NJË LAMTUMIRË SI NJË
KONCERT IKJA E VAÇE ZELËS
Nga
Petrit Qejvani
Vaçe Zela mbylli sytë përgjithmonë.
Ajo nuk është më mes nesh. Iku në botën tjetër, atje ku shkojnë të gjithë kur
mbyllin llogaritë me këtë botë. Në botën ku sovraniteti i qënies së ndryshuar
bëhet i paprekshëm nga të gjallët grindavecë. Vaçe Zela, si çdo ikonë është
tashmë lart në qiell, sa ç’është e qetë dhe e pacënueshme dhe në tokë.
Ceremonia e homazheve për të ishte
një ceremoni e përmortshme që nuk kishte mort. Një arkivol dhe një mal me lule si
mirënjohje për atë, që nuk do të shuhet kurrë. Ajo lindi për të mos vdekur, siç
lindin të mëdhenjtë e çdo gjëje. Ajo lindi për të mbetur përjetësisht këtu, nën
këtë qiell e në këtë qiell, si frymë e transformuar në këngë.
Vaçe Zela ishte e tëra një këngë
madhështore, një jehonë gjigande, që do të ushtojë në përjetësi, herë e butë
dhe delikate si flladi i pranverës, kur i këndon dashurisë, herë e rëndë dhe
epike, kur i këndon atdheut, revolucionit, socializmit. Zeri i saj shtrihet nga ritmet e lehta te marshet
revolucionare, te kantatat dhe himnet që i ngre Shqipërisë, sidoqoftë ajo, e lirë
apo e izoluar, sepse është përherë atdheu i saj, shpirti i saj. Vaçe Zela i
këndoi me një zë dhe pasion të rrallë Shqiperise si te ishte vendi më i madh dhe më i bukuri botës. Por keshtu mund te kendohet per atdheun. Dhe jo se nuk e
kuptonte ku jetonte, por se me instinktin e artistes së madhe e dinte mirëfilli
se kënga ishte balsam për shpirtin, se kënga thoshte shpesh atë që nuk e thotë
dot thjesht fjala, se ajo ësht mjeti që zbut, zbukuron e shëron plagët e
shpirtit.
Ka në këngët e Vaçe Zelës dlirësi,
dhembje, dinjitet, solemnitet, dashuri. Dhe të gjitha këto i mbështjell me një autoritet
të padiskutueshëm profesional. Ka mbi të gjitha një dritë që buron
së brendshmi, ka vrull që të jep krahë dhe forcë që të mos biesh, të mos
jepesh, që vjen si drithërimë dhe valë-valë si një vals madhështor, që të
pushton shpirtin, të ngroh zemrën dhe të bën më të mirë. Eshte efekti i artit te vertete. Ajo ceremoni mortore i ngjante më tepër një koncerti me këngë, ku e vdekura e pavdekshme këndonte e
dëgjonte edhe vet efektet e zërit të saj. Zëri i saj i magjishën në sfond
çuditërisht nuk të bënte të përloteshe, gati harroje se ishe në mort. Duke dëgjuar
këngët e saj, me siguri të gjithë këndonin nën zë bashkë me të. Kishte vetëm
lule dhe muzikë.Tamam si një koncert. Ndërsa proza “poetike” e politikës as u
ndie fare, ashtu si prezenca e politikanëve, që dukej krejt e huaj dhe
artificiale. Dhe s’ka vdekje më “të bukur” (meqë ajo është e paevitueshme) se
vdekja ë një këngëtari të madh (këngëtareje të madhe), që përcillet në banesën e fundit me këngët e saj. Është një përqeshje e vdekjes, një
mundje e saj. Është privilegj i
madh të jesh artist ( i madh), sidomos këngëtar, pasi vdekja bëhet më e lehtë, bile
“harrohet” nën zërin dhe tingujt magjepsës. Dhe vërtet. kjo vdekje pati shumë
pak zi, një zi të ndritshme si drita e diamantëve të
zinj, diskrete, delikate, të kristaltë,
qetësuese , melankolike. Por jo dëshpëruese. Kishte më tepër një trishtim të
lehtë, gati aristokratik, sepse kënga, edhe kur është elegjiake, është ngritje
mbi dhembjen, mbi të keqen. Është supremaci dhe dominim mbi ligështimin, mbi
thyerjen, mbi deshpërimin. Kënga është në fund të fundit një triumf. Dhe
këngëtari i madh një triumfator, një fitimtar i përjetshëm. Siç ishte dhe Vaçja
jonë, siç është dhe Vaçja jonë, siç do të jetë dhe Vaçja jonë. Vaçja e madhe e një vendi të vogël, Vaçja e
lirë e një vendi të izoluar. Por ajo bëri me te miren për kohën dhe vendin e
saj. Këndoi me gjithë fuqinë e shpirtit për gjithçka: për dashurinë, për femjën e parë, për gjyshen, për motrat ilegale, për partizanët çlirimtarë, për atdheun
e dashur, për “Lulëkuqen” dhe i këndoi të gjitha këto me art të madh.
