Τετάρτη 20 Φεβρουαρίου 2013

A PO E BRAKTISIN AMERIKANËT BERISHËN?



 A PO E BRAKTISIN AMERIKANËT BERISHËN?
                                                                                               
                                                                                                Nga Petrit Qejvani
           
            A do ta mbështesin më këtej e tutje amerikanët Berishën? Kjo pyetje ka filluar të bëhet shpesh pas deklaratës së ambasadës amerikane se vendimi i gjykatës së Tiranës për vrasjet e 21 Janarit ishte tronditës dhe se ai minonte besimin e shqiptarëve te drejtësia. Por sidomos pas memos së qeverisë amerikane për qeverinë shqiptare. Që t’i japim një përgjigje sado të përafërt kësaj, është e nevojshme të’i bëjmë një përshkrim  të shkurtër qeverisjes dymandatore të  Berishës  “së dytë”.                                        
            Berisha është në pushtet prej vitit 2005 së paku për tre arsye: e para, për shkak të aftësive  të tij të rralla manipuluese (jo thjesht të votave), por për shkak të aftësive gjithashtu për të manipuluar opinionin publik si dhe  ndërkombëtarët. E dyta, për shkak të gabimeve, mefshtësisë dhe rënies në grackat “proceduriale” të Berishës të  opozitës socialiste (rasti i ndryshimeve fatale kushtetuese të viti 2008) si dhe, e treta, për shkak të përkrahjes  së tij  prej ndërkombëtarëvë, amerikanëve dhe europianëve. Dhe kjo e fundit nuk është hipotetike. Mjaftojnë dy prova prej 2009 e këtej si moshapja e kutive të votimit ( me gjithë provat e pakundërshtueshme të manipulimit si rasti i Ruzhdies ku vetëm në një fshat gjenden 300 vota më tëpër se numri i banorëve(!) që zgjedhjet të quheshin të manipuluara) dhe odiseja qesharake  e ambasadorëve të trojkës nga selitë e PD e PS deri te darka e “Krokodilit”, kur këmbënguljes butaforike të ndërkombëtarëve Berisha i përgjigjej me “respektimin” e kushtetutës dhe ligjit, që gjoja “pengonin” hapjen e kutive, ku flinte “lepuri i pushtetit”.
            Sikur të mos mjaftonte kjo, ndërkombëtarët, në një farsë të vërtetë në sy të gjithë botës, pranuan 2 vjet më von, po me “procedurë”, vjedhjen e mandatit të Tiranës, ku ishin  edhe vet aktorë. Kaq do të ishte jo vetëm e mjaftueshme, por edhe e tepërt për t’u bindur pa asnjë hezitim se ndërkombëtarë ishin investuar në krah të Berishës. Dhe jo vetëm ambasadorët, sikurse u tha rëndom nëpër mediet e shkruara dhe elektronike o për shkak të naivitetit, o për shkak të servilizmit. Pas  tyre ishin shtetet apo organizmat që ata përfqësonin.
            I mësuar me lëshime të vazhdueshme, pikërisht kur duhej të ndëshkohej, Berisha me të drejtë, kur ndërkombëtarët i bëjnë qoftë dhe  një kritikë, i injoron dhe refuzon si t’i ketë vartës të tij. Pasi i ka përdorur, Berisha i përbuz. Ka shumë të ngjarë që ata ai i ka korruptuar. Në këtë rast turpi është i ndërkombëtarëve.Të mos njohësh cili është Berisha pas kaq provave ekzemplare si vjedhjet e zgjedhjeve të 2009 dhe 2011, tragjedisë së Gërdecit apo të 21 janarit 2011,( pa harruar ngjarjet e 1996-1997) do të thotë ose të jesh budalla (jo naiv) ose të jesh i shitur, apo i blerë nga Berisha.    Këtu dalin disa hipoteza apo hamendje që mund t’i bëjmë me plot të drejtë: Cilat janë “arsyet” që ndërkombëtarët (në këtë rast amerikanët) e kanë toleruar kaq shumë Berishën? Mund të ketë shumë, por ne po rreshtojmë disa. Ë para, që ata nuk e njohin sa duhet realitetin shqiptar ( e pabesueshme për shkak të informacioneve shumëformëshe që  ndërkombëtarët kanë për Shqipërinë). Kjo si rrjedhojë e burimeve të shumta të organizmave legale që operojnë në Shqipëri, si ato ekonomike, politike, shoqërore, diplomatike dhe, në fund, agjenturore. (kjo nuk është një gjë e paditur) Pra, kjo hipotezë bie. Ë dyta, për nivelin e demokracisë shqiptare  Berisha është më i miri, sipas tyre, duke i quajtur nën zë shqiptarët qytetarë të dorës së dytë dhe,  ndoshta, jo pa të drejtë. Ë treta se, duke qënë nga veriu, ai i dominon më lehtë faktorin shqiptar në Ballkan ( duan të thonë disa se ai mund të destabilizojë rajonin(!?) Për mua e pamundur. Këtu vlen të hiqet një paralele me një ngjarje të viteve ‘63-’64, kur shpërthyen luftimet midis grekëvë dhe turqve të Qipros, për shkak se qeveria qipriote dhe greke vendosën të cungonin të drejtat e pakicës turke, ndërsa në luftë ishte gati të futej Turqia dhe për këtë u desh ndërhyrja e presidentit të SHBA-së Lindon Xhonson, që iu drejtuar grekëve nëpërmjet ambasadorit të tyre në Uashington, ku i tha shprehimisht: “Amerika është një elefant.Greqia është një plesht.Qiproja është një plesht.” Mesazhi ishte : mos ë zemëroni elefantin se e dini c’ju pret. (Besoj  kuptohet vet c’është Berisha dhe Shqipëria për SHBA). Dhe  e katërta, duhet ta themi edhe këtë, nuk shohin (së paku nuk kanë parë deri tani) një alternativë bindëse te opozita dhe lideri i saj. Më ne fund edhe për një shkak tjetër: ai i ka korruptuar ndërkombëtarët. A nuk harxhon ai miliona nga paret e shqiptareve për të zbukuruar imazhin e tij në departamentin e shtetit deri te presidenti Obama me lobimet e vëllezërve Podesta? C’t”i bësh, në kapitalizëm blihen të gjitha!
