“SKIFTERË”
DHE “PËLLUMBA”
Nga
Petrit Qejvani
Siç mund të kuptohet lehtë edhe nga
fjalët e vendosura në thonjza në titullin e shkrimit, nuk e kam fjalën për këto
dy lloje shpendësh me kaq individualitet dhe secili i bukur sipas mënyrës së
vet, por për simbolikën, që ata përfaqësojnë. Nuk e di pse betejat mediatike
midis së majtës (Kryesisht PS-së) dhe PD-së më duken ,në të shumtat e herëve,
si ndeshje midis skifterëve dhe pëllumbave, ku humbës, natyrisht, janë
pëllumbat. Sigurisht jemi në një semantikë figurative çka do të thotë se të dy
palët nuk identifikohen patjetër dhe plotësisht me simbolet e zgjedhur. Kështuqë
të jenë të qetë tifozët politikë, që e marrin të njëmendtë këtë simbolikë. Dhe
këtë ma shtiu ndër mend braktisja e
studios së emisionit “Opinion” në tv Klan, nga Paskal Milo, një veprim ky i
pazakontë, që nuk mund të pritej nga një politikan me përvojë dhe një
intelektual i njohur, (përfaqësues emblematik i së majtës) pas nje replike
acide dhe vulgare në adresë të tij prej një ish-deputeti të PD-së me një
paraqitje (nuk më pëlqen performancë) aspak
prej “skifteri” dhe mosdhënies së fjalës nga ana e drejtuesit (jo moderatorit)
të këtij emisioni.
Dhe më duhet të them se, megjithë
respektin që kam për zotin Milo, ai bëri
gabim që u largua, pasi në këtë rast është treguar i dobët, ndërkohë që ka
kapacitetet ë nevojshme inetelektuake dhe përvojën e mjaftueshme për ta përballuar
kundërshtarin e tij rishtar politik.. Por ky është stili i zgjedhur posaçërisht
për ta mërzitur kundërshtarin, i adoptuar prej kohësh nga Partia Demokratike. Ishte
fjala për vlerësimin ë figurës së Enver Hoxhës (por kjo nuk ka shumë rëndësi)
kur ish-deputeti demokrat e humbi logjikën dhe, sikur të kishte përballë vet
E.Hoxhën (megjithëse këtë s’do mund ta bënte dot kurrë), iu drejtua
bashkëbiseduesit, duke e quajtur “kriminel”! Tamam fjalor i një fanatiku të
pashkolluar, i stampuar në ofiçinën propagandistike të Berishës. Humbje e
pastër e ekuilibrit, që në fakt të bën ta mëshirosh autorin e saj “trim”, në
mos po një mungesë e theksuar etike në komunikim, sidomos në komunikimin
publik. Pale pastaj të mendosh se ky njeri vjen prej botës “akademike”!...
Por ky reagim i tij. tipik prej
ekstremisti të djathtë, më shtyu më tej dhe më kujtoi një dukuri ‘interesante”
që kisha arritur ta konstatoja duke ndjekur debatet midis të majtëve dhe të
djathtëve (kryesisht midis PD-së dhe PS-së), të cilat, në shumicën e rasteve i
“fitojnë” të djathtët. Edhe kur s’kanë të drejtë! Biles, edhe kur kanë përballë
njerëz shumë të formuar profesionalisht! Kjo fillimisht më ka habitur dhe
pastaj revoltuar. Jo pse
“mundeshin” ata, por se nuk mbronin me forcë të vërtetën. Sipas meje, e vërteta të bën trim dhe se ajo nuk mund të mbrohet prej
njerëzve “.të urtë”. Dhe nuk do
shumë mundim ta kuptosh pse ndodh kjo.
Të djathtët, edhe kur s’kanë
argumenta, kanë vullnetin dhe stilin të bëjnë zhurmë, të të ndërpresin kur ti
flet, të të acarojnë, që mendimi yt të mos dëgjohet. Kjo është një taktikë
produktive e opozitës së sotme, e injektuar prej zhurmëmadhit politik Berisha. E
adoptuar prej stilit dhe propagandës naziste dhe komuniste për t’u marrë
“erzin” kundërshtarëve politikë. Besoj të gjithë jemi dëshmitarë të skenave të
tilla, kur studiot televizive kthehen në arena kakofonie, saqë shpesh dhe drejtuesit
e këtyre emisioneve detyrohen të futin
reklama në mes të debatit, për të qetësuar situatën, që u del jashtë
kontrollit, Biles kapitullojnë edhe vet para këtij “pazari” ku s’ë merr vesh i
pari të dytin! Dhe protagonistë të kësaj “përleshjeje me fjalë” janë në shumicë të djathtët. Pra
duelet” i fitojnë “skifterët”! Sikur të ishte fjala për të dy llojet e shpendëve,
që përmenda në titull, kjo do të ishte e kuptueshme: pëllumbat munden nga
skifterët. Por me njerëzit duhet të jetë ndryshe.
Por,
meqë më rezulton kështu, jam munduar të arsyetoj edhe pse ndodh shpesh kështu. Është kjo cilësi e
njerëzve, që rastësisht përfaqësojnë këto dy grupime politike, apo kjo
shpjegohet me “racën politike”, që përfaqësojnë? Pra, mos e djathta është më agresive nga e majta
si orientim politik, si filozofi politike? Apo është fizionomi e injektuar nga
liderët, që rastësisht vijnë në krye të forcave të djathta? Së paku në
realitetin shqiptar duket se kjo vjen më tepër prëj ndikimit dhe fizionomisë
personale të liderit të saj Berisha, i ngarkuar me superenergji dhe
agresivitet. Një njeri që s’mendon dy herë për të bërë një veprim apo për ta thënë
fjalën!
