Σάββατο 8 Ιουνίου 2013

Edi Rama, dy sms dhe një drejtoreshë…

Nga Petrit QEJVANI Një e përditshme botonte këto ditë një shkrim, në të cilin i referohej “incidentit” të ndodhur midis kryetarit të PS-së dhe një drejtoreshe shkolle në Tiranë. Në të vërtetë ky “incident” kishte qenë “konfidencial” dhe u shndërrua në lajm, kur e bëri publik kryetari i PD-së dhe kryeministër i vendit Sali Berisha. Si çdo lajm “made in Albania” dhe ky kishte diçka që nuk “shkonte”. Fillimisht mendova se është një sajim i Berishës. Por kjo u konfirmua më pas në mënyrë të tërthortë nga njerëz pranë Ramës. Dhe kjo më degustoi. Kryeministri tha se kryetari i opozitës kërcënon drejtoreshën e një shkolle, pa të drejtë, me një sms, për shkak të bindjeve që ka dhe ka të drejtë të ketë drejtoresha e shkollës dhe çdo qytetar tjetër. Për këtë u fol edhe diku në një ekran në një emision politik, ku, nga ana e analistëve pro qeverisë, kjo u quajt gati një delikt, pasi kërcënohet një qytetare e lirë!...Sesa është ky një kërcënim, mbetet për t’u parë. Do ishte mirë që ne të mos e kishim këtë lajm dhe për këtë fajtor është lideri i opozitës, i cili duhet të na e kursente kohën si dhe të ishte më racional në harxhimin e energjive të veta në këtë fushatë të nxehtë dhe të gjatë elektorale.

Nuk dua të komentoj shkrimin e gazetës dhe arsyet për të cilat është shkruar, të cilat duken qartë. Me sa duket gazeta synon të “shfajësojë” kryetarin e PS-së, duke botuar edhe pjesë nga sms-të dërguar drejtoreshës militante të PD-së. Dhe në fakt aty nuk ka kurrfarë kërcënimi, por thjesht një “kujtesë” për të zbatuar ligjin. Aty nuk i kërkohet drejtoreshës të mos ketë bindje politike, siç djallëzisht manipulon kryeministri dhe sejmenët e tij, por të mos abuzojë me detyrën, duke detyruar mësuesit dhe nxënësit të marrin pjesë në mitingjet elektorale të partisë në pushtet, pasi, me ligj shkolla është institucion i depolitizuar. Atëhere çfarë nuk shkon në këtë mesele? Shqetësimi i kryetarit të PS-së është i drejtë dhe legjitim, por dukuri të tilla nuk janë risi tek ne dhe vazhdimisht media elektronike ka dhënë me zë dhe figurë mësues dhe nxënës që kanë braktisur mësimin për të marrë pjesë në veprimtaritë politike të partisë në pushtet. Pra, nuk është një dukuri e re. E reja është që shefi i opozitës e ul shumë poshtë shënjestrën në këtë betejë elektorale. Nuk ishte fare e nevojshme kjo nga ana e kryetarit të PS-së

Këtë denoncim mund ta bënte fare mirë një eksponent tjetër i rangut më të ulët në PS. Pra, duhet ruajtur parimi i hierarkisë, i rangut përgjegjës. Kështu, pa dashje dhe pa qenë nevoja, i rritet “rytbeja” një qytetareje anonime, me të cilën merret si i barabartë kryetari i PS-së dhe kryeministri i ardhshëm! Edhe titulli i shkrimit i “barazonte” dy “protagonistët” e incidentit, pasi jepej emri i drejtoreshës, që paralajmëronte Ramën ta linte të qetë. Bile nuk jepej as funksioni i saj, por drejtpërdrejt emri dhe mbiemri, a thua ishte një personazh i njohur publik (megjithëse, besoj, ishte hera ë parë që i dilte emri në faqet ë një gazete)! Do të ishte më mirë që ky “lajm” të harrohej sa më shpejt për liderin ë opozitës. Kurse gazeta pa dashje e riciklon. Rama nuk ka faj se denoncon një të vërtetë që ia bën “mu”, kur janë botuar edhe formularë kompromentues për qeverinë, që detyron nëpunësit e shtetit të dorëzojnë fotot e letërnjoftimeve të tyre si dhe të 20 të tjerëve, të marrë në patronazh, që duhet të votojnë për PD-në. Ndërsa për liderin e opozitës, ndonëse në parim ka të drejtë, në rastin konkret ky “dyluftim” është krejt pa vlerë, pasi, para kandidatit për kryeministër një drejtoreshë shkolle, me gjithë respektin për detyrën, është krejt anonime. Dhe një betejë me të është një harxhim i kotë kohe dhe tregon se këshilltarët ë tij (nëse i dëgjon) nuk dinë ta këshillojnë. Rama ka për ballë vetëm Berishën dhe bateritë ë tij duhen drejtuar e harxhuar me efektivitet vetëm kundër Berishës. Pra, duhet ta mbajë shënjestrën lart, atje ku është “objektivi” i tij. Po të shprehemi me një fjalor nga fusha e gjahut kësaj i thonë si të gjuash lepuj me top! Ndërsa për lepujt mjafton çiftja…

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου