Σάββατο 29 Ιουνίου 2013

NJË REVOLUCION ELEKTORAL


NJË REVOLUCION ELEKTORAL

                                                                     Nga Petrit Qejvani

            Tashmë dhe  militanti me fanatik e kupton dhe pranon që rezultati kaq i thellë i fitores së Aleancës së majtë dhe humbja po kaq e thellë e Aleancës së djathtë nga përmasat është një revolucion elektoral. Pra jo thjesht një rotacion , ndryshim pushteti rutinë në demokraci, por përmbysje.Pa dyshim ky është një nokaut politik për të djathtën, më saktë një nokaut politik per Berishën . Një rezultati te  tillë është vështirë t’i gjesh “shokun” në historinë elektorale të vendeve demokratike. Dhe doemos e para gjë që të shkon ndër mend është pyetja: pse një rezultat kaq i thellë?
            Për ata që kanë ndjekur me vëmendje dhe realizëm politikën shqiptare sigurisht që ndryshimi nuk është një gjë e papritur. Por e papritur është përmasa e ndryshimit. Disa shpejtuan ta quajnë“të frikshëm” këtë rezultat. Unë mendoj se ky ndryshim i firmosur nga qytetarët kërkohet të jetë i thellë dhe ka një domethënie të thellë dhe, më mirë se ata që e komentojnë,  e dinë vet qytetarët,që e kërkojnë. Vota e qytetarëve duhet lexuar me kujdes: qytetarët duan një ndryshim radikal. Kjo është domethënia e këtij ndëshkimi elektoral.
            Të ashtuquajturit analistë shetitës nga ekrani në ekran, teguan se sa larg së vërtetës ishin krahasuar me popullin,qytetarët e thjeshtë. Sofizmat e tyre nëpër studiot televizive dëshmojnë sa larg realitetit ishin ata. Ky ështe një ndëshkim shembullor i maxhorancës aktuale dhe një projeksion se një ndëshkim i tillë tashmë nuk do të kursejë asnjë maxhorancë, që nuk dëgjon zërin e popullit, që shpërfill qytetarin e thjeshtë. Dhe për çudi, shqiptarët e bënë këtë pa protesta dhe demonstrata, pasi qeveria arriti, pas 21 Janarit të 2011, të shuajë çdo protestë popullore. Arroganca e pushtetit ka qenë kaq e madhe sa që edhe greva e ish-të përndjekurve politikë u shpërfill nga qeveria dhe ata u dhunuan nga policia duke arritur deri në vetsakrifikimin e njerit prej tyre, që u dogj me benzinë publikisht në sytë e gjithë botës.
            Pra, ka shumë arsye për këtë, por arsyeja e të gjitha arsyeve mendojmë  është qeverisja e korruptuar dhe arrogante e kësaj maxhorance, ku hajdutëria u kthye në një sport masiv të zyrtarëve të shtetit dhe tallja e nëpërkëmbja e qytetarit të thjeshtë u bë modë. Sali Berisha ndertoi një regjim me fasadë demokratike, por represiv në kuptimin real dhe figurativ. Veçanërisht kërcënimi dhe ekzekutimi i opozitës me fjalë në parlament (ta bëj fytyrën si këpuca!!!) dhe vrasja e demostruesve në bulevard bënë që fryma e revoltës publike të shuhej dhe të akumulohej në shpirtrat e shqiptarëve.            Kjo votë e madhe popullore ishte një duf, një shfryrje urrejtjeje kundër këtij njeriu problematik dhe të rrezikshëm. Dy ishin armët më efikase të regjimit demofashist të Berishës: demagogjia e shfrenuar dhe terrori psikologjik. Këtu ai ishte një usta i vërtete, një nxënësi zellshëm i Gebelsit. Por këto ia artikuloi vetëm opozita dhe një grusht njerëzish të medias. Ndërsa të tjerët, sahanlëpirës apo frkacakë të medias së shkruar apo elektronike i thurnin “hosana Barabait” deri më 22 qershor.Bile dhe tani që populli e përzuri.
            Berisha ka meritën se instaloi gënjeshtrën dhe demagogjinë si mënyrë normale komunikimi, duke e shndërruar në një institucion. Ai krijoi një realitet virtual, si një prestidigjator profesionist, që nxjerr nga shamia mrekullira e që çuditërisht mashtroi përkohësisht shumë njerëz.  Ndërsa Sovrani,me ketë rast, maxhorancës  së re i ka sugjeruar se ç’duhet të bëjë. Ai i ka dhënë gjithë mundësinë qeverisë së re që del nga këto zgjedhje të realizojë gjithë ndryshimin e kërkuar. Jo vetëm korrigjimin  e kursit të qeverisjes nëpërmjet reformave, por edhe ndëshkimin ligjor të fajtorëve.
            Duhet të rihapen dosjet e mëdha të korrupsionit dhe krimit qeveritar si ajo e Gërdecit, për vjedhjen e 230 milionë eurove të rrugës Durrës- Kukës, për 21 Janarin e  2011 etj. Ky nuk është revansh dhe fitimtarët dhe Edi Rama duhet ta bëjnë këtë ne respekt të së drejtës. Këtë kërkon populli i lodhur nga tamatmet e parreshtura të regjimit butaforik të rrëzuar më 23qershor. Ky është detyrim ndaj qytetarëve. Nuk duhet falenderuar  një njeri që e çoi vendin, bashkë me detashmentet e tij besnike, në prag të luftës civile, që bëri grusht shteti më 1998 dhe, si Hitleri në Mynih dikur, i hakërrehej maxhorancës frikacake (Fatos Nanos) se me demokratët (nënkupto banditët) e Mamurasit dhe Laçit mund ta rrëzonte qeverinë legjitime sa herë të donte.
            Kjo është një votë e madhe kundër korrupsionit të llahtashëm dhe varfërisë së skajshme të qytetarëve. Duhet të dënohen hajdutët e pasurive kombëtare në të gjitha nivelet,  të gjithë ata që bënë rrush e kumbulla pasuritë e çmuara të nëntokës e mbitokës sonë të begatë, me konçesione e privatizime, që janë akte të pastra hajdutërie, për të gjithë ata që rjepin popullin (qytetarët nëse doni) dhe pasurohen për vete.
            Ndëshkimi ndaj të korruptuarve nuk është një hakmarrje, por një akt normal juridik dhe moral për këdo që bën krime. Dhe Edi Rama s’duhet të druhet prej saj. Edhe mesazhet e parë nga Europa për fitimtarët ishin: luftë korrupsionit dhe krimit. Të krijohet një administratë e pastër dhe meritokratike, duke u pastruar nga berishizmi si mentalitet qeverisjeje, një mentalitet gangsteri, ku qytetari duhej të paguante në çdo zyrë shtetërore, edhe kur s’duhej paguar, ndërsa kryeministri demagog pohonte ditë e natë  të kundërtën. Kurse analistët servilë dhe të paaftë i besonin marrëzitë e tij.
            Po berishizmi nuk mund të shkulet pa zhvendosjen e atyre që e realizuan atë dhe mbartin virusin berishist. Ky njeri krijoi një Shqipëri fallco. Dhe e shiti sapunin për djathë për 13 vjet me radhë,brenda dhe jashtë Shqipërisë. Berisha arriti t’i imponohej me dhunë jo vetëm opozitës, por shumicës së shqiptarëve, që nuk e kanë votuar asnjeherë, me përjashtim të zgjedhjeve të 1992, ku, për ironi, ish-koministët nuk ia vodhën votat. Nëse nuk i kup
ë pari  shteti ligjor, sikurse thoshte me të drejtë Prof.Rexhep Qosja, si parakusht për një shoqëri të drejtë. Pa u bërë një drejtësi e pastër, pa korrupsion, dhe pa u ndëshkuar ata që kanë shkelur ë shkelin ligjin,nuk ka shtet të së drejtës, por shtet mafioz, shtet të Maliqit të radhës.Populli kësaj here, me këtë votë, i kërkon qeverisë së re të  mos amnistojë ata, që kanë grabitur dhe vrarë.Sigurisht, duhen reforma, ligje, por ne nuk vuajmë nga këto . Ne vuajmë nga paraliza e ligjit, që vjen nga mungesa e vullnetit  politik për ta zbatuar atë. Ne nuk duhet ta paragjykojmë dhe besojmë se kjo maxhoracë e madhe do ta ketë vullnetin ta zbatojë ligjin. Por , që të bëhet kjo, nuk mjafton vetëm vullneti politik, por dhe lartësia morale.  Ne besojmë që kjo maxhorancë e ka këtë. Nëse jo, ky do të ishte një zhgënjim edhe më i madh se i pari.

