Κυριακή 26 Ιανουαρίου 2014

EDI RAMA, DY SMS DHE NJE DREJTORESHE




                                    EDI RAMA, DY SMS DHE NJË DREJTORESHË



                                                            Nga Petrit Qejvani



            Një e përditshme botonte këto ditë një shkrim në të cilin i referohej “incidentit” të ndodhur midis kryetarit të PS-së dhe një drejtoreshe shkolle në Tiranë. Në të vërtetë ky incident kishte qenë “konfidencial” dhe u shndërrua në lajm, kur e bëri publik kryetari i PD-së dhe kryeministër i vendit Sali Berisha. Si çdo lajm “made in Albania” dhe ky kishte diçka që nuk shkonte. Fillimisht mendova se ishte një sajim i Berishës. Por kjo u konfirmua më pas në mënyrë të tërthortë nga njerëz pranë Ramës. Dhe kjo më degustoi.

            Kryeminstri tha se kryetari i opozitës kërcënon drejtoreshën  e një shkolle pa të drejtë për shkak të bindjeve që ka dhe ka të drejtë të ketë drejtoresha e shkollës dhe çdo qytetar tjetër. Për këtë u fol edhe diku në një ekran në një emision politik ku, nga ana e analistëve pro qeverisë, kjo u quajt gati një delikt, pasi kërcënohet një qytetare ë lirë…Se sa është ky një kërcënim, mbetet për t’u parë.

            Do ishte mirë që ne të mos e kishim këtë lajm dhe për këtë fajtor është vet lideri i opozitës, i cili duhet të na e kursente kohën si dhe të ishte më racional në harxhimin e energjive te veta në këtë fushatë të nxehtë elektorale. Nuk dua të komentoj shkrimin e gazetës dhe arsyet për të cilat është shkruar, të cilat duken qartë. Me sa duket gazeta synon të ”shfajësojë” kryetarin e PS-së, duke botuar edhe pjesë nga nga dy sms-të dërguar drejtoreshës militante të PD-së. Dhe në fakt aty nuk ka kurrfarë kërcënimi, por thjesht një “kujtesë” për të zbatuar ligjin. Aty nuk i kërkohej dejtoreshës të mos kishte bindje politike, si djallëzisht manipulon kryeministri dhe sejmenët e tij, por të mos abuzojë me detyrën, duke detyruar mësuesët dhe nxënësit të marrin pjesë në mitingjet elektorale të partisë në pushtet, pasi, me ligj, shkolla është institucion i depolitizuar. Atëhere çfarë nuk shkon në këtë mesele? Shqetësimi i kryetarit të të PS-së është i drejtë dhe legjitim, por dukuri të tilla nuk janë risi tek ne dhe vazhdimisht media elektronike  ka dhënë me zë dhe figurë mësues dhe nxënës, që kanë braktisur mësimin  për të marrë pjesë në veprimtaritë politike të partisë në pushtet. Pra, nuk është një dukuri ë re. E reja është që shefi i opozitës e ul shumë poshtë shënjestrën në këtë betejë elektorale..Nuk ishte fare e nevojshme kjo nga ana e kyetarit të PS-së. Këtë denoncim mund ta bënte fare mirë një eksponent tjetër i rangut më të ulët në PS. Pra, duhet ruajtur parimi i hierarkisë, i rangut përgjegjës. Kështu, pa dashje dhe pa qenë nevoja, i rritet “rytbeja” një qytetareje anonime, me të cilën merret si i barabartë kryetari i PS-së dhe kryeministri i ardhshëm. Edhe titulli i shkrimit i “barazonte” të dy “protagoninstët” e incidentit, pasi jepej emri i drejtoreshës, që paralajmëronte Ramën ta linte të qetë. Bile nuk jepej as funksioni i saj, por drejtpërdrejt emri e mbiemri me shkronja te medha a thua ishte një personazh i njohur publik (megjithëse , besoj, ishte hera e parë që i dilte emri në faqet e një gazete )! Do të ishte më mirë që ky “lajm” të harrohej sa më shpejt për liderin e opozitës. Kurse gazeta pa dashje e riciklon.

            Rama nuk ka faj se denoncon një të vërtetë që ia  bë “mu”, kur janë botuar dhe formularë kompromentues për qeverinë, që detyron nëpunësit e shtetit të dorëzojnë fotot e letërnjoftimeve të tyre si dhe të 20 të tjerëve, të marrë në patronazh, që duhet të votojnë për PD-në. Ndërsa për liderin e opozitës, ndonëse në parim ka të drejtë, në rastin konkret, ky "dyluftim" është pa vlerë, pasi, para kandidatit për kryeministër një drejtoreshë shkolle, megjithë respektin për detyrën, është krejt anonime. Dhe një betejë me të është një harxhim i kotë kohe dhe tregon se këshilltarët e tij (nëse i dëgjon) nuk dinë ta këshillojnë.

