Πέμπτη 19 Ιουνίου 2014

KUR SHTETI E KA SERIOZISHT



                        KUR SHTETI E KA SERIOZISHT



                                    Nga Petrit Qejvani



            Më së fundi  shteti e ka seriozisht luftën kundër krimit dhe nakotrafikut.Policia e shtetit ndërmori një operacion të gjerë dhe hyri në Lazarat,në fshatin problematik të drogës, ndonëse ende nuk e ka nën kontroll gjithë territoron ë fshatit. Por operacioni policor do të vazhdojë, sipas krerëve të policisë dhe deklaratës së kryeministrit nga Gjermania, ku nënvizon se operacioni i policisë do të vazhdojë derisa të vendoset plotësisht rendi dhe ligji. Dhe ky është një lajm i mirë dhe i shumëpritur për të gjithë. Kjo është një fitore e shumëfishtë: e policisë, e qeverisë dhe e shtetit. Por, mbi të gjitha, kjo është një fitore e qytetarëve të ndershëm shqiptarë, që kërkojnë zbatimin e ligjit dhe forcimin e shtetit si garant të qetësisë dhe sigurisë publike.

             Ra kështu “Republika autonome e hashashit” brenda territorit të Shqipërisë, që i bënte karshillëk shtetit deri para pak ditësh.U shemb miti i fshatit antishtet e antiligj. Një ndërmarrje që duhet përshëndetur.

            Kjo tregon se, kur shteti e ka seriozisht, domenet e krimit janë të përkoshëm. Dhe të ashtuquajturit të fortë”janë veç ca pleshta. Kjo është fitore edhe për lazaratasit, sepse e ndan përfundimisht atë fshat nga krimi i organizuar dhe trafiku i drogës me gjithë pasojat, që rrjedhin prej saj. Le ta harrojnë si një ëndërr të keqe. “të zhdrogohen” që të vijnë në jetën normale. Mbi të gjitha, ky operacion është një goditje e fuqishme, që i jepet mentalitetit të rrënjososur gjithë këto vite se puna e pandershme të pasuron e të siguron mirëqënie. Pra, Lazarati u bë simbol i pasurimit të paligjshëm, mentalitet ky që u formua sipas koncepteve ala berishiane për kapitalizmin, si sistem i hurit dhe litarit, ku secili duhet t’ia hedhë tjetrit, të mashtrojë, të grabitë sipas ligjit të xhunglës.

            Berisha krijoi menatlitetin e rrezikshëm se ligjet mjafton të shpallen, por në praktikë mund të shkelen nga më të fortët, duke e kompromentuar që në fillim kapitalizmin, ende pa u ndarë mirë nga socializmi. Shkelja e ligjit u bë ligjësi në shoqërinë shqiptare dhe mosndëshkimi i tij u bë “kulturë” sunduese. Ky model i kapitalizmit shqiptar apo ndryshe anarkodemokracia shqiptare u injektua thellë edhe  në një pjesë të mirë të popullsisë dhe u shndërrua në mentalitet dominues siç ishte dhe rasti i Lazaratit.Sepse ky ishte vizioni i PD-së për kapitalizmin, prandaj lulëzuan piramidat ekonomike, një kumar i madh ku luajtën  si në një dalldi kolektive të gjithë shqiptarët dhe humbën pasuritë e vëna me mund e djersë në vitet ë para pas 1990-ës.

            Pra, faji nuk është vetëm i lazaratasve, por sidomos i politikës. Lazarati u shndërrua në fshatin simbol të kanabisit me bekimin ë plitikës , të Partisë Demokratike vecanërisht, e cila e përdori Lazaratin politikisht. E lejoi të kthehej i tëri në një rezervat droge, sepse e kishte hambar elektoral. Pra Lazarati “ antikomunist”  u bë Lazarati i droges. Ai ishte tashmë  “fshati i Partisë, i përkëdheluri i saj. Dhe jo vetëm për vota. Partia Demokratike kishte aksionet ë saj  në drogën e Lazaratit.. Mirrte përqindjen e saj të majme. Kështu u kriminalizua një fshat i tërë sipas parimit “shih rrushi rrushin e piqu”.Prandaj :Rroftë liria! Rroftë demokracia! Rroftë kanabisi! Dhe  një fshat i tërë u shndërrua në një fshat narko-trafikant. Një fshat i dominuar nga drogomania, jo “për bukën e gojës” sic do dekl;aronte kryekomunari i korruptuar i saj ( sepse cdo shtepi kishte me tonelata) as për  përdorim vetiak, por për ta shitur, pra , për fitim.( nga media u tha se u dogj vetem këto dy ditët ë fundi rreth10 ton drogë!. Dhe cfarë fitimi se! Miliarda! Prandaj rekrutonin dhe argatë nga krahina të tjera të Shqipërisë, duke e shndërruar këtë fshat në një “Las Vegas” për të varfrit e krahinave të tjera, sic e tha nje punëtor me mëditje i plantacioneve të  kanabisit këto ditë.Dhe kjo është kaq ë vërtetë, saqë mjafton të shikoje investigimet e emisionit “fiks fare” të Top channel, ku mbjellja dhe përpunimi i hashashit ishte kthyer në një ekonomi familare dhe kjo bimë ‘ë bekuar” ishte kthyer në kulturën kryesore bujqësore për Lazaratin. Dhe, meqë modeli i Lazarati nuk u ndëshkua për një kohë të gjatë, kultivimi i saj u përhap në gjithë Shqipërinë.

            Dhe absurdi ishte se, nëse qytetarët e tjerë dënoheshin 5 vjet e lart për 5 rrënjë kanabis ( kujtoni një plakë 70 ë ca vjece që ë kanë transmetuar edhe televizionet para disa vjetësh) te dera ë shtëpisë, lazaratasit, që kishin mbjellë plantacione i gëzoheshin milionave që merrnin kur shisnin prodhimin e bekuar. Për lazaratasit kanabisi ishte zbulimi më i madh i demokracisë. Kjo histori duhet të merrte fund.Dhe erdhi momenti. Prandaj ndëshkimi i tanishëm ka vlerë të madhe edukative, sepse krijon mendimin e shëndoshë se mirëqenia duhet të bazohet në punën ë ndershme dhe të ligjshme.Ashtu sic bëjnë shumica ë shqiptarëve.

