EDHE ILIR META NUK E MBAN FJALËN!...
Nga
Petrit Qejvani
Ilir Metës i ka dalë nami si njeri që
e mban fjalën. Këtë e thonë shumë njerëz, që e njohin nga afër. Edhe disa miq të
mitë. Dhe unë prirem ta besoj. Mbajtja e fjalës është shënjë burrërie, thonë.
Kjo është karaktreristikë e njerëzve të qëndrueshëm dhe me karakter. Dhe kjo sa
në rrethin e ngushtë intim, miqësor, aq dhe në planin publik e shoqëor, për shkak të të qënit një figurë e rëndësishme
politike. Bile, falë kësaj , thonë, është garantuar dhe mbijetesa e tij
politike midis dy partive të mëdha deri te katërfishimi i papritur i rezultatit
të zgjedhjeve të 23 qershorit. Ndonëse këtu atij i atribuohen edhe ca veprime
jo shumë morale, por që, gjithsesi, lidhen me mbajtjen e fjalës së dhënë. Për
shembull, thonë se elektorati i tij u shtua për shkak se u ka premtuar njerëzve,
që do të votonin për të, vende pune. Kundërshtarët e tij e quajnë këtë dobësi.
Kurse unë e gjykoj si zotësi dhe meritë.
Pra, si fjalëmbajtje. Njerëzit i besojnë dhe ai i fut në punë. Dhe këtë e bën
fare natyrshëm dhe shpejt.
Këto kohët e fundit kam takuar
militantë të PS-së, intelektualë dhe profesionistë të mirë, që, të zhgënjyer, presin
punë, duke i sorollatur, të cilët më kanë
thënë se në zgjedhjet e ardhshme do shkonin me LSI ( qysh nga ato vendoret),
se krerët socialistë nuk e mbajnë fjalën dhe nëpër zyrat dhe institucionet e
shtetit, me tarafe, krushqi e miqësira, me “dredhje” apo “përdredhje”, po riemërohen
militantë të PD-së, përvec të LSI- së, të cilët u emëruan të parët në punë, fale
vendosmerise se Metes.
Prandaj socilistët e thjeshtë kanë
filluar të thonë: Meta e mban fjalën, herën tjetër do votojmë për Metën. Dhe ka
të ngjarë që “cudia” e 23 qershorit të zmadhohet në zgjedhjet ë ardhshme. Por
edhe PD-ja bën më shumë për militantët. Përkundër PS-së, që bën vetëm për elitën
e saj dhe më pak më militantët. Pra, te Meta shtohet besimi i njerëzve të
thjeshtë, që nuk duan miliona, por bukën e përditshme. Duke vepruar kështu ai i qëndron më tepër besnik
vetvetes. Iu shërben edhe militantëve, edhe vetes, garantimit të qëndrimit të
sukseshëm në politikë dhë pse jo, edhe pretendimeve të tjera të pa shpallura...
Meta konsiderohet përgjithësisht,
nga ata që e duan dhe nga ata qe s’e duan si një
politikan pragmatist më tepër se idealist, megjithëse në politikë idealizmi është
gjëja që vlen më pak. Dhe ai e ka kuptuar shumë mirë këtë. Nëse miqtë dhe
simpatizantët e tij e lavdërojnë për këtë , kundërshtarët, ndonëse e kritikojnë,
nuk e mohojnë. Me një fjalë është një politikan i traditës shqiptare. Por nuk është aspak
konsevator dhe nuk vuan nga komplekset. Është një politikan popullor. Dhe ka një
komunikim të natyrshëm dhe gjuhë shumë të thjeshtë me qytetarët. Larg pozave
dhe “intelektualizmit”, larg frazave kilometrike.
Është e vërtetë që fraza e tij nuk
shquhet për stil të “lartë”, nuk ka luksin dhe shkelqimin, që mund të kenë të
tjerët, por është kurdoherë një frazë me përmbajtje, e drejpërdrejtë dhe
konkrete. Ai nuk e ambalazhon panevojshëm mendimin dhe nuk i lodh ata që e dëgjojnë
për të “deshifruar” idetë apo mendimet e
tij. Pra, ai shkon më shpejt dhe më thjesht te qytetari, cka është dhe synimi i
politikanëve dhe politikës.