            Rama ka përballë vetëm Berishën dhe bateritë e tij duhen drejtuar  e harxhuar me efektivitet vetëm kundër Berishës. Pra, duhet ta mbajë shënjestrën lart, atje ku është “objektivi” i tij. Dhe jo ta ulë aq poshtë. Po të shprehemi me një fjalor nga fusha e gjahut, kësaj i thonë si të gjuash lepuj me top. Ndërsa për lepujt mjafton çiftja…

Botuar ne gazeten "SOT" date 08/.06.2013

Παρασκευή 24 Ιανουαρίου 2014

PETER LUKAS, CFARE SHQIPTARI!



                                    PETER LUKAS, Ç’FARË SHQIPTARI!



                                                                                    Nga Petrit Qejvani



            Të hënën e kësaj jave, i ftuar i radhës në emisionin “Shqip” të gazetares Rudina Xhunga ishte shqiptaro-amerikani Peter Lukas. Ai është i njohur në Shqipëri me dy-tre libra të shkruar enkas për Shqipërinë, duke filluar nga Lufta e Dyrtë Botërore deri në ditët tona. Nga kjo pikëpamje nuk pritej ndonjë gjë e re prej tij dhe intervista ishte pothuaj lineare dhe e shtruar.

            Pjesa më interesante e saj ishin pikëpamjet ë tij për Shqipërinë e pas viteve ’90 si dhe vlerësimi i liderëve politikë shqiptarë, duke filluar nga Enver Hoxha, Sali Berisha , Fatos Nano e deri te Edi Rama. Dhe këtu ai ishte përgjithësisht realist.   Kishte simpatizuar Berishën pas 1990-ës,por, sikurse tha, ishte zhgënjyer prej tij, sepse ai nuk kishte përmbushur pritshmëritë ë tij dhe të diasporës shqiptare të ShBA-së.

            Kurse tani simpatizonte Ramën, ndonëse , siç tha pak më poshtë, në ShBA simpatizon republikanët, duke theksuar bile, se , nëse Shqipërinë (shtet demokratik) nuk e bën as Rama, atëhere ajo nuk do të bëhet!..Kjo ide në fakt, me gjithë një dozë realizmi, duket ca fataliste, megjithëse mbështetet nga shumë njerëz në Shqipëri.

            Bile këtë e theksoi më tepër ambasadori amerikan në ikje Aleksandër Arvizu, i cili tha në një deklaratë të ditëve të fundit se ky është shansi i fundit i Shqipërisë. Deri këtu intervista e zotit Lukas ishte pa”kërcitje”, pa ndonjë prurje befasuese.

            Por dukej që në bindjet politike nuk ishte i qëndrueshëm (edhe pse burrë i vjetër).

            Nga ish-simpatizant i demokratëve  bëhet simpatizant i republikanëve (asgjë e keqe), duke deklaruar açik se presidenti Obama nuk është një president i mirë. Kjo, sipas tij, për shkak të politikave të tij sociale, që nxisin dembelizmin..Por edhe sepse ai shkon me pushime të gjata në një kohë që në ShBA është rritur papunësia!...

            Por kulmi i intervistës së tij ishte pikërisht kur iu përgjigj pyetjes së zonjës Xhunga për të justifikuar kalimin nga prodemokrat në prorepublikan. Sipas tij, ai e kishte bërë këtë, pasi demokratët kishin shkatërruar(!) familjen amerikane.

            Deri këtu intervistën e kisha ndejkur më tepër për rutinë, por, kur dëgjova këtë pohim skandaloz dhe mendjelehtë, thashë me vete: bëra mirë që e ndoqa deri në fund! Ky ishte xhevahiri i intervistës! Dhe s’mund të mos qeshja me të madhe.

            Mirëpo ishte kaq paradoksale, sa nuk kishte sesi të mos pyesja veten : vërtet e tha, apo më bënë  veshët mua? Dhe, për siguri, i drejtohem dikujt, që po e ndiqte bashkë me mua, i cili ma konfirmoi këtë. Kjo, besoj, i ka çuditur edhe shumë shikues të tjerë, që e kanë ndjekur me vëmëndje emisionin për shkak të lajthitjes exellente të zotit Lukas, që, në ato çaste, u shfaq si një shqiptar i prapambetur i kohëve të shkuara, kur tha se demokratët amerikanë me pikëpamjet dhe reformat ë tyre, duke nisur nga presidenti Lindon Xhonson, e kanë degjeneruar familjen amerikane, që kur vendosën që... gratë të delnin në punë!? Si pasojë e kësaj, tha ai, sot në SHBA 70% e grave me ngjyre dhe 60% e grave të bardha kanë fëmijë jashtë martese! Pra, sikur gratë amerikanë t’i mbanin në shtëpi, do kishin shpëtuar nga ky siklet!...