            Ky opracion i policisë së shtetit i cjerr maskën propagandës së rreme antitrafik të PD-së dhe krerëvë të saj në lidhje me seriozitetit ë “ kauzës” së tyre antidrogë dhe  të ashtuquajturës “aleancë kombëtare kundër drogës”.

            Ë vërteta është e thjeshtë: po ta kishte seriozisht PD-ja  kishte kohë 8 vjet për ta  bërë këtë, që po bën qeveria ë tanishme. Por nuk mundi ta bënte për arsyen ë thjeshtë se ishte palë me trfikantët e drogës. Se ia kishte parë hajrin kësaj  pune. Luftën kundër krimit dhe trafikut të drogës posacerisht. e bën vetëm ajo qeveri që nuk ka pakte ë pazare me krimin. Me këtë rast kjo qeveri i hoqi paq fare opozitës së drogës “kauzën” ë saj të vetme kundër maxhorancës. Tani nuk i mbetet vec të sajojë ndonjë “kauzë” të re, që të mund të mbijetojë politikisht dhe të mbajë rradhët ë shpartalluara të saj. Por modeli i Lazaratit ndikoi në lazaratizimin e Shqipërisë( kanabisi u përhap kudo)  saqë u bë problem ndërkombëtar dhe Lazarati u bë i famshën në botë.

            Por më e rëndësishmja ishte ndikimi i tij në drejtësinë shqiptare ose lazaratizimi i saj ,në kuptimin ë inkriminit ose shit- blerjes së drejtësisë. Për pasojë trafiku i drogës mbeti i pandëshkuar dhe trafikantët bridhnin lirisht se e kishin blerë lirinë e tyre, duke paguar prokurorët dhe gjykatësit, që gradualisht u bënë protektorë ë gardianë të krimit të organizuar.

            Kështu, shteti shqiptar po shndërrohej në një shtet të mafias, ku ligji humbi kuptimin, u krijua aleanca ë krimit me ligjin dhe politikën, një aliazh i rrezikshëm, që betonon shtetin e padrejtësisë, ku qytetari i ndershëm s’ka ku të përplasë kokën. Pikërisht për këtë  ky operacion i policisë është sinjali i parë domethënës se shteti, kur e ka seriozisht, di ta mposhtë krimin dhe baronët e krimit.Ky operacion i policisë  duhet përshëndetur nga të gjithë qytetarët e ndershëm që përbëjnë shumicën dërrmuese të shqiptarëve dhe të lerë mënjanë qyqet e Partisë Dëmokratike, që qajnë për trafikantët ë tyre dhe anatemojnë policinë dhe qeverinë. Nga njera anë thonë  se gjoja policia po bën show, nga ana tjetër  se po ushtron terror psikologjik mbi banorët e Lazaratit!Turbullirë ne kokën ë PD-se! Ndodh kështu pasi nuk ë mendonin kurrë që qeveria do të ndërmerrte ndonjë aksion të tillë, që i demaskon keqas në sytë ë opinionit publik shqiptar  dhe atë ndërkombëtar.

            Pa dyshim që ky është një sukses i qeverisë dhe një fitore e qytetarëve të ndershëm.Por kjo nismë pozitive dhe fitore për shtetin dhe qytetarët është një ogur i mirë, që ka rrezikun të sabotohet e të dështojë nga drejtësia e korruptuar shqiptare.   Qeveria duhet ta shpëtojë këtë fitore të saj domethënëse, duke shpartalluar këtë drejtësi të korruptuar dhe ortake të krimit të organizuar, gjë që ia kanë kërkuar, qysh kur erdhi në pushtet disa publicistë ( midis te cilëve dhe autori i  këtij shkrimi)  dhe medie progresiste. Ndryshe, dështimi do jetë katastrofal.

            Le të shpresojmë se kësaj here qeveria nuk do hutohet nga “sirenat” ë opozitës dhe ato “të pavarura”.Që të fillojë të ndërtohet shteti i vërtetë ligjor, shteti i qytetarëve. Amin!

Botuar ne gazeten "Shekulli" date 22 qeshor 2014

Κυριακή 8 Ιουνίου 2014

INFERIORE DHE NE SHTEPINE TONE



                                    INFERIORË EDHE NË SHTËPINË TONË

                                                           

                                                            Nga Petrit Qejvani

           

            Mjaftoi  që dhe një shenjtërim të çshenjtërohej ( deklarata shoviniste e kryepriftit serb Irinej për Kosovën) për të  konfirmuar edhe një herë se njerëzit e fesë nuk merren vetëm me punët e Zotit për të cilën janë thirrur nga i Plotfuqishmi, por edhe me punët jo të paqme të “robit”! Por në këtë shkrim nuk do merrem me këtë problem kaq të komentuar këto ditë. Do merrem vetëm me dy “incidente” të vegjël, por që flasin shumë për shkak të qëndrimit asimetrik dhe pa kuptim të forcave të policisë.