Publikuar ne gazeten Tema, online, 28 qershor 20013


Κυριακή 23 Ιουνίου 2013

EDI RAMA DHE DUMSALISTËT Ë MEDIAS

EDI RAMA DHE DUMSALISTËT E MEDIAS
                                                                                               
                                                                                    Nga Petrit Qejvani

            Ë ndjej te nevojshme të shpjegoj kuptimin e termit “dumsalistë” i krijuar për analogji me termin “dumbabistë”,një term që, për njerëzit ë shkolluar, që lexojnë letërsi artistike apo historike,është i njohur dhe nënkupton fanatikët haxhiqamilistë, që donin “Babën”(Sulltanin) pikërisht atëhere kur forcat progresive shqiptare kërkonin europianizimin ë Shqipërisë. Dumsalistët janë ata që duan me cdo kusht Saliun,sulltanin tonë. Tani mund të vazhdojmë me shtjellimin e shkrimit.
            Sa më shumë afrohet 23 qershori, aq më ë nxehtë bëhet fushata elektorale, shtohet arsenali i mjeteve luftarake si dhe aktivizohen të gjitha rezervat njerëzore dhe materiale. Në këtë drejtim shquhet vecanërisht qeveria dhe dervishët e saj mediatikë. Është shfaqur kështu një specie ë re , dumbabistët dumsalistë ose ushtarët e propagandës së regjimit. Ata riciklohen herë pas here, si tani, në prag të ndryshimeve të mëdha.
            Njëlloj si haxhiqamilistët e dikurshëm,që luteshin për babën (Sulltanin), edhe dumbabistët e rinj  dumsalistë (sepse duan Saliun) edhe këta luten për sulltanin shqiptar të jetë jet e mot në pushtet. Nën hijen e tij amin gjithë jetën! Ekranet zhurmojnë nga dumsalistët mediatike, që marrin pozën e orakullit ogurzi për c’thotë opozita.Nga ekrani në ekran këta soj “analistesh” predikojnë mosndryshimin. Në qendër të sulmeve të këtyre “yxhymxhinjve” të medias është Edi Rama. Ata shprehin jo thjesht kontestim apo kundërshtim ndaj liderit të opozitës, por një lloj urrejtje gati patologjike. Emri i Edi Ramës i eksiton, i shpërqendon. Para tij atyre iu humbet logjika. Edhe kur me zor pranojnë ndojë paarritje te qeverisë së sulltanit tonë, menjëherë hidhen përpjetë dhe thonë se as opozita s’do bënte më tepër, se qeveria e Sali Berishës nuk e luftoi dot me sukses korrupsionin, por as Edi Rama, as opozita nuk e lufton dot, duke na futur qëllimisht në një rreth vicioz. Se gjersa nuk e bëri Doktori, nuk mund ta bëjë Piktori! Pra, ky vend s’ka shpresë.
            Cinike është vecanërisht marrja me jetën personale dhe familjare të Ramës. Këtu “analistët” dumsalistë kalojnë cdo normë dhe etikë. Kurrë më parë në jetën politike shqiptare nuk ka një rast ku familja,me gjithë cka të shenjtë ajo e një politikani, të jetë sulmuar kaq poshtërsisht, amoralisht. Një agresivitet i tillë është njëherësh dhe shenjë paniku. Përse? Këtë e dinë më mirë vet ata. Po me siguri s’ është cështje parimesh. Sipas  logjikës së tyre dumsaliste, sa të shkojmë nga një korrupsion në tjetrin, mirë jemi me këtë korrupsion që kemi!.. Më tepër të  djallëzuar dhe të paguar sesa të paditur, këta avokatë të mosndryshimit, ndonëse formalisht të shkolluar e te diplomuar, ndonjëherë dhe pjesë e stafeve akademike,janë aq anakronikë dhe reaksionarë në qëndrimet dhe dëshirën e tyre përmosndryshim, sa do t’i bënin xhelozë dhe dumbabistët e Haxhi Qamilit për besnikërindaj sulltan Saliut. Në pothuaj të gjitha bisedat dhe ekranet ku shkumëzojnë këta janë shfaqur si një sekt fondamentalist.
            Të sikletosur për fatin ë ‘babait” të tyre shpirtëror s’pranojnë asnje logjikë dialektike, vec këndojnë refrenin “dum babën” duke shpërndarë një duhmë mbytëse anadollake.. Avaz tjetër nuk ka për ta. Nuk të lejojnë në asnjë cast të preket “baba”, ndërsa mund ta shesin babanë tyre! Nëse u thua se “baba” duhet të ikë, se ka bërë shumë zullume, se i ka mbaruar ora politike, të sulmojnë, të anatemojnë, të asgjësojnë, me sy gati të përlotur për hatanë që mund të ndodhë, po iku bacë Saliu!...Sipas këtyre myteberëve,ikja e Saliut është një herezi...Por fanatizmi i tyre i verbër u duk ndoshta më qartë në emisionin "Opinion”, të enjten në tv klan ku po prezantohej programi elektoral i PS-së, ku rojet mediatike të pushtetit u shfaqën shëmtueshëm, pa edukatë dhe shumë ordinerë perballë liderit të PS-së. Vecanërisht shkëlqyen dy megafonë të pushetit, njeri i rruar dhe tjetri me mjekër. Ishin aq pikëllimtarë në qëndrimet e tyre, sa nuk kish si të mos të vinte keq që këta “kalorës “të fjalës, të ndodhur midis së vërtetës dhe shërbimit ndaj pushtetit, shkelnin mbi veten e tyre për hir të “babës”.
            Fati i “babës” për ta është më i rëndësishëm se fati i Shqipërisë. Nëse dumbabistët e fillimshekullit të kaluar ishin të sinqertë dhe naivë në dashurinë për “Babën”, këta të sotmit janë hileqarë dhe  të vetdijshëm për shërbimin ndaj“Babës”, pasi ia kanë parë hajrin shërbimit të tyre, duke u pasuruar padrejtësisht. Për ta ikja e babës është edhe  ikje e privilegjeve të tyre.
            Duke kënduar refrenin “dum Babën”, këta dumsalistë, kërkojnë mosndryshimin, kënetëzimin e politikës shqiptare dhe qelbjen e saj. Këta janë bretkocat e kënetës së sotme politike. Nga kjo pikëpamje këta janë shoqërisht të rrezikshëm, prandaj, beteja propagandistike kundër Saliut duhet shoqëruar me demaskimin e këtyre riciklimeve të mbetjeve të shëmtuara të fillimshekullit të kaluar. Që të jetë i plotë ndryshimi...

                       
Publikuar sot,date 20 qershor 2013 ne gazeten Tema online
Botuar ne gazeten Tema date 21 qershor

HUMBJA NUK ËSHTË FUNDI I BOTËS, Z. BERISHA!


HUMBJA NUK ËSHTË FUNDI I BOTËS, Z. BERISHA!

                                                                                    Nga Petrit Qejvani

            Më 23 qershor, sipas të gjitha gjasave, shqiptarët me votë do ndahen nga ju, z.Berisha. E kuptoj që kjo është e papranueshme dhe trishtueshme për ju z. Berisha. Po e keni vet  në dorë ta kuptoni e konceptoni si dicka normale.Nuk është herët për ju të bëni një bilanc të jetës suaj, sidomos asaj politike. Gjatë karrierës suaj relativisht të gjatë dhe të lakmueshme politike ju keni bërë punë të mira dhe të këqia. Se në ç’raport janë ato, do ta thotë historia.
            Ju udhëhoqët PD-në aksionin ë madh politik të rrëzimit të regjimit komunist në Shqipëri, ndonëse më vonë se në çdo vend tjetër ish-komunist. Dhe kjo është meritë juaja.
            Ju erdhët në pushtet me besimin e madh të shqiptarëve se do të ndërtonit demokracinë (kapitalizmin, që ju për arsye taktike nuk e artikuluat kurrë), por dhe sot ne jemi larg së qëni një vend demokratik i vërtetë, veç të tjerash, edhe për meritën tuaj, z.Berisha.

            Më 1992 shqiptarët ju dhanë votën dhe ish-komunistët në pushtet e pranuan verdiktin e sovranit (siç ju shpreheni shpesh) dhe nuk e manipuluan vullnetin e popullit duke vjedhur vota, megjithëse ishin maxhorancë,z.Berisha.
            Ju përgjakët zgjedhjet e ’96-ës,duke dhunuar vullnetin e popullit (gjë që nuk e bënë as komunistët fanatikë të Partisë së Punës ) dhe kjo është gjithashtu një vepër juaja.
            Ju shkaktuat trazirat e 1997, që çuan në rënien e shtetit (dukuri kjo e panjohur në kohët moderne) dhe Shqipëria u bë si më 1913, ku sundonte anarkia dhe u desh ndërhyrja e forcave të NATO-s që të evitohej lufta civile dhe kjo është gjithashtu një meritë juaja.
            Ju dërguat djemtë e veriut për të shtypur vëllezërit e jugut, z.Berisha dhe kjo do të shënohet në histori si një bëmë apo gjëmë juaja.
            Ju bëtë grushtin e shtetit më 1998, duke rrëzuar një qeveri legjitime dhe duke pushtuar institucionet ë shtetit dhe u desh ndërhyrja ndëkombëtare të normalizohej gjëndja. Edhe kjo është një vepër juaja, Z.Berisha.
           
          Ju bëtë Gërdecin e famshëm ku u rrafshua një fshat i tërë në kohë paqeje dhe kjo është e pandarë nga ju si kryeministër i vendit, z.Berisha.
            Ju bëtë manipulimin ë zgjedhjeve të 2009 dhe kjo sërish mban vulën tuaj.
            Ju mbani pergjegjesi per viktimat e 21 Janarit 2011.
            Ju realizuat manipulimin spektakolar me “procedurë” të zgjedhjeve për Tiranën (edhe me bekimin ë ndërkombëtarëve)      
           
            Nën qeverisjen tuaj u bë dhe Rruga e Kombit (ndonese e filluan socialistet) dhe kjo do të shënohet si arritje juaja.
            Ju bëtë dhe tunelin e Qafë-Krrabës, që lidh Elbasanin me Tiranën dhe kjo do të shënohet si vepër ë kohës së qeverisjes suaj.
            Dhe, më në fund, shpresoj shumë që të mos tentoni të manipuloni zgjedhjet e 23 qershorit, z.Berisha që të mos kalojmë një verë “të zjarrtë” dhe problematike…Mendoj se duhet ta harroni 2009-en dhe sidomos 2011(zgjedhjet e Tiranes) per te miren tone dhe tuajen.          
           Unë besoj, sepse ju e keni inteligjencën e nevojshme, përvojën dhe instinktin e politikanit për të mos e bërë një gjë të tillë, që të largoheni paqësisht nga pushteti, siç iku më 2005 Fatos Nano ( një nga punët ë mira që ka bërë ai). Megjithëse sundimtarët nuk kanë vend në Parajsë…
            Unë besoj se do ta bëni këtë për të mirën tuaj, të familjes suaj dhe në fund (ndonëse duhej të ishte e para) për Shqipërinë.
            E di që pasioni për pushtet është aq i fortë sa pasioni për gartë, z.Berisha.
            Por për çdo burrë vjen një kohë kur nuk bën as për gratë, as për politikë, z.Berisha.
            Mos  koncepto humbjen si fundin e botës. Nuk do shuhet Dielli, Toka sërish do rrotullohet dhe jeta do vijojë normalisht. Natyrisht, nuk është kaq e thjeshtë sa po e them unë, por do të mësoheni me gjëndjen e re dhe gadualisht do përshtateni, duke menduar si një “ish”. Sepse të gjithë, duke përfshirë dhe sundimtarët më të famshëm, vjen një ditë dhe bëhen "ish"-a.

Të qoftë e lehtë humbja!

Amin!

