Παρασκευή 22 Νοεμβρίου 2013

LIGJI PERBALLE NJE PALLATI"POLITIK"



LIGJI PËRBALLË NJË PALLATI  “POLITIK”

Nga Petri Qejvani

           

            Qeveria e re , në kuadrin e zbatimit të ligjit në funksion  të kontrollit të territorit, ka marrë një aksion në front të gjerë për gjatë vijës bregdetare për çlirimin ë territorit nga pushtuesit vendas. Dhe e nisi në Tiranë dhe Vlorë.Dhe kjo ka simbolikën e vet.

            Antiligji duhet të goditet në qendër , atje ku ai e ndjen veten më të fortë  dhe më të mbrojtur dhe jo në periferi. Ky veprim i qeverisë ka shkaktuar një ndejsi të dyfishte: është mirëpritur nga shumica e shqiptarëve dhe, ashtu siç pritej, është kundërshtuar nga ata që kanë ndërtuar pa leje ose me leje abuzive, ku përfshihen të fortë ordinerë ( të mbështetur nga politika) dhe njerëz me pushtet politik. Një zhurmë e madhe mediatiko –politike shkaktoi piketimi për prishje i një pallati 8 katësh në Ujin ë Ftohtë në Vlorë, i përfolur si pronë e Lulzim Bashës ( ndonëse në letra figuron si pronë e vjehrrit të tij), një lojë e njohur kjo ku pushtetarët fshihen pas njerëzve të afërt.

            Që ndërtimi është i paligjshëm, është e qartë për këdo. Nuk mund të zaptohet deti, kushdo qoftë ai. Zaptimi i pronës publike është një krim. Vetëm Poseidoni ë kishte  të drejtën e posedimit të detit. Po ai ishte hyjni.

            Sot nuk jemi në kohën e  zotrave te deteve, të hyjnive të mitologjisë. Sot pushtimi i pronës publike është një krim. Në rastin konkret ky pallat është një krim i dyfishtë: ambiental dhe urbanistik. Në fakt ai është pjellë e një krimi , e krimit të miratimit dhe  dhënies së lejes së ndërtimit. INUK-u bëri mirë që rrafshoi ndërtimet pa leje apo me leje të paligjshme për gjatë bregut të Vlorës, që vinin ndesh me planimetrinë dhe zhvillimin uraban të qyetit, por nuk duhej të ndalej para një pallati ndërtuar hapaz në kundërshtim me ligjin, pra mbi det dhe në kundërshtim me planin perspektiv të ndërtimit të qytetit. Dhe këtu kanë një faj jo të vogël urbanistët ë qytetit,që duhet të thonë fjalën e fundit, nëse kanë personalitet. Dhe jo të shprehen  se këtë e vendos kryetari i bashkisë!..

            Ai është një pallat simbol i paligjshmërisë. Dhe mosprishja e tij kompromenton aksionin qeveritar për pastrimin e vijës së bregut të detit, duke krijuar idenë e veprimit selektiv, që do të thotë se te pafuqishmëve, atyre që s’kanë suport politik mund t’ju prishet prona, kurse të fortët e lidhur me politikën s’i gjen gjë. Ky është karshillëk ndaj ligjit dhe dobësi e qeverisë, në mos korrupsion politik.

            Në media pati shumë diskutime pro dhe kundër këtij pallati. Që ky pallat u mbrojt politikisht duket edhe nga deklarata e Berishës në mbrojtje të hapur të tij, duke e  komentuar si hakmarrje  të kryeministrit Rama ndaj liderit formal të opozitës. Në vend që ish-kryeministri të kërkonte ndjesë për këtë krim, e  mbron paturpësisht atë.

            Ndërsa avokatët mediatikë të qeverisë paraardhëse e mbrojne pallatin me sofizma, demek duke mbrojtur qytetarët që kishin blerë aparatamente atje. Në fakt INUK veproi gabim, kur errethoi pallatin me policë, ndërkohë që nuk ishte i qartë plotësisht. Pra , u shpejtua. Ai duhet të vinte atje me letra të kopsitura dhe ta shembte pallatin dhe jo thjesht me entuzizëm euforik, karakteristikë e aksioneve të dikurshme.

            Kur niset per veprim një organ shtetëror, sidomos kur e shpall publikisht, duhet ta ekzekutojë. Kjo tregon seriozitetin e shtetit dhe qeverisë. Që ky pallat është i paligjshëm duhet qartë, por është i nevojshëm argumentimi ligjor.