            Megjithatë edhe këtu nuk mund të mos shtrohet një pyetj: Pse amerikanët edhe e kritikojnë, edhe e përkrahin Berishën, edhe i japin ndonjë shuplakë, edhe e mbajnë përsëri? Këtë e dinë ata, por duhet ta dinë edhe shqiptarët e, patjetër, opozita. Por duket se kjo mbështetje e ndërkombëtarëve, e vecmas e amerikanëve, ka filluar të lëkundet. Së paku që nga vizita e zonjës Klinton në Tiranë dhe fjalës së saj në Kuvënd, ku ajo kërkoi fare hapur, pa diplomaci që të bëhen zgjedhje të lira e të ndershme, të vendoset shteti ligjor, të luftohet korrupsioni dhe.. të ndëshkohen të korruptuarit, akuza këto të drejtpërdrejta mbi qeverinë..Por ajo do lëkundej më fort pas vendimit kriminal të gjykatës së Tiranës per 21 janarin me logjikën nastradineske se viktimat i kanë vrarë të pandehurit, por nuk i njihnin(!) dhe prandaj “s’quhen vrasje”!...Në rastin më të mirë ky trup gjykues duhet të “zgjedhë” midis burgut dhe psikiatrisë! 
            Deklaratës së ambasadës amerikane se “është tronditur nga ky vendim dhe se kjo minon besimin e shqiptarëve te drejtësia ( besim ky i minuar me kohë) Berisha dhe sejmenët e tij nga gjykata në ministri të Drejtësisë e deri te ca papagaj të parlamentit, iu përgjigj me fodullëk se amerikanët nuk duhet të futin hundët në punët e gjykatave “të pavarura” shqiptare. Në mënyrë mjerane zyrtarët e korruptur të Berishës i japin “leksione” demokracie kampionëve të demokracisë.. Sikur të mos mjaftonte kjo, vjen dhe një memo e qeverisë amerikane, kësaj here jo diplomatike, por në stilin e vërtetë amerikan, ku diplomacia dhe forca shkrihen në një, duke kërcënuar qeverinë “trime” të Tiranës të jetë e kujdesshme në deklarata (të karakterit nacionalist) se pastaj do ta ndëshkojmë publikisht. Dhe Berisha në atmosferën e etheve “nacinaliste” për shkak të zgjedhjeve (cfarë nacionalizmi kur shet detin e vendit tend?) iu përgjigj sipas parimit revolucionar “flakë për flakë” memos se ne jemi nacionalistë si qytetarë dhe qeveri, por me një nacionalizëm fisnik, që s’kërkojmë ndryshim kufijsh. Vini re, vendos qytetarët përpara për t’i patur “me vete” si “patriot”, që (s”)është.
            Pra kemi dy reagime, njera ë ambasadorit dhe tjetra e qeverisë amerikane. Nëse reagimi i qeverisë së SHBA me anë të momos është më i qartë, për reagimin ë ambasadorit normalisht bëhet një pyetje: pse e bëri këtë pikërisht tani ambasadori amerikan? Mos e ndjeu se, pas qëndrimeve shpesh të pavendosura apo me dy faqe për cështje të nxehta si ai ajo e Gerdecit apo edhe e 21 Janarit, ku amerikanët në një farë mënyre ishin të “implikuar” për shkak të deklaratave të shpeshta se këtyre proceseve do t’u shkohet deri në fund dhe degradimit të tyre, reputacioni prej garanti i ambasadës amerikane dhe ambsadorit  për ndëshkim e fajtorëve dhe për drejtësi po komprometohej para syve të opinionit publik, para shqiptarëve? Aq më shumë që për 21 Janarin amerikanët morën përsipër ekspertizën për zbardhjen e autorëve të vrasjes. Ndërsa gjykatat shqiptare ( në fakt Berisha) e hodhën poshtë atë ekspertizë si letër higjenike, sic kishte bërë më parë me New York Times për Gërdecin. Mirëpo amerikanët nuk mund të durojnë që edhe t’i bësh priftërinj, edhe t’u rruash mjekrën. Tani shtrohet pyetja sa do vazhdojë kjo “trimëri” e Berishës dhe përplasja e tij me amerikanët? Le të presim.
             Por një gjë është e sigurtë si buka që hamë se, po e patën seriozisht amerikanët, Berisha është përfundimisht i humbur. Amerika me të drejtën e vendit më të fuqishëm demokratik në botë i kërkon llogari edhe Putinit për deformimet e demokracisë dhe as që e ka në listë Berishën. Për këtë ne shqiptarët duhet të jemi esëll, sepse shpesh ne, duke parë takimet e përditshme të ambasadorit amerikan me përfaqësues të ndryshëm të politikës, na duket se Amerika merret me ne nga mëngjesi në darkë! Kurse  me ne, në të vërtetë, merret ndonjë zëvendësndihmës i  zëvendësndihmësit të njerit prej zëvendësave të sekretarit të shtetit të SHBA-së!...
            Berisha si tip politikani, për shkak të inercisë së madhe që ka dhe amokut për pushtet, ka treguar që nuk di të tërhiqet pas, megjithëse nuk i mungon inteligjenca. Por në fund është rrëzuar (si më 1997). Përgjithësisht ai, si politikan dhe si njeri, nuk nxjerr mësime nga pësimet, sepse pasojat e pësimeve ua shkarkon kundërshtarëve. Por edhe se nuk është ndëshkuar për fajet e bëra. Mbetet të shohim si do të rrjedhin ngjarjet deri në zgjedhje dhe c’qëndrim do mbajnë amerikanët ndaj zgjedhjeve, të cilat pa dyshim do jenë të manipuluara, pasi Berisha që tani, me “procedurë” po përgatit vjedhjen e “ligjshme” të zgjedhjeve.. A  do t’ia heqin ata Berishës  patericën, që sapo kanë filluat t’ia lëkundin?!..Të shohim...


