Τρίτη 31 Δεκεμβρίου 2013

URIM PER VITIN E RI

URIM PER VITIN E RI

Petrit Qejvani


Kur akrepat e ores puthen njeri-tjetrin

Zilja e telefonit me ftoi ta ngre:
Gezuar Vitin e Ri
Ishte nje ze gruaje i bute si kadife
Ne vetmine e dhomes sime te erret
E pyeta kush ishte, i drojtur
Nje grua, tha dhe e mbylli telefonin
Per nje cast dhoma u mbush me pellumba
Dhe korbi i vetmise sime u zbardh...

Σάββατο 28 Δεκεμβρίου 2013

RREFIMI I NJE BALLISTI TE SINQERTE



                                                RRËFIMI I NJË BALLISTI TË SINQERTË
                                                                Nga Petrit Qejvani
                         Jemi  mësuar të dëgjojmë këto 23 vjet dëshmi standarte të palëve të ndryshme politike lidhur sidomos  me Luftën Nacinal-Çlirimtare dhe rolin e tyre në këtë luftë.Në një ekran kombëtar pata rastin të ndjek , para pak ditësh, një intervistë të një ish- eksponenti të Ballit Kombëtar.
                          Ishte ballisti Sejfi Protopapa, alias Sali Protopapa, personazh  i romanit të Dritëro Agollit “ Komisari Memo”, por veçanërisht i njohur nga filmi “I teti në bronx”, ish komandant i çetës së Ballit në Roskovec  gjatë Luftës së Dytë Botërore. Intervista e tij ishte interesante, jo aq për ngjarjet e luftës Nacional-Çlirimtare se sa për qendrimin ndaj ngjarjeve të veçanta të saj.
                          Ajo që të bënte përshtypje  ishte se, ky ballist i papenduar, në shumë pikëpamje, e , sidomos ato  të angazhimit  të Ballit në luftë, ishte shumë pranë qëndrimit dhe vlerësimit   historiografisë  komuniste.
                          Ai  tha pak a shumë se ne nuk donim të luftonim kundër gjermanëve, por na thoshnin anglezet  që të luftonim dhe më kujtohet se ne bëmë një aksion kundër gjermanëve (ku na nxiti koloneli Nikols dhe majori Emery) dhe iu morëm gjermanëve të vrarë këpucët!...Bile aty Sejfi  Protopapa  tha se anglezët nuk bënin politikë, ata ishin me këdo, që luftonte gjermanët. Pra, edhe nga ky dëshmitar ballist "sui generis"   i terrenit të luftës del se Balli nuk kishte ndonjë angazhim serioz në luftë. Ai pranoi se komunistët (partizanët) ishin më të organizuar, ata bënin çdo gjë, zbatonin të gjitha  urdhërat që merrnin (nga komanda e tyre).
                          E papritur ishte deklarata e tij, kur Protopapa  tha  troç se Balli ishte copë-copë, i paorganizuar, pra, pa një komandë unike  efiçente. Dhe nuk ka dëshmi    drejtpërdrejtë   se kjo. ( këtë e kanë pohuar më se një herë edhe oficerët e misioneve angleze në Shqipëri  gjatë Luftës së Dytë Botërore),  dhe fitoren e komunistëve shqiptarë e quajtën me dhembje “Fijtora e Hidhur” R.Hibert). Dhe Protopapa  nuk ishte pishman që kishte qenë ballist. Përkundrazi, ishte krenar. Por ai, pas kaq vjetësh, me sa duket, kishte reflektuar, ngjarjet dhe emocionet tashmë ishin ngrirë dhe pasojat ishin të pandryshueshme. Pa dyshim kishte ndikuar edhe vendi ku banon prej më  shumë se gjysmë shekulli, ShBA me idetë e lira dhe demokratike.
                         ShBA luftuan vet kundër nazizmit dhe fashizmit dhe kontribuan për çlirimin e Europës prej tij. Për këtë ata bashkëpunuan edhe me komunistin Stalin. Pra, antikomunizmi i tyre ishte dhe antifashizëm. Kurse nacionalistët shqiptarë, për inat të komunistëve, bashkëpunuan me fashizmin e nazizmin! Ai la të nënkuptohet se në Ballin njeri i binte gozhdës dhe tjetri patkoit. Kur gazetari i tha se Balli kishte një program të hartuar nga Mitat Frashëri (ndoshta e kishte fjalën për Dekalogun Ballist) Protopapa  u përgjigj se i dëgjohej fjala atij që kishte ushtarë, që komandonte çeta, si per shembull Abaz Ermenit. Pra, nuk e merrte vesh i pari të dytin edhe në ato pak  aksione të çetave balliste në fillim të Luftës. Dhe kjo është  plotësisht e besueshme dhe  konfirmohet nga misionet angleze në Shqipëri, që kanë pohuar më se një herë se ne donim të përkranim forcat nacionaliste, por ato qenë pasive në luftë dhe ne u detyruam të rritnim përkrahjen për partizanët shqiptarë, pasi ata ishin forca kryesore në këtë luftë.
                          Sejfi Protopapa dukej se qe i çliruar nga komplekset prej të cilëve  vuajnë ballistët e tjerë, sidomos ata që kanë banuar dhe banojnë në Shqipëri, fliste pa autoçenzurë dhe dukej i qartë  në mendimet e tij. Pyetjes  pse iku nga Shqipëria dhe kur iku iu përgjigj fare esëll: Fituan komunistët,  prandaj. Ne do na ekzekutonin. Edhe ne, po të fitonim, do bënim të njëjtën gjë. Ishim armiq! Dhe, sipas logjikës së  luftës, kishte te drejte : eliminimi i kundërshtarit ishte synimin kryesor dhe një veprim normal. Këto pohime duhet  t’i bjënë të mendojnë disa njerëz  të medias që të mos qorrollepsen pas të qenit antikomunistë (aq në modë sot këtu te ne) për t’ u bërë pjesë e deformimit të së vërtetës historike, vetëm për  hir   kartës së djegur të antikomunizmit fals.
                      Si  për të dëshmuar të vërtetën historike se ballistët vepronin pa disiplinë luftarake dhe pa rregull e moral në luftë,( ku kërkohet disiplinë e hekurt dhe ligje drakoniane), zoti Protopapa  tregoi  një  episod   domethënës,  kur  tha  se kishte shkuar një ditë për kontroll të çetës së Ballit në Shpirag dhe nuk i gjeti të gjithë ushtarët e Ballit aty, pasi ata kishin ikur e zbritur për  ditë pazari në Roskovec  për të gjobitur  fshatarët, që shisnin mallrat e tyre në treg. Kur gazetari pyeti pse, merrnin taksat? ( një pyetje naive kjo) u përgjigj: jo. Ata u merrnin fshatarëve një pjesë të fitimit të mallrave të shitur!.. Pra, ishin grabitës!
                           Ky episod tregon se disa skeçe dhe parodi të estradave te socializmit nuk ishin thjesht trillime apo fantazi. Bile Protopapa tha se e kishte arrestuar njerin prej tyre, e kishte lidhur me litarë rreth e rrotull trupit dhe do ta ekzekutonte para fshatarëve. Dhe, pa u druajtur fare iu drejtua gazetarit:  Edhe ty, po të të kisha përballë, do të kisha   vrarë!Kjo është  lufta...
                         Protopapa  origjinal  ishte dhe kur u pyet për politikanët kryesore të sotëm, Berishën dhe Ramën. Bile i karakterizoi fare shkurt. Për Berishën  tha se dështoi, u mund. Ai i ka vjedhur zgjedhjet ( me siguri fliste për zgjedhjet e mëparshme). Mendim ky që buron prej pikëpamjeve demokratike në vendet  ku  bëhen zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ndërsa për Ramën tha se e kishte takuar në Amerikë, por nuk ia kishte mbushur mendjen për udhëheqës i  Shqipërisë.
                         Siç del nga kjo intervistë, zoti Protopapa   shfaqet një ballist, që duhet respektuar për siqeritetin dhe objektivitetin e tij. Sidomos për profilin e tij të veçantë. Ndryshe nga të tjerët, që duan të paraqiten si heronj të luftës dhe protagonistë të saj, ai e pranon se nuk arritën në nivelin e protagonistit, rol të cilin arritën ta luajnë komunistët,që , në krye të formacioneve partizane, çliruan Shqiperine.
                         Dëshmia  e zotit  Protopapa  është  një zë autentik , veç  dokumenteve dhe të vërtetave historike të arkivuara, se zmadhimi  i rolit të  ballistëve në  Luftë për hir të inatit me komunistët  dhe Enver Hoxhën, tregon se antikomunizmi, jo vetëm i  ballistëve, por edhe i disa mediave dhe gazetarëve, si kartë ideologjike, nuk mjafton për të manipuluar historinë.
                         Antikomunizmi  dhe  e  vërteta  historike janë  dy gjëra  të ndryshme.