Meta, si me thënë, nuk e kap veshin
e djathtë me dorën e majtë.Duke qënë më i “varfër’ në ambalazhimin e fjalës, ndërkaq
është më rezultativi. Sepse gjen rrugën më të shkurtër për të shkuar te
qytetari. Meta e ekonomizon fjalën (nuk
besoj se kjo lidhet me profilin e shkollimin të tij), flet më pak dhe më qetë
se politikanët e tjerë kryesorë të Shqipërisë, por është po kaq e vërtetë, që te
ai ka më pak inflacion fjalësh se te ata. Është i saktë dhë i përpiktë si një
makinë llogaritëse. Kjo i jep qetësinë dhe sigurinë e komunikimit.
Meta është nga politikanët më të përmbajtur
dhe që i përballon, në përgjithësi, me qetësi të admirueshme provokimet që mund t‘i bëhen. Ndërkaq nuk luan
nga e tija. Është “shkëmb” Skrapari, që nuk lëviz nga vendi. Dhe kjo ka lidhje
me qartësinë e “llogarive” të bëra dhe aftësisië për të analizuar saktë situatat dhe
pasojat e tyre. Prandaj dhe luan me të dy partitë e mëdha dhe bën ca kthesa aq
të forta politike, saqë i habit ata, që
i “braktis” dhe ata që, e “presin”. Ai e
braktis një “dashuri politike”, kur nuhat se i duhet një “dashuri e re”, që i
siguron mbijetesën politike, dashurinë e tij të madhe. Pra, aleatët për të janë mjeti me të cilët ai luan, sipas rastit.
Ai nuk është qibar, kur zgjedh aleatin e ri. Pasi braktis me qetësi olimpike një
aleancë, po me atë qetësi lidh tjetrën, pa pyetur shumë c’thonë të tjerët, me
një fjalë, është një “Don Zhuan” i suksesshëm i skenës sonë politike. Por ama i zbaton një më një pikat e
kontratës (“martesës” së radhës), dhe shkon i paqtë në nënshkrimin ë kontratës
së re. Shkurt e mban fjalën.
Por ka raste që edhe Meta nuk e mban
fjalën. Sigurisht fjalën publike. Kur u konstituua legjislatura e re, pak ditë
pas saj, deklaroi në Kuvend se kompiuterat e tenderit të fundit të zonjës
Topalli do t’i cmontonte dhe do t’ia dhuronin ndonjë shkolle. Ide shumë e mirë.
Shpresova se do ta bënte shpejt këtë. Sidomos pas lojës së fundit, kur deputetët
e opozitës filluan t’i përplasnin mousat. Por, sic shihet, Meta nuk e mbajti
fjalën kësaj here. Do bëntë shumë mirë ta mbante. Jo se do thonë njerëzit, si
unë për shembull, që ai nuk e mban fjalën, por më tepër se ata kopiutera aty
janë të panevojshëm dhe absurdë. Nuk kemi parë asnjë parlament në botë (të paktën
në Europë dhe në vende shumë të pasura) me kompiutera para cdo deputeti, që i
jep parlamentit pamjen e call center. Dhe nuk na le të shohim as fytyrat e
bukura të deputetëve tanë!... Kjo shpikje alla shqiptare, me sa duket, ka qenë
vënie në jetë e idesë fantastike të Berishës për një Shqipëri dixhitale, ku cdo
qendër komune do kishte nga nje sallë kompiuterash falas për fshatarët!.. Prandaj zoti Meta është mirë ta
mbani edhe kësaj here fjalën. Thjesht kjo është një kujtesë. Me këtë rast ju do
mbanit fjalën e thënë (jo të dhënë si në baladë) dhe tre-katër shkolla, që nuk
kanë asnjë kompiuter, do kishin nga një kabinet informatike. Dhe do t’jua dinin
për nder.
Botuar ne gazeten SOT, date 13.03.2014
Botuar ne gazeten SOT, date 13.03.2014
Δεν υπάρχουν σχόλια:
Δημοσίευση σχολίου