A e keni parë ndonjëherë
Berishën të flasë i qetë, normalisht, pa tone të larta dhe gjeste të pandërprera?
Tamam njeri i kurdisur! Flet edhe në salla të mbyllura sikur është në sheshe! I
zhurmshëm si një lumë që s’ka as një metër rrjedhje të qetë,por vazhdimisht
zbret rrëmbyer tatëpjetë. Dhe si ai flasin të gjithë të tjerët në PD. Dhe shikoni
e dëgjoni Ramën. Kontrasti ështe i qartë.
Dhe pak a shumë si Rama flasin dhe të tjerët në PS. Jo si stil, por si sjellje,
si etikë komunikimi, pa agresivitet.. Me këtë rast nuk mund të mos i japim të
drejtë Majakovskit kur identifikonte Partinë me Leninin: “Ne themi Partia dhe nënkuptojmë
Lenini” dhe anasjelltas,(pra udhëheqësin). Dihet që liderë te fortë i japin fytyrën e tyre
partisë. Rama,edhe para lumit të sharjeve, akuzave dhe bubullimave të Berishës
flet qetë, shtruar dhe pa bërë “zhurmë”, ndonëse është më i ri se Berisha dhe
jo pa karizmë. Kjo mund të jetë mirësjellje nga ana etike, por e dëmshme kur
kthehet ne stil në politikë, sidomos përballë një opozite manipulatore dhë dezinformuese,
e cila shpifjen, denigrimin dhe poshtërimin e kundërshtarit e ka filozofi dhe
detyrë partie ! Dhe këtë pohim mund ta argumentoj me plot shembuj, kur skifterët
e PD-së ( edhe “skifteret”, po të « krijoj » për një cast gjininë femërore
të këtij emri, që nuk e ka shqipja) me të gjitha “mjetet” përpiqen ta mundin
kundërshtarin, pa pyetur fare për etikë e mirësjellje. Nuk është vetëm rasti me
Paskal Milon. Mjafton të kujtojmë ato më të fundit, sic ishte rasti kur i famshmi
manupulator i zgjedhjeve vendore të 2011-es, Ristani, ofendoi publikisht në një debat këto ditë deputeten e PS-së Ermonela Felaj, duke i thënë si një
rrugac ordiner “ik moj fshatare, u bëre dhe ti”...Po kështu veprojnë edhe disa
deputete (femra) të PD-së në krye të të cilave prijnë « gjuhëshpatat »
Doda dhe Duma, të cilat ndonëse femra, për nga “trimëria” dhe « etika »
pa etikë ua kalojnë dhe meshkujve në
sulmet ndaj opozitës.
Por unë mendoj se kjo vjen
edhe prej butësisë së panevojshme dhe të dëmshme që reflektojnë përfaqësuesit e
së majtës për t’u treguar të edukuar më tepër sec duhet në këto raste. Edhe ne
debatin për drogën në parlament mund të
bëhej lehtë dallimi midis Berishës dhe Ramës. Ndonëse nuk pati vulgaritet si herët e tjera, sërish
agresiviteti i Berishës si fjalor, si intonacion , si sintaksë ishte në nivele
të larta ndotjeje. Paturpësia gjithashtu arriti kulmin, kur i kërkonte llogari
Ramës për drogën që kishte “mbjellë”vetë!? Sigurisht këtë e bën se ka përballe
Ramen, ndërsa po të kishtë një lider më autoritar dhe më të guximshëm, nuk do të
ishte në parlament me ato që ka bërë, por diku gjetkë...
Denigrimi i kundërshtarit
dhe “marrja e erzit”, sic e kam pohuar me lart është ë huajtur nga arsenali i stilit nazist dhe komunist
dhe PD i përdor këto armë për të lodhur
apo mposhtur kundershtarin, sidomos kur nuk ka të drejtë dhe kërkon të manipulojë
opinionin publik. Në këtë kontekst butësia dhe “edukata” e së majtës është mangësi
dhe jo vityt. Dhe kjo fillon që nga Rama. Kujtoni “gjyqet”që i bën Fevziu atij
në studion e tij, kur jo thjesht e pyet, por, duke tejkaluar cdo etikë, i kërkon
llogari!... Dhe për kontrast kujtoni Berishën në takimet me gazetarët. Sa të
kujdesshëm dhe të druajtur janë kur i drejtojnë pyetjet dhe s’guxojnë ta pyesin
për herë të dytë, kur ai i bishtnon pyetjeve të tyre. Dhe kjo ndodh shpesh. Këtë
ide nuk e trajtoj për herë të parë në këtë shkrim, por e majta duket se ka
gjetur “rehat” me këtë stil pasiv, që nuk arrin t’i mbrojë sic duhet kauzën dhe
parimet e saj.
Parimet dhe kauzat nuk
mjaftojnë të jenë të drejta dhe mbrohen e fitojnë vetvetiu. Ato duan edhe zërin
e lartë, kur duhet, duan edhe zjarr dhe pasion për ‘tu mbrojtur. Pra, duhet qe
pellumbat “te behen” skiftere!... Ndryshe squllet kauza, dekorajohen militantët
e simpatizantët e tu, që shohin te lideri simbolin e forcës energjisë dhe kauzës
së tyre. Sepse je në politikë dhe jo në kishë apo xhami. Pra, je para “djallit”
dhe jo para Zotit!.
Botuar ne gazeten SOT date 22.05.2014
Botuar ne gazeten SOT date 22.05.2014
Δεν υπάρχουν σχόλια:
Δημοσίευση σχολίου