Botuar ne gazeten "Shekulli" 05.01.2014

Δευτέρα 23 Δεκεμβρίου 2013

A MUND TE DALE PARA GJYQIT BERISHA?


                        A MUND TË DALË PARA GJYQIT BERISHA?



                                                            Nga Petrit Qejvani



            Kjo pyetje dyshuese mendoj se mund të bëhet sot, jo aq si shprehje e kërkesës per ndëshkimin e korrupsionit qeveritar nga ndërkombëtarët (ndonëse ata ngulin këmbë për këtë) sesa si dëshirë e shumicës së shqiptarëve të vjedhur dhe poshtëruar nga qeverisja arrogante dhe hajdute e Berishës.

            Pra, në parim, as që vihet në dyshim dalja e tij para gjyqit, pasi para drejtësisë duhet të dalë gjithkush, që dyshohet për krime, për shkelje të ligjit, aq më shumë  kur akuzohesh për më tepër se një krim.

            Para gjyqit nuk dalin vetëm diktatorët, por edhe ata vetëm  sa kohë janë në pushtet. Por  edhe në rastin konkret Berisha duhet të përballet me drejtësinë. Të paktën të dëshmojë para saj, sidomos për Gërdecin e famshëm dhe vrasjen e demostruesve paqësorë më 21 janar 2011. Ndërsa disa media e kanë artikuluar qartë këtë, (ndoshta dhe për ta nxitur drejtësinë e korruptuar dhe të tulatur shqiptare para politikës,) maxhoranca politike as që ka lënë të nënkuptohet se mund të ndodhë një gjë ë tillë. Nëse është taktikë apo jo, kjo, jo larg, ka për t’u kuptuar.
            Këtë shqetësim shpreh edhe akademiku Rexhep Qosja në një intervistë për “Gazetën shqiptare”. Duke qenë i bindur se korrupsioni nuk mund të luftohet pa dënuar Berishën si “baba” të korrupsionit në Shqipëri, më poshtë deklaron se maxhoranca duhet të ketë kujdes dhe e lidh këtë me fjalorin arrogant të Berishës dhe kryetarit kukull të opozitës Basha si dhe me një deklaratë të Berluskonit ( mik i Berishës) se, “po të arrestohem unë, në Itali do ketë revolucion!” Dhe ,pasi thotë se në Itali një fjali e tillë është një deklaratë komike, në Shqipëri “nuk është liruar prej ngjyresash”. Pra, në Shqipëri edhe mund të ndodhë diçka si “revolucion”!...

