A MUND TË DALË PARA
GJYQIT BERISHA?
Nga
Petrit Qejvani
Kjo pyetje dyshuese mendoj se mund
të bëhet sot, jo aq si shprehje e kërkesës per ndëshkimin e korrupsionit
qeveritar nga ndërkombëtarët (ndonëse ata ngulin këmbë për këtë) sesa si
dëshirë e shumicës së shqiptarëve të vjedhur dhe poshtëruar nga qeverisja
arrogante dhe hajdute e Berishës.
Pra, në parim, as që vihet në dyshim
dalja e tij para gjyqit, pasi para drejtësisë duhet të dalë gjithkush, që
dyshohet për krime, për shkelje të ligjit, aq më shumë kur akuzohesh për më tepër se një krim.
Para gjyqit nuk dalin vetëm
diktatorët, por edhe ata vetëm sa kohë
janë në pushtet. Por edhe në rastin
konkret Berisha duhet të përballet me drejtësinë. Të paktën të dëshmojë para
saj, sidomos për Gërdecin e famshëm dhe vrasjen e demostruesve paqësorë më 21
janar 2011. Ndërsa disa media e kanë artikuluar qartë këtë, (ndoshta dhe për ta
nxitur drejtësinë e korruptuar dhe të tulatur shqiptare para politikës,)
maxhoranca politike as që ka lënë të nënkuptohet se mund të ndodhë një gjë ë
tillë. Nëse është taktikë apo jo, kjo, jo larg, ka për t’u kuptuar.
Këtë shqetësim shpreh edhe akademiku
Rexhep Qosja në një intervistë për “Gazetën shqiptare”. Duke qenë i bindur se
korrupsioni nuk mund të luftohet pa dënuar Berishën si “baba” të korrupsionit
në Shqipëri, më poshtë deklaron se maxhoranca duhet të ketë kujdes dhe e lidh
këtë me fjalorin arrogant të Berishës dhe kryetarit kukull të opozitës Basha si
dhe me një deklaratë të Berluskonit ( mik i Berishës) se, “po të arrestohem unë,
në Itali do ketë revolucion!” Dhe ,pasi thotë se në Itali një fjali
e tillë është një deklaratë komike, në Shqipëri “nuk është liruar prej
ngjyresash”. Pra, në Shqipëri edhe mund të ndodhë diçka si “revolucion”!...
Që kjo është diçka e komplikuar në
Shqipëri, s’ka asnjë dyshim. Por që Berisha duhet ndëshkuar për ato zullume që
ka bërë qysh prej 1996, kur përgjaku zgjedhjet e 26 majit dhe ndëkombëtarët (
më saktë amerikanët) nuk e pranuan rezultatin e manipuluar e me radhë sulmin mbi institucionet e shtetit
më 1998, që detyruan kryeministrin frikacak socialist Fatos Nano të braktiste
detyrën e të arratisej në Maqedoni ( në vend që t’i ndëshkonte puçistët) e deri
te Gërdeci dhe 21 janari i përgjakur, edhe kjo nuk ka dyshim.
Natyrisht, në fillim duhet të dalin
para drejtësisë leitnantët e tij, pastaj kapoja i tyre. Por kjo do lartësi
morale dhe guxim prej gjykatave, të cilat ai i ka korruptuar dhe frikësuar qëllimisht, kur ishte në
pushtet. Berisha vepron kështu pasi nuk është ndëshkuar për zullumet që ka
bërë.
Ai i përbuz gjykatat, sepse përbuz
drejtësinë, pasi ka frikë prej saj. Kështu ka vepruar ai edhe kur ishte në
opozitë me rastin e gjyqit për vrasjen e
Azem Hajdarit, kur nuk u paraqit asnjeherë në gjykatë për të dhënë shpjegime
për deklaratat kontradiktore për këtë vrasje. Ai deklaronte se nuk i njihte
këto gjykata, se ato ishin të politizuara, ndonëse prokuror u caktua një i
huaj.
Prandaj si akt i parë drejt gjykimit
të tij të jetë çuarja e tij para drejtësisë me forcë ( ai vet nuk shkon, sepse
i duket fyerje kjo për mentalitetin ë tij feudal) me statusin e dëshmitarit për
ta kuptuar më në fund se është vdekatar dhe i ndëshkueshëm si gjithë të tjerët. (Të mos harrjmë se para
prokurorit doli dhe presidenti i famshëm Bill Klinton. Dhe përse? Jo për krime,
por për nje histori të supozuar dashurie
). Dhe këtë duhet t’ia garantojë gjykatës maxhoranca politike. Sa për atë që,
nëse ndëshkohet ai mund të ketë (?!) një revolucion, kjo s’ka për të ndodhur
kurrë, pasi revolucioni u bë më 23 qershor dhe e rrëzoi nga pushteti pët t’i
hapur rrugë edhe ndëshkimit ligjor. Askush
nuk vlen sa Shqipëria! Me këtë rast mund të ketë ndoshta një tentativë për
kudërrevolucion! Një mision ky i pamundur. Revolucionet e suksesshëm i bëjnë
shumicat dhe jo pakicat, aq më tepër pakicat amorale dhe të manipuluara.
Paraqitja e politikanëve të lartë para drejtësisë është një akt i domosdoshëm
për rimëkëmbjen e drejtësisë servile dhe frikacake shqiptare. Ai është tregues se
shteti i së drejtës, aq shumë i reklamuar në Shqipëri, më në fund po
konsolidohet.
Dhe unë jam i bindur se,veçanërisht,
dalja e Berishës para togave të zeza do të shënojë fillimin e konsolidimit të
shtetit ligjor dhe afirmimit të pavarësisë se sistemit gjyqsor. Pasi ai është
simboli i korrupsionit dhe krimit të organizuar, simbol i “trimërisë”
antiligjore. Atëhere do tremben dhe “trimat” hajdutë të politikës. Atëhere do
ta kuptojmë sa mirë i kemi shërbyer Shqipërisë dhe shqiptarëve. Atehere
Shqipëria do të bëhet një shtet normal, larg frymës së konfliketeve te thella
dhe destruktivitetit permanent, që e ka sfilitur këtë vend.
Si përfundim, dalja e Berishës para
drejtësisë është jo vetëm e mundur në parim, por edhe e domosdoshme si fakt për
normalizimin e jetës politike dhe shoqërore në Shqipëri, për shëndoshjen e
demokracisë shqiptare.Prandaj asnjë frikë apo drojë për ndëshkimin e tij. Ndryshe
do të thotë që ka një aleancë të pashpallur midis palëve politike për mos
ndëshkim reciprok pas alternimeve të pushtetit.
Botuar ne gazeten "SOT", date 24.12.2013 dhe ne gazeten "DITA" date 27 dhjetor 2013
Botuar ne gazeten "SOT", date 24.12.2013 dhe ne gazeten "DITA" date 27 dhjetor 2013
Δεν υπάρχουν σχόλια:
Δημοσίευση σχολίου