Ps Citimi i presidentit Lindon Xhonson eshte sipas librit “Histori e permbledhur e Greqise” me autor Richard Clogg, Toena,Tirane 2004, faqe159.

Σάββατο 16 Φεβρουαρίου 2013

ZËDHËNËSET SEKSI TË PD



 ZËDHËNËSET SEKSI TË PD
                                                                             Nga Petrit Qejvani

           Ditë më parë dy të përditshme kanë publikuar një foto me diçitura rozë të zëdhënëses më të re të PD-së, një ishmodele joshëse. Bile njëra prej tyre e tregonte në anëdet me fustan tyli ngritur shumë mbi gju, pikërisht aty ku fillon “zona e ndaluar”( jo ajo e Bushatit) për të treguar se, sa me lart te ngjiteshe, aq me nxehte bente. Me këtë rast njëra prej gazetave krahasonte dy partitë e mëdha PD e PS,duke vënë në dukje se në këtë drejtim PD ia kalon PS , e cila nuk i kushton sa duhet rëndësi imazhit(?!) a thua imazhi i partisë është fytyra e zëdhënëses! Por ajo që të bën përshtypje nuk është vet konstatimi, sesa vonesa e konstatimit.Vet prej kohësh kisha ndërmend të shkruaja diçka për këtë, por nuk e di përse nuk shkrova. Drejt e kishin gazetat, që shpreheshin se zëdhënëset e PD janë seksi. Por kjo nuk është e re për PD. Nuk mund të mos konstatosh se të gjitha zëdhënëset e PD kanë qenë femra seksi nga 2005 e këtej. Nga na tjetër PS nuk ka  thuajse fare zëdhënëse. Dikur, po. Është e vërtetë se PS nuk nxjerr në foltoret e komunikimit zëdhënëse (femra),dhe duket se atë vend e ka fshirë fare. Por shohim shpesh deputetë a funksionarë të PS, që bëjnë deklarata të ndryshme. Dikur edhe PS ka patur zëdhënëse. Por tani “koha rozë” e kryetarit të PS me sa duket ka perënduar (ndoshta këtë e kanë shpejtuar edhe sulmet e Berishës) dhe ka ardhur (!?..) koha” rozë” e kryetarit të PD! Ajo që të bën përshtypje këtu është se një parti e djathtë, konsevatore, po tregon dobësi të mëdha për seksin e bukur! Kaq inetensive është kjo dobësi, saqë mjafton të kujtosh shpeshtësinë e ndërrimit të këtyre bukurosheve, a thua se PD nuk është një parti politike, por një pasarelë modelesh apo agjenci turizmi, që promovon bukurinë femërore. Bile aq më shumë bie në sy kjo, po të kemi parasysh që kryetari i PD mbahet si një burrë epik dhe aspak lirik në opinionin publik. Megjithatë, gjithkush e di që  edhe një zëdhënëse nuk mund të vejë pa miratimin e kryetarit të gjithpushtetshëm. Dikush do të thotë se kjo është një hamendje e tepruar. Por po të kujtosh një prononcim të Berishës nga foltorja e PD kohë më parë për largimin e një zëdhënëseje, që erdhi pas largimit të E.Mëhillit, duke bërë edhe justifikimin e largimit të saj publikisht ( a thua është kaq ë rëndësishme që këtë ta bëjë kryetari i partisë për një post papagalli?!) do të ndërmendësh se PD dhe kryetari i saj kanë raporte diskrete me të bukurën, sigurisht në funksion elektoral..Ai e kupton forcën e imazhit..Dhe nuk është ndonjë gabim të adhurosh të bukurën dhe, sidomos, femrat e bukura. Në thelb nuk ka ndonjë gjë që nuk shkon. Jemi në kapitalizëm,ku pasuria, pushteti dhe qejfi ecin bashkë. Kjo është deviza e borgjezisë. Tashmë drejtuesit e PD (para 10-20 vjetësh të varfër si gjithë të tjerët) i kanë mbyllur hallet, janë pasuruar. Punët e tyre i kanë fjollë, paçka se punët e shtetit i kanë për lumë. Pasi i kanë vënë punët e tyre në vijë, nuk mbetet tjetët  veç qejfit. Kjo dreqo jetë është shumë e shkurtër dhe duhet jetuar! Sidomos kur jeton mirë!  Rendja pas së bukurës është kthyer në tendencë në PD, sidomos këto dy mandate, e , më dukshëm, këtë mandat të fundit, gjë që shenjohet me rekrutimin deri në organet drejtuese të PD-së e disa femrave të përfolura të muzikës apo spektakleve, disa artisteve dhe pornostareve,(normalisht specie apolitike) talenti i vetëm i të cilave është zbulimi i pjesëve intime për tundim publik. Sipas Biblës kjo është një punë djalli.  Por jemi në politkë dhe politika është zona e djallit. Të mos ia hamë hakun, në këtë pikë udhëheqja e lartë e PD ia kalon dhe gjahtarit të famshëm të femrave të bukura, Silvio Berluskonit! As ai nuk ka në Partinë e tij femra kaq te reja dhe të bukura si zëdhënëse, veç në Mediaset. Si duket, ai qejfin e bën jashtë partisë… Zbukurimi i imazhit të shkatërruar të PD pas ngjarjeve të ’96-97  ishte një preokupim dhe truk i kryetarit të PD, që nisi qysh me KOP-in, pra zbukurimi i imazhit politik, kurse imazhi pamor  apo më mirë, siç thuhet tani “luku” i PD do të ishin zëdhënëset e reja. Dhe në këtë pikë Ustai i PD është në rregull. Ai e njeh pushtetin e bukurisë.  Por ajo që evidenton edhe më tepër shpirtin  feminist te udhëheqjes së PD, dashurinë për të bukurën, jo thjesht si kategori estetike, por si dëshirë, si pasion ndaj femrave të bukura, është krahasimi me zëdhënëset e partive europiane e , sidomos, me zëdhënëset e administratës së BE në Bruksel, ku ndoshta dhe për rastësi, asnjera prej zëdhënëseve nuk është as e re, as e bukur.(pa le që në Bruksel ka edhe zëdhënës meshkuj!). Europa borgjeze duket se ka një koncept tjetër për zëdhënëset (zëdhënësit). Ajo, siç duket, i do zëdhënës(i)et të mendojnë kur flasin dhe jo të “këndojnë” si papagalli këngët e partisë apo qeverisë...Duke parë zëdhënëset e BE e kupton se sa pa shije janë borgjezët e rafinuar të Europës, krahasuar me drejtuesit tanë shijehollë!..Dhe kjo na bën të lumtur dhe krenarë….