            Që kjo është diçka e komplikuar në Shqipëri, s’ka asnjë dyshim. Por që Berisha duhet ndëshkuar për ato zullume që ka bërë qysh prej 1996, kur përgjaku zgjedhjet e 26 majit dhe ndëkombëtarët ( më saktë amerikanët) nuk e pranuan rezultatin e manipuluar  e me radhë sulmin mbi institucionet e shtetit më 1998, që detyruan kryeministrin frikacak socialist Fatos Nano të braktiste detyrën e të arratisej në Maqedoni ( në vend që t’i ndëshkonte puçistët) e deri te Gërdeci dhe 21 janari i përgjakur, edhe kjo nuk ka dyshim.

            Natyrisht, në fillim duhet të dalin para drejtësisë leitnantët e tij, pastaj kapoja i tyre. Por kjo do lartësi morale dhe guxim prej gjykatave, të cilat ai i ka korruptuar  dhe frikësuar qëllimisht, kur ishte në pushtet. Berisha vepron kështu pasi nuk është ndëshkuar për zullumet që ka bërë.

            Ai i përbuz gjykatat, sepse përbuz drejtësinë, pasi ka frikë prej saj. Kështu ka vepruar ai edhe kur ishte në opozitë me rastin e gjyqit për  vrasjen e Azem Hajdarit, kur nuk u paraqit asnjeherë në gjykatë për të dhënë shpjegime për deklaratat kontradiktore për këtë vrasje. Ai deklaronte se nuk i njihte këto gjykata, se ato ishin të politizuara, ndonëse prokuror u caktua një i huaj.

            Prandaj si akt i parë drejt gjykimit të tij të jetë çuarja e tij para drejtësisë me forcë ( ai vet nuk shkon, sepse i duket fyerje kjo për mentalitetin ë tij feudal) me statusin e dëshmitarit për ta kuptuar më në fund se është vdekatar dhe i ndëshkueshëm  si gjithë të tjerët. (Të mos harrjmë se para prokurorit doli dhe presidenti i famshëm Bill Klinton. Dhe përse? Jo për krime, por  për nje histori të supozuar dashurie ). Dhe këtë duhet t’ia garantojë gjykatës maxhoranca politike. Sa për atë që, nëse ndëshkohet ai mund të ketë (?!) një revolucion, kjo s’ka për të ndodhur kurrë, pasi revolucioni u bë më 23 qershor dhe e rrëzoi nga pushteti pët t’i hapur rrugë edhe ndëshkimit ligjor. Askush nuk vlen sa Shqipëria! Me këtë rast mund të ketë ndoshta një tentativë për kudërrevolucion! Një mision ky i pamundur. Revolucionet e suksesshëm i bëjnë shumicat dhe jo pakicat, aq më tepër pakicat amorale dhe të manipuluara. Paraqitja e politikanëve të lartë para drejtësisë është një akt i domosdoshëm për rimëkëmbjen e drejtësisë servile dhe frikacake shqiptare. Ai është tregues se shteti i së drejtës, aq shumë i reklamuar në Shqipëri, më në fund po konsolidohet.

            Dhe unë jam i bindur se,veçanërisht, dalja e Berishës para togave të zeza do të shënojë fillimin e konsolidimit të shtetit ligjor dhe afirmimit të pavarësisë se sistemit gjyqsor. Pasi ai është simboli i korrupsionit dhe krimit të organizuar, simbol i “trimërisë” antiligjore. Atëhere do tremben dhe “trimat” hajdutë të politikës. Atëhere do ta kuptojmë sa mirë i kemi shërbyer Shqipërisë dhe shqiptarëve. Atehere Shqipëria do të bëhet një shtet normal, larg frymës së konfliketeve te thella dhe destruktivitetit permanent, që e ka sfilitur këtë vend.
             Si përfundim, dalja e Berishës para drejtësisë është jo vetëm e mundur në parim, por edhe e domosdoshme si fakt për normalizimin e jetës politike dhe shoqërore në Shqipëri, për shëndoshjen e demokracisë shqiptare.Prandaj asnjë frikë apo drojë për ndëshkimin e tij. Ndryshe do të thotë që ka një aleancë të pashpallur midis palëve politike për mos ndëshkim reciprok pas alternimeve të pushtetit.

 Botuar ne gazeten "SOT", date 24.12.2013 dhe ne gazeten "DITA" date 27 dhjetor 2013









Τετάρτη 18 Δεκεμβρίου 2013

VENDIMI QE MERITONIM



                              
                                                
     VENDIMI QË MERITONIM



                             Nga Petrit Qejvani



            Edhe një herë tjetër Shqipëria nuk e fitoi statusin e vendit kandidat për në BE. Kështu vendosi Këshilli i ministrave te jashtem te Europës. Ky lajm do të ngjallte reagime të ndryshme në Shqipëri dhe do të  komentohej nga palët politike si dështim i njera-tjetrës.