Shkruar per gazeten Tema

Publikuar ne portalin dhe gazeten "Kosovapress. date 8.07.2013

Τρίτη 11 Ιουνίου 2013

Naim Frashëri – Poeti dhe atdhetari

Naim Frashëri – Poeti dhe atdhetari



Petrit QEJVANI

PERLA – Revistëshkencore – Kulturore tremujore

Viti XI 2006 Nr. 2 (41) fq. 36-44

Botuesi: FondacioniKulturor “Saadi Shirazi” – Tiranë



(ky shkrim postohet per shkak te mesazheve te vepres se Naimit, te asaj qe ai ende i flet kohes sone )





Të flasësh për Naim Frashërin, asnjëherë nuk është e tepërt, është aq e lehtë dhe e vështirë njëkohësisht. Ndërkohë, të shkruash diçka të re është një kurth që i ngreh vetes, pasi për Naimin është folur e shkruar shumë dhe, ndoshta, më shumë se për cilindo krijues tjetër, dhe, të shumtën e herëve, është folur mirë dhe meritueshëm, me kompetencë, argumente, por edhe me dashuri. Për veprën e tij kanë folur e shkruar studiues e figura të respektuara të gjykimit e të analizës kritike të veprës së tij, mendimi i të cilëve përbën një konstante pohuese të vlerave të veprës së tij poetike,thuajse në mënyrë shteruese në kolonat kryesore. Dhe këtu kam parasysh ndihmesa të çmuara të studiuesve të njohur Dh. Shuteriqi, J. Bulo e posaçërisht akademikun Rexhep Qose. Ndërsa për çështje imcake “teknike” mund të diskutohet ende… Dhe siç ndodh gjithnjë me të mëdhenjtë, nuk mungojnë edhe zërat kundër tyre. Këta zëra, ndonëse të rrallë e të vjetër, arrijnë të dëgjohen edhe sot, zëra që kërkojnë të zbehin portretin poetik të poetit shenjtor, të cilët janë, jo vetëm të izoluar, por edhe pa jehonë në botën letrare shqiptare dhe në opinionin publik. Në këtë përvjetor të 160-të të lindjes së poetit, kjo fjalë imja, më tepër se pretendim për të thënë patjetër diçka të re, është një përshëndetje, që bëhet me nderim të veprës së pavdekshme poetike dhe atdhetaretë N. Frashërit.

Si çdo shqiptar i ndërgjegjshëm, edhe unë shpesh kam pyetur veten se çfarë e bënte dhe e bën N. Frashërin kaq të dashur për shqiptarët? Ndoshta me të dashurin nga njerëzit e shquar të këtij vendi? Natyrisht, është poezia e tij që të çon te Naimi, ashtu si Naimi vjen te ne nëpërmjet poezisë. Por poetë Shqipëria ka pasur edhe para N.Frashërit e, sigurisht, edhe pas tij. Dhe të mirë. Atëherë cili është “sekreti” i dashurisë së një populli për më shumë se një shekull për poetin e tij më të dashur? Vetëm poezia?! Është ajo dhe jo vetëm ajo. Çelësi, mesa duket, është diçka tjetër:është raporti poet-atdhe, individ-popull, është përqasja e veçantë që i bën poeti

Shqipërisë, ku duket se ai individualen, personalen, pjesoren e sakrifikon pa mëdyshje para atdhetares,teresores, te gjitheperkitshmes. Sigurisht të gjithë e duan atdheun. Dhe kjo është e padyshimtë, siç është e padyshimtë që ne të gjithë duam prindërit tanë, shtëpinë tonë, siç duam edhe veten tonë. Por kjo nuk është një dashuri konstante dhe e barabartë për të gjithë. Sepse atdheu duhet me fjalë, por duhet më tepër me vepra, me shërbimet që i bën atij. Dhe N.Frashëri ka qenë shërbëtor i madh i Shqipërisë. Ai i shërben atdheut pa kursyer energjitë fizike e morale (shpirtërore); ai bënte atë që donte Shqipëria dhe jo atë që donte vetë të bënte. Kështu, ai është vetëdijshëm i sakrifikuar, i gatshëm për çdo shërbim ndaj atdheut. Ai tërë jetën, po të shprehemi në mënyrë popullore, ka qenë i shqetësuar nga “meraku” për Shqipërinë.

Naimi ishte mësues, udhëheqës, ideolog, politikan, profet, moralist, diplomat (kujto vjershën “Dëshira e vërtetë e shqiptarëve”). Kjo shpërndarje, ky “copëtim” i tij në kaq shumë fusha, kur dihet që potencialet intelektuale të njeriut janë të kufizuara, vetiu do të kishin koston e tyre në cilësinë e realizimit të secilës prej tyre e koston më të madhe do ta paguante patjetër poezia si një fushë tekanjoze dhe delikate, si thelb i mendimit dhe shprehjes së hollë njerëzore.

Naimi e do shumë Shqipërinë dhe prandaj shqiptarët e duan shumë Naimin. Flas në të tashmen pasi, si poet, Naimi është i gjallë, ashtu sikurse thoshte vetë në “Fjalët e qiririt”



“Kur më shihni se jam tretur

Mos pandehni se kam vdekur,

jam i gjallë e jam në jetë

jam në dritë të vërtetë”



Naimi i drejtohet Shqipërisë natyrshëm, fare thjesht. Dhe gjuha poetike në këtë rast është më e thjeshtë, më e sinqertë, si para nënës së vet:

“Shqipëri, o mëma ime”, thotë poeti, gjithë mall e dashuri, me tone të ngrohta e përdëllyese, si në një bisedë intime me nënën e tij.

Jo më kot thuhet se dashuritë e mëdha nuk kanë nevojë për fjalë të mëdha. Kanë nevojë për fjalë të ndjera dhe sidomos për vepra dashurie. Naimi i këndon bukur, ndonëse thjeshtë Shqipërisë. Ai këndon pa sforcime, pa poza, pasi në dashurinë për mëmën, për shtëpinë, për atdheun nuk shkojnë pozat, as artificet brilante, konstruktet e kërkuara e të mezigjetura formalisht.

Raportet e tij me Shqipërinë janë shumë të ngrohta, pasi janë raportet nënë-bir, që përcaktojnë këto marrëdhënie, ku ka shumë dashuri dhe prandaj s’ka vend për retorikë, për pompozitet, për deklamacion. Sepse deklamacioni është më tepër arsye se ndjenjë. Dhe këtu kam parasysh jo krejt veprën e N. Frashërit, por veçmas poemën lirike “Bagëti e bujqësi”. Një “djalë për së mbari” kurdoherë është krenar për nënën e tij. Dhe Naimi është një i tillë. Nuk mund të harrohen e të të mos tronditin vargjet monumentale:



“Ti, Shqipëri më ep nder, më ep emrin Shqipëtar

Zemrën ti ma gatove plot me dëshirë e me zjarr."



Shqipëria është Nordi që tërheq gjithherë shigjetën e busullës së tij poetike.

Në kohën e Naimit kishte një Shqipëri reale (si materie sociale), të mjeruar, të shtypur, të sakatuar dhe një Shqipëri poetike të krijuar prej Naimit, të zbukuruar, të idealizuar, të parajsëzuar në kontrast të plotë me të parën. Një Shqipëri si ajo që ishte në të vërtetë, të demoralizonte, ndërsa Naimi ndërton një Shqipëri virtuale që të mobilizonte. Dhe mobilizimi ishte synimi i aksionit moral dhe atdhetar të poetit për të ndërtuar qëllimin e madh të Rilindjes Kombëtare dhe të atij vetë: Çlirimin e Shqipërisë prej robërisë, prej injorancës, prej prapambetjes së thellë. Sepse dihet që të demoralizuarit, çka ishin edhe shqiptarët në kohën e Naimit, nuk e kanë energjinë e nevojshme morale, shpirtërore për të ndërtuar aksione sulmuese, çliruese, emancipuese, gjerësisht ndërtuese. Optimizmi dhe shpresa janë shkëndija që ndez potencialet e fjetura shpirtërore, morale e pastaj ato politike, shoqërore e atdhetare, çka në fakt është ajo që kërkohej prej Shqipërisë e shqiptarëve në atë kohë dhe që e thotë poeti:



“Kam shumë shpresë

Te Perëndia

Që të mos jesë

Kështu Shqipëria

Po të ndritohet

Të lulëzohet...



Dhe më poshtë jep edhe rrugën e realizimit të saj, rrugën e shpëtimit:



Vëllazëria

Edhe bashkimi

E njerëzia

Është shpëtimi...1)



Shqipëria është jo vetëm motivi themelor, por edhe muza e poetit.

“Nat’ atje është tjetër natë, edhe dita tjetër ditë./ Në pyjet e gjelbëruar, atje rrinë perënditë”, - një gjetje e mrekullueshme poetike. Një Shqipëri ideale, e zbukuruar fuqishëm, vend i bukur dhe i shenjtë, do të thotë poeti, i denjë për qëndrim perëndish. Do guxim të madh poetik e qytetar që ka për bazë të vet dashurinë e pafund për atdheun që të thuash diçka të tillë, që Shqipëria është e denjë për perënditë, që Olimpi të boshatiset prej perëndive dhe Shqipëria të bëhet atdheu i tyre.

Dashuria e paanë e Naimit duket jo vetëm tek pasioni për t’i kënduar Shqipërisë globalisht (në tërësi), por edhe analitikisht (në hollësi), duke mos u lodhur së numëruari asgjë të saj, nga flora dhe fauna e vendit, nga malet dhe fushat, përrenjtë dhe lumenjtë, nga mbitoka e nëntoka e saj, duke përshkruar imagjinativisht gjithë territorin esaj (jo të sotmin e cunguar) duke përmendur edhe krahinat e qytetet kryesore të Shqipërisë (Arbërisë).



Ja hyrja e famshme e poemës, aq e njohur për shqiptarët:



“O malet e Shqipërisë e ju o lisat e gjatë

Fushat e gjera me lule, q’u kam ndërmend

Ditë e natë.

Ju bregore bukuroshe e ju lumenjt’ e kulluar

çuka, kodra, brinja, gërxhe dhe pyje tëgjelbëruar”



Dhe më poshtë:

“Dua të dal majë malit, të shoh gjithë Arbërinë,

Vëllezërit shqiptarë që venë në punë e vijnë”.



Dhe duke iu drejtuar dallëndyshes thotë:



A mos vjen nga Shqipëria? Eni vjen prej Çamërie.

Me këto milera fjalë e me gluhë perëndie?

Apo vjen nga Labëria, pra me duke kaqë trime...



A po vjen nga fush’ e Korçës, nga vend i mir’ e i gjerë



A më vjen prej Malësie, prej Skarpari, prej Dobreje

Nga Vijosa, nga Devolli, prej Vlor’ e prej Myzeqeje?

Për me marrë drejt Shkumbinë edhe’ Elbasan e Tiranën,

Kostur, Përlep, Follorinë, Dibër, Ipek e Jakovën,

Mat’ e Ysqyp e Prishtinë dhe Mirdit’ e Tetovën”.