Σάββατο 2 Φεβρουαρίου 2013

HISTORIA MUND TË RISHKRUHET, JO TË RIBËHET


Debati mbi rishkrimin e historisë , ndonëse nuk është i ri, herëpashere dëndësohet dhe merr karakter të ashpër polemik dhe jo çdo herë shkencor. Veçanërisht tani në prag të 100-vjetorit të pavarësisë ai merr ngarkesë të re, pasi është momenti për rivlerësimin  e  disa figurave historike për shkak të politizimit që u është bërë në diktaturë. Sikur kjo zhurmë të bëhej thjesht për objektivitet shkecor, do të ishte një gjë ë mirëpritur dhe e dobishme. Por kjo është dhe gracka ku mund të bjerë nje rishkrim i saj, kësaj here politizuar nga ana e kundërt. Dhe sinjalet nuk mungojnë.
Arsyet pse mund të rishkruhet historia  janë dy:
Ë para: për të riinterpretuar fakte të njohura, por të interpretuara njëanshëm, gabim me ose pa dashje. Ë dyta: për të interpretuara fakte të reja, të panjohura më parë, dokumente të zbuluara rishtaz. Këto janë arsye shkencore. Por ka dhe një arsye joshkencore: për ta falsifikuar atë për intresa revanshi politik nën petkun e defalsifikimit. Dyshim që nuk është pa gjë. Dhe këtu, më tepër se për ngjarjet, bëhet fjalë për figurat historike, “pronë” e partive respektive politike, të cilat gjithmonë nuk janë në simetri të plotë me kohën, pra nuk janë në harmoni absolute me të. Nuk ka figura historike të shkëlqyera nga të gjitha anët.. Ato janë të gjitha me dritë-hijet e tyre.
Pozitiviteti, dihet, anon nga ai personalitet, që ka kuptuar imperativin e kohës, kahjen e ngjarjeve,veprimet e të cilit ndikojnë dhe përputhen me fundin e pritshëm të një procesi ose me faktin historik. Dhe, që të mos bëjmë teori, le të zbresim në terrenin praktik, te shembujt.
Sikur të bëhej fjalë vetëm për ngjarjet dhe personalitetet e Luftës së Dytë Botërore, kjo do të ishte e nevojshme për shkak të shikimit berdh e zi të protagonistëve dhe antagonistëve të saj, por edhe për shkak të subjektivizmit të fitimtarëve, të cilët kudo, jo vetëm në Shqipëri, zakonisht kanë prirjen ta zmadhojnë e zbukurojnë fitoren. Kurse për figurat më të largëta historike, siç janë psh. ato të Pavarësisë, vlerësimet ë histëriografisë komuniste, megjithë simpatitë ose antipatitë politike, kanë më pak vend për rishikim e rivlerësim, veçanërisht ato figura  që e kishin mbaruar misionin e tyre politik për shkak se nuk jetonin më. Kurse për një pjesë që arritën deri në Luftën e Dytë Botërore dhe gabuan në qëndrimet e veta politike, duke arritur deri në bashkëpunim me pushtuesin, situata është më e komplikuar dhe vlerësimi më delikat. Sidomos për disa firmëtarë të aktit të pavarësisë kombëtare, të kthyer në kolaboracionistë. Sigurisht, mohimi i kontributit të tyre për pavarësi është i gabuar, siç është i gabuar edhe fakti që ky kontribut të shërbejë si mbulesë dhe justifikim i kolaboracionizmit në luftën për çlirim kundër nazi-fashizmit.  
Lufta e Dytë Botërore për të djathtën shqiptare, të ashtuquajtur nacionaliste, ishte një nokaut politik. Këtu fillon ngërçi. Qëndrimi ndaj saj është dhe çelësi për interpretimin e paanshëm të ngjarjeve dhe personaliteteve përkatës. Pikërisht këtu nis problemi  në trajtimin që u bëri historiografia komuniste eksponentëve  kryesorë të së djathtës, shumë prej tyre protagonistë të ngjarjeve më të rëndësishme kombëtare, por që përfunduan si kolaboracionistë. U përmbys elita  tradicionale politiko-ekonomike dhe u ngjit në pushtet proletariati, vegjëlia,  jo paria tradicionale (veten e quajtën “Balli” për t’ia kundërvënë “rjepacakëve,” “varfanjakëve”, komunistëve) me pasoja katastrofale morale, fizike dhe materiale për të.
Për herë të parë në histori paria binte nga pushteti. Ishte përmbysur rendi i gjërave. Shoku ishte i madh.  Kështuqë ata nuk mund të ishin kurrë dakord  me këtë “ndrrim vendesh”. Mirëpo e vërteta është e pamëshirshme. Dhe këtu nis edhe drama e nacionalistëve shqiptarë: te mos pranimi i faktit historik. Por dhe i pinjollëve të tyre sot në rrugën e mundimshme të “rishkrimit” të historisë, domethënë të përmbysjes së saj.
Në histori ka të vërteta absolute dhe të vërteta relative. Dhe të vërtetat absolute janë faktet, që janë të pandryshueshëm, ndërsa të vërteta relative janë interpretimet e fakteve. Vetëm këtu mund të ” luhet.” Por “rishkrimi” i historisë, i kuptuar si përmbysje e saj, është një aventurë mëndjelehtë, e dështuar që në nisje. Sepse historia mund të shkruhet disa herë, por ajo bëhet vetëm një herë.  Dhe ngrin. Psh. Konferenca e Pezës mund të rishkruhet, por nuk mund të ribëhet. Sepse e shkuara nuk mund të bëhet e tashme. Ajo u organizua me nismën e PKSH, në të morë pjesë komunistë e nacionalistë (bile këta dyfish në numër), atje ishte dhe E.Hoxha. Ky është fakti. Natyrisht nacionalistëve antikomunistë, edhe atëhere , edhe sot, nuk ju vjen mirë që atë nismë e mori PKSH dhe sidomos Ë.Hoxha, diktatori i ardhshëm(!), i cili u hëngri “racionin” politik “baballarëve të kombit”. Dhe më tej, Shqipëria u çlirua nga lufta e partizanëve shqiptarë të mbështetur nga populli, por të udhëhequr nga PKSh dhe E.Hoxha. Dhe ky është një fakt. Dhe këtë duhet ta themi pa drojë. Sigurisht, as kjo e vërtetë nuk u pëlqen fare nacionalistëve të sotëm, sepse ata e dinë se është meritë dhe vlerë e madhe të çlirosh atdheun prej okupatorëve dhe kjo meritë, sipas tyre, u takonte atyre dhe  nuk duhet t’i takojë Diktatorit!..