            Opozita në një reagim të shpejtë fajësoi qeverinë e re 100 ditëshe, kurse qeveria e re qeverinë e  vjetër  2920 ditëshe ( 8-vjeçare). Po kaq shpejt reagoi nga Azerbajxhani kryeministri Rama me një mesazh diplomatik, duke theksuar se ky vendim u muar duke vlerësuar qeverinë e re për arritjet e brendshme, dhe ishte më tepër për “faj” të ngërçit që ka vet brenda përbrenda Bashkimit Europian…Pra, faji është i Europës! Thjesht çështje ngërçi…

            Kurse ë vërteta më ë madhe është ajo që thonë pa diplomaci në Bruksel: Luftoni korrupsionin dhe krimin ë organizuar, vazhdoni reformat,  ndërtoni një drejtësi të pakorruptuar, ndëshkoni qeveritarët dhe politikanët, që janë koka e korrupsionit! Më qartë se kaq nuk ka si flet Brukseli.

            Pra, normalisht, ndonëse shpresohej nga politika për një vendim lëmoshe, ne nuk e meritonim të pranoheshim si vend kandidat. Dhe këtë e tha “gjermanisht” kancelarja Merkel, kur deklaroi ne konferencën për shtyp menjëherë pas vendimit se Shqipëria nuk është gati për statusin dhe nuk duhet ta priste këtë. Ndërsa lavdëroi Serbinë për hapat e hedhur.

            Kjo është një shuplakë tjetër për klasën politike të papërgjegjshne dhe të pacipë  shqiptare, që e ka ngrënë turpin me bukë dhe tallet me shqiptarët e urtë dhe të nënshtruar, duke i vjedhur deri në qindarkën ë fundit. Ndërsa plitikanët ia lënë në dorë njeri-tjetrit kungulleshkën, për më realistët, pavarësisht nga anon më tepër faji, një gjë ishte fare e qartë: ne nuk e meritonim statusin. Dhe, në këtë sens,  vendimi ishte i pritshëm. Ky është një qendrim realist dhe pa paragjykime, i emancipuar dhe europian. Sigurisht që shqiptarët nuk u gëzuan për këtë.

            Po pse nuk e meritonim ne statusin ë vendit kandidat? Për shumë arsye e, mbi të gjitha, sepse ne nuk jemi një shtet serioz, por një shtet karnaval, ku njeri i bie gozhdës dhe tjetri patkoit, ku nuk e merr vesh i pari të dytin.

            Ne kemi një shtet hajdut dhe politikanë hajdutë dhe banditë, me gjykatës hajdutë dhe protektorë të krimit. Tek ne shteti është i paqenë dhe rregullat e lojës i vendos xhungla, ku më të “fortët” nuk pyesin as ligj,as zot, ku politikanët amoralë zhvatin vendin dhe popullin ë tyre dhe në mënyrë të pacipë flasim për norma dhe moral. Kjo shoqëri ecën rrokopujthi pa ligj (ndonëse ligji fle në letra) pa moral, pa din e iman, veç sipas dëshirave dhe interesave të çastit, makutërisë dhe oreksit për të gllabëruar pronat publike e private, duke e shqepur Shqipërinë nga veriu në jug. Dhe këtu më të zellshmit janë politikanët.

            Atëhere, ku do të shkojë ky shtet zhelemel, i katandisur në mëshirë të fatit? Europa e bashkuar nuk është një panair palaçosh, ku të hyjë dhe shteti karagjoz shqiptar, si ai lypësi jo i urtë, por vagabond, që kërkon të hyjë në një sallon aristokratësh, jo thjesht për të lypur, por edhe për të bërë rrëmujë me sjelljet e tij të vrazhda. Një shtet kaotik si ky yni (mjafton të shohësh si lëvizin njerëzit dhe makinat për ta kuptuar sa keq funksionon ky shtet) nuk mund të jetë ende  pjesë e Europës së qytetëruar. Apo ndoshta do të ishte më mirë të na mëshironin dhe të na pranonin si vend kandidat, meqë ne , me njeri-tjetrin, nuk i plotësojmë dot standartet?

            Nuk e di në e ka kuptuar tashmë Europa që ne nuk mund të bëjmë dot shtet….. Edhe ky mund të ishte një këndvështrim. Por duhet pranuar që europianët nuk e marrin shumë seriozisht Shqipërinë, ndonëse flasin seriozisht. ( kjo duke patur parasysh që ë refuzuan shtetet më të zhvilluar të Europës). Po edhe iu zuri gjuha lesh duke bërë për vite të tëra të njëjtat vërejtje dhe këshilla Shqipërisë.

            Dhe politikanëve dallkaukë shqiptarë nga njeri vesh iu hynin dhe nga tjetri u dilnin, sepse nuk ë duan Shqipërinë, sikurse ë kam thënë dhe herë të tjera.Veçanërisht politikanë të tipit Berisha, që e dogjën dhe rrënuan Shqipërinë. Po ta donin, do të silleshin ndryshe: nuk do ta vidhnin, nuk do ta shkatërronin, nuk do ta poshtëronin me veprimet e tyre skandaloze, por do te silleshin siç sillen për shembull politikanët serbë me Serbine, të cilët i lavdëroi zonja Merkel për përparimet e bëra deri tani  në rrugën e integrimit.     Qeveritarët  e djeshëm nuk kanë gojë të flasin për “të bukurën e dheut”, siç është shprehur dikur Berisha,sepse janë ata (ai) që e katandisën në të shëmtuaren e dheut ( si shtet dhe si vend). Prandaj, politikanët shqiptarë le të flasin më pak për Shqipërinë dhe të bëjnë më shumë për të.

