RRËFIMI I NJË BALLISTI TË
SINQERTË
Nga Petrit Qejvani
Jemi mësuar të dëgjojmë këto 23 vjet dëshmi
standarte të palëve të ndryshme politike lidhur sidomos me Luftën Nacinal-Çlirimtare dhe rolin e tyre
në këtë luftë.Në një ekran kombëtar pata rastin të ndjek , para pak ditësh, një
intervistë të një ish- eksponenti të
Ballit Kombëtar.
Ishte
ballisti Sejfi Protopapa, alias Sali Protopapa, personazh i romanit të Dritëro Agollit “ Komisari Memo”,
por veçanërisht i njohur nga filmi “I teti në bronx”, ish komandant i çetës së
Ballit në Roskovec gjatë Luftës së Dytë
Botërore. Intervista e tij ishte interesante, jo aq për ngjarjet e luftës
Nacional-Çlirimtare se sa për qendrimin ndaj ngjarjeve të veçanta të saj.
Ajo
që të bënte përshtypje ishte se, ky ballist i papenduar, në shumë pikëpamje, e ,
sidomos ato të angazhimit të Ballit në luftë, ishte shumë pranë
qëndrimit dhe vlerësimit të historiografisë komuniste.
Ai tha pak a shumë se ne nuk donim të luftonim
kundër gjermanëve, por na thoshnin anglezet që të luftonim dhe më kujtohet se ne bëmë një
aksion kundër gjermanëve (ku na nxiti koloneli Nikols dhe majori Emery) dhe iu
morëm gjermanëve të vrarë këpucët!...Bile aty Sejfi Protopapa
tha se anglezët nuk bënin politikë, ata ishin me këdo, që luftonte
gjermanët. Pra, edhe nga ky dëshmitar ballist "sui generis" i terrenit të luftës del se Balli nuk kishte
ndonjë angazhim serioz në luftë. Ai pranoi se komunistët (partizanët) ishin më
të organizuar, ata bënin çdo gjë, zbatonin të gjitha urdhërat që merrnin (nga komanda e tyre).
E papritur ishte deklarata e tij, kur Protopapa tha troç se Balli ishte copë-copë, i
paorganizuar, pra, pa një komandë unike efiçente.
Dhe nuk ka dëshmi më të drejtpërdrejtë
se kjo. ( këtë e kanë pohuar më se një herë
edhe oficerët e misioneve angleze në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore), dhe fitoren e komunistëve shqiptarë e quajtën
me dhembje “Fijtora e Hidhur” R.Hibert). Dhe Protopapa nuk ishte pishman që kishte qenë ballist.
Përkundrazi, ishte krenar. Por ai, pas kaq vjetësh, me sa duket, kishte
reflektuar, ngjarjet dhe emocionet tashmë ishin ngrirë dhe pasojat ishin të
pandryshueshme. Pa dyshim kishte ndikuar edhe vendi ku banon prej më shumë se gjysmë shekulli, ShBA me idetë e
lira dhe demokratike.
ShBA luftuan vet kundër nazizmit dhe fashizmit
dhe kontribuan për çlirimin e Europës prej tij. Për këtë ata bashkëpunuan edhe
me komunistin Stalin. Pra, antikomunizmi i tyre ishte dhe antifashizëm. Kurse
nacionalistët shqiptarë, për inat të komunistëve, bashkëpunuan me fashizmin e
nazizmin! Ai la të nënkuptohet se në Ballin njeri i binte gozhdës dhe tjetri
patkoit. Kur gazetari i tha se Balli kishte një program të hartuar nga Mitat
Frashëri (ndoshta e kishte fjalën për Dekalogun Ballist) Protopapa u përgjigj se i dëgjohej fjala atij që kishte
ushtarë, që komandonte çeta, si per shembull Abaz Ermenit. Pra, nuk e merrte vesh i pari
të dytin edhe në ato pak aksione të
çetave balliste në fillim të Luftës. Dhe kjo është plotësisht e besueshme dhe konfirmohet nga misionet angleze në Shqipëri,
që kanë pohuar më se një herë se ne donim të përkranim forcat nacionaliste, por
ato qenë pasive në luftë dhe ne u detyruam të rritnim përkrahjen për partizanët
shqiptarë, pasi ata ishin forca kryesore në këtë luftë.
