A I DUHET SHQIPËRISË NJË "EULEX"?
Nga Petrit Qejvani
Në gjëndjen në të cilën është
katandisur drejtësia sot, titulli i mësipërm , mendoj unë, nuk është një
hipotezë e çartur. Ë di gjithashtu që ky titull do ngjallë shumë reagime, pro
dhe kundër.
Disa, sidomos politikanë e gjyqtarë,
do rrudhin buzët. Por kjo është gjëja që më intereson më pak si qytetar. Fakti
që ata s’po bëjnë dot shtet, pavarësisht nëse nuk dinë apo nuk duan, nuk
ndryshon gjë. Rezultati është i njëjtë.
.Unë mendoj se shumica e qytetarëve e
kanë dilemën, që shfaq titulli i shkrimit tim.
Problematika e rëndë dhe shkalla e
lartë e korrupsionit në sistemin e drejtësisë e bëjnë të pamundur ndërtimin e
shtetit ligjor, e shtetit të qytetarëve, pa një reformë radikale që nënkupton
ndryshime ligjore adekuate, shoqëruar me lëvizje gjyqtarësh e prokurorësh, me
ndëshkime administrative dhe penale, së paku për ata gjyqtarë e prokurorë, që
kanë bërë të dështojnë dosje të bujshme si ato të rrugës Durrës- Kukës, të
emërtuar bukur “Rruga ë Kombit”, nga ata që vodhën plot 230 milione dollarë,
duke e shndërruar në “vjedhjen e kombit”, atë të Gërdecit, ku u rrafshua nga
qeveria një fshat në kohë paqeje dhe u vranë 26 banorë si dhe 21 Janarin e
pergjakur të 2011, ku, në mes te ditës, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, si
për ironi, bien dhe 4 dëshmorë të tjerë ( nuk e di në janë shpallur apo jo të
tillë), por kësaj here të vrarë jo nga
ndonjë pushtues, por nga qeveria e tyre!
Kështu, këto dosje të mëdha janë
testi dhe guri i provës nëse drejtësia shqiptare do japë shpresën se drejtësia
mund të japë drejtësi..
Kështu drejtësia është kryqi që
duhet të kalojë Edi Rama për të realizuar Rilindjen.
Por shenjat e deritashme, sidomos
vendimi absurd i gjykatës për vrasësit e 21 janarit me logjikën idiote se nuk
quhet vrasje, kur vret dikë që nuk e njeh, të lenë shijen e hidhur se pa një
shkundje të fortë dhe pa ndëshkime gjyqtarësh të tillë, Rilindja do jetë larg.
Ku është thënë e shkruar se gjyqtarët
s’i kap ligji? Në ç’manuale apo libra të shenjtë është shpallur kjo? Vetëm Ai
lart nuk mund të gjykohet dhe ndëshkohet. Gjithë vdekatarët e tjerë janë
njëlloj para ligjit.
Por paraliza e korrupsioni i
drejtësisë e ka shkakun te një faktor tjetër. Ajo është rrjdhojë e një politike
të korruptuar dhe e një klase politike të korruptuar (ndoshta klasa politike më e korruptuar në historinë njëshekullore të shtetit shqiptar). Një politikë e korruptuar e ngritur në
sistem nuk mund të prodhoje një sistem drejtësie të pastër, sepse shpejt
politikanët e korruptuar do dilnin në bangën e të akuzuarit dhe do denoheshin.
Pra, në këtë rast jemi si në parimin e enëve komunikuese, të një aleance të pashpallur, por bukur të dukshme
politikë-drejtësi.
Të gjithë e pranojnë që në Shqipëri
ka korrupsion të madh, që nga lypësi më i rëndomtë i Tiranës, te politikanët
tanë e deri te Presidenti i Komisionit Europin Barroso. Por asnjë peshkaqen i politikës nuk ka vajtur pas hekurave te
burgut. Pra, një paradoks i madh:nga njera anë Shqipëria ka korrupsion të
llahtarshëm, nga ana tjetër asnjë të korruptuar!
Dikur Arvizu e quajti gjithë
shoqërinë shqiptare të korruptuar. Dhe nuk e kishte gabim. Por ky është fryti
djallëzor i nxitur prej politikanëve tanë, sepse kështu krijohej e pranohej si
një gjë normale mbarëqytetare korrupsioni, duke e justifikuar djallëzisht me
atë që në gjithë botën ka korrupsion, dhe në Amerikë, edhe në Europë. Pra, mos e quani kushedi çfarë: ky është
kapitalizmi: të garbisim ,të vjedhim sa të mundim, të mashtrojmë secili sipas
mundësive dhe detyrës…
Ky ishte përkthimi shqiptar i
kapitalizmit, që bënë kalanderët politikë në Shqipëri. Politika arriti të
atrofizojë dhe korruptojë drejtësinë me ryshvet ose me kërcënime, sidomos këto
tetë vjetët e fundit të qeverisjes së Berishës, duke bërë që korrupsioni të
përhapet si kolera horizontalisht e vertikalisht, që nga roja i shkollës deri
te i pari i shtetit.
