MEHMET
SHEHU NUK ISHTE SI MUHARREM BAJRAKTARI!
Nga
Petrit Qejvani
Edi
Rama gjeti 9 Majin, ditën e triumfit mbi nazifashizmin, për të shprehur
qendrimin e tij në lidhje me Luftën Antifashiste të popullit shqiptar dhe
aktorët e kësaj lufte, duke iu përgjigjiur kështu sulmeve të bëra nga të dy
krahët e politikës: djathtas e majtas. Ai u dha një përgjigje thuajse simetrike
si të djathtëve, ashtu dhe të majtëve, (më të majtë se ai vet), ndonëse akuzat
ishin asimetrike. Ashtu si
dhe qëllimet e tyre. Dhe sërish nuk i përmendi me emër protagonistët dhe
antagonistët ë saj. Besoj se kjo nuk u ka pëlqyer të dyja palëve. Rama u ikën
atyre si djalli themjanit
Për të treguar se e vlerëson Luftën antifashiste dhe ata që e
bënë atë, ai i thirri veteranët në "shtëpinë e tij", në kryeministri. Qasja që i
beri Luftës ishte origjinale si inskenim, por edhe si ligjerim politik. Gjuha
ishte e bukur, ndonësë ca ezopike, më tepër me nënkuptime e aludime sesa
direkte, siç duhet të jetë në këto raste. Veçanërisht me veteranët, që nuk kanë
shumë kohë, energji dhe freski për të ndjekur dhe shijuar frazat relativisht të
gjata dhe të letrarizuara të kryeministrit. Por idetë ishin të drejta në
përgjithësi dhe të balancuara në kontekstin e Europës së sotme, po të mos kemi
parasysh një inkosekencë,që do të vinte më pas.
Kryeministri, ashtu siç
pritej, bëri vlerësime të larta për luftën tonë antifashiste,ndonese pa patetike
dhe pa i përmendur forcat politike dhe ushtarake, që ishin
protagonistë të asaj lufte, pa le të udhëheqësve politikë dhe komandantëve të
saj. Në këtë pikë Rama është gjithmonë në siklet dhe i kompleksuar. Ajo që nuk
dihet ende është se në c’masë kjo vjen prej trysnisë së sulmeve të së djathtës
apo e ka dhe bindje të vetën, duke patue parasysh ca deklarata të tij të
kahershme për komunistët. Nëse e ka prej sulmeve të së djathtës, në një farë
mase ka të drejtë, pasi përmendja e rolit të komunistëve dhe, veçanërisht e
Enver Hoxhës, shkakton një alergji dhe reaksion
agresiv akuzash ndaj tij nga e djathta, që nuk e vlerëson Luftën tonë
antifashiste për “shkak” të Enverit!... Ai e di që ish-shërbëtori mjek i bllokut,
Berisha, është gati ta sulmojë si “neobllokmen dhe enverist”. Por edhe ndërkombëtarët
do ta shihnin me dyshim në këtë rast. Bile për këtë shkak iu shmang edhe 5
majit shqiptar dhe gjeti 9 majin evropian, i cili, duhet thënë e përfshin edhe
5 majin tonë antifashis dhe “komunist”. Kurse 9 Maji, ndonëse ka edhe
kontributin madhor të komunistëve europianë (sidomos të Ushtrisë së Kuqe dhe Stalinit brenda), është
më tepër antifashist, duke patur dhe antikomunizëm brenda.
Ndërkaq
kryeministri nuk e sulmon opozitën, kur ajo mbron ish bashkëpunëtorët e
fashizmit dhe nazizmit, kur i dekoron dhe iu ngre monumente e buste për “inat
të Enverit”, që luftoi për çlirimin e Shqipërisë! Por kjo është një çështje
tjetër, që do “nxehet” e do shkaktojë elektricitet të madh sa më tepër i
afrohemi 70-vjetorit të çlirimit dhe Rama nuk do mundë t’i shmanget dot. Sepse nuk
ka kuptim të flitet e festohet përvjetori i Çlirimit dhe të mos përmenden
çlirimtarët dhe udhëheqësi i tyre.
I
vetmi qëndrim realist do ishte ky: Enver Hoxhës i duhen njohur meritat e luftës, ashtu siç i njihen “meritat” e dikaturës së tij. Dhe kjo nuk
është aspak nostalgji, por respekt për të vërtetën. Por, e inkuadruar në ditën
e Europës, të filozofisë dhe proceseve
të sotme integruese, fjala e Ramës, në termat kryesorë, ishte korrekte.