            E para: Dy incidente, që do t’i bashkoja në një për nga mjeti i përdorur dhe qëllimi : flamuri (përkatësisht ai shqiptar dhe ai serb), të demostruar nga dy grupe të rinjsh, respektivisht shqiptarë dhe serbë, para katedrales, që po shenjtërohej në ato çaste dhe që ruhej me vigjilencë nga policia. Nëse të dy grupet e të rinjve provokuan të njëjtin “incident”, policia mbajti (nuk e kuptoj pse) dy qendrime të ndryshme : të rinjtë shqiptarë u shoqëruan në polici, kurse të rinjtë serbë, pa u shqetësuar fare, bënë edhe një foto me flmurin serb. Nëse veprimi i të rinjve shqiptarë u konsiderua provokacion nga policia (!) , veprimi i të rinjve serbë ,që ishte një provokim i hapur, u trajtua si dicka normale. Ç’donte të thoshte ajo shpalosje e flamurit serb në mes të Tiranës?! “Trimëri” serbe, shovinizëm serb?  Apo krekosje serbe? Kujt i bënin karshillëk një grusht të rinjsh serbë në një ditë që s’ishte aspak ditë e tyre, as festë e Serbisë, por në rastin më të mirë, një ditë festive për ortodoksët shqiptarë në radhë të parë? Le të ngrinin kryqin, po të donin, meqë ai është simbol i krishtërimit! Por ata kishin ardhur “të armatosur” në Tiranë me shovinizëm e nacionalizëm agresiv, provokativ se e kanë mësuar që, këtu, udhëheqësit e sotëm shqiptarë ( të pas 90-ës) e kanë “qullur” patriotizmin për shkak të servilizmit, në mos për diçka tjetër, që s’bie erë patriotizëm. Dhe ky ësht një turp.

            Nuk e di ç’udhëzime speciale kanë marrë forcat e policisë me këtë rast, veç detyrës së garantimit të ceremonisë dhe evitimit te  ndonjë provokimi dhe përplasjeje të mundshme, që, ç’është ë vërteta,s’do të ishte aspak e dëshiruar. Deri këtu në rregull.Por policia nuk duhej të vepronte me dy standarte: të rinjtë shqiptarë (u tha se  ishin të AK-së) t’i çonte në rajon të policisë, kurse disa ultranacionalistë të rinj serbë t’i shihte e qetë në provokacionin e tyre të neveritshëm! Ky është  jë turp dhe aspak një sjellje “moderne” e policisë sonë, sepse na poshtëron , na bën inferiorë në shtëpinë tonë..

            E mendojnë shefat e policisë shqiptare si do sillej policia serbe sikur kjo skenë të transferohej në Beograd? Pra, disa djem shqiptarë të shpalosnin flamurin shqiptar në mes të Beogradit?! Do thonë të mos krahasohemi me ta?! Po  pse? Sepse serbët i respektojnë në Europë e në botë më shumë se ne?! Serbët ç’nuk kanë bërë në shekuj kundër shqiptarëve deri pak vite më parë dhe Europa mezi lëvizi nga vendi me këmbënguljen amerikane dhe vazhdojnë ende të përkëdhelen nga Europa. Dhe u desh dhe deklarata e  “freskët” e shovinistit me veladon dhe kryq në qafë, Jirinej, qe ta degjonim edhe ne mes te Tiranes!

            Boll me servilizëm dhe përulje ndaj të tjerëve, sidomos kur këta të tjerë janë shovinistë të pandreqshëm, me një antishqiptarizëm atavik, që vazhdon deri në ditët e sotme, siç ishte deklarata politiko-shoviniste e Irinejt, identike me ato të politikanëve antishqiptarë serbë!

            Që qeveritarët tanë ( këtu e përjashtoj Ramën, sepse ai ia tha në sy Irinejt atë që duhej) kanë treguar një “mirësjellje” deri në servilizëm në raport veçanërisht me fqinjin e jugut, kjo është  provuar më se një herë. Por, të arrijnë deri aty sa të na poshtërojnë edhe në shtëpinë tonë, si ky rasti i fundit, kjo është e papranueshme. Dhe s’ka të bëjë fare as me mikpritjen tradicionale shqiptare, as me parimet e njohura të reciprocitetit, që zbatohen në marrëdhëniet midis shteteve apo institucioneve të ndryshme.

            Por kulmi i turpit arriti në një "incident"
 tjetër: atë kur policia largoi dhe shoqëroi në rajon një besimtare ortodokse shqiptare, e cila po protestonte në mënyrë kaq paqësore e simbolike, duke mbajtur në duar një portret të një ikone të ortodoksisë dhe kulturës shqiptare, Fan Nolit. Dhe për çudi, kjo nuk tërhoqi  pothuaj fare vëmendjen e medias ( veç prononcimit të saj të qartë) dhe tregon se ne jemi bërë kaq “modernë”, kaq kozmopolitë, saqë s’na bën përshtypje nacionalizmi ynë, pra, patriotizmi, falë kontributit të politikanëve tanë “internacionalistë!”. Ky është një vetposhtërim në shtëpinë tonë. Ky veprim i policisë përbën një turp tjetër për ata që kanë dhënë këtë urdhër. Pra, është turp për shtetin shqiptar, që demotivon ndërgjegjen dhe ndjenjat atdhetare të besimtarëve shqiptarë. Sepse vërtet ortodoksia është një si besim (fe) universal, por është edhe nacionale, pasi aplikohet në kombe e shtete  te ndryshme, në gjuhë të ndryshme, domethënë ka dhe nuanca e ngjyra kombëtare. Pikërisht këtë kërkonte ajo besimtarja ortodokse e vetmuar ( sa keq!) para katedrales. Siç tha ajo para medias, protestoj që mesha në kishat shqiptare të mbahet shqip, siç bëri Noli. Pra, thjesht kërkoi një të drejtë, që ia jep kanuni i Kishës Autoqefale Shqiptare për të cilën janë martirizuar dëshmorët  e saj. Se dhe kisha shqiptare ka martirët e saj.Shkurt, ajo kërkonte dinjitet kombëtar. Prandaj kishat ortodokse janë edhe kombetare  brenda ortodoksisë, si kisha greke, kisha serbe, kisha ruse, ajo polake, rumune etj. Pse në Rusi apo Serbi nuk nuk meshohet greqisht? Spse ato vende kanë zot (jo Zotin në qiell që është NJË për të gjithë, po zotërit e shtëpisë), qeveritarët e tyre.        Këtë duhet të kuptojnë politikanët tanë, të jenë më dinjitozë, sepse kështu ngrihet dhe dinjiteti i atdheut. Bile, mendoj se “protesta” ishte shumë e vogël.Në krah të besimtares së vetmuar  duhet të kishte më shumë besimtarë ortodoksë me portrete të martirëve dhe prijësve të ortodoksisë shqiptare si Papa Kristo Negovani, At Stath Melani. Visarion Xhuvani, Fan Noli etj. Sigurisht, pa parrulla ofenduese dhe fyerje. Njëlloj si ajo besimtarja e vetmuar. Dhe kjo do të ishte diçka e bukur  dhe dinjitoze në kuptimin fetar dhe kombëtar. Çka do të tregonte se besimtarët shqiptarë nuk janë thjesht “dele” të disa barinjve, që s’bejnë vetëm punët e Zotit...

