Παρασκευή 27 Σεπτεμβρίου 2013

PJESTIMI I FITORES

 PJESTIMI I FITORES

                                                                             Nga Petrit Qejvani


                        Ardhja ne pushtet e maxhorancës së majtë më 23 qershor, po shoqërohet edhe me disa dukuri tipike të koalicioneve, siç është ndarja e tortës fituese (qeveritare).

            Por kjo nuk është një punë e lehtë pas tetë vitesh në opozitë dhe kur fitimtarët janë një tren me shumë vagonë. Mirëpo pushteti dhe shteti janë në ujdi përsa i përket proporcionalitetit të secilit dhe kanë limite.
            Të gjithë aleatët janë rreshtuar me lugë në brez para asaj që ka mbetur tashmë nga torta qeveritare, pas ndarjes së pjesës qëndrore të tortës (qeveria) që u nda midis dy aleatëve të mëdhenj PS dhe LSI. Të vegjëlve sigurisht që as u shkonte ndër mend të shijonin atë pjesë, por këmbëngulës dhe të uritur presin aty racionin që do t’u japë kryefitimtari,(kryeministri).
            "Babagjyshi" i qeverisë ( jo i vitit te RI) Rama vështirë t’i kënaqë aleatët e vegjël grindavecë me thesin e limituar të “dhuratave”, të cilat, në ndryshim nga dhuratat simbolike të vitit të Ri, nuk janë ca kutiçka me arusha dhe karamele, por janë karrike që prodhojnë para, pra portofole. Megjithëse ka patur një kusht sipas të cilit shpërblimi me poste do të bëhet sipas kontributit: ajo parti, që i ka dhënë më shumë shuplaka qeverisë së rrëzuar, do ta ketë copën e tortës më të madhe. 
            Disa prej tyre, ndonëse aleatë të vjetër, për shkak të numrit më të vogël të shuplakave dhënë qeverisë, që iku, mund të kënaqen thjesht duke ngjyer gishtin ose lëpirë lugën, pasi kanë mbaruar punë të mëdhenjtë…
            Mirëpo nuk duket kështu. Ca të vegjël kanë oreks të madh. Për shembull një i vogël, por zhurmëmadh nuk e pranoi “racionin”, që i dha shefi i maxhorancës, pasi donte me shume.
            Të tjerë të vegjël vazhdojnë pretendimet e tyre, siç ishte rasti i një partie aleate njëdeputetëshe, i cili kërkoi nja 13 drejtorë dhe prefekta, një tjetër, i së njëjtës familje politike, që kishte fituar disa qindra vota, deshi nja dy zv.ministra e ca drejtorë e kështu me radhë.
             Sipas kësa logjike i bie që Shqipëria të ketë nja 200 prefektë, 500 drejtorë drejtorie, nja 100 zv.ministra, qindra doganjerë dhe mijra tatimorë etj.! Bile, disa  kryetarë partie aleatë deklarojnë se kanë kapacitete të tilla intelektuale për çdo lloj posti!…
            Sigurisht që këtu ka babëzi dhe paturpësi dhe kjo situatë groteske të kujton së largu një personazh partizan të Kadaresë në ditët e para të pasçlirimit, kur qeveria komuniste e Enver Hoxhës po krijonte administratën e saj tashmë të zbrazur prej borgjezëve, i cili kishte dëgjuar se po ndaheshin postet dhe, kur takon një shok të tijin në rrugë, i thotë: Ë more vesh? Po ndahen postet! Tjetri u habit. –E di kush është bërë drejtor kinemaje? Ai që nuk ka  parë asnjë film!...
            Sigurisht kjo situatë ka brenda ironinë dhe flet për një periudhë shumë të largët,  e cila justifikohej për shkak të një revolucioni, ku besimi politik (partiak) ishte kryesori. Por në parim analogjia qëndron.
            Natyrisht Rama e di vet çdo bëjë, por kujdesi për cilësinë e listave të partive duhet të jetë në lartësinë e duhur. Kriter nuk duhet të jetë vetëm kontributi në rrëzimin e qeverisë Berisha (pra numri i votave), por dhe profesionalizmi dhe figura morale. Shqiptarët  i lodhi dhe mërziti boll arroganca dhe amoraliteti i administratës Berisha. Tani duan një administratë tjetër, një administratë për qytetarët.
            Se po shohim sërish të sillen rrotull ish-kryetarë partie, ish- sekretarë, ish-prefektë, ish kryetarë qarqesh.ish-doganjerë, që pasi zbritën nga fshati pas 1990 ( nuk kam asgje me fshataret, bile i respektoj per shpirtin praktik), po kërkojnë shpërblimin për angazhimin në fushatë pas deputetëve, se kanë harxhuar karburant, goma makinash dhe shuaj këpucësh për fitoren…
            Disa prej tyre, shumë të shkathët dhe servilë, që i gjen gjithmonë të ngjitur pas pushtetit, me gjithëse jashtë profilit (agronomë, zoteknikë apo fizkulturistë), arritën doganjerë ose drejtorë doganash e tatimesh dikur me socialistët, nderruan lukun, blene makina te shtrenjta, unaza si te sheikeve dhe zinxhire floriri, qe ju rrethonin qafat e majme, ndërsa tani, pas ikjes nga PS te LSI apo anasjalltas, duke ia parë hajrin pushtetit, kërkojnë sërish të jenë pranë qypit me mjaltë..
            Prandaj PS dhe Rama duhet t’i filtrojnë kandidaturat, edhe kur kryetarët e partive aleate këmbëngulin për persona të veçantë,  shpesh të kompromentuar dhe  të demaskuar në sytë e socialistëve të thjeshtë apo qytetarëve të tjerë.
             Rilinja, në radhë të parë, duhet të jetë një Rilindje morale.