E më poshtë pastaj përmend me radhë Krujën e Skënderbeut dhe Lezhën, e deri Ulqinin e pushtuar nga malazezët. Por dihet që talenti, edhe ai poetik, nuk shkon gjithnjë paralel me patriotizmin, nuk është në të njëjtin nivel. Porse të shkrihesh njëmend për atdheun tënd, të digjesh nga dashuria për të, të krijosh një atdhe jo vetëm figurativisht, së jashtmi, si peizazh, por ta krijosh atë edhe shpirtërisht, ta zbukurosh atë kur ai është në mjerim, kjo nuk bëhet thjesht me talentin poetik, por kërkon dhe një “talent” tjetër, “talentin” atdhetar (talentin e “të dashurit” të atdheut) dhe në këtë “talent” Naimi është i pashoq. Dhe prandaj ai është i gatshëm të shkrihet si qiriri për njerëzinë d.m.th. shqiptarët (Shqipërinë)



“Që t’u ap pakëzë dritë

Natënë t’ua bëj ditë”



Kjo poezi simbolike alegorike është kredoja e N.Frashërit, është “Kodi” që zbërthen gjithë kumtin e veprës së tij poetike. Pa retorikë, pa përbetime për të fituar pikë atdhetarie, pa interes personal, por për të kundërtën, për t’i sakrifikuar ato, i “Përuluri i madh” para shqiptarëve dhe Shqipërisë, si asnjëherë tjetër, na shfaqet çuditërisht jo modest, i bindur për kontributin e vet ndaj kombit të vet dhe bashkëkombësve të tij. (Natënë t’ua bëj ditë). Dhe kjo është një ndërmarrje e madhe, titanike, që nuk mund ta bëjë një “qiri”...



Vlera emesazheve të veprës së Naimit sot Ose ç‘i thotë N. Frashëri kohës sonë:



Kontributi i një poeti dhe vlera e tij nuk mund të ndahen nga mesazhi apo mesazhet e veprës së vet. Mesazhi i parë dhe më i madh i poetit është; “Të ngjallim Shqipërinë” sikurse shprehet në vjershën “Gjuha jonë”.



Vëllezër shqipëtarë,

Të prekim urtësinë

Të zem’ udhën e mbarë

Të ngjallim Shqipërinë.



Naimi me mesazhet e veta në përgjithësi si ai i përsosjes morale, i kultivimit të së mirës, i shkuljes së të keqes, gënjeshtrës, errësirës, e sidomos me mesazhin atdhetar është bashkëkohës i madh yni. Ai kërkon një Shqipëri “zonjë” në kuptimin e plotë të kësaj fjale: një Shqipëri të lirë, krenare, të përparuar, dinjitoze përballë kombeve të tjera, ku njerëzit të jenë të lirë, të arsimuar, të kulturuar, të iluminuar dhe, mbi të gjitha, të duan njëri-tjetrin, “si vëllezër”. Prandaj kjo fjalë është e shqiptuar shpesh prej tij. Por, që të ngjallim, “të bëjmë” Shqipërinë, në fillim duhet "të zëmë udhën e mbarë”, siç porosit poeti, pasi Shqipëria nuk behet bëhet po qe se shqiptarët nuk ndryshojne sjelljen, po qe se ata nuk sillen mirë me njëri-tjetrin dhe me Shqipërinë. Dhe kuptohet që kjo nuk është një sjellje dosido, por një sjellje diturore, politike dhe patriotike.



Lum kush të rrojë

Ta shohë zonjë...



Kjo nuk është vetëm dëshirë, por edhe besim i poetit tek e ardhmja e ndritur e Shqipërisë, një mesazh i madh shprese në një kohë të mugët. Para kësaj pasqyre të mesazheve të Naimit ne shqiptarët e sotëm nuk do të dukeshim fort mirë dhe do të na skuqej faqja, nëse do të ishim të ndjeshëm dhe të ndërgjegjshëm, aq sa duhet për gjendjen tonë aktuale, ndonëse prirjet drejt së mirës nuk mungojnë...

Megjithatë, nga koha e sotme duket se mesazhet e poetit janë aktuale dhe, bile, disa të paplotësuara... Dhe kjo, veç të tjerash, edhe për fajin e vet shqiptarëve, që grindjen, këtë zakon me sa duket historik, e vazhdojnë edhe sot e kësaj dite... duke harxhuar energji për të penguar e përbaltur njëri-tjetrin e duke mos lënë pa cenuar figura të tilla si Naimi, Noli, Kadare, Agolli, Qosja dhe duke përhapur një imazh të palakmueshëm të Shqipërisë në botë. Detyrë imediate e elitës së sotme intelektuale është pastrimi i vetes (katarsisi) si dhe pastrimi i atmosferës prej baltës së prodhuar reciprokisht për të ndotur njëri-tjetrin dhe, rrjedhimisht, Shqipërinë.Por askush nuk mund të pastrohet duke ndotur të tjerët.

Mund të përmendim si detyra ende të paplotësuara;integrimin e brendshëm (atë ndërshqiptar, në Shqipëri e Kosovë) pastaj integrimin Shqipëri-Kosovë e mandej integrimin e shqiptarëve në Evropë, detyrë e paplotësuar prej nesh, ndërkohë që kemi një atdhe jo të plotë ende fizikisht.

Në kohën e sotme, po aq sa kur ishte gjallë, N.Frashëri u duhet shqiptarëve me këshillat dhe mësimet e tij të thjeshta e të mëdha që “të shkrihemi” për Shqipërinë dhe jo të “shkrijmë” Shqipërinë për veten (dukuri kjo jo hipotetike sot) u duhet si model i qytetarit me moral të lartë, me shpirt të madh dhe sidomos me “prometeizmin” e tij, siç e ka përcaktuar qartësisht bukur prof. Rexhep Qosja. Në kohën tonë me krizë morale të shoqërisë shqiptare, përsosja morale është antidoti më i mirë, jeta dhe vepra e N. Frashërit është modeli më i vyer. Thënë ndryshe, për të bërë njëShqipëri më të mirë, tek secili nga ne duhet pak më tepër "N. Frashër".

Pa njerëz me moral të shëndoshë, nuk ka atdhe të shëndoshë. Por në këtë kohë pragmatike dhe egërsisht materialiste (në kuptimin më të keq të fjalës) ku “era” e parasë është muza kryesore e shoqërisë dhe e individit, unë e kuptoj shumë mirë që idealizmi i N Frashërit duket diçka fantastike dhe utopike, kurse ne të tjerët, që merremi me këto punë, dukemi si jashtëtokësorë!...

Megjithatë, unë besoj se në këtë vend, ashtu si kudo në botë. nuk ka vdekur ende mirësia, bukuria shpirtërore, miqësia e vëllazëria, solidariteti, ndonëse sot janë në minorancë. Por të shikosh përtej së keqes e të sotmes, është detyrë e intelektualit të vërtetë.

Nga mesazhet e N. Frashërit duhet të mësojë në radhë të parë elita shqiptare intelektuale, e sidomos ajo politike, e cila duhet të provojë para shqiptarëve se atdheun e do jo vetëm me fjalë...

Parë me syrin e botës së sotme gjithnjë e më globale, ka rrezik që patriotizmi të duket një relike e romantikës nacionaliste, sesa një ndjenjë e përhershme dhe N. Frashëri të duket po ashtu anakronik, bashkë me patriotizmin e tij.

Prandaj, dhe kjo është një arsye më shumë, që t’i ruajmë e t’i selitim më mirë “rrënjët” tona për të mos u tharë në një botë gjithnjë e më globaliste e kozmopolite, sepse “pa rrënjë” do të thotë “pa identitet”. Prandaj te poema “Parajsa” Naimi thotë:



“Parajs’e vërtetë

Është Mëmëdheu në jetë”



Prandaj, edhe një herë vepra e tij, sidomos "Bagëtie bujqësia", është ungjilli ku duhet të gjejnë forcën morale shqiptarët, ta lexojnë e rilexojnë e ta mësojnë edhe përmendësh për të larguar pesimizmin kolektiv, te injektuar nga tranzicioni i gjatë dhe dramatik, se ky vend s’bëhet. Përkundrazi, bëhet, duke shtuar dashurinë për njëri-tjetrin dhe Shqipërinë.





Kumtese e mbajtur ne sesionin shkencor "Naim Frasheri, apostull i patriotizmit", Universiteti "Ismail Qemali" Vlore, me 25 maj 2006

Σάββατο 8 Ιουνίου 2013

Edi Rama, dy sms dhe një drejtoreshë…

Nga Petrit QEJVANI Një e përditshme botonte këto ditë një shkrim, në të cilin i referohej “incidentit” të ndodhur midis kryetarit të PS-së dhe një drejtoreshe shkolle në Tiranë. Në të vërtetë ky “incident” kishte qenë “konfidencial” dhe u shndërrua në lajm, kur e bëri publik kryetari i PD-së dhe kryeministër i vendit Sali Berisha. Si çdo lajm “made in Albania” dhe ky kishte diçka që nuk “shkonte”. Fillimisht mendova se është një sajim i Berishës. Por kjo u konfirmua më pas në mënyrë të tërthortë nga njerëz pranë Ramës. Dhe kjo më degustoi. Kryeministri tha se kryetari i opozitës kërcënon drejtoreshën e një shkolle, pa të drejtë, me një sms, për shkak të bindjeve që ka dhe ka të drejtë të ketë drejtoresha e shkollës dhe çdo qytetar tjetër. Për këtë u fol edhe diku në një ekran në një emision politik, ku, nga ana e analistëve pro qeverisë, kjo u quajt gati një delikt, pasi kërcënohet një qytetare e lirë!...Sesa është ky një kërcënim, mbetet për t’u parë. Do ishte mirë që ne të mos e kishim këtë lajm dhe për këtë fajtor është lideri i opozitës, i cili duhet të na e kursente kohën si dhe të ishte më racional në harxhimin e energjive të veta në këtë fushatë të nxehtë dhe të gjatë elektorale.