            Por ,si në politikë, edhe në fe (midis besimtarëve), ka hyrë përçarja dhe manipulimi nga të huajt. Veçanërisht krerët e besimeve (në rastin konkret ata ortodoksë) janë manipuluar nga kisha greke dhe, për arsye të ndryshme, por jo të paqme. kanë bërë kompromis në kurriz të shqiptarizmës, që ka qenë një komponente e përhershme e besimit ndër shqiptarët. Dhe këtu, ndonëse jo drejtpërdrejt, roli i politikës dhe qeverive duhet të jetë i tillë që, në raporte me të huajt, dhe veçanërisht me fqinjët, të jemi të barabartë dhe pa komplekse. Duhet të kemi gjithnjë parasysh të vërtetën e thjeshte  se askush nuk të respekton, nëse nuk respekton veten.

Botuar ne gazeten SOT, date 12.06.2014

Παρασκευή 6 Ιουνίου 2014

PSE ATAKOHET REFORMA NE ARSIMIN E LARTE?



            PSE ATAKOHET REFORMA NË ARSIMIN E LARTË?



                                    Nga Petrit Qejvani



            As që pritej që reforma në arsimin ë lartë të mos shkaktonte debate, miratime dhe mospëlqime të ndryshme nga aktorë të ndryshëm, që lidhen drejtpërdrejt me pasojat e jetësimit të kësaj reforme. E rëndësishne do të ishte që debati të bëhej mbi parime e jo vetëm mbi interesa. Pasi jo gjithmonë parimet përputhen me interesat. Sidomos në momente të tilla siç është shoqëria jonë sot, kur interesat dominojnë mbi parimet, ndonëse shpesh mbulohen me parime.

            Por a është e nvojshme kjo reformë? Dhe pse i kundërvihen asaj? Dhe kush? Duke i dëgjuar shumë diskutime duket se kundërshtimi ka devijuar nga rrafshi  akademik dhe  ka anuar nga aspekti financiar, pra, nga paraja. Unë besoj se shumica e shqiptarëve do të ishin dakord për reformimin e arsimit të lartë për ta bërë më kompetitiv me atë të vendeve të tjera, më thjesht, për ta bërë të barazvlefshëm me to. Pra, forcimi cilësor i dijedhënies dhe dijemarrjes, që do të thotë rritje cilësore e produktit universitar, që konsiston në rritjen e nivelit akademik të trupës mësimore dhe të kërkesave ndaj studentëve si domosdoshmëri për një brez të ri me formim solid, të gatshëm për ndërtimin e një Shqipërie europiane të shekullit XXI.

            Pra, cdo reformë ka objektivat e veta, midis të cilëve njeri është themelor. Kurse në rastin tonë (pershkak të korrupsionit të përhapur gjerësisht) objektivi themelor lidhet me një objektiv tjetër, kësaj here moral, siç është lufta kundër korrupsionit edhe në këta “tempuj” të dijes, që fatkeqësisht janë pushtuar, si kudo, nga “djalli” i korrupsionit. Dhe kjo e kompromenton edhe prodhimin e këtyre institucioneve të dijes, ku informaliteti dhe skarciteti janë në nivele shqetësuese. Pikërisht për këtë shkak reforma do ndeshte në rezistencën e stafeve akademike të universitetve, flmuri ‘shpëtimtar” i të cilëve do të ishte autonomia.

            Pra reformës i kundërvihet korrupsioni, i cili, në universitete mbulohet lehtë me një mantel akademik. Dhe prandaj lufta ndaj tij këtu është e vështirë. Për këtë arsye qeveria duhet të jetë e hapur dhe e vendosur ne synimet e reformës së ndërmarrë prej saj.

            Vet kryeministri Rama para se të vinte në pushtet e pati ngritur me forcë faktin që universtetet tona janë kthyer në “fabrika të prodhimit” të diplomave false.. Dhe kishte të drejtë. Ashtu siç ka të derjtë sot të kërkojë nëpërmjet reformës në arsimin e lartë, kthimin e këtyre”fabrikave” diplomaprodhuese në funksionin e tyre natyral: dhënien e diplomave me meritë.

            Pra, universitetet duhet të kthehen nga “zyra “ të shitjes së dijes në tempuj të dhënies së dijes. Mirëpo këto ditë kryeministri deklaroi shtyrjen e reformës për më von. Kjo deklaratë e Ramës u komentua në një të përditshme si dështim i reformës, pra, edhe i qeverisë. Dhe jepeshin edhe disa arsyetime, sipas të cilave, kjo reformë ishte paralajmëruar për të dështuar. Sidomos pas protestës së një grupi studentësh, që vinte fill pas kudërshtimit të saj prej rektorit të universitetit të Tiranës dhe senatit të tij. Pra, studentët ishin të manipuluar. Sigurisht, që reforma ka çështje të diskutueshme, pasi nuk ka asnjë reformë 100% të pranueshme. Pasi nuk ka reforma të përsosura dhe shteruese, sepse kështu do mohohej zhvillimi. Pra,nuk ka një reformë për të mbyllur të gjitha reformat!

            Por unë mendoj se zoti Rama nuk ka hequr dorë prej reformës në arsimin e lartë. Ai, sipas meje, përkohësisht e ka stopuar atë, më tepër si taktikë për të evituar  shtimin e zhurmave të panevojshme ( në mos po të ndonjë greve tjetër “urie”!?), tani në prag të marrjes së vendimit për statusin e vendit kandidat nga BE. Me këtë rast Rama i ka dhënë kohë vetes dhe qeverisë. Ndërkaq vërejtje dhe mendime të ndryshme ë të kundërta do të ketë sërish. Kjo është normale. Por autonomia e universiteteve nuk mund të jetë autonomi pa kufi, qoftë në planin akademik, kurrikular, e, sidomos, në atë financiar, menaxherial.