            Domethën përgjegjës për moralin e shoqërisë amerikane janë demokratët! E pa dëgjuar! Ky në fakt është një “lajm”.

            Nje deklaratë e tillë nuk mund të mos të të bejë për të qeshur dhe, menjëherë, zoti Lukas para syve m’u shndërrua në një burrë te vjeter zakonlli shqiptar të kohëve të shkuara, si i dalë nga kanuni i Lekë Dukagjinit.

            As që nuk mund te përfytyrohet një qytetar amerikan me mendësi të tilla ne kohën e sotme. Bile, mendësi të tilla i kanë  kapërcyer dhe burrat shqiptarë në masë me kohë. Një pohim i tillë ishte vërtet një zbulim dhe pjesa më zbavitëse  e intervistës. Dhe këtu, veç te tjerave, më bëri përshtypje edhe qetësia me të cilën e priti gazetarja Xhunga, së cilës, me sa duket, nuk i bëri përshtypje.

            Një deklaratë e tillë ishte një lajthitje, mendova në çast. Por ai vazhdoi ta mbronte duke e ilustruar dhe me shifra.

            Nuk e di sa  e vërtetë është kjo statistike, por edhe nëse është, kjo tregon krizën morale të shoqërisë amerikane dhe të kapitalizmit në përgjithësi.

            Kjo është shoqëria e sotme moderne dhe s’duhet të pretendojmë që kapitalizmi e ka gjithçka të mire.

            Kështu. shqiptaro- amerikani Lukas u shfaq një shqiptar sojlli, nga ata te maleve tona kreshnike, që moralin e gruas e ruajnë, duke mbajtur gruan në shtëpi!

            Thoni po deshët që Amerika s’është e çuditshme dhe e pasur me gjithçka!   Thoni po deshët që edhe shqiptarët që lindin në Amerikë, si zoti Lukas, mund të bëhen nje ditë  amerikane!


Botuar ne gazeten "SOT" 08.10. 2013
                       

Τετάρτη 22 Ιανουαρίου 2014

NJEREZIT APO SISTEMI?



                                                         NJERËZIT APO SISTEMI?



                                                  Nga Petrit Qejvani     



                                    I ndodhur përballë korrupsionit të llahtarshëm të administratës shtetërore dhe dëshirës për goditjen e tij, Edi Rama është shprehur më se një herë, në Shqipëri dhe jashtë saj, se fajin e ka sistemi dhe se dënimet nuk  mjaftojnë për këtë. Shprehimisht ai ka deklaruar se nuk janë njerëzit që korruptojnë sistemin, por sistemi i korrupton njerëzit. Kjo është si ajo historia e pulës  me vezën: pula vezën, apo veza pulën? Parë më thellë, në rastin konkret nuk është tamam kështu. Nëse Rama e ka fjalën për kapitalizmin si sistem, që korrupsionin e ka diçka të natyrshme, si grasua për boshtin e rrotës. është tjetër gjë. Nëse e ka për versionin shqiptar të kapitalizmit, kjo është një gjë tjetër. Por duket se me këtë te dytin e ka, pasi në Londër pyetjes se si do të bëjë të mundur luftën kundër korrupsionit në administratën  publike me përmasat endemike që ai ka, iu përgjigj se në Shqipëri ka probleme të mëdha me korrupsionin, por kjo ka të bëjë më tepër me sistemin se me njerëzit (me individët e korruptuar). Dhe, për ta ftilluar më tepër këtë ide, tha se, po të jetë në Angli një zyrtar shqiptar nuk vjedh dot, sepse nuk e lejon sistemi. (në të vërtetë edhe në Angli mund të vjedhë një zyrtar, por e dënon drejtësia, sistemi). Ndërsa po të vijë një zyrtar  anglez të punojë në Shqipëri do të korruptohet, pasi e lejon sistemi.( sepse nuk e ndëshkon drejtësia, sistemi.) Domethënë kemi të bëjmë me një sistem të deformuar totalisht. Pra , është sistemi që e favorizon korrupsionin, që e korrupton njeriun. Në të vërtetë drejtësia, që nuk e ndëshkon korrupsionin. Pra, fajin e ka sistemi, domethënë dejtësia. Dakord. Por unë mendoj se në këtë “lojë” njerëzit janë të parët, sepse ata e bëjnë sistemin dhe jo sistemi njerëzit.