Σάββατο 21 Σεπτεμβρίου 2013

NJË AVOKAT I ÇUDITSHËM I BERISHËS

 NJË AVOKAT I ÇUDITSHËM I BERISHËS

                                                                                    Nga Petrit Qejvani

            Ka ca ditë që media, sidomos elektronike, po i bën jehonë botimit të nje libri të nje adhuruesi pa kushte të Berishës me titullin “Kundër –Reformë”. Me ç’e kam dëgjuar vet autorin e librit në disa studio televizive, ku ka qenë i pranishëm për të promovuar “idetë” ë tij thellësisht  liberaliste, thelbi i mëtimit të tij teorik ka qënë të shpjegojë pse shqiptarët votuan më 23 qershor masivisht kundër Berishës. Dhe duket se e gjen një përgjigje “interesante” teorike, kur thotë se shumica ë shqiptarëve nuk e kuptuan , nuk i deshën ose nuk i duruan dot reformat liberale të Berishës, këtij Adam Smithi “modern”shqiptar! (keto te fundit, jane fjale te miat).
             Për t’u bërë i besueshëm dhe për të maskuar berishizmin ë tij politik,( jo ideologjik, sikundër u shpreh ai) tani që Berishën shqiptarët e rrëzuan me një revolucion elektoral, deklaron se nuk është i angazhuar politikisht (pra nuk flet si një politikan,por…si ideolog(!)), as ka simpati politike për Berishën,por, (vini re!), me Berishën e bashkon ideologjia e njëjtë liberale, reformat ë thella të Berishës për të cilat ka nevojë një ekonomi kapitaliste.
            Por ky zog i mendimit të lirë, që pretendon se s’ka lidhje me politikën, veç me biznesin, ka cicëruar gjithë ditën në kafazin ë Berishës. Përndryshe nuk mund të përfitonte prej tij. Berisha ka qenë një mjeshtër për të shfrytëzuar pushtetin. Mirëpo jo të gjithë e kanë kujtesën të shkurtër.
            Në ditët e nxehta të fushatës elektorale po ky analist nuk pushoi së mbrojturi PD-në dhe Berishën, edhe kur ishte përballë provave dhe fakteve, që flisnin kundër qeverisjes së tij arrogante, hajdute dhe të papërgjegjshme.
            Bile arriti deri aty sa në një debat televiziv, me një zë tipik prej shkarësi (hileqari) tha , as më shumë, as mëpak se Berisha vërtet ka ca gabime ë dështime, si korrupsioni, por nuk ë kemi ende opozitën ë duhur, pra nuk kemi ende një alternativë të kësaj qeverie, prandaj,po citoj thuajse në ligjëratë të drejtë atë që tha: le të presim edhe 16 vjet po qe nevoja, sa të vijë opozita ë duhur dhe ë kemi mirë këtë qeveri, megjithë gjynahet ë saj!..