            Në universitetet tona ka shumëçka për të ndryshuar, qoftë si proces dijedhënës e dijemarrës, qoftë si menaxhim e administrim financiar. Pra, në këtë rast, vështirësia qëndron në planin moral. Kjo është pengesa kryesore e reformës, baza e rezistencës, e kundërvënies ndaj saj. Për fat të keq, universitetet tona (sidomos ato publike) janë kthyer në tregje ku dijedhënia dhe dijefitimi janë shndërruar në dijeshitje dhe dijeblerje. Pra, janë përmbysur raportet natyrale në marrëdhënien thelbësore pedagog-student, ku pedagogu është bërë shitësi dhe stdudenti blerësi. Dhe këtu s’po themi ndonjë gjë të re, veç po i emërtojmë gjërat me emrin ë përshtatshëm…Të gjithë universitetet publike po funksionojnë si ndrrmarrje të paregjistuara në tatime. Kurse rektorët janë pronarët e vërtetë të tyre. Natyrisht, ata nuk merren drejpërdrejt me studentët (këtë ua kanë lënë pedagogëve)  nuk turpërohen me 5mijë apo 10 mijë lek të reja, që marrin ata për çdo student, por me 10 mijë euro e lart për çdo vend pune për pedagogët e rinj. Shto këtu dhe fondet për projekte, djeta e udhëtime “turistike”, të bëra e të pabëra, që i ndajnë e shpërndajnë sipas tarafeve dhe qejfeve të tyre…

            Siç shihet dhe dihet universitetet janë kthyer në tregje informale me pedagogë që shesin nota dhe rektorë që shesin vende pune. Dhe ky treg funksionon për bukuri sipas kërkesës dhe ofertës! Ka blerës që duan diploma të shkollës së lartë, prandaj ka dhe shitës së këtyre diplomave. Ka pedagogë, që duan vende pune në universitet, prandaj ka dhe shitës ( rektorë) të veneve të punës

            Prandaj dhe rezistenca më e madhe dhe kundërshtimi kryesor i reformës është pikërisht për menaxherin dhe administratorin e qeverisë( ministrisë) dhe jo për anën kryesore , atë të përmbajtjes dhe kurrikulës, të procesit akademik, çka normalisht duhet të ishte fusha kryesore e debatit. Pra. duan t’i shpëtojnë kontrollit shtetëror në përdorimin e fondeve publike apo dhe të atyre që vijnë nga tarifat e studentëve. Sepse janë mësuar me abuzime. Këtu duhet të godasë fort reforma, këtu duhet të mos tërhiqet Rama.Sigurisht, ka probleme të shpërndarjes së këtyre fondeve në mënyrë përpjestimore midis departamenteve, sipas efektivitetit dhe kontributit që sjellin, jo patjetër material, por edhe intelektual ( këtu e kam fjalën për shkencat e edukimit e ato të albanologjisë, kaq të nevojshme në kuadër të integrimit e globalizimit), pasi ato pasqyrojnë identitetin tonë.

            Por një gjë duhet të jetë e qartë: gjersa qeveria është financuesi kryesor i universiteteve, ajo nuk mund të zhvishet nga e drejta për të ditur ku shkojnë dhe si përdoren paratë e taksapaguesve shqiptarë. Veç, këtu qeveria duhet të gjejë të tillë mekanizma që ta bëjnë sa më të besueshëm e objektiv menaxhimin e këtyre parave. Këtu s’është vendi për detaje, por këto mekanizma duhet të jenë gardianë të shpërdorimeve të mundshme. Ndërsa shkalla e autonomisë është normale të varet nga shkalla e aftësisë financiare të institucionit për të përballuar vet pagat e personeli akademik dhe burokratik si dhe të projekteve të ndryshme Nëse i kërkon lekë qeverisë, qeveria duhet të dijë dhe si harxhohen ato.

            Autonomia është dhe duhet të jetë në përpjestim me aftësinë “vetqeverisëse” të universiteteve. Pikërisht se autonomia financiare është thembra e Akilit e universiteteve, prandaj dhe është pika më e nxehtë e debatit të tanishëm. Për këtë arsye çdo kujdes apo kontroll i qeverisë mbi të shkakton nervozizëm te kupola e universiteteve, Dhe kjo tregon se objektivi themelor i reformës, që është ngritja e nivelit të stafeve akademike në nivelin e vandeve të përparuara, modernizimi i procesit dijedhënës e dijemarrës dhe përgatitja e brezit të europianëve të nesërm shqiptarë, nuk mund të bëhet pa luftën kundër korrupsionit moral në universitete, që është në thelb korrupsioni material. Dhe kjo nuk lidhet doemos me nivelin shkencor të stafit akademik. Se jeta po provon që edhe profesorë të vërtetë vendosin nota (kjo është më e lehta) dhe firmosin edhe doktoratura pa asnjë vlerë për hir të…parasë!

             Si kudo në shoqërinë tonë, për të patur një ngritje të përgjithshme (në çdo sektor) duhet më parë një ngritje morale. Në shoqërinë tonë beteja kryesore është beteja brenda vetes, është beteja morale.Gjer tani ne ë kemi humbur atë. Pa fituar atë, cdo betejë tjetër ose çdo reformë, është e dështuar që në nisje.Kjo është kryereforma. Nëse arrin të bëjë këtë, Edi Rama i ka bërë të gjitha reformat!

