EDHE
HISTORIA DO JEPET ME KONCESION?!
Nga
Petrit Qejvani
Që rrugët, hidrocentralet apo minierat jepen me
koncesion, këtë e di kushdo. Por që të jepen me koncesion edhe historia jonë
apo shkrimi i saj, këtë s’ë kisha dëgjuar ndonjëherë. Por ja që në Shqipëri mund
të dëgjosh çdo gjë! Natyrisht që kjo nuk u artikulua “ad literam” si po e
shpreh unë, por thelbi është ky.
Rastesisht në një të përditshme mësova se
ish-drejtoresha e Arkivit te shtetit Nevila Nika paska deklaruar në një
televizion informativ se për ta shkruar siç duhet historinë tonë na duhet pa
tjetër dhe “ndihma” e huaj! Më
konkretisht ajo është shprehur, sipas po kësaj gazete, për “nevojën” e një
kontributi që mund të japin dhe të huajt për historinë tonë (nënkupto për
rishkrimin e saj), duke qenë se janë më “të ftohtë” se ne. Lidhur me këtë ajo
më tej, duke dashur të shfajësojë veten apo dhe të tjerë, që mendojnë si ajo,
fajëson politikën, por edhe faktorë të
tjerë jopolitikë, që i kanë “detyruar” historianët tanë pas viteve ’90-të të
jenë emotivë (dmth joprofesionistë. P.Q) në të shkruarit (më saktë në të
rishkruarit) e historisë. Për të qenë fiks faresa duhet të thoshte ne, historianët
e djathtë, jo të gjithë historianët. Të
majtët nuk kërkojnë të huaj që të na “mësojnë” si të shrujmë historinë
tonë. Kjo, veç naïve, duket dhe një tentativë hileqare ose një tërheqje e
“butë” para fakteve të pakundërshtueshëm. Mirë u akuzua diktatura dhe diktatori për imponim mbi historianët (gjë
që s’është krejt e vërtetë), po pse të ndodhë kështu, kur sot jemi në liri? Apo ende s’e kemi fituar si individë , si
personalitet lirinë? Apo është më e kollajtë t’ia lësh në derë politikës, kur je servil dhe
studius pa personalitet? Një historian që ka respekt për veten, ka respekt për
shkencën dhe anasjelltas dhe nuk mund të
bëhet urë për udhëheqësin, sidomos në demokraci. Kjo është në rastin më të mirë mungesë
personaliteti. Dhe shkenca nuk është vetëm cështje dijeje, por edhe morali,
dinjiteti. Ndaj një pohim i tillë është shumë naiv për moshën dhe shkollimin
(titujt) që ajo mban.
Problemi i rishikimit të historisë
pas viteve ’90 -të ka qenë një debat i
nismuar më parë nga politika (nga e
djathta) veçanërisht kur ajo erdhi në pushtet. Dhe kjo ishte e nevojshme për
shkak të politizimit të bërë në kohën e socializmit (që nuk e di pse quhet sot
komunizëm, kur vet autorët e tij s’e
quanin të tillë) nëse do të niseshim nga kritere thjesht shkencore, pra, për të
afirmuar të vërtetat historike, ato që kishte deformuar diktatura.
Por shpejt u dëshmua se “rishkrimi”
i historisë ishte konceptuar si përmbysje e saj. Ai nuk ishte një objektiv
shkencor, por një objektiv politik. Kjo
bëhej për të “pastruar” figura historike të së djathtës tradicionale, që e
meritonin, por, sidomos, për disa figura përfaqësuese të së djathtës, që ishin
bërë pis me kolaboracinozmin e tyre të provuar gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Por kolaboracionistëve nuk ua kishte
fajin Partia Komuniste, kur ata putheshin me fashizmin e nazizmin dhe
“filozofonin” nëse duhej luftuar apo jo pushtuesi, kur vendi dhe bota digjeshin
në flakët e luftës. Pra, shprehur me një thënie pikante popullore kur fshati digjej, ajo... ata,
kolaboracionistët kriheshin.