Megjithëse
Rama iu shmang sa mundi përmendjes së emrave të forcave politike të kohës së
luftës dhe emrave të përveçëm të protagonistëve e antagonistëve në emër të
unitetit e kohezionit të cënuar social për shkak të luftës së paprinciptë
politike, iu referua dy emrave të njohur të skenës së Luftës antifashiste: Mehmet
Shehut dhe Muharrem Bajraktarit, njeri komunist dhe komandant i shquar partizan
dhe tjetri një feudal kolaboracionist. Dhe këtë nuk e bëri drejtpërdrejt, por
nëpërmjet një të treti, (një komandanti batalioni gjerman), duke cituar në
ligjëratë të drejtë konsideratat e oficerit gjerman për të dy dhe nuk mbajti vet
asnjë qëndrim ndaj tyre. Por nuk është keshtu zoti Rama! Nuk mund të barazohet
M.Shehu, një luftëtar i lirisë, një anifashist i orëve të para (të mos harrojmë
pjesëmarrjen ë tij në luftën e Spanjës kundër diktaturës fashiste frankiste) me
një feudal kolaboracionist, pavarësisht ç’bëri më vonë M. Shehu. E kuptoj që
duhet kohezioni kombëtar se jemi përçarë keq për hir të politikës, por uniteti
nuk mund të ngrihet mbi baza false, por mbi të vërteta. Kështu ndërtohet një
shoqëri e emancipuar dhe jo hileqare.
Dhe
e vërteta është se M. Shehu në luftë ishte një çlirimtar, ndërsa M.Bajraktari
një kolaboracionist. Kurse pas çlirimit M.Shehu ishte në kupolën e diktaturës,
ndonëse e pësoi edhe vet prej saj. Me konsideratat e një oficeri gjerman kryeministri mendoi se i lau duart me luftën dhe personazhet e saj, ndonëse
ata të dy të jepnin rastin të shprehesh për anatominë e luftës dhe rolin e forcave
të ndryshme në këtë luftë. Përndryshe e mira do ishte të mos përmendeshin. Duke
dashur t’i largohej një vlerësimi për luftën dhe aktorët e saj nëpërmjet “përdorimit”
të një oficeri nazist, që nuk e di pse e ka zgjedhur për referim, kryeministri
ka rënë më keq në grackën e saj.
Kjo
tregon se sa e vështirë është të flasësh
për Luftën, pa përmendur aktorët e saj dhe rolin e tyre. Prandaj Lufta na “ngatërron”
edhe sot e kësaj dite…Kurse oficeri gjermanit ishte fare i qartë: i quante
banda formacionet e komanduara prej tyre, që më shumë luftonin me njeri-tjetrin
sesa me gjermanët!...Pra, me fjalë të tjera , një lloj lufte civile! Ky është
një qendrim i gabuar i zotit Rama (dhe jo i gjermanit),pasi kjo është teza e
ballistëve kolaboracionistë dhe pasardhesve të tyre sot. Shpresoj të jetë një “lapsus kalami”, siç thotë Frojdi, në mos
një lajthitje me gjithë atë tiradë
vlerësimesh të luftës
antifashiste, që bën nul gjithçka u tha
për luftën dhe veteranët. Ndoshta kjo ka ardhur edhe prej sikletit për të
vlerësuar njëlloj dy armiq të njeri-tjetrit. “Për ta patur mirë” me të dy palët, kur secila palë mendon
se ka vetëm ajo të drejtë. Kështu ndodh sa herë mendon për të pajtuar një
gënjeshtër me një të vërtetë. Gjë e pamundur!
Nuk e di si e kanë ndjerë veten veteranët pas kësaj! Pasi
ju, zoti kryeministerr, në këtë mënyrë ua keni rrëzuar kauzën dhe qëllimin e
luftës, që ishte :luftë kundër okupatorit fashist për çlirimin e atdheut. Kështu
bie edhe humbet kuptimin heroizmi dhe sakrificat e luftës. Edhe kontributi i
veteranëve. C’janë këta veteranë, “veteranë të luftës civile”?!
Lufta kundër pushtuesit
nuk është luftë civile, edhe kur me pushtuesin bashkohen disa bashkatdhetarë të
tu, sic ndodh jo rrallë! Sic ndodhi edhe në disa vende të mëdha europiane gjatë
Luftës së Dytë Botërore. Këte na mëson Lufta antifashiste, këtë na mëson
historia!
Botuar ne gazeten "Shekulli" date 11.05.2014 me titullin "Dy figura aspak te njejta" dhe te gazeta Telegraf date 12.05.2014
Δεν υπάρχουν σχόλια:
Δημοσίευση σχολίου