Nuk dua të komentoj shkrimin e gazetës dhe arsyet për të cilat është shkruar, të cilat duken qartë. Me sa duket gazeta synon të “shfajësojë” kryetarin e PS-së, duke botuar edhe pjesë nga sms-të dërguar drejtoreshës militante të PD-së. Dhe në fakt aty nuk ka kurrfarë kërcënimi, por thjesht një “kujtesë” për të zbatuar ligjin. Aty nuk i kërkohet drejtoreshës të mos ketë bindje politike, siç djallëzisht manipulon kryeministri dhe sejmenët e tij, por të mos abuzojë me detyrën, duke detyruar mësuesit dhe nxënësit të marrin pjesë në mitingjet elektorale të partisë në pushtet, pasi, me ligj shkolla është institucion i depolitizuar. Atëhere çfarë nuk shkon në këtë mesele? Shqetësimi i kryetarit të PS-së është i drejtë dhe legjitim, por dukuri të tilla nuk janë risi tek ne dhe vazhdimisht media elektronike ka dhënë me zë dhe figurë mësues dhe nxënës që kanë braktisur mësimin për të marrë pjesë në veprimtaritë politike të partisë në pushtet. Pra, nuk është një dukuri e re. E reja është që shefi i opozitës e ul shumë poshtë shënjestrën në këtë betejë elektorale. Nuk ishte fare e nevojshme kjo nga ana e kryetarit të PS-së

Këtë denoncim mund ta bënte fare mirë një eksponent tjetër i rangut më të ulët në PS. Pra, duhet ruajtur parimi i hierarkisë, i rangut përgjegjës. Kështu, pa dashje dhe pa qenë nevoja, i rritet “rytbeja” një qytetareje anonime, me të cilën merret si i barabartë kryetari i PS-së dhe kryeministri i ardhshëm! Edhe titulli i shkrimit i “barazonte” dy “protagonistët” e incidentit, pasi jepej emri i drejtoreshës, që paralajmëronte Ramën ta linte të qetë. Bile nuk jepej as funksioni i saj, por drejtpërdrejt emri dhe mbiemri, a thua ishte një personazh i njohur publik (megjithëse, besoj, ishte hera ë parë që i dilte emri në faqet ë një gazete)! Do të ishte më mirë që ky “lajm” të harrohej sa më shpejt për liderin ë opozitës. Kurse gazeta pa dashje e riciklon. Rama nuk ka faj se denoncon një të vërtetë që ia bën “mu”, kur janë botuar edhe formularë kompromentues për qeverinë, që detyron nëpunësit e shtetit të dorëzojnë fotot e letërnjoftimeve të tyre si dhe të 20 të tjerëve, të marrë në patronazh, që duhet të votojnë për PD-në. Ndërsa për liderin e opozitës, ndonëse në parim ka të drejtë, në rastin konkret ky “dyluftim” është krejt pa vlerë, pasi, para kandidatit për kryeministër një drejtoreshë shkolle, me gjithë respektin për detyrën, është krejt anonime. Dhe një betejë me të është një harxhim i kotë kohe dhe tregon se këshilltarët ë tij (nëse i dëgjon) nuk dinë ta këshillojnë. Rama ka për ballë vetëm Berishën dhe bateritë ë tij duhen drejtuar e harxhuar me efektivitet vetëm kundër Berishës. Pra, duhet ta mbajë shënjestrën lart, atje ku është “objektivi” i tij. Po të shprehemi me një fjalor nga fusha e gjahut kësaj i thonë si të gjuash lepuj me top! Ndërsa për lepujt mjafton çiftja…