Por historia nuk harron gjithashtu që nacionalistët antikomunistë i falën pavarësinë e Shqipërisë Italisë fashiste në një ceremoni turpi në Romë. Dhe ky është një fakt, një e vërtetë absolute, pra, e  pazhbëshme. Por kompleksi i fajit nuk i lë ta pranojnë këtë vepër antikombëtare. Ë vërtetë absolute është gjithashtu që nacionalistët bashkëpunuan me fashizmin e nazizmin. Kjo është e pandryshueshme. Dhe historianët që duan rishkrimin e historisë mundohen ta “ëmbëlsojnë” këtë akt me lloj-lloj marifetesh “shkencore”. Domethënë të korrigjojnë historinë e shkruar “keq”, me një falsifikim të ri. Mohimi i kësaj të vërtete është i pamundur, pasi ky është një fakt historik, i konfirmuar me pamje dhe dokumente autentike. Këtu nacionalistët dhe avokatët e tyre në fushën e historisë janë në pozitë të vështirë. Ata gabuan atëhere, kur nuk duhejt të gabonin dhe ky gabim nuk mund të ndreqet më, edhe po të shahet e anatemohet nga mëngjezi në darkë E.Hoxha, me të drejtë e të padrejtë.  Sepse ne nuk mund të “çlirohemi” për herë të dytë nga nazizmi (ai s’është më) për t’u dhënë “shansin” nacionalistëve shqiptarë kësaj here të luftojnë dhe të jenë ata çlirimtarët!.Emocionalisht i kuptoj nacionalistët në këtë ndërmarrje, por racionalisht bëhen qesharakë.
Historianët e djathtë, duke përfituar nga një rast historik,100-vjetori i pavarësisë, nuk nisen nga interesa shkencore për një histori objektive, por nga synimi dhe dëshira politike për të pastruar imazhin e figurave nacionaliste prej njollave që vetë ata i vunë vetes gjatë Luftës II Botërore.  Nuk u tha PKSH të  bashëpunonin me fashizmin.
Përpjekjet e politikanëve dhe historianëve të djathtë për të zbehur  Luftën Nacional-Çlirimtare me gjithë marifetet që përdorin, janë rropatje të mundimshme si guri i Sizifit, që nuk do ta çojnë kurrë në majë. Ajo luftë nderon popullin shqiptar , partizanët shqiptarë dhe ata që i udhëhoqën. Ajo e radhiti Shqipërinë me aleatët anglo-amerikanë. Antikomunizmi i tyre është alibi qesharake  për të justifikuar kolaboracionizmin  tyre dhe nuk i nxjerr në breg. Qemal Stafa,Vojo Kushi , Margarita Tutulani  dhe Zonja Çurre etj. janë heronj, sepse dhanë jetën për lirinë, ndonëse komunistë. Mos duhet që këta të ishin kolaboracionistë e jo komunistë çlirimtarë ?! Një logjikë e tillë është andikapate, bile antishqiptare. Por thellë-thellë kjo është një dëshmi e paqetësisë  dhe pranimit të fajit tyre.  
Tentativën për “zhbërjen” e Luftës antifashiste ata e lidhin me atë që ndodhi pas çlirimit: me vendosjen e pushtetit komunist, të diktaturës së proletariatit, falë jo vetëm meritave të komunistëve, por edhe”kontributit” të vet nacionalistëve me kolaboracionizmin e tyre. Dhe meqe dikatura bëri gabime dhe krime, ata duan t’ia heqin dhe, në pamundësi, ta zbehin ose çvlerësojnë luftën Nacional-çlirimtare, si vepër të komunistëve, (pavarësisht se partizanët nuk ishte ë thënë të  ishin patjetër  komunistë) , sepse atë e udhëhoqi PKSH. Një mision ky i pamundur. Aq sa është e pamundur që antikomunizmi kolaboracionist të quhet patriotizëm.
Në të vërtetë errësimi që pinjollët e së djathtës, dikur humbëse, duan t’i bëjnë luftës Nacional-çlirimtare dhe rehabilitimi i disa figurave të njollosura keq  me kolaboracionizmin e tyre, rreh të errësojë kontributin dhe meritën e komunistëve në këtë luftë dhe ,veçanërisht t’i heqin E.Hoxhës meritën e padiskutueshme në këtë luftë, duke e kthyer praktikisht thjesht në një diktator, pa asnjë vlerë pozitive.
Që historianët të tregojnë që janë objektivë duhet t’i njohin E.Hoxhës meritat e luftës dhe clirimit të Shqipërisë, ashtu dhe gabimet  e krimet si ai i eliminimit të kundërshtarëve politikë, siç duhet t’i njohin Zogut meritën e hedhjes së themeleve të shtetit modern, por edhe ekzekutimin e kundërshtarëve politikë si B.Curri, L.Gurakuqi, A Rustemi, Hasan Prishtina etj, pa harruar braktisjen e atdheut në një moment tragjik si dhe shitjen e trojeve shqiptare si Shen Naumi ë Vermoshi serbëve. Kështu shkruhet një histori për të gjithë dhe jo një histori “ ë djathtë” dhe një histori “e majtë”.
Një histori objektive do guxim qytetar dhe kurajo morale më tepër se shkencore, që aktualisht mungon, përtej deklaratave të historianëve  partizanë, që betohen për “të vërtetën” e tyre.  Kjo, me sa duket, do kohë të bëhet dhe, veç turpit, kjo gjë ka për të dëmtuar formimin e shëdoshë historik e patriotik të shkollarëve shqiptarë, të cilët do mësojnë dy histori të Shqipërisë, sipas rotacionit të partive në pushtet. Kështu, edhe për ca kohë, (nuk dihet sa) shqiptarët do kenë dy palë heronj e dy palë tradhtarë. Ndërgjegja kombëtare do funksionojë siç duhet, kur të gjithë shqiptarë t’i kenë të njëjtë heronjtë dhe të njëjtë tradhtarët. Le të shpresojmë që kjo të vijë sa më shpejt.