            Europa , megjithëse nuk na konsideron një shtet serioz, është treguar e hapur me ne edhe pas vendimit të fundit. Kryefjala dhe mesazhi i saj është:, Luftoni korrupsionin dhe krimin e organizuar, çoni para drejtësisë qeveritarët dhe politikanët ë korruptuar të niveleve të larta,të cilët kanë emër: ata janë Berisha,Basha, Bode, Imami dhe shpura ë tyre që vodhi, abuzoi dhe shpërdoroi pasuritë kombëtare të shqiptarëve.         Europa e thotë troç:ende nuk ka të arrestuar të rëndësishëm për llogari të korrupsionit, ish-qeveritarë të qeverisë së zezë Berisha. I dënoni këta, kështu luftohet korrupsioni, kështu ndërtohet shteti i së drejtës, kështu bëhet Shqipëria një shtet normal.

            Nëse do të lejojmë hajdutët me çizme të qeverisë së djeshme dhe te te gjitha qeverive të na bëjnë moral, atëhere nuk ka pse e pretendojmë Europën e lirisë dhe drejtësisë.

            Akuzat që i bën opozita Ramës se është ai dhe qeveria ë re përgjegjëse për mosmarrjen ë statusit kandidat për BE edhe për mua janë të drejta. Rama duhet të bëjë ç’është ë mundur me ligj, me reforma ë ndryshime radikale, por edhe me më shumë ritëm, të bëjë të mundur arrestimet e para të qeveritarëve të djeshëm dhe poltikanëve të tjerë të korruptuar.

            Në këtë aspekt unë e pranoj që statusin e vendit kandidat e ka në dorë Rama dhe maxhoranca e sotme.

            Pa dalë para togave të zeza Berisha për 21 Janarin dhe Gërdecin, Basha për 21 Janarin dhe rrugën Durrës- Kukës apo të tjerë për afera nga më të ndryshmet, nuk do të rilindë kurrë as drejtësia, as shteti ligjor nuk do ngrihet në këmbë. Përkundrazi shteti do të zvarriset pas krimit.

            Edi Rama, ti e ke në dorë statusin! Kur të shkojnë pas hekurave peshkaqenët ish-qeveritarë të korrupsionit, atëhere statusi është gati. Në qershor ne e marrim atë!



Botuar ne gazeten "SOT" 20.12 2013




Σάββατο 7 Δεκεμβρίου 2013

A PO FILLON "REPUBLIKA E PARE DEMOKRATIKE E SHQIPERISE'?



A PO FILLON “REPUBLIKA E PARE DEMOKRATIKE E SHQIPERISË”?



                                                Nga Petrit Qejvani

           

            Nëse do pranojmë si të drejta disa deklarata politikanësh  dhe gazetarësh se 23 qershori shënoi dhe fundin e tranzicionit shqiptar, pra fundin e “Republikes së korruptuar demokratike te Shqipërisë”, periudhën e pas 23 qershorit mund ta quajmë dhe fillimin e “Republikës së Parë Demokratike të Shqipërisë”.    

            Por a po fillon me Ramën “Republika e parë demokratike e Shqipërisë”, që do të thotë fillimi i goditjes ballore të korrupsionit të madh deri në nivelet më të larta politike? Qeveria e re e ka shprehur dhe e ka patur flamurin e fushatës elektorale këtë parrullë dhe duket se disa shkëndija po jepen, por ende nuk ka asnjë goditje në adresë të peshkaqenëve polikë të korrupsionit. Ndonëse pritshmëria e popullit është shumë e madhe dhe njëherazi në prag të zhgënjimit. Por me të drejtë shtrohet pyetja dyshuese: mungon vullneti i duhur i qeverisë dhe do të vazhdojë loja e kungulleshkave hidh e prit midis kundërshtarëve politikë apo qeveria i ka duart të lidhura nga  prokuroria dhe gjykatat e korruptuara  të Berishës?

            Mendoj se qeveria tani për tani i ka duart të lidhura për një rezultat pozitiv në luftën kundër korrupsionit me kollare. Në fakt Berisha ka ikur nga qeveria (pushteti) por ai ende ka në dorë shtetin. Kjo falë dinakërisë së tij të njohur, por edhe falë ndryshimeve kushtetuese të 2008-sës,  për të cilat në kohën e duhur kam theksuar në shtyp se këto ndryshime kanë për të qenë si guri i Sizifit për të majtën, nëse vjen në pushtet.

            Dhe sot Rama është në hall : si t’ia bëjë që të reformojë radikalisht këtë drejtësi të korruptuar qëllimisht nga politika për ta patur aleate në ditë të vështira?. Berisha, në prag të lagimit nga pushteti (ai e ka llogaritur që më 23 qershor edhe mund të mos fitonte, për shkak të konsumimit dhe qeverisjes së tij arrogante dhe hajdute si dhe për shkak se do ta kishte të vështirë të vidhte zgjedhjet kësaj here) emëroi beniaminët ë tij në disa institucione kyce te shtetit si Prokurorin e Përgjithshëm, Kryetarin e ShISH-it, Kryetarin e Gjykates së Lartë, kryetarin e Gjykatës Kushtetuese për t’i vënë kapakun me presidentin dhe kryetarine KLD, një ushtar besnik i Berishës, i fundmi i "mohikanëve" të PD- dhe Berishës në pushtet.