NËSE

NËSE








Nëse dashuri do të thotë


Dridhje qerpiku në një kryqëzim shikimesh,


Nëse dashuri do të thotë


Një buzëqeshje e kthjellët që të fton për më tej


Nëse dashuri do të thotë


Një puthje e vrullshme e vjedhur ndershmërisht


Nëse dashuri do të thotë


Një “po” e thellë e mbështjellë me avull


Nëse dashuri do të thotë


Të dua përjetësisht


Atëhere,


ku fshihet


````````````````````````````````````Tradhtia?





Petrit Qejvani,1999


Δευτέρα 3 Ιουνίου 2013

SHBA janë pro rotacionit

Hamëndjeve të qëllimta apo naïve se amerikanët janë me Berishën jet ë mot, u dha fund në emisionin “Opinion” në tv Klan ditën ë mërkurë ambasadori amerikan, tashmë “opozitar” dhe “socialist”, Arvizu. Në një intervistë të tensionuar pyetjeve të forta dhe provokuese të gazetarit Fevziu ( të cilat në fakt janë edhe pyetjet ë lidershipit të PD-së) se sa opinioni i ambasadorit amerikan është personal, se sa qëndrimet dhe deklarimet për çështje të ndryshme të politikës shqiptare janë të tijat dhe sa të qeverisë amerikanë, dhe sidomos, a ka rënë simpatia dhe mbështetja amerikane për Berishën, domethënë a janë ShBA-të për ndryshim politik më 23 qershor ( meraku kryesor i PD dhe medieve të saj), të bëra në disa variante prej Fevziut, Arvizu, dikur simpatizant i Berishës, deklaroi, thujse pa diplomaci: rotacioni politik është një gjë ë mirë. Që do të thotë “shqip” po, Amerika është për ndryshimin ë qeverisë! Por këtë e vendosin shqiptarët, tha ambasadori, i kujdesshëm për të mos lënë as shtegun më të vogël të simpatisë personale, duke e ditur që më parë se Tirana politike, sidomos qeveria, i lexon mesazhet e qendrave të politikës si i do qejfi. Dhe kjo është shumë normale. Qeverinë e Shqipërisë e zgjedhin shqiptarët. Por, kur zgjedhjet nuk bëhen vjedhje!..Dhe këtu është përqendruar dhe vëmendja ë ShBA-së sot.

Sigurisht që kjo përgjigje i ka hidhëruar shumë ithtarët e Doktorit. Një pikëllim të madh kjo ka shkaktuar te ithtarët mediatikë, që nuk lënë sekondë të kalojë pa lavdithurje për liderin “e përjetshëm” të PD-së. Në këtë parti humbja dhe largimi nga pushteti përjetohen si fundi i botës. Në kampin blu një deklaratë e tillë e z. Arvizu nën zë quhet armiqesore, bile antidemokratike. Sipas tyre në Shqipëri vetëm PD përfaqëson demokracinë dhe demokrat është vetëm Berisha. Çdo parti apo lider tjetër poltik nuk është demokrat, por kriptokomunist! Dhe e vërteta është se Berisha mendon kështu pasi është përkrahur, edhe kur duhej braktisur prej tyre ose duhej ndëshkuar.

Tani që duket se arbitri nuk është edhe tifoz i tij, ai duhet larguar dhe bojkotuar. Edhe pyetja se sa të besueshme janë raportet tuaja për situatën në Shqipëri në DASH, ku hapur iu përmend edhe paraardhësi i tij Ëithers, si person që u largua me mospëlqimin ë qeverisë shqiptarë, sapo u bë kritik ndaj qeverisë dhe Berishës, ishin një diversion dhe provokacion i hapur. Zoti Arvizu, si asnjëherë tjetër, i bezdisur nga diversione të tilla shumë “të guximshme” iu përgjigj se kur ma ka bërë një zyrtar i lartë i qeverisë këtë pyetje (ishte fjala pas seancës për përjashtimin e Muhos nga KQZ) iu përgjigja se ambasadorin ë ShBA-së ë cakton Deparatamenti i Shtetit dhe e miraton Presidenti i SHBA-së. Kur u pyet se si janë marrëdhëniet midis ShBA-së dhe Shqipërisë, ambasadori u për gjigj se ato janë shumë të mira, çka do të thotë se jo domosdoshmërisht kjo do të thotë se ShBA kanë raporte shumë të mira me Berishën, që do të thotë akoma se ai duhet të rrijë në pushtet!

Sikundër e kanë deklaruar shpesh amerikanët, ata evitojnë të shprehen se kemi miqësi me x apo y person, cilido qoftë ai dhe deklarojnë se janë miq të popullit shqiptar. Pra, ata kanë miqësi me shqiptarët dhe Shqipërinë dhe nuk e lidhin pa tjetër me ata që mund të jenë në pushtet në një kohë të caktuar, por me këdo që vjen në pushtet me votën ë lirë të popullit. Kaq mjafton. Pse ç’presim ne, që ai të thoshte të largohet Berisha dhe të vijë Rama?!Nënteksti ishte i qartë: Ai duhet të ikë!

Opinion i nënshkruar: Petrit Qejvani-Gazeta Dita 30 MAJ 2013

Σάββατο 1 Ιουνίου 2013

SI E ZBULOVA “ZËRIN E AMERIKËS”





Tregim nga Petrit Qejvani





Kanë kaluar shumë vite qysh atëhere. Isha i vogël, sapo kisha filluar klasës e katërt fillore. Ishim plot vëllezër e motra, të gjithë më të vegjël se unë, me përjashtim të motrës së madhe, që ishte më e madhja e të gjithëve. Shtëpinë e kishim të vogël, dy dhoma dhe një kuzhinë, por më të madhe se e mëparshmja, falë kryeministrit të asaj kohe, pas një kërkese të babait. Megjithatë, korridori prapë ishte i vogël, sa linim këpucët, që shpesh na ngatërroheshin. Kaq e vërtetë ishte kjo, sa një ditë një mik i ardhur nga fshati, që fjeti tek ne atë natë (nga fshati na vinin shpesh miq, njerëz të afërt, që, pasi mbaronin ndonjë hall të tyre në qytet, bujtnin në shtëpinë tonë pa menduar se ku do të flimin ne, të zotët e shtëpisë) kur u cua e iku pa gdhirë, sic bëjnë fshatarët, pa dashje apo se i kishin pëlqyer, kishte mbathur këpucët e babait dhe ne e kuptuam, kur babai do nisej për në punë. Kjo ngarje shkaktoi sa inat te babai, aq dhe të qeshura te ne të tjerët dhe u mbajt mend gjatë e tregohej si histori, sa herë vinin njerëz nga fshati. Kështu, përjashto raste të tilla, për ditë jeta ecte me ritmin e zakonshëm, ku ditët shtynin njera-tjetrën dhe ngjanin aq shumë, si binjaket, sepse ne bënim pothuaj çdo ditë të njëjtat gjëra, si të gjithë njerëzit. Ne fëmijët zgjoheshim në mëngjes, laheshim, hanim mëngjesin dhe vraponim për në shkollë. Pastaj ktheheshim nga shkolla, hanim drekë, flinim ose loznim me njeri-tjetrin dhe pasdite bënim mësimet sipas orarit. Pas mësimeve dilnim në oborrin para pallatit dhe loznim me fëmijët e tjerë të lagjes. Djemtë preferonin futbollin, ku shpesh grindeshim për gola të parregullt dhe jo rrallë thyenim gishtat e mëdhenj të këmbëve, pasi loznim zbathur dhe me topa lecke, sepse topat e llastikut ishin te shtrenjtë dhe shpoheshin shpejt, kështuqë prindrit nuk na blinin më. Por nënat na bënin topa prej lecke nga rrobat e vjetra dhe kështu e zgjidhnim problemin. Zakonisht, para se të errej, dëgjonim zërin e mëmës (kështu i flisnim ne nënës), që na thërriste dhe e linim lojën e ktheheshim në shtëpi.


Në të dy dhomat rrinim ne fëmijët që mësonim, kurse babai me mëmën, tani që ne ishim rritur, rrinin zakonisht në kuzhinë, në të cilën kishte dy divanë druri me boje jeshile të thellë. Atje dhe flinin. Pasi gatuante dhe lante enët, mëmën zakonisht e gjeje me shtiza apo gjilpërë në dorë, duke bërë triko ose çarape leshi per dimër, ose duke qepur ndonjë rrobë të shqepur a të vjetëruar. Kurse babai lexonte gazetën katërfaqëshë “Zëri i popullit” me nge deri në rreshtat e fundit, ku ishte programi i radios për atë ditë. Ishim të varfër, por të kënaqur, edhe pse nuk e kishim luksin të zgjidhnim as veshjen, as ushqimin. Kjo që thashë është pak e ngatërruar, po kështu e ndjenim veten ne në socializëm, krahasuar me kapitalizmin shtypës, në të cilin vetëm një grusht të pasurish bënin jetë.. Kështu na kishin thënë dhe kështu duhej të ishte. Dhe ne e besonim. Aq më tepër kur e krahasonim me gjëndjen e Shqipërise së paraluftës, një vend i mjerë dhe i prapambetur, më i prapambeturi në Europë.


Për veten time isha i lumtur kur arrija para derës së shtëpisë pas mbarimit të mësimit dhe ndieja erën e fasuleve të ziera dhe atëhere u thosha gjithë qejf atyre që gjeja brenda, mirëdita! Kurse ditët që kishim për drekë makarona me vaj balene, (kështu quhej një lloj vaji që vinte nga jashtë) një vaj i trashë që na digjte gurmazin dhe na i sillte makaronat në grykë, hidhja çantën i dëshpëruar mbi krevat dhe nuk thosha mirëdita. Kurse mishi dhe gjalpi ishin mysafirë të rrallë, se ishin të shtrenjtë dhe me racion. Mëma qeshte dhe thoshte nga kuzhina me zë të qetë, për të më ngacmuar: sot nuk na përshëndeti djali, se nuk i pëlqejnë makaronat. Unë qeshja nga marazi në dhomën “time”. Quhej imja se aty rrija kryesisht unë, tani që isha rritur. Më parë flinte babai. Më kishin bërë privilegj si djali i madh i shtëpisë. Ama, kur vinin miq, kuptohet, shpronësohesha dhe ua lija dhomën time mysafirëve dhe shkoja të flija te dhoma e motrave dhe vëllezërve më të vegjël, në krevatin dopio, dikur i prindërve, ku shtriheshim për së gjeri, që të na nxënte. Por nuk ishte vetëm cështja e të ngrënit dhe të fjeturit. Edhe rrobat ishin problem. Të reja për në shkollë nuk blinim vit për vit, sepse ishim shumë fëmijë. Duheshin katër- pesë palë libra çdo vit, fletore, lapsa, shishe boje, që shpesh na thyheshin, kur loznim ose ziheshim me shokët , se ishin prej qelqi si dhe pena e maja pene. Kjo, jo vetëm se rrogat ishin të vogla, por edhe se mëma nuk punonte, pasi vuante nga zemra. Kështu që rroga e babait nuk na dilte, prandaj mëma ishte bërë një kursimtare e madhe dhe nuk i vinte asgjë dëm. Kjo është kaq e vërtetë sa gra të pallatit, me të ardhura më mëdha nga ne, vinin e kërkonin herë një filxhan vaj, herë një lugë kripë e herë dicka tjetër. Mëmës i dilte dhe i tepronte se kishte moto thënien shtriji këmbët sa ke jorganin, që e përsëriste shpesh, kur ne kërkonim dicaka që na mungonte dhe s’mund ta kishim.


Rrobat e vjetra, që zbardheshin nga dielli dhe larjet e shpeshta me finjë, mëma i kthente nga ana tjetër dhe me gjilpërë dore i qepte për bukuri dhe ato dukeshin si të reja. Sidomos jakat e këmishave, që stripseshin nga larjet e shpeshta, mëma i kthente nga ana tjetër dhe ne gëzoheshim pa masë. Por një gëzim të vecante kam ndier kur me dhuruan nje palë rroba të ardhura nga Amerika, në klasën e pestë. Atë natë nuk më zinte gjumi. Me gjithëse të përdorura, ishin aq të bukura, saqë kisha qejf të flija me to. Bile kam bërë edhe një fotografi me ato rroba, që e kam dhe sot e kësaj dite. Ishin rrobat e djalit të një funksionari të ambasadës sonë atje, që kishte ardhur me pushime verore te vëllai i tij, komshi me ne. Meqë e zonja e shtëpisë shkonte mirë me mëmën dhe mua më donte shumë, ia dha mëmës sime për mua. Ndërsa librat dhe fletoret i mbanim në ca çanta fanellate ose doku me një rrip, që e hidhnim krahëqafë, që të mos lodheshim dhe t’i kishim duart të lira. Por ne i quanim normale këto, pasi, para çlirimit jeta kishte qenë më e keqe, fëmijët nuk shkonin në shkollë, por punonin si shegertë te të pasurit dhe merrnin pak lekë, sa të mbanin frymën gjallë. Ne këtë e dinim jo vetëm nga këshillat e prindërve, por sidomos nga mësimet në shkollë, nga copat e leximit si “Luli i vocërr” i Migjenit apo “Shegerti i vogël” i Qemal Stafës, që mua më kishin pëlqyer shumë. Kur na i shpjegonte mësuesja ne na vinte shumë keq për ta dhe vetja na dukej me fat.