                                    Por le të mbetemi te koncepti i Ramës, le t’i japim të drejtë atij. Atëhere pyesim : si do të ndryshojë sistemi? Si do të pastrohet ai? Kush do ta shpëtojë  sistemin nga kalbëzimi? Reformat, thotë Rama. Por ato nuk janë shkopi magjik, që automatikisht i lan hesapet me korrrupsionin.

                                     E di që të  kritikosh është  më  lehtë  se të bësh. Por ja që (si shumë të tjerë) unë kam zgjedhur "të kritikoj”, ndërsa Rama ka zgjedhur ”të bëjë”...Reformat, thotë Rama. Po, themi dhe ne. Reformat, që do të  thotë ndryshimet ligjore, ligjet e reja që  do të miratohen. Por dhe këto do t’i bëjnë njerëzit (përfaqësuesit politikë), dhe, c’ është më e rëndësishmja, do (duhet) t’i zbatojnë po njerëzit. Sepse ne calojmë jo se nuk kemi ligje (bile i kemi si Europa), por se te ne nuk zbatohen ligjet dhe ato duhet t’i zbatojnë njerëzit. Po cilët njerëz? Ata që punojnë e jetojnë në Shqipëri, sigurisht. Por për pjesën më të madhe të administratës publike korrupsioni është bërë si frymemarrja. Këtë e dine shqiptarët dhe të ndërkombëarët.

                                    Ndaj, për të patur sukses në luftën kundër korrupsionit, qeveria duhet të ketë aleate kryesore drejtësinë. Ndërkaq drejtësia shqiptare është e akuzuara e madhe për korrupsion. Ajo i ka kthyer shpinën ligjit dhe qeverisë. Këtë e di Rama, prandaj i vjen mëndja vërdallë dhe nuk po mund ta terezisë këtë situatë. Nga njera anë e ka objktiv të shpallur që në fushatën elektorale luftën kundër korrupsionit, bile e kishte kalin e betejës elektorale, nga na tjetër është nën trysninë e pritshmërisë së shumicës së shqiptarëve se do ndëshkohen hajdutët dhe vrasësit . (është fjala për 21  janarin e 2011). Edhe pas tre vjetësh nuk ka asnjë të dënuar për këtë ngjarje tragjike dhe ndërkombëtarët e kërkuan sërish ndëshkimin e fajtorëve me rastin e tre vjetorit të vrasjes së tyre.. Atëhere c’pritet?

                                    Pra, Rama është i vonuar në reformën në drejtësi, ndoshta i intimiduar edhe nga ata që duhet të ishin sot prapa hekurave apo dhe ndonjë faktor brenda koalicionit. Por Rama është në hall edhe për shkak se drejtuesit e insitucioneve të drejtësisë janë njerëz të Berishës, pasi ustai i vjetër i rregulloi mirë “gurët” para se të ikte, duke vënë njerëzit e tij besnikë në krye të insitucioneve që  kanë (quhen) statusin formal të pavarura.

                                    Me këtë trupë gjyqsore të korruptuar as që bëhet fjalë për ndonjë rezultat në këtë luftë. Po ku t’i gjejë Rama njerëzit e pakorruptuar? A nuk e sheh ai se sistemi i dejtësisë është një qark i mbyllur prej të korruptuarish me një solidaritet të pacashëm, pa pikën e moralit dhe të vullnetit për të dënuar qoftë dhë një zyrtar të vetëm të lartë të akuzuar për korrupsion? Pa le (ruajna zot!) të dënojnë ndonjë të sërës së tyre! Dhe këtë s’e bëjnë thjesht për solidaritet profesional, por se thellë në vetdijen e tyre e dinë që edhe vet janë njëlloj të korruptuar dhe, pra, meritojnë të ndëshkohen. Për këtë mjafton të përmendet rasti flagrant me kryegjyqtarin dhe prokurorin e Pukës apo me gjyqtarin e Durrësit, që bëri të mundur lirimin, për shkak të shkeljeve proceduriale,  të një krimineli që , pasi doli nga burgu, vrau një komisar policie etj. Pra, edhe kur faktet bëjnë “mu” gjykatat nuk ndëshkojnë të pandehur nga “raca e tyre”, por i lirojnë si të pafajshëm. Kurse fajtore mbete drejtësia e munguar shqiptare. Larg qoftë të dënohet ndonjë gjyqtar i korruptuar, pasi kështu na garantohet ruajtja dhe lulëzimi i korrupsionit, që i ka bërë gjykatësit me vila e makina luksoze si sheikët e vendeve arabe!