            Nga shume deklarime dhe pohime në shtyp, pro dhe kundër, më ineteresanti dhe i bazuar duket prononcimi i ish-derejtori të INUK-ut Gjegj Bojaxhi, një specialist i paanshëm dhe i besueshëm edhe për faktin se ka qënë pjesë e mxhorancës qeverisëse të Berishës dhe e ka denoncuar atë që më 2010, pra, kur në pushtet ishte PD-ja. Por presioni politik e ka thyer prokurorinë dhe gjykatën, ku ka pasur akord pushtet qëndror-pushtet lokal. Aty pliksen ineteresa të njerëzve  të lidhur me pushtetin ë djeshëm dhe të sotëm, pandaj  Gjykata administrative e Vlorës e pezulloi prishjen ë tij me një kazus spekulativ, duke iu dhënë të drejtë banorëve (të cilët kanë të drejtën e tyre) por  banorët nuk janë palë në këtë konflikt.Konflikti është midis ligjit dhe bashkisë. Aleanca politike duket se fitoi përkohësisht ndaj ligjit, duke ë mbrojtur një pallat politik. Ndërsa pallatet “jopolitikë” u prishën  pa mundim. Pra, pa dashje ose me dashje krijohen dy standarte. Ndërsa ligji është një.

            Shkatërrimi i territorit është një nga krimet më të rënda të bëra këto 20 e ca vjet katrahure demokratike. Dhe këtë qeveria e re e di dhe e ka artikuluar shpesh gjatë dhe pas fushatës elektorale. Tani mbetet të korrigjojë c’të mundet dhe të ndëshkojë ata që kanë bërë kaq zullume ndaj natyrës dhe mjedisit. Dhe që ta bëjë këtë, duhen dhënë shembuj ekzemplarë, si ai i shëmbjes së pallatit “politik”, që përmendëm. Ai ka vlerën e një simboli të negativ të shpërfilljes së ligjit. Kurse ligji duhet të tregojë se është i pashpërfillshëm.

             Pa ndëshkim nuk ka korrigjim, prandaj duhet të veprojë ligji dhe jo të stepet para antiligjit, edhe kur antiligji ka koracë politike. Pallati politik duhet shembur si simbol i korrupsionit. Duhet të fitojë ligji, të fitojë shteti.


Botuar ne gazeten "SOT" 24.11.2013

Σάββατο 9 Νοεμβρίου 2013

SHQIPERIA, E VOGEL PER TE SHKATERRUAR ARMET KIMIKE TE SIRISE



SHQIPËRIA, E VOGËL PËR SHKATËRRIMIN E ARMËVE KIMIKE TË SIRISË



                                                            Nga Petrit Qejvani



            Atmosferës së ndezur politiko-mediatike për shkak të disa aksioneve të forta të qeverisë, sidomos atë të kontrollit të territorit dhe prishjes së ndërtimeve pa leje, befas iu shtua edhe një lajm i ri:

             Shqipëria caktohet si vend i përshtatshëm për shkatërrimin ë armëve kimike të regjimit antidemokratik të Assadit të Sirisë! Dhe, siç edhe pritej, nuk është pritur mirë nga opinioni publik shqiptar. Opozita e shfrytëzon këtë lajm për show poltik. Kurse ambientalistët dhe qytetarët e kanë seriozisht. Sa për zërin e qeverisë, ai ende nuk po dëgjohet.

            Po pse zgjidhet Shqipëria si vend i përshtatshëm për shkatërrimin e këtyre armëve vdekjeprurëse? Ata që e kanë përzgjedhur Shqipërinë japin dhe disa argumente, si për shembull se Shqipëria është një vend me përvojë në shkatërrimin e armëve,(!) bile, sikurse thuhet, i pari në botë që është demilitarizuar nga armët kimike. E dyta, për shkak të pozicionit gjeografik dhe kostos së ulët të transportit të këtyre armëve. Arsyeja e tretë dhe më e forta është se Shqipëria nuk kundërshton dot, ndërsa të tjerët kundërshtojnë , si Norvegjia. Këtë arsyen e fundit ata nuk e artikulojnë, por nënkuptohet.

            Qeveritë shqiptare nuk kanë zë ndaj të mëdhenjve. Janë të njohura pranimet e muxhahidinëve iranianë apo ujgurëve kinezë të strehuar në Shqipëri, a thua nuk ka vende të tjera ku mund të shkojnë!

             Në shtypin gjerman këto ditë thuhet se po ushtrohet presion mbi qeverinë e Tiranës për ta pranuar këtë “ofertë” jo të këndshme “partneriteti”. Edhe në shtypin shqiptar është theksuar se SHBA dhe Rusia i kanë kërkuar Shqipërisë të pranojë mijëra ton armë kimike të shfarosjes në masë për t’i shkatërruar.

             Të nderuar miq amerikanë dhe ish-miq sovjetiko-rusë, ju falenderojmë për respektin që keni  në aftëstë tona armëshkatërruese! Por nuk ju duket se po na i zmadhoni ca vlerat në këtë drejtim?!