            A ka deklaratë më qesharake dhe më politike prej fanatiku të Berishës?!.Kjo deklaratë e nxjerr açik një ushtar të propagandës së Berishës dhe aspak si një njeri “teorik” që e bashkojnë me Berishën thjesht pikëpamjet ë njëjta ideologjike…
            ”Kundër –reforma” ë shqiptarëve më 23 qershor është ndëshkim për një qeverisje të mbrapshtë, të korruptuar dhe arrogante. Shqiptarët nuk votuan kundër Berishës vetëm se u varfëruan në vitet e qeverisjes së tij, kundër reformave në vetvete, por se u lodhën dhe u poshtëruan nga regjimi që ai instaloi.
             Shqiptarët, për fatin ë tyre të keq, mund ta durojnë varfërinë, sepse janë mësuar me të, por nuk mund të durojnë për një kohë të gjatë një qeveri që i vjedh dhe i tall, që i fyen duke i gënjyer nga mëngjesi në darkë, që flet për një parajsë shqiptare( që ësht ë tillë vetëm për qeveritarët) në vendin më të varfër të Europës.
            Nuk ka gjë më të urrejtshme  se pushteti i hajdutëve.Më 23 qershor pikërisht shqiptarët rrëzuan nga pushteti hajdutët.
            Pra, jo si thotë analisti liberalist se shqiptarët votuan kundër reformave kapitaliste të Berishës, shqiptarët votuan kundër korrupsionit të Berishës, kundër arrogancës dhe poshtërimit, që qeveria po u bënte qytetarëve. Por këtë nuk e “zbulon” dot militanti politik Çili, sepse kjo ia djeg “kartën” teorike ideologjike liberaliste.
            Më 23 qershor në fakt shqiptarët votuan pro reformave dhe kundër hajdutëve, sepse hajdutët nuk mund të bëjnë kurrë reforma, veç mund të vjedhin!
            Dhe s’ka avokat, sado hundëhollë, që të devijojë arsyen  e ndëshkimit politik të 23 qershorit.
Shqiptarët votuan që qeveria të mos futë duart e saj të gjata deri në fund të xhepave të qytetarëve, që në zyrat ë shtetit qytetari të marrë shërbimet që i takojnë me dinjitet, që shqiptarët të marrin pronat që u takojnë, që të mos blejnë të drejtat e tyre në gjykatat ë krimbura nga korrupsioni, që të mos paguajnë nën dorë e mbi dorë për shërbime që ligji ua njeh falas.
            Pra, shqiptarët votuan pro reformave më 23 qershor, për një shtet ligjor, që të marrin ç’u takon si në Europën demokratike dhe jo një shtet të familjes, te klanit apo bajrakut të të parit të qeverisë, siç ishte deri më 23 qershor.

VO Ky shkrim u publikua online dje ne mbremje ne gazeten Tema
Ps. Nuk dihet pse sot ne mengjes ishte fshire nga faqja e Temes, ku, brenda 3 oresh kishte 8 komente!?...