                                    Dhe qeveria dhe Rama nuk bëjnë një hetim të pronave e pasurive të tyre, që ata të dalin lakuriq si mbreti i përrallës. Pra, problemi janë njerëzit dhe jo sistemi. Atëhere si do të bëhet reformimi i drejtësisë zoti kryeministër? Dhe kush do t’I zbatojë ligjet, cka është dhe thëmbra e Akilit në drejtësinë shqiptare? Ufot? Sepse ju keni thënë nuk mjafton ndëshkimi. Përkundrazi ndëshmi ndikon mjaft në shëndoshjen e drejtësisë. Ne rastin shqiptar ai ndikon me shume se reforma. Ndëshkimi nuk është shpikur kot. Ndëshkimi ka lindur si nevojë, kur fjala nuk bën efekt, zoti Rama. Dhe kur të bëhen ndëshkimet e para (edhe nga radhët e drejtësisë), do shihni shpejt se rezultatet në luftën kundër korrupsionit nuk do të mungojnë. Prandaj është shteti dhe ligji. Prandaj ka policë, prandaj ka prokurorë dhe  gjykatës, që të nëshkohen ata që shkelin ligjin.

                                    Politika nuk është psallme dhe demokraci nuk do të thotë mosndëshkueshmëri, kur dikush shkel ligjet, kur vjedh apo vret. Dhe ndëshkimi është edukim. Prandaj reformat pa ndëshkimin e atyre që shkelin apo nuk zbatojnë ligjin (cilët do qofshin ata, me mandat politik apo me mandatin e “togave të zeza”) do të mbeten si psallme kishe , të cilat do t’i këndojnë edhe ata që nuk bëjnë detyrën , edhë ata, që shkelin ligjin, sic po bëjnë në fakt. Dhe ku ishim? Asgjëkundi. Xhirojmë në vend. Këndojmë këngën e pafund të antikorrupsionit, të ndershëm e hajdutë, paqësorë dhë kriminelë  në një kor të përbashkët të hipur mbi malin e plehut të korrupsionit. Ironi apo jo?!


Botuar sot, date 23 janar 2014 ne gazeten "SOT"

Τετάρτη 15 Ιανουαρίου 2014

DREJTESIA, E PERDALA E SISTEMIT


                       DREJTËSIA, E PËRDALA E SISTEMIT



                                        Nga Petrit Qejvani



            Drejtësia dihet që përcakton natyrën e sistemit, përkatësisht të shtetit. Në rastin shqiptar drejtësia e kompromenton sistemin dhe shtetin, duke qenë thelbësisht ë korruptuar dhe , më e keqja, krejtësisht e papërgjegjshme për rolin e saj përcaktues në ndërtimin dhe konsolidimin ë shtetit demokratik. Ky është problemi më madhor i maxhorancës së sotme, sikleti i saj ende i pazgjidhur. Nga zgjidhja e saj varet suksesi apo dështimi i maxhorancës së sotme. Gjithë puna dhe vullneti i saj vihen në pikëpyetje nga drejtësia .

            Ndonëse të gjithë kanë drejtuar gishtin nga ajo si më e korruptuara e sistemit (dhe ajo e pranon edhe vet këtë gjë), as i bën fare përshtypje. Ajo i ngjan asaj krye k.., që i ka plasur cipa dhe nuk i bën përshtypje asgjë. Për veprimet e saj të turpshme (vendimet e saj të padrejta në mbrojtje të korrupsionit) më parë u skuqet faqja të tjerëve se atyre që punojnë në sistemin e drejtësisë, veçanërisht gjyqtarëve dhe gjykatave, që ligji i ngarkon të japin drejtësi.

            Personalisht kam shprehur dyshimin në shtyp (edhe në këtë gazetë) se një reformim i drejtësisë nga brenda sistemit është i pamundur me shkallën e lartë të degradimit e degjenerimit të saj dhe pikërisht për këtë kam hedhur idenë e nevojës së një EULEX-i për Shqipërinë.(shih gazeta “SOT” 27 tetor 2013). Dhe sot mendoj se kam patur të drejtë.

