në planin personal njerëzor është
dicka normale. Së paku nga ky kendvështrim unë e justifikoj. Sepse, pa vullnetin e Berishës, Nishani nuk do
kishit as nam, as nishan! Por,
si president nuk mund të justifikohet qëndrimi I tij. Në këtë kuptim kot e ka
maxhoranca që pret me vullnet të pafund se mos ndryshon qëndrim. Por ajo pret se e di që ndryshimet me forcën e
kartonave, që ka, tingëllojnë keq për ndërkombëtarët, ndonëse ata vetëm
konstatojnë, pasi Doktori i ka lënë nëpër këmbë ca litarë qeverisë, që duan
vullnet dhe vendosmëri të epërme për t’u prerë. Sepse ,sic e kam thënë në një
shkrim tjetër, rotacioni politik I 23 qershorit, nuk ishte një rotacion normal
për nga motivet e votuesve dhe nga përmasat e fitores, por një revolucion
elektoral, në pamundësi të një revolucioni real.
Me një fjalë situata është e tillë që,
më tepër se inteligjencë, kërkon burra shteti. Ndaj pozita, duke e ditur që i ka
duart të lidhura për të veprura shpejt dhe radikalisht për ta pastruar sistemin
e pushtuar nga PD-ja, po mendon ca “marifete” për ndryshime strukturore të këtyre
institucioneve dhe për kufizimin sa të mundet të kompetencave të tyre, gjë që
nuk do kalojë lehtë dhe pa debate brënda dhe jashtë vendit.
Maxhoranca është në hall dhe duhet të gjejë një
“modus vivendi”. Ndryshe s’i mbete gjë tjetër vec të presë pa shpresë zgjedhjet
e ardheshme dhe të dështojë në një nga premtimet më të mëdha të bëra gjatë
fushatës elektorale. Dhe do të ishte jo vetëm dështim, por edhe turp që një
maxhorancë e tillë nuk mundi të realizonte pjesën kryesore të atyre që u premtoi
shqiptarëve. Pavarësisht qëndrimit të Nishanit, që nuk luan nga istikami.
Botuar ne gazeten SOT date 7.05.2014
Botuar ne gazeten SOT date 7.05.2014
Δεν υπάρχουν σχόλια:
Δημοσίευση σχολίου