Τετάρτη 14 Αυγούστου 2013

BERISHA, KY PATRIOT I VONUAR



                                    BERISHA, KY PATRIOT I VONUAR



                                                                          Nga Petrit Qejvani





            Ngjarja ë Himarës, ku një tufë rrugaçësh shqiptaro-grekë shfrytëzuan një pervjetor vdekjeje aksidentale të një të riu himariot për të hedhur parrulla antishqiptare, ka shkaktuar me të drejtë reagimin qytetar dhe,deri diku, edhe të medias ndërsa mjerisht, mosreagimin e shtetit butaforik shqiptar.

            Dhe nuk është hera e parë që Himara prodhon incidente me theks etnik. Dhe kjo sapak për faj të himariotëve, por për shkak të mungesës së autoritetit të shtetit shiptar në këtë zonë pastërtisht shqiptare, me identitet dhe histori të spikatur shqiptare. Por edhe të disa shqiptarëve gjakprishur, të paguar dhe manipuluar nga qarqe antishqiptare në Greqi.

            Dhe këtu të jemi të saktë: nuk ështa fjala se këta ushtarë të  marrosur të shovinizmit dhe megaliidesë do “marrin” Himarën. Ne këtu gjykojmë frymën, që i frymëzon ata dhe pasivitetin e strukturave shtetërore. Ne nuk themi t’i shpallim luftë Greqisë, por të reagojmë kur duhet reaguar. Ata nuk duhet mbivlerësuar, por as nënvlerësuar. Si kushdo që shkel ligjet e vendit, edhe ata duhen ndëshkuar.

            Në këtë rast ajo që të habit më tepër është reagimi në facebook i kryeministrit pseudopatriot Berisha, i cili, më në fund, kujtohet të deklarojë në fb se në Himarë nuk ka minoritet grek. Sikur këtë deklaratë ta bënte ndonjë qytetar i zakonshëm, do të quhej dicka normale, për shkak se qytetari aq ka në dorë. Mirëpo këtë e bën kryministri i vendit, i cili ende mburret që ka celsat e qeverisë në dorë dhe merr vendime prej të “forti” dhe jokushtetuese me një kokëfortësi provinciale, duke patur “trimërinë” t’i kundërvihet maxhorancës së re, së cilës i thotë të durojë deri në shtator, kur të mblidhet Kuvendi i ri për të dorëzuar celsat e pushtetit...

            Ndërsa mbahej ky mort-miting, Berisha disa pashë më tutje lahej në  Dhërmi, në përpjekje për të larë gjynahet e tij dhe nuk i dëgjonte live thirrjet e tyre shovnisto-raciste. Dhe policia e tij ndiqte indiferente ceremoninë përkujtimore mortore të shndërruar në një miting antishqiptar.Tamam një vend pa zot!

            Ky shtet, së paku në raportet me Greqinë, e ka humbur sovranitetin mbi territorin ë tij, jo vetëm në Himarë, por në krejt jugun shqiptar. Dhe ky është në rastin më të mirë një turp për ata që qeverisin dhe i nxjerr kallajin “patriotizmit” të tyre dhe ‘kryepatriotit” Berisha.(le të kujtojmë skandalin e ndodhur 2-3 vjet me pare) kur qytetarë të ndryshëm korcarë drejtoheshin për problemet e tyre te konsulli famëkeq grek, që i manipulonte).

            Ai që në 100- vjetorin e shpalljes së Pavarësisë kombëtare foli për Shqipërinë nga “Presheva në Prevezë” nuk “mbron” dot Himarën, edhe kur është kaq pranë saj fizikisht!.. Dhe kjo, për faj të grekëve?! . Por oreksi vjen duke ngrenë.

            Grekët janë mësuar me lëshime nga qeveritë shqiptare. Pasi i plotëson orekset për  kthimin e Shqipërisë së jugut në një varrezë greke ( në marrëveshje midis dy qeverive u ndërtuan 4 varrezave të ushtarëve grekë në rrethet e Përmetit, Gjirokastrës, Tepelenës) pasi lejon priftërinjtë grekë ose filogrekë të zhvarrosin shqiptarët e vdekur dhe eshtrat e tyre të shiten si eshtra të ushtarëve grekë si në rastin e famshëm të Kosinës, ku kishte dhe eshtra fëmijësh (për këtë u bë zhurmë e madhe, ku dëshmitarët, banorë të fshatit, denoncuan me prova se eshtrat e nxjerra qenë të të parëve të tyre).Për këtë pati dhe një akuzë nga prokuroria që dha dhe masë dënimi me burg për fajtorët dhe qeveria vasale, nën trysninë e Athinës, ndërhyri te gjykata dhe e degjeneroi këtë gjyq në një farsë.