            Disa vendime radhazi të gjykatave të shkallëve të ndryshme për ndryshim të masave të arrestit për të dyshuar për afera korruptive si ai për daljen nga paraburgimi për prokurorin e kryetarin e gjykates së Pukës, pas një afere spektakolare, për kryetarin e bashkisë Kamëz, (njeri i përfolur për korrupsion moral,  denoncuar para ca vitesh nga një ish-punonjëse e tij publikisht) dhe korropsion material (vjedhje) dhe abuzime me tendera, si dhe ai i komandantit trafikant të kufirit ne Korçë me motivimin se përgjimet kanë qenë të paligjshme, dekorajojnë këdo që mendon se lufta kundër korrupsionit do ketë sukses në këtë vend. Lidhur me këto vendime ministri i Brendshëm Tahiri  deklaroi nga Gjirokastra se ka “disa segmente” të korruptuara të drejtësisë (gjykatave në këtë rast), që favorizojnë krrupsionin. Në të vërtetë nuk është si thotë Tahiri se janë vetëm “disa segmente”  të korruptuara të drejtësisë, që prishin punë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit, por është pjesa më ë madhe e “vijës së drejtësisë”. Ndërsa “disa segmente” mund të jenë të pakorruptuara. Të ishte siç shprehet ministri, s’do kishte fare nevojë për reformë në drejtësi, pasi segmente të korruptuara të drejtësisë ka në çdo vend të botës demokratike.

            Në këtë sistem e keqja është në maxhorancë. Ky është halli i qeverisë dhe qytetarëve shqiptarë. Faktin që gjykata është e përdala e sistemit tonë të degjeneruar e  theksonte në një prononcim për mediet edhe kryeprokurori i Apelit zoti Hajdari,kur, në përgjigje të pyetjes së gazetares se pse dështojnë gjyqet kundër korrupsionit tha se nuk dënon prokuroria, ajo kërkon ndëshkimin, ndërsa gjykata vendos. Biles ai akuzoi hapur gjykatat, që kanë mbushur birucat me përdorues të vegjël droge se sa me bosë të krimit dhe korrupsionit, të cilët dënohen , në rastet më të mira, sa ai që ka vjedhur një celular! Një sitem i tillë drejtësie, duke filluar nga gjyqtari më i thjeshtë deri te presidenti i Republikës, që i kundërvihen hapur reformave të qeverisë, doemos i kanë lidhur krahët qeverisë aktuale, duke kompromentuar dhe rrezikuar seriozisht premtimet e fitimtarëve të 23 Qershorit.

            Kur anormalja bëhet normale dhe institucionalizohet, shpresa për ndryshim shuhet, prandaj është e domosdoshme një ndërhyrje radikale dhe e shpejtë për të shpëtuar sistemin. Prandaj reformimi radikal i tërë sistemit të drejtësisë, duke përfshirë edhe ndëshkimin ligjor, është një emergjencë kombëtare dhe jo thjesht politike. Unë këtë e kam quajtur një ”revolucion të bardhë”, pa gjak, ku parashikoj jo thjesht ndryshime ligjore të nevojshme, por edhe zhvendosje njerëzish, shkarkime nga detyra, transferime dhe, pse jo, edhe ndëshkime penale për gjyqtarët e korruptuar.      Gjyqtarët nuk janë shenjtorë që të mos ndëshohen! Spekulimi me pavarësinë e gjyqsorit nuk duhet të jetë koraca ku mund të fshihet dhe mbrohet korrupsioni. Prej kësaj nuk duhet të trembet qeveria. Mirëpo maxhoranca, ë zënë në kurthin e veprimeve të kujdeshme me drejtësinë, po matet 100 herë dhe s’po pret asnjëherë! Ajo është shumë e vonuar në ritmin e reformimit të drejtësisë.

            Drejtësia do të fillojë të japë drejtësi në këtë vend të mbretërimit të antiligjit kur të shkojë prapa hekurave politikani i parë i lartë dhe gjyqtari i parë i korruptuar. Në të kundërt, ky vend do të jetë një republikë e antiligjit, një parajsë e mafies politike dhe ekonomike. Prandaj Rama dhe maxhoranca s’kanë pse druhen nga presioni i gjykatave të korruptuara politikisht prej Berishës, të cilat janë të detyruara të pranojnë ekzistencën e korrupsionit në mes tyre, por pa…të korruptuar(!). Vonesa e kësaj reforme shumë të rëdësishme për demokracinë dhe shtetin ligjor do të jepte frute të hidhura për qeverinë dhe sidomos për qytetarët e poshtëruar shqiptarë, që zvarriten me vite para dyerve të gjykatave në pritje të drejtësisë, njëlloj si personazhi i Kafkës te tregimi  “Në dyert e ligjit”, kur qytetari e fiton të drejtën, pasi vdes.”

