KUR TË MUNGON ETIKA DHE
E KËRKON PREJ TË TJERËVE
Nga
Petrit Qejvani
Deputeten luftarake të PD-së Mesila
Doda kanë marrë guximin dhe e kanë fyer e
kërcënuar në facebook. Sigurisht ky nuk është një lajm i mirë për këdo, pa le
për një deputete! Nuk e dimë ndërkaq sa i vërtetë është ky lajm (a ka vërtet
fyerje), pasi nuk kemi burim tjetër, veç një delklarate dhe thirrjeje të zonjës Doda ( megjithëse priremi ta
besojmë), që bën me dije se dikush , që ajo e identifikon së paku politikisht
si freshist, (anëtar të FRESH-it) e ka fyer familjarisht, pasi ka komentuar disa
foto të familjes së saj të publikuara në fb dhe për këtë i drejtohet Prokurorit
të përgjithshëm dhe kryeministrit te vendit, por këtij të fundit me cilësinë ë
shefit të PS-së. Thelbi i kërkesës- thirrje të saj është gjetja
(identifikimi) e personit, që e ka fyer
dhe ndëshkimi i tij. Megjithatë, le të jemi të sinqertë, sikur kjo t’i kishte
ndodhur ndonjë deputeteje “ më të urtë” do
të ishte ca ndryshe.
Sigurisht, të fyesh të tjerët është
jo vetën antietike, por dhe e dënueshme. Por tek ne shpërdorimi i fjalës është
bërë normë, duke filluar nga rruga deri në parlament. Nuk mungon as në studiot
televizive. Falë demokracisë sonë anarkike. S’jemi kot një shoqëri e lirë! Prandaj e kemi zgjidhur
gjuhën dhe jo si në diktaturë, që nuk na linin të përdornim të gjitha fjalët!
Sidomos disa fjalë acide, që e ngrenë adrenalinën dhe na bëjnë më sharmantë!..
Dhe kështu dalim tek rëndësia dhe
vlerësimi i fjalës dhe përdorimi etik ose joetik i saj. Sepse fjala ka efekte të forta te njeriu. Ajo
qetëson dhe acaron, të nxit (për mirë
apo për keq) të frymëzon apo dekurajon, të mbush me urrejtje apo dashuri etj. Tek
e fundit fjala i paraprin veprimit. Në Bibël nuk thuhet më kot “e para ishte
fjala”. Prandaj kujdesi në përdorimin e saj është sa kulturë, aq dhe vetdije
dhe edukatë qytetare. Dhe nuk duhet të kujtohemi për efektin e saj, kur na
cënojnë të tjerët, por edhe kur i cenojmë ne ata. Sepse zonja në fjalë nuk para
është aq delikate në përdorimin e fjalës.
Njerëzit publikë duhet të shquhen
për sqimë (jo thjesht në paraqitjen ë jashtme apo performancën a lukun,
sikundër thuhet sot). Unë nuk besoj që fyesi i zonjës në fjalë ka diçka
personale me të. Ndryshe ajo do ta identifikonte si person. Vet fakti që ajo e
klasifikon si freshist tregon se ajo e identifikon politikisht për shkak të
natyrë së komentit (megjithëse ne nuk e dimë konkretisht tekstin). Pra, komenti
ka shtysë politike. Dhe kjo i jep edhe një shpjegim reagimit të fyesit.
Dihet që militantët nuk të falin.
Ata janë fanatikë në përgjithësi. Dhe zonja Doda në këtë rast është një
“tabelë” e ekspozuar dukshëm për militantët e majtë. Për shkak të natyrës
agresive dhe të një komunikimi të vrazhdë. Ajo vet është një militante e thekur
e PD-së dhe së bashku me zonjë Topalli, G. Duman (ndonëse kjo e fundit është ca
ndryshe nga të parat për shkak të formimit akademik) e ndonjë tjetër, bëjnë
pjesë në skuardën e "ekzekutimit” të opozitës me fjalë.
Veçanërisht shquhen për një gjuhë
aspak të paqme dhe të kulturuar zonja e “zheleve” Topalli dhe zonja e “palmës”
para kryeministrisë Doda..Ato karakterizohen nga një ligjërim agresiv publik,
sidomos ndaj kundërshtarëve politikë dhe atyre që nuk i pëlqejnë, duke kopjuar
udhëheqësin e tyre shpirtëror Doktorin e famshëm, i njohur si sharësi më i madh
politik në Shqipëri i të gjitha kohrave.