            Të gjithë këta i duheshin Berishës të mbulonin “ligjërisht” disa afera dhe krime të mëdha të tij dhe familjes së tij poltike dhe biologjike (kujto implikimin e djalit të tij në aferën vdekjeprurëse të demontimit dhe shitjes së fishekeve ne Gerdec si dhe të vajzës së tij, që vepronnte si seksere e babait) që nga rruga Durrës-Kukës, te Gërdeci i “famshëm” deri te 21 Janari i përgjakur i 2011-ës.

            Askush ose pakkush beson se këto dosje do rigjykohen nga drejtësia e sotme. Ata janë të gjithë pjella të tij dhe  vështitë ta “tradhtojnë” atë, sepse i kanë borxh karriken ku janë ulur pa meritë.

            A mund ta cojë në gjyq Berishën apo Lul Bashën, apo Boden etj. një prokuror si Llalla, që edhe kur flet s’e heq dot qimen nga qulli? A ka ky integritetin për atë post, megjithëse ka deklaruar para ca kohesh në një televizion se do hetojë  njëlloj që nga qytetari i thjeshtë deri te kreu i shtetit?! A e beson njeri këtë deklaratë demagogjike?

            A mund të  bëjë drejtësi Presidenti i Republikës, kur para një akti të pastër korrupsioni nuk ka vullnetin të pezullojë (edhe si gjykatës) kryetarin e një gjykate (asaj të Pukës) pra, t’ia dorëzojë drejtësisë? A nuk i është kundërvënë ai hapur reformës së qeverisë  në rolin e kryetarit të KLD-së, kur i kundërvihet hapur ministrit të drejtësisë, ndonëse me zë të qetë, ndërsa ndërsen zëvendësin e tij riosh me zërin prej adoleshenti të kundërshtojë më hapur?

            A mund ta bëjë këtë Kryetari i Gjykatës së Lartë, kur vet kryetari është i përfolur  për mitmarrje në këmbim të lirimit të një të burgosuri? Atëhere c’duhet të bëjë qeveria dhe Rama?

            Sigurisht që Rama nuk i dënon dot vet, pa një drejtësi të përmbysur, (jo të ndryshuar) ose, me terma më të butë, të reformuar. Shpresa se drejtësia mund të reformohet nga brenda, sikundër thërrasin krerët e korruptuar të këtyre institucioneve, është një iluzion. Prandaj mjeti i vetëm për këtë mbetet ndërhyrja nga jashtë, pra nga politika.

            Duhet carë bunkeri i mbyllur i dejtësisë së kalbur nga korrupsioni. Duke ndryshuar të paktën krerët ë këtyre institucioneve (protektorë të krimit) duke i zëvendësuar me njerëz të zgjedhur me integritet profesional e, vecanërisht, moral. Sigurisht, duke iu garantuar mbrojtjen e jetës dhe familjeve të tyre përballë hakmarrjes së mafies politike në aleancë me mafien ordinere, me llumin e krimit. Por dhe kjo është e vështirë për shkak të ndjeshmërisë së lartë që shoqëron zakonisht lëvizje të tilla, për shkak të mitizimit të figurës së njerëzve të drejtësisë gati si shenjtorë dhe aleancës dhe solidariteti brenda llojit, sidomos kur janë në rrezik.

            Por këtu ndikojnë edhe ndërkombëtarët me qëndrimet e tyre dyzuese : edhe vet pohojnë që drejtësia është e korruptuar (ambasadori amerikan tha në krah të presidentit aksidental Nishani se disa gjykatës duhet të ishin në burg), dhe kur qeveria ndërmerr reforma radikale për të rilindur drejtësinë thonë :kujdes, se ky projekt juaji është papëlqyeshëm për ne, se nuk jemi pyetur ne, sipas parimit: mishi të piqet dhe helli të mos digjet!

            Qeverisë në këto rrethana i duhet një vullnet i fortë për ta reformuar këtë sistem dhe për t’i bindur ndërkombëtarët me shpjegime, prova dhe argumente që këto ndryshime duhen bërë patjetër, nëse duam një shtet normal, një shtet të së drejtës ,një shtet për qytetarët dhe jo për qeveritarët.

            Me një fjalë, situata është e tillë që Shqipërisë i duhet një “Ataturk” modern. Nese ndërkombëtarët nuk e bëjnë këtë, qeveria t’u thotë ndërkombëtarëve se ju nuk jeni për të luftuar korrupsionin. Se, ndërsa ka zëra nga përfaqesues të Brukselit se duhen cuar ne gjyq që nga ministra e kryeministra, sic ishte rasti i Nikola Vuljanic, dhe këta nuk dalin para drejtësisë, atehere kritikat e përfaqësuesve të Brukseli janë tallje me Shqipërinë dhe këtë qeveria dhe Rama duhet të kenë kurajën tua thonë. Ndryshe xhirojmë ne vend dhe cdo vullnet politik për ndryshim kompromentohet keq.Por, sidoqoftë, pavarësisht të gjitha këtyre që thamë barra i mbetet qeverisë. Përgjegjësitë i ka marrë ajo para shqiptarëve dhe ajo duhet të mbajë premtimet, sidomos ato madhoret. Dhe që të kemi fillimin e “Republikës së Parë  Demokratike", duhet të ulen në bangon e drejtësisë ministrat dhe kryeministrat e korrupsionit të llahtarshëm, zullumqarët e mëdhenj të këtij vndi. Kryetari formal i opozitës deklaroi para ca ditësh se Rama nuk e ka seriozisht luftën kundër korrupsionit.

