NJË DEKLARATË E NXEHTË E
IMAMIT TË SHKODRËS
Nga
Petrit Qejvani
Para dy-tre ditësh një medie
kombëtare vizive transmetoi një takim të imamit të Shkodrës me besimtarët muslimanë. Me një oratori për ta
patur zili, duke komentuar ngjarjet e ditëve të fundit në Shqipëri në rolin e
një analisti, ai artikuloi disa mendime
të guximshme me zë të lartë për situatën
në Shqipëri, duke filluar nga gjendja e pakënaqshme te fjalori i pa hijshëm dhe
prej vagabondësh i politikanëve në Kuvend e deri tek aludimet për arrestimet e
fundit të dy imamëve të vetshpallur dhe disa besimtarëve muslimanë. Nuk e di si dhe pse i bashkoi këto dy
gjera ky imam, pasi është hera e parë që një njeri i fesë analizon dhe sulmon
direkt politikën dhe merr pjesë në një debat mbi etikën në politikë. Bile, e
theksoi se prej politikanësh të tillë nuk mund të presësh gjëra të mira. Dhe
mendoj se në këtë pikë imami nuk gabon, kur shpreh mendimin ë vet.
Por tjetër gjë më duket se ia vlen
të diskutohet. Ndërsa për pjesën politike ishte shumë i qartë, ishte evaziv kur
përmendi se këto gjëra ( nuk e artikuloi qartë përse e kishte fjalën) të
kujtojnë kohen e komunizmit, pra, (siç ë kuptojmë ne) kohën e përndjekjes së njerëzve
të fesë.
Për ta kuptuar nëntekstin e asaj çka
shqiptoi turbull imami, na ndihmon paralelja që ai bëri me këtë rast midis përndjekjes dhe
dënimit të njerëzve të fesë në kohën e diktaturës dhe arrestimeve të fundit të
një grupi besimtarësh muslimanë të akuzuar për xhihadizëm, megjithëse nuk ë përmendi me emër faktin e fundit. Një
paralele e tepruar dhe e pavend. Ndoshta imami u nis nga solidariteti për vëllezërit ë tij të besimit. Por,
sidoqoftë, reagimi i tij tregon se kemi probleme në gjirin e komunitetit të
besimtarëve muslimanë. Duket se fryma ekstremiste e islamit po depërton edhe në
islamin paqësor shqiptar. Ajo që kam trajtuar edhe në një shkrim tjetër rreth
kësaj teme në nje te perditshme para pak ditesh dhe rreziqet që vijnë prej kësaj fryme, tregojnë
se nuk jemi në fushën hipotetike. Më tepër se ai grup i vogël xhihadistësh, shqetësuese
është deklarata e këtij imami para besimtarëve ditën për diell, duke bërë
thirrje për “shtrengim radhësh” e solidaritet ndaj “sulmeve” që po i bëhen
islamit. Po kush po i bën sulme islamit? Qeveria? Shteti? Sipas imamit te
Shkodrës shteti duhet të shohë ëndrra dhe të mos veprojë kur shkelen ligjet?!
Imami duhet të kuptojë se imuniteti
i tij dhe i çdokujt tjetër ekziston sa kohë cdo njeri zbaton ligjin. Pra, imami
i Shkodrës i kundërvihet shtetit dhe mbron ekstremistët nën petkun e “mbrojtjes”
së islamit. Nuk e di a respektohet
hierarkia në komunitetin myslyman (them se po) dhe a mban përgjegjësi ai, apo çdo
imam ka të drejtë të flasë si të dojë? Mendoj kështu pasi komuniteti mysliman
nëpërmjet drejtuesve kryesorë të tij u distancua nga veprimet ë grupit
xhihadist dhe çdo fryme ekstremiste. Pavarësisht kësaj, ky rast tegon se punët
në komunitetin musliman, nuk janë kaq mirë dhe se është ë udhës që drejtuesit e
tij ta shohin me sy kritik dhe ta analizojnë jo vetëm ç’ndodhi me celulën
tashmë të arrestuar, por dhe me deklarata të tilla të rrezikshme dhe të papërgjegjshme.
Islami shqiptar duhet të ruajë
frymën paqësore dhe bashkëjetesën me besimin e krishterë si një pasuri dhe
kusht të kohezionit të shëndetshëm të shoqërisë shqiptare. Çdo nënvlerësim i këtyre
“rasteve” të çon në situata problematike me dëme të pariparueshme. Dhe ky nuk eshte
amplifikim që po u bëjmë këtyre ngjarjeve. Por tërheqje vëmëndjeje gjithë atyre
që kanë përgjegjësinë para besimtarëve, para shoqërisë shqiptare dhe shtetit
shqiptar. Dhe sikur të ketë një dozë zmadhimi në shqetësimin tonë, më mirë
zmadhimi i së keqes për ta parë më mirë se sa mbyllja e syve para saj.
Publikuar ne gazeten SOT, date 25.03.2014
Publikuar ne gazeten SOT, date 25.03.2014
Δεν υπάρχουν σχόλια:
Δημοσίευση σχολίου