NJË SHQETËSIM I ZMADHUAR
Nga
Petrit Qejvani
Çështja se a ka ndryshim midis shqiptarëve të
Kosovës dhe Shqipërisë nuk është një çështje e pangacmuar në media. Sidomos kjo
e artikuluar nga disa intelektualë shqiptarë të Kosovës, të cilët, duhet thënë,
janë zëra në pakicë,që ngatërrojnë ndryshimet si diversitet natyral edhe brenda
një njësie etnike me “identitetet e ndryshme” të shqiptarëve të Shqipërisë dhe
të Kosovës.
Nuk
do shumë mund per ta kuptuar që shqiptarët e Shqipërisë dhe ata të Kosovës janë
njëlloj shqiptarë, sepse kanë një gjuhë të përbashkët (shqipen) që është AND-ja e një kombi, se janë të një race, se banojnë në një territor dhe se askush nuk ka
asimiluar njeri-tjetrin, sepse gjysma e njësisë të të njëjtit lloj nuk mund të
asimlojë gjysmën tjetër. Këtu problemin duket se e ngatërron ekzistenca e
shqiptarëve në dy degë (shtete) pas 1913. Një ekzistencë paralele në dy shtete
, njëri shtet i pavarur (Shqipëria) dhe gjysma tjetër krahinë e një shteti dhe
kombi tjetër (Federatës jugosllave). Pra,shqiptarët i ka përfaqësuar Shqipëria
deri tash së fundi, kur fitoi pavaresinë Kosova.
Nuk
do shumë mend, gjithashtu, për ta kuptuar që midis shqiptarëve të Shqipërisë
dhe të Kosovës ka edhe ndryshime, siç ka midis gegëve ( veriorëve) dhe toskëve
(jugorëve), siç ka ndryshime midis vlonjatëve dhe korçarëve (edhe pse janë
toskë) siç ka ndryshime midis
shkodranëve dhe tropojanëve (edhe pse janë gegë) , bile, edhe midis krahinave
dhe fshatrave fqinjë me njeri-tjetrin në të folme (dialekte apo nëndialekte) në
veshjet tradicionale, në të kënduar e deri te veçoritë zakonore.Dhe kjo është pasuri. Ky është
diversiteti në unitet. Këtu çdo ndryshim konfirmon njësinë. Prandaj nuk duhet
patur frikë të flitet për ndryshime, të cilat ekzistojnë dhe nuk e cenojnë substancën
kombëtare.
Mirëpo
duket se ndryshimi për të cilin ata flasin apo duan të flasin është diçka e
paqartë, e turbullt dhe duket më tepër një pozicion që vjen prej kompleksesh
inferioriteti ose prej pretendimit për protagonizëm. Me sa duket, këtë ndryshim
të papërcaktuar duan t’ia kundërvenë idesë së bashkimit. Sapo u artikulua ideja
e bashkimit midis Shqipërisë dhe Kosovës, në fillim ne Kosovë ( Vetvendosja), por
edhe në Shqipëri më pas (Aleanca Kuqezi), doli edhe teza e “ndryshimit” midis
shqiptarëve të Kosovës dhe Shqipërisë, si antitezë për bashkimin.
Bashkohen
ose jo Shqipëria dhe Kosova (ndonëse perspektiva e paevitueshme është bashkimi)
shqiptarët e Kosovës janë po aq
shqiptarë sa dhe shqiptarë e Shqipërisë. Për ta përligjur “ndryshimin” e tyre
të padefinuar (të papërcaktuar) ata gjejnë “fakte” që nuk arrijnë të
shndërrohen në argumente. Në këtë hulli është dhe shkrimi me titullin cinik (
për të mos thënë përbuzës) “Shqiptarçe flasin dhe vrasin” i autores Blerina
Rugova Gaxha. ( ajo duhet ta dijë se shqiptarët flasin “shqip” dhe jo
“shqiptarçe”). Pasi flet për identitete të mundshme “të ndara”mes shqiptarëve
të Kosovës dhe Shqipërisë konstaton se
kësaj teme tabu i shmangen studiuesit në Shqipëri dhe Kosovë. Ajo shkruan: “Por
kanë ndodhur tri ngjarje të mëdha kulturore …. ku kosovarët u bënë fitues të
garës së përbashkët Shqipëri- Kosovë, të cilat e kanë hapur dhimbshëm këtë
temë” dhe pasi përmend Rona Nishliun në
Eurosong ( ngjarje e bukur), një A.Zeka në “Big brother”, që nuk e di
pse e quan ngjarje të madhe(!) si dhe një Rina në “Voice of Albania”,çmimi i
parë. Këto ngjarje, sipas saj, nxorën në pah edhe debatet e vërteta të shqiptarëve
andej e këtej kufirit, sipas të cilave rezulton se nuk jemi krejt Një.
Nuk
besoj të jenë këto ngjarje etalon për konluzione kaq “të rënda”. Dhe bazuar në
rrjetet sociale ( të dyshimta e të pasakta) ajo thotë se shumë njerëz ( Sa?
P.Q) nga Tirana nuk kanë hezituar të
thonë se ishin mërzitur me fitoret Ronës
(e pabesueshme), të Arbrit apo Rinës. Autorja kërkon dhe një debat për këtë çështje.”Shumë
politikanë, analistë, profesorë dhe publicistë
ikin si prej dreqit nga ideja e debateve për diversitetin ose
identitetin e ndryshëm kulturo- gjuhësor ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë”.Mendoj
se tri ngjarjet që përmend autorja e shkrimit nuk përbëjnë prova se shqiptarët
nuk i duan kosovarët. Ato janë disa parapëlqime adoleshentësh (nuk dihet
përqindja) që tregojnë tifozerinë që gjithmonë është e njëanshme.Tek e fundit,
ka tregues domethënës të dashurisë së shqiptarëve për kosovarët, që dihen
tashmë. Por dhe fakti që ata fitojnë në mes të Tiranës tregon të kundërtën e
asaj që pretendon autorja.
Tri
ngjarjet e mësipërme veç kanë qenë preteksti për të nxjerrë në pah “shqetësimet”
dhe dilemat e vet autores së shkrimit. Prandaj, shqetësimi i saj dhe nëse
mbështetet në disa “fakte” virtuale, është tejet i zmadhuar. Edhe ajo vet, me
sa duket, vuan nga komplekset, nga ai i inferioritetit apo i protagonizmit, duke
u nisur nga ideja e gabuar se në një bashkim të mundshëm Shqipëri-Kosovë, kush
do të udhëheqë, pra cila do jetë lokomotiva, duke evidentuar edhe një herë vesin
historik të shqiptarëve-grindjen në momente delikate. Ndaj,veç të tjerave, jemi
keshtu si jemi.
Por
le të jetë e qetë artikullshkruesja: Lokomotiva e bashkimit do jetë
patriotizmi. Zonja Gaxha e nxjerr
“merakun” kur thotë se në aksin e
marrëdhënieve Shqipëri-Kosovë ka vetëm një sens: nga Tirana në Prishtinë
dhe jo anasjelltas. Nuk e di sa e vërtetë është kjo. Ndërkohë që askush më mend
në kokë në Shqipëri nuk ka folur
ndonjëherë për “fitore” mbi kosovarët.
Botuar ne gazeten Shekulli 25.07.2012
Botuar ne gazeten Shekulli 25.07.2012
Δεν υπάρχουν σχόλια:
Δημοσίευση σχολίου