Sejfi
Protopapa dukej se qe i çliruar nga komplekset prej të cilëve vuajnë ballistët e tjerë, sidomos ata që kanë
banuar dhe banojnë në Shqipëri, fliste pa autoçenzurë dhe dukej i qartë në mendimet e tij. Pyetjes pse iku nga Shqipëria dhe kur iku iu përgjigj
fare esëll: Fituan komunistët, prandaj. Ne do na ekzekutonin. Edhe ne, po të
fitonim, do bënim të njëjtën gjë. Ishim armiq! Dhe, sipas logjikës së luftës, kishte te drejte : eliminimi i kundërshtarit ishte synimin kryesor dhe një veprim normal. Këto
pohime duhet t’i bjënë të mendojnë disa
njerëz të medias që të mos qorrollepsen
pas të qenit antikomunistë (aq në modë sot këtu te ne) për t’ u bërë pjesë e
deformimit të së vërtetës historike, vetëm për hir të kartës së djegur të antikomunizmit fals.
Si për
të dëshmuar të vërtetën historike se ballistët vepronin pa disiplinë luftarake
dhe pa rregull e moral në luftë,( ku kërkohet disiplinë e hekurt dhe ligje
drakoniane), zoti Protopapa tregoi një episod domethënës,
kur tha se kishte shkuar një ditë për kontroll të
çetës së Ballit në Shpirag dhe nuk i gjeti të gjithë ushtarët e Ballit aty,
pasi ata kishin ikur e zbritur për ditë
pazari në Roskovec për të gjobitur fshatarët, që shisnin mallrat e tyre në treg.
Kur gazetari pyeti pse, merrnin taksat? ( një pyetje naive kjo) u përgjigj: jo. Ata
u merrnin fshatarëve një pjesë të fitimit të mallrave të shitur!.. Pra, ishin
grabitës!
Ky
episod tregon se disa skeçe dhe parodi të estradave te socializmit nuk ishin
thjesht trillime apo fantazi. Bile Protopapa tha se e kishte arrestuar njerin
prej tyre, e kishte lidhur me litarë rreth e rrotull trupit dhe do ta
ekzekutonte para fshatarëve. Dhe, pa u druajtur fare iu drejtua gazetarit: Edhe ty, po të të kisha përballë, do të kisha
vrarë!Kjo është lufta...
Protopapa
origjinal ishte dhe kur u pyet
për politikanët kryesore të sotëm, Berishën dhe Ramën. Bile i karakterizoi fare
shkurt. Për Berishën tha se dështoi, u
mund. Ai i ka vjedhur zgjedhjet ( me siguri fliste për zgjedhjet e mëparshme). Mendim
ky që buron prej pikëpamjeve demokratike në vendet ku bëhen zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ndërsa
për Ramën tha se e kishte takuar në Amerikë, por nuk ia kishte mbushur mendjen
për udhëheqës i Shqipërisë.
Siç del nga kjo intervistë, zoti Protopapa shfaqet një ballist, që duhet respektuar për
siqeritetin dhe objektivitetin e tij. Sidomos për profilin e tij të veçantë. Ndryshe
nga të tjerët, që duan të paraqiten si heronj të luftës dhe protagonistë të
saj, ai e pranon se nuk arritën në nivelin e protagonistit, rol të cilin arritën ta luajnë komunistët,që ,
në krye të formacioneve partizane, çliruan Shqiperine.
Dëshmia e zotit
Protopapa është një zë autentik , veç dokumenteve dhe të vërtetave historike të
arkivuara, se zmadhimi i rolit të ballistëve në
Luftë për hir të inatit me komunistët
dhe Enver Hoxhën, tregon se antikomunizmi, jo vetëm i ballistëve, por edhe i disa mediave dhe
gazetarëve, si kartë ideologjike, nuk mjafton për të manipuluar historinë.
Antikomunizmi
dhe e vërteta historike janë dy gjëra të ndryshme.
Botuar ne gazeten "Shekulli" 05.01.2014
Botuar ne gazeten "Shekulli" 05.01.2014
Δεν υπάρχουν σχόλια:
Δημοσίευση σχολίου