            Dhe më tej. Të lejosh deputetë fashistë grekë apo gjithfarë shovinistësh që deklarojnë me zë dhe figurë në mes të Himarës se Himara është greke, të lejosh që në ditët e zgjedhjeve të bëjnë propagandë antishqiptare, sic kanë bërë vite më parë dhe të futen në qendrat e votimit (qoftë dhe deputetë të parlamentit grek), duke bërë skandale dhe duke përcarë e coroditur himariotët, kjo besoj nuk ndodh as në ndonjë shtet afrikan.

            Ku është parë të vijë tjetri në shtëpinë tënde dhe të guxojë të të shajë? Por kjo ka ardhur gradualisht, pas lëshimesh të njëpasnjëjta nga shteti shqiptar. Kur vjen Kryeministri Karamanlis në Tiranë dhe në konferencën për shtyp me kryeministrin shqiptar Berisha nuk lejohen gazetarët të drejtojnë pyetje për Camërinë, nuk besoj se kjo tregon patriotizmin e Berishës! Vjen miku, por ai nuk mund t’u mbyllë gojën të zotëve të shtëpisë.

            Dhe patriotizmi kallp i Berishës e arrin kulmin dhe demaskohet keq me faljen apo shitjen (historia do ta thotë përse u bë kjo) e 350 km katror det Greqisë, marrëveshje të cilën e anulloi Gjykata Kushtetuese në një votim historik 9 me 0.

            Por historia e lëshimeve të qeverive shqiptare në  marrëdhënieve shqiptaro-greke fillon që me pranimin e miratimin e Janullatosit  në krye të Kishës “autoqefale” shqiptare, i cili, edhe sipas disa priftërinjve ortodoksë  patriotë shqipatë, më tepër se misionar i fesë është misionar i helenizmit në Shqipëri.

            Dikur Berisha shante Nanon si filogrek, kur ai nisi bisedimet për varrezat  ushtarëve grekë në Shqipëri (ai ra dakord për 2 varreza), ndërsa patrioti Berisha e bitisi duke iu lejuar grekëve ndërtimin e 4 varrezave të tilla!..Edhe në rastin e fundit në Himarë Berisha tregon se nuk e ka seriozisht me ato që thotë në fb. Kryeministri flet institucionalisht dhe jo si një qytetar i zakoshëm.

            Neofashistët karagjozë grekë duhej të ndaloheshin të hynin në Shqipëri. Edhe nëse nuk njiheshin si fashistë, kur vepruan si të tillë në ceremoninë në varreza duhej të ndaloheshin dhe, konform ligjeve, të dënoheshin. Ky është shteti, dhe  një shtet të tillë duan qytetarët shqiptarë. Një shtet që të mbrojë dinjitetin dhe autoritetin e tij dhe qytetarëve të tij, jo vetem brenda territorit të vet, por edhe jashtë tij, që grekët të mos tallen me shqiptarët në kufi, duke i kthyer mbrapsht, edhe kur i kanë dokumentat në rregull, të mos tallen me pretekstin e toponimeve për t’i lënë fëmijët shqiptarë të lindur në Greqi të mos vijnë në Shqipëri, sepse në pasaporta vendi i lindjes duhet shkruar greqisht(!), kur pasaporta është shqiptare! Edhe kjo është patriotizëm.         Patriotizmi nuk është doemos heroizëm. Ai shfaqet përditë. Prandaj ne kemi nevojë për një  shtet që të mbrojë qytetarët e vet kudo që ata ndodhen apo jetojnë. Dhe jo një shtet butaforik, që e provokojnë dhe ca rrugacë ordinerë. Dhe që të kemi një shtet të tillë, më parë duhet që të kemi shtetarë patriotë.