Shumëkush e ka të freskët ende “litarin”
që do të përdorte Doda në palmën para kryeministrisë për një koleg të opozitës,
ashtu si ish-kryeparlamentarja që vite më parë, me një gjuhë banditësh do t’i
drejtohej një kundërshtari politik me fjalët “ e ka fajin Sali Berisha, që nuk
ju dha plumbin ballit!"...
A ka ligjërime më agresive se këto?!A
ka etikë këtu? A i shkojnë këto deklarata një femre, gruaje, një nëne? Bile as
një burri normal. Por doktori i ka klonuar të gjithë në PD, duke realizuar burrezimin (jo burrerimin) e disa femrave perfaqesuese te PD-se. A ka vulgaritet më
të madh se ai i zonjës Topalli. kur në një nga seancat e fundit të Kuvendit iu
drejtua kryeministit me një “trimëri” rrugaçërore (si nje burre i keq) me fjalët: ti je kryeministri
më i pafytyrë?!
Por le të vijmë te Doda,qe eshte dhe shkaku i ketij shkrimi. Në vijim të natyrës së
ligjërimit të saj, në një nga programet më të ndjekura në një tv kombëtar, duke
ndërhyrë në debatin se kush është enverist Saliu apo Edi, ajo, krejt pa edukatë
lëshoi frazën “E. Hoxha një qen bir
qeni”…Si ju duket kjo? A ka etikë këtu? A ka respekt për fjalën? A e nderon kjo personin që e thotë? Apo e
bën pis atë vet dhe ekranin? Dhe të kuptohemi: ajo mund të thoshte plot epitete
“seriozë” për të karakterizuar E.Hoxhën, si diktator, vrasës, shtypës të lirive
dhe të drejtave të njeriu etj., të merituar e të pamerituar.
Për ta parë më mirë sa etike është
zonja Doda le ta mbyllim me
deklaratën-thirrje drejtuar Edi Ramës: “Ftoj kryetarin politik të këtyre
maskarenjve dhe keqbërësve të gjejë fajtorin që e ka mes militantëve të vet”. A ka nevojë kjo frazë për koment?! A
nuk kemi të bëjmë këtu me një mungesë totale të etikës? A nuk ka në këtë
ligjërim agresiv fyerje masive të militantëve të PS-së? Dhe
fyerje direkte të kryeministrit? Kur fyen kaq açik kryeministrin e vendit, i
cili duhet respektuar jo thjesht si qytetar, por edhe si kryeministër, merret
me mend se ç’mund t’ju punosh të tjerëve. Ky ligjërim është jo vetëm antietik,
por i tipit fashist.
Si mund të quhet kryetari i
maxhorancës “kryetar i maskarenjve dhe
keqbërësve?” A nuk e kupton Doda se kështu fyen shumicën e shqiptarëve që votuan
këtë kryeministër? Dhe pastaj kërkon ndëshkimin e një fyesi anonim!.. Si mund
të fyesh një komunitet kaq të madh politik vetëm e vetëm se është kundërshtari
yt politik.? Kjo tregon se sa lehtë eksitohet dhe provokohet zonja në fjalë. Dhe
sa lehtë e humbet logjikën. A ka të
drejtë ajo të kërkojë etikë dhe mirësjellje nga të tjerët, kur vet fyen, jo një
njeri të vetëm, por masa të tëra njerëzish dhe një kryeministër? A nuk bie ajo
në nivelin e një qytetareje ordinere, për të mos thënë vulgare? Apo ndoshta
justifikohet me atë që deputetët nuk mjanë përgjegjësi për ato që thonë, duke e
barazuar papërgjegjësinë me papërgjegjshmërinë, domethënë me të qenit jo
normal? Sidoqoftë, këtu besoj se ajo e humbet të drejtën për t’u kërkuar të
tjerëve të jenë etikë, kur vet i mungon etika… Por këtë e kuptojnë vet
lexuesit.
Δεν υπάρχουν σχόλια:
Δημοσίευση σχολίου