Gjithë pengu i së djathtës
kolaboracioniste ishte se ata nuk mund
ta pranonin që çlirimin e vendit ta realizonin komunistët, vegjëlia, por ata
vet, familjet e mëdha, Balli i kombit, sic e quajtën me krenari veten. Por ja që gabuan tragjikisht
dhe e pësuan, duke u ndëshkuar rëndë. Dhe, duke e ditur që çlirimi i vendit është një akt madhor historik, këtë
nuk do të donin kurrë ta kishte si meritë Partia Komuniste, veçanërisht
Enver Hoxha. Shkurt E. Hoxha iu hëngri
atyre racionin politik, duke i nxjerrrë nga skena e historisë, duke i ndëshkuar
si nuk e kishin menduar kurrë. Prandaj,
edhe pinjollët e sotëm të kolaboracionistëve, ashtu si të parët e tyre, që për
inat të Enverit shkuan me pushtuesit, edhe këta për inat të Enverit nuk e
njohin kontributin e komunistëve në atë luftë ose përpiqen ta “bëjnë pis” duke quajtur luftë civile! Pra, mohojnë kontributin
dhe luftën e popullit të tyre. Por lufta kundër pushtuesit s’mund të quhet
luftë civile, edhe kur me pushtuesin bashkëpunojnë njerëz të vendit të
pushtuar.
Pra, rishikimi i historisë kësaj
here bëhej më tepër për qëllime politike të ditës. Dhe dihet se ne kësi rastesh
sinjalet i jep përherë politika dhe pas saj “aksionin » e vazhdojnë në
terrenin e “shkencës” ushtarët “shkencëtarë” të partisë…Zonja Nika është
shfaqur hapur si historiane e së djathtës, megjithë një farë moderacioni në paraqitje. Dhe gjithë
preokupimi i historianëve të djathtë nuk ka qenë e vërteta shkencore dhe
korrigjimi i falsikimit të bërë (aq sa ishte) gjatë periudhës së diktaturës,
por sidomos mohimi i rolit të komunistëve në çlirimin e Shqipërisë ,
vçanërisht, i Enver Hoxhës, diktatorit të ardhshëm, i cili , sipas ligjikës së
pinjollëve të kolaboracionistëve, duhet të jetë pa asnjë meritë dhe krejt i zi, duke patur parasysh ç’ndodhi pas
çlirimit. Ky mentalitet kolaboracionist duket qartë në rehabilitimin e shumë
bashkëpunëtorëve të pushtuesit nga ana e politikës së djathtë dhe dekorimi e
nderimet e tjera si të ishin heronj, vetëm e vetëm se ishin antikomunistë. Por
antikomunizmi kolaboracionist nuk është patriotizëm. Enver Hoxha ka plot gjynahe pas çlirimit, por meritat e Luftës
nuk mund t’ia errësojë dot askush. Kjo është ë vërteta historike. Pasi u
rropatën për 23 vjet për ta mohuar Luftën Nacional- Clirimtare të poullit
shqiptar të udhëhequr nga komunistët dhe E.Hoxha ose për ta quajtur thjesht
“luftë civile”, luftë vllavrasëse, terror komunist etj., më në fund, me sa
duket, u dorëzuan përballë së vërtetës historike dhe argumenteve realiste të historinëve të majtë.Ne fund te fundit fuqia e
manipulimit nuk mund ta mundë të vërtetën historike. Se nga njera anë pranohet
që Lufta Nacional-Çlirimtare na bashkoi me aleancën fitimtare anglo-sovjeto-amerikane, nga ana
tjetër thuhet prej “historianëve” të djathtë se ajo ishte luftë civile! Një gjë
pa sens fare! Të ndodhur përballë bllofit të çvlerësimit të luftës, që bënë
shqiptarët të udhëhequr prej komunistëve, pinjollët e tyre sot dhe disa
pseudohistorianë , duke e parë misionin e tyre si gurin e Sizifit, që s’e çoi
kurrë në majë, bëjnë një tërheqje “të butë”, duke dashur ta japin historinë
tonë me konçesion, njëlloj si rrugët, HEC-et apo minierat. Pra, të “lajnë duart” me historinë, duke ua lënë të huajve. Gjë që
s’ka ndodhur as në një vend serioz. Kjo është paaftësi profesionale dhe defekt
moral. Vetëm shkencë nuk ka këtu. Nje
turp!
Botuar ne gazeten DITA date 13.02.2014
Botuar ne gazeten DITA date 13.02.2014
Δεν υπάρχουν σχόλια:
Δημοσίευση σχολίου