Botuar ne gazeten "Shekulli" date 6.06.2014

Δευτέρα 2 Ιουνίου 2014

BERISHA, RUGOVA, THACI



                                    BERISHA, RUGOVA, THAÇI

                                                  (Tre profile)

                                               

                                                Nga Petrit Qejvani

           

            Ky titull sigurisht që e intrigon lexuesin të arsyetojë e të kuptojë  arsyen pse këta tre personalitete të vecantë janë përzgjedhur për te qenë pranë njeri-tjetrit. Por mendoj se një “përfshirje” e tillë nuk është aq pa lidhje sa mund të duket. Dhe, qysh në fillim, me të drejtë lindin disa hamendje për përzgjedhjen e këtyre personaliteteve politike. Për të mos u zgjatur me kureshtjen që mund ta shoqërojnë lexuesin, po nis të shpjegoj edhe pse i kam “grupuar” bashkë. Natyrisht për shkak të disa cilësive të përbashkëta.

           

            Ë para: janë të tre politikanë shqiptarë të një treve : të Veriut, pra gegë (i pari nga Shqipëria, dy të tjerët nga Kosova ose nga  “Shqipëria tjetër”).E dyta: Kanë qenë të tre nxënës të shkollës komuniste ( Berisha dhe Rugova fuksionarë partie: Berisha sekretar partie në fakultetin ë mjekësisë, kurse Rugova kryetar i Lidhjes së shkrimtarëve të Kosovës, ndërsa Thaçi,për shkak të moshës së re, një i ri revolucionar, më tepër enverist se titist për shkak se te Enveri, si shumë  të tjerë aso kohe, shihte më shumë anën nacionaliste se sa atë komuniste.Pra, e shihte atë më tepër si shqiptar se si komunist. Ndërsa Berisha një komunist enverist ekstremist, Rugova një komunist i tipit titist, më liberal se Berisha, jo thjesht për shkak se enverizmi ishte një komunizëm radikal i formës më ortodokse, por edhe për shkak të profilit të tij si intelektual i fushës së letrave, që zakonisht janë më liberalë.

            Ë treta:Të tre shtatlartë, elegantë. Të tre parapëlqejnë stilin klasik në veshje, ndonëse me nuanca e veta secili. Berisha më strikt në stilin klasik, ku nuk harron edhe shaminë në xhepin e vogël të xhaketës si një aristokrat, ndonëse në ADN-në shoqërore fshatar i zakonshëm, kurse Rugova me shallin legjendar. Pra, një simbol krejt pesonal dhe origjinal. Që s’e heq as në verë. Thaci nuk ka ndonjë shenjë të vecantë. E katerta:Të tre hynë në politikë në momenete kthese të rëndësishme historike për vendet e tyre. Të tre politikanë të tranzicioneve  demokratike, kurse Kosova edhe të fitimit të pavarësisë si shtet. Rugova parapelqen metoden paqësore, evolucionare të ndryshimit politik-shoqëror, pra, është evolucionar, kurse Berisha e  Thaci janë edhe revolucionarë.(  Berisha është i gatshëm, në fakt, për të dyja, sipas rastit. Mjafton zhvillimi traumatik i tranzicionit shqiptar ,sidomos viti 1997 dhe 1998 për ta ilustruar, kurse Thaci e provoi këtë metodë në luftën për clirim). Këto ishin të përbashkëtat dhe disa dallime të përgjithshme. Le të shohim tani  profilin individual të secilit.

                                               

                                                            BERISHA



            Hyri në skenen poltike shqiptare në një moment kthese të rëdësishme historike, kur po përmbysej komunizmi, Pas disa artikulimesh kritike kundër disa dukurive të socializmit shqiptar në gazetat e asaj kohe, ku kërkonte “zbutjen” e sistemit socialist, pra korrigjimin e tij, shfrytëzoi me sukses lëvizjen studentore dhe, me instinktin  makiavelist, doli në krye të saj dhe korri edhe frutet e kësaj “aventure”. Fshatar në origjinën sociale, por pragmatist dhe ambicioz. Që ka ardhur në kryeqytet për sfidë dhe bast me vetveten. Dhe, në mungesë të një mbështetjeje nga të afërmit e vet, që ishin njerëz të thjeshtë, gjen futjen në Parti si mjetin më të përshtashëm për karrierë.

           

            Për futjen në  lëvizjen studentore dhe manipulimin e saj ka shumë hipoteza e hamendje, Vet ai e komenton si rastësore futjen në politikë. Të tjerë mendojnë se është i vënë (qoftë nga Ramiz Alia, qoftë nga të huaj). Por gjithcka mbetet e pavërtetuar. Karakterizohet nga guximi dhe energjia e pazakontë, shoqëruar nga një egocentrizëm i pashoq.Nuk mendon dy herë për të njëjtën gjë. Një ish komunist dogmatik, që sipas bashkëpunëtorëve të vet, të gozhdonte me sloganet e partisë dhe citatet e Enverit, me të cilat kryqëzonte cdo kundërshtar apo rival të tij në punë dhe organizatën e partisë. Kishte ambicie të mëdha, që nuk i fshihte, ndonëse nuk i artikulonte hapur, por shpreheshin në ashpërsinë dhe fanatizmin me të cilin mbronte “vijën e partisë” dhe parimet e saj.

            Synonte shumë më lart se c’ishte. Dhe nuk mbeti në vend. Arriti  deri në “Bllokun” komunist si mjek i klinikës së udhëheqjes komuniste, (mjek personal i Hysni Kapos), por jo më tej. Dështoi të futej në listën e anëtarëve të KQ të PPSH-së. Thuhet për motive të dyshimta, që lidhen me biografinë e së shoqes. Ndonësë u suall rrotull familjes së Enver Hoxhës me lloj-lloj servilizmash, arriti vetëm deri në fundin e varkës së fëmijve të tij në Drilon të Pogradecit. Dhe në atë kohë mbeti vetëm te varka…Berisha është demagog i klasit të parë: s’e ka për gjë ta bëjë të bardhën të zezë dhe të zezën të bardhë ditën për diell. Gjithnjë i eksituar në shfaqjet publike. Karizmatik deri në patologji. Flet vazhdimisht me zë të lartë, edhe kur është në salla të mbyllura, si te   ishte  në shesh. Si një makinë e kurdisur. I paturp deri në pacipësi I shet gënjeshtrat më të mëdha si të vërteta të thjeshta. Përgjithësisht, kundërshtarin politik e konsideron si armik, pavarësisht se nuk e etiketon si të tillë. Ka një konceptim “origjinal” për demokracinë: e pranon opozitën, por me kushtin që ajo të rrijë gjithnjë në opozitë! Pushteti për të është “prona e babës” që nuk duhet t’ia cënojë askush jet e mot. Patriot “sui generis”. Bën retorikë patriotike më tepër se veprime patriotike. Por dhe në retorkë është konrtadiktor. (kujto etiketimet ë UCK-së si “terroriste”, “marksiste”, “enveriste” dhe thirrjen që delegacioni kosovar të mos e firmoste marrëveshjen historike të Rambujesë, të rekomanduar nga amerikanët)