Qe më e madhja midis të mëdhenjve të
tjerë te kenges, sepse i këndoi të gjitha zhanret e gjinisë së këngës, që nga këngët
mirëfilli të lehta, xhazi, baladat, këngët popullore, kantatat solemne e deri
te marshet revolucionare. Dhe, pavarësisht tematikës dhe ideve, i këndoi me dinjitet profesional,
duke ua shtuar vlerat. Këndoi dhe për Partinë e Punës, për socializmin, sepse
arti është i pandarë nga koha . Dhe kjo duhet thënë, por nuk e cenon aspak
talentin e rrallë të saj.
Zëri i saj delikat, drithërues e lirik në këngët e dashurisë befas
monumentalizohet në kantatat revolucionare, në baladat e ndryshme. Një zë i madh
tregohet pikërisht te kontrastet dhe
shkalla e regjistrit.Te ngrohtesia e pastertia e timbrit. Dhe ajo i kishte të gjitha. Pikërisht këndimi i një
spektri kaq të gjerë këngësh nga muzika e lehtë ritmike te marshet luftarake
tregon potencën vokale të saj, magjinë e zërit,vibrimin e rrallë, ngrohtësinë
dhe gjerësinë e të kënduarit me
gjoks dhe kthjelltësinë e kristaltë të
zërit të impostuar. Kjo ishte Vaçja jonë e madhe, e cila, po të ishte lindur dhe formuar artistikisht në një kontekst tjetër politik dhe shoqëror, do të ishte me famë
botërore. Por ky ishte fati i
saj, siç ishte dhe fati ynë, i ne të gjithëve. Prandaj shpesh fatet e artistëve të vërtetë janë të
njëjtë me fatet e popullit të tyre. Prandaj ata i do populli, prandaj ata janë
të pavdekshëm. Sepse i pavdekshëm është populli në gjirin e të cilëve ata
lindin, rriten dhe lulëzojnë.
Vaçja ishte dhe mbeti një legjendë.
Ajo kishte fituar me meritë me kohë statusin e artistes së madhe dhe vlerësimet e
merituara. Me sa duket
regjimi dhe talenti dinë të bëjnë edhe kompromise. Por Vaçe Zela nuk bëri kurrë
lëshime në kurriz të talentit. Le të kujtojmë se askush nuk do të guxonte të linte
këngën në mes dhe të dilte në mënyrë
demostrative nga skena, siç bëri ajo për një pasaktësi teknike, duke
sugjestionuar sallën e mbushur plot. Dhe ku? Në aktivitetin më të rëndësishëm
muzikor në RTSH! Dhe kur? Në Diktaturë! Kjo dëshmon se ajo ishte nga të rrallët
artistë, në mos e vetmja, që kishte fituar lirinë, kur të tjerëve iu qe
refuzuar. Faleminderit Vaçe Zela që na e zbukurove dhe ëmbëlsove
jetën tonë në çaste të hidhura, që na bëre të ëndërrojmë dhe të harrojmë
realitetin, të cilit i mungonte drita e këngëve të tua! Që na ndihmove të
zbehej dëshpërimi dhe rënia morale.
Ti ishe një institucion i madh
shpirtëror për ne. Kaq e vërtetë është kjo,saqë vdekja jote i errësoi të gjithë
politikanët, që u munduan të të bëjnë homazh me fjalë të kërkuara, por të zbehta
para teje dhe emrit tënd. Ishte hera e parë që politikanët u dukën aq të
vegjël, aq të pavlerë, aq të shpërfillur nga populli. Ti i çvlerësove ata edhe
duke ikur…Dhe mendoj se ndoshta për herë të parë e kanë ndjerë veten të vegjël dhe kanë
imagjinuar për disa caste se sa e vogël do jetë vdekja e tyre, se sa pak
popullore do te jetë ajo. Dhe duhet të jenë treguar edhe “xhelozë” për
madhështinë e vdekjes tënde. Dhe ndoshta për pak çaste e kanë kuptuar se
pushteti politik, që përgjithësisht është një pushtet i imponuar, është shumë
më jetëshkurtër se pushteti i fituar nga epërsia shpirtërore, nga talenti dhe
nga e mira…Sepse për politikanët nuk do të ketë dhembje dhe dhe respekt të
përmasave të tilla. Ata mund të kenë shumë njerëz të rreshtuar, protokoll
pompoz me policë e ushtarë, do të
vendosen në shtrat topi me shirita kuq e blu, me dekorata e urdhëra të
vendosura në jastëkë, me shirita të zinj , me zi kombëtare, me të shtëna
topi apo batare automatikësh. Por gjithë
kjo rekuizitë protokollare dhe këto
gjëmime armësh do të jenë një hiç para jehones se këngëve të tua, para “Valsit "tend" të
lumturisë”. Sepse ti i takon gjithë popullit. U prehsh në paqe Vace Zela!
Publikuar ne gazeten "Shekulli" online date 13.02.2014
Botuar ne gazeten DITA 16.02.2014
Publikuar ne gazeten "Shekulli" online date 13.02.2014
Botuar ne gazeten DITA 16.02.2014
Δεν υπάρχουν σχόλια:
Δημοσίευση σχολίου