NJË
PROKUROR I HUAJ PËR 21 JANARIN DHE KORRUPSIONIN?! ÇFARË ZHGËNJIMI!
Nga
Petrit Qejvani
Para disa muajsh kam botuar në një
të përditshme shkrimin me titull:”A i
duhet Shqipërisë një EULEX?” ku shprehja dyshimin tim nëse do te rihapeshin
dosjet ë mëdha të 21 janarit, të Gërdecit apo ajo e Rrugës se Kombit, si dosjet
më të bujshme të qeverisë Berisha. Dhe nuk vonoi dhe dyshimin tim e konfirmoi
shefi i shumicës dhe kryeministri i vendit Edi Rma. Dhe, sigurisht që nuk u gëzova,
siç ndodh zakonisht kur një parashikim yti del. Përkundrazi.
Në replikën drejtuar kryetarit
shpirtëror dhe real të opzitës Sali
Berisha në një nga seancat ë fundit të Kuvendit (pikërisht më 20 shkurt) ku ai
i ra me “top” qeverisë dhe personalisht kryeministrit, siç bën gjithmonë, Edi Rama
iu përgjigj se për ato që ke bërë ti e ke vendin para drejtësisë, por ata janë
njerëzit e tu në gjithë sistemin dhe prandaj sillesh kështu. Por ne do marrim
prokuror të huaj për ty! Ndonëse ky dukej si një kërcënim, nuk kishte gjë më
zhgënjyese dhe dëshpëruese dhe së bashku me pikëllimin që më shkaktoi kjo
deklaratë më erdhi keq edhe për kryeministrin e pafuqishëm të 1 milion votave
apo shuplakave, siç i pëlqen të shprehet shpesh kryeministri aktual, kur i
drejtohet opozitës për të treguar votën e madhe popullore me të cilën erdhi në pushtet.
Një përgjigje ë tillë nuk e di pse
më shtyu pas në fëmijërinë tonë kur, në pamundësi t’i përgjigjeshim siç duhej
dikujt nga lagjia tjetër, që na kishte rrahur se ishte më i fuqishëm ose më i
madh, “ e kërcënonim” duke i thënë :“mirë, mirë, po do ta shohësh nga kushëriri
im, që do t’i thyejë hundët, kur të kalosh nga lagjia jonë!”...Nëse atë kohë e
kujtoj me nostalgji, kjo e kryeministrit më ben te ndihem keq, më revolton. Qeveria e
pafuqishme të luftojë të keqen, kur populli ia dha gjithë fuqinë e
nevojshme dhe instrumentet që burojnë
prej saj të luftojë të keqen, kudo ajo është shfaqur në trupin e shtetit?!
Populli pikërisht për këtë ia dha votën me shumicë.Dhe kryeministri për këtë e
kërkoi votën popullore në fushatën elektorale.
Atëhere pse flet kështu
kryeministri? Nuk e dinte ai ç’drejtësi do të trashëgonte nga pushteti
abuziv dhe i inkriminuar i Berishës? Nuk e dinte çfarë Shqipërie do të gjente
kur të ikte Berisha nga qeveria, (jo nga pushteti) pasi ai ka pushtuar, jo
kapur, me njerëzit e tij, disa institucione kyçe të
pushtetit,duke filluar nga Prokuroria e Përgjithme, gjykatat e të gjitha
niveleve, ShISh-i, ILKDP-ja, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, KLSh-ja deri te
presidenti i Republikës? Prandaj Berisha tallet në Kuvend the i thotë : çoji
dosjet në prokurori, unë jam i hapur për hetime. Pa llogaritur këtu shumicën e
administratës shtetërore të uzurpuar nga militantët ë PD-së, të ardhur pa
konkurse në zyrat e shtetit. Pra, një qeveri ë “rrethuar” nga pushteti i
opozitës. Veçanërisht nga një drejtësi tërësisht e degjeneruar, e korruptuar
deri në palcë, e cila jo vetëm nuk lufton krimin, por është aleate dhe
protektore e tij.
Atëhere ç’duhet të bëjë shumica për ta “çliruar “ drejtësinë nga
korrupsioni? Me deklarata, me fjalë, me replika në parlament? Kësaj i thonë
“fjalë imzot, fjalë..” Me reforma, do thonë “reformatorët e mëdhenj”. Por ç’do
të thotë kjo? Ligje, ndryshime ligjore? I bëni, ç’prisni! Por dhe i bëtë, kush
do t’i zbatojë ato? Kjo trupë prokurorësh dhe gjyqtarësh të inkriminuar, që nuk
ë ka vullnetin të ndëshkojë krimin dhe korrupsionin me kollare? Që qeveria çon
dosje dhe ajo nuk denjon as t’i hapë? Kur provat janë sa një mal dhe ajo thotë
“s’ka prova?” Atëhere qeveria duhet të dorëzohet dhe t’i lërë ish-qeveritarët
hajdutë dhe vrasës të bëjnë spektakle në Kuvend? Të gëzojnë pasuritë e
grabitura këtij populli të varfër?
E ç’duhej vota e 23 qershorit
pastaj, kur ajo nuk përkthehet në ligje dhe veprime ndëshkuese për ata që kanë
bërë një mijë e një horllëqe, shkelje ligji, shitje e grabitje të pasurisë
kombëtare, duke e nxjerrë Shqipërinë në anakand, si ta kishin pronë të babait? Apo
thjesht 23 qershori ishte zëvendësimi i
disa njerëzve në qeveri me disa të tjerë me “ngjyrë “ tjetër?