            Ndërsa flet për Shqipërinë "nga Bujanovci në Prevezë"
në kuadër të 100-vjetorit të pavarësisë, u shet grekëve për interesa okulte detin e Shqipërisë,  duke nënshkruar marrëveshjen antikombëtare me Greqinë,  të cilën e rrëzoi Gjykata Kushtetuese në një votim historik 9 me 0. I dominuar nga pasioni për pushtet, një lloj amoku politik, është gati të djegë Shqipërinë (si më 1997 dhe 1998) kur me militantët e tij sulmoi dhe pushtoi në një grusht shteti Kryeministrinë dhe radiotelevizioni shqiptar, ku u deklarua rrëzimi i qeverisë legjitime, duke e bërë Shqipërinë një shtet karagjoz para botës.. Njeri, që, për pushtet personal, sakrifikon shtetin. Një “Neron”  shqiptar. Njeri pa skrupuj moralë dhe bindje politike, por me të vetmen  “bindje” standarte: të qënit në pushtet me cdo mjet. Kjo është ideologjia, synimi, frymëzimi dhe vetë ekzistenca e tij politike.Deviza ëetij e tij : përjetë në pushtet. Vdekjen politike e njeson me atë biologjike.

            Në fillimet e tij politike u shfaq si armik i korrupsionit me një retorikë thuajse komuniste, revolucionare dhe pas tre mandatesh drejtimi u largua nga qeveria me opinionin  gjerësisht të pranuar si i korruptuar keq dhe familjarisht. Prandaj humbi thellë në zgjedhjet e fundit. Arrogant dhe fodull kur është sipër, sevil dhe hileqar kur bie poshtë.Të zgjat dorën për ndihmë kur është duke rënë në greminë  dhe të jep shkelmin sapo del prej saj..

            Llafazan politik që nuk i gjendet i dyti, në kundërshtim me natyrën e malësorit serioz dhe fjalëmatur. Sharësi më i madh politik me një fjalor tipik të rrugës,  i paparë dhe dëgjuar në mjediset politike shqiptare të të gjitha kohrave. Po të shprehemi me nje fjalor më popullor një telendar dalëboje. Pra. si individ nuk përfaqëson asgjë pozitive të malësisë, të burrave të urtë të saj, të shquar për vetpërmbajtje, të cilët e kanë për turp të merren me gratë, pale t’i shajnë ato sic bën ky njeri me gratë e kundërshtarëve politikë, para gjithë botës në foltoren e parlamentit. Që shpesh thotë me seriozitetin më të madh marrëzira që i beson dhe vet. Përdor një fjalor të thjeshtë me një grusht fjalësh para turmave, që i eksiton dhe eksitohet prej tyre. Zakonisht fjalët i shoqëron me një dinamikë lëvizjesh e gjestesh e mimike sa teatrale, aq dhe të frikshme, që të kujtojnë mitingjet naziste për nga zhurma dhe histera. Vecanërisht i pëlqyer për qytetarët ekstremistë me sjellje problematike. Aktualisht është në fund të karrierës së tij politike, por nuk heq dorë prej politikës sa të marrë frymë. Politika është si oksigjeni për të. Do të jetë me siguri objekt i lakmuar studimi për politologët, psikologët dhe psikiatrit.



                                                RUGOVA



            Hyri në politikë thuajse në të njëjtën kohë me Berishën, në fillim te viteve ’90. Inetelektual i mirëfilltë. Komunist i shkollës titiste. Vinte nga përvoja e socializmit specifik vetadministrues titist. Jugosllavia e asaj kohe quhej një vend i paangazhuar. Ish-kryetar i Lidhjes së shkrimtarëve të Kosovës. Organizoi zgjedhjet e Kuvendit të Kosovës si organ legjitim paralel në kuadër të autonomisë së Kosovës, ndonëse me sovranitet të paqenë (u përpoq të rikthente autonominë ë suspenduar nga Miloshevici), pa forcë vendimmarrësë dhe nën “bekimin” e Serbisë. Ishte më tepër një lloj ushtrimi (Workshopi) për pushtet se sa me efekte politike. I kontestuar nga kundërshtarët politikë të Rugovës si lojë e Miloshevicit për të shuar pakënaqësinë dhe revoltën popullore, që po ziente underground dhe do të shpërthente më vonë e do të conte te lufta e UCK-së dhe clirimi I Kosovës. Por kjo përputhej me konceptet pacifiste të Rugovës, por që situata e precipituar me shpejtësi në prag të shpërbërjes së Jugosllavisë,dhe ngjarjet e viteve 1998-1999. e zhvlerësoi.

            Me pamje elegante, me veshje të stilit klasik, sic e mbajnë zakonisht politikanët, por edhe me “teka” personale si shalli emblematik si dhe jeleku i kuq, gjithashtu karakteristik. I shpenguar në ecje, I natyrshëm, me një shkujdesje të kujdesshme. Me flokë të gjatë si artist. I pakrekosur asnjëherë dhe në takimet protokollare dhe jo strikt dhe i fryrë  si Berisha. Kurdoherë simpatik dhe i pranuar. Me fjale të kujdesshme, me tone të qeta, i përmbajtur edhe në fushatat elektorale, por gjithsesi bindës. I bukur politikisht. Që besonte më shumë të forca e fjalës se te intonacioni i shqiptimit të saj dhe gjestikulacionet, që kërkojnë shtimin e efektit të fjalës.