            Rama ka rastin më të mirë ta fillojë nga ai luftën kundër korrupsionit, pasi ai e meriton këtë dhe, c’është më e bukura, edhe e kërkon këtë. Ndoshta i bindur se Rama s’i bën dot gjë, edhe për shkak të “blindazhit politik”, pasi është kryetar i opozitës. Pra, nëse Rama nuk arrin t’i dënojë këta kampionë të korrupsionit, nëse nuk e bën dot këtë, sigurisht pas reformimit radikal të drejtësisë, i cili duket i pamundur, atëhere të pranojë kapitullimin dhe t’i kërkojë  Bruxelit të mendojë për një EULEX special për Shqipërinë sic jam shprehur pak kohë  më parë në një të përditshme jokonformiste. Për turpin e politikanëve  dhe qeveritarëve tanë, të cilët me teper nuk duan sesa nuk dinë të bëjnë shtet.


Botuar ne gazeten "SOT" date 11.12.2013


Κυριακή 1 Δεκεμβρίου 2013

DITA E CLIRIMIT PA CLIRIMTARE!



                                    DITA E ÇLIRIMIT, PA ÇLIRIMTARË !



                                                            Nga Petrit Qejvani



            Pas festës kombëtare 28 Nëntorit, shqiptarët kanë festën e çlirimit, 29 Nëntorin. Kjo datë historike, që dëshmoi vlerat antifashiste të shqiptarëve, është një ditë nderimi dhe respekti për ata që sollën lirinë 69 vjet më parë. Ishin djem dhe vajza të reja që në ato vite terrori dhe tmerri, kur bisha fashiste po i vinte flakën Europës. shqiptarët, ndër të parët në Europë, u ngritën për nderin e tyre, për dinjitetin e tyre, për lirinë si gjënë më të shtrenjtë në botë.

            Mes sakrificash të panumërta dhe gjakut të derdhur ata çliruan atdheun e tyre nga çizmja naziste. Por për ta flitet sot  me gjysmë zëri. Ceremonitë formale sigurisht që bëhen, por nuk përmenden protagonistët e asaj lufte dhe fitoreje.

            Një pjesë e politikës nuk e njeh fare këtë datë, kurse e majta, që e njeh vendos kurorat në varret e të rënëve, por belbëzon nëpër dhëmbë e kompleksuar nga sulmet ë së djathtës, PD-së, e cila nuk e vlerëson Luftën Nacinal-Çlirimtare, duke e quajtur madje “luftë civile”!

            Pra, ndodh edhe kështu: në ditën e Çlirimit të atdheut flitet për çlirimin, por nuk flitet për çlirimtarët!..Mirë të djathtët (jo të djalltët) që nuk e duan 29 nëntorin dhe gjejnë pretekstin se Shqipëria është çliruar më 28 Nëntor.(duke u nisur nga njëmijë e një sofizma, se është e ndikuar nga jugosllavët, se gjermani i fundit iku më 28 nëntor, apo ndoshta nga fakti që Enver Hoxha fjalimin e fitores dhe çlirimit të vendit e ka mbajtur më 28 nëntor 1944, duke dashur ndoshta ta “fuqizojë” ditën e Çlirimit,duke e bashkuar me një ditë më të madhe, me atë të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare.

            Por çudia qëndron me të majtën: ndërsa respekton produktin, pra, çlirimin, nuk përmend autorët, çlirimtarët. Biles thuhet vetëm “Shqipëria u çlirua (në trajtën pësore vetvetore gjuhësisht), a thua u çlirua nga fryma e shenjtë… Në të gjitha mediet e shkruara dhe elektronike me rastin e kësaj feste u transmetuan cermonitë e rastit dhe pjesëmarrësit, disa deklarime të drejtuesve të së majtës, u tha se ata (të rënët) ranë për idealet e lirisë, por se ç’ishin ata ( sigurisht nuk e kemi fjalë për  emrat konkretë) cilat forca plitike pëfaqësonin dhe kush i komandoi apo udhëhoqi në luftë, nuk u shqiptua. Ndërsa ata kanë një emër të përbashkët, kolektiv, ishin organizuar në formacione ushtarko-politike, ishin partizanët e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare Shqiptare dhe jo kaçakë. Ata kishin komantantët dhe udhëheqësit e tyre që i prinë në fitore.

            Shqipëria u çlirua nga Ushtria Nacional-Çlirimtare e udhehequr nga Partia Komuniste Shqiptare dhe Enver Hoxha. Se ç’ndodhi më pas, dihet. Dihen dhe pasojat e diktaturës. Kjo është e vërteta historike. Dhe kjo duhet shqiptuar fort, sepse  luftëtarët e lirisë e kanë vendin në panteonin e kombit.