            Vërtet, vetëm Shqipëria e vogël , vendi më i prapambetur në Europë për nga zhvillimi ekonomik dhe teknologjik, mund ta kryejë këtë opoeracion? Nuk ka vende të tjera? Tek e pra dhe e fundit, nuk i keni ju vetë kapacitetet tekniko- shkencore  për ta bërë këtë, si dy vende lider në prodhimin e armëve? Sigurisht që po. Bile Rusia që ia ka shitur këto armë Assadit, duhet ta bëjë e para.

            Në  fund të fundit ne jemi një vend shumë i vogël dhe s’kemi shkretëtira për ta bërë këtë, edhe sikur të kishim kapacitetet njerëzore dhe materiale. Ne s’na del sipërfaqja as për t’u prehur ata që ndrrojnë jetë…

            Nëse vendet e tjera europiane nuk e pranojnë, një operacion i tillë mund të bëhet fare mirë në stepat apo tajgat e pafund të Rusisë ose në shkretëtirat perëndimore të SHBA-së, krejt të pabanuara. Ne ju falenderojmë për besimin dhe vlerësimin që keni për ne, por mos na e kërkoni një gjë të tillë!

            Mos ia kërkoni qeverisë shqiptare, që sapo miratoi një ligj për mospranimin e mbetjeve të riciklueshme nga Europa, të pranojë këtë. Sepse e diskreditoni. Ne ju respektojmë ju miq amerikanë për gjithçka keni bërë për shqiptarët dhe ju jemi mirënjohës. Mos u nisni nga ajo që ne nuk jemi një popull i rafinuar (civilizuar) dhe  sakrifikohemi kollaj për mikun!

            Ju lutemi, ne nuk jemi kaq të zote sa na bëni ju në këtë rast! Ju silleni me ne si mësuesi autoritar me nxënësin e prapambetur që, veç kujdesit për ta bërë më të mirë, na vini edhe ndonjë detyrë (kusht) të tillë, që nuk e kemi qejf, por s’kemi ç’bëjmë dhe ulim kokën.

             Ambasadori Arvizu tha në Shkodër se ne (SHBA dhe Shqipëria) jemi krenarë që jemi partnerë në NATO. Sigurisht. Por nuk besoj se në këtë rast kemi të bëjmë me partneritet. Këtu ka veç vasalitet nga na jonë.

            Ne nuk jemi të marrë të mendojmë se jemi të barabartë me amerikanët. Ju e dini këtë. Ju dini gjithashtu që ne (së paku këto njëzet e ca vjet) nuk kemi zë të kundërshtojmë të mëdhenjtë. Mos na e bëni kot qejfin! Por ju e keni një të drejtë që na e kërkoni këtë: ne kemi treguar se kemi përvojë për të shkatërruar mjedisin, natyrën tonë barabarisht në këto njëzet e ca vjet kaosi paskomunist.

            Ne kemi rrafshuar pyjet, kemi kthyer lumenjtë në baltovina të helmuara, kemi rrethuar qyetet me gurore dhe furra gëlqereje si në mesjetë, ku digjen goma makinash, ,duke e sterrosur qiellin si një vend në luftë.

            Ne kemi betonuar bregdetin, duke u sjellë me  natyrën si pushtues në kalim,(pushtuesit afatgjatë sillen më mirë). Dhe për këtë një meritë të veçantë kanë politikanët tanë aspak patriotë. Në këtë drejtim ju keni plotësisht të drejtë të zgjidhni Shqipërinë për shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë, sepse ju mendoni se nuk ka ç’të prishet më shumë! Por, megjithë këtë, mos na e kërkoni një gjë të tillë, që të mos t’u lëmë peshqesh brezave që do vinë një Shqipëri të helmuar nën tokë e mbi tokë.

Ne kemi më pak se çdo vend tjetër europian sipërfaqe për individ dhe shumë më pak sipërfaqe të gjelbëruar. Dhe, në fund fare, atë që heziton t’jua thotë qeveria, ju a themi ne si qytetarë: ju lutemi, mos i sillni armët kimike të Assadit për t’i shkatërruar në Shqipëri!

            Boll e kemi prishur dhe helmuar vet mjedisin tone, vendin tonë! Ju, përkundrazi, mund të kishit marrë një nismë për dekurajimin e shkatërrimit të mëtejshëm të natyrës sonë, të vendit tonë për rehabilitimin e tij. Ne besojmë që ju nuk do të na detyroni të pranojmë një dhuratë të tillë për hir të atyre që thamë më  lart, por edhe të saj që ne jemi populli më proamerikan në Europë. Qoftë dhe për këtë të fundit na e hiqni këtë ofertë, që të burojë nga partneriteti dhe jo nga vasaliteti.

Do t’jua dimë për nder.


Ps.Ky shkrim eshte postuar ne fb ne daten 8.11. 2013 


Botuar ne gazeten "SOT" 10.11.2013