Botuar ne gazeten "SOT" date 19.01.2014

Πέμπτη 9 Ιανουαρίου 2014

PER DY SEKSET



                                                PËR DY SEKSET



                                          Femrat janë seksi i bukur

                                          Këtë të vërtetë  kushdo e thotë

                                          Por nuk do të kishte asnjë vlerë

                                          Sikur të mos kish burra në botë…



                                                            Petrit Qejvani, Janar 2014


Τετάρτη 8 Ιανουαρίου 2014

NDESHKIMI I KORRUPSIONIT NUK ESHTE ENVERIZEM!



            NDËSHKIMI I KORRUPSIONIT NUK ËSHTË ENVERIZËM!



                                                Nga Petrit Qejvani



            Ndëshkimi i korrupsionit në Shqipëri është një detyrë imperative, që diktohet nga shkalla e lartë e përhapjes së tij vertikalisht dhe horizontalisht.Por korrupsioni nuk mund të luftohet pa ndëshkuar të korruptuarit.Këtë e  kërkojnë shumica  e shqiptarëve, që e larguan Berishën dhe qeverinë e tij hajdute (të korruptuar tingëllon goxha elegante dhe shumë e zbutur për veshët e shqiptarit të thjeshtë) me një “revolucion elektoral” siç e kam emërtuar në një shkrim timin publikuar fill pas zgjedhjeve të 23 Qershorit të vitit që lamë pas, për shkak të fitores së gjerë të opozitës së atëhershme (sot maxhorancë) dhe të humbjes së thellë të pozitës  së atëhershme (sot opozitë).

            Por këtë e kërkojnë edhe ndërkombëtarët në raportet e ndryshme dhe deklararat e përfaqësuesve të tyre në Tiranë, kryefjala e të cilëve është lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke e adresuar te nivelet e larta politike, pra, te korrupsioni qeveritar. Sepse korrupsionin nuk e bëjnë fshesaxhinjtë dhe njerëzit e thjeshtë, por elitat politike, ata që kanë pushtet dhe gjera të rëndësishme në dorë.

            Ndërkaq disa media të shkruara e kanë artikuluar më qartë, duke u shprehur për herë të parë dhe drejtpërdrejt se duhet arrestuar edhe Berisha si “gjenerali” i korrupsionit. Sepse lufta kundër korrupsionit kthehet në një farsë, kur kapoja i tij krekoset jashtë, duke shijuar gjahun e tij të majmë (paret e vjedhura të shqiptarëve), ndërsa anëtarët e thjeshtë të klanit mund të shkojnë pas hekurave. Biles edhe ata ka shumë gjasa të shpëtojnë prej ndëshkimit për shkak të mbrojtjes politike të kapos së tyre dhe drejtësisë gjithashtu të korruptuar dhe frikësuar prej Berishës, aleate të krimit.Por dhe të hezitimit qeveritar. Qeveria, ndonëse verbalisht e përmend luftën kundër korrupsionit, praktikisht  ka akuzuar dhe denonocuar në prokurori vetm një ish-anëtar të kabinetit Berisha, ish-ministrin e mbrojtjes Imami. Aludohet aty- këtu edhe për ish-ministrin e finanacave Bode, disa vartës të të cilit janë arrestuar për afera të forta korruptive. Por vetëm kaq.

            Për Berishën dhe njerëzit e tij të familjes biologjike nuk është thënë asgjë, ndonëse provat për opinonin publik janë të padiskutueshme si, të paktën, Gërdeci (ku direkt është implikuar edhe djali i tij) spektakolar dhe 21 Janari i përgjakur. Dhe Berisha, lidhur me këtë, iu përgjigj një medieje të shkruar ( me shumë gjasë  e ka kërkuar vetë këtë) se arrestimin dhe dënimin tim e kërkojnë “enveristët”! Por nuk ishte e qartë për cilët “enveristë” e kishte fjalën : për ata shqiptarë, apo për “enveristët” e  “qeverisë europiane” të Brukselit! Pasi më tepër se “enveristët” shqiptarë (nënkupto qeverinë e re dhe Ramën, të cilin e ka epitetuar disa herë si bllokmen dhe bile enverist, ndoshta dhe gazetat që nxisin arrestimin e tij) kanë folur qartë “enveristët” e Brukselit.

             Biles kroati Nikolla Vuljaniç, në deklaratën e tij aspak diplomatike tha se ju nuk e morët statusin e vendit kandidat, pasi nuk keni ndëshkuar ministra dhe kryeministra të korruptuar. Kjo ishte deklarata më e fortë dhe e artikuluar më qartë e ndonjë përfaqësuesi të BE-së. Kurse një pjesë e shtypit shqiptar e deshifroi, duke  shenjuar direkt Berishën .

