Nga Petrit Qejvani
Anatomia e krimit në vend po pasurohet cdo ditë monstruozisht.Tashmë
askush nuk mund të mohojë që Shqipëria është kthyer në një laborator
krimi. Përditë ë më tepër fytyra e krimit bëhet më e përbindshme, aq sa
dhe fantazia më e shfrenuar nuk mund ta imagjinojë.
Por krimi i fundit në Xhafzotaj ka shokuar me të drejtë opinionin pasiv
shqiptar. Natyrisht, që të gjithë besoj bashkohen në vlerësimin e
fabulës së krimit( marrëdhëniet kriminel-viktimë) deri te përfundimi i
kësaj marrëdhënie anormale, me një fund tragjik për viktimën “fajtore pa
faj”. Përtej hulumtimeve sociale- psikologjike për të gjetur
justifikimin e kësaj historie absurde, (cka duhet bërë nga njerëzit e
duhur në vendin e duhur) është e nevojshme të kuptohet c’ka ndodhur në
moralin e shqiptarëve këto dy dekadat e fundit.
Krime si ky apo të ngjashëm me të tregojnë në mënyrën më elokuente
krizën morale të shoqërisë sonë (përvec asaj ekonomike) apo moralin
tonë në krizë. Ato tregojnë se përmbysja rrokopujthi dhe mekanike e
moralit të mëparshëm (le të themi tradicional) është dicka e komplikuar
dhe se shoqëria jonë nuk i lan dot kaq shpejt duart me të, sikundër
p.sh: i lan fjala vjen me politikën, ku konceptet dhe strukturat e
vjetra shtetërore i zëvendëson me të reja shumë më shpejt. Sepse kodet
morale, konceptet morale ndryshojnë shumë ngadalë (me breza njerëzorë)
dhe se disa vlera morale janë të përjetshme dhe nuk mund të njësohen e
rrëzohen me sistemet politike. Nga ana tjetër, zelli i tepruar për të
përqafuar gjthcka ka sistemi i ri si pozitive, nuk është një altenativë e
suksesshme.
Nga një shoqëri me kod moral të rreptë dikur, (para viteve’90)
shoqëria ë sotme shqiptare është pa një kod të ri moral. Njeriu shqiptar
vërtitet i dyzuar midis kodit të vjetër tradicional dhe tundimit të
moralit të ri borgjez, ende të pa kodifikuar, pra, të pranuar gjerësisht
si një moral i ri. Disa vlera morale tradicionale u quajtën si produkte
të socializmit dhe për këtë shkak u anatemuan pa të drejtë. Kështu, u
shkelmuan dhe disa vlera të përhershme, të domosdoshme për të mbajtur në
këmbë familjen, si bërthamën ë shoqërisë, si p.sh besnikeria
bashkëshortore, shenjtërimi i familjes, që u quajten jo rrallë, demode,
anakronike. Largimi me shpejtesi nga tabuja u quajt celësi i mënyrës së
re të jetesës. Pra, kontrata e martesës mund të shkelej nga njeri apo
tjetri, dhe kjo shihet si një kontratë e zakonshme.
Marrëdhëniet dashurore në përgjithësi u trajtuan si marrëdhënie tregu,
thjesht më jep-të jap, duke u zhveshur mga” magjia” karakteristike. U
ngrit në qiell liria pa kufi dhe trupi njerëzor,vecanërisht i femrës, u
shndrrua në metaforë, duke u parë thjesht si burim kënaqësie fizike.
Liria seksuale u trumbetua si flamuri i të gjitha lirive! Vecanërisht
kjo te femrat. Shtimi i divorceve me protagoniste femrat u shenjua si
fitore e lirisë(!) dhe jo edhe si krizë e familjes. U cvlerësuan disa
gjera të shenjta ë të shtrenjta për cdo kohë, të pakonvertueshme
materialisht, si dashuria dhe trupi i njeriut, që jo rrallë konsiderohen
mall. Njeriu shqiptar u quajt i paditur në cështjet seksuale, thua se
nuk e njhte më parë trupin e tij(!), ndërkohë që raca njerëzore,(dhe
ajo shqiptare) kanë ardhur për bukuri deri në ditët tona pa mësime
“speciale” për seksin, pasi seksi është dicka insinktive, e trashëguar.