Nëntor 2012

KUR SHIHET VETËM NJERA ANË E MEDALJES


Në kuadrin e 100-vjetorit të pavarësisë mediat e ndryshme po mundohen të japin  kontributin  tyre  për ndriçimin e  disa ngjarjeve  dhe personaliteteve historike deri tani të pandriçuar qartë ose të vlerësura negativisht nga historiografia komuniste.  Do të ishte një gjë e dobishme sikur ky mision të ishte i pandikuar nga era politike. Por jo në pak  raste disa gazetarë bien në grackën e politikës së ditës.. Në vend të analizës bazuar në fakte dhe argumunte, ata bëhen përjetues të dëshmive shpesh subjektive dhe emocionale të personazheve  të përzgjedhur, duke u njesuar me ta dhe duke humbur objektivitetin. Veçanërisht kjo dukuri bie në sy kur është fjala për përsonazhe  të kohës së Luftës së Dytë Botërore.
Nisur nga pozicioni që vjen prej inercisë antikomuniste, disa herë ndriçimi i fakteve dhe figurave historike bëhet nën një dritë të rreme dhe denigrimit komunist, me ose pa të drejtë, i ka zënë vendin zbukurimi antikomunist, pra një falsifikim i ri. Sidomos në modë eshtë kthyer rehabilitimi i disa krerëve të krahinave të ndryshme që iu kundëvunë Luftës Nacinal-çlirimtare të popullit shqiptar, të ashtuquajtur nacionalistë, të cilët gjatë dhe pas Luftës morën ndëshkime të ashpra për shkak të kolaboracionizmit të tyre.
Një rast tipik në këtë drejtim në kuadër të rishkrimit të historisë, i nënkuptuar si përmbysje, ishte dhe ai për familjen e Gjon Marka Gjonit, bajraktarit të Mirëditës, një kolaboracionisti të njohur, që iku prej Shqipërisë bashkë me pushtuesit në prag të çlirimit dhe ardhjes së komunistëve në pushtet. Gazetarja e një televizioni serioz pyet pinjollen e familjes së njohur feudale në mënyrë që ajo të tregojë sagën e familjes së saj pas ardhjes në pushtet të komunistëve. Dhe ajo tregon natyrshëm për familjen e vet të pasur, për babanë e saj, për jetën e lumtur që bënin si familje, për miqtë e shumtë e të fuqishëm që kishin, për shërbëtorët gjithashtu të shumtë, për rojat me pushkë, që i shoqëronin kur dilnin shetitje në Shkodër, për shkollimin në një kolegj të shtenjtë murgeshash në Itali etj. Dhe nuk kishe pse të mos e besoje. Ajo u tregua e sinqertë kur tha se ne nuk mendonim që komunistët do të fitonin. (ky ishte mendimi i gjithë nacionalistëve antikomunistë kolaboracionistë). Njëherësh ky ishte dhe gabimi i tyre fatal dhe drama e tyre. Deri këtu nuk ka asgjë që nuk shkon. Përgjigjet e saj qenë të besueshme. Por gazetarja që bëri plot pyetje të drejta “harroi” të bënte edhe një pyetje jo pak të rëndësishme: pse ju burgosën dhe ju përndoqën politikisht si familje komunistët? Do ishte e rëndësishme të dëgjonim përgjigjen e saj, sido që të ishte. Mirëpo kjo s’i ka pëlqyer gazetares, sepse do ta zbehte synimin e emisionit. Se, sado irracional të jetë një regjim, nuk mund të marrë nga shtëpia një vajzë të re e ta rrasë në burg kot së koti. Gazetarja vet në tekstin e saj sqaroi se Gjon Markagjoni la dy djem në Shqipëri të luftonin për përmbysjen e qeverisë komuniste dhe ata u vranë nga forcat e regjimit komunist. Dhe kjo është normale për filozofinë e kohës. Gazetarja duket se nuk e ka fare parasysh kontekstin politik të ngjarjeve dhe i sheh ato nga qetësia e ditëve tona. Pra ajo krijon një tekst të ri për të shpjeguar një kontekst të vjetër. Ë kaluara nuk gjykohet me logjikën e sotme, pasi kështu cdo e kaluar tingëllon pa kuptim ose tigëllon keq, pavërtetësisht.
Nëse në planin njerëzor keqardhja për fatin e pinjollëve të pafajshëm ( si në rastin konkret vajzës së Gjon Marka Gjonit) është diçka normale, shtrirja e saj për krejt familjen, edhe për babanë  e saj kolaboracionist apo djmtë e tij, është një humanizëm abstrakt, që del përtej realitetit dhe nocionit të fajësisë. Në politikë nuk mund të flitet si në kishë. Gazetarja duhet ta dijë që edhe në vendet e mëdha demokratike si Franca p.sh. apo dhe Italia kolaboracionistët u dënuan me vdekje apo me burgime, sipas peshës së fajit. Për këtë u dënua me vdekje edhe gjenerali Peten, heroi i Francës gjatë Luftës së Parë Botërore, paçka se për shkak të moshës iu kthye në burgim të përjetshëm. Mesa duket është fryma “antikomuniste” që qorrollis disa njerëz të medias, edhe kur nuk kanë afinitete shpirtërore me kolaboracionizmin. Dhe më në fund, antikomunizmi për çdo gjë nuk është një çertifikatë  apo shkop magjik që kolaboracionizmin e shndërron në patriotizëm. Kështu misioni i këtyre gazetarëve komprometohet. Kështu nuk informohet, por dezinformohet. Në rastin e nacionalistëve kolaboracionistë shfajësimi i tyre  është një mision i pasuksesshmëm dhe i padrejtë. Është njëlloj si të kërkosh t’i zbardhësh pendët korbit…



Nëntor 2012.

