ISLAMI “SHQIPTAR”,
NJË CELULË XHIHADISTE DHE ROLI I SHTETIT
Nga
Petrit Qejvani
Arrestimi i dy imamëve të
vetshpallur të dy xhamive të paligjshme (të ndërtuara pa leje) të cilësuar si
xhihadistë, si dhe i disa besimtarëve të mashtruar, nxori në pah problemin e
rrezikut të depërtimit të një fryme radikale në islamin e paqtë tradicional
shqiptar dhe të rolit (vigjilencës) të
shtetit përballë fraksioneve radikale të islamit. Këtu ia vlen të theksohet se
“varianti” shqiptar i islamit është më liberali dhe për këtë është jo vetëm i
pranueshëm dhe i padëmshëm për Europën,por, po ta njohin mirë, edhe do ta
shihnin me simpati. Kur them kështu kam parasysh islamin e aplikuar në
Republikën e Shqipërisë. Ndryshe është islami në Kosovë dhe Maqedoni ose Mal të
Zi. Pse ndodh kështu është një temë tjetër. Por disa fakte dhe zhvillime në
Kosovë me prirje radikale kanë shkaktuar debate e polemika jo të vogla. Ndërsa këtu
na interesojnë më shumë faktet se shkaku i tyre, i cili duhet të bëhet objekt
analizash e studimesh të posaçme në nivele akademike. Me një frazë të
përgjithshme mund të thuhet për shkak të kushteve të ndryshme të Shqipërisë dhe
Kosovës. Një ndër arsyet e këtij ndryshimi ka qenë edhe fryma e fortë ateiste e
aplikuar në Shqipëri në kohen e socializmit real dhe fakti i ndalimit me ligj
të fesë dhe riteve të saj për një çerek shekulli.
Tani kohët kanë ndryshuar dhe liria
e fjalës dhe e besimit është rikthyer. Është e natyrshme që një shtet si ky
yni, pra një shtet laik, nuk përzihet në punët e brendshme të fesë, nuk është
një xhandar. Por shteti, ashtu siç ka detyrimin të garantojë lirinë e besimit
dhe funksionimin e insitucioneve fetare dhe financimin e tyre, ka për detyrë të
kërkojë prej tyre respektimin e statusit të tyre, si institucione kulti dhe
mosimplikimin në veprimtari të natyrës politike apo të çdo natyre tjetër, që
del jashtë kuadrit të filozofisë së cdo feje, që është obligimi shpirtëror dhe moral i individit në raport me Zotin. Çdo
kapërcim është i paligjshëm. Për rastin e mësipërm reagoi mejëherë media e
shkruar dhe elektronike. Dhe më duket se iu bë një jehonë e zmadhuar, a thua u
zbulua ndonjë organizatë e madhe dhe e fuqishme xhihadiste shqiptare. Pa e nënvlerësuar
rastin, le t’ia lëmë drejtësisë ta sqarojë e provojë këtë.Pastaj cilësimi “terroristë” i disa
varfanjakëve të mashtruar duket i
tepruar. Opinionit publik
ende nuk i është bërë i njohur ndonjë aksion terrorist i këtij grupi. Nëse pjesmarrja
në një luftë quhet terrorizëm, kjo është një çështje tjetër. As urrejtje racore
nuk ka në këtë rast, çka ishte pjesë e akuzës. Sepse në Siri bëhet luftë midis
qeverisë dhe një pjese te popullit të vet. Pra, një luftë civile. Pastaj ne nuk e
dimë me cilën palë janë rreshtuar këta
luftëtarë të xhihadit. Thuhet me kryengritësit. Dakord. Po si do të quheshin vendet perëndiore dhe SHBA, që mbështesin opozitën dhe
kryengritësit? Cilët janë xhihadistët në Siri, ushtria shtetërore apo
kryengritësit antiqeveritarë? Por, sido që të jetë, të dy palët janë muslimanë.
Atëhere ç’ka antiperëndimore, antikristiane, këtu? Këtu ka thjesht politikë dhe
veprime politike. Natyrisht, politika e përdor fenë. Kjo ka ndoshur shpesh. Situata
në Siri duket e komplikuar, prandaj perëndimi dhe ShBA e zbutën qendrimin ndaj
Assadit dhe e zbehën ndihmën për kryengritësit.