Kaq keq është shpërdoruar propaganda për seksin, saqë shumë prindër
(natyrisht “intelektualë”) në vend të porositin fëmijtë e tyre të marrin
librat me vete, i porositin, kur shkojnë në shkollë, të mos harrojnë
prezervativin ose kontraceptivët e tjerë.!..(a thua se shkojnë në
stallë!)
Një industri e tërë në funksion të “emacipimit”, duke filluar që nga
bisedat në studiot televizive me femra “moderne” e meshkuj liberalë
“jashtë derës së shtëpisë”, te intervista me ca “artise” që tregojnë se
tani për tani janë pa dashnorë (hata e madhe kjo(!)), te telenovelat e
mbushura me tradhti bashëshortore, me shfaqje të tipit “big bother”, ku
drejtuesja ngazëllehet nga suksesi që në big brotherin e parë u realizua
puthja live e deri te i fundit ku ”suksesi”qe i paparë, pasi u bë seks
live! Dhe deri te konsiderimi i raporteve dashurore apo martesës si
“ekskursioni i radhës”.
Në një atmosferë të tillë të shplarjes së trurit, ku janë marrosur dhe
70-80 vjecarët(!) është normale që të marrosen adoleshentët dhe të
rinjtë. Dhe të ketë edhe drama si ajo e Xhafzotajt, apo ajo e vrasjes
trefishe, ku, për habi të të gjithëve dhe kundër logjikës së gjërave,
gruan nuk e vret burri për tradhti (megjithëse as kjo nuk përligjet),
por e vret njëri nga dashnorët! Dhe lidhur me këtë, një e ftuar (ishte
grua, jo vajzë) në një studio televizive, në mbrojtje të gruas- viktimë
(duhet të ishte e një shoqate për mbrojtjen e grave) tha se një femër
mund të shkojë edhe me tre meshkuj njëherësh(!), por ti s’ke pse e vret.
Duke e banalizuar problemin (shih konceptimin ë “lirisë” seksuale) ajo
harron se këto janë raporte midis njerëzish, se të bësh dashuri nuk
mjafton vetja jote, por duhet dhe një tjetër (partneri) dhe se
marrëdhëniet intime janë marrëdhëniët më të ngushta dhe prandaj ato janë
të komplikuara edhe vetëm me një person, pale pastaj me dy apo tre.Në
këtë rast nuk merret fare parasysh që ne vijmë nga një shoqëri
patriarkale dhe se, edhe në vendet e zhvilluara, ngjarje të tilla
ndodhin për shkak të cilësisë së këtyre marrëdhënieve.
Një shoqëri si kjo jona ku secili lëviz për hesap të vet, pa pyetur
për ligj e rregull, ku shteti nuk është në lartësinë e tij, ku
ndëshkimet janë qësharake, ku kufiri midis virtytit dhe vesit është
bërë kaq diskret sa virtyti dhe vesi shpesh ndrrojnë vend, ku fshatari
medon se bëhet qytetar që ditën e parë të zbritjes në qytet, ku është
përmbysur rendi i gjërave, dhe, mbi të gjitha, ku shoqëria nuk ka guxim
të shohë të metat e veta, por mbulon kokën si struci, nuk ka se si të
mos presësh drama të reja.
Në një shoqëri ku muza kryesore është paraja dhe deviza është qejfi (
shikim ky vecanërisht shqiptar i kapitalizmit!) dhe kur këto shumica
s’i realizon dot, doemos që drama të tilla do jenë të zakonshme dhe ne
më kot do ngremë supet të habitur (nga padija apo hipokrizia) pas cdo
drame të re. Problemin e komplikon edhe tendenca (si ajo e shfaqur në
politikë për gjoja deideologjizimin e botës pas rënies së murit të
Berlinit) për demoralizimin (zbrazjen nga morali) e botës moderne pra,
për një botë pa moral (pa rregulla morale të pranuara nga të gjithë)!
Ose të kuptuar si “Cdo individ ka moralin e vet”!...
Nga ana tjetër, dihet që kapërcimet morale gjithmonë janë traumatike.
Prandaj pasthirrmat keqardhëse nëpër studiot televizive tingëllojnë
hipokrite.. Periudha nga morali patriarkal në atë liberal do të jetë me
kosto morale dhe humane si kudo gjetkë.. Për këtë të gjithë duhet të
jenë të ndërgjegjshëm.
Tetor,2012
Δεν υπάρχουν σχόλια:
Δημοσίευση σχολίου