BERISHA, KY PATRIOT I VONUAR
Nga
Petrit Qejvani
Ngjarja ë Himarës, ku një tufë
rrugaçësh shqiptaro-grekë shfrytëzuan një pervjetor vdekjeje aksidentale të një
të riu himariot për të hedhur parrulla antishqiptare, ka shkaktuar me të drejtë
reagimin qytetar dhe,deri diku, edhe të medias ndërsa mjerisht, mosreagimin e
shtetit butaforik shqiptar.
Dhe nuk është hera e parë që Himara
prodhon incidente me theks etnik. Dhe kjo sapak për faj të himariotëve, por për
shkak të mungesës së autoritetit të shtetit shiptar në këtë zonë pastërtisht
shqiptare, me identitet dhe histori të spikatur shqiptare. Por edhe të disa
shqiptarëve gjakprishur, të paguar dhe manipuluar nga qarqe antishqiptare në
Greqi.
Dhe këtu të jemi të saktë: nuk ështa
fjala se këta ushtarë të marrosur të shovinizmit
dhe megaliidesë do “marrin” Himarën. Ne këtu gjykojmë frymën, që i frymëzon ata
dhe pasivitetin e strukturave shtetërore. Ne nuk themi t’i shpallim luftë
Greqisë, por të reagojmë kur duhet reaguar. Ata nuk duhet mbivlerësuar, por as
nënvlerësuar. Si kushdo që shkel ligjet e vendit, edhe ata duhen ndëshkuar.
Në këtë rast ajo që të habit më tepër
është reagimi në facebook i kryeministrit pseudopatriot Berisha, i cili, më në
fund, kujtohet të deklarojë në fb se në Himarë nuk ka minoritet grek. Sikur këtë
deklaratë ta bënte ndonjë qytetar i zakonshëm, do të quhej dicka normale, për
shkak se qytetari aq ka në dorë. Mirëpo këtë e bën kryministri i vendit, i cili
ende mburret që ka celsat e qeverisë në dorë dhe merr vendime prej të “forti” dhe
jokushtetuese me një kokëfortësi provinciale, duke patur “trimërinë” t’i kundërvihet
maxhorancës së re, së cilës i thotë të durojë deri në shtator, kur të mblidhet
Kuvendi i ri për të dorëzuar celsat e pushtetit...
Ndërsa mbahej ky mort-miting,
Berisha disa pashë më tutje lahej në Dhërmi,
në përpjekje për të larë gjynahet e tij dhe nuk i dëgjonte live thirrjet e tyre
shovnisto-raciste. Dhe policia e tij ndiqte indiferente ceremoninë përkujtimore
mortore të shndërruar në një miting antishqiptar.Tamam një vend pa zot!
Ky shtet, së paku në raportet me Greqinë,
e ka humbur sovranitetin mbi territorin ë tij, jo vetëm në Himarë, por në krejt
jugun shqiptar. Dhe ky është në rastin më të mirë një turp për ata që qeverisin
dhe i nxjerr kallajin “patriotizmit” të tyre dhe ‘kryepatriotit” Berisha.(le të
kujtojmë skandalin e ndodhur 2-3 vjet me pare) kur qytetarë të ndryshëm korcarë drejtoheshin për problemet
e tyre te konsulli famëkeq grek, që i manipulonte).
Ai që në 100- vjetorin e shpalljes së
Pavarësisë kombëtare foli për Shqipërinë nga “Presheva në Prevezë” nuk “mbron”
dot Himarën, edhe kur është kaq pranë saj fizikisht!.. Dhe kjo, për faj të grekëve?!
. Por oreksi vjen duke ngrenë.
Grekët janë mësuar me lëshime nga
qeveritë shqiptare. Pasi i plotëson orekset për
kthimin e Shqipërisë së jugut në një varrezë greke ( në marrëveshje
midis dy qeverive u ndërtuan 4 varrezave të ushtarëve grekë në rrethet e Përmetit,
Gjirokastrës, Tepelenës) pasi lejon priftërinjtë grekë ose filogrekë të
zhvarrosin shqiptarët e vdekur dhe eshtrat e tyre të shiten si eshtra të ushtarëve
grekë si në rastin e famshëm të Kosinës, ku kishte dhe eshtra fëmijësh (për këtë
u bë zhurmë e madhe, ku dëshmitarët, banorë të fshatit, denoncuan me prova se
eshtrat e nxjerra qenë të të parëve të tyre).Për këtë pati dhe një akuzë nga
prokuroria që dha dhe masë dënimi me burg për fajtorët dhe qeveria vasale, nën
trysninë e Athinës, ndërhyri te gjykata dhe e degjeneroi këtë gjyq në një farsë.