Në vijim të reagimeve një medie e njohur elektronike shpejtoi ta
shoqëronte lajmin me një koment që vinte në dyshim bashkëjetesën paqësore midis
feve në Shqipëri, duke e quajtur atë fallco. Sigurisht, ky ishte një konkluzion i gabuar dhe i
nxituar. Një rast i
vetëm si ky, ende i pasqaruar nga gjykata, nuk mjafton për një konkluzion të tillë. Dhe
kjo vlerë historike nuk mund të zhbëhet kollaj. Megjithatë, ndërkaq, ka sinjale
se kjo bashkëjetesë paqësore ka të ngjarë të cenohet në të ardhmen, për shkak të
një rivaliteti për dominim, që vjen më tepër si rezultat i ndërhyrjes së misionarëve
të huaj të tre ( në të vërtetë i dy besimeve) besimeve në Shqipëri, si jehonë e
garës globale për shtimin e numrit të besimtarëve respektivë. Besimtarët muslimanë, me sa duket, ndonëse në
maxhorancë besimi, kanë ndjerë pas viteve ‘ 90 një lloj përçmimi,
margjinalizimi prej një atmosfere politike dhe shoqërore, që synon Europën e
bashkuar, por të krishterë. Pra, në një farë mënyre fryma e armiqësisë së islamit ndaj krrishterimit
është pasojë e “luftës” së heshtur midis muslimanizmit dhe krishterimit në rang
global. Lidhur me këtë çështje, Sammuel Huntington në librin “Përplasja e
qytetërimeve”, duke replikuar me një deklaratë të ish-presidentit amerikan Bill
Klinton, i cili thotë se perëndimi nuk ka probleme me islamin, por me
ekstremistët islamikë, nënvizon se historia prej një mijë e katërqind vjetësh
tregon ndryshe dhe se marrëdhëniet midis islamit dhe krishtërimit…shpesh kanë
qenë të trazuara. Lidhur me arrestimet e bëra nga policia një medie e shkruar,
që reagoi ndër të parat me një editorial, duke iu referuar këtij fakti, fliste
mbi ” rrezikun” e laicitetit ” të
shtetit shqiptar ( duhet të thoshte mbi “rrezikimin
“e laicitetit”) megjithëse kjo s’ka për të ndodhur, si dhe mbi paaftësinë e strukturave
të shërbimit sekret (SHISH) për të
zbuluar në kohën e duhur këto celula. Natyrisht, shteti, përveç kontratës së
besimit që ka me institucionet fetare, ka karshi qytetarëve detyrimin të monitorojë e të vëzhgojë çdo gjë të dyshimtë
që mund të mbulohet edhe me petkun fetar.
Syrit të madh të shtetit nuk duhet
t’i shpëtojë asgjë. Prandaj është shpikur kjo makinë e komplikuar politike, të
kontrollojë zbatimin e ligjit ,nëpërmjet
meklanizmave që ka, të sigurojë jetën normale të qytetarëve. Por mendoj se nuk
duhet orientuar debati vetëm në këtë drejtim, në atë të gatishmërisë dhe syçelësisë
së pamjaftueshme të shërbimt sekret dhe të gjynaheve, që mund të ketë ai në
këtë rast. Ky është vetëm një aspekt i trashëgimit që u la Berisha dhe qeveria
e tij shqiptarëve. Një Shqipëri të shpartalluar gjithandej. Në ekonimi, mjedis,
rend e kudo. Berisha ka energji dhe talent të jashtëzakonshëm shkatërrimtar. Ai
shkatërron edhe kur niset që të ndërtojë! Pavarësisht kësaj, ky fakt ka nevojë
për një shqyrtim e reflektim më serioz. Çështja
në fjalë nuk është çështje thjesht
policore. Dhe duhet të na bëjë të shohim më larg dhe më thellë për të zgjeruar
perimetrin e vëzhgimit dhe thellësinë e
arsyetimit, duke kërkuar shkakun kryesor dhe jo pasojat e rastit.
Xhihadizmi dhe prania e disa
xhihadistëve në Shqipëri nuk lindi nga situata në Siri. Ajo veç e ekspozoi. Radikalizimi
i Islamit është një frymë antiperëdimore
konstante, në thelb antikristiane, që vjen nga kryeqendrat e tij në vemdet
arabo-muslimane. Ndërkohë, kjo frymë nuk drejtohet njëlloj kundër të gjitha
vendeve të krishtera. Objektiv kryesor i kësaj “lufte” xhihadiste janë në radhë
të parë SHBA-të, si fuqia më e madhe ekonomiko- politike e krishterë në botë.