Pra, suksesi më i madh i klasës
politike shqiptare është krijimi i një mentaliteti ku korrupsioni shihet si një
sjellje normale. Pikërisht një situatë e tillë e bën të vështirë deri në të
pamundur funksionimin normal të drejtësisë.
Prandaj dhe dyshimi i njerëzve se
drejtësi jonë do do bëjë drejtësi nuk është pa baza. Është kjo gjendjë
dëshpëruese që i bën qytetarët mosbesues.
Në këto rrethana një EULEX për
Shqipërinë nuk është një fanatazi. Dikur, më 1997, pas ardhjes në pushtet të
socialistëve, aventurieri libaral politik Nano bëri një deklaratë “skandaloze”,
por shumë interesante.
Duke patur parasysh Shqipërinë e
shkatërruar nga trazirat si dhe destruktivitetin organik të Berishës pas
refuzimit që ky i fundit i bëri ftesës së Nanos për të qenë pjesë e
delegacionit qeveritar, që do të vizitonte Italinë, Nano tha: “Do ishte mirë që Shqipëria
të ishte protektorat italian!”
Por kjo deklaratë kaloi si batutë e
radhës dhe asnjë nuk i kushtoi rëndësi. Por sot, pas 16 vjetësh, në një masë së
paku 50% Nano kishte të drejtë, duke konfirmiuar kështu tezën antishqiptare të
shovinistëve fqinj se shqiptarët nuk bëjnë dot shtet.
Në fakt Shqipëria ka qenë dy herë
shtet, pavarësisht natyrës së shtetit dhe kufizimeve që kishte secili: në kohën
ë mbretërisë dhe në kohën ë komunizmit. Atëhere ligji ka vepruar.
Nano ndoshta gaboi kur tha
protektorat italian, do të qe më mirë një protektorat gjerman apo anglez, për
shkak të faktit se ata janë shtete më të “rëndë”. Por kjo vinte ndesh me
proceset itegruese të Europës dhe as që mund të bëhej fjalë për një protektorat
të një shteti. Sidoqoftë, ishte një thirrje dëshpëruese.Ndoshta një”protektorat”
i Brukselit do të ishte më ë pranueshme…
E di që ‘akademikët’ dhe politikanët
do thonë :jemi shtet i pavarur, jemi shtet sovran”, kemi qeverinë tonë” etj.
Sigurisht, Shqipëria është shtet i
pavarur,por është një shtet karagjoz, është një xhungël ku nuk vepron ligji,
por ligjin ë bën më “i forti, ku s’kontollohet territori, ku korrupsioni bën
kërdinë.
Tamam një “republikë bananesh”, por
që nuk prodhon banane. Pra nuk është shtet për qytetarin e ndershëm.Natyrisht,
ne ende presim me shpresë se diçka do ndryshojë dhe qeveria e re do kohën e
nevojshme për ta bërë këtë. Por kjo s’do të thotë të shtyhet për në kalendat
greke. Ne si qytetarë po presim. Ka ca si njale pozitive. Qeveria e re po bën disa denoncime. Por dyshimet mbesin. Për shumë
arsye. Dosjet e mëdha të 21
janarit, ajo e Gërdecit si dhe ajo e rrugës Durres- Kukës me aferat qindra
milionë dollarëshe janë dëshmia dhe prova e medhe nëse drejtësia do të bëhet, nëse
drejtësia do të rilindë.
Por kjo nuk varet vetëm nga vullneti
i qeverisë, por dhe si pasojë ë disa
faktorëve të tjerë, të brendshëm e të jashtëm, sepse personat e implikuar në
këto ngjarje kanë imunitet të madh (jo parlamentar). Ata janë ish- ministra,
kryetarë partish të opozitës, ish kryeministra etj. Por këtu tregohet foca e
ligjit dhe morali i maxhorancës.
Natyrisht këta nuk do t’i dënojë
qeveria, as Rama, por maxhoranca i ka të gjithë mekanizmat ta “detyrojë”
drejtësinë të veprojë.
Administrata e korruptuar shqiptare
dhe, posaçërisht, drejtësia e kanë të nevojshëm një revolucion “të bardhë”, pa
gjak.
Nëse nuk ndodh kjo, nëse edhe
qeveria e re dështon dhe nuk bën dot shtet, atëhere qytetarët shqiptarë, intelektualët e vërtetë duhet t’i drejtohen Brukselit me thirrje lutëse: Dërgoni në Shqipëri
një EULEX special, që të bëhet drejtësia, që më në fund të bëhet shtet edhe
Shqipëria!”Që të keni më pak telashe me ne.Kjo nuk është fyese për ne, por
faqja e zezë e politikanëve tanë.”
Ne qytetarët jemi më të sinqertë:
atë që nuk jua thonë politikanët tanë, po jua themi ne: Ne shqiptarët kaq dimë,
kaq e kemi hapin, jemi qytetarë të prapambetur dhe kemi politikanë edhe më të
prapambetur. Na merrni për dore! Do t’ju jemi përjetë mirënjohës!
Botuar ne gazeten "SOT" 27.10.2013