Dhe më tej. Të lejosh deputetë
fashistë grekë apo gjithfarë shovinistësh që deklarojnë me zë dhe figurë në mes
të Himarës se Himara është greke, të lejosh që në ditët e zgjedhjeve të bëjnë
propagandë antishqiptare, sic kanë bërë vite më parë dhe të futen në qendrat e
votimit (qoftë dhe deputetë të parlamentit grek), duke bërë skandale dhe duke
përcarë e coroditur himariotët, kjo besoj nuk ndodh as në ndonjë shtet afrikan.
Ku është parë të vijë tjetri në shtëpinë
tënde dhe të guxojë të të shajë? Por kjo ka ardhur gradualisht, pas lëshimesh
të njëpasnjëjta nga shteti shqiptar. Kur vjen Kryeministri Karamanlis në Tiranë
dhe në konferencën për shtyp me kryeministrin shqiptar Berisha nuk lejohen
gazetarët të drejtojnë pyetje për Camërinë, nuk besoj se kjo tregon
patriotizmin e Berishës! Vjen miku, por ai nuk mund t’u mbyllë gojën të zotëve
të shtëpisë.
Dhe patriotizmi kallp i Berishës e
arrin kulmin dhe demaskohet keq me faljen apo shitjen (historia do ta thotë përse
u bë kjo) e 350 km katror det Greqisë, marrëveshje të cilën e anulloi Gjykata
Kushtetuese në një votim historik 9 me 0.
Por historia e lëshimeve të qeverive
shqiptare në marrëdhënieve
shqiptaro-greke fillon që me pranimin e miratimin e Janullatosit në krye të Kishës “autoqefale” shqiptare, i
cili, edhe sipas disa priftërinjve ortodoksë patriotë shqipatë, më tepër se misionar i fesë
është misionar i helenizmit në Shqipëri.
Dikur Berisha shante Nanon si
filogrek, kur ai nisi bisedimet për varrezat ushtarëve grekë në Shqipëri (ai ra dakord për
2 varreza), ndërsa patrioti Berisha e bitisi duke iu lejuar grekëve ndërtimin e
4 varrezave të tilla!..Edhe në rastin e fundit në Himarë Berisha tregon se nuk
e ka seriozisht me ato që thotë në fb. Kryeministri flet institucionalisht dhe
jo si një qytetar i zakoshëm.
Neofashistët karagjozë grekë duhej të
ndaloheshin të hynin në Shqipëri. Edhe nëse nuk njiheshin si fashistë, kur
vepruan si të tillë në ceremoninë në varreza duhej të ndaloheshin dhe, konform
ligjeve, të dënoheshin. Ky është shteti, dhe
një shtet të tillë duan qytetarët shqiptarë. Një shtet që të mbrojë
dinjitetin dhe autoritetin e tij dhe qytetarëve të tij, jo vetem brenda territorit
të vet, por edhe jashtë tij, që grekët të mos tallen me shqiptarët në kufi,
duke i kthyer mbrapsht, edhe kur i kanë dokumentat në rregull, të mos tallen me
pretekstin e toponimeve për t’i lënë fëmijët shqiptarë të lindur në Greqi të
mos vijnë në Shqipëri, sepse në pasaporta vendi i lindjes duhet shkruar
greqisht(!), kur pasaporta është shqiptare! Edhe kjo është patriotizëm. Patriotizmi nuk është doemos heroizëm.
Ai shfaqet përditë. Prandaj ne kemi nevojë për një shtet që të mbrojë qytetarët e vet kudo që ata
ndodhen apo jetojnë. Dhe jo një shtet butaforik, që e provokojnë dhe ca rrugacë
ordinerë. Dhe që të kemi një shtet të tillë, më parë duhet që të kemi shtetarë
patriotë.
Botuar ne gazeten "Shekulli" si koment,15 .08.2013
Publikuar ne Tema onlie dhe botuar ne Tema,date 18.08.2013
Botuar ne gazeten "Shekulli" si koment,15 .08.2013
Publikuar ne Tema onlie dhe botuar ne Tema,date 18.08.2013
Δεν υπάρχουν σχόλια:
Δημοσίευση σχολίου