DREJTËSIA, E PËRDALA E
SISTEMIT
Nga Petrit Qejvani
Drejtësia dihet që përcakton natyrën
e sistemit, përkatësisht të shtetit. Në rastin shqiptar drejtësia e
kompromenton sistemin dhe shtetin, duke qenë thelbësisht ë korruptuar dhe , më
e keqja, krejtësisht e papërgjegjshme për rolin e saj përcaktues në ndërtimin
dhe konsolidimin ë shtetit demokratik. Ky është problemi më madhor i
maxhorancës së sotme, sikleti i saj ende i pazgjidhur. Nga zgjidhja e saj varet
suksesi apo dështimi i maxhorancës së sotme. Gjithë puna dhe vullneti i saj
vihen në pikëpyetje nga drejtësia .
Ndonëse të gjithë kanë drejtuar
gishtin nga ajo si më e korruptuara e sistemit (dhe ajo e pranon edhe vet këtë gjë), as i bën fare
përshtypje. Ajo i ngjan asaj krye k.., që i ka plasur cipa dhe nuk i bën përshtypje
asgjë. Për veprimet e saj të turpshme (vendimet e saj të padrejta në mbrojtje
të korrupsionit) më parë u skuqet faqja të tjerëve se atyre që punojnë në
sistemin e drejtësisë, veçanërisht gjyqtarëve dhe gjykatave, që ligji i ngarkon
të japin drejtësi.
Personalisht kam shprehur dyshimin
në shtyp (edhe në këtë gazetë) se një reformim i drejtësisë nga brenda sistemit
është i pamundur me shkallën e lartë të degradimit e degjenerimit të saj dhe
pikërisht për këtë kam hedhur idenë e nevojës së një EULEX-i për Shqipërinë.(shih
gazeta “SOT” 27 tetor 2013). Dhe sot mendoj se kam patur të drejtë.
Disa vendime radhazi të gjykatave të
shkallëve të ndryshme për ndryshim të masave të arrestit për të dyshuar për
afera korruptive si ai për daljen nga paraburgimi për prokurorin e kryetarin e
gjykates së Pukës, pas një afere spektakolare, për kryetarin e bashkisë Kamëz, (njeri
i përfolur për korrupsion moral, denoncuar para ca vitesh nga një ish-punonjëse
e tij publikisht) dhe korropsion material (vjedhje) dhe abuzime me tendera, si
dhe ai i komandantit trafikant të kufirit ne Korçë me motivimin se përgjimet kanë
qenë të paligjshme, dekorajojnë këdo që mendon se lufta kundër korrupsionit do
ketë sukses në këtë vend. Lidhur me këto vendime ministri i Brendshëm
Tahiri deklaroi nga Gjirokastra se ka “disa
segmente” të korruptuara të drejtësisë (gjykatave në këtë rast), që favorizojnë
krrupsionin. Në të vërtetë nuk është si thotë Tahiri se janë vetëm “disa
segmente” të korruptuara të drejtësisë,
që prishin punë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit, por është pjesa më ë
madhe e “vijës së drejtësisë”. Ndërsa “disa segmente” mund të jenë të
pakorruptuara. Të ishte siç shprehet ministri, s’do kishte fare nevojë për
reformë në drejtësi, pasi segmente të korruptuara të drejtësisë ka në çdo vend
të botës demokratike.
Në këtë sistem e keqja është në
maxhorancë. Ky është halli i qeverisë dhe qytetarëve shqiptarë. Faktin që
gjykata është e përdala e sistemit tonë të degjeneruar e theksonte në një prononcim për mediet edhe
kryeprokurori i Apelit zoti Hajdari,kur, në përgjigje të pyetjes së gazetares
se pse dështojnë gjyqet kundër korrupsionit tha se nuk dënon prokuroria, ajo
kërkon ndëshkimin, ndërsa gjykata vendos. Biles ai akuzoi hapur gjykatat, që
kanë mbushur birucat me përdorues të vegjël droge se sa me bosë të krimit dhe
korrupsionit, të cilët dënohen , në rastet më të mira, sa ai që ka vjedhur një
celular! Një sitem i tillë drejtësie, duke filluar nga gjyqtari më i thjeshtë
deri te presidenti i Republikës, që i kundërvihen hapur reformave të qeverisë,
doemos i kanë lidhur krahët qeverisë aktuale, duke kompromentuar dhe rrezikuar
seriozisht premtimet e fitimtarëve të 23 Qershorit.
Kur anormalja bëhet normale dhe
institucionalizohet, shpresa për ndryshim shuhet, prandaj është e domosdoshme
një ndërhyrje radikale dhe e shpejtë për të shpëtuar sistemin. Prandaj
reformimi radikal i tërë sistemit të drejtësisë, duke përfshirë edhe ndëshkimin
ligjor, është një emergjencë kombëtare dhe jo thjesht politike. Unë këtë e kam
quajtur një ”revolucion të bardhë”, pa gjak, ku parashikoj jo thjesht ndryshime
ligjore të nevojshme, por edhe zhvendosje njerëzish, shkarkime nga detyra,
transferime dhe, pse jo, edhe ndëshkime penale për gjyqtarët e korruptuar. Gjyqtarët nuk janë shenjtorë që të mos
ndëshohen! Spekulimi me pavarësinë e gjyqsorit nuk duhet të jetë koraca ku mund
të fshihet dhe mbrohet korrupsioni. Prej kësaj nuk duhet të trembet qeveria.
Mirëpo maxhoranca, ë zënë në kurthin e veprimeve të kujdeshme me drejtësinë, po
matet 100 herë dhe s’po pret asnjëherë! Ajo është shumë e vonuar në ritmin e
reformimit të drejtësisë.
Drejtësia do të fillojë të japë
drejtësi në këtë vend të mbretërimit të antiligjit kur të shkojë prapa hekurave
politikani i parë i lartë dhe gjyqtari i parë i korruptuar. Në të kundërt, ky
vend do të jetë një republikë e antiligjit, një parajsë e mafies politike dhe
ekonomike. Prandaj Rama dhe maxhoranca s’kanë pse druhen nga presioni i
gjykatave të korruptuara politikisht prej Berishës, të cilat janë të detyruara
të pranojnë ekzistencën e korrupsionit në mes tyre, por pa…të korruptuar(!).
Vonesa e kësaj reforme shumë të rëdësishme për demokracinë dhe shtetin ligjor
do të jepte frute të hidhura për qeverinë dhe sidomos për qytetarët e poshtëruar
shqiptarë, që zvarriten me vite para dyerve të gjykatave në pritje të
drejtësisë, njëlloj si personazhi i Kafkës te tregimi “Në dyert e ligjit”, kur qytetari e fiton të
drejtën, pasi vdes.”
Botuar ne gazeten "SOT" date 19.01.2014
Botuar ne gazeten "SOT" date 19.01.2014
Δεν υπάρχουν σχόλια:
Δημοσίευση σχολίου