            Më tepër predikonte se premtonte, në kontrast me politikanët e tjerë, sidomos me Berishën, që premton qiejt. Më tepër besimtar se politikan. Me nje buzëqeshje thuajse standarte, ngazëllyese dhe indiferente, që nuk të imponohej ta besoje pa tjetër. Që aplikoi pa sukses gandizmin në politikë në Ballkanin e luftrave, i cili, në vend të fjalës me fqinjin,, më shpesh ka përdorur pushkën.

            Gandist nw Kosovë, në një një vend të prapambetur me shumicë popullsie rurale dhe jo të mirëarsimuar, për shkaqe të njohura nën sundimin serb. Që cuditërisht fitoi zgjedhjet e para pas luftës dhe nuk i fituan partitë, që bënë luftën! Një tjetër enigmë dhe paradoks, nga ata  që i prodhon vetëm realiteti shqiptar. Luajal dhe korrekt me kundërshtarët e tij politikë. Shumë larg Berishës konfliktual. Por nuk ka qenë një engjëll, gjersa hyri në politikë, e cila është “zona e djallit”, një terren i kontaminuar, ku nuk mund të mos infektohesh. Me siguri ka patur huqet e tij politike. Por këtë e dinë më mirë kundërshtarët e vet politikë.

            U bë president i parë i Kosovës së lirë. Kundwrshtarët, dhe jo vetëm ata, e kanë akuzuar për tradhti me rastin e takimit të shumëpërfolur me Miloshevicin në Beograd në kohën e gjenocidit serb të 1998-ës  Një takim i paqartë dhe i
“ngatërruar”, i relizuar me deshirën e tij, apo i “detyruar”? Sidoqoftë një takim stonues për situatën në të cilën u zhvillua dhe që ia uli kreditet politike e patriotike, qoftë edhe përkohësisht. Sot prehet në atdheun e vet të lirë, duke i mbyllur llogaritë politike dhe njerëzore përfundimisht. Tashmë i përket historisë së Kosovës. Edhe ky atdhetar sipas mënyrës së vet.



                                                HASHIM THACI



            Ndonëse dukshëm më  ri se Rugova e Berisha është bashkëkohës politik i tyre. Hyri në politikë nga lëvizja studentore antiserbe në luftën për te drejtat kombëtare të shqiptarëve nën Jugosllavi (përkatesisht Serbi) dhe u ngjit në krye të vendit (pas Rugovës) jo për “merita të babës apo xhajës”,por për merita personale. Nga përfaqësues i protestave të studentëve në drejtues e përfaqësues politik i UCK-së. Ka merita të vecanta për clirimin e Kosovës. Një luftëtar i cështjes kombëtare. I shkolluar e formuar gjithashtu në Jugosllavinë titiste. Majtist- komunist në origjiniën politike, si  të tjerët, por më tëpër enverist se titist për arsyet që thamë më lart.

            Një njeri që vokacionin patriotik e ka shfaqur në momente kulmore, sic ësht lufta. Dhe kjo nuk është pak Sepse atdheu nuk clirohet cdo ditë! Ndonëse i ri, shumë më i ri se dy të parët, është i matur dhe i pjekur si një burrë i vjetër. Elegant dhe karizmatik. Jo i lehtë për t’u ‘kapërcyer” nga kundërshtarët e vet politikë. Me paraqitje të hijshme, me veshje klasike, zyrtare si të gjithë politikanët. I dhënë më tëpër pas ngjyrës gri dhe kostumeve me vija.me kravata të ngushta dhe kemishë me jakë klasike. I saktë dhe i vndosur në ato që thotë. Dhe i vështirë  për kundërshtarët e vte politikë, me gjithë konsumimin në qeverisje.

            Ndonëse ca i ngurtë në artikulim e komunilkim, i zhdërvjellët në veprimet dhe kombinacionet politike. Nuk e fyen opozitën, as e urrren e denigron kundërshtarin politik si Berisha. E akuzojnë për korrupsion kundërshtarët e vet, por edhe zëra të pavarur. Nuk është ndonjë cudi të jetë kështu,  kur korrupsioni qeveritar ka një shtrirje planetare. Në c’masë nuk dihet. Jemi në kuadrin e fjalëve, ndërsa provat,deri tani, mungojnë. Kurse disa ish bashkëpunëtorë të tij të luftës dhe të paqes janë nën akuzë për korrupsion nga drejtësia.

            Nëse Rugova e ka mbyllur historinë e tij politike dhe Berisha është në fund të saj, Thaci është ende i ri për t’i thënë “lamtumirë” politikës.. Tani, vec ambicjes, ka dhe përvojën e drejtimit. Më 8 qershor ka betejën e radhës. Do të fitojë apo jo, kjo nuk dihet. Le të presim votimet e 8 qeshorit. Por një gjë është e sigurtë, pavarësisht rezultatit të votimit: ai do jetë lojtar politik afagjatë në skenën politike të Kosovës.



                                                Epilog



            Të tre: Berisha, Rugova, Thaci janë pjesë e historisë së Shqipërisë dhe Kosovës. Ata tashmë kanë hyrë në histori, sepse kanë drejtuar këto dy vende, pavarësisht preferencave tona. Ne e kemi të vështirë të bëjmë një vlerësim të ftohtë , qoftë edhe sipas skemave sintetike të Mao ce Dunit  se njeri, per shembull, ka dy të mira dhe tri të këqia apo e kundërta, tjetri ka tri të mira dhe dy të këqia. Nuk vlerësohen kaq lehtë figurat historike. Këtë e bën historia. Se c’do thotë ajo  për ta, kjo nuk dihet me saktësi. Por gjykimi i historisë është më I ashpri dhe më i drejti. Sidoqoftë, unë besoj, megjithatë, se historia do flasë më pozitivisht për Rugovën dhë Thacin, se për Berishën.