ANATOMIA E KRIMIT DHE MORALI NË KRIZË



                            Nga Petrit Qejvani
   
    Anatomia e krimit në vend po pasurohet cdo ditë  monstruozisht.Tashmë askush nuk mund të mohojë që Shqipëria është kthyer në një laborator krimi. Përditë ë më tepër fytyra e krimit bëhet më e përbindshme, aq sa dhe fantazia më e shfrenuar nuk mund ta imagjinojë.
    Por krimi i fundit në Xhafzotaj ka shokuar me të drejtë opinionin pasiv shqiptar. Natyrisht, që të gjithë besoj bashkohen në vlerësimin  e fabulës së krimit( marrëdhëniet kriminel-viktimë) deri te përfundimi i kësaj marrëdhënie anormale, me një fund tragjik për viktimën “fajtore pa faj”. Përtej hulumtimeve sociale- psikologjike për të gjetur justifikimin e kësaj historie absurde, (cka duhet bërë nga njerëzit e duhur në vendin e duhur) është e nevojshme të kuptohet c’ka ndodhur në moralin e shqiptarëve këto dy dekadat e fundit.
    Krime si ky apo të ngjashëm me të tregojnë në mënyrën më elokuente krizën morale të shoqërisë sonë (përvec asaj ekonomike)  apo moralin tonë në krizë. Ato tregojnë se përmbysja rrokopujthi dhe mekanike e moralit të mëparshëm (le të themi tradicional) është dicka e komplikuar dhe se shoqëria jonë nuk i lan dot kaq shpejt duart me të, sikundër p.sh: i lan fjala vjen me politikën, ku konceptet dhe strukturat e vjetra shtetërore i zëvendëson me të reja shumë më  shpejt. Sepse kodet morale, konceptet morale ndryshojnë shumë ngadalë (me breza njerëzorë) dhe se disa vlera morale janë të përjetshme dhe nuk mund të njësohen e rrëzohen me sistemet politike. Nga ana tjetër, zelli i tepruar për të përqafuar gjthcka ka sistemi i ri si pozitive, nuk është një altenativë e suksesshme.
     Nga një shoqëri me kod moral të rreptë dikur, (para viteve’90) shoqëria ë sotme shqiptare është pa një kod të ri moral. Njeriu shqiptar vërtitet i dyzuar midis kodit të vjetër tradicional dhe tundimit të moralit të ri borgjez, ende të pa kodifikuar, pra, të pranuar gjerësisht si një moral i ri. Disa vlera morale tradicionale u quajtën si produkte të socializmit dhe për këtë shkak u anatemuan pa të drejtë. Kështu, u shkelmuan dhe disa vlera të përhershme, të domosdoshme për të mbajtur në këmbë familjen, si bërthamën ë shoqërisë, si p.sh besnikeria bashkëshortore, shenjtërimi i familjes, që u quajten jo rrallë, demode, anakronike.  Largimi me shpejtesi nga tabuja u quajt celësi i mënyrës së re të jetesës. Pra, kontrata e martesës mund të shkelej nga njeri apo tjetri, dhe kjo shihet si një kontratë e zakonshme.    
    Marrëdhëniet dashurore në përgjithësi u trajtuan si marrëdhënie tregu, thjesht më jep-të jap, duke u zhveshur mga” magjia” karakteristike. U ngrit në qiell liria pa kufi dhe trupi njerëzor,vecanërisht i femrës, u shndrrua në metaforë, duke u parë thjesht si burim kënaqësie fizike. Liria seksuale u trumbetua si flamuri i të gjitha lirive! Vecanërisht kjo te femrat. Shtimi i divorceve me protagoniste femrat u shenjua si fitore e lirisë(!) dhe jo edhe si krizë e familjes. U cvlerësuan disa gjera të shenjta ë të shtrenjta për cdo kohë, të pakonvertueshme materialisht, si dashuria dhe trupi i njeriut, që jo rrallë konsiderohen mall. Njeriu shqiptar u quajt i paditur në cështjet seksuale, thua se nuk e njhte më parë  trupin e tij(!), ndërkohë  që raca njerëzore,(dhe ajo shqiptare) kanë ardhur për bukuri deri në ditët tona pa mësime “speciale” për seksin, pasi seksi është dicka insinktive, e trashëguar. Kaq keq është shpërdoruar propaganda për seksin, saqë shumë prindër (natyrisht “intelektualë”) në vend të porositin fëmijtë e tyre të marrin librat me vete, i porositin, kur shkojnë në shkollë, të mos harrojnë prezervativin ose kontraceptivët e tjerë.!..(a thua se shkojnë në stallë!)