Nuk ka një frymë të theksuar xhihadiste ndaj Europës, ta zëmë antigjermane apo
antiitaliane etj. Dhe kjo duhet shpjeguar. Që në origjinë xhihadi është një luftë
kundër “kaurit”, që duhet të ketë lindur qysh në kohën e kryqëzatave të
krishtera kundër fesë islame për pushtimin ë “tokës së shenjtë”, thelbi i të
cilave ishte dominimi i kryqit mbi gjysmëhënën. Por jo thjesht kundër
krishtërimit si fe tjetër, por edhe më gjerë. Xhihadi
është një luftë në emër të Allahut, jo vetëm kundër krishtërimit si besim, por
edhe kundër qytetërimit perëndimor, mentalitetit perëndimor, kundër plitikës së
këtyre vendeve, veçanërisht ShBA-ve, që shihet prej këtyre vendeve si një
xhandar ndërkombëtar (e pranuar nga vet amerikanët sipas doktrinës “monro”), si
armike e tyre, si pushtues, që do t’i “degjenerojë moralisht” (t’i
perëndimorizojë me dhunë) si dhe të shfrytëzojë pasuritë ë tyre natyrore,
sidomos naftën.
Duke e ndjerë veten të tradhtuar
prej elitave të tyre politike (shpesh antidemokratike), që janë në përgjithësi
proamerikane, ata (xhihadistët) nuk kanë fuqinë të ndeshen ballë për ballë me
fuqitë perëndimore, që janë dhe vendet më të zhvilluara të botës, prandaj
priren për sulme të natyrës terroriste si
ai i 11 shtatorit apo rrëmbime avionësh, vendosje bombash në vende publike etj.
Pra, veprime të një natyre dëshpëruese, në pamundësi për të bërë më shumë. Ndërkaq,
megjithë një imazh miqësor dhe respekti të ndërsjellë formal, që reklamohet nga
krerët e dy besimeve më të mëdha (nga
kleri i krishterë dhe ai musliman në disa veprimtari të përbashkëta) underground
ka një luftë për dominim midis këtyre besimeve. Në rang rajonal dhe global. Kjo
është e vërteta. Kurse për diplomaci mund të flitet ndryshe.
Ne duhet ta kuptojmë mirë që bota
muslimane e sheh Shqipërinë si avanpost të muslimanizmit në Europëm “ kaure “.
Këtë e dëshmojnë edhe hezitimet e disa
vendeve europiane si Holanda, apo të disa forcave të djathta ekstremiste në
Europë, që ishin kundër marrjes së statusit të vendit kandidat për Shqipërinë në
BE. Kjo ide është shprehur edhe nga kryeministri Rama, me rastin e mosmarrjes
së statusit të kandidatiti në BE për Shqipërinë. Dhe mendoj është e drejtë.
Pavarësisht se është e thënë pa diplomaci dhe është kritikuar nga opozita dhe
mohuar prej përfaqësuesve të BE-së.. Pra, Shqipëria synohet prej vendeve arabo-muslimane,
të cilat duhet të kënë edhe strategji për realizimin e këtij synimi. (të mos
harrojmë se edhe kryeministri turk Erdogan, që nuk është aspak xhihadist,
por musliman, u shpreh për “ afinitet të vecantë” midis turqve dhe
shqiptarëve, (dhe këtë afinitet me siguri e shihte te feja, te islami) kur në
Prizren deklaroi se këtu e ndjej veten si në Turqi!...) Dhe nëse shtetet si në
rastin e Turqisë shprehen hapur dhe operojnë në mënyrë legale dhe mjete legale,
organizatat e ndryshme islamike synojnë rekrutimin e militanëve të vet në
gjirin ë besimtarëve shqiptarë nëpërmjet manipulimit me besimin si dhe duke i
joshur shumë të rinj shqiptarë me shkollimin e tyre ne vendet arabo-muslimane
falas, si në Arabinë Saudite, Egjipt, Iran, Irak deri në Malajzi.
Realizimi i depërtimit të rrymave të
ndryshme islamike bëhet edhe nëpërmjet financimit të insitucioneve të kultit,
xhamive ( kryetari i komitetit të kulteve pranë qeverisë bëri të ditur se janë
rreth 650 xhami në Shqipëri( !?..) si dhe blerjes së imamëve nëpërmjet
ryshvetit. (po kështu ata kanë blerë edhe qeveritarë shqiparë). Ndryshe nuk
mund të ndërtohen xhami në mes të Tiranës “ pa dijeninë” e shtetit.
Prandaj populli thotë: nuk mund të futet xhamia në thes, për gjëra që nuk mund
të fshihen. Por kam përshtypjen se po kështu veprohet dhe me kishat. Në një
situatë të tillë, në një vend të prapambetur dhe të varfër, me tre besime, që
rivalizojnë në heshtje për zgjerim territori shpirtëror (shtim besimtaresh)
qeveria duhet të jetë e kujdesshme në rapot me besimet fetare. Ajo duhet të
jetë neutrale, por e vëmendshme ndaj zhvillimeve fetare, duke zbatuar ligjet ë
një shteti laik serioz. Se, ndërsa duket se ka një prirje (jo shtetërore)
aty këtu në media për të margjinalizuar muslimanizmin si fe të imponuar, ka
gjithashtu një prirje për të glorifikuar krishterimin si fe autoktone dhe
perëndimore. Pavarësisht së vërtetës historike se ne i kemi përkitur si besim i
parë krishtërimit, fakti është se sot besimi mysliman është një besim i
adoptuar prej një pjese të konsiderueshme besimtarësh (numri nuk dihet si dhe
për fetë e tjera) dhe çdo përpjekje për përçmim të saj ka një çmim të lartë për
pasojat që sjell.