Shumica duhet të mbajë premtimet.
Dhe kryepremtimi është ndëshkimi i korrupsionit
epidemik të qeverisë së përzënë nga populli më 23 qershor. Sigurisht që nuk
është aspak e lehtë të ndëshkosh krimin dhe korrupsionin, kur ajo që duhet ta
bënte këtë, drejtësia , është vet e
kriminalizuar. Atëhere duhet një vullnet i hekurt i qeverisë dhe shumicës për
të bërë operacionin e nevojshëm pa shumë dilema në drejtësi,siç kam nënvizuar
në disa shkrime të miat me këtë temë. Jemi në një situatë bllokuese në të cilën drejtësia kompromenton çdo nismë
antikorrupsion të qeverisë, duke bërë nul çdo përpjekje të qeverisë për
ndryshimin ë gjëndjes. Ndërkohë që korrupsioni i pandëshkuar pjell e nxit cdo
ditë krimin në të gjithë territorin dhe në të gjitha format. Prandaj reagimi i qeverisë duhet të jetë i
shpejtë, i prerë dhe i vendosur. Tamam si në një emergjencë. Sepse qeveria e mëparshme vërtet iku ma vota
dhe rotacioni u krye paqësisht, por nga
përmasat dhe motivet ky nuk ishte një rotacion normal në demokraci. Ai ishte më tepër një
revolucion elektoral, ose një “revolucion i bardhë”, pa gjak, në pamundësi për të
qenë një revolucion i vërtetë.
Shqipëria është në një situatë të
tillë në të cilën ajo ka nevojë jo
thjesht për politikanë, për njerëz që kanë ide, por për burra shteti, për ata që
realizojnë idetë. Sepse shpesh në politikë kanë më shumë efekt veprimet se
idetë e parealizuata. Nëse qeveria ka drojë dhe heziton nga ndërkombëtarët,
atehere le t’u drejtohet atyre me të drejtën e votës popullore, por edhe me
të drejtën, që i japin raportet e ndërkombëtarëve që vet thonë se drejtësia është
e korruptuar dhe se duhet të luftohet krimi i organizuar: Atehere zotërinj të Brukselit apo Washingtonit,
si do luftohet korrupsioni, kur prokuroria nuk hap asnjë dosje për krimin dhe
korrupsionin ë politikanëve ? E keni serizisht apo talleni me ne? Në këtë rast
qeveria le të dorëzohet dhe të kërkojë një EULEX special për Shqipërinë. Është
turp, por politikanët shqiptarë e kenë ngrënë turpin me bukë. Kryeministri tha
se do kërkojë një prokuror te huaj për 21 janarin dhe korrupsionin. Por kjo nuk
mjafton. S’ka ç’bën një prokuror i vetëm këtu, i cili, edhe më i zoti në botë
të jetë, s’ka si legjitimohet dhe as pranohet nga opozita, domethënë Berisha.(
të mos harrojmë se edhe për çështjen "Hajdari" Berisha nuk e pranoi idenë e një
prokurori të huaj),pa le tani që kërkohet për atë vet. Prandaj nuk është
zgjidhje as kjo. Pas prokurorit duhet edhe një gjykatë e huaj në të gjitha
shkallët e gjykimit, që të japë drejtësi, sepse gjykatat shqiptare (të
Berishës) e rrëzojnë si të pabazuar akuzën sic kane bere deri tani, e kështu ku ishim? Asgjëkundi.
Prandaj dhe kjo deklaratë e kryeministrit është më tepër një shprehje
pamundësie dhe dëshpërimi e momentit.
Pas deklaratës së kryeministrit për
një prokuror të huaj janë shprehur edhe një shoqatë avokatësh për nevojën e
gjyqtarëve të huaj si dhe një ish titullar i SHISH-it se duhen hetues të huaj
.Pra, praktikisht kërkohet krejt
zinxhiri i organeve të drejtësisë. Në këtë rrethane duhet një sistem i tërë
drejtësie të “importohet”, gjë kjo e pamundur me statusin aktual që ka
Shqipëria si shtet i pavarur dhe sovran.
Ka vetëm një shans: t’i kërkohet Brukselit
një EULEX special, siç kam sugjeruar në shkrimin tim të lartpërmendur, për
turpin e politikanëve tanë, që nuk bëjnë dot shtet. Kjo do të thotë që
parktikisht Shqipëria të bëjë një hap prapa (gjë e pandodhur deri tani) dhe Brukseli
t’i kufizojë sovranitetin si shtet dhe qeveri.
Po të vazhdojë kështu ( dhe gjasat
janë të tilla) Shqipëria duhet të jetë për shumë vite jo nën monitorimin e
ndërkombëtarëve si deri tani. por nën regjimin e një sovraniteti të kufizuar (
jo si ai i Brezhnjevit, sigurisht) të
qeversë europiane të Brukselit! Për fat të keq tonin dhe për turp të
politikanëve tanë karagjozë. Por duhet.Që të bëhemi shtet.
Δεν υπάρχουν σχόλια:
Δημοσίευση σχολίου