Gjer këtu jeta në familje më dukej normale dhe nuk dyshoja asnjëhere për asgjë. Gjerat ishin në vendin e tyre, nuk kishte surpriza dhe jeta vazhdonte rrjedhën e saj qetësisht. Secili kishte vendin e tij dhe ne e respektonim dhe e donim njeri-tjetrin. Prindrit kishin vendin e tyre dhe bënin punët, që u takonin. Mëma, si zakonisht, me gjilpërë apo shtiza në duar dhe babai duke lexuar çdo ditë “Zërin e popullit”, që e sillte postieri, se babai ishte abonuar, gjë kjo e detyruar për anëtarët e partisë. Ajo s’e kundërshtonte kurrë babanë dhe babai nuk i bërtiste kurrë mëmës, sic ndodhte te fqinji matanë murit. Mëma s’i fliste kurrë në emër babait. Kështu ishte zakoni. Ajo, kur donte t’i drejtohej, i thoshte “more”, sipas zakonit të vjetër, duke zgjatur e-në , na duhet kjo apo ajo gjë. Si gjithnjë ata ishin në kuzhinë, kurse ne fëmijët në dy dhomat e tjera për të bërë mësimet apo për të fjetur. Babai nuk ishte i klubeve, edhe për shkak se ishim shumë vetë me nje rrogë, prandaj, pas pune, gjithnjë e gjeje në shtëpi. Kurse mëma domosdo, pasi ishte shtëpiake.


Kohët e fundit kisha vënë re se babai e mbyllte derën e kuzhinës pasdite vonë, sapo binte mbrëmja. Por nuk e dija pse e bënte këtë.Të bënte ndonjë gjë me mëmën!? Nuk e besoja. Ai ishte shumë serioz dhe nuk mund të bënte nga këto gjëra! Këtë mendim e hodha poshtë shpejt si të turpshëm dhe qortova veten për këtë. Një ditë babai e kishte lënë derën e kuzhinës ca hapur dhe unë u afrova dhe vura veshin: befas një zë i panjohur po jepte lajme politike shqip. Shtyva ngadalë derën. Babai rrinte në këmbë i përkulur me veshin pranë altoparlantit të radios ( ishte një radio e vogël “Strella” e prodhimit sovjetik) dhe po dëgjonte me vëmëndje, ndërsa mua më bëri shenjë të heshtja, duke vënë vertikalisht gishtin tregues te buzët e veta. Fike atë radio, iu kthye papritur mëma, që nuk i kishte folur kurrë kështu babait. Babai bëri sikur nuk e dëgjoi dhe, për çudinë time, në vend t’i tërhiqte vërejten mëmës,vetëm buzëqeshi. Atëhere unë iu afrova edhe më babait dhe po dëgjoja. Ai që po fliste në radio po shante komunizmin dhe fliste edhe për Shqipërinë. Unë u stepa dhe ndiqja me sy babanë.


E dallova që nuk ishte ai që jepte lajmet te radio Tirana, jo vetëm se shante komunizmin, por edhe se fliste në dialektin gegë. Qëndova ca aty, pastaj shkova në dhomën time për t’u hedhur edhe një sy mësimeve, që kisha për të nesërmen. Dhe e mbylla derën që të mos dëgjoja vëllanë dhe motrën e vogël, që po thoshnin mësimin përmendësh me zë të lartë, në garë me njeri-tjetrin. Pas pak nga kuzhina befas erdhi një zhurmë jo e zakonshme. Mbajta frymën. Babai me mëmën po grindeshin si rrallë herë. Kuptohet që as mund të shkonim t’i pajtonim. Ata e dinin vet ç’bënin. Babai nga natyra ishte i heshtur e fjalëpakë dhe ne kishim droje prej tij, ndonëse nuk na kishte dhënë asnjë pëllëmbë. Ai vinte dy herë në shkollë gjatë gjithë vitit, kur celej shkolla dhe kur mbyllej viti shkollor dhe donte që të merrnim pa tjetër fletë lavdërimi. Ky ishte kushti i vetëm i tij. I hollë e i gjatë, me vetullat e zeza kaleshe dhe flokët e zinj e të dredhur, por të shtruar nga kapelja ushtarake (ai punonte në polici) kishte hije të rëndë. Por edhe mëma nuk e kundërshtonte babanë. Kështuqë sherri që kishte ndodhur duhej të ishte shkaktuar nga dëgjimi i asaj radios së huaj, që fliste shqip dhe shante komunizmin dhe që mëma i kishte thënë babait në sy tim ta mbyllte. Dhe vërtet, kur hapa derën e dhomës sime e kuptova që shkaku ishte ajo radioja e huaj. Kjo ndodhi më shtoi kureshtjen për ta dëgjuar edhe herë tjetër atë radio, pikërisht atëhere kur babai mbyllte derën e kuzhinës.


Të nesërmen e kisha lënë qëllimisht derën e dhomës ku mësoja hapur dhe, në momentin që babai po e mbyllte derën e kuzhinës, u futa brenda si për të pirë ujë dhe po rrija me droje se mos më ndiqte. Ai shkoi te radiua dhe po kërkonte stacionin. Radiua ishte vendosur mbi lavapjat, në një biçim rafti të sajuar në hapësirën mbi lavaman, që shkonte deri në tavan dhe që më parë e përdornim si depo drush për dimër, sepse ne atëherë ngroheshim me soba me dru. Ndërsa tani, dimrit, drutë i mbanim në ballkon.


U afrova dhe unë pranë radios. Për çudi babai nuk më ndoqi. Kurse mëma herëpashere i nginte sytë nga shtizat dhe ia hidhte qortueshëm babait, por ai bënte sikur nuk e vinte re. Pas disa çasteve muzikë të fortë marciale, filluan lajmet. Zëri i folësit më dukej arrogant dhe imponues dhe mua nuk e di pse më tërhiqte, ndoshta prej dialektit gegë përzier me theksin amerikan, që mua më dukej argëtues. “Ky asht zani i Amerikës drejtpërdrejt nga Uashingtoni. Ndigjues t’ dashtun, mir mrama!” Si gjithmonë ai fliste kundër komunizmit. Aty dëgjoja fjalë dhe shprehje që nuk i kisha dëgjuar më parë dhe nuk ua dija kuptimin si “bota e lirë”,”të drejtat e njeriut”,”luftë e ftohtë “etj., por mua më pëlqente kur folësi thoshte shpesh Kina komuniste dhe asnjëherë Republika Popullore e Kinës, siç e quanim ne. Babai më shihte në sy dhe buzëqeshte. Po ashtu folësi thoshte “qeveria komuniste e Tiranës” si dhe “liria e fjales”, që ishte ndaluar në Shqipëri. Kjo e fundit nuk më pëlqente fare, sepse ne flisnim në Shqipëri dhe fjalët nuk mund të ndaloheshin. Ne flisnim nga mëngjesi në darkë, derisa na zinte gjumi. Sepse, si do merreshin vesh njerëzit po të mos flisnin?! Këtu, sipas meje, Amerika gënjente dhe shpifte hapur kundër nesh.


Një ditë sulmoi direkt Enver Hoxhën duke thënë se regjimi komunist i Tiranës i kryesuar nga zoti Hoxha ka burgosur mijëra kundërshtarë politikë! E kisha vënë re se folësi zakonisht nuk thoshte Enver Hoxha, por Hoxha dhe i shtonte fjalën “zoti” përpara në vend të fjalës “shoku”, sic e perdornim ne dhe kjo, edhe për shkak të semantikës së fjalës, më tingëllonte e cuditshme, bile komike, dhe më shfaqej para sysh, e mbivendosur, figura e klerikut myslyman. Unë atëhere këtë nuk e besoja dhe mendoja se ata, që ishin futur në burg, kishin bërë gabime dhe faje të rënda dhe se në shkollë kishim mësuar se ata ishin spiunë të amerikanëve, që donin ta shisnin Shqipërinë te kapitalistët. Unë nuk besoja të ishin mijëra. Shumë më vonë, kur isha student, pyeta një punonjës të ministrisë së brendshme, që shkruante edhe romane policore, të cilin e kisha dhe kushëri sa është numri i të burgosurve politikë, por ai ma preu shkurt, ndonëse me edukatë: E c’të duhet!.E kuptova që numri i tyre duhet të ishte i madh.


Atë ditë mëma ndërhyri ashpër duke i thënë babait: Mbylle atë radio po të them, se unë dhe ti e kullotëm cairin, por do marrësh në qafë fëmijët! Por cuditërisht babai i pergjigjej duke qeshur lehtë: nuk dëgjon njeri, se radiua është ulët. Dëgjon komshiu pas murit, ngulte këmbë mëma, por babai qeshte thuajse pa zë. Po më habiste kjo cilësi e re e babait. Pastaj ajo i kujtonte dajon e pushkatuar nga partizanët, sepse kishte sharë yllin komunist në mes të fshatit, megjithëse ishte anëtar i këshillit antifashist...Bile kishin pushkatuar dhe djalin e tij. Pastaj vazhdonte: po djali që është i vogël dhe dëgjon c’thonë imperialistët?!


Ndonëse nuk ishte komuniste, mëma dukej më fanatike se babai.Ti kot e ke teserën e partisë, i thoshte shpesh atij. Në fillim nuk arrija ta shpjegoja këtë qëndrim të saj, por më vonë e kuptova nga ato që më tregonte shpesh mbi jetën e tyre para clirimit: kishin qënë të varfër. Dhe varfëria është një mësues i besueshëm për të varfrit. E ke nga gjaku i tët vëllai, i sulej babait, duke i kujtuar vëllanë tetëmbëdhjetëvjecar të rënë në luftën antifashiste. Dhe vërtet për t’u habitur kjo sjellje e babait. Dëgjonte “Zërin e Amerikës” dhe, bile, në praninë time! Isha vetëm 11 vjec dhe dëgjoja zërin e Zamerikës, që ishte një radio armike e ndaluar me ligj. Për këtë futeshe 10 vjet burg për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor. Mëma kesaj here nuk kishte ndër mend të pushonte. Po sikur djalit t’i shpëtojë goja dhe t’i thotë ndonjë shoku të tij, ku të mbytemi pastaj? Dhe mëma cohej me vrull nga divani dhe vinte te radiua dhe e mbyllte. Por babai e hapte sërish dhe nuk harronte të më thoshte shpesh, kur rrija e dëgjoja lajmet e zërit të Amerikës: ata gënjejnë, janë imperialistë..Atje shumica janë të varfër, të papunë, fëmijët e punëtorëvë nuk venë në shkollë. Atje një pakicë jeton mirë, të tjerët shtypen”. Këto i kisha dëgjuar edhe në shkollë dhe i dija. Po pse i dëgjonte ai, kur ishte kështu?!


Kanë kaluar kaqë vjet dhe tani që babai nuk jeton më dhe vet jam bërë burrë, pyes veten: si më lejonte babai të dëgjoja një radio të frikshme? Dhe e gjej përgjigjen: ai besonte tek unë. Nuk i thoshte kot mëmës është djalë i zgjuar ky, nuk bën gabime dhe më shkelte syrin mua. Atëhere nuk arrija ta vlerësoja një gjë të tillë.Tani lartësohet akoma më shumë para meje shpirti i tij finik. Se nuk ishte shaka të bëje një gjë të tillë në ato vite të hekurta. Kurse babai mua më besoi. Dhe s’ka monedhë më të vlefshme se besimi! Ai më trajtonte si të madh. Faleminderit baba! Kjo është shumë. Sidomos në kohë të vështira.


Por dëshira e babait për të dëgjuar zërin e Amerikës u kthye në mani pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik më 1961.Tani Shqipëria shahej më shumë dhe ndryshe. Më dukej se tani radioja shprehte dhe keqardhje për popullin shqiptar, se ai kishte mbetur vetëm, se do t’i mungojë ndihma e BS dhe kampit socialist, se Enver Hoxha e izoloi nga bota dhe s’e ka të gjatë, se Tito është një komunist i mirë, se...Por unë tani isha “miqësuar” me zërin e Amerikës, pasi e kisha pirë antidotin ideologjik dhe lajmet e saj i quaja thjesht shpifje. I kisha marrë seriozisht fjalët e babait dhe ato të shkollës se ata gënjejnë dhe nuk ia duan të mirën Shqipërisë. Megjithëse nganjeherë mëndja më shkonte te ato rrobat e bukura amerikane që më dhuruan...Por këto nuk ma lëkundnin dashurinë për Partinë dhe urrejtjen për kapitalizmin. Pastaj emri i Enver Hoxhës ishte identifikuar me Shqipërinë dhe cdo cënim i tij ishte me një efekt të kufizuar,vetëm tek të përmbysurit. Por ata ishin të pafuqishëm dhe të frikësuar, pas goditjeve shkatërruese që kishin marrë nga diktatura e proletariatit, që ndryshe quhej pushteti popullor. Shumë qenë pushkatuar, të tjerë ishin nëpër burgje , kurse ata që ishin jashtë kishin ulur kokën. Jeta e tyre ishte një natë e gjatë. E ankthshme. Ata thjesht ishin katandisur në ca fantazma të kohës së shkuar...Bile ne mitingje politike ata duartrokisnin më shumë se ne, që e donim pushtetin popullor.