    Një industri e tërë në funksion të “emacipimit”, duke filluar që nga bisedat në studiot televizive me femra “moderne” e meshkuj liberalë “jashtë derës së shtëpisë”, te intervista me ca “artise” që tregojnë se tani për tani janë pa dashnorë (hata e madhe kjo(!)), te telenovelat e mbushura me tradhti bashëshortore, me shfaqje të tipit “big bother”, ku drejtuesja ngazëllehet nga suksesi që në big brotherin e parë u realizua puthja live e deri te i fundit ku ”suksesi”qe i paparë, pasi u bë seks live! Dhe deri te konsiderimi i raporteve dashurore apo martesës si “ekskursioni i radhës”.
    Në një atmosferë të tillë të shplarjes së trurit, ku janë marrosur dhe 70-80 vjecarët(!)  është normale që të marrosen adoleshentët dhe të rinjtë. Dhe të ketë edhe drama si ajo e Xhafzotajt, apo ajo e vrasjes trefishe, ku, për habi të të gjithëve dhe kundër logjikës së gjërave, gruan nuk e vret burri për tradhti (megjithëse as kjo nuk përligjet), por e vret njëri nga dashnorët! Dhe lidhur me këtë, një e ftuar (ishte grua, jo vajzë) në një studio televizive, në mbrojtje të gruas- viktimë (duhet të ishte e një shoqate për mbrojtjen e grave) tha se një femër mund të shkojë edhe me tre meshkuj njëherësh(!), por ti s’ke pse e vret. Duke e banalizuar problemin (shih konceptimin ë “lirisë” seksuale) ajo harron se këto janë raporte midis njerëzish, se  të bësh dashuri nuk mjafton vetja jote, por duhet dhe një tjetër (partneri) dhe se marrëdhëniet intime janë marrëdhëniët më të ngushta dhe prandaj ato janë të komplikuara edhe vetëm me një person, pale pastaj me dy apo tre.Në këtë rast nuk merret fare parasysh që ne vijmë nga një shoqëri patriarkale dhe se, edhe në vendet e zhvilluara, ngjarje të tilla ndodhin për shkak të cilësisë së këtyre marrëdhënieve.
    Një shoqëri  si kjo jona ku secili lëviz për hesap të vet, pa pyetur për ligj e rregull, ku shteti nuk është në lartësinë e tij, ku ndëshkimet janë qësharake, ku kufiri midis  virtytit dhe vesit është bërë kaq diskret sa virtyti dhe vesi shpesh ndrrojnë vend, ku fshatari medon se bëhet qytetar që ditën e parë të zbritjes në qytet, ku është përmbysur rendi i gjërave, dhe, mbi të  gjitha, ku shoqëria nuk ka guxim të shohë të metat e veta, por mbulon kokën si struci, nuk ka  se si të mos presësh drama të reja.    
    Në një shoqëri  ku muza kryesore është paraja dhe  deviza  është qejfi ( shikim ky vecanërisht shqiptar i kapitalizmit!) dhe kur këto shumica s’i realizon dot, doemos që drama të tilla do jenë të zakonshme dhe ne më kot do ngremë supet të habitur (nga padija apo hipokrizia) pas cdo drame të re. Problemin e komplikon edhe tendenca (si ajo e shfaqur në politikë për gjoja deideologjizimin e botës pas rënies së murit të Berlinit) për demoralizimin (zbrazjen nga morali) e botës moderne pra, për një botë pa moral (pa rregulla morale të pranuara nga të gjithë)! Ose të kuptuar si “Cdo individ ka moralin e vet”!...
    Nga ana tjetër, dihet që kapërcimet morale gjithmonë janë traumatike. Prandaj pasthirrmat keqardhëse nëpër studiot televizive tingëllojnë hipokrite.. Periudha nga morali patriarkal në atë liberal do të jetë me kosto morale dhe humane si kudo gjetkë.. Për këtë të gjithë duhet të jenë të ndërgjegjshëm.


                Tetor,2012