ZGJEDHJA JONË, “E KEQJA MË E VOGËL”
Nga
Petrit Qejvani
.
Midis alternativave “e mira më e madhe” dhe “e keqja më ë vogël”,
zgjedhja jonë është kjo dyta. Historikisht
ne kemi vepruar kështu. Është zgjedhje apo zgjedhje imponuar? Një popull i mësuar me pak liri për
shkak të pushtimeve të gjata, me pak mirëqënie dhe prosperitet, me pak luftë
për progres shoqëror, me pak ose aspak demokraci, është një popull që ecën
ngadalë drejt progresit. Kjo konstante historike ka krijuar mentalitetin e një
populli minimalist, me fjalë më të thjeshta, e një populli që kënaqet me pak.
Asnjeherë
objektivat tona shoqërore dhe kombëtare nuk nuk kanë qenë maksimale. Ne druhemi
prej synimeve maksimaliste, na lbyren sytë, na merren mendtë, pasi nuk i kemi
prekur kurrë ato si popull, si komb. Në raportet me të tjerët dhe brenda nesh.
Kështu “u kënaqëm” (pranuam) me pavarësinë e cunguar (vetëm gjysma e Shqipërisë
dhe shqiptarëve më 1912) , u kënaqëm edhe me pavarësinë ë Kosovës dhe shumë mirë
bëmë, por na duket “mollë e ndaluar” bashkimi me të në një shtet të vetëm, a
thua se do të përmbyset bota! Po do thonë kjo s’varet nga ne, por nga të tjerët. Realisht kjo varet më
shumë nga ne, se nga të tjerët.
Edhe në fushën e brendshme politike-shoqërore
vepron po i njejti mentalitet: kënaqemi me zgjedhjen më te lehtë, me atë që
fitohet me pak mundim.Psh: a nuk po thuhet gjithnjë ë më shpesh se Berisha duhet të largohet si një e keqe e
madhe për shqiptarët, por jemi në dilemë se kush duhet të vijë, pasi
alternativa e vetme e mundshme e afishuar mbetet Edi Rama, i cili, thuhet se
nuk është ajo që duhet të ishte, por sërish është e “keqja më e vogël” dhe jo
“e mira më e madhe.” Ë njëjta filizofi , i njëjti mentalitet ai i të kënaqurit
me pak. Sipas kësaj teknologjie të menduari
u zgjodh edhe presidentit i ri
Nishani si e “keqja me e vogël”,
krahasuar me Topallin dhe jo si e mira më ë mundshme. Pse gjithmonë kështu?
Kur do të guxojnë shqiptarët
të kërkojnë “të mirën më të madhe”? Apo, meqë historia është treguar kurnace me
Shqipërinë, ky stereotip të menduari është vështirë të thyhet?.
Ky mentalitet konsevator, frenues
dhe regresiv fatkeqësisht dominon edhe sot ne shoqërinë shqiptare.Mjerisht ky është
konfirmim i një të vërtete të pakëndshme, sipas së cilës ne shqiptarët jemi të
paaftë të arrijmë më të mirën e mundshme, sepse nuk kemi aftësinë apo vullnetin
ta projektojmë atë e pastaj ta realizojmë.
Kjo filozofi ë të kënaqurit
me pak është karakteristikë e popujve të prapambetur, të mposhtur nga e keqja, te
të cilët respekti për veten është në kufijtë minimalë dhe, për shkak të rrethanave
historike, të stereotipeve historike, minimalja është shndërruar në formën normale të
pretendimit dhe se maksimalja quhet e paarritshme dhe nuk ekziston as si
projekt, pale si realizim.
Edhe në perandorinë
otomane kishim më pak liri se të tjerët, po kënaqeshim se kishim shumë
kryeministra dhe pashallarë. Duket se e mira e madhe e ka braktisur këtë vend.
Ndoshta kjo ka ardhur prej sundimit për
një kohë shumë të gjatë të së keqes,e cila, duhet thënë, shfaqet më tëpër sa herë
këtij vendi shanset i dalin përpara.
Duke qenë një popull i varfër
historikisht, ai manipulohet lehtë prej elitave politike, sepse i varfëri është
i demoralizuar dhe të demoralizuarit duan energji të mëdha për t’i shtyrë përpara.
Të prapambeturit nuk kanë pretendime. Fakti
që gjatë historisë, aq sa mbahet mend, ne jemi pushtuar dhe nuk kemi pushtuar
asnjë vend tjetër e dëshmon më së miri këtë.Fakti që sistemet politike i kemi
ndryshuar pa revolucione , pa luftra civile si të tjerët, pa gijotina për
“kokat e mëdha”, e provon këtë. E keqja më e vogël është zgjedhja apo mundësia
jonë? Më tepër se mundësi kjo është zgjedhje e imponuar, por tashmë e pranuar prej
nesh.
Ne na mungon ambicja, e
cila është shkëndija, që ndez potencialet e fjetura për realizimin e synimeve të
mëdha. Ambicja është karburanti që shtyn përpara potencialet drejt synimit
maksimal, drejt së mirës më të madhe. Por ndoshta kjo ka ndodhur edhe për shkak
se ky popull nuk e ka bërë katarsisin, sepse nuk e ka ndëshkuar asnjëherë elitën
e vet politike, që është tallur jo rrallë me te.. Prosperiteti do të vijë kur shqiptarët të zgjedhin të mirën më të
madhe dhe të shkelmojnë të keqen më të vogël, si të keqen më të madhe.
Athine, Qershor 2012
Botuar ne gazeten Shekulli, date 30.06.2012
Botuar ne gazeten Shekulli, date 30.06.2012
Δεν υπάρχουν σχόλια:
Δημοσίευση σχολίου