            Pas këtij “përkthimi shqip” të deklaratës së zotit Vuljaniç reagoi shtypi pranë Berishës në mbrojtje të tij. Por edhe vetë Berisha me sa duket u shqetësua, pasi Rama “është i paparashikueshëm, bile, i ”sëmurë psiqik”, sipas doktorit pacient, patologjia mendore e të cilit duket që larg dhe i ka shkaktuar Shqipërisë jo pak trauma..

            Për këtë shkak Berisha gjeti rastin të prononcohet në një medie shqiptare të shkruar, duke deklaruar se dënimin tim e kërkojnë enveristët. Por kjo është një mbrojtje politike e dështuar, që kërkon largimin e ndonjë “rreziku të mundshëm” dhe se Berisha e di fort mirë ç’ka bërë gjatë qeverisjes së tij problematike. Për logjikën hileqare, por banale të Berishës edhe Arvizu mund të jetë një "enverist” pasi ndryshimin e 23 Qershorit e krahasoi me  ndryshimin e vitit 1992, që shënoi rënien përfundimtare të komunizmit!

            Bile, nën zë, ndoshta dhe Obamën ai e quan komunist për shkak të taksës progresive, që po aplikon dhe Rama.

            Por le të zbërthejmë kuptimin që i jep ai enverizmit në këtë rast, një kuptim që i kthehet nga mjet mbrojtjeje në bumerang. Nëse dënimi i korrupsionit dhe të korruptuarve është enverizëm, kjo është shumë interesante zoti Berisha! Nëse dënimi i hajduteve me çizme, që kanë vjedhur pasuritë kombëtare dhe varfëruar shqiptarët, sipas jush është enverizëm, kjo është gjithashtu shumë interesante nga ana juaj dhe i bën nder enverizmit. Nëse ndëshkimin ë vrasësve  të njerëzve të pafajshëm në bulevard me urdhërin tuaj dhe kukullave tuaja e quani enverizëm, kjo prapë është shumë interesante dhe i bën nder të madh  enverizmit!.. Nëse zyrtarët e Brukselit, që monitorojnë Shqipërinë për zbatimin e ligjit dhe funksionimin e demokracisë problematike shqiptare ju i konsuderoni enveristë, kjo është jashtëzakonisht interesante dhe e bukur dhe, me siguri, i ka lënë pa mend burokratët e BE-së në Bruksel me kudërlogjikën tuaj. Dhe së fundi, nëse zbtimin ë ligjit ndaj kujtdo që ë shkel atë , (edhe ndaj jush si shkelës me të dyja këmbët i ligjit) sipas sentencës “ligji është i barabartë për të gjithë” guxoni dhe e emërtoni enverizëm, kjo është pakonceptueshmërisht interesante zoti Berisha dhe nderi më i madh që ju i bëni enverizmit, ndonëse duke e ”sulmuar”!

            Kjo është mbrojtja më e dobët që i bëni vetes zoti Berisha. Ju keni punë me ligjin dhe zbatimin e tij dhe jo me enverizmin, që nuk mund të zbatohet sot në Shqipëri dhe që do t’i kishte larë shumë shpejt duart me ju, zoti Berisha. Ju e keni si alibi enverizmin për të mbuluar fajësinë e padyshimtë për disa gjëma të bëra në “Epokën tuaj” të sundimit antidemokratik dhe kleptokratik, të mbuluar me një demagogji dhe vello  të pistë antikorrupsioni, që e sfilitën këtë vend të bekuar nga natyra (apo zoti, siç keni qejf ta përdorni shpesh) që ju e katandisët me politikat tuaja destruktive, anarkike dhe shkatërrimtare në të shëmtuarën e dheut, si natyrë dhe si shtet.

            Dhe për këtë duhet të përgjigjeni, ju fal a s’ju fal Edi Rama. Për këtë është ligji. Dhe  ne shpresojmë se ligji një ditë nuk do trembet nga ju, por do veprojë. Shpresojmë sa më shpejt. Kjo nuk do të jetë një hakmarrje politike, sikundër e propagandoni prej frikës së ndëshkimit të merituar. Por hakmarrje e  drejtë ë shqiptarëve të poshtëruar prej sundimit tënd arrogant dhe hajdut. Dhe duhet ta dini se qeverisja e hajduteve dhe pushteti i hajdutëve nuk është më i mirë se qeverisja dhe pushteti  diktatorial. Prandaj ndëshkimi i fajtorëve nuk është diktaturë. Prandaj zbatimi i ligjit nuk është enverizëm.

Ky shkrim eshte botuar sot ne gazeten "SOT" date 10 janar 2014