Në atë kohë ishte krijuar një atmosferë mbytëse për kundërshtarët politikë. Kudo mbaheshin mitingje solidariteti me Partinë dhe Enver Hoxhën, i bëhej thirrje ndërgjegjes patriotike të secilit, evokoheshin momentet e lavdishme historike, ngrihej lart patriotizmi tradicional dhe sidomos ai socialist, flitej për E.Hoxhën si për një hero, bëhëj thirrje për vigjilencë të lartë revolucionare. Partia e Punës dhe Enveri njësoheshin me atdheun. Fakti që Enver Hoxha ishte prishur me një superfuqi e kishte shndërruar atë në mit dhe e kishte përkëdhelur krenarinë kombëtare. U krijua një situatë psikologjike a thua ishim qendra e botës, pasi ne mbronim parimet e marsizëm-leninizmit, kur të tjerët i kishin tradhtuar. Ishte vërtet një situatë dehëse revolucionare. Mund të them se deliri na kishte pushtuar si popull. U krijuan këngë heroike për Partinë dhe Enver Hoxhën, kantata, balada, piktura e skulptura, poema e deri romane, ku glorifikohej Partia e Punës dhe Enveri. Dhe mendoja se të gjitha i kuptoja sic duhej. Ata ishin armiqtë tanë dhe na shanin, kurse ne ishim armiqtë e tyre dhe i shanim. Ndërsa babai, megjithatë, dëgjonte rregullisht zerin e Amerikës, një radio armike. Kjo më habiste dhe më vinte në mëdyshje dhe një ditë nuk e mbajta veten dhe e pyeta: baba, kur këta gënjejnë, pse i dëgjon? Dhe ai, duke më fërkuar kokën , gjë që e bënte rrallë, më përgjigjej: kot, të dëgjoj sa të djallëzuar janë. Partia ka thënë se duhet të dimë c’mendon armiku... Unë bindesha më në fund.


Jo vetëm në lëndën e edukatës, por edhe në copat e leximit ne ndesheshim me të këqiat e kapitalizmit, prandaj ky sistem duhej të përmbysej me armë. Copat e leximit përshkruanin jetën e fëmijve të varfër si Kozeta apo Gavroshi, që lypnin ose mblidhnin fishekë në barrikada. Dhe bota na dukej se ishte e tëra në luftë, ndërsa vetëm ne, që bënim pjesë në kampin socialist, ishim në paqe. Të tjerët, ata që ishin në botën kapitaliste nuk kishin punë dhe fëmjët, ndonëse të vegjël sa ne, punonin punë të rënda, sepse nuk kishin të hanin dhe për të gjitha këto fajin e kishte Amerika...


Nga propaganda e fuqishme si dhe nga librat e shkollës ne ishim të bindur se cdo e keqe vinte prej Amerikës, që te ne e quanin dhe xhandar ndërkombëtar. Por ne ishim me fat që nuk jetonim në Amerikë dhe nuk ishim pushtuar prej saj!


Një shok i klasës sonë kishte një xhaxha të arratisur në Amerikë dhe nganjëherë vishte i drojtur ndonjë rrobë të re, që thoshte se vinte nga Amerika dhe unë me shokët e tjerë e shihnim me dyshim dhe i rrinim larg si të ishte leproz.. Bile, ai ishte shumë i heshtur dhe ne e quanim spiun të amerikanëve. Megjithëse nxënës i urtë dhe në matematikë më i miri i klasës, atë asnjëherë nuk e vunë në tabelën e nderit si nxënës të dalluar, sepse ai nuk kishte biografi të mirë...Ndonjëherë më vinte keq për të, se shpesh rrinte mënjanë, por kur kujtoja që kishte një xhaxha në Amerikë, një shtet që donte të rrëzonte qeverinë tonë dhe Enver Hoxhën, më dukej i keq si një amerikan. Por nuk arrrija të kuptoja c’punë kishin amerikanët me Shqipërinë dhe pse ata e urrenin Enver Hoxhën. C’punë u prishte ai amerikanëve? Ata ishin shumë larg nesh. Këtë unë me shokët e mi e kishim mësuar në lëndën e gjeografisë. Ehuuu, sa larg ishte Amerika! Pse nuk shihnin hallet e tyre? C’kishin me Shqipërinë? Vecanërisht fakti që ata, që nuk e donin qeverinë, arratiseshin në Amerikë, më bënte të mos i besoja fare ato që dëgjoja te zëri i Amerikës dhe me vete thosha se ata janë gënjeshtarët më të mëdhenj në botë.


Ne e donim Enver Hoxhën se te ne të gjithë ishin njëlloj dhe nuk kishte të pasur që të shtypnin të varfërit dhe të gjithë fëmijët shkonin në shkollë. Kështuqë më ishte mbushur mendja top që Amerika ishte luftënxitëse dhe të pasurit shtypnin të varfërit. Kjo ishte e padrejtë për mua dhe shpesh mendoja se si, po të isha në Amerikë, të pasurit do shfrytëzonin babanë tim ose do ta flaknin nga puna dhe unë do lija shkollën dhe do punoja diku për të siguruar bukën e gojës, sic thoshte faqja e katërt e “Zërit të popullit” në rubrikën “pohojnë më gojën e tyre”, ku jepeshin shifra për papunësinë në vendet kapitaliste, sipas burimeve zyrtare të tyre. Sa mirë që nuk kisha lindur në Amerikë! Amerika le të fliste sa të donte në radio, le të shante sa të donte qeverinë tonë dhe Enverin. Ata ishin shumë të mirë. Amerikanët shpifnin nga inati. Kështu i vija kapak cdo gjëje që dëgjoja nga “Zëri i Amerikës.”


Më kujtohet mirë se si një ditë dimri sinjali i radios vinte dhe ikte dhe babai, nervoz kur vala dobësohej, e ngrinte në maksimum volumin dhe, kur sinjali forcohej befasisht, radioja gjëmonte dhe zëri dëgjohej përjashta. Babai e ulte me njëherë, por zëri zbehej sërish, ai sërish ngrinte volumin dhe sërish zëri forcohej dhe radiua buciste, ndërsa babai i sikletosur e ulte me nxitim volumin dhe mëma nga divani nuk pushonte duke e paralajmëruar të bëhej gati për burg.


Të nësërmen në mëngjes komshia me të cilën na ndante një mur me tek tullë i tha mëmës si rastësisht: Mbrëmë keni bërë shumë zhurmë, bënit sherr me zë të lartë. Dëgjohej vecanërisht zëri i një burri, që fliste sikur mbante fjalim. Dhe mëma u mundua ta bindte komshien duke i thënë se kishte ardhur për vizitë një kushëri i burrit, që e kishte zakon të fliste me zë të lartë sikur grindej, sidomos kur kthente edhe ndonjë gotë... Atë ditë mëma i bëri një gjyq të rreptë babait dhe, për herë të parë, babai u zbeh dhe nuk foli asnjë fjalë.


Pas kësaj babai nuk e dëgjonte më zërin e Amerikës, por lexonte si zakonisht “Zërin e popullit”, të cilit tani i kushtonte më tëpër kohë si dhe iu kthye disa libravë me dokumente që flisnin për historitë e brigadave partizane në Luftën e Dytë Botërore.


Mua më vinte edhe mirë, edhe keq kur shikoja babanë në këtë gjëndje. Mirë, se nuk dëgjonte më një radio të rrezikshme dhe keq, se babi ishte mërzitur. Bile mua më dukej se ai tani kishte edhe frikë. Ai burrë serioz dhe fjalëpakë, që mua më dukej edhe trim, pasi nuk ia bënte qejfin kot asnjerit dhe në mbledhjet e lagjes kritikonte dhe sekretarin e partisë dhe kryetarin e këshillit, tani më dukej si njeri tjetër dhe gjithmonë mendoja se mos komshia e kishte spiunuar në polici dhe ndonjë ditë mund ta arrestonin. Dhe shpesh dilja nga dhoma e shkoja në kuzhinë ku rrinte ai me mëmën dhe rrallë bisedonin me njeri-tjetrin. Por edhe mëma dukej se e shihte me një lloj meraku babanë, duke shkëputur herë-herë sytë nga shtizat dhe duke ia hedhur atij, kur babai lexonte. Po ti, më thoshte mëma, që e kuptonte shqetësimin tim, pse nuk vete të mësosh, po rri këtu? Shko bëj mësimet! Dhe unë largohesha pa fjalë dhe, pasi mbyllja derën e dhomës, hapja librat, por mëndjen e kisha te babai, që qe bërë më i heshtur akoma dhe më mbusheshin sytë me lot se mos i ndodhte gjë. Kurse komshies, jo vetëm nuk doja t’ia shihja sytë, por as t’i dëgjoja zërin. Spiunia e dreqit! Dhe dyshimet nuk ishin të kota. Kohët e fundit vinte para hyrjes sonë dhe ulej në stolin e lulishtes me shpinë nga ballkoni ynë (ne e kishim shtëpinë në kat të parë), sepse ashtu ishte vendosur stoli, një burrë shtat mesatar, me kapele dhe syze të errëta, që nuk hiqte edhe kur nuk kishte diell, njëlloj si ata të vebërit, që i mbajnë gjithmonë.


Atë e vuri re për herë të parë mëma, kur po nderte rrobat në ballkon një pasdite dhjetori. Ai qëndronte gjatë aty, deri sa binte mbrëmja, pikërisht në orën kur jepte lajmet Zëri i Amerikës, përherë më një gazetë në dorë, që bënte sikur e lexonte dhe cohej ngadalë, kur ato mbaronin dhe bënte sikur rregullonte cepat e palltos së madhe për të kthyer kokën pas për të parë nga ballkoni ynë. Pastaj largohej qetë-qetë me duar e zhytura në xhepat e palltos dhe, duke ikur, kthente ndonjëherë kokën nga shtëpia jonë dhe, për të mos u kuptuar, hidhte sytë më lart në katet e tjerë, si të kërkonte dicka.


Kështu, tre muaj rresht, në të njëjtën orë shfaqej njeriu me syze të errëta dhe kapele të tipit sovjetik. M’u bë dhe mua fiksim dhe në orën e caktuar e shihja nga xhamat e derës së ballkonit, pasi mblidhja pak perden. Dhe më mblidhej një lëmsh në grykë. Sidomos ankthin ma shtonte fakti që ai rrinte gjithnjë me shpinë nga ballkoni ynë dhe nuk ia pashë asnjëherë fytyrën. Me siguri kishte ndonjë aparat për të dëgjuar bisedat tona ose i vinin këto në ndonjë cep të gërmuar muri të komshiut. Kështu veprohej atëhere. Rrija ca caste i menduar në kuzhinë duke hedhur sytë me kujdes nga babai, pastaj largohesha për në dhomën time për të bërë detyrat e mbetura. Mëma, si gjithnjë, e shihte kur vinte dhe kur ikte njeriun me syze të zeza, pa i thënë gjë babait. Nuk donte ta shqetësonte. Ndërsa babai shkonte në punë si zakonisht dhe unë mendoja se sa më shumë ditë të kalonin kështu, aq më larg shtyhej e liga dhe babai s’do pësonte gjë. Dhe vërtet, ajo që kishim frikë nuk ngjau, por dicka më e lehtë: pas gjashtë muajsh babanë e hoqën nga policia dhe e nxorën në lirim të parakohshëm, sic i thanë, për shkak se do rekrutonin njerëz më të rinj në moshë për të rritur efektivitetin e shërbimit...Kaq ishte mrekulli për ne. Tani, pas kaq vitesh, kur zeri i Amerikës dëgjohet lirshëm, në mungesë të babait, ia bëj sërish pyetjen vetes: pse babai, një ishkomunist, dëgjonte “Zërin e Amerikës”? Sigurisht këtë s’e bëj për te kerkuar disidencë, kjo as më shkon ndër mend. Thjesht për ta ditur. Por nuk di të përgjigjem dhe shpesh, kur shoh foton e tij në kornizë, i bëj me mend pyetjen që i bëja dikur dhe mundohem të kuptoj c’thonë sytë e tij. Por është e pamundur të deshifrosh shikimin e tij, si shikimin e cdo të vdekuri në një foto, një shikim bosh, pluhur asgjëje, pa domethënie, që mund t’i japësh kuptimin që ti do.








Vlorë, 9 shtator 2012