            Nuk bëhet goja pis duke përmendur emrin e nderuar partizan. Mjafton të kujtojmë që vende të tilla me traditë të madhe  borgjeze si Italia  apo Franca e përmendin dhe kontributin e partizanëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kurse në Shqipërinë “kapitaliste’ kanë turp ta përmendin.

            Gjatë luftës, por edhe sot, nëse do të duhej të zgjidhje midis një partizani dhe një “nacinalisti” kolaboracionist, shumica dërrmuese, besoj, do zgjidhnin partizanin. Dhe më konkretisht: nëse do të duhej të zgjidhje mes Ramiz Alisë dhe Abaz Ermenit (si dy udhëheqës rinie të forcave përkatëse politike) pa hezitim zgjedhja do ishte partizani Ramiz Alia dhe jo kolaboracionisti Abaz Ermeni. Me këtë rast dua të përmend një një thënie inetersante të një artisteje italiane dhe jo të ndonjë politikani, Alba Parieti, e cila ka thënë në një emision televiziv se “edhe Krishti po të ishte gjallë gjatë Luftës së Dytë botërore do ishte partizan”. Pra, luftëtar i lirisë.

            Por, nëse komunizmi, veç të tjerash, u akuzua edhe për falsifikim të fakteve historike, kjo nuk i jep të drejtën asaj që ka mbetur nga e djathta historike kolaboracioniste të falsifikojë sot faktet historike. Sidomos e majta, e akuzuar nga e djathta si pasuese e Prtisë së Punës, nuk duhet të zbythet nën trysninë e akuzave të pinjollëve të ish-kolaboracionistëve, që i damkosi historia, qoftë dhe për hir të nj klime “paqëtimi” fals.

            Përkundrazi, çlirimi i  Shqipërisë është një meritë e mdhe e së majtës së vjetër (Partisë Komuniste) dhe një thesar i së majtës së re, burim krenarie për të. Tek e fundit, partizanët parakaluan më 28 Nëntor 1944 në Tiranën e çliruar dhe populli i kryeqytetit iu hidhte lule ftimtarëve..

            Është një kronikë e shkurtër interesante e filmuar nga anglezët, ku jepen partizanët duke parakaluar dhe Enver Hoxha duke kaluar në revistë ushtarak. Kjo është historia e pamanipuluar. Kjo kronikë e rrallë mund të jepej në çdo televizion, nëse ata që punojnë aty do të kishin kurajë qytetare dhe profesionale. Kjo do të tregonte emancipimin e shoqërisë sonë, e veçanërisht të elitës sonë plitike dhe inetelektuale, një pjesë e mirë e së cilës  vuan edhe sot nga autocenzura dhe komplekset politike.

            Loja me datën e çlirimit nuk bëhet bëhet për motive shkencore, por për mohimin e luftës Nacional-Çlirimtare nga e djathta “nacionaliste”. S’është aspak e vërtetë se e djathta e sotme, PD-ja kërkon të vërtetën historike, faktin historik. Jo. Ajo, duke mos guxuar t’i kundërvihet hapur Luftës çlirimtare të popullit shqiptar, kërkon tërthor zhbërjen ë kësaj lufte si vepër e popullit shqiptar në udhëheqjen ë Partisë Komuniste dhe , në pamundësi për ta bërë këtë, të minimizojë këtë luftë, duke e çvlerësuar.

            Unë e kuptoj gjithë këtë mllef të pinjollëve të kolaboracionistëve të dikurshëm ndaj 29 nëntorit, jo thjesht si datë, por si akt historik. Nacionalistët, (ballistët kryesisht), familjet e mëdha shqiptare nuk mund të pranonin që PK dhe E.Hoxha (për mefshtësi apo miopi politike të tyre) t’u hante racionin politik. Sepse e dinin që çlirimi i atdheut është një akt madhor historik.

            Pra, është një meritë e madhe historike që hipotekohet në memorien kombëtare dhe ,sipas tyre (medet!) këtë meritë duhet ta kishte paria shqiptare (Balli) dhe jo komunistët “kalamaj”.!..Por ja që kështu ndodhi. Ata gabuan dhe u ndëshkuan rëndë. Humbën pushtetin dhe gjithçka. Kjo është drama e tyre. Por kjo nuk korrigjohet dot më as duke shpifur për Luftën nacional-çlirimtare, as me pseudostudimet e pinjollëve të humbësve të mëdhenj të Luftës së dytë Botërore, që me zë të ngjirrur kërkojnë ndonjë pushkë nacionaliste,që goditi mbi pushtuesit.

            Ne nuk mund të rikthehemi në vitet e Luftës së Dytë Botërore të ngjallim Duçen dhe Hitlerin për t’u dhënë “shansin” historik nacionalistëve, që kësaj here ta "çlirojnë" ata Shqipërinë!..

            Ë majta e sotme duhet të jetë krenare dhe ta mbrojë fort Luftën Naconal-Çlirimtare të popullit shqiptar (të udhëhequr nga komunistët) sepse ajo luftë na lidhi me koalicionin e madh anglo-sovjeto-amerikan. Po të qe ndryshe, po të veprohej siç bënë nacionalistët kolaboracionistë, që zgjodhën bashkëpunimin me fashistët dhe nazistët, atëhere Shqipëria ndoshta nuk do të ekzistonte sot si shtet sovran. Prandaj nder dhe lavdi atyre që çliruan  Atdheun më 29 Nëntor 1944!


Botuar ne gazeten "SOT" 03.12. 2013