 Botuar ne  gazeten "Shekulli" si koment,15 .08.2013

Publikuar ne Tema onlie dhe botuar ne Tema,date 18.08.2013

Δευτέρα 12 Αυγούστου 2013

Κυριακή 11 Αυγούστου 2013

ZULLUMQAR DERI NË FUND



                                                ZULLUMQAR DERI NË FUND
                                                                                   
                                                                                                Petrit Qejvani
           
            Berisha gjate karrierës së tij politike ka bëre shume zullume. Dhe si çdo zullumqar i vetdijshëm edhe ai do ta mbyllë ciklin e tij politik me zullume. Me një fjalë ai  nuk ka ndërmend të heqë dorë nga huqet e tij të vjetra politike.
            Berisha është politikan i tipit “silur”, që do të shkojë pa tjetër atje për ku është vettelekomanduar. Asnjë rrethanë, sado e rëndësishme, nuk ndikon në trajektoren ë sjelljes së tij politike. Ai nuk i ndjen rrethanat, kur ato janë të pafavorshme për të. Perkundrazi.
            Duke qënë një politikan kotraversal ai mendon se rrethanat duhet t’i përshtaten atij dhe jo ai rrethanave! Ai vepron si një makinë e kurdisur, që do ta çojë deri në fund programin e vet. Edhe sikur kjo të ishte shkatërrimtare për të. Ai shpesh jeton në një botë virtuale, produkt i delirit, paranojës dhe narcizmit të tij, jo vetëm politik.
            Me një kokëfortësi dhe fodullëk provincial ai “harron” se shqiptarët politikisht e kanë rrëzuar më 23 qershor. Pra, ai realisht nuk është kryeministri aktual i Shqipërisë, por kryeministër dezhurn për muajt e verës. Mirëpo kjo nuk e pengon atë të marrë vendime, ndonëse Kushtetuta ia ndalon, njëlloj si të ishte kryeministër i rizgjedhur. Vazhdon të japë koncensione, të bëjë privatizimet e fundit të asaj ç’ka mbetur nga prona publike, duke anatemuar opozitën-maxhorancë se ajo do t’i anullojë këto vendime, duke i shtetëzuar sërish, duke dashur t’i trembë shqiptarët me gogolin e Marksit…
            Qëllimi i gjithë kësaj megallomanie desktuktive është t’i lërë opozitës sa më shumë litarë nëpër këmbë.  E gjitha kjo brenda “filozofisë” së  tij të “ngrirjes së buzëqeshjes” fitimtarëve, domethënë qytetarëve. Ndër  vendimet e fundit janë dhe ai për importimin e 2600 ton plehra nga Italia dhe Greqia, duke i bërë karshillëk Kushtetutës dhe referendumit të pritshëm të dhjetorit për mosimportimin e plehrave nga jashtë dhe maxhorancës së re, që ka deklaruar se do ta anullojë ligjin për importimin e plehrave, ai për shkaterrimin e zonës së ruajtur të Nartës, rishitja e dështuar e ARMO-s, falja e SHQU-së  Partisë Demokratike e kushendi ç’do shpikë derisa të dorëzojë çelsat e qeverisë, në mos po ndrron mendje në çastin e fundit dhe i flak çelsat në lumë…
            Natyrisht, të gjitha këto i trumbeton në emër të kapitalizmit, paçka se pas tyre fshihen afera dhe përfitime personale marramendëse. I mundur, por krenar, ai ecën serbes nga dera e sallës së mbedhjeve të qeverisë deri te kolltuku i tij, thua se çudit dynjanë.
            Nuk e kuptoj pse televizionet e japin paradën e tij nga hyrja në sallë te kolltuku i tij! Me sa duket ju pëlqen ecja e Berishës, autoritarizmi i tij dhe fakti se ai mund të ishte një oficer i mirë, sidomos për rreshtore!... Eshtë vërtet groteske dhe mbresëlënëse!!  Mbetet  që ministrat e tij të çohen në këmbë, kur hyn ai triumfator,  për ta bërë të plotë “madhështinë” e ceremonisë rutinë. Ndërsa nuk kemi parë në mbledhjet e qeverive të vendeve të tjera europiane një skenë të tillë, veç kryeministra të ulur, që drejtojnë mbledhjet e kabinetit qeveritar.
            Sigurisht, ky trim që s’e njeh tutën, sillet kështu pasi deri tani, edhe pse ka djegur e shkatërruar Shqipërinë si më 1997, edhe pse ka bërë disa gjëma gjatë 8 viteve të çqeverisjes së tij, nuk ka dhënë llogari për krimet e bëra.
            Berisha, i mësuar me përkëdhelje pikërisht kur duhej ndëshkuar, është si ai nxënësi problemetik i klasës, që mësuesit duhet ta falin, edhe kur bën veprime të pahijshme, edhe kur prish mësimin, se mos na ikën nga shkolla dhe përmbyset dynjaja…
            Berisha bën pjesë në ata politikanë, që as skuqen dhe as zvedhen, që nuk ë njohin as turpin, sa frikën. Pra, të pacipë. Këta janë kategoria më e rrezikshme e politikanëve.
            Me këta tipa sjellja më e efektshme dhe rezultative është ndëshkimi. Dhe jo vetëm me votë, por dhe dënimi nga drejtësia. Cdo sjellje tjetër në emër të tolerancës dhe luajalitetit , të “shpirtit demokratik”, të trajtimit “human’ të opozitës do të thotë që Rilindja të dështojë që në “lindje”.
Me Berishën nëpër këmbë nuk ecet, pale të ecet shpejt!

Publikuar sot, date 11.08.2013 ne Tema online