Muslimanizmi është besim, si çdo
besim tjetër dhe besimet janë të shenjtë, të pacenueshëm. Me këtë rast le të
kujtojmë se si gabojnë edhe njerëz si Kadare, kur deklaroi se tashmë shqiptarët
do orientohen nga Europa (nga BE) dhe do t’i rikthehen krishtërimit në essenë
“Identiteti europian i shqiptarëve”. Dhe më vonë kërkoi ndjesë për këtë. Prandaj të
gjithë duhet të jemi shumë të kujdesshëm kur flasim për fetë dhe besimin në zot
(megjithëse autori i këtij shkrimi nuk është besimtar), pasi besimi është i
verbër ( nuk arsyetohet) dhe dogma nuk vihet në dyshim prej atyre, që e
pranojnë. Për këtë shkak reagimi i shtetit ndaj veprimeve të paligjshme të
individëve apo institucioneve fetare duhet të jetë koherent dhe simetrik ndaj
të gjitha feve dhe besimeve. Dhe mendoj se nuk i bëjmë shërbim të mirë vendit
tonë duke amplifikuar këtë rast. Muslimanët mendojnë (kam patur rastin të
bisedoj me disa prej tyre) se shteti i toleron disa veprime të kishës ortodokse
sic është rasti i priftërinjve në Kosinë që
zhvarrosën eshtra shqiptarësh dhe i quajtën eshtra ushtarësh grekë dhe,
megjithë se prokuroria provoi fajësinë e tyre gjykata i shpalli të pafajshëm (!) në mënyrë
të turpshme nën trysninë e qeverisë servile
shqiptare. Apo rasti më i freskët, ai i shtëpisë së kulturës në Përmet, kur Janullatos
dhe vartësit ë tij politizojnë një vendim gjykate, duke pështjelluar e përçarë
komunitetin ë besimtarëve ortodoksë shqiptarë, në një zonë që ata e përfshijnë
në të ashtuquajturin “Vorio Epir”. Pra , qeveria (nuk e kam fjalen per qeverine e sotme), në vend të përpiqet të ruajë e
të konsolidojë bashkëjetesën ndërfetare me pakujdesi apo me përfitime të çastit
nxit rivalitetin dhe përçarjen ndërfetare.
Pas viti 1990 Shqipëria u shqye kanatash dhe
këtu vërshoi kush mundi. Duke shfrytëzuar
lirinë e shprehjes dhe besimit u turrën drejt Shqipërisë, duke e quajtur
një tokë të virgjër për nga besimi, mizëri sektesh e besimesh, gjithfarë
misionarësh fetarë me thasë me Bibla e Kuranë, me thasë me miell e rroba të
përdorura, mafiozë nën petkun e tregtarëve, trafikantë femrash për
prostitucion, pedofilë nën petkun e humanistëve, agjentë të shërbimeve sekrete.(zakonisht
këta janë të parët). Midis tyre kishte dhe njerëz të ndershëm e idealistë, që
donin të ndihmonin shqiptarët e varfër të mbijetonin në ato çaste të vështira.
Por pati edhe shumë spekulantë, midis tyre edhe të mbuluar me petkun fetar, që
rekrutuan njerëz të varfër, hallexhinj, që me “mesimet fetare” maskonin
veprimtaritë e dyshimta dhe antishqiptare. Dhe nuk është se kjo veprimtari e
paligjshme ka mbaruar me arrestimin e dy imamëve dhe disa varfanjakëve të manipuluar.
Por çështja themelore që nxiti ky rast
është debati mbi bashkëjetesën midis besimeve në Shqipëri, një vlerë historike
shumë e çmuar për kohezionin social të vendit, që e vlen të lançohet para të
tjerëve dhe na nderon ( le të kujtojmë luftën fetare deri vonë në Irlandën e Veriut
midis katolikëve dhe protestantëve) Kjo çështje nuk duhet nënvleftësuar. Syri i
shtetit duhet të shohë larg për këtë problem. Prishja e kësaj bashkëjetese do
të kisht pasoja të pallogaritshme për shoqërinë tonë.
Botuar ne gazeten DITA date 18.03.2014, me shkurtime
Δεν υπάρχουν σχόλια:
Δημοσίευση σχολίου